19.3 C
Prizren
E hënë, 4 Gusht, 2025
Home Blog Page 8460

Xhabali: Institucionet t’i mbrojnë objektet me vlera në Prizren

0

Prizreni9-18Organizata Joqeveritare “EC Ma Ndryshe”, ka shqyrtuar ecurinë e hetimeve në lidhje me djegien e shtëpisë së familjes Shehu në lagjen “Tabakhanë”.

Valon Xhabali,koordinator i Programit të Trashëgimisë Kulturore, tha se gjatë këtyre javëve janë mbledhur informata nga institucionet e hetuesisë dhe të sigurisë, në bazë të cilave supozohet se zjarri ishte shkaktuar nga instalimi i vjetër i rrymës elektrike.

“Procesverbali i Drejtorisë së Emergjencës dhe Sigurisë lidhur me këtë incident të zjarrit supozon se zjarri është shkaktuar nga rrjeti elektrik, dhe thekson pamundësinë për vërtetimin e shkaktarit për shkak të djegies dhe rrënimit të shtëpisë. Në këtë raport thuhet se në objekt ka banuar një familje 14 anëtarëshe”.

Raporti i hetuesve të Policisë së Kosovës nga Stacioni Policor në Prizren bën të ditur se anëtarët e kësaj familjeje kanë konfirmuar problemet e shpeshta me instalimin e dobët elektrik.

“ Duke u bazuar edhe në raportin e DES-it njësiti i hetimeve ka ardhur në përfundim se në rastin konkret nuk janë gjetur elemente të ndonjë vepre penale dhe me këtë konstatim është njoftuar Prokuroria Themelore e Prizrenit”.

Zyrtarët e Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve Historike në Prizren kanë pohuar se e kanë marrë këtë raport dhe se e kanë dërguar në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Ndërsa krerët e Këshillit për Trashëgimi Kulturore të Qendrës Historike të Prizrenit kanë thënë se nuk kanë pranuar asnjë raport, edhe pse me një reagim publik kishin kërkuar marrjen e masave urgjente për zbardhjen e rastit.

“Bazuar në këto të gjetura EC Ma Ndryshe sërish shpreh keqardhjen për këtë humbje kulturore të Prizrenit dhe apelon tek institucionet përgjegjëse që të ndërmarrin veprime për parandalimin e rasteve të tilla në të ardhmen, veçanërisht në Qendrën Historike të Prizrenit.

Konsiderojmë se Komuna e Prizrenit, IMMH-ja, MKRS-ja dhe organet tjera duhet të shtojnë përpjekjet e tyre në drejtim të identifikimit të objekteve me vlera të Prizrenit dhe hapave konkretë për ruajtjen e tyre nga shkatërrimi i tërësishëm”, tha Xhabali.
Gjithashtu përkrahim rekomandimin e dhënë nga Këshilli për Trashëgimi Kulturore i Qendrës Historike të Prizrenit që “të merren të gjitha masat preventive që shtëpia të mos rrënohet tërësisht, duke vazhduar me punimet për konservimin dhe rindërtimin e saj dhe kthimin në gjendjen e mëparshme”.

“Ndërsa KTK-në e rekomandojmë që të ndërmerr nismën për diskutim të kësaj problematike me të gjithë hisedarët, në mënyrë që të gjendet mënyra për rindërtimin e kësaj shtëpie, por edhe për parandalimin e dëmtimit dhe shkatërrimit të vlerave tjera të trashëgimisë kulturore të Prizrenit.”/PrizrenPress.com/

Renditja e filmave në arkat filmike në fundjavë

0

hobittNë fundjavën pas Krishtlindjeve, filmi i Peter Jackson “The Hobbit: The Desolation of Smaug”, vazhdoj të kryesoj në arkat filmime amerikane duke marrë pozitën e parë për të tretën javë rresht. Filmi i ‘Warner Bross’, fitoj 30 milionë dollarë, duke sjellë në total deri tani fitim prej 190.3 milionë dollarë.

Aventura e animuar e ‘Disney’, “Frozen”, mori vendin e dytë, duke fituar 28.9 milionë dollarë gjatë fundjavës dhe e rrit në 248.4 milionë dollarë fitimin në total, pas gjashtë javësh të shfaqjes.

Fitimet e filmave në arkat filmime gjatë fundjavës:

1.“The Hobbit: The Desolation of Smaug” 30 milionë dollarë.

2.“Frozen”, 29 milionë dollarë.

3.“Anchorman 2: The Legend Continues”, 20.2 milionë dollarë.

