Së bashku me kryeministrit në këtë sesion informues ishin edhe zëvendëskryeministrja Emilja Rexhepi dhe deputetët nga radhët e komunitetit turk në Kuvendin e Republikës, Enis Kervan dhe Fidan Jilta.

Përtej përfitimeve për bizneset e studentët, artistët e sportistët, liberalizimi i vizave siç tha kryeministri, ka edhe një dimension njerëzor, sepse duke qenë se 1/3 e qytetarëve janë në mërgatë, liberalizimi siç tha Kurti, dhuron mundësinë për të mos munguar në momentet më të çmueshme të jetës e për të qenë aty për njëri-tjetrin në kujtimet që zgjasin gjatë gjithë jetës.

“Progresi demokratik dhe ekonomik në fillim të mandatit, e sidomos arritjet në sundimin e ligjit, në luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit, menaxhimin e azilit e riatdhesimit, e kanë ngritur lart imazhin e Republikës së Kosovës dhe i kanë bindur edhe më skeptikët brenda Bashkimit Evropian që më në fund të marrin vendimin për liberalizim të vizave për Kosovën. Pra, kjo arritje është arritje e përbashkët, pasi progresi i shënuar nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e qytetarëve”, u shpreh kryeministri Kurti.Kundrejt kësaj çështjeje, Qeveria e Kosovës ka bërë një fushatë informimi në gjithë vendin, ku përgjatë tetorit dhe nëntorit kamioneta me informata ka vizituar mbi 30 komuna të Kosovës, me materiale të shtypura në gjuhën shqipe, serbe, turke dhe rome.

Në kuadër të saj është gërshetuar edhe kuizi i BE-së për qytetarët i cili ka mundësuar që një grup të fitoj udhëtimin e parë pa viza me 1 janar në Vjenë të Austrisë.

Fushata e informimit, përveçse në teren është realizuar edhe në aeroport e pika kufitare, në TV/radio e rrjete sociale.Duke ritheksuar kriteret për lëvizje të lirë, siç janë pasaporta biometrike, udhëtimi vetëm 90 ditë brenda 180 ditëve, informata dhe dëshmi mbi qëllimin e udhëtimit, dëshmi se ku do të qëndroni gjatë vizitës, si dhe dëshmi të mjaftueshme financiare e biletë kthyese, kryeministri bëri thirrje që këtë arritje ta shfrytëzojmë me përgjegjësi pasi është një e drejtë të cilën e kemi fituar me vështirësi.

Kujtojmë se fushata e informimit për liberalizim të vizave inicuar nga Qeveria, ka filluar me 5 tetor në kryeqytetin e shtetit, Prishtinë, dhe ka vazhduar tutje në mbi 30 komuna të Kosovës, përfshirë këtu edhe 4 komunat në veri të vendit.