21.7 C
Prizren
E martë, 24 Qershor, 2025
Home Blog Page 4648

MKRS-ja konfirmon pse nuk u zhvillua ndeshja ndërmjet Prishtinës e Gjilanit në “Fadil Vokrri”

0

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes një komunikate për media sqaron opinionin publik rreth dilemave të cilat janë ngritur ditëve të fundit rreth mos zhvillimit të ndeshjes në mes të KF ‘Prishtina’ dhe KF ‘Gjilani’.

Ministria e Sportit është investitori kryesor në këtë projekt, ndërsa thotë se ky projekt konsiderohet i papërfunduar dhe sipas të dhënave të organit mbikëqyrës ky projekt do të pranohet teknikisht vetëm pas raportit përfundimtar të UEFA-s.

“Pas pranimit të këtij raporti, palët e involvuara në këtë proces (Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministria e Ambientit, Komuna e Prishtinës, Federata e Futbollit të Kosovës dhe punëkryesi) do të fillojnë procedurat e pranimit teknik të stadiumit. Siç dihet, para disa ditësh është zhvilluar ndeshja e parë testuese në mes KF ‘Prishtina’ dhe KF ‘Drita’ për Super Kupën e Kosovës, ndeshje kjo e organizuar nga ana FFK-së e cila është monitoruar nga ana e zyrtarëve të UEFA-s”, thotë MKRS, transmeton Koha.net.

MKRS-ja shton se indikacionet e para të zyrtarëve të UEFA-s, janë që stadiumi i Prishtinës “Fadil Vokrri” i plotëson kriteret e UEFA-s, si stadium i kategorisë IV, andaj, ky është një lajm pozitiv për institucionet, sportin dhe sportdashësit, sepse Kosova përfundimisht për herë të parë do t’i zhvillojë ndeshjet në stadiumin e rinovuar i cili mbanë emrin e legjendës së futbollit Fadil Vokrri.

Gashi ka deklaruar publikisht se pasi të bëhet pranimi teknik dhe certifikimi nga UEFA, stadiumi do t’i dorëzohet Komunës së Prishtinës si pronare, e cila pastaj do të vendosë për të gjitha procedurat e menaxhimit, kujdesin, por edhe mënyrën e shfrytëzimit të tij.

“Gjithashtu, njoftojmë opinionin publik se pas takimit të sotëm midis ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti dhe kryetarit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, palët janë pajtuar që ndeshja kampionale mes KF ‘Prishtina’ dhe KF ‘Drenica’ e paraparë për 2 shtator të luhet në Stadiumin ‘Fadil Vokrri’, ndeshje kjo e cila do të shërbejë edhe si lojë e dytë testuese para lojës që do ta zhvillojë reprezentacioni i Kosovës në Stadiumin ‘Fadil Vokrri””, thuhet në komunikatë.

Ministri Gashi takoi ekipin punues për Hartimin e Projekt Ligjit për Trashëgimi Kulturore

0

 

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur sot në kabinetin e tij anëtarët e ekipit punues për Hartimin e Projektligjit për Trashëgimi Kulturore. Ky takim vjen pas miratimit të koncept dokumentit për Trashëgimi Kulturore nga Qeveria e Kosovës dhe emërimit të këtij ekipi me vendim të Sekretarit të Përgjithshëm të MKRS-së.

Ministri Gashi përgëzoi grupin punues për punën dhe ju ofroi mbështetje të vazhdueshme duke u zotuar që të punojnë bashkërisht për të finalizuar hartimin e Projektligjit për Trashëgimi Kulturore.

Ai tha: “Sot takova ekipin punues për Hartimin e Projektligjit për Trashëgimi Kulturore, i cili është përgjegjës të punoj për Hartimin e Projektligjit për Trashëgimi Kulturore. Është takimi i parë i ekipit punues për Hartimin e Projektligjit për Trashëgimi, në kuadër të planifikimeve tona për avancimin e infrastrukturës ligjore duke pasur parasysh që ligji aktual nuk i plotëson kërkesat e kohës dhe duhet të punojmë që të shtyjmë përpara këtë ligj”.

Nga ekipi punues, ministri Gashi kërkoi që të kenë bashkëpunim me shoqërinë civile dhe me organizatat ndërkombëtare në mënyrë që të kemi një ligj i cili i ka konsultuar të gjitha palët.

