22.1 C
Prizren
E enjte, 26 Qershor, 2025
Home Blog Page 8245

UNESCO, letër Shqipërisë për privatizimin e Butrintit

0

Butrinti-teatriPrivatizimi i një pjese të Parkut Arkeologjik Kombëtar të Butrintit, ka shqetësuar edhe UNESCO-n. Pak ditë pasi Forumi në Mbrojtje të Trashëgimisë, denoncoi publikisht rastin, kanë reaguar zyrtarë të lartë të Qendrës së Trashëgimisë Botërore.

Përmes një letre, dërguar ambasadores së Shqipërisë në UNESCO, Besiana Kadare, Kishore Rao, drejtor i Qendrës së Trashëgimisë Kulturore-UNESCO, në Paris ka kërkuar informacion të detajuar. Në letër,(që i ka shkuar për dijeni edhe Komisionit Kombëtar Shqiptar për UNESCO-n), Rao pyet se si qëndron çështja e ndryshimit të pronarit. Më tutje, ai kërkon të dijë nga shteti shqiptar se ku shtrihen ekzaktësisht tokat e privatizuara, në raport me pronën e Trashëgimisë Botërore dhe sa ky privatizim mund të ndikojë në vlerat e jashtëzakonshme e universale të Butrintit.

“Qendra e Trashëgimisë Bo-tërore së fundmi ka marrë një artikull në lidhje me ndryshimin e pronësisë mbi tokën e Parkut Kombëtar të Butrintit. Po ju dërgoj, edhe një kopje të artikullit, i cili gjithashtu mund të lexohet edhe në linkun e mëposhtëm: (http://www.balkaninsight.com/en/article/albania-privatized-parts-of-unescoheritage-faqe). Në përputhje me paragrafin 174 të udhëzimeve operacionale, përgjigja e qeverisë suaj, do të na mundësojë të verifikojmë burimin dhe përmbajtjen e informacionit që ka marrë qendra.

Prandaj, unë do ju isha mirënjohës nëse ju mund ta përcillni këtë mesazh, tek autoritetet tuaja lokale e kombëtare, dhe të na njihni ne me komentet e tyre mbi ndryshimin e pronarit të tokës dhe ndikimin e mundshëm që kjo mund të ketë në vlerat e jashtëzakonshme e universale të Butrintit, pasuri e Trashëgimisë Botërore. Ne do ju ishim mirënjohës, nëse autoritetet tuaja mund të na saktësojnë se ku shtrihen ekzaktësisht tokat në fjalë, në raport me pronën e Trashëgimisë Botërore”, citohet letra në “GSH”.

Pak ditë më parë, Forumi i Trashëgimisë përmes një deklarate për mediat, njoftoi se Butrinti është privatizuar, dhe se pronari i ri i një pjesë të tij, është Agim Toro, i cili e ka marrë atë si kthim prone. Gjatë këtyre ditëve, në media ka pasur debate mes palëve. Toro, ka qenë për një kohë të gjatë i punësuar pranë Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Anëtarët e Forumit, kanë bërë me dije se ndër pjesët e Butrintit që i kalojnë Toros, është edhe vetë teatri antik.

I kënaqur me dënimin e Mujës

0

Ridvan Hoxha LDKIniciuesi i dy rasteve të aktakuzës së kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja, ish-këshilltari i LDK-së, Ridvan Hoxha, është i kënaqur me verdiktin e dënimit të Mujës nga Gjykata Themelore në Prizren.
Ai thotë se dënimi për Mujën dhe të tjerët është minimal, megjithatë i pranueshëm.

“Vendimi Gjykatës Themelore është më tepër se minimumi, megjithatë e vlerësoj, sepse ne duhet të besojmë në institucione”, tha Hoxha për “PrizrenPress”.

Ridvan Hoxha në cilësinë e këshilltarit të LDK-së, ka qenë njëri ndër iniciatorët që ka dërguar në Prokurori, shkeljet ligjore që kishte bërë kryetari Ramadan Muja. Ai nga fillimi është shprehur i sigurt se Muja kishte shkelur ligjin me “dy këmbë”.

