49790455Dy rivalët tradicionalë po mundohen të djegin njëri-tjetrin në mënyra të ndryshme. Nga kjo krijohet bindja se i kemi dy qeveri, njërën të udhëhequr nga LDK-ja dhe tjetrën nga PDK-ja, prandaj nuk mund të kemi rezultate të dëshiruara, përveç dështimeve të njëpasnjëshme”, deklaroi analisti Hidajet Ahmeti për “Kosova Sot” Deklarimet e fundit të kryeministrit të vendit, se nuk mund ta bëjë procedimin e Demarkacionit në Kuvend për mungesë të votave të mjaftueshme të deputetëve dhe heqja e përkohshme dorë nga hartimi i Statutit e dekretit për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, nga analistët politikë po shihet si një sinjal serioz që flet se më në fund edhe Qeveria i ka ngritur duart lart dhe po e pranon se këto dy marrëveshje ishin një dështim.
“Tani nga vetë fakti se Qeveria ka lëvizur nga pozicioni i saj i dëmshëm në lidhje me Demarkacionin me Malin e Zi mund të vlerësohet si qasje pozitive dhe domosdo mund të konsiderohet se kjo është një fitore e madhe për Kosovën dhe jo vetëm për 8.200 hektarët, që mund t’i humbte Kosova me këtë Demarkacion, i cili nuk mund të ndalej pa reagimin e opozitës dhe përkrahjes së madhe të qytetarëve. Qeveria ka hezituar t’i kalojë ‘Zajednicën’ dhe Demarkacionin, për shkak të frikës nga reagimi i furishëm qytetar bashkë me opozitën, shkaku i dëmeve që këto marrëveshje do t’ia sillnin vendit po të kalonin në formën si i ka nënshkruar kjo Qeveri e papërgjegjshme “, tha deputeti Ismail Kurteshi nga lëvizja “Vetëvendosje”.
Marrëveshjet jodetyruese
Profesor Riza Smaka, njohës i së drejtës kushtetuese, thotë se këto dy marrëveshje nuk janë fare të obligueshme për institucionet e shtetit të Kosovës, përderisa janë vlerësuar edhe kundërkushtetuese, prandaj është interes nacional që Qeveria e vendit përfundimisht të marrë guximin dhe t’i zhvlerësojë të dyja marrëveshjet. “Marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë dhe Marrëveshja për Demarkacionin ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi virtualisht nuk e obligojnë vendin tonë, ngase janë vetëm të përafruara nga përfaqësues të Kosovës, por gjithnjë nuk janë ratifikuar në mënyrën e përcaktuar me nenin 18 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës! Këto dy marrëveshje virtualisht janë projektmarrëveshje, përderisa nuk janë të ratifikuara në një anë dhe të dyja janë në kundërshtim me Kushtetutën e vendit, në anën tjetër”, theksoi ai.
“Përderisa me aktin e përafrimit të Marrëveshjes për Asociacionin janë shkaktuar plot 20 shkelje kushtetuese, me përafrimin e Marrëveshjes për Demarkacionin po ashtu janë shkaktuar shkelje të dispozitave kushtetuese referuar cenimit serioz të integritetit territorial të vendit tonë”, tha profesor Smaka. Ai ka pohuar se, pavarësisht faktit që këto marrëveshje po kundërshtohen akoma nga deputetë jo vetëm të opozitës, por edhe të koalicionit qeverisës, për çka kreu i Qeverisë e ka pranuar mungesën e votave. Tendenca është akoma e dëmshme nga kryeministri, i cili nuk po pajtohet të deklarojë se ka hequr dorë nga të dyja këto marrëveshje.
“Për të qenë e keqja edhe më e madhe, kryeministri i vendit gjithnjë po insiston të ratifikohet Marrëveshja për Demarkacionin, duke e ndërlidhur atë me kërkesën për liberalizimin e vizave. Komisioni shtetëror i vendit tonë ka gabuar rëndë, kur në vend të Demarkacionit në përputhje me delimitacionin kufitar kosovar- malazez që nga viti 1945 e deri sot, asnjëherë të ndryshuar as për një cm2, ka aplikuar delimitacion të ri dhe atë prapëgabimisht e ka bazuar vetëm në të dhë- nat kadastrale, të cilat janë të karakterit sekondar, subsidiar, komplementar, por asnjëherë dhe askund të karakterit primar, as bazik”, tha Smaka për “Kosova Sot”. Ai thotë se tani edhe Qeveria duhet të dorëzohet pa pikë hezitimi para konstatimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe ta pranojë gabimin e madh që është bërë në procesin e negocimit.