30.4 C
Prizren
E mërkurë, 25 Qershor, 2025
Home Blog Page 4643

Prizreni zotohet për kthimin e të gjitha pronave të zaptuara

0

Autoritetet lokale të Prizrenit kanë bërë të ditur se prona publike komunale është tjetërsuar në raste dhe mënyra të shumta. Prandaj sipas tyre janë krijuar komisione që po e shqyrtojnë secilin rast, me qëllim që këto prona t’i kthehen Komunës së Prizrenit dhe të vihen në shërbim të interesit publik, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ndërkohë këshilltarë të caktuar të Kuvendit të Komunës kanë kërkuar nga Ekzekutivi që të raportohet për të gjitha pronat komunale dhe mënyrën e shfrytëzimit të tyre, ngase sipas tyre në të kaluarën transparenca lidhur me këtë çështje ka qenë në nivel tejet të ulët.

Mirëpo kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka, ka theksuar se problemet lidhur me uzurpimin e pronës publike komunale janë trashëguar nga qeverisjet e kaluara, por se ka angazhime që të gjitha ato t’i kthehen prapa Komunës…

Nga 1 shtatori nis vlerësimi mësimdhënësve

0

Nga një hulumtim i GIZ-it gjerman, përmes të cilit mësimdhënësit në kryeqytet i ishin nënshtruar testimit, këta të fundit kishin treguar një rezultat të dobët.

Që atëherë, në vazhdimësi ishte kërkuar që të gjithë mësimdhënësit kosovarë t’i nënshtrohen një testi të tillë për t’i ditur njohuritë e tyre, raporton KTV.

Me gjithë kërkesat, ky test përfundimisht nuk do të mbahet dhe mësimdhënësit parauniversitarë nuk duhet të frikësohen më.

Ministria e Arsimit nga gjysma e shtatorit planifikon të bëjë vetëm vlerësimin e performancës së tyre.

Gashi tregon për formën e vlerësimit, duke thënë se fillimisht vetë mësimdhënësit do ta plotësojnë një formular me pyetje pedagogjike dhe metodologjike.

Dhe, pastaj, sipas tij, vlerësimi do të bëhet edhe nga drejtori i shkollës dhe krejt në fund nga inspektorët e arsimit, të cilët do të jenë prezentë në orët e mësimit.

Gashi e pranon se 21 inspektorë janë numër i vogël për inspektimin e gjithë numrit të madh të mësimdhënësve, për çka thotë se nga viti i ardhshëm planifikohet punësimi edhe i disa të tjerëve.

Por, janë njohësit e arsimit ata që shprehin rezerva se ky proces i testimit do të jetë real, pasi që, sipas tyre, mund të ketë manipulime.

Sidoqoftë, Ministria e Arsimit paralajmëron se ata mësimdhënës, të cilët nuk do të tregojnë performancë të mirë, do t’i nënshtrohen përgjatë një viti mësimit shtesë për zhvillim profesional.

Ndërkaq, ata që tregojnë rezultate të mira do t’u vazhdohet licenca dhe do të avancohen në karrierë.

KohaVisioni i ka dërguar pyetje tash e 10 ditë kryeinspektorit të arsimit për të marrë detaje lidhur me punën e inspektoratit numrin e mësimdhënësve dhe mundësisë së kontrollit të cilësisë por Inspektorati nuk ka dhënë detaje.

Liria e Prizrenit mbetet pa pikë

0

Skuadra prizrenase u mposht sot nga Ferizaj në fushën e këtij të fundit, pas një takimi i cili u vendos nga një gol i vendasve nga Avdyl Haliti në minutën e 85’.

Ky rezultat bën që pas dy xhirove Ferizaji të ketë tri pikë, derisa Liria mbetet pa pikë dhe pa gol të shënuar këtë sezon.

KB Rahoveci përforcohet me amerikanin Amir Maddred

0

Klubi i Basketbollit Rahoveci, ka siguruar shërbimet e qendrës amerikane Amir Maddred, bën të ditur klubi përmes faqes zyrtare.

“Basketbollisti nga SHBA dhe klubi ynë kanë përfunduar gjitha procedurat e transferimit të Maddred në Rahovec, ndërsa ky i fundit arrin të martën në Kosovë kur edhe pritet t’i bashkohet pjesës tjetër të skuadrës në stërvitje”, thotë KB Rahoveci.