Ruajtja, mbrojtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore prioritet i MKRS-së

“Përkushtimi im si ministër i MKRS-së, ka qenë dhe mbetet përmirësimi kushteve të punës, investimi në Institucionet e Kulturës, por edhe ngritja performancës institucionale dhe pasurimi i jetës kulturore dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore në vendin tonë”, shtoi ministri Gashi. Ai po ashtu tha:“Plotësimi dhe avancimi i kornizës ligjore dhe infrastrukturore konform praktikave dhe standardeve ndërkombëtare mbetet një ndër prioritetet e mia si ministër i Kulturës Rinisë dhe Sportit i përcaktuar edhe në Programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Për Hartimin e Projektligjit për Trashëgimi Kulturore, ministri Gashi u shpreh se është një ndër masat e shumta legjislative dhe zbatuese në fushën e trashëgimisë kulturore, që po ashtu koincidon edhe me fillimin e Vitit Evropian.

“Trajtimi i trashëgimisë kulturore duhet bërë në mënyrë të integruar, si trashëgimia arkitekturale, trashëgimia shpirtërore, ajo arkeologjike, peizazhet kulturore si dhe të gjitha asetet nën mbrojtje të shtetit duhet të mbrohen, ruhen, studiohen e promovohen sa më shumë dhe të bëhen objekte të hartës turistike të Republikës së Kosovës”, tha ai.

“Ruajtja, mbrojtja dhe promovimi i trashëgimisë kulturore mbetet në vazhdimësi prioritet i imi si ministër i Kulturës Rinisë dhe Sportit dhe i Qeverisë së Republikës së Kosovës i përcaktuar me Kushtetutën e Kosovës si sektor i veçante me rol kyç në zhvillimin e shtetit”, përfundoi ministri Gashi.

Ndërkaq anëtaret e ekipit punues u zotuan se do të jenë të përkushtuar maksimalisht që të punojnë deri në finalizimin e Hartimit të Projektligjit për Trashëgiminë Kulturore.

Park apo parking-i

0

Doktorant, Naser M BRESA

Prizreni vend i kulturës, artit dhe tradicionales, por larg përmbushjes së standardeve për hapsira të gjelbëruara për m2 për kokë banori. Duhet të rikujtojmë se kërkesat e hapsirave të gjelbëruara për kokë banori sipas kërkesave të BE janë rreth 15m2, mbase Prizreni lenë shumë për të dëshiruar në këtë drejtim, shumë larg standardeve të kërkuara!
Problemi si duket është kryekëput si të abuzohet me hapsirën e gjelbër, të gëlltitet çdo centimerter e cila do konvertohet në gabarit objekti me rritje përfitimi individuale ndërsa në anën tjeter ngurtësohet frymimi i lirë qytetareskë. Probleme të këtilla rëndojnë dhe debalancojnë kualitetin e jetes, pra kapriciot dhe bindjet se gjithcka ne dim, duke mos u konsultuar me ekspert mjedisor, qoftë në fazën e pranimit projektit, monitorimit dhe vlerësimit final, rrisin hendekun e aracionalitetit.

Fenomen i këtillë tash më është bërë kronikë, dikur me mbindërtime nëpër shumë qendra, tash me shtrirje apo metastazë glabruese të pikave të mundshme gjelbëruese.
…po të projektonin diku tjeter këta arkitekt(disa nga këta), apo të konkuronin me ide të këtilla projektuese, pa parametra ambiental, të tillët pamëshirshëm do refuzoheshin për munges profesionalizmi. Sigurisht se projektuesit janë në shërbim të kompanive ndërtuese, por etika profesionale e arkitektit do duhej të ishte ekuivalente me etikën e mjekut (betimi Hipokratit, jo i hipokritit…!), të refuzohet kërkesa e kompanisë që shkel standardin e ndërtimit, baraspeshën që kërkon VNM për objekte respektive.

Në planin e perspektives, Prizreni çdo ditë e më tepër po i ngjason qyteteve me ndërtim pothuajse të egër, mjerisht edhe aty ku ka plan urbanistik, brenda qendrës urbanizuar!
…paramendo, kafe e zier në një ndërtesë mund të shërbehet fqiut provizor në ndërtesën tjetër(siq është rasti i ndërtesave pranë rrugës W.Woker), ky është Prizreni i viteve 2000-2017 …!

