25.8 C
Prizren
E hënë, 7 Korrik, 2025
Home Blog Page 4598

Partitë shqiptare kërkojnë kthimin e vitit 1878 në emblemën e Prizrenit

0

Organet komunale të Prizrenit do të bëjnë përpjekje për të gjetur një mënyrë për kthimin e vitit “1878” në emblemën e Komunës.

Kjo çështje është diskutuar të premten në seancën e Kuvendit të Komunës dhe anëtarët e këtij organi janë pajtuar që së pari të krijojnë Komisionin statutar, i cili do të merret me propozimin e ndryshimeve në statutin e Komunës së Prizrenit, përfshirë këtu emblemën e Komunës, shkruan sot Koha Ditore.

Gjatë këtyre diskutimeve është vënë në pah fakti se lidhur me emblemën e Komunës së Prizrenit me vitin 1878 ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese, porse sipas tyre kjo padrejtësi duhet të korrigjohet.

Para miratimit të rendit të ditës së mbledhjes së KK-së, këshilltarja e “Vakatit”, Memnuna Ajdini, ka vlerësuar se çështja e emblemës së Komunës së Prizrenit është e kryer, madje me një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe ka shprehur bindjen se nuk duhet të jetë në rend të ditës.

Vetëvendosje proteston kundër korrigjimit të kufijve

0

Lëvizja Vetëvendosje do të mbajë sot një protestë paqësore me moton “Një popull s’i nënshtrohet një njeriu”.

VV ka akuzuar presidentin Thaçi se po dëshiron t’ia japë Serbisë edhe Ujmanin e Trepçën, gjë që siç kanë thënë ata nuk mund ta lejojnë.

“Protesta e sheshi bëhen hapësirat e vetme dhe të domosdoshme për të shprehur bindjet dhe vullnetin tonë në mbrojtje të vendit”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

Protestuesit do të nisen nga qytete të ndryshme drejt Prishtinës, duke filluar nga ora 10:00, për të cilët VV ka siguruar transport falas.

Ata do të takohen te Biblioteka Kombëtare për të vazhduar në Sheshin ‘Skënderbeu”, dhe do të përfundojë me një koncert në Sheshin “Zahir Pajaziti”./Telegrafi/

Urrejtja

0

Wislava Szymborska

Shikoni, sa e aftë është përherë,
sa mirë mbahet
urrejtja në shekullin tonë.
Sa lehtë i merr pengesat e mëdha.
Sa lehtë është për të, të hidhet, të rrëzohet.

Nuk është si ndjenjat e tjera
më e vjetra dhe më e reja prej tyre njëkohësisht.
Ajo vetë i lind shkaqet,
që e nxisin të jetojë.
Nëse e zë gjumi, asnjëherë me gjumë të përjetshëm.
Pagjumësia nuk ia merr fuqinë, por ia shton.
Feja jo feja –
veç të ulesh në gjunjë për t’u nisur.
Atdheu jo atdheu –
veç të shkëputesh për të rendur.
Edhe drejtësia nuk është keq në fillim.
Mandej ajo rend vetëm.
Urrejtja. Urrejtja.
Fytyrën asaj ia shpërfytyron ngërdheshja
e ekstazës së dashurisë.

Ah, këto ndjenjat e tjera –
mjerane dhe të ngathëta.
Që kur kjo vëllazëri
mund t’i besojë turmës?
Vallë keqardhja
ka arritur ndonjëherë e para në pikëmbërritje?
Dyshimi sa të dëshiruar tërheq pas vetes?
Vetëm ajo tërheq që e di të vetën.

E aftë, e zgjuar, shumë punëtore.
A duhet thënë sa këngë ka kompozuar.
Sa faqe në librat e historisë ka numëruar.
Sa divane të njerëzve ka shtruar
në aq sheshe, stadiume.

Mos të mashtrohemi:
ajo është në gjendje të krijojë bukuri.
Të shkëlqyera janë vezullimet e saj natën e errët.
Për bukuri shtëllungat nga shpërthime në agim të trëndafiltë.
Vështirë t’u mohosh patosin rrënojave
dhe humorin e shpenguar
kolonës që ngrihet fuqishëm mbi to.

