9.8 C
Prizren
E mërkurë, 16 Tetor, 2024

Suhareka me start perfekt Superligë, Argtim Ismaili flet për aventurën në futbollin kosovar dhe objektivat e klubit

Pak kush e ka menduar se një skuadër e formuar vetëm një vit më parë do të futej në Superligë dhe kur kanë kaluar pesë xhiro do të jetë në krye të tabelës.

Epo Suhareka tanimë është një realitet, një realitet i bukur i futbollit kosovar ku në katër ndeshje të zhvilluara deri më tani kanë grumbulluar 10 pikë.

Skuadra e drejtuar nga Shpëtim Duro ka një barazim dhe tre fitore, derisa dueli me Dritën nga xhiro e tretë është shtyrë për një datë tjetër.

Verdhezinjtë kanë bërë transferime të mëdha duke marrë emra si Lorik Boshnjaku, Hysen Memolla, Argtim Ismaili, Endrit Krasniqi apo Jakup Berisha.Një nga prurjet më të mira padyshim që ka qenë ajo e Argtim Ismailit, mesfushorit defensivë i lindur dhe rritur në Zvicër dhe gjithë karrierën ka luajtur në futbollin zviceran.

25-vjeçari që ka bërë karrierë te skuadrat zvicerane si ST Gallen, Wil e Grasshopper Zurich, ka folur për Telegrafin për aventurën e tij te Suhareka.

“Debutimi me Suharekën ka qenë një kënaqësi e madhe për mua. Pas një lëndimit të cilin e pësova në fazën përgatitore në Bullgari humba pesë javë dhe tani jam rikthyer dhe jam i lumtur që mund të jap kontributin tim”, tha fillimisht Ismaili.

Ismaili ka bërë krahasim edhe mes futbollit zviceran dhe atij kosovar, duke thënë se dallimin e bënë loja taktike dhe loja pa top.

“Besoj që futbollit kosovar duhet t’i jepet më shumë rëndësi dhe është zhvilluar shumë viteve të fundit. Dallimi ose diferenca sipas mendimit tim është loja taktike dhe loja pa top. Gjithsesi kampionati i Kosovës ka ekipe të forta që luajnë vit për vit në Evropë dhe kanë paraqitje të mira. Besoj që kjo është si rezultat i punës së madhe që bëhet”, tha Ismaili.

Tutje mesfushori nga Kumanova ka thënë se pritja që i është bërë në klub ka qenë e jashtëzakonshme për të.

“Klubi i ri më ka pritur jashtëzakonisht mirë Një nga arsyet që kamë bërë këtë hap ishte projekti që më ka prezantuar klubi. Komplimente të mëdha për klubin që po e zhvillon sezonin e parë në Superligë. Të them të drejtën prej fillimit e kam ditur se klubi është shumë serioz dhe kanë një projekt të madh”, vazhdon tutje Ismaili.

Krejt në fund Ismaili flet edhe për objektivat që ka personale dhe ato me klubin, ku padyshim që synohet dalja në Evropë.

“Kampionati vetëm sa ka filluar dhe ne deri më tani kemi startuar shumë mirë. Besoj që ekipi bashkë me stafin ka potencial dhe eksperiencë të zhvillojmë një kampionat të jashtëzakonshëm. Nuk dua të flas gjëra të mëdha, pasi i marrim ndeshjet një nga një, por duke parë potencialin e skuadrës atëherë mund të them se dalja në Evropë është një objektiv i klubit që duhet të arrihet”, thotë Ismaili.

“Sa i përket objektivave personale, e di saktë se çfarë kualitete kam dhe për çfarë arsyeje jam këtu. E di se jam në gjendje t’i ndihmoj ekipit me cilësitë e mia. Jam duke punuar me shumë fokus të arrij sa më shpejtë në formën 100 për qind timen dhe t’i sjelli klubit shumë gëzim për të dhënë kontributin tim në skuadër dhe për të arritur suksese me Suharekën”, tha Ismaili.

Mesfushori 25-vjeçar ka potencial të madh dhe ai pritet po e merr vetën gradualisht pas atij lëndimi që pësoi në fazën përgatitore.

Suhareka deri më tani ka grumbulluar 10 pikë, ku pas barazimit me Prishtinën ka triumfuar 3-1 ndaj Dukagjinit, 3-2 ndaj Gjilanit dhe 0-1 ndaj Ferizajt. /Telegrafi/

Më Shumë

Fillon rrënimi i objektit “Liria” në Prizren

Komuna e Prizrenit  sot nisi punimet për rrënimin e objektit të ndërmarrjes “Liria”, që gjendet në lagjen "Bazhdarhane", prapa "Shtëpisë së Bardhë". Si pasojë...

Panairi i Produkteve Lokale “EXPO SHARRI” zhvillohet në Mejdan të Shajnes

Sot, në shkollën profesionale në Mejdan të Shajnes, u mbajt Edicioni i tretë i Panairit të Produkteve Lokale Vendore "EXPO SHARRI", ku dhjetëra biznese...

Lajmet e Fundit