23.8 C
Prizren
E enjte, 26 Qershor, 2025
Home Blog Page 4640

Figura e harruar e Musine Kokalarit

0

Një tryezë e titulluar “Musine Kokalari: Vetëdija e shkrimit dhe e qëndresës”, kushtuar shkrimtares shqiptare nga Gjirokastra me të njëjtin emër, u mbajt të martën në Prishtinë. Në të gjerësisht foli Persida Asllani, profesoreshë në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Historisë dhe të Filologjisë dhe njëkohësisht drejtoreshë e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë shkruan sot gazeta “Zëri”.

Ajo ka qenë e ftuar si shumë studiues, albanologë e dashamirë të gjuhës në Seminarin Ndërkombëtar të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare, i cili po mban edicionin e tij të 37-të në qytetin e Prishtinës.

“Mendova që për seminarin të sillja një figurë që ende nuk gjendet lehtë në librat e historisë së letërsisë shqipe ose në manuale dhe në leksione që qarkullojnë dhe ende kemi punë për të bërë për shkrimtaren e parë shqiptare. Është një figurë që duhet të rikthehet fortë në vëmendjen tonë”, shprehet autorja, profesoresha, studiuesja e gjuhës dhe e letërsisë shqipe Persida Asllani, kur tregon për arsyet pse e zgjodhi atë që konsiderohet shkrimtarja e parë shqiptare Musine Kokollari si figurë qendrore e ligjëratës së saj.

Kjo tryezë u udhëhoq nga profesori i Fakultetit Filologjik Nysret Krasniqi, cili i prezantoi veprat dhe tekstet e Asllanit me termet si “risi dhe mprehtësi intelektuale”.

Asllani fillimisht u shpreh shumë e nderuar që po merr pjesë në këtë seminar dhe po flet para profesorëve të saj, por edhe para bashkëmoshatarëve, kolegëve e studentëve më të rinj. Ajo tregon se që nga viti 2017 në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës kanë ndërmarrë aktivitete të përbashkëta mes tyre për t’i kushtuar vëmendje të veçantë figurës së shkrimtares Kokalari. “Që nga viti 2017 në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Kosovës ne kemi ndërmarrë një aktivitet mes dy bibliotekave, të cilat u shndërruan në dy promotore që bashkuan edhe qendrat studimore të Tiranës dhe të Prishtinës për t’i kushtuar vëmendje të veçantë Musine Kukalarit, kësaj figure të rëndësishme të letërsisë dhe të kulturës shqiptare”, tregon më tutje Asllani.

Persida Asllani mundohet që përmes ligjëratës së saj të pasuruar edhe me fotografi e me kopertina librash të bëjë më të njohur dhe më të prekshme për gjeneratat më të reja figurën e shkrimtares nga Gjirokastra. Asllani përshkruan edhe procesin e këtij aktiviteti, qëllimin dhe kuptimin që qëndron pas termeve që ka përdorur për të sjellë këtë ligjëratë. “Ne vendosëm që kur do të bënim këtë aktivitet gati njëvjeçar me fokus Musine Kokalarin të përfshihej në përkufizimin ‘Vetëdija e shkrimit dhe e qëndresës’. M’u duk pak paradoksale, por në fakt edhe ligjërata ime kështu qëndron, për të lidhur bashkë, për të argumentuar se si mund të ndërtohet një vetëdije shkrimi dhe përmes vetëdijes së shkrimit është po aq e natyrshme të mbërrihet te një vetëdije e qëndresës”, theksoi ajo.

Ligjëruesja emërton Kokalarin jo vetëm si figurë të rëndësishme të shkrimit, por edhe një figurë intelektuale dhe e qëndresës së rezistencës antikomuniste në Shqipëri në vitet e para të vendosjes së komunizmit. Qëndresa e Kokalarit mbeti e tillë deri në gushtin e vitit 1983, kur ajo u nda nga jeta në rrethana të vështira. Asllani përshkruan këtë vit si “të zhdukur” në kujtesën shqiptare dhe duke treguar që edhe ata që e njihnin nuk guxonin më t’ia përmendnin më emrin, përveç presidentit të ndjerë Ibrahim Rugovës, që kishte botuar dy-tre shkrime të saj, duke e sjellë edhe një herë në kujtesë shkrimtaren për aq sa kishe pasur mundësi shkruan tutje gazeta “Zëri”.

