28.9 C
Prizren
E hënë, 16 Qershor, 2025
Home Blog Page 8225

Frikë nga triumfi i Vuçiqit

0

Aleksandar VuçiqNë Kosovë nuk është pritur një fitore kaq bindëse e bashkëpunëtorit të ngushtë të Sheshelit, Aleksandar Vuçiq, në zgjedhjet nacionale në Serbi, shkruan sot Koha Ditore.

Pas marrjes vesh të rezultatit, janë shprehur disa pritje:
zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi pret që Serbia ta vazhdojë dialogun; avokati Azem Vllasi që ambiciet e Serbisë mbi Kosovën të rriten; e analisti Branislav Kërstiq që serbëve të Kosovës t’u thuhet e vërteta.

Fitorja bindëse e Partisë Përparimtare në zgjedhjet e të dielës në Serbi ka ngjallur frikën në Kosovë se ndaj saj Beogradi zyrtar do të shtojë ambiciet. Por të kundërtën e presin në veriun e vendit të populluar kryesisht me serbë.

Partia e Aleksandar Vuçiqit mori gati gjysmën e votave të trupës elektorale serbe, përfshirë edhe shumicën e votave të serbëve të Kosovës. Subjekti i tij politik ka dalë nga Partia Radikale e politikanit famëkeq serb, Voislav Sheshel, së cilës Vuçiq i ishte bashkuar qysh në vitin 1993.

Berisha: Muja është dënuar pak, por unë ende kam besim në shkallën e dytë

0

ZafirBerisha11-14Lideri i Bashkimit Demokratik, Zafir Berisha, i cili deri para pak kohësh ka qenë bashkëpartiak i kryetarit të Prizrenit Ramadan Muja, mendon se ky i fundit është dënuar shumë pak nga gjykata.
Ai në një intervistë për gazetën Tribuna ka thënë se shkalla e dytë edhe mund ta dënojë më shumë se dy vite me kusht kreun e Prizrenit.

I dënuari, sipas Berishës, është vasal i parapolitikës.

Sa i përket dorëheqjes së Mujës, Berisha mendon se ajo është gjëja më e vogël çfarë mund të bëjë kryetari pasi u dënua.

Megjithëse është skeptik nëse Muja do të reflektojë pozitivisht dhe të japë dorëheqjen e tij.

Hodaj: LDK do t’i bashkohet të mërkurën protestës për dorëheqjen e Mujës

0

Haziz HodajPartia më e madhe opozitare në Prizren, LDK do t’i bashkohet të mërkurën protestës së paralajmëruar kundër kryetarit të dënuar të Prizrenit, Ramadan Muja.

Nënkryetari i degës së LDK-së në këtë qytet, Haziz Hodaj i ka bërë thirrje aktivistëve të protestojnë.

“Ne si degë e përkrahim protestën e së mërkurës dhe do të jemi pjesë e saj. U bëj thirrje të gjithë aktivistëve të LDK-së të dalin në protestë për të kërkuar dorëheqjen e Mujës”, ka thënë Hodaj në Interaktiv të KTV-së. Ai ka thënë se Muja duhej menjëherë të jepte dorëheqje menjëherë pas dënimit që mori nga Gjykata e Prizrenit. Hodaj ka folur edhe për përplasjet e brendshme në LDK, duke thënë se ai ka kërkuar përgjegjësi për humbjen e radhës në këtë qytet.

Kryesia në qendër tashmë ka caktuar një trup të veçantë që do të merret me menaxhimin e degës që udhëhiqet ende nga Eqrem Kryeziu. Sipas tij, duhet gjetur një figurë të tretë që do të kandidonte për LDK-në në rast të zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

PDK në Prizren: Muja do të respektojë vullnetin e votuesve

0

PDK-dega PrizrenPartia Demokratike e Kosovës (PDK) Dega në Prizren, i ka dal në mbrojtje kryetarit të Prizrenit, Ramadan Mujës. Zëdhënësi i PDK-së, Samir Hoxha tha se ky subjekt politik beson fuqishëm në punën dhe përkushtimin e kryetarit të Komunës, Ramdan Mujës.