Ajo është mjeshtre e kontrastit
mes rropamës dhe qetësisë,
mes gjakut të kuq dhe dëborës së bardhë.
Veç para së gjithash atë kurrë nuk e mërzit
motivi i xhelatit të pastër
mbi viktimën e njollosur.

E gatshme në çdo çast për detyra të reja.
Nëse duhet të presë, ajo pret.
Thonë se është e verbër. E verbër?
Ajo ka sy të mprehtë snajperi
dhe me guxim sheh drejt të ardhmes
– vetëm ajo.

Dresniku do të shndërrohet në parkun e dytë arkeologjik në Kosovë, thotë ministri Gashi

0

Në Lokalitetin Arkeologjik në Dresnik, sot, u shënuan Ditët e Trashëgimisë Kulturore Evropiane dhe Viti Evropian i Trashëgimisë Kulturore. Me këtë rast, në këtë lokalitet, qëndroi për vizitë ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili në fjalën e tij të rastit u shpreh i kënaqur që gjendet në këtë lokalitet.

“Ditën e Trashëgimisë Evropiane në të gjithë Evropën dhe Republikën e Kosovës janë kthyer në një ngjarje të rëndësishme kulturore, edukative, sensibilizuese dhe dijetare jo vetëm për institucionet tona por edhe për qytetarët tanë”, tha ministri Gashi.

Ai po ashtu njoftoi se për nderë të kësaj dite, në Kosovë tashmë janë zhvilluar shumë aktivitete, ku përfshihen të gjitha institucionet që merren me Trashëgimin Kulturore.

“Me organizime të shumta, siç është edhe ky i sotmi, synojmë ngritjen e vetëdijes për mbrojtjen e trashëgimisë tonë të përbashkët kulturore evropiane, duke e trashëguar atë për brezat e ardhshme”, tha ministri Gashi.

“E veçanta e kësaj ngjarje është fakti që për herë të parë kjo ngjarje ka ndodhur në lokalitetin e Dresnikut si njëra nga vendbanimet më të rëndësishme në Dardaninë Antike, në të cilën janë duke u zhvilluar punët intensive nga Institucionet tona dhe punëtorët profesionalë të fushës së Trashëgimisë Kulturore”, theksoi ministri Gashi.

Ai, ndër të tjera tha se rëndësia e këtyre gjetjeve është që ky lokalitet të bëhet prioritet dhe të ndryshohet në një pikë turistike në kuadër të zhvillimit të kulturës turistike në vendin tonë.

“Më lejoni të rikonfirmoj për përkushtimin tim dhe të Ministrisë që drejtoj, në mbështetje të plotë institucionale për fushën e Trashëgimit Kulturore”, përfundoi ministri Gashi.

Image

Zjarr në zonat malore në Vermicë

0

Një zjarr ka shpërthyer pak më parë në Vërmicë. Flaka dhe tymi që ka dalë aty ende nuk dihet se ka ardhur.

Në një video shihet se nga Vërmica po del një flakë e madhe.

Na Policinë e regjionit të Prizrenit kanë treguar se kanë dalë në terren së bashku më zjarrfikësit. Ata thonë se ende nuk kanë informata se nga ka ardhur ky zjarr.

“Nuk kemi informata se nga erdhi zjarri. Ajo që dihet tani ekipet tona janë në terrin dhe po punojnë në shuarjen e tij. Nuk ka ndonjë rrezik për banorët”, kanë thënë në Policinë e Prizrenit.

 

Në Malishevë, varroset me nderime të larta ‘komandant Plaku’

0

Sot në varrezat e fshatit Carrallukë, me nderime më të larta nga FSK-ja, dhe nën përcjelljen e familjarëve dhe mijëra bashkëluftëtarëve, përfaqësuesve të institucioneve qendrore dhe lokale, dhe qytetarëve të shumtë, është varrosur veterani i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, invalidi i luftës dhe ish mësuesi, Skënder Krasniqi-komandant Plaku.