4.“American Hustle”, 20 milionë dollarë.

5.“The Wolf of Wall Street”, 19 milionë dollarë.

6.“Saving Mr. Banks”, 14.3 milionë dollarë.

7.“The Secret Life of Walter Mitty”, 13 milionë dollarë.

8.“The Hunger Games: Catching Fire”, 10.2 milionë dollarë.

9.“47 Ronin”, 10 milionë dollarë.

10.“Tyler Perry’s a Madea Christmas”, 7.4 milionë dollarë.

Muja: Urime Viti i Ri!

0

Ramadan Muja 2Kryetari i Komunës së Prizrenit, Ramadan Muja,ka uruar të gjithë qytetarët, me rastin e Vitit të Ri.

“Qeveria komunale gjatë vitit 2014, do të jetë e përkushtuar, që në bashkëpunim të ngushtë me qytetarin, ta vazhdojë rrugën e realizimit të projekteve të nisura për Prizrenin Evropian”.

“Komuna e Prizrenit do ketë në fokus të saj zhvillimin ekonomik, duke i fuqizuar politikat e biznesit privat, me synim hapjen e vendeve të reja të punës”.

“Viti i Ri 2014, uroj që të përmbushë të gjitha pritjet tuaja qytetarë të respektuar”./PrizrenPress.com/

 

Herciana Matmuja: Është viti im, isha e përgatitur për fitoren

0

Hersi Matmuja“Nuk e di në duhet të qesh apo të qaj. Suksesi vjen pas shumë vështirësish të kaluara dhe ishte shumë i kërkuar dhe i dëshiruar për mua”.

Herciana Matmujës i duhet ende të mësohet me idenë se është pikërisht ajo që do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Europian. Kënga me muzikë të Genti Lakos dhe tekst të Jorgo Papingjit, “Zemërimi i një nate”, u shpall fituesja e edicionit të 52-të të Këngës në Radiotelevizionin Shqiptar. Me një diferencë prej 14 pikësh nga vendi i dytë (69 gjithsej), në të cilin u rendit kënga “Me ty” kënduar nga Klodian Kaçani, e ndjekur nga “Grua”, kënduar nga Saimir Braho, “Zemërimi i një nate” u kualifikua për në Festivalin Europian të Këngës, edhe pse juria nuk ishte në një mendje. Është ndër të paktat herë, kur anëtarëve të jurisë nuk u përputhet asfare mendimi në lidhje me fituesin. Dhe të mendosh që ky ishte edicioni me më pak këngë në garë se çdo herë tjetër, vetëm 16… E megjithatë fituesja është Herciana Matmuja. Edhe pse tashmë e edukuar me një kulturë perëndimore dhe e mësuar me publikun e huaj, për shkak se prej 5 vitesh ajo jeton dhe studion për kanto në Romë, këngëtarja e di se skena e Eurosongut është një përgjegjësi shumë e madhe. Vetëm pak orë pas fitores, Matmuja ndan emocionet e para dhe tregon për bashkëpunimin me kompozitorin Genti Lako e poetin Jorgo Papingji…

Viteve të fundit ju keni qenë gati e përhershme në festivalin e fundvitit, e me gjithë zhgënjimet ju keni vazhduar të këmbëngulni e të mos i ndaheni kësaj skene…

Fituesja e edicionit të 52-të të Festivalit të Këngës në RTSH, Herciana Matmuja

Kjo ishte hera e pestë që merrja pjesë në Festivalin e Këngës në RTSH dhe hera e dytë që bashkëpunoja me dyshet e krijuesve Genti Lako dhe Jorgo Papingji. Mendoj se është këmbëngulja, kërkimi në vetvete dhe besimi te kënga që e bën një krijim të suksesshëm. Kësaj here u shpërblye gjithë mundi dhe sakrifica që kam bërë deri tani dhe do të vazhdoj të bëj. Pasi ky është vetëm fillimi dhe unë kam një rrugë të gjatë përpara.

Si “ngjiti” bashkëpunimi me dyshen Lako-Papingji?

Një vit më parë ne zumë vendin e tretë dhe i premtuam njëri-tjetrit se do të vazhdonim të bashkëpunonim. Kështu lindi kënga “Zemërimi i një nate”. Kur e kam dëgjuar për herë të parë, kam qarë dhe jam emocionuar jashtë mase. Si duket kjo ishte kënga e duhur…

Kënga ka një tekst të veçantë, cila është zanafilla?

