24.4 C
Prizren
E martë, 8 Korrik, 2025
Home Blog Page 4595

Fillon viti i ri akademik në UP

0

Viti i ri akademik 2018-2019 për studentët e Universitetit të Prishtinës fillon sot me datë 01 tetor 2018.

Me këtë rast Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” me fillim nga ora 10:00 ka organizuar Ditën e Orientimit për Studentët e Rinj. Ky organizim mbahet për herë të parë dhe synon t’i njoftojë studentët me kushtet e studimeve në këtë universitet.

Mirëpo, as kjo ditë nuk do të kalojë pa shprehjen e pakënaqësive ndaj gjendjes së arsimit në Kosovë, e veçmas të atij universitar. Parlamenti i Studentëve të universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” sot me fillim nga ora 13:00, organizon marsh për të shprehur pakënaqësi për gjendjen në arsim.

21 vjet nga protestat studentore, fillimi i ndryshimit

0

Sot bëhen 21 vjet nga protestat e Lëvizjes Studentore të vitit 1997.

Më 1 tetor të këtij viti, ishte Lëvizja Studentore e atëhershme që organizoi protestat, të cilat u organizuan për të kundërshtuar pushtimin e Kosovës nga Serbia dhe kthimin e studentëve në objektet universitare, nga ku studentët ishin dëbuar nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit në fillim të viteve të 90-ta.

Pos masave të dhunshëm që regjimi kishte vendosur vite më parë në universitet, dëboi studentë e profesorë nga universiteti dhe imponoi plan-programin serb për mësim.

Këto protesta konsiderohen si një ndër aktet më të rëndësishme të asaj kohe. Për të shpërndarë protestën paqësore, policia serbe përdori dhunë ndaj studentëve dhe profesorëve.

Referendumi, 91.03 për qind e votuesve votuan ‘pro’

0

Sipas të dhënave të para që i publikoi Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) në faqen e internetit nga 20 për qind të përpunuara nga vendvotimet, “pro” në pyetjen e referendumit janë deklaruar 91,03 për qind, ndërsa “kundër” ishin 6.03 për qind.

Qytetarët e Maqedonisë në referendumin e sotëm u deklaruan për pyetjen “Nëse jeni për anëtarësimin në BE dhe NATO me pranimin e Marrëveshjes midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë”.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga KSHZ-ja, jehona e referendumit deri në orën 18:30 ishte 34,09 për qind.

Prizren, i akuzuari: Kjo prokurori që po më akuzon për krime lufte, më ka shpallur veteran të rrejshëm

0

I akuzuari Remzi Shala, ka deklaruar se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), përveç që po a akuzon për krime lufte, atë e ka shpallur edhe veteran të rrejshëm.

Një deklaratë të tillë, i akuzuari Shala e ka dhënë në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prizren, ku ka vazhduar gjykimi për krime lufte ndaj tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai akuzohet se duke vepruar si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), së bashku edhe me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, kanë marrë nga shtëpia e tij, Haxhi Përteshi, ku pas disa dite trupi i pajetë i tij ishte gjetur në afërsi të rrugës, afër qendrës së fshatit Duhël.

“Prokuroria që po më akuzon për këtë vepër, e njëjta më ka shpallur edhe veteran të rrejshëm. Nuk e di se çfarë është duke ndodhur me këtë drejtësi në këtë vend, ku gjërat nuk janë të koordinuara ashtu siç duhet”, ka thënë i akuzuari Shala.

Prokurori special, Haki Gecaj, ka thënë se ky nuk është objekt i asaj akuze dhe se për këtë çështje është ngritur një aktakuzë ndaj disa prej figurave shtetërore, e cila sipas tij, së shpejti pritet të marrë epilogun e vet.

Në seancën e së premtes, janë thirrur për të dëshmuar dy dëshmitarët Nezir Përteshi dhe Avdi Trolli.

Propozimin për dëgjimin e tyre e ka bërë prokurori Gecaj në pjesën e paradites të seancës, derisa ata pastaj janë ftuar dhe janë dëgjuar pasditen e së premtes, pasi një propozim i tillë, megjithëse është kundërshtuar nga pala e dëmtuar, e ka aprovuar kryetarja e trupit gjykues, Raime Elezi.

Këta dy dëshmitarë, në shumicën e rasteve janë përgjigjur se nuk dinë asgjë, përveç atyre që kanë dëgjuar lidhur me rastin në fjalë.

Dëshmitari Nezir Përteshi, që është fqinj i tani te ndjerit, ka treguar për fjalët që ishin thënë në një tubim, e ku sipas tij, ishte përmendur rasti i vrasjes së Haxhi Përteshit.