Hoxha thotë se është i lumtur që drejtësia më në fund tregojë se funksionon edhe në Kosovë.

“Personalisht si një ish-këshilltar i Kuvendit Komunal të Prizrenit dhe iniciuesi i dy rasteve të aktakuzës, prej katër gjithsej, jam i kënaqur me vërtetimin e fajësisë”.

“Dënimi edhe pse duket i vogël në fakt vërteton se kjo strukturë në krye me kryetarin Ramadan Muja nga Gjykata janë shpallur si zullumqar dhe të paaftë për të qeverisur me tutje me Prizrenin”.

“Ramadan Muja edhe sot është duke i shkaktuar dëme të mëdha qytetit të Prizrenit”.

Ish-këshilltari Hoxha thotë se ndjehet i lumtur që me veprimet e tij, ka arritur të mbrojë pasurin e qytetarëve të Prizrenit.

“ I motivuar me mbrojtjen e pasurisë së qytetarëve të Prizrenit dhe të Kosovës kam vepruar konform votëbesimit që më është dhënë nga vetë qytetarët dhe pretendimet e mia për shkelje të ligjeve të aplikueshme të Kosovës janë vërtetuar”.

“Vendimi i Gjykatës e shpall fajtor kryetarin e Komunës Ramadan Mujën dhe veç kësaj ia ndalon të ushtrojë detyra publike në 30 muajt e ardhshëm. Ia ndalon sepse ai mund të marrë edhe vendime të tjera të ngjashme duke vazhduar ta dëmtojë qytetin dhe qytetarët e Prizrenit”.

Sipas tij, dënimi me kusht i Mujës është një kursim për vet Mujën dhe shtetin e Kosovës

“Muja edhe i dënuar edhe e ha bukën në shtëpi të vetë duke mos i shkaktuar shpenzime shtetit”.

“Për mua personalisht akuza se Muja dhe zyrtarët tjerë komunalë janë të dëmshëm për shoqërinë është më e rëndë se çdo masë me burg”.

“Ramadan Muja përsëri nuk e tregon as një pikë morali. Ai në vend se të ofrojë dorëheqje dhe ta vazhdojë betejën me drejtësinë në shkallët tjera, vazhdon të qëndrojë aty ku është vlerësuar se është i dëmshëm, duke u bërë gaz i botës”.

“Qyteti i Prizrenit dhe qytetarët e Prizrenit, nuk mund dhe nuk duhet ta durojnë këtë amoralitet politikë”.

“Opozita duhet të bashkohet për të mos lejuar që njerëzit e dëmshëm të vazhdojnë të qeverisin me qytetin tonë. Qyteti dhe qytetarët e Prizrenit nuk do ta durojnë këtë amoralitet politik”/PrizrenPress.com/

Dënimi i Mujës, rikthen Thaçin në Prizren

0

Thaci5-21Kryetar i PDK-së, Hashim Thaçi do të vizitojë sot qytetin e Prizrenit. Ai, në kuadër të kësaj vizite, do të takohet edhe me strukturat e Degës së PDK-së në këtë qytet.

Zëdhënësi i PDK-së në Prizren, Samir Hoxha ka konfirmuar takimin që Thaçi do të mbajë me strukturat e PDK-së.

“Kryetari i PDK-së, njëherësh Kryeministër i Republikës së Kosovës Hashim Thaçi, me datë 15.03.2014 do t’i takojë strukturat e Degës së PDK-së në Prizren”, tha Hoxha. Takimi do mbahet në ambientet e Restaurant “Nafron-i”, duke filluar nga ora 16:00.

Kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi, këtë takim me strukturat e PDK-së, po e realizon vetëm dy ditë pasi që kryetari i Prizrenit, Ramadan Muja është dënuar 2 vjet me kusht nga Gjykata Themelore në Prizren. Ky verdikt i gjykatës ndaj Mujës dhe pesë ish-drejtorëve të tij, ka krijuar një gjendje jo të mirë në Prizren.

