22.5 C
Prizren
E shtunë, 28 Qershor, 2025
Home Blog Page 4624

Për dy muaj, 10 persona humbën jetën në komunikacion të rajonit të Prizrenit

0

Dhjetë perona kanë humbur jetën në komunikacion, në dy muajt e fundit të verës, në rajonin e Prizrenit.

Zëdhënësi i Policisë në Prizren, Vesel Gashi tha se në muajin korrik-gusht, 7 persona kanë humbur jetën në Suharekë, ndërsa 3 në Prizren.

“ Për dy muaj fatkeqësisht 10 persona kanë humbur jetën në rajonin e Prizrenit”, tha Gashi, shkruan “PrizrenPress”

Sipas tij, numri i aksidenteve sivjet ka shënuar rënie, krahasuar me vitet e kaluara.

“Sivjet kemi pasur rënie të aksidenteve, mirëpo fatkeqësisht rritje të viktimave”, tha Gashi.

Ai, kërkon nga vozitësit që të kenë kujdes në komunikacion.

“Ftoj vozitësit që të kenë kujdes kur dalin në komunikacion dhe të respektojnë rregullat e komunikacionit”, tha Gashi./PrizrenPress.com/

Kërkohet rritja e nivelit të pastërtisë në shkollat e Suharekës

0

Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, të premten, ka kërkuar nga punëtorët teknik të shkollave fillore dhe të mesme që të punojnë për të siguruar ambient të pastër si brenda ashtu edhe jashtë ndërtesave shkollore.

Kreu i Komunës i ka takuar mirëmbajtësit e shkollave në sallën e Kuvendit të Komunës, me ç’rast ka vënë në pah rëndësinë e pastërtisë për gjithë komunitetin shkollor.

Në njoftimin e Zyrës komunale për informim thuhet se Muharremaj ka takuar të gjithë punëtorët teknikë të shkollave të Komunës së Suharekës.

Javën e kaluar, Muharremaj në prag të fillimit të vitit të ri shkollor pati takuar edhe drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme të Komunës së Suharekës , prej të cilëve pati kërkuar angazhim maksimal për të siguruar cilësi, rend dhe ambient të pastër në të gjitha shkollat

Zafir Berisha: Serbët janë të manipuluar

0

Deputeti i Nismës Socialdemokrate të Kosovës, Zafir Berisha serbët e Kosovës, vazhdojnë të jenë populli më i manipuluar në rajon.

Berisha ka shkruar në facebook se dikur manipuloi Millosheviqi për llogari të ambicieve të sëmura që kishte me vizita e fjalime në Gazimestan.

“Të njëjtën gjë po e bënë edhe Vuçiqi me vizitën e sotme në veri të Kosovës. Emëruesi i përbashkët i këtyre vizitave është që serbët përdoren “mishë për topa” nga liderët e tyre manipulues për të qëndruar sa më gjatë në pushtetin e Beogradit. A ka kush që ju tregon serbëve të Kosovës që keni mbetur popullata më naive në Kosovë”, ka shkruar ai./PrizrenPress.com/

Perëndimi nuk mund ta humbë Turqinë

0

Shkruan: Fadi Hakura

Përgjigjja kokëfortë e Erdoganit ndaj dobësimit ekonomik të Turqisë ka më shumë ngjashmëri me reagimin populist të presidentit venezuelian Nicolas Maduro, sesa me qëndrimin miqësor ndaj tregut të presidentit argjentinas, Mauricio Macri V aluta kombëtare e Turqisë, lira, deri më tani sivjet ka shënuar një rënie prej gati 40%, krahasuar me dollarin amerikan. Marrëdhëniet midis dy vendeve arritën një pikë të ulët të premten, pasi që presidenti amerikan Donald Trump miratoi dyfishimin e tarifave në çelikun dhe aluminin e Turqisë, si reagim ndaj refuzimit të Turqisë për ta liruar Andrew Brunson – një prift amerikan, i cili gjendet në arrest shtëpiak në Turqi, duke u ballafaquar me akuza për terrorizëm. Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, deri më tani ka rezistuar ndaj presionit për të zbatuar ortodoksinë monetare dhe fiskale, duke zgjedhur në vend të kësaj të godasë si tregjet financiare, po ashtu edhe SHBA-në. Ai ka sugjeruar se ka një komplot global që synon të shkatërrojë arritjet politike dhe ekonomike të Turqisë. Deri më tani, popullariteti i tij i brendshëm ka qenë në rritje, pasi ai i bën thirrje ndjenjës anti-SHBA (dhe gatishmërisë për të besuar në teoritë e konspiracionit) që ekziston në shumicën e popullsisë turke.