“Dega në Prizren, sqaron opinionin e gjerë, pas zhvillimeve të shëmtuara nga ana e një grupi të vogël prej shtatë vetash, militantë të partive politike opozitare, të maskuar nën petkun “e qytetarisë aktive”, se deshën ta pengojnë punën në institucionet komunale të Komunës së Prizrenit”.

“PDK – Dega në Prizren kërkon nga të gjithë qytetarët e komunës, që të kenë besim dhe të mos u besojnë atyre që dëshirojnë t’i njollosin të arriturat e qytetit të Prizrenit të udhëhequra nga kryetari Muja, i cili është i vendosur për ta respektuar vullnetin e votuesve”.

“PDK në Prizren, falënderon dhe mbështet qëndrimin e kryetarit Muja, për të respektuar vendimin e organeve të drejtësisë dhe çfarë do qëndrimi që do të merr Gjykata e Apelit, është vendim që do të zbatohet nga kryetari Muja”.

“Andaj, deri sa të merret ky vendim, i lejon kryetarit të Komunës së Prizrenit, sikurse çdo qytetari tjetër të Republikës së Kosovës të paraqes ankesë në organet e drejtësisë”. /PrizrenPress.com/

 

Thaçi i del në mbrojtje Ramadan Mujës

0

thaci dhe muja ,pershendetjeKryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka dal në mbrojtje kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja. Ai tha se Muja deri më tash ka treguar respekt për organet e drejtësisë.

“Muja e ka dëshmuar se si duhet të respektohen organet e drejtësisë”, tha Thaçi për TV Besën.

Ai ka ftuar partitë opozitare që të mos ndërhyjnë me protesta në vendimet e drejtësisë.

“Drejtësia nuk duhet të përzihet me politikë. Prandaj, partitë politike nuk duhet të ndërhyjnë në vendimet e drejtësisë”.

Kryeministri Thaçi tha se kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja ende nuk ka përfunduar të gjitha punën me drejtësinë.

“Muja është i pafajshëm derisa të përfundojnë të gjitha procedurat e tjera gjyqësore”, tha Thaçi./PrizrenPress.com/

 

Zgjatet afati i aplikimit në “DokuFest”

0

Dokufest-kinemaja“DokuFest” shtyn datën e fundit për aplikim të filmave të cilët do të garojnë për t’u shfaqur në edicionin e 13-të të festivalit. “1 Prill 2014 është data e fundit për aplikim për filmat konkurrues jashtë Kosove, ndërsa 15 Prll 2014 është data e fundit për filmat që vijnë nga Kosova”, ka thënë Nita Deda, zyrtare në “DokuFest”.

“DokuFest fton të gjithë regjisorët,skenaristët, produksionet dhe shkollat e filmit të i dërgojnë filmat e tyre për të konkurruar në edicionin e ardhshëm të festivalit”, është thënë më tutje për këtë shtyrje të afatit për aplikim.

Ndërkaq, filmat që do të konkurrojnë, realizimi i tyre duhet të jetë i kryer pas 1 Janarit 2013, filmat e shkurtër s’duhet të jenë më të gjatë se 30 minuta dhe filmat nuk duhet të jenë shfaqur në ndonjërin prej televizioneve nacionale. “Të gjitha rregullat e aplikimit mund të lexohen në ëeb faqen zyrtare të festivalit në linkun: http://dokufest.com/2013/submissions-2/rules-and-regulations/. Festivali DokuFest sivjet shënon edicionin e tij të trembëdhjetë, i cili do të mbahet nga data 16 gusht deri më datën 24 gusht 2014 në Prizren.

“Për Prizrenin” paralajmëron protestë edhe nesër kundër Mujës

0

Protesta kunder MujesNjëri nga organizatorët e protestës së sotme, Kastriot Jahaj, ka ftuar qytetarët që t’u bashkohen nesër në protestën që do të organizohet me kërkesën e njëjtë, dorëheqjen e kryetarit Ramdan Muja.

“Protesta është thirr për të mërkurën në ora 12:00 nga qytetaret aktiv ‘Për Prizreni’. Ne si grup i qytetarëve sot kemi arrit me blloku komunën deri rreth orës 13:30, kemi qëndruar ulur dhe asnjëherë nuk e kemi provokuar Policinë. Ata vendosen me na arrestu dhe i kanë arrestuar së paku 7 qytetarë”, ka treguar Jahaj, përmes një statusi në rrjetin social Facebook.