Maddred është 205 centimetra i gjatë, derisa ai ishte pjesë e disa kolegjeve në Neë Jersey, së fundmi pjesë e skuadrës Slippery Rock University.

Ai për këtë skuadër ka zhvilluar 27 ndeshje me një mesatare prej 10.5 pikë për ndeshje.

Goditet për vdekje nga vetura një grua në Prizren

0

Një grua me inicialet B.M., e lindur në vitin 1940, është goditur për vdekje nga vetura në Prizren.

Aksidenti ka ndodhur në orën 12:08 në vendkalimin për këmbësorë në rrugën ‘Ismail Kryeziu’.

Lajmin për KTV-në e ka konfirmuar zyrtari për informim në Policinë e Prizrenit, Vesel Gashi.

Viktimës i është dhënë ndihma e parë, por ajo nuk i ka mbijetuar goditjes.

I dyshuari, vozitësi, F.T,. i lindur në vitin 1993 është arrestuar në vendin e ngjarjes, dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë me urdhër të prokurorit.

Qyteti i ëndërrave

0

Arben Rashkaj

Muzgu iku me të gjitha zhurmat
la jehonën e mekur të ditës
Llambat homazhe i bënin rrugës
Si një shteg pëmes territ

Tani kafen e pi krejt vetëm
Mes të natës në fund të gushtit
Spektator i një shfaqje të vogël
Nën dritë të llambës vallëzon një flutur

Fresku i lehtë përkëdhelës
Kuptim t’çuditshëm i dha vetmisë
Prishën xhinkallat kohën e heshtjes
Ngjallen kujtimet zhgjuan ndjesitë

Rrëzë Pashtrikut dikur një natë
Ku vdekja më sillej vërdallë
Ëndërrat me ty ndërtoja
Prizreni im qyteti i lashtë

 

Ideja për “Korrigjimin e Kufijve”- zhbërje e procesit të pavarësimit të Kosovës!

0

Bilall Sherifi

Muajt e fundit debati rreth dialogut me Serbinë është intensifikuar shumë, duke marrë një dinamikë dhe vëmendje publike që nuk e ka pasur deri para pak kohe. U tha se kjo do të jetë faza finale e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe si e tillë edhe do të prodhojë marrëveshjen finale mes dy vendeve. Meqë, me përjashtim të emërtimit “Fazë Finale”, askush nuk e kishte idenë se për çka do të flitet në këtë proces të dialogut, atëherë pashmangshëm debati u përqendrua rreth asaj se kush do të duhej ta udhëheqë këtë fazë të dialogut me Serbinë!

Kohëve të fundit, Hashim Thaçi, i cili përkundër insistimit të vazhdueshëm, herë publik e herë jo publik, nuk arriti të marrë mbështetjen e nevojshme për të udhëhequr dialogun, me qëllim të zëvendësimit të temës së debatit publik nëse është apo nuk është personi i duhur për ta udhëhequr dialogun, doli me idenë e “Korrigjimit të Kufijve” me Serbinë, në fazën e fundit të dialogut! Me këtë “ide të re”, Hashim Thaçi arriti ta zhvendosë debatin aty ku deshi, dhe çështja e përfaqësimit në këtë dialog u hesht tërësisht!

Për të fituar simpatitë e shqiptarëve të shtypur dhe të diskriminuar të Luginës së Preshevës, Hashim Thaçi përsëriste në çdo konferencë të organizuar kohëve të fundit se kinse “Korrigjimi i Kufirit me Serbinë” nënkupton bashkimin e Preshevës, Bujanovcit dhe Medvegjes me Kosovën. Ai, në asnjë rast nuk tregoi se sipas marrëveshjeve sekrete që ka me Beogradin, cilat pjesë të Kosovës parashihen t’i jepen Serbisë.

Me gjithë kundërshtitë e mëdha që pati kundër idesë që vë në rrezik integritetin territorial të Kosovës, Hashim Thaçi jo vetëm që nuk u tërhoq nga qëndrimi i tillë, por ai këmbëngulë për të mbajtur gjallë këtë ide. Edhe pse nuk e dimë përmbajtjen reale të “Korrigjimit të Kufijve”, ideja e tillë e kthen çështjen e përfunduar të Kosovës në pikën fillestare të propagandës serbe, që të konsiderohet si “problem që kërkon zgjidhje në mes serbëve dhe shqiptarëve”.