“Bajram Qatana i ka thënë komandant Gurit se nëse nuk më bëni veteran, atëherë unë do të tregojë se kush e ka mbytur Haxhi Përteshin. Në këtë tubim kur ka ndodhur ky diskutim, unë nuk kam qenë prezent, por ma ka thënë komandant Guri”, ka deklaruar ky dëshmitar.

Kurse, dëshmitari tjetër Avdi Trolli, gjithashtu është pyetur lidhur me atë që kishte dëgjuar rreth vrasjes së Haxhi Përteshit.

“Kam dëgjuar nëpër lokalet dhe kafiteritë e fshatit duke thënë se nuk është dashur ta mbytni Haxhiun”, ka deklaruar dëshmitari Avdi Trolli.

Ai ka thënë se bashkëfshatarëve u kishte thënë se për këtë rast, personat që ia kanë bërë këtë Haxhi Përteshit, nuk duhet të kërkohen në fshatrat tjerë, por në fshatin Duhël.

Fillimisht dëgjimin e këtyre dy dëshmitarëve e kishte kundërshtuar pala e dëmtuar, ku avokati Asdren Hoxha, pas një konsulte me të dëmtuarin Zenel Përteshi, kanë qenë kundër një propozimi të tillë të prokurorit Gecaj.

“Bajram Qatani ka dëshmuar në këtë proces dhe i njëjti nuk ka pranuar që të sqaroj se si është vrarë Haxhi Përteshi, andaj kërkesa që i dëmtuari Zenel Përteshi të jep emra tjerë është e kotë”, ka thënë avokati i palës së dëmtuar, Asdren Hoxha.

Kurse, i dëmtuari Zenel Përteshi, ka thënë se shumica e dëshmitarëve që po dëgjohen në këtë proces gjyqësor, nuk po thonë të vërtetën.

“Jam i bindur se edhe pse do ti thirrni këta dëshmitarë, të njëjtit nuk do të jenë real në dëshminë e tyre, pasi që janë dëgjuar edhe shumë dëshmitarë të tjerë në këtë gjykim, në seancat paraprake, të cilët edhe pse kanë pasur njohuri për këtë rast, nuk e kanë thënë të vërtetën, ka deklaruar i dëmtuari, Zenel Përteshi

Në këtë seancë, ka qenë i paraparë që të dëshmojë edhe Skender Krasniqi, por sipas prokurorit Gecaj, zëvendëskomandanti i policisë në Malishevë, e ka njoftuar atë se ky dëshmitar ka ndërruar jetë para një dite.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit, Natal Bullakaj, ka thënë se ky gjykim po zgjatet pa nevojë dhe se për një gjë të tillë sipas tij, nuk është fajtore as gjykata e as mbrojtja, duke shtuar se prokuroria ka ftuar dëshmitarë që nuk janë propozuar në aktakuzë, edhe pse nuk e kundërshtoi propozimin e prokurorit Gecaj.

Seancat e radhës janë caktuar të mbahen më 15 dhe 16 nëntor, në orën 9:15, si dhe për këto seanca janë ftuar dëshmitarët, Murtez Zekolli dhe Muhamet Bilalli.

Ndryshe, Remzi Shala akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 26 qershor 1998, duke vepruar si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), së bashku edhe me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, kanë marrë nga shtëpia e tij, viktimën Haxhi Përteshi.

Sipas aktakuzës, Remzi Shala, i cili ishte i vetmi pa maskë në kokë, së bashku edhe me 5-6 pjesëtarë tjerë të UÇK-së, të maskuar, nën dyshimin se i ndjeri ishte bashkëpunëtorë i forcave serbe, kanë shkuar në fshatin Duhël dhe të njëjtin e kanë dërguar në një vend të panjohur.

Në aktakuzë thuhet se djali i viktimës, Agron Përteshi, i kishte parë ata të largoheshin, së bashku me babin e tij, në drejtim të fshatit Grajqevc dhe pas disa dite trupi i pajetë i të ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës, afër qendrës së fshatit Duhël./betimiperdrejtesi/

Wilder e kërcënon keq Furyn

0

Kërcënimet e boksierëve në prag të përballjeve në mes tyre nuk janë të rralla dhe një e tillë nuk ka munguar as nga Deontay Wilder për rivalin e tij Tyson Fury.

“Nuk më ka trembur asnjë rival, nuk më tremb as Fury. Kjo është një sfidë e mirë për mua, për të dy ne, pasi jemi dy boksierë të pamposhtur dhe është një përballje që gjeneron shumë të ardhura, që fansat e dëshirojnë”, u shpreh Wilder, kampioni i botës në peshën e rëndë në kategorinë WBC.