Ai ka treguar se protesta do të vazhdojë.

“Ne do të vazhdojmë edhe nesër me bllokim të komunës nga ora 08:00 e mëngjesit. Presim përkrahjen e juaj edhe nesër, e të mërkurën protesta gjithëpopullore me ju ka me e mrri qëllimin e vet. Kriminelët e dënuar do të shkojnë në burg e komuna do t’i kthehet qytetareve”, ka shkruar Jahaj, teksa ka kërkuar lirimin e menjëhershëm të qytetarëve të arrestuar sot.

KMDLNJ: Arrestimi i protestuesve në Prizren i padhunshëm!

0

KMDLNJ-logoQendra Rajonale e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka bërë të ditur se Policia e Kosovës nga Prizreni me forcë i ka larguar nëntë qytetar, të cilët, të hënën kanë protestuar para “Shtëpisë së Bardhë” në Prizren, si shenjë revolte ndaj dënimit të kryetarit të kësaj komune, Ramdan Muja, përkatësisht, nga fakti se Muja po vazhdon të qëndrojë si kryetar, nuk po jep dorëheqje, pavarësisht ngase është dënuar.

“Me datën 17.08.2014 para Shtëpisë së Bardhë në Prizren, selia e kryetarit të Kuvendit Komunal të Prizrenit, Ramadan Muja janë mbledhur 9-të qytetarë. Të njëjtit kanë qëndruar me pankarta në dorë, me thirrjet për largimin nga detyra të kryetarit Muja, pas vendimit t ë dhënë nga Gjykata Themelore për dënimin e tij dhe zyrtarëve tjerë. Policia gjatë gjithë kohës ka siguruar objektin ku në hyrje (para derës) ishin ulur më pas këta qytetarë, dhe rreth orës 13.05 ka intervenuar”, thuhet në komunikatën për medie të lëshuar nga KMDLNJ.

Siç bëhet me dije, më pas në stacionin policor ‘Alfa’ në Prizren policia ka sjellë gjashtë veta, ndërsa tre të tjerë kanë ikur.

“Arrestimi dhe sjellja e tyre në stacion policor ka qenë konform rregullave të parapara dhe nuk është përdorur dhunë, ka thënë për Qendrën Rajonale të KMDLNJ-së në Prizren, togeri, Sejad Huskiq. Ai, me këtë rast ka thënë se lehtë është lënduar një zyrtarë policor. Ndërkohë, rreth orës 15:40 të njëjtit janë dërguar në Gjykatën Themelore, Divizioni për Kundërvajtje”, përfundon komunikata e KMDLNJ-së i nënshkruar nga koordinatori Bashkim Kajdomçaj

Thellohet përçarja e LDK-së në Prizren

0

LDK-logo5-23Thellohet përçarja e degës së LDK-së në Prizren. Njëri ndër iniciatorët për thirrjen e Kuvendit të Jashtëzakonshëm, Fatmir Mema, bën të ditur se ka bërë një ftesë për takimin e strukturave të LDK-së më 22 mars në Prizren.

Në këtë takim do të sqarohet marrëveshja që është arritur ndërmjet këtij grupi dhe strukturave të larta të LDK-së në qendër. Memaj thotë se ajo marrëveshje ka devijuar, ndërsa takimi i thirrur në mes të nënshkruesve të kërkesës për Kuvend të Jashtëzakonshëm të degës së LDK-së së Prizrenit dhe Haki Rugovës, Anton Çunit e Naser Osmanit të cilët janë ngarkuar nga kryesia qendrore dhe kryetari Isa Mustafa, është i domosdoshëm.

Kësaj thirrje nëpërmjet një komunikate i është kundërvënë zyra për informim e LDK-së, ku i është bërë ftesë anëtarësisë së këtij subjekti që ta bojkotojnë këtë takim, pasi ai është i paligjshëm.

