4 C
Prizren
E premte, 13 Dhjetor, 2024

Butrinti i dhunuar nga arkeologët – gërmime jashtë standardi

Butrinti7-02Këto gropa të thella të mbushura me ujë që i shohim në foto janë kthyer në një rrezik shumë të madh, jo vetëm për pasurinë arkeologjike në Forumin Romak të Butrintit, por edhe për fëmijët. Anëtarët e Forumit për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës Auron Tare dhe Lorenc Bejko kanë reaguar dje për pamjet shqetësuese të gërmimeve të lëna në mëshirën e fatit në njërën prej qendrave më të famshme arkeologjike që prej vitesh ruhen nën siglën e Pasurisë Botërore të UNESKOS.

Auron Tare ngre shqetësimin për faktin se prej disa vitesh arkeologët që vijnë në Shqipëri “pasi përfundojnë punën e tyre largohen duke lënë monumentet e zbuluara në mëshirën e fatit pa asnjë plan të qartë konservues apo edhe restaurues”. Po ashtu edhe arkeologu Lorenc Bejko konstaton shkeljen e rregullave gjatë administrimin të gërmimeve arkeologjike, ku “dherat e gërmimeve janë lënë në mes të Butrintit”, shkruan gazeta Shqiptarja.

AURON TARE

Monumentet e zbuluara janë lënë në mëshirën e fatit

Pamjet në këto foto janë nga gërmimet arkeologjike në Forumin Romak të Butrintit që zhvillohen prej disa vjetësh nga një ekip shume i vogël arkeologësh të huaj. Edhe pse një ekip shumë modest ata kanë pasur privilegjin që të gërmojnë në një prej qendrave më të famshme shqiptare tashmë prej vitesh nën siglën e Pasurisë Botërore të UNESCO-s.

Por siç duket edhe nga këto foto gërmimet në fjalë nuk kanë asnjë standard të kërkuar, jo vetëm në qendra me status të tillë, por edhe në qendra më pak të rëndësishme. Ka disa vite që arkeologët pasi përfundojnë punën e tyre largohen duke lënë monumentet e zbuluara në mëshirën e fatit pa asnjë plan të qartë konservues apo edhe restaurues.

Kjo praktike jo profesionale në kërkimet standarde ndërkombëtare është kritikuar madje shumë dimrin e kaluar nga ekipi që po shkruan planin e menaxhimit të kësaj qendre. E megjithatë asgjë nuk është bërë edhe pas këtyre kritikave që i janë prezantuar Ministrisë së Kulturës si pjesë e planit të menaxhimit.

Konservimi i monumenteve të zbuluara është një prej masave me normale në të gjitha kërkimet arkeologjike standarde duke bërë që këto monumente mjaft të brishta të kenë mundësi shpëtimi pas një ndërhyrjeje restauruese të planifikuar. Por duket se arkeologu David Hernandes i universitetit të Cincinatit dhe kolegu i tij shqiptar nuk janë të këtij mendimi duke lënë kuadratet e hapura tash e disa vjet.

Këto gropa të thella të mbushura me ujë janë një rrezik shumë i madh, jo vetëm për jetëgjatësinë e monumentit por edhe për vizitorët. Duke qenë se këto gërmime kryen shumë pranë zonës së vizituar nga turistët e shumtë ato janë një rrezik potencial sidomos për fëmijët e vegjël të cilët mund të rrezikojnë edhe jetën duke rënë në këto gropa të thella.

Arkeologu amerikan e di mirë se në shtëpinë e tij ka standarde në gërmime arkeologjike, të cilat jam shumë i bindur se ai i zbaton me përpikmëri. Përse nuk tregon të një njëjtin respekt edhe në Butrint kjo mbetet për t’u parë. Por nëse nuk mundet atëherë duhet të gjejë ndonjë vend tjetër për të bërë eksperimentet e tij arkeologjike pasi Butrinti duhet të jetë vendi ku standardet e kërkimeve shkencore respektohen si në të gjithë botën e qytetëruar.

LORENC BEJKO

Shkelen rregullat për administrimin e gërmimeve arkeologjike

Fotot dukeshin shqetësuese, megjithëse vetëm ai që e ka parë situatën në vend mund të gjykojë në mënyrë korrekte. Ka disa rregulla te qarta për administrimin e gërmimeve arkeologjike në një park të rëndësishëm si Butrinti. Ato duhet të sigurohen nga dëmtimi (erozioni) gjatë vitit deri në gërmimet e reja; duhet të krijojnë një mjedis të sigurt për vizitorët; dhe mbi të gjitha duhet të merren masa për konservimin e mbetjeve të gërmuara.

Duket se këto foto tregojnë mungesë të një qasjeje të tillë. Ndoshta Parku arkeologjik dhe autorët e gërmimit mund ta sqarojnë më mirë këtë situate dhe planet e tyre për trajtimin e sitit arkeologjik pas gërmimit. Aq më tepër që kemi të bëjmë me një qendër të trashëgimisë botërore dhe që duhet të vendosë standardet më të larta të praktikës arkeologjike në vend.

Specialistë të ICOMOS-it e kanë shprehur shpesh këtë shqetësim në Butrint. Dikush duhet të shpjegojë pse janë lënë dherat e gërmimeve në mes të Butrintit. Nëse është kështu, kjo përbën një transformim të peizazhit historik që nuk është e pranueshme.

Më Shumë

Lajmet e Fundit