11.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Myezinit, haxhi Xhelal Hoxha

(Post mortum)

Lajmin për vdekjen e myezinit haxhi Xhelal Hoxhës e mora nëpërmjet rrjetit social të martën në mbrëmje, në ditën e tretë të Fitër Bajramit. Lajmi për vdekjen e myezinit të xhamisë së Bajraklisë më befasoi, pasi që një ditë para Bajramit e takova djalin e tij Salihun, dhe e pyeta se si e kishte babën, pasi që për shkak të pandemisë së virusit COVID-19 nuk kam pas rast ta shoh afro tre muaj haxhi Xhelalin. Salihu m’u përgjigj se mirë është, në këmbët e veta, por natyrisht po kalon jetën si në pleqëri.

Pasi mora lajmin për vdekjen e tij, lexova një Elham për shpirt të tij dhe bëra dua (lutje) që Krijuesi Fuqiplotë ta mëshirojë me mëshirën e tij të pakufishëm shpirtin e tij të ndritur, që ishte obligimi im moral në aspektin fetar ndaj myezinit të dashur të xhamisë së Bajraklisë. Ndërsa në aspektin shoqëror për respektin e thellë që kisha ndaj tij, si njeri, haxhi, hoxhë, e mbi të gjitha myezin i xhamisë qendrore të Prizrenit, atë të xhamisë së Bajraklisë, me të cilin njihesha dhe shoqërohesha plot gjysmë shekulli, ndjeva një obligim moral që ta përkujtoj me këtë shkrim post mortum (pas vdekjes), myezinin tonë të dashur, haxhi Xhelal Hoxhën.

Haxhi Xhelal ef. Hoxha u lind në vitin 1936 në fshatin Zhur të Prizrenit, shkollën fillore katërvjeçare e kreu në Vlashnjë, pasi që më moshën 5 vjeçare me familje u shpërngul nga Zhuri në Vlashnjë. Dy vjet ka ndjekur mësimet në Medresenë e Gazi Mehmet Pashës në Prizren, nga viti 1945 e gjer në vitin 1947, vit kur u mbyll medreseja nga sistemi komunist i atëhershëm, me ç’rast shumë talebe(nxënës) mbetën pa vazhduar, pa përfunduar Medresenë. Pas kësaj vazhdoi mësimet edhe 2 vjet tek hafëz Sinan efendiu, i cili përkundër ndalesës, organizoi mësimin me 30-40 talebe(nxënës) në shtëpinë e tij në Marash, gjer në burgosjen e tij dhe shpërnguljen e tij pas presioneve ndaj tij nga pushteti komunist, në Turqi.

Pasi që u detyrua të ndërpres dy herë arsimimin e tij, haxhi Xhelali në vitin 1958 u emërua myezin në xhaminë e Terzimahallës dhe të Sozisë ku shërbeu 2 vite. Prej vitit 1960 e gjer në vitin 1963 shërbeu si imam në fshatin Gjinoc të Suharekës. Në fillim të vitit 1963 me ftesë të myftiut të Prizrenit hfz, Safet ef. Bashës u caktua myezin në xhaminë e Bajraklisë në të cilin detyrë shërbeu me përkushtim të plot 44 vite, gjer në vitin 2007. Zyrtarët e atëhershëm të Vakfit(Këshillit të Bashkësisë Islame) të Prizrenit kanë bërë një gabim të pafalshëm, pasi që kanë pas dashtë të lejojnë edhe 6 vjet, për të shërbyer myezin në xhaminë e Gazi Mehmet Pashës(Bajraklisë), me të cilin do të rrumbullakonte gjysmë shekulli(50 vite) shërbimi të pandërprerë si myezin i xhamisë qendrore të Prizrenit, pasi e kishte shëndetin dhe me zërin e tij të bukur si bilbili nuk e kishte kolegun që mund të matej me të për këndimin e ezanit, jo vetëm në Prizren por edhe në Kosovë. Edhe me këtë stazh, gjatë 100 viteve të fundit ka qenë myezini me kohëzgjatje më të gjatë shërbimi në këtë detyrë, plot 44 vjet pandërprerë në xhaminë e Bajraklisë, dhe i cili e tejkaloi myezinin paraprak Rexheb efendinë i cili ka shërbyer para tij plot 37 vite.

Me të vërtetë haxhi Xhelali do të mbetet në kujtim të përhershëm jo vetëm të xhematit të xhamisë së Bajraklisë, por edhe në kujtim të të gjithë qytetarëve të Prizrenit, pasi ka pas një zë të veçantë e të bukur melankolik si bilbili, dhe ishte i vetmi që mund të krahasohej me haxhi Gani Koshin, myezinin gjakovar i cili ka shërbyer plot 40 vite myezin në xhaminë e mbretit në Sarajevë.