Ndërsa, Fury është kundërpërgjigjur: “Kam mundur Klitschkon në Gjermani, tani do të mund Wilderin në Amerikë”, tha Fury.

Por nuk është dakord me këtë deklaratë kampioni i botës, që më tej shtoi: “Të premtoj se kur të jemi së bashku në ring, do të më mjaftojë një grusht dhe do ta shohësh veten të tendosur pas litarëve të ringut. Unë jam kampioni i botës dhe do të qëndroj i tillë”, tha Wilder.

Dy boksierët do të dalin ditën e hënë para medieve në konferencën e parë për shtyp, e cila do të zhvillohet pas disa ditësh. Dy boksierët janë takuar më parë edhe më 22 gusht, ditën kur Fury mundi Pianettan dhe konfirmoi marrëveshjen për sfidën ndaj Wilder.

Turpi

0

Mehmet Kraja

Titulli. Është i shkrimtarit nga Afrika e Jugut, J. M. Coetzee, i cili në romanin e tij “Turpi” (Çmimi Nobel për Letërsi, 2003), në rrethanat pas aparteidit, i çon personazhet e tij në skajin e fundit të moralit, deri aty ku nuk mban më, teksa përballen me degradimin dhe shkatërrimin moral.

Mirëpo, këtu del një rrethanë pak e ngatërruar: turpi është vlerë morale, që domethënë se, për ta ndjerë, duhet të jesh i prirë nga vlerat civilizuese dhe ta pranosh një kod etik, sado minimal qoftë ai. Me një fjalë, kufizimet morale janë vlerë civilizuese dhe nëpërkëmbja e tyre, si pasojë, çon në degradim moral, në refuzimin e rrethit shoqëror dhe në brejtjen e ndërgjegjes. Nga këto tre komponentë të turpit, si reagim i natyrshëm ndaj përballjes me kodin etik, klasa jonë politike e ka përvetësuar vetëm njërën, pra shkarjen morale dhe nuk njeh as refuzimin shoqëror dhe as brejtjen e ndërgjegjes. Më anë tjetër, Makiaveli ia njeh politikës të gjitha amoralitetet, duke e vënë edhe gënjeshtrën në piedestalin e “vlerave” të këtij “arti të së mundshmes”. Politikanët tanë, natyrisht, nuk e kanë lexuar Makiavelin, me të cilin do t’i kundërviheshin “Turpit” të Coetzee-s, por ndjekin instinktin e tyre primitiv të “ujqërisë” për ta vandalizuar Kosovën në të gjithë përbërësit e saj.

Por, Kosova nuk falë.

Historia. Që nga fillimi i gjysmës së dytë të shekullit XX dhe deri më sot kauza e Kosovës i ka turpëruar disa herë radhazi klasat e saj politike, liderët, titullarët e pushtetit, përfshirë edhe ata që ishin luajalë ndaj tyre. Si të thuash, ishte ky një fatalitet për të gjithë ata që deshën të abuzonin me punët e rëndësishme të këtij vendi. Gjatë kësaj periudhe Kosova nxori “në anën e errët të historisë” shumë personalitete, të cilët në kohën kur sundonin nuk e kishin marrë me mend se mund të kishin një fund të tillë, të përbuzur e të tallur edhe nga vetë trashëgimtarët e tyre. Ndoshta më shumë se fatalitet, më shumë se ogur i keq, mund të jetë se kauza e Kosovës gjatë kësaj periudhe të historisë nuk ka duruar shkelje të vlerave themelore të lirisë dhe atdhedashurisë. Që nga Lufta e Dytë Botërore dhe prapa kjo ka ndodhur me të gjitha klasat politike të Kosovës. Ka ndodhur me ata që në korrik të vitit 1945 në Prizren, në mbledhjen e të ashtuquajturit Këshill Krahinuer të Krahinës Autonome të Kosovë-Metohisë e miratuan aneksimin e Kosovës nga Serbia. Vendimmarrësit e këtij kuvendi ishin bartësit kryesorë të pushtetit në njërën nga periudhat më të errëta të historisë së re të Kosovës, deri në Plenumin e Brioneve të vitit 1966. Serbia dhe Jugosllavia nuk i sakrifikoi bartësit shqiptarë të aksionit famëkeq të armëve, të shpërnguljeve masive për Turqi etj. por Kosova i stigmatizoi, i turpëroi dhe i la me faqe të nxirë përgjithmonë. Më pas, të turpëruar dolën nga skena politike edhe bartësit e pushtetit autonomist të periudhës 1968-1974-1981, të cilët u mburrën në fillim, por dështuan ta mbronin Kosovën, kur ajo u përball me agresionin jugosllav për zhbërjen e autonomisë. Fatalisht të turpëruar dolën nga skena edhe “autonomistët e rinj” pas ’81-shit, të cilët më 1989, njësoj si pararendësit e tyre në Prizren, me votën e tyre në Kuvendin e Kosovës miratuan unanimisht suprimimin e autonomisë. Shumë nga ne i mbajmë mend autonomistët, si u vërsulen mbi Kosovën në vitin 1981, me diferencimin e egër, me nëpërkëmbjen e çdo vlere; pastaj i mbajmë mend po ata autonomistë që kërkuan mbështetjen e popullit, kur u rrezikua pushteti i tyre. I mbajmë mend delegatët e Kuvendit të Kosovës më 1989, që miratuan ndryshimet kushtetuese, ndërsa dhjeta protestues vriteshin anë e kënd Kosovës. Nuk e di nëse është bërë histori ose ka mbetur vetëm memorie kolektive, por të gjithëve që kemi jetuar vitet ’90 të shekullit të kaluar na kujtohen abuzimet dhe gënjeshtrat me “shtetin paralel”, na kujtohen ata që kërkonin të dilnin në zgjedhjet e Serbisë dhe ata që ditën punonin për pavarësinë e Kosovës, ndërsa natën bënin prokopi me Milosheviqin.