Partitë opozitare kërkojnë nga kryetari Ramadan Muja, që të jep dorëheqje. Ata kanë paralajmëruar organizim të protestave nëse Muja nuk e merr një veprim të tillë.

Ndërkaq, kërkesa e partive opozitare për dorëheqje nga kryetari Muja është vlerësuar shumë naive. Ai ka thënë se nuk do të jep dorëheqje sa herë kërkon opozita.

Muja vazhdon të jetë i bindur se është i pafajshëm dhe se dënimi ndaj tij nuk ka qenë i drejtë./PrizrenPress.com/

Kompensim minimal për të burgosurit e pafajshëm

0

Gjykata-qekiqiNë tre vjetët e fundit janë rritur rastet e personave, të cilët kanë kërkuar kompensim të dëmit në Këshillin Gjyqësor, pas shpalljes së pafajësisë, shkruan sot Koha Ditore.

Prej viti 2005 deri më tani janë shqyrtuar 729 kërkesa për kompensim që buxhetit i kanë kushtuar rreth 2 milionë euro. Të burgosurit e pafajshëm janë të pakënaqur me shumën e kompensimit dhe për këtë e kanë përkrahjen e shoqërisë civile dhe të psikologëve.

Nazmi Kadriu i është drejtuar Gjykatës Themelore të Prishtinës me padi, për shkak se nuk është pajtuar me shumën që i është ndarë nga Komisioni për Kompensimin e dëmit në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), si kompensim për periudhën sa ka qëndruar në paraburgim pa arsye.

Ai është vetëm njëri nga më shumë se 700 personave që janë mbajtur në burg pa arsye prej vitit 2005 dhe kanë kërkuar të drejtën e kompensimit. Është edhe njëri nga ata që nuk konsiderojnë se shuma e ofruar e mbulon dëmin e shkaktuar.

Rektori i ri e ka emëruar për Prorektor një falsifikator

0

Anton BerishajI sapozgjedhuri të premten në postin e ushtruesit të detyrës së prorektorit për çështje akademike në universitetin “Hasan Prishtina”, Qerim Qerimi, e kishte nënshkruar evidencën e stafit të angazhuar si ligjërues në universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, në të cilën vëllait të tij, Qenan Qerimi, i figuron thirrja akademike “profesor-asistent”, pa e pasur fare atë dhe as kontratë të rregullt me UP-në.

Evidenca është nënshkruar edhe nga dekani i Juridikut, Bajram Uka.

Qenan Qerimi ka punuar për katër muaj si profesor-asistent në universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, pa pasur gradë akademike dhe pa pasur kontratë të rregullt pune në Fakultetin Juridik të universitetit “Hasan Prishtina”,shkruan Koha Ditore.

Ky angazhim i tij dhe grada profesor- asistent është bërë me dijeninë dhe me nënshkrimin e vëllait të tij, Qerim Qerimi, i cili të premten u zgjodh ushtrues detyre i prorektorit për çështje akademike në UP.

Ai ka qenë deri në këtë ditë prodekan për çështje mësimore në Fakultetin Juridik.

Veriu neutral

0

Mitrovice-VeriuKomunat veriore të Kosovës kërkojnë të respektohet neutraliteti në raport me pavarësinë e Kosovës. Kështu, në vend të Kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës, komunat veriore me organet e dala nga zgjedhjet e fundit lokale janë përcaktuar për Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe Marrëveshjen e 19 Prillit të arritur në Bruksel në dialogun politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Këto veprime, bien ndesh me deklarimet e institucioneve qendrore të Kosovës se me dialogun dhe Marrëveshjen e Brukselit si dhe pjesëmarrjen e serbëve lokalë në zgjedhjet lokale, këto komuna kanë pranuar integrimin në kuadër të institucioneve dhe juridiksionit të vendit,shkruan tribuna.