Apeli i brendshëm i Erdoganit
Përgjigjja kokëfortë e Erdoganit ndaj dobësimit ekonomik të Turqisë ka më shumë ngjashmëri me reagimin populist të presidentit venezuelian Nicolas Maduro, sesa me qëndrimin miqësor ndaj tregut të presidentit argjentinas, Mauricio Macri. Turqia, ndryshe nga Argjentina, nuk duket e gatshme t’i drejtohet Fondit Monetar Ndërkombëtar për të shmangur rënien financiare, as për të ndrequr marrëdhëniet me Uashingtonin. Nëse ka ndonjë gjë që presidenti turk duket se po dyfishon, apo forcon, ajo është sfida ndaj SHBA-së dhe tregjeve financiare globale – dy kundërshtarë të frikshëm këta. Sipas të gjitha gjasave, Turqia do të humbasë çdo luftë që fillon me NjuJorkun, Londrën, Singaporin dhe bastionet e tjera të financave – përveç nëse deklarohet një armëpushim. Dhe, rënia e lirës do të përkthehet në një shkatërrim financiar dhe ekonomik për Turqinë. Ndërsa ky proces shpaloset, ai ka gjasa të dëmtojë apelin e brendshëm të Erdoganit, madje edhe në mesin e përkrahësve të tij më të përkushtuar ideologjikë, dhe të shkaktojë një paqëndrueshmëri politike në këmbim. Por, rezultati do të jetë një çështje e gjatë, e tërhequr dhe e ndërlikuar që mund të nxisë ndërhyrjen ushtarake në politikë dhe të gjenerojë pasoja përtej kufijve të Turqisë. Turqia ndoshta nuk do ta shikojë më asnjëherë SHBA-në si një partner të besueshëm dhe aleat strategjik. Kushdo që, në fund të fundit, do ta udhëheqë vendin, një Turqi e plagosur ka shumë mundësi të kërkojë të zhvendosë qendrën e gravitetit larg Perëndimit dhe drejt Rusisë, Iranit dhe Euroazisë.

Asnjë skenar nuk mund të neglizhohet 
Kjo do të bënte që Turqia të jetë më pak në përputhje me objektivat amerikane dhe evropiane në Lindjen e Mesme, që do të thotë se Turqia do të kërkonte të ngrinte një politikë më të pavarur të sigurisë dhe të mbrojtjes. Në rrethana ekstreme, ai mund të mendojë edhe të tërhiqet nga NATO dhe të përfundojë – ose ndryshojë rrënjësisht – bashkimin doganor me BE-në. Asnjë skenar nuk mund të neglizhohet nëse ndodh më e keqja dhe trazirat politike dhe ekonomike rezultojnë me shkatërrim në një vend kritik gjeopolitik, sikur që është Turqia. Duke pasur parasysh rezultatin e mundshëm katastrofal, do të ishte shumë e ndjeshme që Perëndimi të përgatiste një paketë ambicioze për të zbutur pasojat e cunamit financiar dhe për të siguruar që Turqia të mos dalë nga normat dhe institucionet perëndimore. Ambiciet e pranimit të Turqisë në BE duhet të ringjallen urgjentisht për të inkurajuar reformat liberalizuese. Përndryshe, Perëndimi do të paguajë një çmim të lartë për humbjen e një aleati të tillë të rëndësishëm.