Kauza e Kosovës i turpëroi të gjithë.

Viti 1999: Këtu duhej të ndryshonte çdo gjë. U mendua se rrjedha negative e historisë për Kosovën u ndal një herë e përgjithmonë: nga skena politike duhej të dilnin, që të mos ktheheshin kurrë më, të gjithë ata që e “luftuan luftën” nga prapaskena, jo vetëm bashkëpunëtorët e fshehtë dhe të hapur të Serbisë, por edhe ata që i ngatërruan politikisht “anët e horizontit” edhe në rrafshin e ideve. Kosova e çliruar nga Serbia, e vendosur nën një protektorat të fuqishëm ndërkombëtar, sipas një rendi normal të gjërave, duhej të edukonte një klasë politike europiane, e cila hyn dhe del nga skena politike përmes një procesi të rregullt demokratik. Mirëpo, ndodhi që çlirimtarët bënë gabimin historik në dëm të Kosovës dhe të vetes së tyre: uzurpuan pushtetin, uzurpuan prona, instaluan korrupsionin, manipuluan zgjedhjet, më pas shkatërruan institucionet, veçmas institucionet e sigurisë, politizuan dhe korruptuan gjyqësorin, shkatërruan asetet ekonomike të vendit, ia bënë gjëmën idealit të tyre dhe e turpëruan veten përballë kauzës së Kosovës. Për të shpëtuar nga fundosja, pos kërcënimeve dhe shantazheve që filluan të mos pinin ujë, pas rekrutimit të një numri të madh të të rinjve të etshëm për pushtet dhe pasje korruptive, bënë edhe manovrën më të pabesueshme: rekrutuan vasalë dhe mbështetës nga radhët e kundërshtarëve të tyre “gjenetikë”, përfshirë edhe bashkëpunëtorë të Serbisë apo trashëgimtarë të tyre ideologjikë. Shpesh u bënë mburojë politike e bizneseve që kishin lidhje të forta me Serbinë, duke përdorur bisedimet e Brukselit në favor të këtyre bizneseve. Uzurpimi dhe mbajtja e pushtetit u bë kredoja e sundimit të tyre. Mirëpo, historia tregon se një sjellje e këtillë mund të mbajë për një kohë, por nuk mban përgjithmonë: kauza e Kosovës nuk i duron abuzuesit me idealin e saj të lirisë. Argumenti i fundit i çlirimtarëve, shpallja e pavarësisë së Kosovës, vetëm përkohësisht stabilizoi imazhin dhe pushtetin e tyre, por u zvjerdh dhe u shpenzua shpejt. Dështimi i turpshëm në ndërtimin e shtetit dhe të institucioneve të tij nuk mund të fshihet më prej askujt. Por, mbi të gjitha, ajo që nuk është dashur t’iu ndodhte çlirimtarëve, kurrë dhe në asnjë rrethanë, pra nuk është dashur që disa syresh ta kërkojnë shpëtimin atje ku e kërkuan edhe pararendësit e tyre: te Serbia.

Po të mos ishte tragjike, do dukej patetike!

