21 C
Prizren
E martë, 24 Qershor, 2025
Home Blog Page 4650

Kryetari i Mamushës ankohet se askush nuk u mor me dëmet e vërshimeve në këtë komunë

0

Kryetari i Komunës së Mamushës, Abdülhadi Krasniç, ka dërguar në adresë të mediave disa fotografi që tregojnë për gjendjen e vërshimeve pas reshjeve të shiut në këtë Komunë.

Ai ka thënë se Komuna ka formuar një Komisioon për vlerësimet e dëmeve nga vërshimet e datës 16 gusht.

“E gjithë fusha bujqësore është marrë nga uji dhe dëmet e bujqve janë shumë të mëdha. Ka edhe shumë shtëpi në të cilat ka hyrë uji dhe janë damtuar inventaret e tyre. Deri më sot prej Qeverise së Republikës së Kosovës askush nuk ka kontaktuar me mua si kryetar ose me dikë prej Komunës së Mamushës. Edhe ne jemi duke jetuar në Kosovë, dhe edhe ne si Komunitet me shumicë turke jemi qytetarë të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai, përcjell Koha.net. “Raporti i dëmeve të shkaktuara prej reshjeve sipas Komisionit është në shumën 2 milionë e 530 mijë euro. Si Komunë kemi bërë kërkesë disa Ministri dhe Kryeministrinë e Kosovës për përkrahjen e qytetarëve për dëmet e tyre. Shpresojmë që qeveria e Republikës së Kosovës do të dalë në ndihmë qytetarëve të Komunës së Mamushës”.

Kryetari i Mamushës ankohet se askush nuk u mor me dëmet e vërshimeve në këtë komunë

Shqiptari vret një person dhe plagos një tjetër në Francë

0

Një person është vrarë dhe një tjetër është plagosur pasi janë qëlluar me thikë nga një shqiptar.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në La Roche-sur-Yon të Francës. Mediat vendase raportojnë se mes tyre ka pasur fillimisht një sherr, para se shqiptari t’i qëllonte me thikë.

Njëri prej tyre vdiq në vend, kurse personi i dytë ndodhet në spital në gjendje të rëndë me plagë në fyt dhe në bark. Bëhet me dije se mes autorit dhe viktimës ka pasur konflikt prej më shumë se një viti për shitjen e një makine.

Vrasja ndodhi në një rrugicë përpara disa dëshmitarëve. Pasi qëlloi me thikë të dy personat, shqiptari u largua nga vendngjarja, por u arrestua disa minuta më vonë në qendër të qytetit. Ai është marrë në pyetje në prani të një përkthyesi për shkak të gjuhës. Emri i tij nuk është bërë me dije.

Ronaldo tregon arsyen e vërtetë pse u bashkua me Juventusin

0

Cristiano Ronaldo ka treguar se ishin fansat e Juventusit ata që kishin ndikuar në vendimin e tij për t’u bashkuar me kampionin italian.

Kjo pasi kishte marrë duartrokitje të mëdha nga “Bianconerët” kur kishte shënuar një gol të bukur në çerekfinale të Ligës së Kampionëve ndaj Juventusit, transmeton Koha.net.

Portugezit i kishte lënë përshtypje të mëdha të duartrokitej nga tifozët e Juventusit, që thotë se ishte diçka e re për të.

“Detajet e vogla bëjnë diferencë të madhe në fund të ditës. Mund të them se ajo çfarë pash në stadium më ndihmoi të transferohem këtu. Jo 100 për qind, por ajo më bëri të mendoj”, është shprehur Ronaldo, raporton Goal.

Ai thotë se ishte një nga golat më të bukur të tij.

“Kur njerëzit filluan të më duartrokitnin në stadium dhe thash ‘ëoë’. Më befasoi shumë sepse asnjëherë nuk më kishte ndodhur në jetë, prandaj ishte një moment i pabesueshëm”, ka thënë Ronaldo, që në këtë verë u largua nga Reali për t’u transferuar te Juventusi.

Historia e fotos ku nusja qan e tmerruar!

0

Dasmat shqiptare para viteve 90-të nuk kanë qënë aspak të zakonshme. Michel Setboun hyn tek ata fotografë të huaj që kanë patur mundësi të shohin disa prej tyre gjatë komunizmit për ti fokusuar në aparatin fotografik. Prej vitesh ato kanë ngjallur kureshtjen e çdo vizitori në ekspozitat e Setboun. Tashmë këto foto ku nusja është e mbytur e tëra në vaj, dhe nuk është aspak e gëzuar mund të shihen në ekspozitën “Fundi. Fillimi.

