11.8 C
Prizren
E premte, 26 Prill, 2024

Shqipëria, dhembja ime e madhe

13Në Kinë nuk ka humbur ndjeshmëria. Nëse një këngëtar nuk arrin të prekë me zërin e tij zemrat e njerëzve, ai nuk ftohet më në asnjë opera kineze. Shumë artistë të famshëm në Europë nuk arrijnë të shkelin dot në Kinë. Kjo, pasi publiku kinez ka mbetur po aq i ndjeshëm e ironik sa ai i Milanos në “Skala” para 30 vitesh, dhe publiciteti ndryshe nga Europa, aty vlen vetëm nëse prek në zemër… Tenori shqiptar, Agim Hushi, prej disa ditësh ndodhet në Tian Jin, një prej qyteteve më të njohura të Kinës, ku më 30 gusht është ftuar për një koncert recital në operën nacionale të qytetit. Më poshtë Hushi bën një rrëfim për gazetën “Shqip”, duke u nisur nga Kina, për lidhjen e tij me muzikën, ikjen nga Shqipëria, politikën dhe si e sheh operën shqiptare sot…

Ndodheni në Tian Jin, një nga qytetet e treta të mëdha për nga madhësia dhe vlera sociale ekonomike e Kinës, ku do të jepni një koncert recital… Çfarë mund të na thoni për këtë koncert?

Do të jetë një koncert i madh recital i imi, i cili do të mbahet më 30 gusht, pra pas disa ditësh, me ariet më të mëdha të tenorit me Orkestrën Simfonike në Operën e Tian Jinit, qytetit të tretë më të madh të Kinës dhe një nga qytetet më të bukura të botës moderne. Ky koncert zhvillohet në kuadrin e Festivalit Botëror të Muzikës dhe unë jam zgjedhur si artisti kryesor i këtij festivali. Ky festival është nga më të rëndësishmit organizuar nga qeveria kineze dhe jam konsideruar si ylli i tij për median dhe publikun kinez, i cili jashtë kornizave të emrit tim shqiptar, më ka gjykuar realisht për forcën time vokale dhe vlerat e mia të mirëfillta artistike. Publiku i edukuar kinez është po aq sensitiv sa dhe publiku i zgjedhur kudo në botë dhe sot që gjenerata të tëra artistësh dhe studentësh kinezë kanë studiuar në shkollat muzikore më të mira të botës, kjo e bën edhe përgjegjësinë time artistike shumë më të madhe. Publiku kinez tashmë më njeh se unë kam dhënë shumë koncerte në Kinë dhe jam vlerësuar atje jo vetëm me fjalët më të mira dhe me duartrokitje të gjata, por dhe me tituj nderi… Publiku kinez është, do të thosha, shumë entuziast dhe kur i pëlqen artisti bëhet edhe vetë pjesë e spektaklit me ovacionet dhe duartrokitjet ritmike të duarve, gjë që i jep artistit jo vetëm forcë, por dhe frymëzim… Shfaqjet në Kinë janë të jashtëzakonshme edhe për arsye të tjera, sallat janë gjigante, publiku është i madh në numër dhe shumë i zjarrtë, ndërsa pritja që më rezervojnë miqtë e mi kinezë kur shkoj atje është e jashtëzakonshme dhe kjo ndodh vetëm në Kinë.

Kina njihet si vendi i kulturës dhe i ekonomisë, çfarë mund të na thoni për operën kineze. Çfarë ndodh sot me të?