Gënjeshtra. E gjendur përball një erozioni të paparë, kjo klasë politike ka filluar ta kuptojë se nuk mund të vazhdohet gjithmonë kështu, se nuk mund të bësh sikur jeton i kënaqur brenda gënjeshtrës që e ka krijuar vetë. Askush nuk mund të fshihet më pas historisë, as duke e krahasuar veten me iliro-pellazgët, as duke u marrë me etimologji amatore, as duke projektuar konspiracione të muslimanofobisë. Kjo klasë politike duhet ta kuptojë se njerëzit e këtij vendi nuk janë aq budallenj, se nuk mund t’ua fyejnë vazhdimisht inteligjencën. Ata kanë një memorie dhe e dinë çfarë keni thënë dje dhe çfarë thoni sot; çfarë keni bërë dje dhe çfarë bëni sot. Kjo klasë politike duhet ta dijë se, mbase, shumë prej tyre kanë për të jetuar këtu edhe pasi të bien nga pushteti, se shumica syresh kanë prindër, kanë fëmijë, kanë njerëz që i duan dhe atyre nuk iu pëlqen të turpërohen deri në këtë masë. Sepse, tashmë e kemi mësuar, kauza e Kosovës të vë medalje në kraharor kur e meriton, por edhe të turpëron kur shkon kundër rrjedhës. Atëherë, si mund të lejoni që ndonjë eksponent i juaj të hedhë në etër kaq shumë gënjeshtra dhe ju prapë të bëni sikur nuk ka ndodhur asgjë?! Si mund të lejoni të gënjehet kaq pa shije, pa pikë turpi, sa të thuhet Kosova do të bëjë marrëveshje historike me Serbinë, duke bërë “korrigjim kufiri”, duke marrë Luginën e Preshevës dhe duke mos dhënë asgjë si kompensim, as tri ose katër komunat e Kosovës veriore, as Trepçën, as Ujmanin, as asociacionin me kompetenca ekzekutive? Po kujt ia thoni ju këto? A është Serbia ajo që e njohim të gjithë, apo në imagjinatën tuaj keni krijuar një Serbi tjetër, të zbritur nga qielli, që nuk i ngjan reales?! Kë mendoni se mund të gënjeni me terminologji, se nuk bëhet fjalë për ndarje të Kosovës por gjoja për “demarkim” e gjepura të këtilla? Pse gënjeni, pse nuk keni kurajë ta thoni të vërtetën ashtu siç është: kërkoni shpëtim nga Serbia për dështimet tuaja të brendshme dhe të jashtme! Po të mos ishit ju të tillë çfarë jeni, Kosovës do t’i shkonin mbroth të gjitha punët, edhe liberalizimi, edhe integrimet, edhe njohjet, madje edhe OKB-ja dhe nuk do të duhej që tani, për të mbetur ju në pushtet dhe për të shpëtuar lëkurën, të kërkoni shpëtim, duke i dhënë Serbisë si kundërvlerë një “copë Kosovë”, që na e paska falur Rankoviqi! Edhe këtu gënjeni sa nuk mban më. Rankoviqi nuk i ka falur Kosovës asgjë, ju e dini këtë shumë mirë, por e thoni gënjeshtrën të “stolisur” me patriotizëm, që ajo të duket më bindëse dhe më joshëse për budallenjtë. Ata autonomistë që ju i sillni nëpër korridore si këshilltarë, e dinë shumë mirë se kur janë formuar komunat e Zubin Potoku dhe Zveçanit; Leposaviqi ka qenë komunë ngaherë, kurse Mitrovicën e Veriut e bëtë ju vetë komunë serbe, duke bërë marrëveshje me Beogradin dhe bosët e kontrabandës dhe duke mos lejuar kthimin e shqiptarëve në atë pjesë të Mitrovicës. Këto janë gënjeshtrat e fundit, që kjo klasë politike arrin t’i kullandris, para se e turpëruar, si varrmihëse e kauzës së Kosovës, të dalë përfundimisht nga skena.

Kjo mund të duket pak patetike, por nuk është.

