2.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

Vrasjet e prillit 1924 që tronditën Shqipërinë!

Nga Ergys Alushi

Më 23 shkurt 1924, Ahmet Zogu goditet me dy plumba para parlamentit, ai hyri në parlament me kobure në dorë

-Vrasjet e prillit 1924 që tronditën Shqipërinë!

-Atentati kundër Kryeministrit Ahmet Zogu kishte trazuar situatën politike

-Si e përshkruan Eqerem Bej Vlora atentatin kundër Ahmet Zogut

-Si u vranë dy amerikanë në Mamurras dhe Avni Rustemi në Tiranë

-Pse dhe si ndodhi vrasja e dy amerikanëve në Mamurras

– 20 prill 1924 si ndodhi atentati kundër Avni Rustemit

– Dy ditët nga atentati deri në lajmërimin e vdekjes, paralajmëronin diçka të keqe në rast të vdekjes së tij.

– Tre personat që vranë amerikanët pasi u vranë në përpjekje u sollën në Tiranë dhe u lanë një natë të ekspozuar për t’i parë i gjithë populli

-Si e përshkruante shtypi amerikan vrasjen e dy amerikanëve dhe shqiptarët si popull

Situata në vend

Situata në vend nuk ishte e qetë. Qetësia ishte prishur dhe në qeveri, sidomos në Parlament. debatet ishin të forta dhe shpesh përfundonin me ndërprerje të seancave. Atentati kundër Ahmet Zogut më 23 shkurt 1924 i kishte ndarë edhe më shumë forcat politike në Parlament. Në Tiranën e kohës flitej se Koço Kota kishte kërkuar të jepte dorëheqjen nga Ministër i Punëve Botore, por nuk ia pranonin një vendim të tillë. Arsyeja ishte se, edhe pse kishte për një kohë të shkurtër në këtë detyrë kishte punuar mirë duke i kursyer arkës së shtetit me disa reforma që ndërmori. Flitej gjithashtu se kishin kërkuar të jepnin dorëheqjen edhe ministrat Xhafer Ypi dhe Sotir Peci, si dhe për Grupin e Deputetëve të Korçës, që do të largoheshin nga Parlamenti. Edhe pse qeveria përpiqej ti mohonte zërat për përçarjet dhe mosmarrëveshjet e mëdha brenda Parlamentit, situata ishte tejet e rënduar dhe ngjasonte me një “qetësi para furtune”

Plagoset në atentat kryeministri Ahmet Zogu
Ndodhte më 23 shkurt 1924

Ja si e tregon Eqerem Bej Vlora atentatin kundër Zogut

Eqerem Bej Vlora ishte një ndër deputetët e Vlorës në Parlamentin e Shqipërisë në vitin 1924. Si i tillë ai është një nga dëshmitarët e atentatit që ndodhi në hyrje të parlamentit. Në librin e tij “Kujtime 1885 – 1925” ai e kujton kështu atë ngjarje:
“Më 23 shkurt 1924, gati të gjithë ne, deputetët, thuajse kishim zënë vendet tona për seancën e pasdites të Asamblesë. Mungonte vetëm qeveria, pra edhe kryeministri Ahmet Zogu. Unë rrija, si gjithmonë pranë metropolitit Fan Noli, në bankën e radhës së parë, majtas hyrjes. Më ra ne sy se atë dite grupi i partisë demokratike prapa meje po rrinte çuditërisht i heshtur dhe i merakosur. Ka të ngjarë që kështu të mendoj tani, por sidoqoftë atë ditë pata ndijimin sikur ata po prisnin, të tendosur, diçka. Befas ushtuan dy krisma në shkallët e ndertësës, që u pasuan nga një qetësi e ngrirë. Pastaj u hapën me vrull dyert e sallës dhe brenda hyri Ahmet Zogu, me revolver në dorë. Ai ishte prerë në fytyrë, por ecte me shtatin drejt dhe pas disa çastesh e mori veten, madje buzëqeshi dhe vajti me çap të sigurtë tek bangoja e qeverisë, ku u ul në një vend të caktuar për sekretarët. Ne të gjithë u bemë në çast të vetëdijshëm për gjendjen dhe e kuptuam menjëherë se ç’kishte ndodhur. Se në raste të tilla populli ynë e mbledh veten shpejt dhe është shumë i disiplinuar.

