9.6 C
Prizren
E mërkurë, 22 Janar, 2025

Ditën i përulen, natën e abuzojnë

Republika e Kosovës ka mbushur plot 9 vjet nga miratimi dhe fillimi i zbatimit të Kushtetutës, por tani e gati një dekadë të plotë, dokumenti bazik i shtetit vazhdon të shkelet e nëpërkëmbet, pikërisht nga kjo politikë që e ka votuar atë edhe në Kuvend. Njohësit e fushës së të drejtës dhe analistët politikë vlerësojnë se politikanët e shtetit të Kosovës po tregohen shumë hipokritë, deri edhe tallës, duke folur për Kushtetutën edhe në këtë përvjetor të radhës, e në anën tjetër abuzojnë me Kushtetutën dhe kryesisht nuk e përfillin atë.

Për pasojë të kësaj sjelljeje mbi ligjin, politika jonë e ka bërë Kushtetutën një paçavure të pavlerë, kurse politikanët e Kosovës po bëhen shembulli më i keq jo vetëm në rajon, por edhe përtej tij, për shpërfilljen e ligjeve dhe Kushtetutës së shtetit të tyre. “Pikërisht, institucionet dhe funksionarët publikë më të përgjegjshëm për përfilljen e Kushtetutës, të njëjtën, jo rrallëherë e kanë nëpërkëmbur, madje me shumë vrazhdësi. Kushtetuta mund të nëpërkëmbët në mënyrë eksplicite dhe implicite. Gjatë këtyre nëntë vitesh të historikut të Kushtetutës së vendit tonë, e njëjta, në jo pak raste, nuk është përfillur nga Gjykata Kushtetuese, Kuvendi as Qeveria e Kosovës”, tha prof. Riza Smaka, ekspert dhe një nga pjesëmarrësit në hartimin e këtij dokumenti.

Shkelja e VLAN-it Smaka ka konstatuar se shkelja më serioze që i është bërë Kushtetutës së shtetit ka ndodhur në rastin VLAN-it, sepse, sipas tij, Gjykata Kushtetuese, në vend të interpretimit konsekuent të dispozitës së nenit 95 të Kushtetutës, që t’i jepte autorizim edhe koalicionit paselektoral për të propozuar mandatarin për kryeministër, padrejtësisht dhe pa precedencë e ka “autorizuar” ekskluzivisht koalicionin paraelektoral, i cili sikundër dihet nuk kishte kapacitete të votave, dhe ashtu ka qenë krijuar një bllokadë institucionale e panevojshme, e padrejtë dhe e dëmshme. Smaka konstaton se Kushtetuta nuk është zbatuar edhe në shkeljet e pretenduara për dy rastet e ish-presidentëve, Sejdiut dhe Pacollit.

“Ajo Gjykatë, duke e shpërfillur Kushtetutën në favorin e kërkesave politike ditore ka pas dhënë opinion juridik të paqëndrueshëm në rastin ‘Sejdiu’ sikundër në rastin ‘Pacolli’. Në rastin ‘Sejdiu’, Gjykata Kushtetuese e ka interpretuar arbitrarisht nenin 88 të Kushtetutës, me të cilin presidentit nuk i lejohet ushtrimi i asnjëfarë funksionit publik as partiak pos të presidentit, por implicite nuk i ndalohet mbajtja pasive e funksionit të caktuar.

Ne rastin ‘Pacolli’ Gjykata në fjalë pati krijuar precedent të paqëndrueshëm për obligimin e deputetëve për të marrë pjesë dhe për të votuar për apo kundër zgjedhjes së presidentit, ngase edhe sipas Kushtetutës përkatësisht ligjit të aplikuar deputeti mund të mos marrë pjesë në seancë të Kuvendit deri në gjashtë muaj, një dhe dy, mund të votojë për apo kundër, mund të mos votojë përkatësisht të abstenojë. Në kontekst me këtë, ndërprerjen e procesit të votimit të cilësuar antikushtetutar, e njëjta Gjykatë nuk e ka përfillur në rastin ‘Thaçi’! Pr,a precedentin e vet Gjykata Kushtetuese nuk e ka përfillur”, tha prof. Smaka. Sipas tij, shkelje kushtetuese po bën edhe Qeveria e Kosovës, kjo e tanishme, duke mos e proceduar deri në miratim e aplikim aktin ligjor nga neni 13 i Kushtetutës referuar kryeqytetit, nga neni 18 i Kushtetutës referuar ratifikimit të marrëveshjeve ndërkombëtare, nga neni 99 i Kushtetutës përkitazi me Qeverinë etj.

Më Shumë

Zjarri në fabrikën e plastikës në Rahovec, policia jep detaje

Në orët e hershme të mëngjesit të sotëm një zjarr ka përfshirë një fabrikë të plastikës në fshatin Fortesë të Rahovecit. Zëdhënësi i policisë rajonale...

Pas eliminimit nga BBVK, Leo e Lela shfaqen krahë njëri-tjetrit

Leonard Gashi nuk arriti dot ta prek finalen e madhe të Big Brother Vip Kosova 3. Pas eleminimit në gjysmëfinale, Leo është parë nën shoqërimin...

Lajmet e Fundit