6.9 C
Prizren
E mërkurë, 4 Dhjetor, 2024

Krasniqi, kundër institucioneve të dublifikuara shtetërore shqiptare

Jakupkrasniqi10-6Kryetari i Kuvendit të Kosovës , Jakup Krasniqi, ka mbajtur një fjalë në Forumin e VI-të publik në Tiranë, të organizuar nga Akademia Shqiptare e Arteve dhe Shkencave, me temën: “Rrethanat që përgatitën pavarësinë e Kosovës”.

Krasniqi fjalën e tij e ka nisur duke i bërë një vështrim historik vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve në Londër, si burim i konflikteve të reja në Ballkan, duke theksuar se shpërbërjen e Perandorisë Osmane dhe dëbimin e saj e shpejtuan shumë kryengritjet shqiptare të shekullit XIX dhe sidomos ato të fillim shekullit XX, të cilat u pasuan nga dy luftërat e ashpra ballkanike për grabitjen e territoreve të huaja.

Po ashtu, Krasniqi foli për kontekstin ndërkombëtar të shpalljes së pavarësisë se Kosovës, më 17 shkurt 2008, duke e ilustruar këtë me ngjarjet paraprijëse të tërheqjes së BRSS-së nga Afganistani dhe rrëzimin e Murit të Berlinit më 9 nëntor 1989, të cilat ishin mesazhe të qarta se përfundimi i Perandorisë Sovjetike do të hapë një proces të ri politik në shkallë ndërkombëtare.

“Elementet e para kundër totalitarizmit ishin shfaqur në Poloni nga ‘Lëvizja e Solidarnostit’ dhe në Kosovë nga ‘Lëvizja Studentore’ e vitit 1981, e cila qe shndërruar në një Lëvizje për Republikën e Kosovës. Kjo lëvizje pati një mbështetje të gjerë nga politika e Shqipërisë së kohës dhe vendet e demokracisë perëndimore. Sot, themi pa hezituar, se ajo lëvizje e bëri bashkë në vlerësime, ndoshta për herë të parë haptazi, politikën e Shqipërisë me qëndrimet e vendeve euroatlantike”, tha Krasniqi.

Po ashtu, ai u ndal në rrethanat që i paraprinë Pavarësisë së Kosovës, sidomos daljes në skenë të Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës.

“Drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë meritën historike… s’e ditën të marrin vendimin e guximshëm për çlirimin e vendit. Vetëm lufta çlirimtare e nxori në rend të ditës çështjem e Kosovës dhe e shtroi atë për zgjidhje serioze e të qëndrueshme politike”, u shpreh Krasniqi.

Kreu i Kuvendit me tutje tha se pas UÇK-së, një ngjarje tjetër që i ka paraprirë Pavarësisë së Kosovës, ka qenë Konferenca Ndërkombëtare e Rambujesë për Kosovën, e cila jo vetëm që i hapi rrugën bombardimeve të NATO-s në Federatën jugosllave (Serbi-Mal i Zi), por do të linte hapur mundësinë që pas tri vitesh të hapej rruga e Pavarësisë së Kosovës.

“Republika e Kosovës, shtet i pavarur, sovran dhe demokratik, tashmë është njohur ndërkombëtarisht nga mbi 106 vende, por ende nuk është anëtarësuar në OKB. Më 3 shtator 2012, Grupi Drejtues Ndërkombëtar mori vendimin për heqjen e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa më 10 shtator në Kuvendin e Kosovës u amendamentua Kushtetuta për heqjen e neneve të mbikëqyrjes së pavarësisë. Gjithashtu u ndryshuan 21 ligje që lidhen me këtë proces, ndërsa EULEX-it iu vazhdua mandati edhe për një periudhë dyvjeçare”, deklaroi kreu i Kuvendit.

Krasniqi foli edhe për dialogun mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj serbe, në Bruksel, me ndërmjetësimin e baroneshës Catherine Eshton. Ai tha se bisedimet me rezultate minore po vazhdojnë edhe në përvjetorin e gjashtë të pavarësisë.

“Ndoshta një e arritur mund të konsiderohen zgjedhjet për pushtet lokal, të mbajtura në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, por as këto nuk janë pa shumë të panjohura”, tha ai.

Po ashtu, Krasniqi tha se njëqind vjet të Pavarësisë së Shqipërisë, pesëmbëdhjetë vjet të lirisë dhe gjashtë vjet të pavarësisë së Kosovës, si dhe trembëdhjetë vjet nga Marrëveshja e Ohrit, kanë konfirmuar vështirësitë e zgjidhjes së drejtë, të qëndrueshme politike, ekonomike ,e të sigurisë për popullin shqiptar në trojet e tij dhe të Ballkanit Perëndimor në përgjithësi.

“Këto fakte… shtrojnë nevojën për të kërkuar një zgjidhje të drejtë e të qëndrueshme politike, ekonomike dhe të sigurisë për popullin shqiptar dhe rajonin tonë në përgjithësi. Gjendja e tashme financiare dhe ekonomike e popullit shqiptar nuk mund t’i përballojë shpenzimet për nevojat e institucioneve shtetërore më shumë se të dublifikuara”, tha Krasniqi, në përfundim të fjalës së tij.

Më Shumë

Mungesa e ngrohjes shtyn reprizën e shfaqjes “Ping-Pong dhe Dashuri” në Prizren, DKRS-ja premton zgjidhje të shpejtë

Rikthimi i Teatrit “Bekim Fehmiu” në skenën brenda Shtëpisë së Kulturës “Xhemajli Berisha” është shtyrë përkohësisht. Në fakt repriza e paralajmëruar e shfaqjes “Ping-Pong dhe...

Abdixhiku në Suharekë: Për keqpërdoruesit e pushtetit kam vetëm një mesazh, ndryshimi i madh po vjen

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, tha se qytetarët e kanë mundësinë që më 9 shkurt të vitit të ardhshëm, të zgjedhin...

Lajmet e Fundit