Shqipëria 1981-1991” që vijon të qëndrojë e hapur në COD. Në fund të viteve 80-të një prej këtyre fotove është realizuar në një dasmë në veri të Shqipërisë. Nëse e sheh me kujdes nusja duket e tmerruar, po kështu edhe njerëzit që e shoqërojnë. Dalja e vajzës nga dera e shtëpisë së babait ka qenë një rit i shoqëruar me lot e trishtim nga njerëzit e shtëpisë teksa e përcjellin në shtëpinë e bashkëshortit. Këto imazhe aspak të zakonshme vijojnë të jenë interesante për publikun e huaj që kërkon të shohë zakonet shqiptare. Shqipëria e regjimit komunist.

Durrësi përbënte një nga destinacionet kryesore turistike të asaj kohe për shqiptarët dhe vizitorët evropiane. Amerikanëve, rusëve dhe kinezëve nuk iu lejohej të vizitonin vendin. Në një tjetër foto shihet fytyra e gëzuar e një kooperativisti pas prishjes së kooperativave shtetërore. Simbolet e fundit të komunizmit shkatërrohen një nga një. Një tjetër foto na çon më 1981 Durrës. Kampi i pionerëve në plazhin e Durrësit, për moshat 8 – 14 vjeç. Kampi është i rrethuar me bunkerë. Një tjetër foto tronditëse është ajo ku një burrë mban në duar një copë mishi.

Fotoja është realizuar në Plug një fshat të persekutuarish gjatë regjimit komunist. Ish të përndjekurit e kishin të vështirë të gjenin ushqim në Shqipëri. Në hapësirat e COD, Setboun sjell për herë të parë 99 foto në dimensione të mesme e të mëdha, imazhe emblematike që kanë në thelb kujtesën e dokumentimin, diakroninë përgjatë një dekade dramatike, të mbushur me ngjarje të një rëndësie të jashtëzakonshme për historinë e shqiptarëve. Ekspozita do qëndrojë e hapur për publikun deri më 2 shtator.

Festa

0

Poezi e shkruar nga Kujtim Paçaku.

Si mos të më këndohet e mos të jem
I gëzuar sot
Kur nën krah mbaj bukë
Bukë të nxehta valë
Për të gjithë ata që më presin në shtëpi
Nëna
Gruaja
Dhe shtatë fëmijët
Po nesër?
…Zoti është i madh!

Sabedin Mustafa, krenaria e diasporës shqiptare në Austri

0

Sabedin Mustafa ka lindur në vitin 1972 në fshatin Potoçan të Ulët të Rahovecit. Katër klasë të fillores i ka kryer në fshat, ndërsa katër të tjera në fshatin Fortesë. Në atë kohë nuk kishte autobus dhe Sabedini me shokë e shoqe udhëtonin në këmbë nga 8 km në ditë. Meqë ishte i rregullt dhe nuk dëshironte të bënte mungesa, ai tregon se një herë ishte dimër i ashpër dhe ende nuk ishin hapur shtigjet e kalimit nëpër borën e trashë, Sabedini ishte nisur fill i vetëm dhe kur kishte arritur në shkollë mësuesi i kishte thënë se asnjë nxënës nuk ka ardhur, madje edhe nga vetë fshati Fortesë, prandaj duhet të kthehej në shtëpi. Mësuesi e kishte ngrohur e tharë dhe e kishte dërguar në shtëpi.

Sabedini thotë se, barrën e rritjes dhe edukimit të fëmijëve e kishte marrë mbi supe nëna Qamilja, pasi që babai Asllani jetonte e punonte në Gjermani dhe rrallë vinte në shtëpi. Dhe sapo zë e flet për të ëmën, Sabedinit i mbetet fjala në fyt dhe fshin lotët që i rrjedhin faqeve.

-Ajo përjetoi shumë vuajtje në jetë, – thotë Sabedini. Asnjëherë nuk do të jemi në gjendje ta falënderojmë mjaftueshëm për gjithçka që ka bërë për ne. Ajo më mësoi si të përballem me dallgët e jetës. U kujdes për ne në kushte shumë të vështira në një fshat të vogël malor, shton Sabedini.

