26.5 C
Prizren
E martë, 15 Korrik, 2025

Mehmedali Gashi: Çdo i dhjeti vuan nga sheqeri në gjak

Dikur numri i atyre që ishin të prekur nga diabeti, apo si njihet në popull sheqeri në gjak, ishte mjaft i vogël, derisa tani kjo sëmundje ka filluar të marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë. Sipas autoriteteve shëndetësore në Prizren, numri i të prekurve shkon në 10 për qind të popullsisë së përgjithshme, aq sa është shkalla e të prekurve edhe në vendet e tjera. Përndryshe, kjo sëmundje ka një kosto tejet të lartë, që rëndon shtetet e varfra si Kosova.

Mehmedali Gashi, drejtor i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prizren, pohon se të sëmurit me diabet në Prizren trajtohen dhe furnizohen mirë me barëra të nevojshme.

“Insulina vjen nga ministria dhe ka pasur furnizim të mirë këtë vit”, tregon Gashi për “Kosova Sot”. Ashtu, si edhe në rastet e sëmundjeve të tjera, edhe në këtë rast ka rëndësi identifikimi i hershëm i sëmundjes. Për këtë qëllim, institucionet shëndetësore organizojnë shpesh edhe teste falas për qytetarët. Një fushatë e tillë është ndërmarrë ditët e fundit edhe në Prizren. Qytetari Izet Xhaferi pohon se ky organizim ndihmon sidomos pleqtë.

Shërbime falas për qytetarët

Mehmedali Gashi, drejtor i QKMF-së në Prizren, shprehet se kjo sëmundje është kthyer në pandemi botërore. Por, autoritetet lokale shëndetësore në vendin tonë ende nuk e kanë një shifër të saktë të prekurve me diabet.

“Ne nuk kemi shifra të sakta, por supozohet se në komunën e Prizrenit janë 10 për qind e qytetarëve të sëmurë nga kjo sëmundje”, ka thënë Gashi. Ndryshe, 14 nëntori është Dita Botërore e Diabetit, prandaj ky institucion shëndetësor ka ofruar shërbime falas në qendër të qytetit, ku me këtë rast qindra qytetarë kanë bërë matjen e sheqerit në gjak dhe kanë marrë shërbime tjera shëndetësore.

Shpresa Goçaj, drejtoreshë e Shëndetësisë në Komunën e Prizrenit, pohon se diabeti është një çrregullim metabolik, që karakterizohet me rritjen e nivelit të sheqerit në gjak dhe që shoqërohet me çrregullime të metabolizmit të karbohidrateve sheqernave, yndyrave dhe proteinave. “Ky çrregullim apo më mirë të themi kjo sëmundje vjen si pasojë e defektit të sekretimit të insulinës, të veprimit të saj, të dyjave bashkë, ose mungesës së plotë të sekretimit të insulinës, i cili është një hormon që me të drejtë konsiderohet çelës për futjen e glukozës në qelizë”, shprehet Goçaj.

Përveç çrregullimit të sheqernave, në diabet çrregullohen yndyrat, kripërat dhe çrregullohet metabolizmi i lëndëve. Kjo sëmundje jep ndërlikime akute të menjëhershme dhe ndërlikime kronike që zgjasin gjithë jetën. Në mënyrë të përgjithshme, ndërlikimet vijnë si pasojë e uljes apo e ngritjes së sheqerit në gjak. “Nga kjo sëmundje janë të sëmurë rreth 10 për qind e popullatës së botës, kurse për shërimin e kësaj sëmundje harxhohet 12 për qind e buxhetit botëror dhe është sëmundje që shkakton vdekjen e një personi në çdo 6 sekonda në botë. Kurse edhe në Kosovë janë të sëmurë afërsisht 10 për qind e popullatës”, thotë Goçaj.

Sëmundje që kërkon një regjim të rreptë

Qytetari Izet Xhaferi shprehet se duhet të ketë më shumë organizime të tilla falas për qytetarët. “Njerëzit duhet të kontrollohen. Unë e kam pasur 5 e sot e kisha 9 nivelin. Unë sheqerin e mati ma shpesh. Kurse për ne ky aktivitet është i mirëseardhur”, potencoi Xhaferi.

Diabeti i sheqerit është një sëmundje endokrino-metabolike, që ka të bëjë me mënyrën se si organizmi ynë e përpunon sheqerin (karbohidratet apo glukozën) që ne e marrim me ushqimet e ndryshme. Defekti qëndron në pamundësinë e insulinës, një hormon i prodhuar nga pankreasi, për të mbajtur nivelin e sheqerit në gjak në vlerat normale. Insulina ose prodhohet pak (pamjaftueshmëri e pankreasit) ose nuk vepron si duhet për të futur sheqerin brenda në qelizat e indeve të organizmit (pamjaftueshmëri e insulinës). Për rrjedhojë sheqeri është me tepricë në gjak dhe jep shenja të ndryshme (simptoma) si etja, shtimi oreksit, shtimi në peshë, nevoja për urinim të shpeshtë, lodhja e shpejtë, ulja e vëmendjes dhe përqendrimit dhe në përgjithësi një dobësi e përgjithshme. Këto simptoma nuk është e thënë të jenë të gjitha të pranishme tek një pacient me diabet.
Almir Gashi është 32-vjeçar dhe është diagnostikuar me diabet dhe përdor insulinë. Sipas tij, këtë vit furnizimi me insulinë në Prizren ka qenë i mirë.“Kjo edhe na ka lehtësuar pak a shumë sëmundjen tonë. Kjo sëmundje ndryshe quhet edhe sëmundje e zotërisë, por nëse nuk i rri gati është sëmundje shumë e vështirë dhe e rëndë”, tregon Gashi për “Kosova Sot”. Sipas tij, kjo sëmundje definitvisht kërkon në lloj regjimi të jetës.

(Kosova Sot)

Më Shumë

Vdes në Shqipëri 20-vjeçari nga Rahoveci, shkoi me shokë për pushime

Një 20 vjeçar nga Kosova ka vdekur në Shqipëri. Bëhet fjalë për Anid Hoxhën nga Rahoveci. Lajmi u bë i ditur nga kryetari kësaj komune, Smajl...

Yll Hoxha zyrtarisht te Liria e Prizrenit: “Një kapitull i ri në zemrën bardhezi”

Liria e Prizrenit ka zyrtarizuar përforcimin më të ri për sezonin e ri garues, duke prezantuar mesfushorin me përvojë Yll Hoxha. https://prizrenpress.com/hapesira-me-qira-ne-objektet-e-reja-te-renelual-tahiri-ne-prizren/ Hoxha, i cili ka...

Lajmet e Fundit