Asllani kishte hartuar këtë ligjëratë për të përshkruar dukurinë e Musine Kokalarit, vlerën dhe “fshirjen” e saj nga vetëdija shqiptare në tri pjesë, duke filluar me çështje që lidhen me ngjizjen, zhvillimin dhe manifestimin e kësaj vetëdijeje. Pjesa e parë titullohej “Nga ligjërimet femërore tek identitetet gjinore”, pjesa e dytë “Nga vetëdija e shkrimit identitar te vetëdija e identitares” dhe pjesa e tretë “Vetëdija e qëndresës”.

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 pranë Fakultetit të Filologjisë, atëherë Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës. Në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme serbe. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë./ZËRI/

Suhareka vendos kamera kundër ndotjes së lumit Toplluha

0

Kryetari i Suharekës Bali Muharremaj, ka paralajmëruar masa ndëshkimore për ata që dëmtojnë ambientin, si dhe vendosjen e kamerave për të identifikuar ata që prishin imazhin e lumit Toplluha.

“Kjo pamje nuk na ka hije. Lumi Toplluha në këtë pjesë është pastruar disa herë, por persona të pandërgjegjshëm ende po hudhin mbeturina. Ju njoftojmë se në të ardhmen do të mirren masa konform dispozitave ligjore në fuqi, me dënime për ata që e dëmtojnë ambientin”, shkruan Muharremaj.

Duke shtuar tutje se “poashtu do të vendosen edhe kamera që të identifikojmë ata që po e prishin imazhin e lumit të pastër”.

Refuzohen 107 persona që pretendojnë se janë viktima të dhunës seksuale

0

Komisioni qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, nga muaji shkurt i këtij viti, ka pranuar 676 aplikacione nga persona që pretendojnë se janë viktimë e dhunës seksuale.

Prej tyre, Komisioni ka shqyrtuar dhe trajtuar 265 lëndë. Nga ky numër, 136 personave u njihet statusi i viktimës së dhunës seksuale. Kurse janë refuzuar 107 raste. Aktualisht, bëhet e ditur se 22 lëndë janë duke u shqyrtuar.

Kështu ka thënë për Radion Evropa e Lirë Minire Begaj, kryetare e Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të personave të dhunuar gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Ajo sqaron se prej numrit total të aplikimeve, 15 janë meshkuj. Por, vetëm gjashtë prej tyre tashmë kanë fituar statusin e viktimës së dhunës seksuale.

Në bazë të ligjit, atyre që u njihet statusi i viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës, përfitojnë benificione personale apo pagesë prej 230 euro në muaj.

Begaj tregon për arsyet pse është refuzuar një numër i lëndëve të cilat tashmë janë shqyrtuar.

“Sa u përket rasteve të refuzuara, Komisioni e ka të drejtën e shqyrtimit të dokumentacioneve dhe e gjitha ajo që është paraqitur në rrëfim, ne si Komision kemi të drejtë të kërkojmë dokumente shtesë. Pastaj vijnë lëndë të thata, derisa ka raste të refuzimit, por që ne si Komision kërkojmë që në bazën e asaj që është thënë, të plotësohen edhe me dokumente që ne i kërkomë për verifikim. Pastaj, zhvillojmë intervista gojore me ndonjë rast që për rrethana të ndryshme nuk i kanë ruajtur dokumentet që ne i kërkojmë. Ne si Komision nuk kemi të drejtë t’ua mohojmë të drejtën, por që na duhen fakte”, tha Begaj.

Në anën tjetër, Mirlinda Sada nga shoqata “Medica Gjakova”, organizatë kjo që ofron ndihmë psiko-sociale për viktimat e dhunës seksuale, bëri të ditur se numri i personave që deklarohen se janë të mbijetuar të dhunës seksuale të luftës së fundit në Kosovë, ka filluar të rritet.

Por, siç thotë Sada, ajo që vlen të theksohet është se janë meshkujt e dhunuar seksualisht ata që së fundmi kanë filluar të lajmërohen dhe të aplikojnë në komision.

“Nga organizata jonë ‘Medica Gjakova’ kemi aplikuar me 120 aplikacione në Komision dhe kemi marrë 25 vendime prej të cilave, 21 i kemi pozitive e 4 negative”.