“E sqarojmë opinionin publik, kryetarët e nëndegëve, anëtarët dhe simpatizantët e LDK-së në Prizren, se kjo ftesë është ilegale dhe nuk ka miratimin nga kryetari dhe kryesia e LDK-së, Dega në Prizren”, thuhet në komunikatë.

Përndryshe, në Prizren kjo situatë është krijuar, pas humbjes së zgjedhjeve lokale nga kandidati Eqrem Kryeziu.

Sipas Fatmir Memës, një grup iniciuesish, kanë mbledhur nënshkrimet e 55 delegatëve nga 101 sa ka dega e LDK-së së Prizrenit, që sipas statutit kuvendi mund të thirret me vetëm 1/3-tën e votave. Ndërkaq, nga 45 nëndegë sa ka ky subjekt politik në Prizren, 33 prej tyre kanë kërkuar dorëheqjen e kreut të degës Eqrem Kryeziu. Deri të shtunën ngelet të shihet se a do të mbahet ky takim në mes të pakënaqurve të LDK-së së Prizrenit dhe ekipit të kryesisë qendrore.

Partia Konservatore, kërkon dorëheqjen e Mujës

0

MunirBasha-PK8-29Partia Konservatore e Kosovës(PK) kërkon që Ramadan Muja të japë dorëheqje nga posti i kryetarit të Prizrenit.

Kryetari i PK-së, Munir Basha tha se subjekti i tij politik ndan brengën e qytetarëve të Prizrenit për dilentatizmin politik të Ramadan Mujës dhe garniturës së tij politike.

“Partia Konservatore e Kosovës ndan brengën dhe shqetësimet e qytetarëve të Prizrenit dhe të shoqërisë civile për deklarimet e kryetarit të dënuar të Prizrenit për shpërdorimin e detyrës zyrtare, se ai nuk do ofrojë dorëheqjen e tij dhe se do të vazhdojë të mbajë postin e kryetarit të Prizrenit pa marrë parasysh faktin se ai është shpallur fajtor”, tha Basha.

“Në një shoqëri demokratike është e zakonshme që të ofrohet dorëheqja kur ngrihet aktakuza për shpërdorimin e detyrës zyrtare kundër një personit që mban një post të rëndësishëm publik apo udhëheqës edhe para se të shpallet fajtor”.

“Ndërsa në këtë rast është e paimagjinueshme, e pamoralshme dhe e pakuptueshme se si një kryetar i një qyteti që është zgjedhur me votën e lirë, edhe pas shpalljes si fajtor nga gjykata kompetente vazhdon të qëndrojë dhe ta mbaj postin e tij në Prizren”.

“Me këtë dëshmohet se krimi i organizuar ka kapluar të gjitha instancat e qeverisjes lokale në Prizren dhe se udhëheqësit komunal nuk mërziten për ligjshmëri dhe përforcimin e qeverisjes lokale, por vetëm se si të vazhdojnë që qëndrojnë në poste udhëheqëse për tu pasuruar edhe më tej, duke sfiduar edhe gjyqësorin”.

“Kjo tregon që demokracia nuk ka filluar ende të funksionoj në Kosovë pasi që qeveritarët mendojnë se ata janë të paprekshëm edhe nëse shpallen fajtor. Me këtë luajnë me fatin dhe i përqeshin qytetarët e Kosovës, sovranin e vetëm që vendos se kush duhet të udhëheq me fatin e tyre”.

“Partia Konservatore e Kosovës nuk është vetëm për largimin e Ramadan Mujës nga posti i tij, por edhe kundër riciklimit të politikanëve të njëjtë që nuk kanë sjellë asgjë të dobishme për Prizrenin”.
“Partia Konservatore e Kosovës është për ndryshime politike dhe për vendosjen e një qeverisjeje të ndershme demokratike ku ka për synim interesat dhe mirëqenien e qytetarit”.

“Partia Konservatore e Kosovës angazhohet për forcimin e institucioneve shtetërore demokratike, për përforcimin e shtetit ligjor duke i respektuar vendimet e gjyqësorit dhe proceset gjyqësore pa ndërhyrje politike nga jashtë, për një shtet ku secili qytetar ndihet i barabartë me të tjerët, ku ka ndarje të qartë në mes të ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqësorit”/PrizrenPress.com/