7.8 C
Prizren
E premte, 19 Prill, 2024

Shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj ish-drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Prizren

Ka dështuar të mbahet gjykimi ndaj ish-drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, Nijazi Kryeziu, i akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Ai akuzohet se gjatë periudhës kohore janar–dhjetor 2015, se në mënyrë të kundërligjshme ka lidhur kontratë me televizionin lokal, TV Opinion, për emetimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të Komunës  Prizrenit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Shkak për mosmbajtjen e seancës së caktuar për të martën, ishte mungesa e të akuzuarit Kryeziu, për çka gjykatësja Raima Elezi tha se nuk e ka arsyetuar.

Në seancën e së martës mungoi edhe mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Arben Shala, për të cilin gjykatësja Elezi tha se mungesën e tij e ka arsyetuar me një parashtresë, në bazë të së cilës e ka informuar gjykatën se është i angazhuar në një lëndë tjetër në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Dean.

Në fillim të seancës mungoi edhe ekspertit financiar Agim Sheqiri, i cili më pas u paraqit në sallën e gjykimit.

Prokurori Mehdi Sefa deklaroi se në bazë të ekspertizës financiare, është konstatuar se mjetet janë ndarë në mënyrë të kundërligjshme pa një procedurë të tenderimit, andaj propozoi që në seancën e ardhshme si palë e dëmtuar të ftohet përfaqësuesi i Kuvendit Komunal Prizren.

Pasi që nuk kishte kushte ligjore për mbajtjen e seancës, gjykatësja Elezi deklaroi se seanca e njëjta shtyhet për 24 korrik 2020, në ora 13:00.

Ndryshe, në seancën fillestare të mbajtur më 14 tetor të këtij viti, Kryeziu ishte deklaruar i pafajshëm për veprën që i vihet në barrë.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Prizren të ngritur më 2 gusht 2019, i pandehuri Nijazi Kryeziu akuzohet për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Sipas aktakuzës, Nijazi Kryeziu, akuzohet se gjatë periudhës kohore janar – dhjetor 2015, në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, nuk i ka përmbushur detyrat apo autoritetin zyrtar, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për personat tjerë juridik, TV Opinion.

Në aktakuzë thuhet se i akuzuari Kryeziu, duke mos e përmbushur detyrën e përcaktuar me ligj, pa ndonjë procedurë të tenderimit në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin për Menaxhimin e Financave Publike, si dhe Rregulloren e Thesarit, kishte lidhur kontratë për emetimin e spoteve reklamuese për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapsinor të Komunës  Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Kryeziu, gjatë periudhës kohore 01 janar 2015, e deri më 31 dhjetor 2015, kishte lidhur kontratë me TV Opinionin, në vlerë prej 600 euro në muaj, dhe se për 12 muaj ka paguar 7200 euro.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 par.1 lidhur me par.2 nënpar.2.2 të KPRK-së.

Ndryshe, Kryeziu është i akuzuar edhe në rastin e njohur “Pronto”, së bashku me ish-shefin e grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ish-ministrin e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, ish-deputetin e PDK-së, Zenun Pajaziti, e të tjerë.

Kurse, muaj më parë, Kryeziu ishte shkarkuar edhe nga posti i tij si këshilltar i kryeparlamentarit Kadri Veseli, pas vendimit të këtij të fundit për shkarkimin e zyrtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) që kanë aktakuza. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Moti sot me diell, temperaturat deri në 26 gradë Celsius

Sot në Kosovë parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira të pjesshme gjatë ditës.   Vonë pasdite mund të ketë reshje të izoluara në verilindje...

Asfaltohet rruga Zym-Lugishtë-Dedaj në Has

Komuna e Prizrenit ka bërë të ditur sot se është shtruar shtresa e dytë me asfalt në rrugën Zym-Lugishtë-Dedaj të Hasit. "U shtrua sot shtresa...

Lajmet e Fundit