Në harmoni me interpretimin që Beogradi i bën Marrëveshjes së Brukselit si neutrale në raport me statusin e Kosovës, katër komunat veriore kanë aprovuar statute që nuk janë në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, por në përputhshmëri me Rezolutën 1244. Qeveria e Kosovës i ka shpallur këto statute si joligjore dhe ka këkruar që ato të plotësohen dhe harmonizohen me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës

BE pritet t’i pezullojë miliona euro për Kosovën

0

QeveriaKosoves-objektiQeveria e Kosovës ka rrezikuar seriozisht të humbë miliona euro nga Bashkimi Evropian si mbështetje në fushën e Prokurimit Publik. Kjo pasi që Qeveria dhe Kuvendi nuk kanë arritur të realizojnë “ultimatumin” e Zyrës së BE-së në Kosovë që deri në mesin e muajit mars të përzgjedhin anëtarët e rinj në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP) dhe Agjencinë Qendrore të Prokurimit (AQP).

Pavarësisht këtij ‘ultimatumi’ Kuvendi i Kosovës nuk ka gjetur kohë që të paraqes për votim zgjedhjen e anëtareve të OSHP-së në dy seancat plenare të enjten dhe të premten edhe pse kjo ishte njëra nga pikat e rendit të ditës. Votimi i anëtarëve të rinj të OSHP-së do të dalë në Kuvend gjatë javës së ardhshme, por kjo do të jetë jashtë afateve të përcaktuara nga BE,shkruan Tribuna.

Mosvotimi i anëtarëve të rinj brenda aftit do të shtyjë përfaqësuesit e BE-së që të mblidhen edhe njëherë për të shqyrtuar nëse do të pezullojnë të gjitha investimet në fushën e prokurimit në Kosovë apo jo

Musmurati: PDK-ja nuk do ta kërkojë dorëheqjen e Mujës

0

BasriMusmurati6-06Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike të Kosovës, Basri Musmurati, ka thënë për Telegrafin se PDK-ja nuk do të kërkojë dorëheqjen e kryetarit i Prizrenit, Ramadan Muja.

Pavarësisht se i pari i Prizrenit u dënua me dy vjet burgim me kusht, Musmurati tha se, Muja ende nuk ka marrë vendim të formës së prerë nga gjykata.

“Nuk kemi kërkuar dorëheqjen e tij, sepse as me ligj ai nuk obligohet të jap dorëheqje nga pozita e tij. Ne presim që gjykata t’i kryejë punët e saj deri në fund, dhe derisa jemi në këtë gjendje, PDK-ja nuk do të merret me këtë gjë, kërkimin e dorëheqjes, për shkak se kjo çështje i takon kryetarit të Prizrenit”, ka thënë Musmurati për Telegrafin.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren dje(të enjten) kishte marrë vendim, që kreu i komunës Ramadan Muja dhe pesë bashkëpunëtorët e tij, të shpallen fajtorë për katër pika të aktakuzës, duke Iu dhënë shqiptimin e dënimit burg me kusht.

Pavarësisht se Muja u shpall fajtor, ai ka deklaruar se nuk do të jap dorëheqje, duke thënë se “do të vazhdojë t’iu shërbejë qytetarëve që i besuan ta udhëheq edhe një mandate”.

Hoxhaj – Bushati: Takimi i Prizrenit, pikë kthese për të dyja vendet

0

Bushati-HoxhajMinistrat e punëve të jashtme të Kosovës dhe Shqipërisë, Enver Hoxhaj dhe Ditmir Bushati kanë ligjëruar të premten para një audience të përzgjedhurish të organizuar nga Akademia Diplomatike e Kosovës.

Para diplomatëve, zyrtarëve të institucioneve, përfaqësuesve të shoqërisë civile e gazetarëve dy ministrat u fokusuan në partneritetin strategjik si dhe bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve, veçmas pas mbledhjes së përbashkët ndërmjet dy qeverive në Prizren.

Ministri Hoxhaj gjatë ligjëratës tha se Kosova dhe Shqipëria janë model për rajonin në rrafshin e bashkëpunimit. Ai tha se për Kosovën ka tri nivele të bashkëpunimit rajonal. “Niveli i parë është fqinjësia e mirë, niveli i dytë është fqinjësia konstruktive, ku kohëve të fundit kemi reflektuar edhe në disa vende të rajonit, dhe niveli i tretë për ne është partneriteti strategjik. Me Shqipërinë për arsye historike, kulturore, gjuhësore, politike, por mbi të gjitha për arsye ekonomike, jemi partnerë strategjik”, tha Hoxhaj.