Problem është mungesa e hapsirave të gjelbëruara, përmes të cilave njeriu komunikon cdo 4-5 sec-respiracion jo kualitativë apo respiracion i kontaminuar e për të respiruar më thell, qytetarët i drejtohen parkut të qytetit si zgjidhje alternative e Marashit apo pjesë tjera për rreth qyteti. Aktualisht i vetmi park në qytetin tonë, ai gjendet afër Universitetit “Ukshin Hoti”, i cili po sfidohet në forma dhe mënyra të ndryshme, qoftë me menaxhim të keq apo pa menaxhuar për vite të tëra gjerë në momentin e intervenimit të Tika-s, që kthej imazhin e një parku të standardeve Europiane. Tika pastroj, ndërtoj dhe investojë, pra krijoj terene sportive, shtigje dhe lojëra për fëmijë dhe mbi të gjitha gjelbrim.

Mjerisht, menaxhimi i dobët apo mungesë e përgjegjësisë e kthen parkun pothujse në pikën zero, gjë që hapi dritën e gjelbër te institucionet për të ofertuar dhe përzgjedhur fitues që do bëjë menaxhim më professional. Nuk di se sa ja kanë qëlluar, përsonalisht, jam skeptik, parku i qytetit duhej mbetur në menaxhim të vetë komunës, sepse asete të këtilla kan ndikon drejtpërdrejt në të hyrat komunale, përmes paketes ofertuese për qytetar-vizitor, si dhe punësim. Gjërat kanë ecur tashmë, pa marr parasysh kush është fitues, shumë cka ka ndryshuar, ka përmirësime në aspekt menaxhues, por ajo që vërehet nga plani përspektivës, ky park dita me ditës po rrëshqet drejt zvoglimit të sipërfaqes së gjelbër, mjerisht hapsirat e gjelbëruara po shërbejnë si parking automjetesh. Një nga difektet e apostrofuara në kohë, kundërmimi për rreth rrjedhës së lumit Lumbardhë, që shpesh ndodh të merr ngjyrë të errët apo lum Zi, si pasojë e derdhjes së ujrave të ndotura nga Lugina e Lumbardhit e në vazhdimësi. Ky problem sjell iritim të madh te vizitoret, por atakon drejtpërdrejt frymimin e lire, pa fajin e menaxhuesit të parkut. Veçori e këtillë shpërfaq cilësinë e të qenurit Park-gjelbrim-rehabilitim, me elementin makinë-zhurmë dhe degradim ambiental.

Jemi mësuar të ndajm gjërat në bardh e zi, por koha është ti japim ngjyrën e duhur apo kompozicionin e duhur të anës vizuale, andaj anamnezë e këtillë na jep paqsyrë adekuate të kompleksitetit të të qenurit park i qytetit. Jam i prir, gota duhet të shikohet gjysmë e mbushur, konteksti pozitivë është më se i domosdoshëm, deri atëherë kur nuk e dëmton procesin, për ndryshe logjika e shëndosh do abstrahohej, rreshqet në hapsirë pa kthim, andaj rirreshtimi do ishte shumë i vonuar. Elementet pozitive, domosdoshmërisht duhet cekur e të cilat kanë ndikim në krijimin e atrakcionit ambinetal për të nxitur visitor, siq është pastrimi dhe menaxhimi i mbeturinave(organike dhe inorganike), zgjerimi i shtigjeve lëvizësë(…rikujtesë, bazaur në kritere për parqe, shtigjet që shërbejnë për ecje dhe vrapim duhet të jene me rërë apo zhavor brenda konstalacionit të quajtur park dhe jo me kubëza betoni), krijimi sigurisë mbrenda parku dhe shërbimet me restoran përcjellëse…! Ana tjeter e medales, krijon përshtypje se bëhet fjalë për kompleks kafe restoranesh, në këtë sfond zhbëhet intimiteti i të qenurit park dhe gjeneraliteti natyror që ushqejnë mjedise të këtilla të mbrojtura brenda urbanes.

