Gjylshahe Lezi, nga Hoça e Vogël, rrëfen për tmerrin që ka përjetuar ajo bashkë me familjen në natën e 2 prillit të vitit 1999, nga forcat vrastare të regjimit serb.
“Ka qenë ora një çerek para mesnate të 2 prillit të vitit 1999 kur në shtëpinë tonë ranë granatat. Nuk e di prej nga, por e di se na rrëzoi shtëpinë dhe pllaka e shtëpisë gati na zuri të gjithëve. U plagos rëndë Saranda, vajza ime 12 vjeçe, por u plagos edhe burri im, Bislimi. U plagosën edhe Haxhiu atëherë tre vjet e gjysmë dhe Besirja gjashtë vjeç. Morëm ikën e shkuam te lumi. Aty Saranda më lypi pak ujë dhe pas një ore dha shpirt. Tash burrat thanë po ikim po ku me shku drejt e në Krushë të Madhe”, tregon për gazetën “Kosova Sot” tmerrin e asaj dite Gjylshahe Lezi, shkruan gazeta Kosova Sot.
![Image](http://www.kosova-sot.info/uploads/images/2017/April/18/auto_besim_lezi1492543913.jpg)
Saranda dha shpirt te lumi
Gjlylshahe Lezi tregon se Sarandës i kishin dalë zorrët jashtë.”Saranda më kërkonte ujë, po unë kisha dëgjuar se t’i japësh ujë edhe mund të vdesë. Pas kësaj ajo i kërkoi vjehrrës sime t’ia prekë këmbët dhe aty dha shpirt”, shprehet ajo. Me lot në sy Gjylshahja tregon se si ishin të plagosur edhe dy fëmijë dhe burri. “Ashtu me të plagosur u nisëm drejt rrugës së madhe. Ne posa kemi dalë në asfalt të Krushës së Madhe, janë afruar forcat serbe dhe na kanë pyetur. A ende jeni gjallë a? Po ne ju gjuajtëm duke menduar se po ju vrasim të gjithëve, tash shkoni në Shqipëri. Kam pasur dhimbje të madhe për të gjithë. Kurse kunati im shkoi tek varrezat e Nagavcit dhe e varrosi vajzën. Shpirti i vdekur mbeti aty, por me tre të plagosur u nisëm që bile këta të shpëtojnë. Ajo ka qenë natë e varrit për mua”, tregon nëna Gjylshahe për “Kosova Sot”.
Besim Lezi e ka edhe sot plagën në këmbë nga lufta. Ai thotë se e bren vazhdimisht në shpirt që nuk i dha ujë Sarandës, vajzës së tij 12-vjeçare, që kërkonte vazhdimisht një pikë ujë. “Erdhën policia na panë në fshat dhe na thanë se ne duhet të shkojmë sonte në Nagavc se Hoçën do ta granatojnë. Ne shkuam bashkë në një shtëpi. Aty burrat u ndamë në një dhomë dhe fëmijë e gra në dhoma të tjera.
Natën e 2 prillit 1999 ka qenë një krismë e madhe, aty pllaka e shtëpisë ra. Unë u plagosa në këmbë, më plagosën tre fëmijë, kurse më së rëndi ishte e plagosur Saranda. Asaj granata ia kishte shqyer barkun. Zorrët i kishin dalë jashtë. Ashtu të plagosur me piskamë e dhimbje shkuam tek lumi. Gjithë kohën Saranda më kërkonte ujë, por unë s’i dhashë se mendova mos po më shpëton. Aty vëllai im e pa sa është ora më tha Sarandën po e dërgonte tek mjeku. Kurse ajo nënës sime i kërkoi t’ia prekte këmbët. Ajo aty ndërroi jetë”, është shprehur ai.
“Saranda vdiq dhe e varrosa ashtu si munda në varrezat e Nagavcit. Nga ajo ditë e nga ai çast beso e kam zemrën përgjysmë se si nuk ia dhashë një pikë ujë vajzës sime”, tregon për gazetën Besim Lezi, i cili qante si fëmijë.
![Image](http://www.kosova-sot.info/uploads/images/2017/April/18/auto_lezi1492543917.jpg)
Prilli ia rikthen dhimbjet familjes Elezi
Besim Lezi thotë se për 24 orë arritën në Vërmicë. “Aty na ndalën e na keqtrajtuan dhe na i morën dokumentet. Duke na parë të plagosur policët serbë na thoshin se jemi ushtarë të UÇK-së. Shqiptarët kanë përjetuar eksodin biblik të pranverës së vitit 1999, kur të dëbuar me dhunë nga ushtria e paramilitarët serbë që kishin nisur të zbatonin operacionin “Patkoi” zbatuan dëbimin e shqiptarëve nga trojet e veta.
“Atje në Kukës na dërguan nëpër disa banesa, na si sollën mjekët për një muaj rresht. Jemi shëruar unë edhe fëmijët. Aty pastaj pas një muaji na dërguan në Laç derisa jemi kthyer”, shprehet Besim Lezi. Ai me emocione të veçanta kujton atë kohë dhe thotë se ka mbi një mijë fotografi të dhembjes së asaj kohe. Sa herë vjen prilli vijnë edhe dhembjet për familjen Lezi.”Rruga prej Krushës së Madhe deri në Kukës atëherë e sot e kësaj dite ka mbetur rruga më e vështirë e jetës sonë. Edhe atje në varr këtë rrugë nuk do ta harroj kurrë”, kujton Besim Lezi./Kosova Sot/