Kushtetuta: Presidenti i Kosovës, ideatori i këtij galimatiasi, kërkon të përfshijë në projektin e tij gjithë spektrin politik të Kosovës, pozitë dhe opozitë, i vetëdijshëm se vetë nuk nënshkruan dot një marrëveshje të tillë. Një ide e këtillë e çoroditur nuk ka sesi të mos jetë objekt i shqyrtimit kushtetues, sepse askush, sado i paktë nga mendtë, nuk shkruan kushtetutë pa ua kufizuar diabolikëve mundësinë e shkatërrimit të shtetit. Nëse ka kush sy me e pa, këtë kufizim e ka edhe Kushtetuta e Republikës së Kosovës, e cila ka hyrë në fuqi më 15 qershor 2008. Pika 1 e nenit 1 të Kushtetutës, në preambulë, ku përkufizohet shteti, thotë se Republika e Kosovës është shtet sovran, demokratik, “unik dhe i pandashëm”. Hartuesve të Kushtetutës, sigurisht duke u mbështetur në modele të tjera, kjo nuk u është dukur e mjaftueshme, prandaj në nenin 2, aty ku flitet për sovranitetin, kanë vënë pikën 2, në të cilën është thënë taksativisht se “Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacënueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohen me të gjitha mjetet e përcaktuara me këtë Kushtetutë dhe ligj”. Jo vetëm kaq. Në pakon e Ahtisaarit, e cila në një pjesë të mirë të saj është inkorporuar në Kushtetutë, është përcaktuar shumë qartë: “Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti” (Kushtetuta e Kosovës, neni 1, pika 3) Atëherë, çfarë po ndodh? Në të vërtetë, presidenti me projektin e tij për ndarjen e Kosovës, apo këmbimin e territoreve, që është njësoj, gjendet në zgrip të shkeljes së Kushtetutës, vetëm se këshilltarët e tij kanë gjetur një zgjidhje “kushtetuese”: presidenti ende nuk ka bërë ndonjë veprim konkret, të cilin nuk do të mund ta gëlltiste as Gjykata Kushtetuese, sado e kapur dhe sado luajale të jetë ndaj presidentit. Edhe ekipi negociator u bë me këtë prapavijë: të gjendet një person ekzekutiv, që të nënshkruajë një traktat tashmë të negociuar prej tij. Pra, një dredhi që pale si do të përfundojë. Vetëm se është e panatyrshme, krejt jonormale, që presidenti i një vendi, që afro një vit e këndej propagandon dhe angazhohet publikisht për një agjendë politike në shkelje të Kushtetutës. Nuk ka rëndësi nëse presidenti formalisht dhe juridikisht nuk është bërë ende “objekt i përshtatshëm” për Gjykatën Kushtetuese, por është jashtëzakonisht e dëmshme për vendin, për rendin kushtetues, për pozitën ndërkombëtare të Kosovës, që i pari i shtetit, bashkë me bashkëpunëtorët e tij (gjithnjë i refuzuar dhe pa autoritet, me përkrahjen e vetëm 11%), angazhohet “me mish e me shpirt” për kauzë antikushtetuese dhe antishtetërore: ngarendin korridoreve të Brukselit dhe të OKB-së, paguajnë lobues dhe analistë, të gjitha këto jo për ndonjë agjendë shtetërore, për të shtuar numrin e njohjeve, as për bashkëpunim bilateral dhe multilateral të Kosovës me shtete dhe organizatat ndërkombëtare, por për ta cenuar integritetin territorial të shtetit që e përfaqëson. Të gjitha këto për llogari personale dhe për Serbinë.

Edhe nëse vjen nga një histori çlirimtarësh, kjo më nuk kalon!

Prapaskenat. Maqedonia i bie të jetë njëri nga kapitujt e fundit i serisë së krizave ballkanike. Suksesi i referendumit dhe përfshirja e saj në NATO është shërbimi më i madh që i bëjnë shqiptarët një agjende globale: mund të mbahet mend si një memorial mirënjohjeje për kontributin e Aleancës në 20-vjetorin e çlirimit të Kosovës. Por ky referendum njëkohësisht duhet të shënojë edhe fundin e ndërhyrjes tepër të gjatë të Rusisë në këtë shtet të ri. Pas dështimit në Mal të Zi dhe në Maqedoni, mund të pritet ose një zmbrapse e Rusisë edhe nga Kosova, ose e kundërta, një ndërhyrje më intensive e saj në Ballkan, veçmas në Serbi, Bosnjë dhe në Kosovë. Por më shumë se çdo gjë tjetër, Rusisë i duhet precedenti i ndarjes territoriale të Kosovës, për çka ka arritur të tërheq në anën e vet edhe një pjesë të korruptuar të Brukselit. Krimeja, Abhazia, Osetia dhe Transnistria janë raste që kërkojnë një analogji të përshtatshme ndërkombëtare, për të legalizuar pushtimin rus të këtyre ish-krahinave sovjetike, respektivisht legalizimin e ndarjes së tyre nga shtetet përkatëse, Ukraina, Gjeorgjia dhe Moldavia. Pavarësisht se ngjan si konspiracion, nuk është rastësi që rikthimi i krizës së Kosovës ngjau në të njëjtën kohë me përkeqësimin e marrëdhënieve të Erdoganit me SHBA-në dhe afrimin e tij me Putinin, si dhe me një lidhje të tij të koordinuar me tre liderët ballkanikë, Ramën, Thaçin dhe Vuçiqin. Nëse ka ndodhur kjo në prapaskenë, dhe është krejt e mundur të ketë ndodhur, pavarësisht nëse është bërë për arsye pushteti, faktorizimi ose Gjykate Speciale, dy liderët tanë mbajnë përgjegjësi historike që i kanë përfshirë shqiptarët dhe shtetet e tyre në një agjendë ruse-turko-serbe, duke i larguar dhunshëm nga bota perëndimore, të cilës natyrshëm i përkasin.

