Lakmia për pasurim të kundërligjshëm, përmes kapjes së të gjitha strukturave të shtetit nga klasa e tanishme politike në pushtet, në atë lokal e atë qendror, ka krijuar bindjen se kjo garniturë asnjëherë nuk do të vetëdijesohet për dëmin e madh që po ia shkaktojnë Kosovës me mënyrën sesi e administrojnë pushtetin sundues me mentalitetin puro korruptiv, nepotik e tepër kriminal. Sipas analistëve politikë, pritja që këto parti të distancohen nga e keqja që i ka kapur të gjitha, në pozitë dhe në opozitë, në pushtetin qendror dhe atë komunal, pa asnjë përjashtim, është një pritje e kotë.
Në këtë situatë të rëndë për vendin dhe qytetarët, sipas analistëve, mbetet shpresa vetëm tek ambasadorët e shteteve të Kuintit që të ndikojnë në dekriminalizimin e kësaj skene politike. Politologu Arsim Haziri thotë se, për fat të keq, duke u sunduar nga një klasë e kriminalizuar politike, Kosova plotëson të gjitha kriteret negative për të mos qenë shtet serioz dhe demokratik i standardeve të përparuara evropiane e më gjerë, shkruan gazeta Kosova Sot.
Mungon elita e përgjegjshme
Sipas Hazirit, Kosova është kapur keq nga krimi dhe korrupsioni. “Klasa e kriminalizuar politike është arsyeja fundamentale pse vendi ynë vazhdon të krahasohet me shtete me funksionimin më të dobët në botë. Kosova ballafaqohet skajshëm me mungesën e një klase të ndërgjegjshme politike, e cila do të mund të jetojë dhe të organizohet për interesin nacional”, u shpreh ai.
“Kosova, si shteti më i ri, pothuajse ballafaqohet rëndë me mungesën e një elite nacionale e të përgjegjshme karshi detyrave, të cilat kanë derivuar prej mandatit popullor. Mbi bazën e realitetit socio-ekonomik dhe politik theksoi se po të donin përfaqësitë e huaja diplomatike dhe po të thyhej miti popullor i ndërtuar për subjektet politike vendi do të kishte gjasa për të qenë në një sundim më ligjor dhe më t? drejtë”, theksoi Haziri.
Sipas tij, pa ndëshkimin e aferave “Pronto” dhe pa instalimin e një formacioni të ri politik, i cili do të mund të zbatonte vullnetin qytetar në përpikëri, ne kot do të shpresonin për një prosperim t? përgjithshëm socio-ekonomik. “Tani konsideroj se kushti dhe mundësia e vetme për ndryshimin e mënyrës së udhëheqjes janë faktori popullor dhe ai ndërkombëtar”, tha Haziri.
Shpresa të pakta për ndryshim
Sipas analistit politik Ali Hertica, shoqëria e Kosovës dhe institucionet qeverisëse nuk e kanë dhënë deri më tani as minimumin e premtimeve të tyre për politikëbërjen e subjekteve politike, për qeverisjen në interes të qytetarit dhe të krijimit të një shoqërie të ndërgjegjshme. “Kur vjen koha e fushatës elektorale premtimet e tyre nuk kanë fund, por sot çdo gjë në Kosovë po lidhet ngushtë me statusin politik dhe vetëdijesimin e skenës politike. Vetëdijesimi dhe ndërgjegjja janë dy shtylla kryesore të çdo individi apo grupi të shoqërisë demokratike”, theksoi ai.
Sipas tij, ne jemi shumë larg shkollës së kulturës politike demokratike, ngase kemi një politikë, e cila vetëm sa po e degradon shoqërinë kosovare, duke ia veshur të gjitha ngjyrat e të këqijave si shtet. “Lirisht mund të themi se Kosova po administrohet sot nga antivlerat, nga askush, që është një tmerr i padurueshëm për qytetarin. Krimi nepotik i ka tejkaluar të gjithë kufijtë e shoqërisë”, tha Ali Hertica.
Ai thotë se një iniciativë qytetare për ndryshim, me përkrahjen ndërkombëtare, mbetet shpresa e vetme e ndryshimit të kësaj gjendje. “E gjithë kjo dukuri e kapjes së shtetit ka mllefosur qytetarin, i cili tani shpresën e ka tek mbështetja për ndryshim nga vendet e Kuintit dhe ambasadorët që së shpejti do të duhej të insistonin dhe ta kushtëzonin për çdo çmim instalimin efektiv të shtetit ligjor”, tha Ali Hertica