Paraprakisht, në shtëpinë e kulturës “Tahir Sinani” në Malishevë, nga ora 15:00, janë bërë homazhe për Skënder Krasniqin, ndërsa nga ora 16:00, është mbajtur edhe një mbledhje komemorative, ku krahas familjes, morën pjesë edhe deputet të Kuvendit të Kosovës, zyrtarë dhe përfaqësues të institucioneve nga niveli qendrorë dhe lokal, përfaqësues të FSK-së, Policisë së Kosovës, zyrtarë të partive politike në vend dhe në nivel lokal, dhe qytetarë të shumtë nga të gjitha viset shqiptare.

Në këtë mbledhje komemorative, është vlerësuar lartë jeta dhe veprimtaria e Skënder Krasniqit, në fushën e arsimit dhe në veçanti në luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku baca Skënder, ishte njëri ndër themeluesit e celulave dhe njësive të para në Komunën e Malishevës. Skënder Krasniqi, gjithashtu ishte edhe njëri nga përgjegjësit, gjatë transformimit të UÇK-së në TMK, ku gjithashtu luajti rol të rëndësishëm, deri në pensionimin e tij. Shtëpia e tij, ishte njëra ndër bazat e para të UÇK-së, ndërsa vet Skënder Krasniqi, me tërë familjen e tij, ishin të inkuadruar në luftën çlirimtare të UÇK-së.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, duke folur në këtë mbledhje komemorative, tha se “Skënder Krasniqi, nuk u ndal kurrë së punuari për vendin, deri në momentin e ndarjes nga jeta”. Më pas, kryetari Begaj, ka kujtuar edhe momentet e tij, para, gjatë dhe pas luftës, me Skënder Krasniqin, duke e çmuar lartë angazhimin e tij, në shërbim të atdheut dhe kontributin e tij në luftën çlirimtare.

Kujtime nga veprimtaria e Skënder Krasniqit, i kanë shpalosur edhe Gjeneral Enver Cikaqi, i cili foli për rolin që luajti baca Skendë, në luftën çlirimtare dhe në transformimin në TMK, ku ka lënë gjurmë të pashlyeshme.

Edhe bashkëluftëtarja Shqipe Krasniqi, ka kujtuar momente nga lufta, kur, sipas saj, edhe në momentet më të vështira, Skënder Krasniqi, nuk u dorëzua asnjëherë.

Në këtë mbledhje komemorative, në emër të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, ka folur edhe Hysni Gucati, përderisa Skënder Krasniqin e vlerësoi si një burrë trim, i cili dallohej për burrërinë e tij të treguar gjatë dhe pas luftës.

Në emër të familjes, të pranishmit, i ka falënderuar për pjesëmarrje dhe për nderimet e bëra, djali i tij, Arben Krasniqi.

Skënder Krasniqi, është varrosur sot, në ora 17:00, në varrezat e fshatit Carrallukë.

Gjykata vendosi për rastin e vrasjes në Ratkoc të Rahovecit

0

Feriz Hoti, i akuzuar për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, është liruar sot nga Gjykata Themelore e Gjakovës.

Në shpalljen e aktgjykimit, nga kryetari i trupit gjykues, Hoti për të dy veprat lirohet në mungesë të provave nga aktakuza e Prokurorisë.

Gjykata e liroi të akuzuarin edhe nga obligimi i shpenzimeve procedurale.

Me këtë vendim, gjykata ia ndërpreu Hotit edhe paraburgimin, pasi që tashmë kanë pushuar të gjitha arsyet ligjore për të cilat ishte caktuar.

Kryetari i trupit gjykues, Gëzim Pozhegu, e udhëzoi palën e dëmtuar që brenda 15 ditëve ta bëjë parashtrimin e ankesës.

Në sallë të gjykimit ishin të pranishëm të gjitha palët, përveç prokurorit Ali Uka.