Për herë të parë pasi që u emërua myezin në xhaminë e Bajraklisë, në vitin 1963, pasi hipi në minare në namazin e drekës dhe thirri ezanin në Bajrakli xhami, të gjithë nëpunësit që ishin në ndërtesën e Kuvendit Komunal të Prizrenit, i cili në atë kohë ndodhej afër xhamisë, dolën jashtë të habitur se nga doli ky zë tani kaq i bukur, ezani i tij i parë u ndie larg gjer në majën e Kurilës, larg në skajë të Bazhdarhanës e gjer në fushat e Arbanës dhe Petrovës. Me të vërtetë ishte dhuntia e Allahut që ja ka falë këtë zë të bukur si bilbili myezinit tonë të dashur haxhi Xhelalit. Akoma ekziston inçizimi i ezanit të tij të xhiruar në vitin 1967 nga një studio televizive, e cila qarkullon në You Tube me zërin e tij të bukur si bilbili të këndimit të ezanit. Përveç ezanit të bukur edhe mevludin që e këndonte haxhi Xhelali ishte një kënaqësi dhe bukuri e veçantë për ta dëgjuar atë se si këndonte.

Kur u caktua në detyrën e myezinit të xhamisë së Bajraklisë nga myftiu i atëhershëm i Prizrenit, hafëz Safet ef. Basha në vitin 1963, unë atë vit kam lindur. Prej vitit 1970 kur për herë të parë baba më mori për dore për të falur ndonjë namaz në xhaminë e Bajraklisë, pasi që gravitoj me shtëpi pran xhamisë, u njoha me haxhi Xhelalin dhe plot 50 vite kam qenë pranë tij, plot 30 vite falesha pran tij, dhe shpesh kur mungonte imami, haxhi Xhelali e zëvendësonte imamin në prirjen e xhematit në namazet e farzit, ndërsa unë e zëvendësoja atë duke bërë ikamet.

Në njërën prej ndejave e pata pyet myezinin tonë të dashur haxhi Xhelalin, të më tregonte se cili më së mirë e këndonte Kur’anin dhe cili myezin e këndonte më së miri ezanin. Haxhi Xhelali m’u përgjigj:” Pa dyshim kënduesi më i mirë i Kur’anit ka qenë hafëz Ismailhaki efendiu, ish myftiu i Kosovës gjatë kohës së periudhës së ish Jugosllavisë, dhe mulla Mustafa ef. Dervisholli, nga Prishtina, (i cili për koinçidencë ndërroi jetë tre ditë para Fitër Bajramit, ndërsa haxhi Xhelali në ditën e tretë të Fitër Bajramit), ndërsa ezanin më të bukur sipas tij e këndonte gjakovari haxhi Gani Koshi, i cili shërbente në Sarajevë, kryeqytet të Bosnjës”. Natyrisht prej modestisë së tij, veten e tij nuk e radhiti në mesin e tyre, edhe pse ai pa mëdyshje ishte njëri prej tyre që këndonte për bukuri ezanin dhe mevludin.

Gjatë jetës sime me të vërtet kam rastis të dëgjojë këndimin e Kur’anit prej hafëz Ismailhaki efendisë sa herë që vinte në Prizren dhe falte ndonjë namaz në xhaminë e Bajraklisë, si dhe këndimin e Kur’anit nga mulla Mustafë Dervisholli që kam rastis të dëgjojë në Prishtinë dhe Mitrovicë, me të vërtet të dytë e kishin zërin e bukur të këndimit që shpirti dhe zemra të relaksohej dhe qetësohej nga dëgjimi i këndimit të tyre të Kur’anit.

Sa herë që dëgjoja këndimin e ezanit, i cili të pesë vaktet e namazeve ditore haxhi Xhelali ishte në gjendje dhe i këndonte me mekame të ndryshme, por me mekanin që e këndonte namazin e iqindisë ishte i veçantë që do të mbetet përherë në kujtim të paharruar të timin, myezini ynë i dashur haxhi Xhelali. Për atë që më ka thënë për myezinin haxhi Gani Koshi nga Gjakova, kam pastë rast edhe vet ta dëgjojë në Sarajevë, me të vërtet nuk kisha çka të shtojë, por vetëm se të vërtetojë fjalët e haxhi Xhelalit për haxhi Gani Koshin, me zë të veçantë melankolik si bilbili.

Në fund të këtij shkrimi post mortum(pas vdekjes) për myezinin tonë të dashur haxhi Xhelal Hoxhën, do të përfundojë me atë, haxhi Xhelal ke qenë i veçantë, për mua i dashur dhe do të mbetesh përherë në kujtimet e m’ia si myezin që rallë ka pas je vetëm Prizreni por edhe Kosova. E lus Allahun fuqiplotë ta mëshirojë me mëshirën e tij të pakufishme, t’i falë kusuret dhe ta shpërblejë me xhenet firdevs. Familjes së tij, pesë djemve dhe tre vajzave që la pas, ju shpreh ngushëllime të sinqerta dhe të jenë krenar me babën që patën, myezinin e paharruar haxhi Xhelal Hoxhën.

Av. Faik MIFTARI

Më Shumë

Kurti: Një ditë pas votimit në favor të Kosovës në KiE, Serbia hakmerret kundër civilëve

Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur hakmarrje të Serbisë ndaj votimit në favor të anëtarësimit të Kosovës në KiE, ndalimin e mbi 300 qytetarëve...

Policia shqiptoi mbi një mijë e 900 gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1936 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore...

Lajmet e Fundit