Parku është vlerë që duhet ruajtur sipas natyralitetit që gërsheton, trajtim dhe menaxhim delikat, adresuar në aspektin shkencor të zonave të mbrojtura, si me zonën buferike(mbrotje e drunjëve, fidaneve drunore si dhe vegjetacionit barishtor), po ashtu zonës ekonomike(menaxhim i resurseve dhe investime të kufizuara sipas kritereve), mbrenda parqeve nacionale, sipas kritereve të IUCN. Gjithcka tjeter kalon në defraktim të strukturës së quajtur park, apo filtrator ajri mbrenda uzinës së quajtur qytet. Nuk mund të anashkaloj disa elemente tjera që po e rëndojnë parkun e qytetit në qytetin e kulturës, traditës dhe mikëpritjes, siq janë makina-lëvizese të kornizuara me konstrukcion metalik anti ambiental dhe pasivitet të servuar për grupmosha të caktuara, e që në realitet parku e ka të kundërtën, aerimin kualitativë dhe aktivitetin sportivë. Element tjetër deprimues është rrudhja e skajshme e tereneve ekzistuese sportive, nga 2 apo 3 sa ishin në 1 teren sportiv, të rrethuar në njëren anë me atë mega-hekurishten me makina elektrike dhe rrotulluesen-balerinë apo si e quajnë, fare pak e rëndësishme.
Kompozicioni tanishëm ka dy anë të medaljes, park-biznes apo park rekreativo-rehabilitues për qytetar?!
Të gjithë parametrat e menaxhimit të qëndrueshëm bazohen në zhvillimin e politikave që dalin nga strategjitë zhvillimore të aprovuara në isntitucione përkatëse, qoftë ato të nivelit qendror, qoftë ato të nivelit lokal, strategji të këtilla janë bazament në politikat ofertuese dhe zbatuese në praktikë.

Si duket gjërat nuk janë duke funksionuar si duhet, ana e menaxhimit më shumë anon nga benofitet në kurriz të hapsirave të gjelbruara, po ashtu monitorimi apo kontrolli është i përgjumosur në korigjime dhe mundësi përmirësim të difekteve që lindin në rrugëtim e sipër…!

Në interes të mbrojtjes së cdo cm2 të hapsirës së gjelbër, duhet të kuptohemi drejt se është në pyetje oksigjenimi ynë dhe resorbimi i CO2 që bëjnë bimët e gjelbërta, si kurorat e drunjëve dhe pemëve tjera, shkurret, gjysmëshkurret, bimët barishtore, një, dy dhe shumë vjeqare, ndryshe nuk do quhej parku i qytetit “Mushkritë e qytetit”, të gjitha janë në shërbimin tonë, …ne ku jemi…?!

Dëgjohen dy dëshmitë e ekspertëve lidhur me vrasjen e vitit 2017 në Rahovec

0

Në Gjykatën Themelore në Gjakovë u mbajt shqyrtimi gjyqësor ndaj të akuzuarit Feriz Hoti, i akuzuar për vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Prokuroria pretendon se në maj të vitit të kaluar, Feriz Hoti ka privuar nga jeta tani të ndjerin Hamdi Jusufin.

Aktakuza ndaj Hotit është ngritur nga ish prokurorja Shpresa Bakija.

Në fillim të seancës, gjyqtari i rastit  Gëzim Pozhegu, konstatoi se Policia e Kosovës kishte dërguar email dhe e kishte lajmëruar që dëshmitari Muhamet Kiqmari, i cili është thirrur në këtë gjykim në cilësinë e dëshmitarit, është arratisur nga burgu.

Ndërsa dëshmitarët tjerë Evan Potera dhe Bajram Morina nuk janë gjetur nga Policia e Kosovës edhe pse gjykata kishte lëshuar urdhëresë ndaj tyre.

Eksperti mjeko-ligjor Naim Haliti dëshmoi se “në ekzaminimin e kufomës janë gjetur lëndime, në kokë ku në pjesën e pasme ka qenë një vrimë hyrëse e dalëse e shkaktuar nga arma e zjarrit”.

“Ky lëndim ka qenë vdekjeprurës, kurse lëndime tjera janë gërvishtje”, tha eksperti Haliti.

Ai tha se vdekja ka qenë e menjëhershme.

“Si rezultat i lëndimit të shkaktuar nga arma me të cilën është gjuajtur në drejtim dhe ka prekur tashmë të ndjerin Hamdi Jusufin, vdekja ka qenë e menjëhershme”, tha eksperti Naim Haliti.

Ndërsa eksperti i balistikës Sinan Topalli, dëshmoi se arsyeja e  dilemave të armës është fakti i materialit të dy gëzhojave të gjetura, mirëpo kalibri është i njëjtë.

Në shqyrtimin fillestar të mbajtur në dhjetor  të  vitit 2017, i akuzuari Feriz Hoti, ishte deklaruar i pafajshëm për veprën që i ngarkohet.