“Mund të them se numri ka filluar të rritet dhe çka është risi është se burrat kanë filluar të aplikojnë dhe të kërkojnë benificione dhe të drejtat e tyre, pasi që është një numër i caktuar edhe i gjinisë mashkullore që u ka ndodhur ky krim”.

“Neve ende na nevojitet punë për të bërë që të punojmë në fushata vetëdijësuese të rrisim vetëdijen e kësaj kategorie, si dhe t’u tregojmë, për mënyrën e aplikimit për të fituar beneficionet që shteti u ofron”, tha Sada.

Sidoqoftë, numri i aplikuesve konsiderohet i vogël krahasuar me shifrën prej 20 mijë viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit, që prezantohet nga institucionet dhe organizatat që merren me mbrojtjen e të drejtave të kësaj kategorie.

Procesi i verifikimit është i domosdoshëm për të përfituar beneficionet me ligj të krijuara për këtë kategori.

Sipas ligjit, viktimë e dhunës seksuale të luftës është personi i cili i ka mbijetuar abuzimit seksual dhe dhunimit brenda periudhës së 27.02.1998 deri më 20.06.1999. Viktima të dhunës seksuale gjatë luftës janë si femrat ashtu edhe meshkujt, ndonëse numri më i madh i tyre i takon gjinisë femërore.

Barcelona sheh Salah si pasardhës të Messi-t

0

Barcelona po planifikon që ta bëjë një ofertë për yllin e Liverpool-it pasi që e sheh si zëvendësues të legjendës së tyre, Lionel Messi, raporton Don Balon.

Salah së fundi nënshkroi një kontratë afat-gjatë me Të Kuqtë, mirëpo katalunasit po e konsiderojnë një ofertë prej 226 milionë funtesh vitin e ardhshëm.

Ai ka qenë sensacional që prej rikthimit të tij në Premier Ligë, duke e përfunduar stinorin e kaluar me 44 gola në të gjitha garat.

Si do të dukej Rusia pas Putinit

0

Shkruan: John Lloyd

Nuk është momenti i duhur për ta thënë, por Donald Trump ka arsye. Nuk është asgjë origjinale dhe ajo që propozon ai do të jetë e vështirë për t’u bërë, por kur thotë se “dakordimi me Rusinë është një gjë e mirë”, siç bëri para takimit të tij me presidentin rus Vladimir Putin në Helsinki muajin e kaluar, ai nuk e ka gabim. Rusia nuk është një vend armiqësia e së cilës ndaj Perëndimit duhet të injorohet. Në vend që të kopjojnë qëndrimet e saj agresive, vendet demokratike duhet të mbeten vigjilente dhe të ashpra ndaj lëvizjeve të saj të egra ndaj Ukrainës dhe frikësimit të anëtarëve të NATO-s në shtetet baltike. Por, ato gjithashtu duhet të përpiqen më shumë për të nxitur lidhjet kulturore, për të debatuar hapur me rusët për të gjitha mendimet, për të nxitur shkëmbimet arsimore dhe për t’u dhënë platforma komentuesve rusë, intelektualëve dhe politikanëve.

