Përfaqësues të fshatrave të Komunës së Prizrenit kërkojnë më shumë bashkëpunim me Komunën për projektet e ndryshme. Në një debat të organizuar në Prizren me temën “Qytetaria aktive në lokalitetet e ndryshme të Kosovës”, diskutuan për një raport nga Instituti GAP, ku flitet për lokalitetet e ndryshme në Kosovë ku komuniteti është i organizuar në kryerjen e punëve vullnetare në interes të përgjithshëm. Jeton Mehmeti, ka veçuar dy fshatra Korishën dhe Lubinjë, të angazhuar për punë vullnetare. Mehmeti ka thënë për “Kosova Sot” se janë katër punë- torë të angazhuar, në këtë fshat, të cilët përkujdesen për mirëqenien e banorëve të këtij fshati.
Këshillat e fshatrave rritën bashkëpunimin me komunën
Nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Lulëzim Kabashi, është shprehur se janë zgjedhur përfaqë- suesit e Këshillave të Fshatrave dhe Bashkësive Lokale, duke shtuar se kjo ka rritur bashkëpunimin me Komunën për interesin e qytetarëve. “Komuna e Prizrenit kujdes të veçantë i ka kushtuar zhvillimit dhe mirëqenies së banorëve në fshatra”. Njëri ndër fshatrat që i merr lakmi edhe vetë qytetit është Korisha e Prizrenit, e cila, sipas Lulzim Kabashit, pret të shtojë furnizim me ujë të pijes, ngase atje kërkohet të bëhet edhe një bazen uji për të pasur mundësi të furnizimit me ujë më shumë dhe për të gjithë.
“Për këto punë, fshati paguan rregullisht katër punëtorë. Pastrimi i rrugëve, reduktimi i ujit, rregullimi i lapidarit, mirëmbajtja e varrezave, hapja e varreve të reja, mirëmbajtja e xhamisë, rregullimi i shkollës, shtrimi i ndonjë rruge dhe nevoja të tjera që paraqiten në fshat, realizohen përmes organizimit shumëvjeçar të kryesisë së fshatarëve. Shumica e shtëpive të fshatit janë të lyera nga jashtë duke dhënë përshtypjen për gjendjen kryesisht të mirë materiale të të zotërve të tyre”, tregon Kabashi, raporton gazeta Kosova Sot
Banorët participojnë për rregullimin e rrugëve
Kurse Abaz Bobaj, kryetar i fshatit Korishë, në anën tjetër tregon se fshati ka shumë lagje dhe secila lagje të katundit me 750 shtëpi mirëmbahen ato nga banorët. “Rreth 750 shtëpi që janë në këtë katund participojnë me mjete të caktuara, ndërsa fshati bën një buxhet vjetor pastaj me të edhe ia arrin të mbajë mirëmbajtjen dhe ndonjë nevojë tjetër. Në lagjen e Zekëve, janë të shtruara 1 mijë metra asfalt, kurse 148 mijë eurot për të, i ka siguruar vetë lagjja. Në total janë asfaltuar 5 mijë e 250 metra, kurse 7 mijë e 800 metra të tjera të rrugëve, janë rregulluar me kubëza. Por, meqë fshati është shumë i madh ende ka nevoja sa i përket shtrimit të rrugëve dhe ndonjë rruge të re si dhe për përfundime e kanalizmit”, tregon ai.
Pjesëmarrës nga Këshillat e Fshatrave dhe Bashkësive Lokale diskutuan për format e punës si dhe për sfidat dhe sukseset. Fadil Berisha, nga fshati Landovicë, theksoi se rregullime të shumta të ambientit kanë ndodhur në këtë fshat me punë vullnetari duke mbjellë mbi 100 fidanë. Ai ka shtuar se kanë bërë presion edhe në komunë për këtë çështje. Behar Begaj, kryetar i fshatit Zhur, ka thënë se investimet po vonohen në këtë fshat. Ai ka përmendur vonesat në shtëpinë e kulturës, ku ka thënë se atje tash e dhjetë vite ka nisur ai ndërtim, por nuk ka përfunduar. Kurse Lulzim Kabashi ka apeluar te përfaqësuesit e fshatrave duke thënë se nuk duhet që njëri-tjetrin ta kopjojnë, siç ka ndodhë me ndërtim të ambulancave të fshatrave, disa nga të cilat nuk janë hapur kurrë. Bile ai ka thënë se janë disa fshatra që nuk u duhen shkolla tjera për shkak të reduktimit të nxënësve. Nënkryetari i Komunës së Therandës, Rexhep Kuçi, ai i Komunës së Sharrit, Avni Nebiu, kanë folur për organizimet e komunave, të cilat deri më tani nuk kanë arritur të formojnë Këshillat e fshatrave.
(Kosova Sot)