Pas përfundimit të shkollës fillore mësimet i vazhdova në shkollën e mesme të mjekësisë në Prizren. Kisha shumë dëshirë që të vazhdoj të studioj në Prishtinë, por ngjarjet e bujshme të asaj kohe bënë që të mos e arrij këtë synim. Në vitin 1991 më dërguan në shërbimin ushtarak, mirëpo ankohesha se kisha dhimbje koke vazhdimisht. Një mjek psikiatër, boshnjak, më diagnostikoi me probleme shëndetësore dhe më liroi nga shërbimi ushtarak për katër vjet. Pa humbur kohë u largova nga Kosova dhe shkova në Austri. Mora rrugën e mërgimit që në moshë shumë të re fill i vetëm. Fillimisht u vendosa në Eferding ku kishte më shumë shqiptarë. Nisa të punoj tek një bujk, ndërsa arrita që të bind disa shqiptarë që të regjistrohen në kursin e gjuhës gjermane tek Renate Bugner. Kjo mësuese më këshilloi që të konkurroja në spitalin e Lincit dhe për fat më pranuan. Meqë diploma e Kosovës nuk njihej, më është dashur t’ju nënshtrohem nëntë provimeve. Punoja dhe mësoja me zell. Ndërkohë erdhi edhe bashkëshortja Lumturija dhe ajo u angazhua shumë që unë të vazhdoja shkollimin. Dhënia e provimeve më hapi dimensione të reja. Kjo më mbushi me ambicie për të vazhduar me fakultetin e mjekësisë. Punoja shumë dhe arrita që në afat rekord të përfundoj edhe studimet. Menjëherë më pranuan si mjek në Linc.

E kam kryer të përgjithshmen, e pastaj mjekësinë familjare, kam specializuar për traumatologji. Tani po i bëj studimet master i shkencave të mjekësisë dhe nuk e kam vendosur ende nëse do të ligjëroj në ndonjë fakultet të mjekësisë. Aktualisht kam arritur të hap ordinancën time të mjekësisë familjare, në Satlet që më ka kushtuar mbi një milion euro. Pacientët shprehen të kënaqur me shërbimet e mia. Kam mbi 2000 pacientë, duke tejkaluar numrin e nevojshëm për të pasur ordinancë. Këtu mjafton të kesh 1500 banorë nën përkujdesje. Bashkëshortja ime Lumturija Salltakaj-Mustafa është infermiere dhe punojmë bashkë në ordinancë. Hannani, djali ynë ka nisur të merret me kompozime muzikore, mirëpo dëshira ime është që të studiojë dhe të merret me ndonjë profesion tjetër. Zgjedhja është e tij.

Komuniteti shqiptar në Austrinë e Epërme është dobët i organizuar

Komuniteti shqiptar ka nevojë për më shumë organizim dhe bashkëpunim. Mendoj se shqiptarët janë komunitet i madh, mbi 30 mijë në Austrinë e Epërme, mirëpo organizimi i tyre lë shumë për të dëshiruar. Do të doja të kisha më shumë kohë t’ju përkushtohem angazhimeve shoqërore, mirëpo e kam shumë të vështirë. Jam në kryesinë e organizatës së mjekëve të përgjithshëm për Austrinë e Epërme, si dhe aktivist në disa organizata të tjera të shoqërisë civile. Jam i angazhuar në shoqatën e teknikëve shëndetësor që kujdesen për njerëzit në kushte shtëpie, jam anëtar i shoqatës së ortopedisë e traumatologjisë dhe kjo kërkon shumë angazhime. Shteti ynë, Kosova, duhet të gjejë forma për organizim më të mirë të komunitetit shqiptar, sepse këtu ka mjaft talente dhe njerëz të vyeshëm, të cilët me punën e tyre po na bëjnë krenar të gjithëve. Fatkeqësisht, deri më tani shteti i Kosovës nuk ka bërë shumë për diasporën shqiptare në Austri. Mora pjesë në olimpiadën e nxënësve shqiptarë në diasporë, mbajtur në Melk në vitin 2017, organizuar nga konsullata e Republikës së Kosovës. Ndonëse organizimi ishte relativisht i mirë, organizatorët nuk kishin planifikuar që të kenë me vete edhe një mjek, gjë që është jashtë çdo standardi. U ofrova vullnetarisht për t’ju shërbyer këtyre fëmijëve dhe u ndjeva jashtëzakonisht mirë.