Hoti akuzohej se këto vepra i ka kryer natën e 17 majit 2017 në Ratkoc të Rahovecit, kur ka qëlluar drejt disa personave që po tentonin të hynin dhunshëm në dyqanin e tij duke e lënë të vrarë Hamdi Jusufin.

Në seancën e kaluar, pas rihapjes së gjykimit pas dëshmisë së dëshmitarit Muhamet Kiqmari, i akuzuari Feriz Hoti ishte deklaruar i pafajshëm.

Ai kishte kërkuar nga gjykata lirimin e tij, duke i shprehur keqardhje të dëmtuares Nazife Jusufi.

Në aktakuzë thuhet se Feriz Hoti pasi që dëgjoi zhurmën që po shkaktonin Hamdi Jusufi, Muhamet Kiçmari, Liridon Sylejmani dhe Evan Potera që po tentonin të thyenin derën e marketit “Rama-F” për të vjedhur brenda tij, doli nga oborri i shtëpisë dhe me armë filloi ndjekjen e tyre.

Sipas aktakuzës, katër personave që po tentonin të vidhnin në lokalin e tij, Hoti në fillim u kishte kërkuar të ndalen duke i sharë, e më pas kur ata kishin vazhduar të ikin, ai vazhdoi të gjuajë drejt tyre me pushkën automatike “AK 47”.

Në aktakuzë përshkruhet edhe momenti kur i akuzuari e qëllon tani të ndjerin Hamdi Jusufi.

“Në të shtënën e fundit qëllon tani të ndjerin Hamdi në pjesën e kokës dhe nga plaga e marrë vdes në vend të ngjarjes”, thuhet mes tjerash në aktakuzë.

MKRS ndanë 2 milionë euro për projekte sportive në Rahovec

0

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka qëndruar sot në Rahovec, ku është takuar me kryetarin Smajl Latifi dhe kanë nënshkruar katër memorandume bashkëpunimi për projekte në fushën e sportit, në vlerë prej 2 milionë eurosh.

Ministri Gashi dhe kryetari Latifi u dakorduan për katër projekte, të cilat ky i fundit i quajti jetike për sportin. Latifi tha se shpreson që përkrahja e tillë nga ana e MKRS-së të vazhdojë.

Latifi: Tri projekte të rëndësisë së veçantë për Rahovecin

“U dakorduam me të që sivjet, në fund të vitit të japim mbështetjen e plotë, edhe ministri jep mbështetje të plotë që të përmbyllet me sukses faza e tretë dhe përfundimtare e palestrës së sporteve në Rahovec. Pra, biseduam dhe u dakorduam edhe për tri projekte të tjera të rëndësisë së veçantë për komunën e Rahovecit është ndërtimi i stadiumit në qytetin e Rahovecit, ndërtimi i palestrës së sporteve në fshatin Krushë e Madhe dhe ndërtimi i stadiumit të futbollit në Ratkoc”, ka thënë Latifi.

Kurse, ministri Gashi, njoftoi se në kuadër të këtij bashkëpunimi, këtë vit do të finalizohen punimet në palestrën sportive të Rahovecit, të cilat kanë nisur qe shtatë vite. Gashi potencoi që vlera financiare e këtyre projekteve kap shumën 2 milionë euro.

Gashi: Palestra do të përfundoj brenda këtij viti

“Ajo që është shumë me rëndësi, është çështja e palestrës sportive. Ne kemi pas një bashkëpunim të jashtëzakonshëm me kryetarin që këtë objekt që e ka pas një fat të keq, i cili ka fillu vite më parë dhe natyrisht që nuk ka përfundu deri këtë vit, ne jemi shumë të interesuar që në vitin 2018 ta përmbyllim si projekt, në mënyrë që qytetarëve të Rahovecit, sportistëve dhe sportdashësve t’ia japim në shërbim. Besoj se do të jetë një projekt shumë i mirë, shumë i rëndësishëm, pavarësisht se ka zgjatë, na jemi dakordu të ndajmë mjetet, dhe po ashtu, siç e dini, tashmë aty janë duke punuar në fazën finale”, ka thënë Gashi.