Prokuroria pretendon se Hoti këto vepra i ka kryer natën e 17 majit të vitit 2017, ku qëlloi drejt disa personave që po tentonin të hynin dhunshëm në dyqanin e tij.

Në aktakuzë thuhet se Feriz Hoti pasi dëgjoi zhurmën që po shkaktonin Hamdi Jusufi, Muhamet Kiqmari, Liridon Sylejmani dhe Evan Potera, që po tentonin të thyenin derën e marketit “RamaF”, për të vjedhur brenda tij, doli nga oborri i shtëpisë dhe më armë filloi ndjekjen e tyre.

Sipas aktakuzës, katër persona që po tentonin të vidhnin në lokalin e tij, Hoti në fillim u kërkon të ndalet duke  i sharë e më pas kur ata vazhdojnë të ikin, ai fillon të gjuajë drejt tyre me pushkën automatike “AK-47”.

Në aktakuzë përshkruhet edhe momenti kur i akuzuari e qëllon tani të ndjerin Hamdi Jusufi.

Në të shtënën e fundit e qëllon tani të ndjerin Hamdi në pjesën e kokës dhe nga plaga e marrë vdes në vendin e ngjarjes, thuhet mes tjerash në aktakuzë.

Komuna e Malishevës dyshon se mbetjet organike të pularisë shkaktuan ngordhjen e peshqve në lumin Mirusha

0

Komuna e Malishevës pretendon se shkaktari i ngordhjes së peshqve në lumin Mirusha janë mbetjet organike të një pularie, të cilat janë hedhur në lumë e që kanë shkaktuar mungesë të oksigjenit në rrjedhën e ujit.

Zyrtari për informim nga Komuna e Malishevës, Artan Paçarizi, tha për KALLXO.com ende nuk dihet shkaku i ngordhjes së peshqve në lumin Mirusha sipas analizave të Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, por Komuna e Malishevës dyshohet se mbetjet organike të një pularie kanë shkaktuar atë.

“Ne ende nuk e dimë saktësisht shkakun, por bazuar në deklaratat e pronarit të pularisë, dhe dëshmitë tjera, përfshi raportin e laboratorit të AUV, se nuk janë gjetur materie toksike, dhe bazuar në video incizimet e peshqve në lum, besojmë që ngordhja masive e peshkut, ka ardhur si pasojë e derdhjes së mbetjeve organike në lumë, që ka shkaktuar mungesë të oksigjenit në rrjedhën e ujit”, ka thënë Paçarizi.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me zyrtarin për informim në AUV, Lamir Thaçi, i cili tha se analizat e kryera pas kërkesës së Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe pas pranimit të mostrave të peshkut nga Komuna e Malishevës analizat rezultojnë negative.

“Mostra e peshkut të ngordhur është pranuar me datë: 26.07.2018 dhe është testuar në një grup të substancave (Komponimet aromatike policiklike (PAH) dhe pesticidet organokloruret ) nga rezultatet e dala nga laboratori kemi konkluduar se parametrat e testuar kanë rezultuar negativ gjë qe nënkupton se këto elemente nuk kanë qenë shkaktar i ngordhjes se peshqve”, ka thënë Thaçi.

Po ashtu Thaçi ka thënë se këto analiza janë kryer brenda kapaciteteve që i ka AUV dhe LUV dhe se analizat e ujërave të lumit Mirusha nuk janë në mandatin e tyre.

Ngordhja e peshqve në lumin Mirusha

“Meqenëse ujërat e lumenjve nuk janë ne mandatin tonë të kontrollit nuk mund të japim ndonjë përgjigje tjetër. Autoritete kompetente mund të hulumtojnë parametra tjerë për të cilët ne nuk kemi mundësi teknike  dhe metoda të zhvilluara për ti mbështetur. Brenda mundësive qe kemi pasur ne kemi shprehur gatishmërinë dhe i kemi mbështetur” ka shtuar Thaçi.

Por, nga Komuna e Malishevës kanë thënë se laboratori nuk ka sqaruar shkakun e ngordhjes së peshqve dhe është i dyshimtë.