Të gjithë që e kanë dëgjuar këngën, e kanë ndier sikur ajo ishte shkruar për ta. Të gjithë mund ta gjejmë veten tek ajo. Të gjithë mbartim zemërim brenda nesh dhe na ndodh të themi fjalën e fundit pa menduar gjatë se mund të lëndojmë të tjerët. Na ndodh që të pendohemi, por jo shumë kthehen pas. Ndaj dhe kjo këngë është një lloj thirrjeje, për të menduar dy herë, pasi zemërimi është shkaku i prishjes së shumë marrëdhënieve. Mendoj se thelbi i kësaj kënge, teksti i së cilës është qëndisur aq bukur nga Jorgo Papingji, me fjalët e thjeshta dhe të bukura shqip, qëndron pikërisht në frazën: Mëngjesi është më i zgjuar se mbrëmja. Kjo është edhe arsyeja pse ajo më përfshiu aq shumë dhe bëri që bashkë me të të dalë edhe zemërimi im, ajo grintë, ai emocion që ndoshta nuk kam arritur ta nxjerr herët e tjera. Ishte meritë e tekstit të Jorgo Papingjit dhe e muzikës së krijuar nga Genti Lako, që tashmë ne e dimë të gjithë se çfarë këngësh krijon.

Mendoni se ju favorizoi edhe fakti që këtë vit konkurrenca ishte më e vogël…, kishte më pak këngë dhe le të themi jo të nivelit më të lartë të këtij festivali?

Nuk di të them. Kompozitorët ishin po ata, vetëm ndryshonin këngëtarët. Kësaj here ishin më shumë të rinj, ishin pothuaj të gjithë këngëtarë të brezit tim, me të cilët unë jam rritur në skenë. Por, unë mendoj se kur gjërat duhet të ndodhin, ndodhin. U bënë shumë gjëra bashkë, bashkëpunimi me dyshen Lako-Papingji, ishte ky vit, ajo juri… Unë do ta quaja viti im dhe jam shumë e lumtur për këtë.

Një vit më parë ju fituat vendin e tretë, këtë vit të parin… e prisnit realisht?

Mendoj se gjërat vijnë atëherë kur ti je e përgatitur për to. Unë isha e përgatitur për Eurosongun si emocionalisht, edhe profesionalisht. Ndihem më e pjekur në të gjitha drejtimet për të përballuar një skenë më të madhe se ajo e Festivalit të Këngës. Sepse mund të ndodhë që çmimi të vijë, por ti nuk je e përgatitur për këtë. Mua më erdhi në momentin e duhur dhe jam shumë e kënaqur.
Si e imagjinoni Eurosongun, sepse është bukur kur e mendon së jashtmi, por kur tashmë je në të…?
Ende jam duke u mësuar me idenë që e kam fituar festivalin. Unë jetoj dhe studioj për kanto prej 5 vitesh në Romë dhe jam e mësuar me publikun europian, pasi unë atje kam një jetë artistike shumë aktive, por skena e Eurosongut ka një shikueshmëri që nuk ta jep asnjë skenë tjetër dhe është një rast shumë i mirë për artistët dhe muzikën shqiptare. Por do të më duhet ta prek atë skenë që të ndiej emocionet e vërteta. Momentalisht jam shumë entuziaste.

Mendoni se është një këngë që i shkon “frymës” së Eurosongut?

Nuk mendoj se Eurosongu ka një frymë të caktuar. Mendoj se atje pranohen dhe vlerësohen shumë emocionet e thjeshta, madje primitive do të thosha, gjërat origjinale. Nuk mendoj se ka një trend të caktuar. Kryesore është origjinaliteti dhe ne këtë e provuam me këngën e Rona Nishliut, “Suus”, një këngë shumë e kontestuar, që arriti të vlerësohet e pesta në Eurosong. Që në momentin që unë e dëgjova këtë këngë, u ndjeva e eklipsuar dhe isha e bindur se ajo do të vlerësohet. Unë shpresoj që edhe kënga ime të vlerësohet pikërisht për këto vlera.

Digjet salloni i dasmave “TEA”

0

Zjarre-KaliforniObjekti afaristë “TEA” në Prizren është  djegur  mbrëm nga zjarri. Zëdhënësi i PK-së, Hazir Berisha tha se zjarri në këtë objekt afaristë ka shpërthyer rreth orës 18:25 minuta  në rrugën “Jusuf Gërvalla”.