Epo, Zot, kësaj radhe mos i fal, sepse këta e dinë shumë mirë se çfarë bëjnë!

Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/oped/shkruan-mehmet-kraja-turpi-580824/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Ish-komandanti i UÇK-së e TMK-së, mesazh Serbisë: Nuk jemi të gjithë sikur Hashim Thaçi !

0

Ish-komandanti i UÇK-së dhe Zonës së Dytë të TMK-së në Prizren, Selim Krasniqi, ka një mesazh për përfaqësuesit e Serbinë.

“Po ia kujtoj Serbisë fashiste se, nuk janë të gjithë shqiptarët zemërgjerë sikur Hashim Thaçi”, thotë Krasniqi, shkruan “PrizrenPress”.

Përfaqësues të institucioneve në Beograd, reaguan dje pas vizitës që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi vizitoi Ujmanin.

Ata kërcënuan se do të reagojnë nëse përfaqësuesit e Kosovës vazhdojnë me ‘provokime” të tilla.

“Po lexoj e dëgjoj shumë lajme kërcënuese nga zyrtarë të lartë të Serbisë . Ata vetëm po tregojnë se janë të njëjtit dhe se nuk kanë ndryshuar në raport me Kosovën”, shprehet ai.

“Janë të njëjtit që vranë gra, pleq dhe foshnje në barkun e nënave shqiptare…”.

“Ky popull ka djem e vajza, gra e burra që janë në gjendje të flijohen kurdo që e kërkon nevoja”.

“As mos guxoni ta provoni një gjë të tillë, sepse ju siguroj se jemi shuë më të fortë se në luftën e vitit 98 – 99”.

“Për fat të keq, në përkrahjen tuaj ka mbeturina që kanë mbetur nga koha kur ju ishit pushtues dhe me punën e tyre tw keqe, korrupsionin, krimin dhe me politika te gabuara kombëtare, sikur po dërgojnë uji në mullirin tuaj, po populli po zgjohet dhe tashme i ka kuptuar dhe ky është një lajm i keq për ju”.

“Kërcënimet që ju po i bëni në adresën tonë, as nuk na bëjnë përshtypje. Ju nuk mund të shtyheni me shqiptarët”.

“Çdo përpjekje e juaja do të jetë e humbur…”, shprehet Krasniqi./PrizrenPress.com/

Gashi: Do t’i ndihmojmë të rinjtë të përgatiten për tregun e punës

0

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, mori pjesë në shënimin e Ditës së Rinisë të organizuar nga “World Vision”.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se qëllimi i këtij organizimi ishte diskutimi me mbi 200 të rinj nga qytetet të ndryshme të Kosovës, me këtë rast të rinjtë kishin mundësinë të diskutojnë mbi punësimin, sipërmarrjen dhe se për problematikat që ata i shohin në komunitetet ku jetojnë, po ashtu të rinjtë gjatë këtij aktiviteti shpalosën idetë, dëshirat dhe aftësitë që kanë fituar për të festuar arritjet po ashtu edhe sfidat në të cilat kanë hasur.

Me këtë rast gjatë bashkëbisedimit me të rinjtë ministri Gashi tha se MKRS-ja është e fokusuar tek të rinjtë që t’i specializojë dhe t’i ndihmojë në çështjen e punësimit.

“Ne do të mbështesim çdo projekt i cili është në dobi për të rinjtë dhe do të përkrahim çdo aktivitet që organizohet për të ta”, tha Gashi, transmeton Koha.net.

“Si ministri drejtpërdrejt nuk e mbulojmë çështjen e punësimit, por duke pasur parasysh se të rinjtë e Kosovës i takojnë moshës së re dhe rinisë, ne në programin tonë kemi paraparë një objektivë të veçantë, që ka të bëjë me aftësimin dhe përgatitjen për tregun e punës, javën e kaluar kemi certifikuar rreth 250 të rinj që kanë marrë pjesë në këtë projekt”, tha ai.