“Laboratori nuk e ka sqaruar shkakun e ngordhjes masive të peshqve, dhe rrjedhimisht ky raport i laboratorit të AUV, mund të interpretohet në dy forma, apo ka lënë derën hapur për dyshime se peshqit kanë ngordhur si pasojë e asfiksimit nga mungesa e oksigjenit në ujë, e që dyshohet se mbetjet organike të pulave, e kanë shkaktuar këtë mungesë të oksigjenit, pasi në pjesën ku ka filluar të ngordhin peshqit, janë hedhur në apo afër lumit, mbetjet organike të një pularie” ka thënë Paçarizi.

Komuna e Malishevës ka kërkuar të hetohen organet gjegjëse dhe të gjendet shkaktari i ngordhjes masive të peshqve. Në pamundësi të komunës për analiza të tjera.

“Kemi kërkuar hetimin e rastit nga organet gjegjëse, përfshi Hidroregjionin jugor, njësia në Malishevë, që ka bërë pastrimin e gropës septike të asaj pularie dhe laboratorin e Agjencisë së ushqimit dhe Veterinës, për mos publikim të shkaktarit të ngordhjes së peshqve” ka thënë Paçarizi.

Ngordhja e peshqve në lumin Mirusha

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor përmes një komunikate ka thënë se uji nuk ka qenë shkaktar i ngordhjes së peshqve.

Kurse pronari i pularisë, Osman Telaku i kontaktuar nga KALLXO.com tha se tashmë ka dhënë deklaratë në polici për këtë çështje dhe nuk dëshiron të përsëritet pasi deklarata e tij është e njëjtë me atë që i ka dhënë policisë.

Dy të vdekur nga përplasja e trenave në Bosnjë

0

Policia e Bosnje-Hercegovinës ka thënë se dy trena të mallrave janë përplasur jug të këtij shteti duke lënë të vdekur dy persona teksa personi i tretë është i plagosur rëndë.

Përplasja ka ndodhur pak para mesnatës më 22 gusht në një stacion treni në Jabllanicë, rreth 40 kilometra në veri të Mostarit.

Mediat boshnjake kanë thënë se personi i katërt u ka ikur plagëve duke kërcyer nga njëri prej trenave pak momente para përplasjes.

Për shkak të daljes së trenave nga binarët, autoritetet kanë thënë se shërbimet e trenave në mes të Sarajevës dhe Mostarit do të mbyllen derisa të kompletohen hetimet për arsyen e incidentit.

Pedagogu 27-vjeçar i jep fund jetës me helm, mesazhet prekëse

0

Vdekja tragjike e dy të rinjve nga Lezha një ditë më parë, Gentian Tomës dhe Robert Ejllit ka bërë që shumë deputetë dhe ish-deputë t’ju kushtojnë statuse

Por mes rreshtave, në mesazhin e ish-deputetit socialist Arben Ndoka zbulohet një tjetër lajm i trishtë.

Në një ditë me dy të rinjtë qe u shuan ne aksident, mësohet të ketë vdekur edhe Bledar Lufi, 27 vjeç nga Lezha. Ai ishte pjesë e stafit akademik të Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, ndërsa thuhet se i ka dhënë fund jetës duke u helmuar.

Ndonëse janë të paqarta shkaqet që e kanë shtyrë Lufin drejt vetëvrasjes, të shumtë janë ata që kanë shprehur ngushëllime. Të tronditur për lajmin kanë mbetur kolegët e studentët e tij, që e njihnin për person pozitiv e mjaft të komunikueshëm.

Image

SBASHK-u paralajmëron grevë në tetor

0

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) paralajmëron Qeverinë e Kosovës dhe Kuvendin se afati i fundit për të përmbushur kërkesat e tyre është muajit tetor i këtij viti.

Në të kundërtën, kryetari i kësaj sindikate paralajmëron grevë të arsimtarëve.

Kjo sindikatë kërkon që Projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të viteve 1990/91 e deri në vitin 1998/99 të dërgohet në parlament për lexim të dytë dhe të votohet, por gjithashtu kërkojnë edhe ndryshimin e Projektligjit për Pagat.

Nga koeficienti 1.9, kërkojnë të bëhet 2.7 për mësimdhënësit e shkollave të mesme, 2.5 për ata të shkollave fillore dhe 2.6 për mësimdhënësit e shkollave speciale.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, tha për Kallxo.com se viti shkollor 2018/19 nuk do të fillojë me grevë sepse fillimisht janë të përqendruar në sistemimin e mësimdhënësve, sepse, siç thotë ai, çdo vit po zvogëlohet numri i nxënësve.

Por pavarësisht kësaj, Jashari thotë se SBASHK-u nuk do të rrijë i qetë pa u përmbushur kërkesat e tyre.