Pakënaqësia e pensionistëve 
Një nga mangësitë e shumta të dialogut të pafat në Helsinki ishte se Putin, në kontrast me bashkëbiseduesin e tij amerikan, dukej mirë – i fuqishëm, koherent, në komandë – diçka që mediat ruse e theksuan me zbukurime të dukshme. Ai i dërgoi mesazh botës që këtu ishte një udhëheqës rus, rizgjidhet për herë të katërt dhe në pushtet për një mandat gjashtë vjeçar, i cili është i paarritshëm – përgjegjës për programin e tij, administratën e tij dhe vendin e tij. Por, ndoshta nuk është ashtu? Popullariteti i Putinit ka rënë ndjeshëm në muajt e fundit. Në një anketim të 12 gushtit nga Fondacioni i Opinionit Publik, vetëm 46 për qind e të anketuarve thanë se do të votonin për Putinin nëse zgjedhjet do të mbaheshin atë javë – nga 62 për qind në qershor. Një tjetër sondazh i Qendrës të pavarur Levada zbuloi se numri i rusëve që mendonin se vendi ishte drejtuar në drejtimin e gabuar u rrit nga 27 për qind në maj në 40 për qind në korrik; më pak se gjysma (48 për qind) mendonin se gjërat po shkonin drejt. Këto shifra nuk mund të jenë katastrofike nga standardet e udhëheqësve në vendet demokratike, por ato përfaqësojnë një rënie të theksuar nga ditët kur vlerësimet e Putinit ishin mbi 80 për qind. Rënia i atribuohet, kryesisht, një vendimi të qeverisë për ta rritur moshën e pensionit nga 55 në 63 vjet për gratë dhe 60 deri në 65 vjeç për meshkujt, duke thyer e premtimit të Putinit në vitin 2005 për të mos bërë kështu. Në një vend ku jetëgjatësia për meshkujt është vetëm 66 vjet, kjo krijoi pakënaqësi të madhe, sidomos nga mosha e mesme e moshuar, të cilët kanë qenë kryesisht besnikë ndaj tij si udhëheqës. Fakti që ky grup demografik rebelohet, edhe pse në mënyrë pasive, është një shenjë se Putini nuk e ka hequr veten nga ligjet e zhgënjimit publik. Edhe një demokraci e kontrolluar, siç është Rusia, lë hapësira për besnikët që të dezertojnë; disa sondazhe treguan se vlerësimi personal i Putinit u ul në 69 për qind pasi u njoftuan planet për ndryshimin.

Ekstremet nacionaliste në Rusi tërheqin shumë njerëz
Putini mbetet për momentin në kontroll, por këta trendë tregojnë se ai nuk mund të jetë më një figurë e pamposhtur dhe mund të ketë probleme në këtë mandat presidencial. Sikur fati i tij të ishte një dorëheqje e detyruar, pasi që do t’i bjerë popullariteti dhe kolegët e tij të Kremlinit kthehen kundër tij, atëherë të huajt, veçanërisht në Perëndim, do të prisnin një ndryshim masiv. Shumë komente e kanë vënë Putinin aq në qendër të politikës ruse, sa që ai herë pas here duket të jetë sinonim i vendit që ai drejton: se ai është Rusia. Do të kishte një ndryshim pas Putinit. Por, nuk ka gjasa që ai ndryshim të jetë masiv. Së pari, nuk ka opozitë të bashkuar ose “qeveri në pritje” – as nga partitë dhe grupet liberale jopopullore, as nga partitë komuniste dhe të tjera që përbëjnë një opozitë të zbehtë, madje as nga Alexei Navalny, profili më i lartë, më karizmatik dhe opozitar më i guximshëm, i cili e ka bërë korrupsionin e nivelit të lartë, temën e tij kryesore. Perëndimi ka qenë gjerësisht i papëlqyeshëm midis rusëve tash e disa vite. Putini nuk e krijoi këtë ndjenjë, por ai ka krijuar një perceptim të Perëndimit si largim nga vlerat ruse, në shtyrjen e NATO-s më pranë kufijve të vendit dhe promovimin e tolerancës seksuale, ndërsa Moska përdor homofobinë si një mjet politik. Ekstremet nacionaliste në Rusi tërheqin shumë njerëz, sidomos të rinjtë, por edhe rusët e moderuar e shohin vendin e tyre si një qytetërim unik, jo pjesë e Evropës. Putin erdhi në pushtet me bindjen se kolapsi i Bashkimit Sovjetik ishte katastrofa më e madhe gjeopolitike e shekullit XX, një besim i përsëritur para zgjedhjeve të tij të fundit. Ai ka punuar për ta rikthyer Rusinë në një pozitë të forcës në botë – një detyrë e frikshme, duke pasur parasysh dobësitë e saj ekonomike dhe demografike. Se ai ka pasur sukses aq sa ka pasur, do të thotë se hapësira për një qasje rrënjësisht të ndryshme është e ngushtë. Një pasardhës i tij në të ardhmen mund të kërkojë të shpërbëjë armiqësinë në Perëndim, por do të jetë i ngadalshëm, i kufizuar dhe do të jetë i kujdesshëm për të mbajtur një ndjenjë të kulturës dhe pozitës unike të Rusisë në botë. Putini mund të ligështohet para përfundimit të mandatit të tij në vitin 2024, ose mund të përfundojë presidencën e tij mes lëvdatave në vend dhe, madje, disa edhe nga jashtë vendit. Në të dyja rastet, “Putinizmi” – në formën e një vendi që është kryesisht armiqësor ndaj Perëndimit – do të mbizotërojë pasi çdo pasues kërkon të ruajë suksesin e Putinit për ta bërë Rusinë të paktën të duket përsëri e madhe. Demokracitë e botës nuk mund të kenë marrëdhënie normale me një shtet agresiv dhe potencialisht destabilizues si Rusia. Ato duhet të jenë bindës në mbrojtjen e anëtarëve të NATO-s në rrezik, të vazhdojnë të mbajnë një regjim sanksionesh të cilat, sipas pikëpamjes së shumicës, duket se janë duke punuar dhe theksojnë angazhimin e tyre ndaj vlerave demokratike dhe liberale. Në të njëjtën kohë, siç shkruan ishambasadori amerikan në Moskë, Michael McFaul, udhëheqësit amerikanë dhe perëndimorë “duhet të thonë qartë se nuk duan konflikte të pafundme me Rusinë”. Meqë Rusia pa Putinin ka të ngjarë të duket dhe të veprojë shumë ashtu siç bën me të, atëherë kjo do të jetë një barrë që do të zgjatë.