Hoxhaj po ashtu paralajmëroi se në një të ardhme të afërt ndërmjet Kosovës e Shqipërisë do të jetë mundësia e krijimit të një tregu energjetik të përbashkët, duke shprehur besimin se mbledhja e ardhshme e dy qeverive në Vlorë do të sjellë vendime konkrete.

Ministri Ditmir Bushati tha se rruga e bashkëpunimit do të duhej të shihej me një qasje të integruar me portet, me energjinë, me turizmin, me arsimin, me një qasje tjetër në produktet bujqësore.

“Ne jemi përpjekur për të punuar, për të pasur një dokument i cili thjesht nuk do t’iu shërbejë vetëm qeverive të cilat ne përfaqësojmë, por do të jetë një mekanizëm, një kuadër konceptual i cili do të përcaktojë mënyrën sesi do të ndërtohet edhe më tej ky partneritet strategjik. Pra, jo thjesht inflacion marrëveshjesh dhe në fund të ditës për t’i matur këto, por projekte konkrete dhe bashkëpunim të strukturuar. Ky lloj bashkëpunimi është strategjik për ne, është stabilizues për rajonin dhe është orientues për të gjithë rrugëtimin tonë euroatlantik”, tha Bushati. /PrizrenPress.com/

Komuna e Prizrenit mbështet Task Forcën për Qendrën Historike

0

Prizreni5-24Qyteti i bukur i Prizrenit mund të humbasë këtë epitet nëse nuk ndalohen ndërtimet jashtë kritereve, në zonën e saj historike.

Duke parë gjendjen e Qendrës Historike të këtij qyteti, Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, ka krijuar një Task Forcë, përmes së cilës do të inspektohen të gjitha ndërtimet në këtë lokacion.

Të gatshëm për të ndihmuar nismën qeveritare shprehen edhe autoritetet komunale.

Zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Ymer Berisha, ka thënë për Klan Kosova se Komuna është e gatshme të ndihmojë edhe në rrënim, nëse Task Forca vlerëson se ky veprim është i nevojshëm.

“Pas analizës së Task Forcës, jemi të gatshëm si Komunë të hyjmë edhe në politikat e rrënimit, kudo që ka tejkalim të lejeve të ndërtimit”, ka thënë Berisha.

Edhe një ndihmë për Task Forcën vlerësohen të jenë dëshmitë e grumbulluara nga Organizata Joqeveritare “Ec më Ndryshe”.

Përfaqësuesi i kësaj organizate, Hajrullah Çeku, pohon se në Qendrën Historike të Prizrenit është një listë e gjatë e ndërtimeve që kanë kaluar kriteret e parapara.

“Po, ka shumë raste të ndërtimeve që janë bërë në Qendrën Historike të Prizrenit. Janë raste të ndërtimit të hoteleve, janë raste të tejkalimeve të ndërtimeve të larta. Është një listë e gjatë e ndërtimeve, që shkon deri tek uzurpimi i hapësirave publike”.

Vendimi për themelimin e kësaj Task Force duket se ka gjetur edhe përkrahjen dhe pëlqimin nga vetë prizrenasit.

Një qytetar i Prizrenit ka thënë për Klan Kosova se këto ndërtime pa kritere duhet të rrënohen për të mirën e qytetit.

“Kanë bërë njerëzit ndërtime pa kritere, dhe besoj që Komisioni dhe Task Forca që po krijohet do të dijë t’i vlerësojë në mënyrën e duhur. Ato që duhet të rrënohen, duhet të rrënohen, sepse janë për të mirën e qytetit”.

“Jo prej kulmit por prej themelit, le t’i shkatërrojnë të gjitha, prej A deri në ZH”, ka thënë një tjetër qytetar i Prizrenit, për Klan Kosova.