Në praktikën kosovare të funksionimit jashtëzakonisht të dobët të sistemim gjyqësor dhe prokurorial, po ndodh thuajse vazhdimisht që shumica e aktakuzave nga më të rëndat që paraqet Prokuroria Shtetit, të hidhen poshtë nga gjykatat, si aktakuza të pabazuara dhe pa fakte të mjaftueshme. Tek njohësit e kësaj fushe dhe analistët politikë është krijuar bindja se ekziston një skenar i përgatitur, sipas të cilit qëllimisht po bëhen aktakuza të dobëta nga ana e prokurorisë, edhe kur janë faktet dhe argumentet e plota inkriminuese, por ato duke i lënë qëllimisht të pakompletuara, me “vakuume provash”dhe profesionalisht të paqëndrueshme, bëjnë që të dështojnë, në raste jo të pakta edhe për shkak të joprofesionalizmit, apo se “sekserët” po paguajnë për të pandehurit. Në këtë mënyrë në proceset gjyqësore del që aktakuzat të jenë qëllimisht të dobëta për t’u rrëzuar në gjykatat. Shikuar nga kjo praktikë, analistët dhe ekspertët konsiderojnë se Kosova po vazhdon të vuajë shumë për prokurorë dhe gjyqtarë të mirëfilltë, me etikë dhe profesionalë, të cilët nuk e shesin e nuk e trafikojnë drejtësinë për teke dhe interesa të grupeve të interesit.
Joprofesionalizmi, pengesa kryesore
Eksperti i së drejtës, Blerim Burjani, nuk e përjashton që kjo të ndodhë edhe për shkak të ndërhyrjeve nga jashtë, nga politika, por, sipas tij, në të shumtën e rasteve prokuroria po dështon, për shkak të joprofesionalizimit në ngritjen e aktakuzave. “Kjo mund të ndodhë për shumë arsye, e ndër to edhe për shkak të joprofesionalizmit, pra joefikasitetit, jopërgjegjësisë apo edhe për shkak të çështjeve të tjera”, u shprehu ai. “Realisht për këto gjëra nuk ka nevojë as me folë, sepse s’ka asnjë lëvizje në drejtim të reformimit të drejtë- sisë, pra duhet pritur në ndryshime reformuese për të mundur të analizohet më tutje ky pushtet gjyqësor. Tash për tash nuk ka fare ndonjë zhvillim interesant në këtë drejtim. Ka një kohë të gjatë që po shkruhet e flitet, por gjërat deri më tani problemore nuk po merren seriozisht, madje as vërejtjet serioze të thëna e të dhëna nga ekspertët e as nga bota akademike”, tha Blerim Burjani për “Kosova Sot”. Sipas tij, tani një fije shprese është te ndryshimet eventuale në qeverisje, në të kundërtën mbetet kjo gjendje e tanishme, që është krejt e pashpresë.
Rastet serioze po dështojnë
Analisti politik, Gani Qarri, këtë problem më shumë e sheh tek ndikimi i drejtpërdrejtë i politikës në sistem sesa te mungesa e profesionalizimit në ngritjen e aktakuzave. Duke ndikuar politika, aktakuzat pastaj qëllimisht bëhen të mangëta dhe kështu rrëzohen nga gjykatat. Pra, është skenar i paramenduar dhe krejtësisht i qëllimshëm. Kjo praktikë, sipas tij, në Kosovë po vazhdon që nga paslufta e deri më sot, në shumë raste serioze. “Drejtësia dhe Prokuroria e Kosovës tash e 18 vite pas lufte, nuk kanë mundur të ngritin asnjë akuzë të vetme dhe gjykojnë qoftë edhe një nga rastet e rënda të krimit e korrupsionit, a çfarëdo lloj tjetër paligjësie, për të vendosur së paku një lloj drejtësie minimal të pranueshme dhe krijuar një formë sado të vogël besueshmërie për gjyqësinë në vend”, u shpreh ai.
“Drejtësia e kapur nga mafia dhe miliarderët e oligarkisë kriminale, as për rastet më të paprecedentë, nuk ka guxuar kurrë të japë të paktën një vlerësim të vetëm negativ, qoftë edhe për pasuritë miliardëshe të grumbulluara jashtëligjshëm nga nëntoka, dhe korporatat e inkriminuara. Kapja e shtetit nga strukturat e parapolitikës dhe oligarkia kriminale dëshmohet edhe me sjelljet e paligjshme të shumicës së prokurorëve, gjyqtarëve e deri te disa kuadro të korruptuara të policisë, nga të cilët klani “Pronto” është i lirë të shesë, blejë, huazojë a falë çfarë të dojë”, tha Gani Qarri për “Kosova Sot”