(Kosova Sot)

Liria i njofton tifozët se ndeshja kundër Dritës zhvillohet në Prizren

0

Liria do ta zhvillojë ndeshjen në Prizren dhe këtë e konfirmon klubi me anë të një komunikate zyrtare.

Është folur gjatë ditës se kjo ndeshje do të zhvillohet në Suharekë, por nuk do të ndodh.

“Me kënaqësi informojmë opinionin sportdashës në Prizren, adhuruesit e KF Liria, se ndeshja: Liria-Drita, e paraparë të luhet në Prizren, të premten me 31.08.2018 në ora 16.45, konfirmojmë se luhet në terminin dhe vendin e paraparë”.

“Pra, hidhen poshtë spekulimet, se Liria do të luaj diku tjetër. Konfirmimi, për ofrimin e asistencës së sigurisë nga Policia e Kosovës, ka ardhur sot dhe i njëjti është përcjellë organeve tjera të sigurisë, sikurse që është njoftuar edhe FFK”.

“Me këtë hidhen poshtë spekulimet, lidhur me vendin e zhvillimit të ndeshjes. KF Liria, falënderon Policinë e Kosovës, stacionin ‘Alfa’ dhe Drejtorinë Rajonale në Prizren, për ndihmën e dhënë”.

“Konfirmojmë se:Liria-Drita, luhet në Prizren, të premten, në 16.45”, thuhet në njoftimin e klubit.

Liria ka pësuar humbje në dy ndeshjet e para ndaj Ballkanit dhe Ferizajt.

Suharekë, zgjerohet lumi Toplluha (VIDEO)

0

Vërshimet para dy javëva shkaktuan mjaft dëme nëpër rrugët e Suharekës.

Për të shmangur dëmtime të tilla, ka filluar zgjerimi i shtratit të lumit Toplluha, që po konsiderohet se ishte shkaktar i vërshimeve.

 

 

Wilderi e konfirmon se do të duelojë me Furyn

0

Pas Tyson Fury sot ka qenë radha e Deontay Wilder të dalë në skenë dhe të konfirmojë se dueli mes dy boksierëve do të zhvillohet normalisht dhe se asnjëri nga dy boksierët nuk është tërhequr. S

fidë që me shumë gjasa do të zhvillohet në mesin e nëntorit në Las Vegas dhe që do të jetë e vlefshme për titullin kampion bote të kategorisë WBC në peshën e rëndë, që mbahet nga Wilder.

“Ju konfirmoj se dueli me Fury do të zhvillohet, unë nuk kam ndryshuar mendje. Për të dy ne kjo përballje do të thotë edhe fitim i madh dhe të dy do të jemi të pasur pas kësaj sfide. Por nuk është ky qëllimi i këtij dueli. Tyson Fury do të ngjitet në ring, ku do të poshtërohet nga unë, ai dhe të gjithë njerëzit që e ndjekin”, u shpreh Deontay Wilder.