Kultura kineze ka marrë një zhvillim të paparë këto dhjetë vitet e fundit. Ndryshe kur kohë më parë në Kinë politikisht konceptohej që ekonomia udhëheq kulturën, sot është e kundërta: kultura udhëheq ekonominë. Mjafton të mendosh se po flasim për kombin më të madh të botës, për kombin me ekonominë më të rritur dhe më të fortë të botës, për kombin që më 2020-n do të jetë fuqia e parë ekonomike e botës për të kuptuar fjalët e mia se ç’rol të jashtëzakonshëm ka kultura në këtë vend. Por ndryshe nga Europa apo Amerika, ku artistin zakonisht nuk e bëjnë vlerat e tij, por lidhjet me klanet kulturore, agjencitë dhe makiazhet mediatike; jo vlerat e artistit por sasia e parave që ai paguan për t’u dukur dhe bërë i famshëm nëpërmjet agjencive të specializuara të PR (public relation), në Kinë kjo nuk vlen…

Publiku kinez është po aq i ndjeshëm dhe ironik sa ai i Milanos në “Skala” para 30 vitesh. Në Kinë po nuk mbushe sallën me zë dhe të prekësh emocionin e mijëra spektatorëve, je i dështuar pa hyrë akoma.

Në Kinë shpesh disa emra të njohur në Europë nuk ftohen të këndojnë atje dhe ky është një fakt.

Le të hidhemi pak në kohë, si e kujtoni kohën e lidhjes suaj me muzikën? Cilat janë kujtimet nga ajo kohë?

Lidhja ime me muzikën ka qenë sa e natyrshme aq edhe e jashtëzakonshme. Si fëmijë, në atë lagjen e varfër të Kavajës ku jam rritur, lexoja deri natën vonë, por ndërkohë s’mund të shkëputesha dot nga ata tinguj të çuditshëm që vazhdonin të jehonin në gjithë qenien time pas emisionit të mbrëmjes “Italia Sera”, që dëgjoja në radion time të vjetër, me këngëtarë të mëdhenj si Tagliavini, Skipo, Di Stefano, Del Monaco, Corelli etj. Magjia e zërave të tyre ishte aq tronditëse sa megjithëse u rrita dhe fillova të shkruaja poezitë dhe tregimet e mia të para, unë përsëri s’u shkëputa dot prej tyre, derisa një ditë, kur sapo kisha kryer studimet për Gjuhë-Letërsi takova Mustafa Krantjen në prani të bashkëshortes dhe djalit të porsalindur. Kështu filloi për mua një rrugë e re, që zanafillën e kishte aty në mbrëmjet e varfra të Kavajës, duke dëgjuar radion e vjetër.

E vendosët karrierën tuaj jashtë Shqipërisë. Pse kjo zgjedhje? Si e kujtoni ikjen nga Shqipëria?

Ikja nga Shqipëria ka qenë një dëshirë jo vetëm e fshehtë, por edhe e pamposhtur për ne shqiptarët e viteve ‘90.

Së pari nga kurioziteti për të ditur se çfarë ka përtej Shqipërisë dhe së dyti, për një jetë më të mirë. Por unë pata fatin të shkoja për tre vjet me studime pasuniversitare në Budapest, të drejtën që e fitova nëpërmjet një konkursi ndërkombëtar më 1992-shin.

Që nga ajo kohë vazhdoj të jetoj nëpër botë, por me mallin dhe dëshirën e madhe që një ditë edhe unë të kthehem në atdheun tim si artist, por dhe si qytetar i thjeshtë.

Çfarë është Shqipëria për Agim Hushin?

Ah Shqipëria… Para se gjithash një dhimbje e madhe, shumë e madhe, që shpesh mi merr netët me pagjumësi, mall, merak… pak nga të gjitha. Por dhe gjëja më bukur e kësaj bote. Një vend që më mungon në çdo qelizë, që e dua pa kushte dhe që më frymëzon me gjithçka, me të mirat dhe të këqijat e saj, me diellin dhe njerëzit gjaknxehtë, me zemërgjerësinë dhe detin blu, me vajzat si yje dhe malet e ashpër, me ujëvarat dhe rrugët me pluhur, me ullinjtë dhe pyjet e prerë, me gjithçka, ashtu siç mund të jenë dashuritë sublime!

Keni qenë shpesh pranë politikës, si e shihni atë çfarë politika ka prodhuar këto vite?

Politika është malli më i keq që ka prodhuar konsumi njerëzor këto 22 vite të tranzicionit shqiptar. Pa mohuar aspak arritjet dhe vlerat e krijuara nga personalitete që këtij vendi nuk i mungojnë.