Aktualisht i kam përmbushur disa prej ambicieve të mia jetësore dhe jam i kënaqur me ato që kam arritur. Mirëpo, për këtë është dashur shumë punë e përkushtim, sepse më është dashur që krahas punës të studioj dhe të përkushtohem për familjen. Kjo është diçka që kërkon vullnet të jashtëzakonshëm. Ëndrrën time nuk kam mundur ta realizoj në Kosovë, por këtë ma ofroi Austria. Kjo ka qenë shumë e mundimshme, thotë mjeku Sabedin Mustafa, i cili me punë dhe përkushtim ka arritur të gëzojë respekt të madh në shoqërinë austriake.

Mendoj se shteti i Kosovës duhet të ketë kujdes në organizimin e diasporës, sepse komuniteti shqiptar është shumë i madh dhe ka nevojë për vëmendje shtetërore. Nëse autoritetet e Kosovës nuk gjejnë mënyra për të stimuluar dhe motivuar mjekët dhe infermierët e vendit, atëherë ekziston rreziku që Kosova të mbetet pa personel mjekësor. Përkrahja e duhur mund të ndikojë që mjekët dhe infermierët të mbeten këtu, sepse në dhjetë vitet e ardhshme mund të ndodhë që shërbimi shëndetësor austriak të ketë nevojë për më shumë mjekë. Kjo do të ndikojë që mjekët tanë të mos qëndrojnë këtu, por të kërkojnë angazhim në vendet e Evropës Perëndimore. Do të doja që sistemi shëndetësor të funksionojë më mirë në Kosovë, e në rend të parë emergjenca, sepse mund të shpëtohen shumë jetë njerëzish. E di që ky shërbim lë shumë për të dëshiruar këtu.

Për angazhimin dhe përkushtimin e tij për diasporën shqiptare, kryetari i komunës së Rahovecit Smajl Latifi i ka ndarë mirënjohje Dr. Sabedin Mustafës në 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Po ashtu, kryetari Latifi e ka pritur personalisht në zyrën e tij dhe e ka falënderuar e përgëzuar për arritjet e tij jetësore, si dhe për dhurimin e një enciklopedie në gjuhën gjermane me njëzet e katër vëllime.

Bisedoi: Qemajl Krasniqi

Drejtoria e Urbanizmit në Prizren mbetet jotransparente

0

EC Ma Ndryshe përmes një reagimi thekson se kohëve të fundit ka vërejtur një mungesë të theksuar të transparencës dhe llogaridhënies tek Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të Komunës së Prizrenit. EC-i është duke hasur vazhdimisht në vonesa dhe në përgjigje jo të plota nga kjo drejtori. Në fakt janë dy raste specifike për të cilat EC-i nuk ka marrë fare përgjigje. Këto praktika lënë hapësirë për dyshime në përkushtimin për rritjen e transparencës në punën e kësaj drejtorie.

Në rastin e parë EC ka kërkuar informata nga DUPH-ja lidhur me rishikimin e kushteve të lejes për një ndërtesë në Qendrën Historike të Prizrenit. EC me datë 3 gusht 2018 ka kërkuar informata lidhur me këtë rishikim por ende nuk ka pranuar asnjë përgjigje.

Në rastin e dytë EC ka kërkuar informata zyrtare nga DUPH-ja lidhur me Planin Rregullues në zonën afër “Euro Center” si dhe sqarime për kushtet dhe lejen ndërtimore për një ndërtesë shumëbanesore

Kërkesa e njëjtë është dërguar edhe me 11 qershor 2018 por përsëri DUPH-ja nuk ka ofruar përgjigje brenda afateve ligjore.

Përkundër faktit që qeverisja e re komunale ka premtuar transparencë radikale, këto raste tregojnë se nuk ka përpjekje të mjaftueshme në këtë drejtim. EC rikujton se në “Indeksin e Reformës së Transparencës Komunale”, Komuna e Prizrenit vite me radhë vlerësohet me notë negative, veçanërisht indikatorët që kanë të bëjnë me planifikimin urban dhe monitorimin e projekteve urbanistike.

EC Ma Ndryshe i rekomandon Komunës së Prizrenit, respektivisht Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor që të zbatojë në përpikëri dispozitat e Ligjit për qasje në dokumente publike, duke zbatuar praktika që e rrisin nivelin e transparencës dhe duke eliminuar vonesat në ofrimin e përgjigjeve lidhur me kërkesat për qasje në dokumente publike dhe informata zyrtare.

Mesfushori i Juventus zbulon të ardhmen

0

Marchisio si duket do të transferohet në Francë.