Të dy boksierët janë të pamposhtur në ring, me Wilder që numëron 40 fitore dhe asnjë humbje në karrierën e tij, ndërsa Fury ka 26 fitore dhe asnjë humbje.

Nga kjo sfidë parashikohet që boksieri britanik të arkëtojë rreth 20 milionë dollarë. Për t’u përcaktuar ka mbetur vetëm data e saktë se kur do tën zhvillohet sfida, më 7 apo 15 nëntor.

Besniku nga Malisheva vuan nga lekuemia akute, familja kërkon ndihmë

0

Besnik Ukaj, 29-vjeçari nga Malisheva po vuan nga një sëmundje e rëndë e njohur si Leukemia akute mieloide.

Për shërimin e kësaj sëmundje duhet ndërhyrja urgjente e cila kalon shumën prej 100 mijë euro.

Andaj, familja ka kërkuar ndihmë për të gjithë ata që kanë mundësitë të kontribuojnë në shërimin e Besnikut.

Më poshtë apelin për ndihmë nga familja dhe të dhënat e bankës.

APEL PËR NDIHMË Ky është Besnik Ukaj,29 vjeçar i cili po vuan nga një sëmundje e rënd që kohëve të fundit është shumë e shpeshtë tek ne, nga Leukemia Akute Mieloide. Kostoja e shërimit të kësaj sëmundjeje, që kërkon ndërhyrje urgjente është ajo që kalon shumen prej 100 mijë euro. Besniku duhet ta fillojë trajtimin ne Turqi, atij i duhet ndihma juaj miq pasi qe shuma është mjaft e madhe.

Në këtë situatë të vështirë, nuk kemi zgjidhje tjetër përpos t’ju drejtohemi për ndihmë. Miq e familjarë, të gjithë ju që keni mundësi, ndihmat tuaja dërgojini në llogarinë bankare me të dhënat në foto. Ju që nuk keni mundësi, ju lutem shpërndajeni postimin. Miq të mi të mediave, roli juaj është kyç në ndihmën ndaj Besnikut. Unë besoj në shpirtin tuaj humanitar, siç besoj në dëshirën e madhe të Besnikut për ta tejkaluar këtë sfidë. Ju faleminderit Numri i llogarisë për ndihmë është:1501090004084646 Swift code: RBKOXKPRXXX Raiffeisen Bank Kosova

 

Ali Podrimja: Për kë shkruajmë?

0

Sot ditëlindja e poetit

Në një qytet të Bavarisë, rastësisht më ra në dorë një gazetë e Zagrebit. Duke e shfletuar, hasë një tekst të mikut tim Mirko Kovaç. Me kënaqësi fillova ta lexoj. Vazhdimi ishte dramatik. Plotë gërçe. Ajo që e thoshte shkrimtari i nderuar serb, nuk dëshiroja të ishte e vërtetë. Ishte diçka monstruoze. Diku në Bosnje, në qytetin Foça, kryesisht i banuar me myslimanë, jeta kishte marrë tatëpjetën. Iracionalja mbisundonte arsyen. E kuptoja revoltën e mikut tim.

Por nuk mund ta merrja me mend se njeriu ishte shndërruar në një gjësend pa vlerë; se në mbarim të shekullit XX urrejtja ndërnacionale ishte thjesht instinkt dhe Evropa spektatore në një teatër të absurdit. Sipas shkrimtarit të nderuar, një farë Vojisllav Maksimoviq, profesor serb i Universitetit të Sarajevës, rrugëve të përgjakura të Foçës qenka parë duke luajtur futboll me koka të myslimanëve të masakruar.

Nga ato viktima disa, ndoshta, kanë mundur të jenë edhe studentë të tij, të cilët atje buzë Milackës piktoreske, kanë përcjellë ligjëratat e tij mbi të bukurën në art. Por Vojisllavi kishte harruar se ishte profesor i Universiteti, që merrej herë pas here edhe me mjeshtërinë e shkrimit. Ai ishte shndërruar në një fantom dhe me gradën e majorit ushtarak kishte marrë pjesë në vrasje të shumta dhe pastrime etnike.