Disa deputetë që kishin miqësi me Ahmet Zogun iu mblodhën përqark, pjesa tjetër e deputetëve ngriu kërcënueshem, nëpër vendet e saj, prapa nesh. Unë e vlerësova sakaq rrezikshmërinë e gjendjes sime, por edhe në përgjithësi. Kjo qetësi e kjo heshtje mund të shndërrohej nga çasti në çast në katrahurën më të madhe. Unë rrija pothuaj në mes të garibëve demokratë; nga e djathta e sallës, pra, para meje dhe anash pultit të presidiumit, ishin vendet e konservatorëve. Të gjithë ishin të armatosur! Të vinte puna tek armët, unë isha në mes të plumbave të miqve dhe të armiqve. Ndaj brofa në këmbë, i pëshpërita në vesh peshkopit shakaxhi “bëfshi qejf” dhe nxitova drejt lozhës së dëgjuesve, ku po rrinte një miku im i partisë, doktor Simonidhi nga Vunoi i Himarës. E ndihmova atë të kaptonte parmakët e lozhës dhe e çova tek Ahmet Zogu për t’i parë plagët. Zogu ne fillim nuk i besoi dhe nuk deshi ta linte këtë të panjohur ta vizitonte, por pastaj, kur unë e sigurova se mjeku është i besueshëm, nuk kundërshtoi më. Plagët ishin të rënda por pa rrezik për jetën: dy plumba e kishin marrë kalimthi duke e çarë thellë, njëri në kofshë e tjetri në baqth; plagët u lidhen përkohësisht…”

Dy amerikanë vriten në Mamurras
Ndodhte më 6 prill 1924

Në numrin e ditës së enjte 10 prill 1924 “Gazeta e Korçës” do të njoftonte në faqen të parë vrasjen e dy amerikanëve në Mamurras.
“Sot (6 prill), në ora 10 para m.d. dy tregëtarë amerikanë të quajtur Belong dhe Caroman u vranë prej të panjojtursh në një pritje në rrugën Tiranë-Shkodër dhe në vendin Mamuras…Qeveria shqiptare – vazhdonte ndër të tjera artikulli që lajmëronte vrasjen e dy amerikanëve – është e bindur se ky krim është bërë me qëllime politike dhe që të diskretitohemi përpara të huajvet. Qeveria mori masat më të rrepta për të sbuluar kuximtarët, të cilëve do t’u japë një dënim shembëllor dhe të pamëshirshëm”
Të nesërmen e vrasjes, trupat qeveritare i kanë rrethuar autorët e ngjarjes në pyllin e Zhevës dhe pas luftimesh që zgjatën më shumë se 1 orë e gjysmë mbetën të vrarë dy persona, të cilët u njohën nga shoferi me të cilët po udhëtonin amerikanët e vrarë, se ata kishin qenë dora që kreu krimin e rëndë. Të nesërmen e luftimeve, një prej personave që e çau rrethimin i plagosur u gjet i vdekur. Tre të vrarët u sollën në Tiranë dhe u lanë një natë të ekspozuar për t’i parë i gjithë populli. Fuqia operative arriti të kap të gjallë e të arrestojë babanë dhe xhaxhanë e një prej autorëve të krimit, të cilët u morën në pyetje për të treguar në lidhje me krimin.
Ngjarja bëri bujë të madhe dhe tronditi opinionin publik. Ishte hera e parë që në Shqipëri vriteshin dy shtetas amerikanë, të cilët ishin pritur gjithmonë me ngrohtësi në Shqipëri. Vrasja ndodhte në datën 6 prill. Një ditë më pas Kuvendi Themeltar lajmëroi një mbledhje të jashtëzakonshme me qëllim shpalljen e shtetrrethimit në prefekturën e Durrësit, duke përjashtuar nga kjo masë ekstreme Tiranën.
Në datën 7 prill, një ditë pas vrasjes, më shumë se 5 mijë vetë do të prisnin në Tiranë makinën me trupat e dy amerikanëve të vrarë, në shenjë hidhërimi për ngjarjen e shëmtuar. Kuvendi Themeltar do të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme, ndërkohë që në shenjë nderimi për kujtimin e viktimave bëri pesë minuta pushim dhe formoi një komision që do t’i shfaqte ngushëllimet Legatës amerikane në Tiranë.