“Me datën 29 dhjetor, rreth orës 18:25 minuta, policia e Prizrenit është informuar se në rrugën “Jusuf Gërvalla” ka shpërthyer një zjarr i madh i cili ka për fshirë objektin afarist (salloni i dasmave dhe restoranti veror) e “TE-A ” .

“Dy Njësi  të Zjarrfikësve kanë lokalizuar zjarrin. Policia e përkrahur nga hetues rajonal dhe krim teknika kanë kryer procedurat hetimore në vendin e ngjarjes. Përpos dëmit material i cili thuhet të jetë rreth 150 000 euro të lënduar nuk ka pasur”. /PrizrenPress.com/

Mustafa: Dikush po ia ka frikën rritjes së LDK-së

0

Isa Mustafa LDKKryetari i LDK-së, Isa Mustafa konsideron se viti 2013 për Kosovën është karakterizuar me një dinamizëm në shumë fusha.

“Viti 2013 u karakterizua me një dinamizëm të veçantë në shumë fusha. Situata ekonomike në vend erdhi duke u keqësuar ndërkaq problemet sociale gjithnjë e më shumë preokupuan qytetarët. Të gjitha këto, si dhe funksionimi i dobët i shtetit mbeti nën hijen e dialogut me Serbinë në Bruksel. Ky vit përfundoi me zgjedhjet lokale, në të cilat LDK-ja doli fituese në shumë komuna të rëndësishme dhe arriti të rreshtohet si parti prijëse me votat e fituara nga qytetarët”, ka thënë Mustafa për Bota sot.

Mustafa ka thënë se do të punojë me përkushtimin më të madh që LDK t’i fitojë zgjedhjet nacionale, të cilat do të mbahen vitin e ardhshëm.

“LDK është parti e vlerave, e cila në radhët e saj ka anëtarë dhe ekspertë me dije dhe ekspertizë nga fusha të ndryshme. Me njerëz të tillë jam i sigurt, se jo vetëm që e meritojmë dhe do ta qeverisim vendin nga viti i ardshëm, por se Kosovën do ta qeverisim më mirë dhe më përgjegjësi të plotë”, tha Mustafa.

Thaçi: Veteranët e UÇK-së, më meritorët për lirinë e vendit

0

Thaci7-03Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi në Ditën e Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tha se shoqëria dhe shteti ende nuk kanë bërë sa duhet për veteranët dhe familjet e tyre.

Ai në një postim në rrjetin social Facebook tha se sot shënohet Dita e Veteranëve e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dita e njerëzve meritorë për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë.

“Si bashkëluftëtar juaji jam krenar me të gjithë ju, shumë prej të cilëve i njoh, por të gjithë jeni heronjtë të heshtur, të gjallë të përditshmërisë sonë, duke u ballafaquar me sfida jetësore me dinjitet, edhe pse shoqëria dhe shteti ynë i ri ende nuk kanë bërë aq sa duhet për ju dhe familjet tuaja. Ju, të nderuar veteranë, me vetëmohim të pashoq u rreshtuat në rrugën e vështirë të lirisë së Kosovës”, shkruan Thaçi.

“Si bashkëluftëtar juaji, e kam parë me sytë e mi guximin dhe trimërinë tuaj. Kam parë solidaritetin mes jush duke ndarë fatin dhe kafshatën e bukës me njëri tjetrin. E kam parë gatishmërinë tuaj flijuese në beteja për t’u dalë në ndihëm bashkëluftëtarëve që kishit pranë. Kam parë kur në supe keni bartur ushtarët e plagosur në beteja. Kam pasur nderin që të jem me ju kudo dhe në çdo kohë” u shpreh kryeministri.

Ai tha se tani, si kryeministër i vendit, e ndjen përgjegjësi morale dhe shtetërore të jetë gjithmonë krah jush.

“Një veteran nuk duhet të jetë në gjendje që të zgjedh midis blerjes së barërave për shërim apo librave që u duhen fëmijëve për shkollim. Prandaj, Qeveria e Kosovës është angazhuar që secili prej jush të ketë trajtim dinjitoz nga shteti ynë i ri, duke marrë statusin ligjor të merituar me të drejta të plota. Disa prej jush po ballafaqoheni edhe me procese gjyqësore, me akuza të pambështetura, por e vërteta gjithmonë do të del në shesh. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë e drejtë dhe drejtësia e saj do të fitojë. Në këtë fundvit, duke ju dëshiruar shëndet dhe lumturi, më lejoni që të shpreh urimet më të sinqerta për ju dhe familjet tuaja!”, shprehet kryeministri, Thaçi.