Rrënimi i Vukovarit, i Mostarit, i Dubrovnikut, i Sarajevës dhe i shumë fshatrave e qyteteve të tjera më pak të njohura flitnin bindshëm se nuk ishte fjala për psikoetikën e individit. Paranoja, pra, nga dita më ditë zbulonte fytyrën e vet të shëmtuar jo vetëm në shkrime bulevardeske, por edhe në etnosin, ideologjinë dhe filozofinë e një populli që i afrohej katastrofës. Në krye të asaj të keqeje qëndronin shkrimtarë, gjysmëshkrimtarë, intelektualë, kuaziintelektualë, politikanë të dyshimtë e kriminelë në zë, që i gjurmonte policia ndërkombëtare. Me programe nacionaliste dhe elaborate fashistoide mbusheshin bibliotekat, ose krijoheshin të reja, – sipas skenarëve.

Eklipsi

E kë nuk e shqetëson kjo? Në vetëdijen e krijuesit kishte ndodhur një eklips i tmerrshëm, humaniteti as dinjiteti nuk ekzistonte më. Sipas kokave nacionaliste një “popull qiellor” nuk mund të gabojë. Atij i lejohet çdo gjë. Edhe krimi. Toka serbe shpalleshin brenda nate edhe ato vende ku një qorr apo topall i sojit të tyre kishte kaluar ndonjëherë. Ose, ekspeditat ndëshkuese shpejtonin të shlyenin çdo gjurmë nga trashëgimia kulturore e identitetit të të tjerëve në trojet e pushtuara me dhunë. Nga një filozofi primitive nuk mund të lindte diçka njerëzore, pos një krijesë kiç, pikëlluese, pa vlerë – me një mjerim të thellë shpirtëror.

Sepse, dihet, nacionalizmi është kiç. Kështu thoshte dhe Danilo Kishi. Por mu nacionalizmi na u bë ushqim kryesor për mediokër, që shtoheshin rreth tryezës nacionale. Ata krijues të paktë, të cilët kishin guxim intelektuali t’i kundërvihen kësaj paranoje kolektive, shpalleshin tradhtarë të interesave kombëtare; botuesit ua mbyllnin dyert, ose detyroheshin ta marrin udhën e ekzilit. Guximi i Mirko Kovaçit ma kujtonte fatin edhe të një poeti serb i cili, duke parë në ekranin TV se ç’po ndodhte me fëmijët shqiptarë, në demonstrata paqësore dhe masakra të policisë serbe kishte qarë për shkak të turpit dhe mjerimit të popullit të vet.

Dorë pas dore, pas sa ditësh, më kishte arritur një poezi e tij për fëmijët, që kishin rënë nga breshëri i plumbave dumdum. E kishte shkruar atë natë të kobshme. “Ti mund ta botosh. Unë do të të jem mirënjohës tërë jetën se më ndihmon ta pështyj në fytyrë nacionalizmin e popullit tim”, kaq më kishte thënë në telefon, por edhe në një letër që kisha marrë pas një gjysmë viti udhe. Poeti që e thoshte këtë, e kishte kundërshtuar regjimin totalitar një gjysmë jete dhe poezia për fëmijët shqiptarë, as mllefi i tij nuk ishte një gjest. Ai besonte në vlerën dhe lirinë e njeriut, para se gjithash, ai mbronte etikën e shkrimtarit në një kohë të ligë kur euforia nacionaliste u bë metaforë e së keqës, eklips, më e fortë se fjala e tij prej humanisti.

Në mes nacionalizmit e kombëtares: udha e krimeve

Devavlimin shpirtëror të krijuesit, që e mundonte jo vetëm Mirko Kovaçin, e theksonte edhe më rëndë disidenti dhe bardi malazias, Jevrem Bërkoviq, në një tubim ndërkombëtar të shkrimtarëve të mbajtur në Bled. Por tmerri e agresiviteti i një diktature nacionaliste-staliniste ishte diçka e rëndomtë për ne shqiptarët. Vrasjet e eksodet, ndjekjet dhe tmerrin e bardhë ne e kishim përjetuar me dhjetra herë gjatë historisë sonë mijëvjeçare. Nëse Evropës nuk i kujtohet tragjedia e Çamërisë, pastaj ajo e Toplicës; nëse Evropa u mbyll në hipokriziminë e vet edhe pas vrasjeve e eksodeve të mëdha të viteve ’50, ’60, ’80 dhe ’90, duke konstatuar vetëm se atje në Ballkan po ndodh diçka e tmerrshme, kujtesa