11.8 C
Prizren
E enjte, 18 Prill, 2024

“Lidhja e Prizrenit”, pronë e Bashkësisë Islame…!

Shkruan: Dr.Orhan Bislimaj
Kush nuk e ka ditur, le të dijë se Kompleksi i Lidhjes së Prizrenit, bashkë me xhaminë e Gazi Mehmet Pashës (Bajraklisë), ka qenë pronë e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit.

Kjo ka vazhduar deri në vitet ’80-ta të shekullit të kaluar, kur bëhet ndarja e kompleksit të Lidhjes nga xhamia e Bajraklisë.

Ky tjetërsim i pronës, në mënyrë detyruese, nuk ishte thjeshtë një proces shpronësimi, por mbi të gjitha, një tendencë për abstrahimin e dimenzionit fetar islam, e sidomos të rolit të xhamisë, në kryengritjen e Lidhjes. Sepse, pushtetarët e kohës, një gjë të tillë, nuk e bënë dhe për Hamamin e Prizrenit, i cili vazhdon të mbetet pronë e Bashkësisë Islame, por e bënë për Lidhjen!?

Lidhja e Prizrenit, përtej faktit si një kryengritje panshqiptare, për mbrojtjen e Shqipërisë, ajo gjithësesi, brenda saj, përmban dhe një dimension islam të padiskutueshëm. Këtë e pranojnë edhe studiuesit ndërkombëtarë, Noel Malcom, Christine von Kohl-i, etj. Nëse e lexojmë “Kararnamenë”, si një akt, që përmban vendimet e Kuvendit të Lidhjes, do të vërejmë, këtë që e themi. Përveç sheriatit për sistem ligjor, aty tregohet lojaliteti ndaj Qeverisë, si dhe, duket edhe pjesëmarja e vëllezërve muslimanë nga Bosnja, e që dëshmon se Lidhja përmbante brenda saj edhe aleancën islame, si një antipod kundër pansllavizmit, që shtrihej nga fqinjët e afërt e deri te Rusia. Sa kaq, të gjithë e dinë, se Lidhjes i ka paraprirë, iniciativa e ylemave të kohës, që njihej si “Komuniteti i muhamedanëve të mirëfilltë”, në krye me Myderris Ymer Prizrenin.

Në takimet e tyre, ngjizet ideja e Lidhjes! Pastaj, kjo ide, ka dalë në përmasa gjithëpërfshirëse, si një lëvizje nacionale, politico-ushtarake, që përfshinte katër vilajetet shqiptare. Edhe më tej, jo rastësisht në krye të Lidhjes ishte Myderris Ymer Prizreni dhe jo rastësisht, Kuvendi i Lidhjes ishte mbajtur në xhami, e që kishte vazhduar pastaj, në disa raste edhe në teqenë te Marashi, në Prizren. Të gjitha, kanë qenë veprime të natyrshme, nëse e kemi parasysh kohën kur janë zhvilluar. Në fund të “Kararnamesë”, thuhet: “Në bazë të besës së lidhur nga bu­rrat e patrembur të Shqipërisë së Veriut, Ju­gut dhe Bosnjes, të atyre që kur kanë lindur nuk kanë njohur tjetër zanat por pushkën dhe që për Din, Devlet dhe Vatan japin je­tën, kanë zgjedhur Prizrenin si kryeqytet të Lidh­jes.” Kjo pikë, flet mjaft shumë!

Prandaj, sot kur e kujtojmë Lidhjen e Prizrenit, duhet ta lexojmë drejtë atë deri te mesazhet e çlirimit të Kosovës në vitin 1999, pa devijime historike. Sepse, vetëm kështu e përjetojmë si një kapital të pavdekshëm. Tekstet shkollore, që e shtrembërojnë të vërtetën e Lidhjes, duhet t’i përmirësojmë sa më parë, duke vendosur aty edhe xhaminë si një vend ku është mbajtur Lidhja, sepse kjo është e vërteta. Po ashtu, nuk duhet t’u themi fëmijëve, se ideja e Lidhjes ishte për çlirim nga Perandoria Osmane, siç po thuhet aty-këtu, sepse kjo i bie, sikur sot të thuhet se Kosova dshiron të largohet prej Europes dhe Amerikës!? Përkundrazi, atyre t’u thuhet se Lidhja ishte një kryengritje serioze popullore shqiptare, për mbrojtjen e vilajeteve shqiptare, cep e n’cep, nga sllavët, në kohën kur Perandoria Osmane, nuk mund ta mbronte veten e saj, sidomos pas nënshkrimit të humbjes në Traktatin e Shën Stefanit, më datë 03 Mars 1878, i cili u rishikua në Kongresin e Berlinit, 13 qershor – 13 korrik 1878. Historia e vërtetë është mësim cilësor, ndërsa e kundërta e saj është përrallë. Apo siç e kishte merak, rahmetli Esat Stavileci, një aforizëm: “Historia është mësuese e njerëzimit, por erdhën ca maniakë dhe e dhunuan mësuesen!”.

Urime, përvjetori i Lidhjes dhe i çlirimit…!

Më Shumë

Vdes 41-vjeçari pasi u godit nga rryma elektrike teksa po peshkonte në Romajë

Një person ka vdekur sonte në Spitalin Rajonal të Prizrenit, pasi derisa ishte duke peshkuar me gjenerator elektrik, në fshatin Romajë, ishte goditur nga...

Sot moti me diell, temperaturat deri në 26 gradë Celsius

Moti sot në Kosovë parashikohet të jetë me diell dhe po ashtu edhe me vranësira. Siç bën të ditur Meteo Kosova, era do fryjë kryesisht...

Lajmet e Fundit