Mekanizmi i ndëshkimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve ‘dembelë’ dhe atyre që nuk e kryejnë punën në raport me ligjin, thuajse ka dështuar nga viti në vit, ngase asnjëherë nuk është krijuar një kulturë e tillë e llogaridhënies në sistemin e drejtësisë. Por, analistët dhe njohësit e kësaj fushe kanë thënë se përderisa nuk ndryshohet përbërja e anëtarëve të KGJK-së dhe KPK-së, vështirë se do të arrihen rezultate të prekshme në këtë drejtim, ngase, sipas tyre, disa nga ta janë me një të kaluar jo të pastër dhe madje të dyshimtë. Ndaj është shtuar edhe çështja se institucionet në fjalë a janë vetëm sa për ‘dekor’ sa i përket anës së ndëshkimit dhe marrjes së masave ndaj gjyqtarëve e prokurorëve pa etikë, integritet profesional e deri të tillë si të inkriminuar në korrupsion, e që mungesa e ndëshkimeve ka ngulitur kësisoj edhe kulturën e pandëshkueshmërisë tek ta, duke sjellë për rrjedhojë edhe një gjendje kaotike deri në humbjen e plotë të besimit të qytetarëve në sistemin e kapur të drejtësisë.
Kelmendi: KGJK-ja dhe KPK-ja nuk janë në lartësinë e duhur të detyrës
Profesori dhe eksperti i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot” ka thënë se është një idealizëm i parealizueshëm që Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial i Kosovës të jenë në lartësinë e detyrës, të cilën e kërkon shteti ligjor, ngase kjo kërkon mund, disiplinë dhe moral e etikë në mesin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, gjë që, sipas tij, është vështirë e realizueshme me këtë përbërje të njerëzve në këshillat e lartcekur. Por, edhe me një politikë të gabueshme çfarë është tani, në të gjitha nivelet e shtetit të Kosovës, vështirë është që të ndërtohet shteti ligjor, për të mos thënë se është e pamundur, sidomos në këtë kohë tranzicioni.
“Këtë e vërtetojnë edhe faktet, nisur nga Qeveria, Kuvendi dhe mekanizmat e tjerë, por qoftë edhe nga diskutimet e ndryshme nëpërmes regjistrimeve telefonike, të cilat tashmë janë të njohura tek ne, e që tregojnë kësisoj se çdokund vendosen njerëzit e kalibrit të tillë, që janë të dëgjueshëm dhe përmes lidhjeve të ndryshme, derisa konform kësaj KGJK-ja dhe KPKja nuk janë në lartësinë e duhur të detyrës në drejtim të përzgjedhjes së prokurorëve e gjyqtarëve me etikë e profesionalizëm të lartë, dhe pastaj edhe të dhënies e marrjes së llogarisë nga ta. Pra, që të kemi vërtet një prokurori e gjyqësi të specializuar e profesionale, që vendosin vetëm në bazë të ligjit, atëherë ne duhet përveçse të kemi politikën e pastër në këta dy këshilla, po ashtu duhet të fuqizohet edhe ana e llogaridhënies së të gjithë prokurorëve dhe gjyqtarëve, por para tyre, në radhë të parë kjo duhet të vlejë për vetë anëtarët e KGJK-së dhe KPK-së, pasi nëse anëtarët e tyre janë persona të politikës, pastaj me moral të dyshimtë dhe me një të kaluar e të tashme shumë të dyshimtë që vinë nga ishregjimet e ndryshme, atëherë për rrjehojë është e kuptueshme se nuk mund të kemi gjyqtarë e as prokurorë me virtyte, moral dhe dije e etikë, po ashtu as të tillë që janë kundër krimit dhe korrupsionit”, shprehet profesor Kelmendi. Sipas tij, kjo mund të rregullohet vetëm me masa adekuate dhe jodisiplinore, duke ua ndërruar vendin e punës atyre, por masa të tilla si të përjashtimit nga puna, por edhe atyre masave adekuate jo vetëm të punës, por edhe atyre penale në drejtim të asaj që nëse vërtet shkelet ligji apo bëjnë veprime të tilla të njëjtët të dërgohen pranë gjykatës kompetente.
“Por, kjo është e pamundur pa ndërrim e përgjithshëm të këtyre dy këshillave dhe marrjen e masave konkrete me njerëz krejtësisht të rinj me moral, etikë të shëndoshë dhe profesionale, kësisoj mund të përmirësohen KGJK-ja dhe KPK-ja dhe më pastaj të ndodhë edhe ndërrimi i gjyqtarëve e prokurorëve, por këtu jam skeptik pasi kemi të bëjmë me një sistem të tërë- sishëm, që është në duar të korrupsionit”, është shprehur Kelmendi..