Ai po ashtu tha se, “viti 2019 do të jetë viti i të rinjve sepse kështu e kemi paraparë në strategjinë e re për rini, për herë të parë ne do të kemi fondin rinor që do të jetë 1 milion euro i pari i këtij lloji në regjion që ka të bëjë me mbështetjen e të rinjve për ndërmarrësi dhe punësim”.

“Strategjinë për rini ne do ta ndryshojmë sepse dhjetë vite e fundit gjithçka ka ndryshuar, dhe se sot teknologjia është në kulm të zhvillimit, rrjetet sociale kanë efekt të madh në shoqërinë tonë, dhe kjo na detyron që ta ndryshojmë strukturën e departamentit të rinisë në mënyrë që t’iu përshtatemi rrethanave dhe kërkesave te të rinjve”, tha Gashi

Ndërsa drejtoresha e World Vision për Ballkanin Perëndimor, Eljona Boqe Elmazi tha se, “world vision është gjithmonë aty ku është nevoja dhe ne jemi organizatë që në zemrën tonë kemi fëmijët, që të arrihet mirëqenia e tyre duhet të funksionoj mirë çdo pjesë tjetër shoqërisë nuk mund të harrosh, familjen, institucionet kështu që ne do zgjerojmë programet tona sepse ka nevojë të punojmë me të rinjtë në Shqipëri, Kosovë, më Bonje dhe vende tjera”.

Haskuka njofton se ka zhvilluar një intervistë serioze me Labin

0

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka planet e tij për zhvillimin e qytetit sot i ka prezantuar te emisioni “1 kafe me Labin”.

Madje te moderatori Labinot Gashi që njihet më shumë për emisionet e showbizzit, kryetari i Prizrenit ka bërë të ditur se i ka diskutuar disa tema serioze.

Në mesin e tyre edhe zhvillimin ekonomik dhe turizmin.

 

“Një kafe me Labin. Biseduam për sfidat e Prizrenti dhe zhvillimet pozitive në komunë. Potencialin turistik dhe ekonomik të komunës tonë”, ka shkruar Haskuka në facebook.

Postimit ai i ka shtuar edhe një fotografi të cilën mund ta shihni më poshtë. /Insajderi.com

Ministri Gashi: Përherë të parë në Kosovë do ta zhvillojmë sportin e Rugby-t

0

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi së bashku me ambasadorin e Britanisë në Kosovë, Ruairi O’Connell kanë marr pjesë në turneun e “Mini Rugbyt”.

Me këtë rast ministri Gashi tha se “sot jam këtu bashkë me ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar për të promovuar një prej sporteve i cili i ka munguar Kosovës, pra sportin e Ragbyt, është sport jashtëzakonisht atraktiv dhe ne si MKRS jemi të përkushtuar që në Kosovë të ketë sa më shumë lloje të sporteve dhe njëri prej tyre është sporti i Ragbyt”, tha ministri Gashi.

“Sot jam këtu për të parë se si të rinjtë tanë janë të interesuar për këtë sport, dhe bashkë me ambasadorin do të dakordohemi se kur do të fillojmë investimet për ndërtimin ndonjë fushë për këtë lloj sporti, sepse besoj fuqishëm që do të ketë interesim të madh nga shumë të rinj tanë dhe veçanërisht nga nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme dhe që bashkërisht do ta promovojmë këtë sport në Republikën e Kosovës”, tha ministri Gashi.

Po ashtu ministri tha se “ne jemi pjesë e mbështetjes së këtij organizimi bashkë me klubin që e ka iniciuar këtë aktivitet nga Peja dhe me ambasadën e Britanisë në Kosovë, dhe së shpejti do ta licencojmë federatën e Ragbyt, dhe përmes federatës do t’i mbështesim klubet financiarisht ashtu siç jemi duke i mbështetur federatat tjera”.

Ndërkaq Ambasadori i Britanisë në Kosovë Ruairi O’Connell tha se “deri tash kemi pasur mbështetje maksimale prej ministrisë së sportit edhe prej komunitetit olimpikë të Kosovës, këta janë hapat e parë për një sport të ri në Kosovë, por ragbi nuk është për ata që i mungon trimëria, dhe në Kosovë nuk mungon trimëria, këtë e di shumë mire”, ka thënë Connell.

“Më vjen shumë mirë që ka interesim kaq të madh për ragbyn në Kosovë, ka kosovarë, shqiptarë po edhe serbë të Kosovës që luajnë jashtë vendit dhe shpresojmë që do ta popullarizojmë sportin e ragbyt edhe në Kosovë”, ka thënë Connell.