Në një video në “Instagram”, Claudio Marchisio, ka përshëndetur tifozët e Juventus, por duket se ka qenë qartësisht një mesazh që shpreh të ardhmen e mesfushorit, pasi fjala e parë e tij ka qenë: “Bonjour”, në frëngjisht do të thotë “Mirëdita”.

Atyre që e pyesin nëse do ta vazhdojë karrierën në Ligue 1, Marchisio mjaftohet të thotë: “Jam në ditët e fundit në këtë qytet. Shumë shpejt, unë dhe familja ime, do të zgjedhim, përfundimisht të ardhmen. Por me siguri më pëlqen Franca.”

Ok Franca, po ku?! Me shumë gjasa “Princi” do të shkojë në “Principatë”. Monaco është klubi që ka bërë gati ofertën për mesfushorin. Firma dhe zyrtarizimi pritet javën e ardhshme.

Ronaldo zotohet: Jam këtu për ta fituar Ligën e Kampionëve me Juven

0

Sulmuesi i Juventusit, Cristiano Ronaldo, synon ta fitojë titullin e Ligës së Kampionëve për të katërtin vit radhazi, por këtë herë me klubin e tij të ri, Juven.

Ronaldo u transferua në Juventus nga Real Madridi për 105.3 milionë euro, pasi e kishte fituar titullin e Ligës së Kampionëve tri vite radhazi me madrilenët, përcjell Gazeta Express.

Sulmuesi portugez synon ta fitojë këtë titull me klubin e tij të ri, por thotë se nuk e di nëse ky triumf do të vijë këtë vit apo më vonë.

“Dua ta fitoj titullin e Ligës së Kampionëve me Juven, do të përqendrohemi në këtë por pa u fiksuar, hap pas hapi. Më vonë do ta shohim nëse e arrijmë këtë vit, vitin e ardhshëm apo dy vite më vonë”, ka thënë Ronaldo.

“Qëllimi i këtij klubi është ta fitojë kampionatin, kupën italiane dhe, normalisht, ta japim më të mirën tonë në Ligën e Kampionëve”.

Ronaldo debutoi me Juventusin në fitoren me rezultat 3-1 kundër Chievos, por ai nuk arriti të shënojë gol në këtë ndeshje. Të shtunën në mbrëmje, Ronaldo dhe skuadra e tij do të ndeshen me Lazion.

Rasti i çerdhes “Yllka” në Prizren, reagon KMDLNJ

0

KMDLNj ka reaguar në lidhje me mosmarrëveshjes për çerdhen “Yllka” në Prizren, respektivisht largimit të menaxhmentit të Pedaks SHPK nga objekti i çerdhes.

“Njoftimi i komunës thotë se drejtuesit e Pedak-s, kanë vepruar në kundërshtim me kontratën për koncesion dhe sipas tyre, ka një sërë shkeljesh nga menaxhmenti aktual. Mirëpo, këto hedhen poshtë nga drejtori M.Y.(shtetas turk) i cili kërkon që të respkektohet kontrata në plotni. Drejtori i Pedaks-it, ka prezantuar kontratën, ku shkruan se: ‘në rast të mos marrëveshjeve eventuale, kompetente për zgjidhjen e kontestit është Gjykata Themelore’. Ndërkaq, në njoftimin, për shkëputjen e kontratës dhe lirimin e objektit-kopshti i fëmijëve ‘Yllka’ në Prizren, lëshuar nga Komuna e Prizrenit, nënshkruar nga kryetari i saj, dt.02.08.2018, thuhet që kjo duhet të bëhet në afat prej 15-të ditësh. Edhe mbrojtësi ligjor i Pedaks, pohon se ky pretendim s’mund të qëndroj dhe as të ekzekutohet, aq më parë ngase në kotratën për koncesion, pos nenit, në rast kontesti nga cila do palë, autoriteti, për vendim bie mbi Gjykatën Themelore, është edhe fakti se ky është njoftim dhe jo vendim, poashtu i kundërligjshëm, dhe pa bazë juridike” thuhet në deklaratën e KMDLNj-së.

Ky institucion ka bërë thirrje për të dyja palët që të zgjidhin kontestin përmes Gjykatës Themelore, ku secila ka pretendimet e veta, për përmbushje ose jo të obligimeve të kontratës.

KMDLNj gjithashtu ka vlerësuar se sjellja e zyrtarëve komunal është arbitrare, dhe si e tillë paraqet shkelje të të drejtave elmentare të njeriut.