Gazeta amerikane “Boston Eening Transcript” shkruan për vrasjen

“Vrasja e dy amerikanëve…do të drejtojë vërejten përsëri, në mënyrë jo të favorshme, në atë vendin e ri e të vjetër, i cili është më i egër, më i rrezikshim, dhe përgjithërisht më “primitiv’se nga c’ish në ditët e Perandorisë Romiane, kur udha e madhe që shpinte drejt nga Roma në Bizant shkonte përmes tij. Shqipëria që në kohë të luftës të madhe ka nisur të modernozohet me cape jo të vogëla po barbarism dhe banditisma janë dy gjëra që edhe s’janë chkulur nga brigjet e saj. Shqiptarët, edhe sikur të dijmë të shkruajnë e të këndojnë, dhe sido që dërgojnë djemt’e tyre në Itali dhe në Francë për të edukuar, janë edhe tribesmen (popull që ron i ndarë në fise sinë kohët primitive në kupëtim e vërtet, dhe guverna qendrale e tyre në Tiranë nukë është gjë tjatër veç se një pleqësi përmbi bajrakët, ekzistenca e së cilës i detyrohet mëshirës së këtyre të fundit…
Kombësia e këtyre dy amerikanëve, edhe sikur të ishin njohur, për vrasësit nukë bënte as më të paktin ndryshim, siç nukë bëri ndryshim kombësia e oficerëve italianë, për të cilët guverna e Singor Musolinit mori cpagim aqë të shpejtë. Ndjenja që shtypi në vrasje në të dy këto raste ishte grabitja…

Nuk ka faqe më të cuditëshme në histori, nukë ka ngjarje më të pakuptuarshme në pikëpamje historike, se fakti që kjo shtëpi e vjetër e racës së bardhë, kjo pjesë e bukur e mbretërisë dhe vatrës së Aleksandrit të Madh, e shtrirë mu në kërthizë të Evropës Mediteriane, të jetë lënë në barbarism. Shqipëria është e ndjenjur nga një racë e bardhë e çquar nga një pastëri gjaku dhe një bukuri fizike shumë të rrallë. . Është një popull që duket se është i zoti të bëjë pothua çdo gjë në udhë të shvillimit – dhe do të qe i zoti të shvillohej po të mos ish që shumica e popullit të qe musliman – po nuk është shvilluar as pak.
Lajmet na thonë, se pas vrasjes së këtyre amerikanë Gurverna e Tiranës “deklaroj kanunin e juntës”. Kjo nukë do të thotë gjësendi, se në Shqipëri nukë ka guvernë të vërtet përveç asaj të shpatës, të dyfekut dhe të thikës…”

Qëllohet në një atentat Avni Rustemi
Ndodhte më 20 prill 1924

Më 20 prill, ende pa u shuar jehona e vrasjes së dy amerikanëve, në Tiranë do të qëllohet në një atentat deputeti i Kosovës në parlamentin shqiptar Avni Rustemi. Ai ishte një liderët e opozitës së kohës dhe ishte i njohur në vend për atentatin me pasojë vdekjen në Paris ndaj Esad Pashë Toptanit. Pas vrasjes dhe lirimit nga gjykata franceze, ai u kthye dhe u prit si hero në Shqipëri, sidomos në qytetin e Vlorës, ku kishte dhe aktivitetin më të madh. Atentatori Isuf Reçi (esadist i njohur), e qëlloi dy herë teksa Avni Rustemi ishte në shoqërinë e deputetit Hoxhë Kadria. Në ditën që është qëlluar Avni Rustemi nuk ka qenë i shoqëruar nga S. M, i cili ishte ngarkuar nga shoqëria “Bashkimi” për ta ruajtur atë. Avni Rustemi vdiq pas dy ditësh më 22 prill 1924. Dy ditët nga atentati deri në lajmërimin e vdekjes, paralajmëronin diçka të keqe në rast të vdekjes së tij.