Përkundër asaj se mund të duket si diçka që tanimë e dinë shumica e atyre që janë marrë me historinë e Kosovës, në vazhdim të këtij shkrimi do të ndalem në disa momente kyçe të rrugëtimit politik të Kosovës, sepse është e vetmja mënyrë që na bën të qartë rreziqet e mëdha që i kanosen vendit tonë nga ideja e moçme serbe që aktualisht trumbetuar nga Thaçi dhe Vuçiqi!

1. Karta e Kombeve të Bashkuara, si burim bazë i të drejtës ndërkombëtare, ia ngarkon Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara misionin e ruajtjes së paqes dhe sigurisë në botë. Sa i përket Çështjes së Kosovës, në përputhje me misionin që ka, Këshilli i Sigurimit ndërmorri një varg aktivitetesh diplomatike, që nuk do t’i përmend për të mos e zgjeruar shumë temën që po shqyrtoj. Mjafton të përmend se marrëveshja për përfundimin e luftës në Kosovë është rezultat i një procesi politik të ndërmarrë nën patronazhin e Këshillit të Sigurimit.

2. Kështu, në Beograd, më 2 qershor 1999, u nënshkrua “Plani i Paqes”, i përpiluar nga G8 dhe i mbështetur nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së. Përmes këtij “Plani të Paqes”, Jugosllavia detyrohej t’i jepte fund menjëherë dhe në mënyrë të verifikueshme dhunës dhe represionit në Kosovë, dhe të fillojë tërheqjen e plotë dhe të verifikueshme të forcave të saja nga Kosova. Krahas kësaj marrëveshje, në Kumanovë, më 9 qershor 1999, përfaqësuesit e NATO-s nënshkruan “Marrëveshjen Ushtarako-Teknike”, që përcaktonte modalitetet e tërheqjes së forcave jugosllave dhe vendosjen e forcave të mandatuara nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së (KFOR).

3. Pas nënshkrimit të “Planit të paqes” dhe “Marrëveshjes Ushtarako-Teknike”, Këshilli i Sigurimit të OKB-së, më 10 qershor 1999, miratoi Rezolutën 1244, përmes të cilës përcaktohej korniza e prezencës civile dhe e sigurisë në Kosovë, deri në përcaktimin e statusit politik përfundimtar. Miratimi i Rezolutës 1244 nga ana e Këshillit të Sigurimit të OKB-së i dha vulën ndërkombëtare këtyre marrëveshjeve.

4. Një gjë duhet ta kemi të qartë: vendimet e Këshillit të Sigurimit, që zakonisht emërohen edhe me termin Rezoluta, janë vendime obliguese për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare. Vendimet që i imponuan Serbisë tërheqjen e forcave të veta ushtarake, policore dhe politike nga Kosova e që përmblidhen në Rezolutën 1244 janë vendime të rangut më të lartë të së drejtës ndërkombëtare lidhur me paqen dhe sigurinë e kësaj pjese të Evropës. Me një fjalë, përmes këtyre akteve të instancën më të lartë të institucioneve ndërkombëtare iu dha fund luftës në Kosovë!

5. Përmes vendimeve të përfshira në rezolutën 1244, institucioni më i rëndësishëm i të drejtës ndërkombëtare përcaktoi praninë e forcës ndërkombëtare të sigurisë që do të vendoseshin dhe do të vepronin në Kosovë. Krahas forcës së sigurisë, që duhej të garantonte pamundësimin e shpërthimit të konflikteve të armatosura, Këshilli i Sigurimit përcaktoi edhe prezencën civile ndërkombëtare, që do të mbështeste procesin e krijimit të një autonomie dhe vetëqeverisjeje përmbajtësore deri në zgjidhjen përfundimtare të statusit politik të Kosovës.

6. Dhe ashtu ndodhi. Për më shumë se 5 vjet rresht prezenca civile ndërkombëtare përgatiti institucionet politike të Kosovës që do të mund t’i udhëhiqnin bisedimet për statusin final të saj. Në seancën e 24 tetorit 2005, Këshilli i Sigurimi mbështeti raportin e përpiluar nga i dërguari special KaiEide dhe u pajtua se përcaktimi i statusit final të Kosovës ishte i domosdoshëm. Në përputhje me këtë vendim, Martti Ahtissari dhe Albert Rohani ishin të ngarkuarit zyrtarë për të udhëhequr bisedimet mes Serbisë dhe Kosovës, duke përcaktuar edhe parimet mbi të cilat duhej të mbështeteshin bisedimet.

