Eshaloni i UÇK-së në luftë me forcat armike të pritës dhe dimrin e acartë në Pashtrik (11)
Pas shpërthimit të luftimeve, luftëtari i lirisë, Nazmi Bellaqa dhe djali i xhaxhait të tij, Sherif Bellaqa, kishin humbur kontaktin me grupin e ushtarëve nga Rahoveci, të cilin e përbënin: Mensur Zyberaj, Xhevdet Mekani, Vesel Krasniqi, Hashim Gashi, Bajram Popaj dhe Ilir Popaj. Pas rezistencës së ashpër me forcat armike, fillojnë tërheqjen gradualisht e të vetmuar, por pa ditur orientimin se ku po shkojnë.
Prapa tyre në një distancë të largët vinte edhe një ushtar tjetër, por nuk kishin kurrfarë kontakti me të. Duke ecur nëpër borë, që herë pas here këtë terren e mbulonte mjegulla e dendur, shkojnë afër një vendbanimi dhe nga gëzimi që kanë arritur në territorin e Shqipërisë, Sherifi gjuan në ajër me pushkë automatike. Menjëherë reagon Nazmiu duke ia kapur automatikun nga dora ngaqë kishte pasur dyshim për vendin. Nuk ka zgjatur shumë kohë vijnë afër vendbanimit dhe pak pa u errësuar hyjnë në brendi të fshatit të panjohur. Forcat serbe gjatë gjithë kohës i kishin mbajtur nën vëzhgim dhe vetëm pritnin momentin e volitshëm për t’i arrestuar. Duke ecur në mes dy mureve të oborreve me gurë, papritmas dëgjohet britma serbe “Stoj”! (Ndalu!). Distanca ndërmjet tyre ishte vetëm 7-8 metra. Nazmiu dhe Sherifi plandosen për toke, duke u pozicionuar për dyluftim.
Fillon gjuajtja e ndërsjellë. Nazmiun e merr një plumb i armikut në këmbën e majtë (në kukë). Në këto çaste, Sherifi i afrohet për t’ia dhënë ndihmën e parë. Për një moment ka kërcyer nga muri një ushtar serb, i cili e godet me kondak të pushkës në kokë Nazmiun dhe 4-5 të tjerë i vijnë në ndihmë për t’i neutralizuar dy ushtarët e UÇK-së. Më nuk kishin asnjë mundësi për të rezistuar. Jo shumë larg këtij vendi kishte qenë Karakolli i Ushtrisë Jugosllave në Gorozhup. Aty i dërgojnë duke i rrahur pa mëshirë.
Në oborr të karakollit, me duar të lidhura i shtrijnë midis bore duke i keqtrajtuar fizikisht. Në ndërkohë shkojnë monitoruesit ndërkombëtarë të OSBE-së, të cilët marrin shënime nga dy ushtarët e zënë rob dhe kthehen pastaj në bazën e tyre në Prizren. Në ndërkohë, për një çast, shihej duke ardhur ushtari fatkeq i UÇK-së teposhtë gjurmëve të shtegut të njëjtë nga kishin ardhur dy ushtarët tashmë në duar të kriminelëve serbë. Dy pjesëtarë të forcave armike fillojnë të gjuajnë me snajper në drejtim të “terroristit” siç e quanin ata. Shtyheshin ndërmjet vete se cili po e qëllon. Për çudi edhe luftëtari i lirisë gjuante në drejtim të tyre por, largësia ishte rreth 500 metra. Për një çast, del nga karakolli një oficer, i cili merr në shënjestër duke e goditur të ndjerin.
Mandej, i dërgoi dy ushtarë për ta sjellë trupin e pajetë. Ata e sollën zvarrë duke tërhequr për dy këmbë me kokë nëpër borë. Në oborr ia heqin uniformën për të parë ku është goditur viktima. I ndjeri supozohet të ketë qenë nga zona e Drenicës. Mandej, dy ushtarëve të zënë rob i kërcënuan se kështu do t’i pushkatojnë. Ndërsa një ushtar i ri në moshë, nga keqardhja që ndiente për të zënët peng, nga Karakolli, ua ka hedhur një batanije për t’i mbuluar meqë nata ishte shumë e ftohtë. Mirëpo, një tjetër e qortoi veprimin e ushtarit në fjalë dhe ia mori batanijen. “Këta deshën me na vra e ti i mbulon me batanije”, murmuriste i nevrikosur ushtari tjetër. Fshati Gorozhup nga fushëbeteja ka një distancë prej 12 kilometrash. Në orët e vona të mbrëmjes i hipin në “Pinzgauer” dhe me tyta të automatikut mbi kokë i dërgojnë në Kazermën e Ushtrisë Jugosllave në Prizren, ku takohen me ushtarët e tjerë të zënë rob.
Dy të plagosurit rëndë vendosen në tendën e ushtrisë jugosllave
Diku në thellësi të luginës së Pashtrikut, në agimin e hershëm të 14 dhjetorit, kishte mbetur i plagosur rëndë Azem Suma, i cili kishte provuar të tërhiqet zvarrë nja 10-15 metra, mirëpo sërish qëllohet nga plumbat e armikut. Kishte mbetur në mëshirën e fatit dhe tek në orët e vona të pasdites është vërejtur nga ushtarët serbë që ishte gjallë. Mandej, ata së bashku me Samet Ballazhin dhe shokët e tij ndihmojnë për tërheqje nga ky vend i kobshëm. E vendosin në një xhaketë të gjatë të shiut, e cila kishte mbetur nga luftëtarët e tërhequr të UÇK-së. Së bashku me ushtarët serbë e tërheqin zvarrë të plagosurin në fjalë. Tërheqja bëhej lehtë ngase xhaketa e shiut rrëshqiste nëpër borë. E dërgojnë teposhtë te tenda dhe e vendosin brenda saj. Ndërkohë aty e sjellin edhe Enver Krasniqin. Në këtë tendë ushtarake, dy pengjet e plagosur e kalojnë natën së bashku me një ushtar të komunitet rom të Kosovës që shërbente për Ushtrinë Jugosllave.