Njëherësh, Gashi ka bërë të ditur se do të investojnë edhe në shtëpinë muze të Ukshin Hotit, duke siguruar një staf aty, si dhe shtëpinë ku janë masakruar qytetarët e Krushës, ku ka thënë se do ta marrin nën mbikëqyrje dhe do ta shndërrojnë në një objekt të kujtesës kolektive.

Pas nënshkrimit të marrëveshjeve, Gashi ka vazhduar vizitat në Rahovec, ku është ndalur te Palestra Sportive, e më pas edhe te Bodrumi i Vjetër.

Trondit gazeta gjermane: Ronaldo e përdhunoi një grua, e pranoi dhe pagoi para për t’ia mbyllur gojën

0

Cristiano Ronaldo është njëri ndër lojtarët më të famshëm në rruzullin tokësor.

Një grua nga Las Vegasi ka dalë me një deklaratë publike: Ai është njeriu që më ka dhunuar në një hotel në vitin 2009.

Ajo e ka bërë këtë publike përmes DER SPEIGEL për herë të parë.

Kathryn mayorga, 34-vjeçare, ka thënë se Ronaldo e ka dhunuar atë në Las Vegas në vitin 2009 dhe më vonë Portugezi ia ka dhënë asaj 375 mijë dollar amerikan në mënyrë që ajo të heshtë.

Sipas Mayorgas, ajo është dhunuar seksualisht në anus vazhdimisht. Pas kësaj ajo tha se Ronaldo e pyeti atë nëse ka dhimbje. Dhe ajo e ka quajtur Ronaldon si “djalë të mirë” vetëm për 1 përqind.

Ronaldo i ka mohuar akuzimet duke thënë se marrëdhëniet seksuale kanë qenë me dëshira të përbashkëta.

Avokati i Mayorgas ka thënë se i posedon disa pjesë të dokumenteve, të cilat tregojnë se si është shprehur Ronaldo pas asaj nate. “Ajo thoshte jo dhe stop disa herë”, citohet Cristiano Ronaldo.

Kuvendi i Malishevës ndalon varrosjen e veteranëve në varrezat e dëshmorëve

0

Kuvendi i Komunës së Malishevës, sot ka vazhduar me mbajtjen e seancës së dhjetë të rregullt, ku në mesin e disa vendimeve të marra, pas shqyrtimit të kërkesës së Komitetit për Familje të Dëshmorëve, Invalid, Veteran të luftës së UÇK-së dhe Martirë të luftës, mori vendim që të ndalohet varrosja e veteranëve të luftës, në varrezat e dëshmorëve në Kleçkë dhe Malishevë, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Po ashtu në mbledhjen e dhjetë të saj, KK i Malishevës, vendosi që të emërtoj një rrugë në Tërpezë, me emrin “Afrim Mehmet Krasniqi”, si dhe ka vendosur që Rregulloren për Taksa, Ngarkesa dhe Gjoba komunale ta dërgojë në dëgjim publik.

“Vendimet e tjera të marra nga KK i Malishevës, në dy ditë mbledhje, janë edhe këto: emërimi i tre anëtarëve në Komitetin për Barazi Gjinore, emërimin e tre anëtarëve në Komisionin për shqyrtimin e çështjes së 32 banesave apo familjeve, në lagjen “Mirëdita” në Malishevë, disa rekomandime nga komiteti për bujqësi, si dhe kërkesën e një qytetari për ndërrim destinim të tokës, nga tokë bujqësore në tokë ndërtimore”, thuhet në komunikatë.

Në mbledhjen e dhjetë të rregullt, janë shqyrtuar edhe projekt buxheti komunal, për vitin 2019, në lexim të parë, pastaj raporti gjashtë mujor i drejtorisë për bujqësi, përfundimi i vitit shkollor 2017-2018 dhe përgatitjet për fillimin e vitit të ri shkollor 2018-2019, raporti gjashtë mujor i punës së drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, si dhe një kërkesë tjetër e Komitetit për Familje të Dëshmorëve, Invalid, Veteran të luftës së UÇK-së dhe Martirë të luftës.