Më duket e rëndësishme të përsëris se në “Parimet Orientuese të Grupit të Kontaktit” theksohet se “rregullimi i statusit të Kosovës duhet të konsolidojë sigurinë dhe stabilitetin rajonal, duke garantuar që Kosova të mos kthehet në gjendjen e para marsit të vitit 1999. Çdo zgjidhje e njëanshme që rezulton nga përdorimi i forcës nuk do të jetë e pranueshme. Nuk do të ketë ndryshime të territorit të tanishëm të Kosovës, që do të thotë se nuk do të ketë ndarje të Kosovës dhe se nuk do të ketë bashkim të Kosovës me ndonjë shtet tjetër apo me ndonjë pjesë të ndonjë shteti tjetër. Integriteti territorial dhe stabiliteti i brendshëm i fqinjëve regjional do të respektohet plotësisht”.

Rezultati i këtyre bisedimeve dihet. Po përmend vetëm epilogun e tyre.Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të datës 26 mars 2007, Ban Ki-mooni, shtroi për shqyrtim “Propozimin gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës”, që ishte përgatitur nga Martti Ahtisaari dhe ekipi i tij. “Martti Ahtisaari kishte bindjen e fortë se ishin shterur të gjitha mundësitë që të gjendej një rrugëdalje e negociuar dhe e pranueshme nga të dyja palët. Vazhdimi i bisedimeve, në cilëndo formë qoftë, nuk do të mundësonte të dilej nga ky qorrsokak. Ka ardhur koha që të rregullohet statusi i Kosovës!”

Në fund të raportit të vet, Martti Ahtisaari përfundoi se “duke shqyrtuar historinë e re të Kosovës dhe realitetin e tanishëm dhe duke zhvilluar negociata me të dyja palët, kam arritur te përfundimi se opsioni i vetëm i qëndrueshëm për Kosovën është pavarësia e saj. Fillimisht kjo pavarësi duhet të jetë e mbikëqyrur nga bashkësia ndërkombëtare”.

7. Shpallja e pavarësisë së Kosovës bëri që Serbia dhe mbështetësit e saj ta shtrojnë çështjen në kuadrin e institucioneve më të larta të drejtësisë ndërkombëtare. Më 8 tetor 2008 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën përmes të cilës kërkoi që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të japë mendim lidhur me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Konkretisht, kësaj gjykate iu kërkua që t’i përgjigjej pyetjes: “A është shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës nga institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes së Kosovës në pajtim me të drejtën ndërkombëtare?”.
Më 22 korrik të vitit 2010, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli vendimin e vet se akti “i miratimit të deklaratës së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, nuk e ka shkelur as të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit e as Kornizën Kushtetuese të Kosovës. Prandaj, miratimi i kësaj deklarate nuk ka bërë shkeljen e asnjë rregulle të aplikueshme të së drejtës ndërkombëtare”.

8. Të gjitha aktet e të drejtës ndërkombëtare lidhur me Kosovën, duke filluar nga “Plani i paqes”, “Marrëveshja Ushtarako-Teknike” dhe Rezoluta 1244, janë vendime që përbëjnë Traktatin ndërkombëtar për paqen në Kosovë. Vendimi i institucionit më të lartë të drejtësisë ndërkombëtare, Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e vulosi të drejtën tonë për shtet të pavarur dhe sovran.

9. Prandaj, hapja eventuale e negociatave të reja, të kamufluara si “Faza Finale e bisedimeve” për të “Korrigjuar Kufijtë” me Serbinë, do të zhbënte procesin e gjatë, të mundimshëm dhe me plot sakrifica të pavarësimit të Kosovës.

Po e përsëris edhe një herë: në fund të udhëheqjes së bisedimeve në mes Serbisë dhe Kosovës, i ngarkuari i Kombeve të Bashkuara, z. Martti Ahtisaari deklaroi se “Vazhdimi i bisedimeve, në cilëndo formë qoftë, nuk do të mundësonte të dilej nga ky qorrsokak. Ka ardhur koha që të rregullohet statusi i Kosovës”.