Pamje nga vendi i Karakollit “Gorozhup”, i bombarduar nga NATO në vitin 1999
Ai e fliste gjuhën shqipe dhe bëhej sikur ndiente keqardhje për gjithë ngjarjen e përgjakshme. Ai tregonte pa e pyetur askush që dy ditë radhazi forcat jugosllave kanë qenë duke pritur ardhjen e pjesëtarëve të UÇK-së. Këto që thoshte ky rom, ushtarëve të plagosur nuk u bënte fare përshtypje dhe e konsideronin si provokim. Fundja, ata kishin dhembjet e plagëve të veta dhe shokëve të rënë në fushëbetejë. Kishte zbardhur mëngjesi pa ngrënë, e pa vënë gjumë në sy, vetëm për ujë të pijes, pjesëtari i UJ-së u kishte shkrirë borë në një tas dhe u kishte dhënë dy të plagosurve për ta shuar etjen. Përjashta dëgjohej ardhja e helikopterit. Ushtarët serbë i vendosin të plagosurit veç e veç në lesë dhe i dërgojnë në helikopter, pas tyre i bartin edhe kufomat e ushtarëve të UÇK-së, të cilat, po ashtu, i vendosin aty. Filloi fluturimi pa ditur se ku po shkojnë. Mirëpo, udhëtimi në qiellin e hapur të Kosovës nuk zgjati shumë ngaqë helikopteri i ushtrisë jugosllave aterroi në oborrin e Kazermës Ushtarake në Prizren.
Nëntë pengje paraburgosen në Kazermën Ushtarake të Prizrenit
Nga helikopteri bartën 35 trupat e pajetë për në Morgun e Spitalit të Prizrenit, ndërkaq dy të plagosurit i bëjnë bashkë me të zënët e tjerë peng. Të gjithë i kishin vendosur në një kafaz me shufra hekuri të ndarë në mes me kangjella, në të cilin shiheshin ndërmjet vete të dy grupet. Një ushtar i rregullt bënte roje pranë të burgosurve në Kazermë dhe e fliste gjuhën shqipe rrjedhshëm, por nuk dihej nacionaliteti i tij. Atij ia sollën mëngjesin, por ai nuk e hëngri. Këtë ushqim ua dha nëntë të burgosurve, të cilët e shpërndanë në mes vete për ta shuar sadopak urinë. U sugjeroi ta hanë shpejt nga frika se po i shihte ndokush nga eprorët ushtarakë.
Në ora 8:00 fillojnë punën pjesëtarët e sigurimit ushtarak serb me veshje civile, ku nisi intervistimi dhe rrahja brutale ndaj ushtarëve të prangosur të UÇK-së. Me një fjalë, filloi ferri i vërtetë për pengjet e luftës, ndaj të cilëve është ushtruar terror e dhunë e pamëshirshme. Në fushëbetejë, Azem Suma kishte marrë një plagë në këmbën e majtë, ku plumbi i kishte lënë një vrimë të hapur. Kriminelët që ishin aq sadistë, mu në plagë ia vendosin shkopin e gomës derisa prekte tek ashti i këmbës. Përjetohej dhimbje e tmerrshme. Ndërkaq, të plagosurin tjetër Enver Krasniqi fillimisht e zhveshin dhe e lënë vetëm në brekë. Mandej nisin ta marrin në pyetje duke ia shkelur plagët me çizme. Ishte torturë e egër çnjerëzore që shkaktonte mundim të rëndë shpirtëror.
Me “procedurë” të ngjashme veprohej edhe me pengjet e tjerë. Mandej një ekip televiziv i TV Beogradit ka intervistuar Enver Krasniqin dhe Blerim Spahiu, të cilën intervistë më pas ky medium serb e ka transmetuar për 25 minuta. Për tri net e katër ditë i mbajnë me duar të lidhura mbrapa të mbështetur për muri, pa gjumë, pa ngrënë e pirë asgjë. Ata që nuk arrinin të qëndronin në këmbë ndëshkoheshin me dajak. Mandej, pas tri dite, tetë ushtarët i transferojnë me helikopter në Burgun Ushtarak të Nishit, ndërsa Xhavit Daut Krasniqin, 17-vjeçar, ia shkulin emblemën e UÇK-së nga krahu si dhe e ndalojnë në kazermë. Atë e mbajnë katër net duke e keqtrajtuar fizikisht për çdo ditë dhe në mbrëmje, me tesha veshur, e dërgojnë në banjë, duke e mbajtur nën ujë të ftohtë për 10-15 minuta. Për pesë ditë e katër net nuk i japin ushqim fare, vetëm e lejojnë të pijë ujë. Pas katër dite, më 18 dhjetor 1998, Xhavitin duarlidhur e hipin në një veturë “Zastava 128”, të shoqëruar me katër policë, të cilin e dërgojnë në Burgun Ushtarak të Nishit. Atje asnjërin nga shokët nuk kishte arritur t’i shihte. Për dhjetë ditë është mbajtur në qeli i vetmuar. Mandej ia sjellin një ushtar serb të plagosur në këmbë nga UÇK-ja në Junik, i cili kishte dezertuar nga ushtria serbe. Gjatë qëndrimit në burg, të burgosurit shqiptarë nja dy-tri herë ishin vizituar nga përfaqësuesit ndërkombëtarë të OSBE-së. (Vijon)/LULZIM SAHITI-Epoka e Re/