“Në fillim të vitit të ri shkollor nuk do të ketë greva, pra sa i takon SBASHK-ut viti i ri shkollor do të fillojë pa probleme ngase jemi të interesuar të shohim se si e sa janë sistemuar mësimdhënësit në Kosovë sepse ka frikë se për arsye të rënies së vazhdueshme të numrit të nxënësve mund të krijohen telashe edhe me normat prandaj do t’i shohim nga afër. Si dhe nuk duam që dikush të thotë se SBASHK-u e pengoi fillimin e vitit të ri shkollor, mirëpo kjo nuk do të thotë se kjo qetësi në arsimin e Kosovës do të jetë e tillë”, ka thënë Jashari.

Nëse institucionet e Kosovës nuk bëjnë aq sa duhet për ta dërguar në lexim të dytë projektligjin për statutin e punëtorëve të arsimit të viteve 90-ta atëherë SBASHK-u do të thërrasë grevë, thotë i pari i SBASHK-ut.

Ai madje theksoi se janë në pritje edhe të ligjit për pagat në të cilin kërkojnë nivelizimin e tyre dhe nëse edhe kjo nuk ndodhë, atëherë Jashari paralajmëron greva të arsimit parauniversitar dhe atij universitar.

“Po presim sinjale nga pushteti edhe për ligjin për pagat, SBASHK-u edhe në kohën e qeverisë Mustafa ka ngritur zërin ndaj këtij ligji i cili mendojmë se në këtë version është nënçmues ngase ishim në pozitë tejet të ulët dhe ishim krahasuar me pozitat në të cilat kërkohet vetëm arsimimi i mesëm. Ne kërkojmë që ky ligj të nivelizojë pagat dhe të jemi të barabartë me të tjerët. Nëse versioni i tashmë prezantuar i këtij ligji shkon për t’u votuar, atëherë nuk na mbetet asgjë tjetër vetëm të reagojmë me veprime të lejuara sindikale, pra edhe sistemin para universitar edhe atë universitar do t’i kemi në grevë.”, tha Jashari për Kallxo.com.

SBASHK-u i ka dhënë afat Qeverisë së Kosovës deri në fund të muajit tetor për përmbushjen e kërkesave të tyre, tha Jashari.

Ai beson se grevat e mbajtura deri tani ishin frytdhënëse sepse detyruan Qeverinë që të veprojë.

“Tetori do të jetë muaji kur do të japë përgjigje Qeveria dhe shpresoj të jetë pozitive sepse nuk e kanë vështirë ta analizojë propozimin tonë për ligjin e pagave sepse ne po kërkojmë të jemi të barabartë me të gjithë ata që kanë titujt të njëjtë akademik. Ne po obligohemi të bëjmë greva ngase pushteti po heziton t’i kryejë detyrat me kohë. Grevat tona kanë dhënë fryte më kujtohet viti 2015 kur pas grevës dy ditore arritëm pikën nga kontrata kolektive që ka të bëj me kompensimin 0.5 për çdo vit shërbimi jo vetëm në sektorin e arsimit. Greva që e bëmë këtë vit për projektligjin e mësimdhënësve të viteve të 90-ta dha një fryt fillestar ngase qeveria u angazhua më shumë”, përfundoi ai.

Jashari shtoi se beson deputetët e Kuvendit të Kosovës do ta votojnë projektligjin për mësimdhënësit e viteve 90-ta në leximin e dytë sepse e ndjejnë obligim moral ndaj mësuesve të tyre dhe jo për shkak të presionit nga SBASHK-u.

Policia nuk bën kallëzim penal për rastin e vdekjes së punëtorit në Prizren

0

Kanë kaluar afro dy muaj qëkur 17-vjeçari, Sëlldin Aliu, nga fshati Lubizhdë e Prizrenit, ka humbur jetën tragjikisht, në vendin e tij të punës.

I mituri humbi jetën dy javë pasi që kishte filluar punën në fabrikën e stiroporit në fshatin Mushnikovë “Sat Styro” të komunës së Prizrenit.

Aliu është viktima e gjashtë dhe e fundit deri më tani, nga rastet e punëtorëve që humbën jetën në vendin e tyre të punës deri në gushtin e këtij viti.

Por, Policia e Kosovës ende nuk e ka përpiluar asnjë kallëzim penal për rastin e vdekjes së tij.