Paralajmërimet e para erdhën nga Vlora.
Gazeta “Politika” që botohej në Vlorë njofton për një miting të mbajtur në qytet në datën 21 prill ora 2 pas dreke. “Oratorët dhe populli çfaqnë se në vrasjen të Avni Rrustemit është një komplot. Të gjashtë Kuvëndisët e Vlorës dhe komisioni i popullit u telegrafuan Këshillit të Naltë, Kryesisë, Asamblesë dhe Qeverisë, të xbulohet gjishti i vrasësit dhe Asamblea të mblidhet në Shkodër ose në një qytet jugor, se për ndryshe popullit nuk i mbetet besim tek kjo Qeveri’

Atentati ndaj Zogut dhe vrasja e Avni Rustemit

Fitorja politike e Ahmet Zogut në zgjedhjet e dhjetorit të vitit 1923, u përjetua keq ne ambientet e radikaleve, ne te cilët bënin pjese edhe shume nga miqtë e tij te vjetër politike. Pothuaj te gjithë këta ishin te bindur se Zogu do ta përdorte këtë koalicion për konsolidimin e tij politik dhe se pas kësaj, do të shndërohej në një diktator. Kjo ide u bë kaq dominuese, sa një pjese e tyre, herë fshehurazi dhe herë haptazi, filloi të hidhte idenë e eliminimit të tij fizik.
Duket se Avni Rustemi avancoi më shumë se te tjerët në këtë ide. Mesditën e 23 shkurtit, ndërsa Zogu ngjiste shkallet e parlamentit, një djalë i ri nga Mati, i quajtur Beqir Valteri, e qëlloi nga pas me revolver.

Distanca ishte fare e afërt, por duket se atentatori nuk ishte ushtruar ndonjëherë. Ai shkaktoi vetëm pak plagë të lehta, pavarësisht se nga krahu i Zogut filloi të dilte shumë gjak. i ndjekur nga xhandarët besnikë, Valteri u mbyll ne WC dhe filloi të këndojë këngë patriotike, ndërsa gjithë deputetet në sallë, u befasuan nga prania e Zogut që zuri vendin e tij me krahun që vazhdonte t’i rridhte gjak.
Siç dëshmohet në kujtimet e kohës, por edhe në studimin e Fisherit dhe atë të Ermenjit, Beqir Valteri përmendi ne burg emrin e Avni Rustemit. Askush nuk e di dëshminë e plotë të tij, por që atë ditë u kuptua qartë se Ahmet Zogu do të hakmerrej.
Dy ditë më pas, më 25 shkurt, ai u largua nga Qeveria, duke ia lënë postin e Kryeministrit, Shefqet Verlacit. Largimi nga qeveria nuk parashikonte asgjë të mirë. Në shumë libra nënvizohet se ai e bëri këtë për të marrë hakun. Të tjerë, si Fisheri, sqarojnë se atentati nuk e lejonte Zogun të ushtronte fizikisht detyrën e tij të Kryeministrit. Në fakt të gjitha këto kishin pak rëndësi. Shihej qartë se pas Qeverisë së Verlacit qëndronte Ahmet Zogu dhe se ai ishte njeriu më i fuqishëm politik i momentit. Goditja e tij direkte në të vërtetë nuk vonoi.
Me 20 prill 1924, ndërsa ecte se bashku me Hoxha Kadriun në një rrugë të Tiranës pranë pazarit të Ri, Avni Rustemi u qëllua për vdekje nga një tiranas i quajtur Isuf Reçi. Xhandarmëria nuk bëri asgjë për të ndaluar vrasësin dhe ai iku në mes të ditës, edhe pse Rustemi nxori revolverin dhe qëlloi dy herë në drejtim të tij.
Avni Rustemi vdiq tre ditë më vone në spital dhe opozita akuzoi direkt për vrasjen e tij Ahmet Zogun.

Më Shumë

Hysni Temaj, luftëtari i lirisë që ia kthehu krenarin kombit

25 vjet nga rënia e dëshmorit Hysni Sylë Temaj Hysni Sylë Temaj, u lind më 15.11.1976 në fshatin Kushnin të Hasit, që shtrihet rrëzë maleve...

Tre ndeshje interesante luhen sot në Superligë, sytë te Ballkani dhe Drita

Tre ndeshje interesante do të zhvillohen sot, në kuadër të xhiros së 29-të në Superligën e Kosovës në futboll. Sfida kryesore e ditës së shtune...

Lajmet e Fundit