Pamje dramatike: Vëllai vret vëllain në dasmën e motrës

0

Duhej të ishte ditë e shënuar për të gjithë familjen, por një pakujdesi e çastit e ka kthyer dasmën në mort.

Hasan Koyun po kërcente në dasmën e së motrës në Nidge të Turqisë, kur vëllai i tij i vogël mori armën dhe nisi të qëllonte në shenjë gëzimi.

Nga një video e xhiruar nga të pranishmit në dasmë shihet se Ramazan Koyun tërheq këmbëzën e pistoletës pa e ngritur ende tytën e saj në ajër duke qëlluar në kokë të vëllain, baba të dy fëmijëve.

I plagosuri rëndë u dërgua menjëherë në spitalin Nigde Omer Halisdemir, por pavarësisht ndërhyrjes së mjekëve nuk arriti tu mbijetojë plagëve.

Policia nisi menjëherë hetimet dhe arrestoi 9 persona. Si rezultat i hetimeve u provua se ishte vëllai i viktimës ai që kishte qëlluar. Ramazan Koyun u kap së bashku me armën e krimit.

Video është shpërndarë gjerësisht në median sociale në përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin kundër përdorimit të armëve në raste gëzimi. /tvklan.al

 

Barazimi në Azerbajxhan mbulon dobësitë në lojën e Kosovës

0

Kosova i ka mbijetuar një ofensive të fundit të ndeshjes dhe ka realizuar synimin për të cilin ka udhëtuar në Azerbajxhan, shkruan sot Koha Ditore.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka dalë e pamposhtur nga stadiumi olimpik në Baku, të premten mbrëma, duke nisur me pikë të fituar fushatën në Ligën e Kombeve. Barazimi pa gola (0:0) me Azerbajxhanin është vlerësuar rezultat i favorshëm për Kosovën, që kështu ka vazhduar ecurinë pozitive të rezultateve.

Loja që ka shfaqur Kosova nuk është vlerësuar të jetë ajo që pritej, por “mbulesë” për të mundë të jetë pika e fituar ndaj kundërshtarit më të fortë të mundshëm në Ligën D të Ligës së Kombeve dhe rivalit të drejtpërdrejtë për vendin e parë në Grupin e Tretë të kësaj lige.

Në Grupin e Tretë të Ligës D bëjnë pjesë edhe Ishujt Faroe e Malta, që janë përballur po ashtu të premten mbrëma. Të paktën në letër këto përfaqësuese vlerësohen kundërshtarë më të lehtë për Kosovën sesa Azerbajxhani. Kosova menjëherë të hënën në Prishtinë e pret përfaqësuesen e Ishujve Faroe, ndërsa shpresohet në fitoren e parë.

Adhuruesit pohojnë që Jackson është gjallë dhe se ia kanë falsifikuar certifikatën e vdekjes

0

Adhuruesit nuk po pajtohen me vdekjen e këngëtarit Michael Jackson, i cili më 29 gusht do ta kishte ditëlindjen e tij të 60-të. Ata pohojnë se ekzistojnë prova të forta se ai është gjallë, shkruan The Sun.

Janë shfaqur disa teori konspirative për ‘mbretin e popit’, ndërsa njëra prej tyre është emri i tij i shkruar gabimisht në certifikatën e vdekjes.

Në videon të cilën e postuan adhuruesit, në pasaportën e Jacksonit është i shkruar emri i mesëm “Joe”, ndërsa në certifikatën e vdekjes është shkruar ‘Joseph’. Adhuruesit përmes rrjeteve sociale e pyetën motrën e Michael, këngëtaren La Toya Jackson (62), ndërsa ajo e konfirmoi se emri i saktë është “Joe”.