Liderët kokulur

0

thaci, pacolli,mustafaZgjedhjet lokale të këtij viti dëshmuan se partitë politike nuk mund të llogarisin më në të kaluarën e tyre të “lavdishme”, por duhet të punojnë në shërbim të qytetarëve, duke zgjedhur problemet e tyre ditore nëpër komuna.
Zgjedhjet lokale treguan një rënie të besimit te lidershipi aktual i Kosovës. Analistët pilitikë, luhatjen e madhe në vota e shohin si një sfidë serioze për mbijetesën e liderëve.

Kryetari i PDK-së dhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, përkundër premtimit të investimeve milionëshe për kandidatët e tij në zgjedhjet e këtij viti, ka shënuar humbje serioze, e cila i paralajmërohet si sinjal i keq për zgjedhjet e vitit që vjen, shkruan Kosova sot. PDK-ja doli me disa komuna më pak, duke humbut kështu shtylla të rëndësishme si Gjilanin, Ferizajin, Mitrovicën, Lipjanin, Malishevën.

Humbës i madh në këto zgjedhje mbetet edhe kryetari i LDK-së, Isa Mustafa. Partia e tij humbi këtë herë bastionin kryesor, Prishtinën. Ndërsa, LDK-ja i është afruar PDK-së me marrjen e 9 komunave të Kosovës.

Lajm i keq ishin këto zgjedhje edhe për kreun e AAK-së, Ramush Haradinaj. Ai gati sa ka filluar të harrohet në bastionin e tij në rajonin e Dukagjinit, sepse humbi katër komuna të këtij rajoni: Pejën, Gjakovën, Rahovecin dhe Suharekën.
Me rezultatin e këtyre zgjedhjeve nuk mund të krenohet as Albin Kurti, lider i Lëvizjes “Vetëvendosje”. Një kombinatorikë interesante e votës së lirë qytetare arriti që ta nxjerrë fitues kandidatin e VV në komunën e Prishtinës, për të qeverisur një mandat të ri 4 vjecar. Por në nivel nacional lëvizja VV radhitet partia e katërt me vetëm 60 mijë e 966 vota.
AKR-ja e Behxhet Pacollit, sfidoi votuesin me fitoren e dy kandidatëve për kryetarë komunash, në Gjakove dhe në Mitrovicë, por kjo fitore e brishtë nuk i siguron shumë të rehatshëm kryetarit pacolli./Kosova sot/

Dita e Veteranëve të UÇK-së

0

UCK-rreshtOrganizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, sot shënon Ditën e Veteranit, ditë që nderon kontributin e sakrificën e tyre për liri. Ndërkohë, ata ende vazhdojnë të jetojnë në kushte të vështira dhe pa përkujdesje institucionale.

OVL e UÇK-së, ka uruar të gjithë bashkëluftëtarët për këtë ditë të rëndësishme. Ndërkohë, organizimet për nder të sakrificës së veteranëve do të mbahen në Prekaz, duke filluar nga ora 11:00.

Ndryshe, kanë kaluar 14 vjet dhe ende nuk është zgjidhur me ligj çështja e veteranëve, një pjesë e të cilëve jetojnë në kushte shumë të vështira, madje sipas KMD e UÇK-së, janë 43 ish-luftëtar të cilët për shkak të gjendjes së rënd ekonomike dhe mos trajtimit të duhur kanë bërë vetëvrasje, shkruan “KP”.

Limaj: Mund të priten ndryshime pozitive

0

Fatmir-limaj2Deputeti Fatmir Limaj ka thënë se Kosova gjatë vitit 2013 në aspektin e përgjithshëm është ballafaquar me sfida si në planin social, politik dhe atë ekonomik.

Ai ka thënë se në zgjedhjet lokale qytetarët me votën e tyre shprehën pakënaqësinë me gjendjen aktuale në Kosovë.

Limaj ka thënë se nuk është i kënaqur me jetën parlamentare në Republikën e Kosovës për faktin se partitë politike nuk kanë qenë shumë aktive. Ai ka shtuar se do ta vazhdojë aktivitetin e tij politik, duke paralajmëruar se mund ndodhin ndryshime pozitive në 2014-n.

Në intervistën e parë për mediet e shkruara dhënë gazetës “Epoka e re”, Limaj ka thënë se qeverisja aktuale më shumë ka shpenzuar energji me dialogun në Bruksel. Ai ka thënë se që në fillim ka qenë skeptik në kabinetin qeverisës të Thaçit.

Limaj ka folur edhe për procesin e tij gjyqësor në rastin “Kleçka”.