Por tendenca e grumbullimit të politikës në duart e një njeriu të vetëm ka qenë rreziku më i madh i politikës shqiptare gjatë tërë këtyre viteve dhe kthimi në diktatura të reja.

Por shqiptarët e kapërcyen me sukses të plotë dhe i dhanë një mësim historik më 23 qershor të gjithëve atyre që filluan të ndërtojnë ëndrra me pronarë të kombit apo sundim absolut.

As mashtrimi me premtime, as kërcënimet këtë radhë nuk vlejtën për të ndaluar verdiktin popullor që vërshoi si kurrë më parë me votën e lirë, për t’i dhënë një shans të ri Shqipërisë.

Cili është koncerti që s’do e harroni asnjëherë dhe roli juaj më i dashur?

Shfaqja që s’do të harroj kurrë është në Kuala Lumpur dhe ka mbetur si një nga ngjarjet më të bukura të jetës time, por unë besoj edhe të mbarë kulturës shqiptare. Kam marrë pjesë në inaugurimin e Malaysian Liric Opera me operën “Toska”, ku këndova në rolin e Kavaradosit që u prit në mënyrë të jashtëzakonshme dhe të nesërmen gazetat më të mëdha zyrtare dolën në faqet e para me portretin tim, duke shkruar se tenori shqiptar shkëlqeu në inaugurimin e Operës së Malajzisë. Isha krenar që pata në atë sallë atë natë edhe ambasadorin shqiptar në Kuala Lumpur, mikun tim z. Hajdar Munekaj.

Rolet e mia janë të gjitha të dashura për mua: Radamesi nga opera “Aida”, Calafi nga opera “Turandot”, Luigi nga “Il Tabarro”, Cavaradosi nga “Tosca”, Deus Grieux nga “Manon Lescout”, Manrico nga “Trovatore”, Turdidu nga “Cavalleria Rusticana” etj.

Si e shihni operën shqiptare?

Opera shqiptare është një vatër që ka nxjerrë talente botërore dhe si e tillë ajo është padyshim nga qendrat më të mëdha kulturore dhe prestigjioze të vendit. Veçanërisht Teatri i Operës ka qenë një institucion, ku papërgjegjshmëria qeverisëse e katandisi në një organizëm të nivelit më të ulët të krahasueshme me opera të nivelit lokal, qoftë nga fondet, qoftë nga drejtimi i stilit mafioz, ku çdo gjë, duke filluar nga kontratat, pagesat, prapaskenat e ndarjes së roleve u kthyen në makth të artistëve shqiptarë që kanë kontribuar dhe dhënë një jetë në shërbim të këtij teatri. Sa për ne të ftuarit mund të themi se s’ka pasur asnjë kriter: thjesht kemi qenë objekt i dëshirës së një drejtori apo i grupit partiak që kontrollonte drejtimin e operës.

Opera theu të gjitha konturet e një institucioni shtetëror, kur artistët e saj u vunë në rresht të firmosnin peticione kundër opozitës. TOB-i këto vite ka humbur misionin e saj me vlerat mediokre të vizionit dhe ndërtimit të një strategjie kombëtare për të përfaqësuar artin elitar të kombit. Por unë kam besim absolut se TOB-i ka për të qenë një institucion jo vetëm kombëtar, por edhe i rangut ndërkombëtar me fuqinë e talenteve që duhet të përfaqësojë dhe jo të klaneve të errëta që e kontrollojnë. Vërtet mund të mos ketë para, por ka talente që janë një pasuri e jashtëzakonshme, të cilat duhen menaxhuar.

Më Shumë

Mblidhet Kuvendi, në rend dite marrëveshja për tunelin Tetovë-Prizren

Sot do të mbahet seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, ku në mesin e pikave të rendit të ditës është edhe shqyrtimi i Projektligjit...

Në Rahovec vidhet filtri për pastrimin e mbeturinave në lum

Në Rahovec është vjedhur filtri që shërben për pastrimin e mbeturinave në lum. Siç shkruhet në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, vlera e...

Lajmet e Fundit