Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës(AAK) në Rahovec ka reaguar pas miratimit të Buxhetit të Komunës.
“Mosmiratimi i KAB-it 2014-16 në kohën e paraparë me ligj, respektivisht në shtator 2013, në kohën kur partitë që janë aktualisht në ekzekutiv kishin shumicën, dëshmon edhe një herë se ky grupim politik synim ka përmbushjen e interesave individuale e grupore.”
“Data 30 shtator 2013 ishte afati i fundit për aprovim të buxhetit, por kjo nuk ndodhi përkundër përpjekjeve sistematike të qeverisë së drejtuar nga ish kryetari i komunës Smajl Latifi.”
“Për hartimin e KAB-it 2014-16 janë realizuar një mori debatesh dhe takimesh me banorë të lagjeve dhe fshatrave të komunës së Rahovecit. Këtë metodë nuk e kishte aplikuar asnjë përbërje qeverisëse komunale. Pra, kjo Kornizë buxhetore është hartuar në bashkëpunim me qytetarët dhe janë përfshirë nevojat dhe kërkesat e tyre themelore.”
“Po ashtu në këto takime kanë qenë të ftuar dhe të informuar edhe këshilltarët komunal të të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvend, mirëpo vetëm një numër i vogël i tyre morën pjesë në këto debate.”
“Më pas KAB-i i është nënshtruar procedurave të ligjshme përmes KPF-së e më pas edhe Kuvendit të Komunës. Debate ka organizuar edhe OSBE, gjithnjë në funksion të rritjes së transparencës dhe pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrjen komunale. Në këtë mënyrë ka marrë formë edhe KAB-i 2014-16.”
“Prandaj, nuk qëndron arsyetimi i këshilltarëve dhe qeveritarëve aktual, se nuk ka pasur konsultime me ta. Ne posedojmë prova të shumta për të dokumentuar këtë. Shqetëson fakti se gjatë gjithë periudhës së verës deri në shtator, nuk ka pasur asnjë propozim, ide apo vërejtje konkrete nga ana e grupeve politike të PDK-së dhe LDK-së.”
“Pra, këshilltarët e djeshëm dhe qeveritarët e sotëm kishin mungesë idesh dhe krizë identiteti politik. Vendimi i tyre që ta refuzojnë unanimisht dhe pa debat konstruktiv nga ana e tyre për plotësim-ndryshime të caktuara propozimin e KAB-it, ishte i paarsyeshëm dhe pa asnjë bazë të shëndoshë.”
“Në këtë mënyrë ata dëmtuan interesin e qytetarëve të komunës së Rahovecit rreth 640 mijë euro. Qëndrimi i tyre i dëmshëm ishte për keqardhje, duke mos i kuptuar drejt nevojat e qytetarëve dhe obligimet e tyre si përfaqësues të qytetarëve. Doli në pah se ata nuk e kishin prioritet interesin e qytetarëve, por krejt ky kundërshtim kishte prapavijë politike. Interesat e momentit kishin më shumë rëndësi se sa interesat afatgjatë të qytetarëve.”
“Mirëpo, u kujtuan pas pesë muajsh çfarë dëmi kishin bërë, prandaj kryetari Idriz Vehapi thirri mbledhje të jashtëzakonshme, duke llogaritur se tashmë kishte komoditetin e votave. Duket qartë se ky është stili i qeverisjes së nuk premton asgjë përpos ngecjes dhe prapakthimit. Një fillim i këtillë është dëshpërues për qytetarët e komunës së Rahovecit.”
“Përkundër kësaj Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës vendosi që të votojë pro këtij propozimi, duke dëshmuar edhe një herë se jemi të përcaktuar për të mbrojtur interesin jetik të qytetarëve dhe duke mos parë se çfarë përfitimesh politike mund të nxirren nga ky kaos, i krijuar pa fajin tonë.”
“Megjithatë këshilltarët e AAK-së kanë dhënë vërejtje dhe kanë bërë kritika konstruktive, gjithnjë bazuar në përcaktimin e qartë për përmirësim të cilësisë së jetës të qytetarëve tanë. Një përcaktim i tillë është në funksion të përmirësimit të qeverisjes dhe përpjekje për të shpëtuar atë që mund të shpëtohet në rrethana të jashtëzakonshme. Përcaktimi ynë është i qartë dhe vazhdon të mbetet i pandryshuar në funksion të përmbushjes së misionit politik dhe nevojave e kërkesave të qytetarëve. E morëm këtë vendim sepse na udhëheq morali i lartë politik . Në fakt ky është përcaktim fisnik dhe i shërben përmirësimit të klimës politike në komunë, edhe përkundër faktit se rivalët tanë politik nuk po e bëjnë të njëjtën gjë.”
“Në asnjë rrethanë nuk do të lejojmë që interesat personale, grupore apo partiake të udhëheqin arsyen tonë politike. Kemi qenë dhe vazhdojmë të mbetemi të përkushtuar në përmbushje të kërkesave të qytetarëve tanë punëtorë e të ndershëm. Këtë e kemi dëshmuar edhe në periudhën e kaluar trevjeçare, duke realizuar një mori projektesh në interes të qytetarëve, si dhe duke instaluar një qeverisje gjithëpërfshirëse, ku qytetari ka qenë në qendër të vëmendjes. I bëjmë thirrje koalicionit qeverisës PDK-LDK që të reflektojë dhe të vejë në qendër qytetarin dhe jo anëtarët militantë të partive të tyre. I sigurojmë qytetarët se do të jemi vigjilent dhe do të përcjellim me kujdes çdo veprim apo mosveprim të koalicionit qeverisës.” thuhet në reagimin e degës së AAK-së në Rahovec”.