Ani pse Inspektorati i Punës tashmë ka dorëzuar raportin zyrtar nga hetimet e bëra e në të cilin konstaton se ka pasur shkelje të Ligjit të Punës me rastin e punësimit të Aliut, si i mitur, në kompaninë e stiroporit.

Në një përgjigje me shkrim për KosovaPress, Inspektorati i Punës, ka thënë se ka pasur shkelje në dispozitat ligjore nga subjekti punues, duke filluar nga marrëdhënia e punës edhe nga siguria e shëndeti në punë.

“Sepse nga ana e punëdhënësit gabimisht është vlerësuar vendi i punës, ku është angazhuar në punë dhe detyra të punës i aksidentuar i cili ka qenë nën moshën 18 vjeçe, duke pretenduar se të riun po e angazhojnë në punë të lehta. Me këtë rast janë bërë shkelje të dispozitave të Ligjit të Punës dhe dispozitave të Ligjit të Sigurisë dhe Shëndetit në punë”, thuhet në përgjigjen e Inspektoratit të Punës.

Tutje thuhet se raporti IP-së, ka rekomanduar të përmirësohen kushtet e sigurisë në punë në subjektin punues, si dhe të evitohen shkeljet e dispozitave ligjore të evidentuara.

Procedurat në lidhje me rastin ishin nisur nga Prokuroria Themelore në Prizren e cila deri më tani ka zhvilluar vetëm procedurat parapenale dhe ende nuk ka nxjerrë një aktvendim për hetim penal, apo të dyshuar.

Në një përgjigje përmes telefonit, koordinatori për media në këtë Prokurori, prokurori Petrit Kryeziu ka thënë se janë në pritje të kallëzimit penal të Policisë së Kosovës për të vazhduar tutje dhe për të filluar hetimet.

“Deri më tash rastin e kemi pasur në procedurë parapenale ku kemi qenë në pritje të raportit të autopsisë dhe raporteve të Inspektoratit të Punës. Këto të dy raporte kanë ardh dhe jemi në pritje të kallëzimit penal nga policia. Sapo ta sjellë kallëzimin penal policia, Prokuroria do të veprojë”, tha ai.

Mirëpo prokurori Kryeziu tha se nuk mund të tregojë saktë se kur do të përfundojë kjo procedurë e të fillohet me hetime.

Ai nuk ka dashur të flas tutje në lidhje me gjetjet e raportit të Inspektoratit duke thënë se është ende herët të flitet për procedurat e ardhshme dhe se po presin kallëzimin penal të Policisë në Prizren.

Zyra për informim e PK-së në Prizren, ndërkaq, nuk ka dhënë asnjë përgjigje për KosovaPress, e pyetur se pse deri më tani nuk ka kallëzim penal në lidhje me rastin.

Zëdhënësi i Drejtorisë Rajonale të Policisë së Prizrenit, Hazir Berisha, i ka sugjeruar KosovaPress-it që të publikojë artikullin pa përgjigjen e tyre dhe se pas publikimit ai “do të dalë me version zyrtar”.

17 vjeçari Sëlldin Aliu ishte djali i vetëm në familjen Aliu dhe kishte filluar punën për ta ndihmuar familjen për shkak të kushteve të rënda ekonomike. Ai e humbi jetën në javën e dytë të punës pasi makina për prerjen e stiroporit e tërhoqi atë brenda. /KosovaPress/

Ambasada amerikane në Shqipëri thërret për kujdes rreth vizave turistike

0

Ambasada amerikane në Shqipëri njofton herë pas here mbi procedurat që duhen ndjekur për vizat e llojeve të ndryshme në SHBA dhe së fundmi bën thirrje që të mos punojnë me vizë turistike.

“Vizat turistike janë për një qëndrim të shkurtër në SHBA. – jo për të punuar apo për të ndjekur shkollën atje. Sigurohuni që ju po zbatoni rregullat e vizës tuaj kur të udhëtoni në SHBA. Nëse keni pyetje se çfarë është e lejueshme me vizën tuaj, më pyesni mua! Jam gjithmonë e lumtur t’ju ndihmoj”, shkruan Ambasada.

Ndërkohë në ikonografin e rubrikës “Pyet Annën”, ambasada sqaron se është e paligjshme për të punuar në SHBA me një vizë turistike. Vizat e punës janë në dispozicion vetëm për punë të veçanta dhe janë shumë të kufizuara.