Para kësaj u diskutua për ‘gjurmën’ në këngën ‘The Great Forever’ të motrës së tij Janet Jackson (52) e cila daton nga viti 2015. Adhuruesit e ngadalësuan ritmin e këngës dhe thonë se ajo e përmban zërin e ‘mbretit të popit’.

“Nuk më vjen mirë që po gërmoni, jam zënë duke e jetuar jetën time”, – thuhet se këndon Jackson. Adhuruesit në teorinë e tretë pretendojnë se Michael vitin e kaluar ishte maskuar në martesën e muzikantit Siggy Jackson.

Thuhet se bëhet fjalë për një njeri të madh me syze të diellit, i cili qëndroi jo shumë larg Prince (21) dhe Paris Jackson (20), fëmijëve të tij. Adhuruesit theksuan se “mbreti i popit” në xhirim ngjan shumë në personazhin, i cili në vitin 1996 luajti në filmin e shkurtër ‘Ghosts’.

Rrëfimtarja që nuk shkruan

0

Dani Rodriguez, është rrëfimtare që gjithmonë kërkon frymëzim të ri. Ajo është nga Argjentina, dhe përmes fotografive tregon histori të ndryshme.

“Kur isha e vogël nëna më mësoi dashurinë për librat, mësova të udhëtoja me imagjinatën time e të jetoja në aventura të pabesueshme. Bota ime ishte e mbushur me karaktere magjike, të admirueshme e vende të mrekullueshme. Çdo libër, ishte një udhëtim i ri për mua”, thotë ajo, transmeton Koha.net.

Ajo thotë se gjithmonë ka dashur të bëhet shkrimtare, madje, ka shkruar histori të ndryshme që kur ishte 13 vjeçe.

“Jeta e përvoja më udhëzuan në rrugë tjetër, kam zbuluar se jo të gjithë ata që lexojnë mund edhe të shkruajnë”, ka thënë Rodriguez.

Kur fotografia erdhi tek unë, thotë ajo, ishte momenti më i nevojshëm “sepse isha në kërkim të vetvetes”.

“Me kalimin kohës e kuptova se kisha histori të ndryshme në të gjitha fotografitë që kisha realizuar. Secili imazh i imi tregonte diçka, tregonte një aventurë, ato ishin imazhe me tregime”, tha ajo.

Më poshtë gjeni disa fotografi të Rodriguez, e cila përmes tyre shfaq tregime e histori të ndryshme.

 

Akuza për punësime politike në Dragash (Video)

0

Disa kandidatë për mësimdhënës në Dragash akuzuan Drejtorinë e Arsimit atje se ka shpërndarë testin në mënyrë që të përzgjidhen kandidatët e dërguar nga politika.

Por, akuza të tillë i mohon drejtori i Arsimit në këtë komunë.

Thotë se të pakënaqurit mund t’i drejtohen organeve kompetente.

Sot protestojnë mësimdhënësit

0

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës sot mban protestë me kërkesë korrigjimin e Ligjit për Paga.

Punëtorët e sistemit arsimor do të shprehin pakënaqësitë e tyre lidhur me radhitjen tepër të ulët dhe jo meritore në ranglistën e Ligjit për paga.

Marshi nis në orën 11:30, nga sheshi “Zahir Pajaziti” deri te ndërtesa e Qeverisë.

Në përkrahje të protestës ka dal edhe BSPK, madje kanë përkrahur edhe cilido hap të ardhshëm që do ta ndërmerr SBASHK-u lidhur me zgjidhjen e kërkesave të punëtoreve të arsimit, ngase sistemi arsimor është shtylla kyçe e vendit dhe qeveria jonë duhet ta trajtojë në menynë sa më meritore.

BSPK i përkrahë veprimet sindikale të SBASHK-ut, rreth pakënaqësive që i kanë shprehur lidhur me Ligjin për pagat dhe kërkon nga Qeveria të ndërmerr masa që sa më shpejtë t’i përmirësojë këto lëshime duke bërë plotësim/ndryshimet me kërkesat e dala nga SBASHK-u.