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe legjitimimit të aktit të shpalljes së kësaj pavarësie nga GJND-ja, njohjes ndërkombëtare të shtetit të pavarur të Kosovës nga shumica e shteteve të botës, hapja e bisedimeve të reja me Serbinë nuk do të thotë asgjë tjetër pos ta fusësh Kosovën në një qorrsokak të rrezikshëm me pasoja shumë të mëdha.
Për këtë arsye, mbështetja që po i bën Hashim Thaçi, nga pozita e presidentit të Kosovës, idesë serbe për të vendosur në tavolinë bisedimesh territoret shqiptare është ideja më e rrezikshme për paqen dhe sigurinë e Ballkanit Perëndimor. Dhe më gjerë.

Fatkeqësisht, pas refuzimit absolut që iu bë në Kosovë idesë së vjetër serbe për ndarjen e Kosovës, të prezantuar si “Korrigjim Kufijsh”, në vend që të tërhiqej nga qëndrimet e veta, Hashim Thaçi vazhdoi aventurën me partnerin e tij Aleksandër Vuçiqin për të kërkuar nga Vjena mbështetjen e BE-së dhe të SHBA-ve për copëtimin e Kosovës!
Qëndrimi i fundit në Vjenë dëshmoi se Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiqi kanë të gatshëm planin për ta futur në kasaphane të re territorin e Kosovës. Siç u pa, Hashim Thaçi nuk tërhiqet nga kjo rrugë me shumë rreziqe për popullin e Kosovës dhe më gjerë.

Është koha e fundit që të gjitha forcat politike dhe institucionale të Kosovës të dalin me qëndrim të qartë se në përpjekjet për të vënë në tryezë bisedimesh integritetin territorial të Kosovës, Hashim Thaçi nuk përfaqëson askënd tjetër pos vetes së vet. Është obligim kushtetues i çdonjërit prej nesh që të sensibilizojmë institucionet e BE-së dhe të SHBA-ve se asnjë marrëveshje e nënshkruar në këtë drejtim nuk do të ketë vlerë për shtetin e pavarur të Kosovës.
Kosova dhe tërë rajoni kanë nevojë për paqe, stabilitet dhe zhvillim ekonomik. Çdo përpjekje për të kthyer në tavolinë bisedimesh çështjet tanimë të përfunduara inkurajon forcat reaksionare dhe luftënxitëse në Serbi, për të mbajtur nën kërcënim të vazhdueshëm paqen dhe sigurinë në këtë pjesë të Evropës!

Zafir Berisha mund t’ia japë votën opozitës për ta rrëzuar Haradinajn

0

Deputeti i Nismës, Zafir Berisha, mund t’ia japë votën opozitës për të rrëzuar Qeverinë e Ramush Haradinajt.

Ai, thotë se dëshiron t’i sheh disa “demagogë” se ku do të përfundojnë pas zgjedhjeve.

“As në pushim nuk të lën disa demagogë me deklarata koti, e në fakt 2 vota si kanë pas veti”, shprehet Berisha,shkruan “PrizrenPress”.

Deputeti i Nismës, Zafir Berisha nuk e kishte votuar Qeverinë e Haradinajt, ndonëse partia e tij është pjesë e saj.

Ai, vazhdimisht ka kërcënua se do t’ia japë votën opozitës , nëse kjo qeveri nuk punon në të mirë të qytetarëve.

“Gati janë duke më bërë, me ja dhënë votën opozitës, vetëm me i pa ku përfundojnë disa demagogë, nëse mbahen zgjedhjet”, tha Berisha./PrizrenPress.com/

Sulmohet seksualisht e mitura në Malishevë

0

Një vajzë nën moshën 16 vjeç është sulmuar seksualisht në mëngjesin e së shtunës në Malishevë, raporton Policia e Kosovës, shkruan PrizrenPress.

Viktima kishte njoftuar policinë se është sulmuar seksualisht në shtëpinë e saj nga i dyshuari.

I dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje. /PrizrenPress.com/

Arrestohet një femër në Dragash për posedim të marihuanës

0

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar një femër të komunitetit serb në fshatin Bresane të Dragashit për posedim të narkotikëve, të cilës pas kontrollimit u janë gjetur dhe konfiskuar disa qese me substancë narkotike.

“Është arrestuar e dyshuara femër K-Serbe pasi që gjatë kontrollit tek e njëjta janë gjetur dhe konfiskuar disa qese me substancë të dyshuar narkotike e llojit marihuanë”, thuhet në raportin ditor të PK-së, përcjell PrizrenPress.

Me vendim të prokurorit, pas intervistimit e dyshuara është dërguar në mbajtje./PrizrenPress.com/