22.2 C
Prizren
E shtunë, 7 Qershor, 2025
Home Blog Page 4659

Haskuka : PDK në Prizren, po manipulon

0

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka demantuar të gjitha akuzat PDK-së.

Sipas tij, akuzat e fundit të këtij subjekti opozitar, kanë për qëllim manipulimin e opinionit.

“PDK në konferencë për shtyp ndër tjera paska tentuar të manipulojë opinionin publik edhe me shifra. Në konferencë paskan thanë që Komuna e Prizrenit ka shpenzuar 201,902 euro për “udhëtime brenda vendit”, duke na treguar që në vitin 2017 për këtë periudhë kjo shifër paska qenë 34,134 euro”, shkruan Haskuka në Facebook.

“Duhet ditur që këtë vit ne kemi paguar shumë borxhe nga viti i kaluar, në këtë kategori 80,732 euro të paguara sivjet, janë për borxhin e vitit të kaluar, pra pagesë për borxhin e qeverisjes PDK. Shumicën e pagesave për këtë kategori kemi bërë në bazë të kontratave të trashëguara, prandaj edhe këto janë nga qeverisja PDK”.

“Është me rëndësi të tregohet qytetarëve që shumica e shpenzimeve në këtë kategori “udhëtime brenda vendit” janë për transportin e nxënësve dhe të mësimdhënësve brenda territorit të Komunës, pra nuk janë për “luks””.

“Duke paraqitur shpenzimet e Komunës së Prizrenit në shifra kategorike pa shpjegime të detajuara në rastin më të mirë kanë treguar mosdijen e tyre, por nëse e marrim parasysh se kanë qeverisur më shumë se 10 vite atëher kjo tregon vetëm tentim manipulimin me opinionin publik”.

“Deri më tani PDK-ja po bën opozitë për problemet që i ka krijuar vetë me keqqeverisje, shpresoj që nuk na akuzojnë edhe për 3700 raste që komuna e Prizrenit i ka nëpër gjykata “/PrizrenPress.com/

Turqit, takime në SHBA për të zbutur tensionet, Ankaraja në prag të krizës financiare

0

Një delegacion diplomatik turk do të takohet sot me zyrtarë të Departamentit amerikan të Shtetit, si pjesë e një vizite në Uashington për të zbutur tensionet.

Njoftimet për vizitën ndihmuan për të frenuar rënien e mëtejshme të lirës turke. Analistët kanë paralajmëruar se rritja e tensioneve SHBA-Turqi për shkak të arrestimit nga Ankaraja të një pastori amerikan, kërcënon të shkaktojë një krizë financiare në Turqi.

Të hënën, lira turke pësoi rënien më të madhe në një dekadë. Kjo erdhi pas njoftimeve se administrata e Presidentit Trump po shikon mundësinë që t’i japë fund përjashtimit nga taksat të Turqisë në tregun e SHBA.

Lira e rimori paksa veten pas lajmeve të vizitës diplomatike.

“Kjo ka ndikim negativ në jetën tonë, fuqia blerëse ka rënë, njerëzit janë të shqetësuar dhe ata që kanë mundësi të blejnë, kanë frikë të shpenzojnë, prandaj tregtarët nuk fitojnë dot, duhet të kemi një mjedis besimi”, thotë Murat Alp, i punësuar në biznesin e vogël.

“Unë besoj se vendet e tjera kanë ndikim, lajmet se Amerika do të vendosë sanksione kanë ndikuar tek ekonomia. Dollari është rritur, fuqia blerëse ka rënë, njerëzit janë të nervozuar, nuk duan të shpenzojnë para”, thotë Nurten Gemici, shtëpiake.

Në kushtet e pasigurisë së tregjeve financiare dhe ekonomike turke, Ankaraja duket se ka pak hapësirë për të manovruar me Uashingtonin.

Në krye të rendit të ditës të delegacionit turk pritet të jenë diskutimet rreth pastorit amerikan Andrew Brunson, i cili mbahet në arrest shtëpie në Turqi.

Ai është nxjerrë para gjyqit nën akuzat për terrorizëm.

Tensionet mes dy vendeve u shkallëzuan javën e kaluar, pasi Presidenti Donald Trump vuri në shënjestër dy ministra turq me sanksione për shkak të arrestimit të pastorit. Ankaraja u kundërpërgjigj me masa reciproke.

ANKARAJA NË KURSIN E PËRPLASJES ME UASHINGTONIN

Të martën hyri në fuqi vala e parë e sanksioneve amerikane ndaj Iranit. Urdhri ekzekutiv i së hënës i Presidentit amerikan Donald Trump, kërcënon të vendosë Uashingtonin me Ankaranë në një kurs përplasjeje.

Ankaraja këmbëngul se veprimet e njëanshme të zotit Trump nuk janë të detyrueshme për të. Mosmarrëveshjet kërcënojnë të përkeqësojnë tensionet ekzistuese mes dy aleatëve të NATO-s.

“Do të zbatojmë në mënyrë agresive sanksionet tona dhe kjo i vendos në një provë shumë të rëndësishme ato kompani, ato banka dhe ato qeveri, të cilat duan të bëjnë biznes me Iranin”, tha një zyrtar i lartë amerikan të hënën. “Do të jemi shumë seriozë në zbatimin e këtyre sanksioneve sikurse ka urdhëruar presidenti”.

Vala e parë e sanksioneve ndaj iranianit që hyri në fuqi të martën, synon kryesisht transaksionet financiare dhe shitjet e avionëve tregtarë me Iranin. Në nëntor parashikohet të hyjnë në fuqi masat për të ndaluar shitjen e energjisë nga iraniani.

Ministri i jashtëm turk Mevlut Çavusoglu e ka përjashtuar mundësinë e zbatimit të masave amerikane, duke këmbëngulur se Turqia ka detyrime vetëm ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare. Ankaraja e cilëson Teheranin si një partner tregtar kyç, për të ndihmuar në nxitjen e ekonomisë së dobësuar turke.

Nafta dhe gazi iranian janë shumë të rëndësishëm për Turqinë që ka mungesa të këtyre burimeve. Në gjashtë muajt e parë të këtij viti, Turqia importoi mesatarisht 176 mijë fuçi në ditë me naftë iraniane, që përbën 49 për qind të importeve turke.

“Dukshëm është një çështje shumë serioze në një kohë kur ekonomia turke po përballet me një periudhë të vështirë. Të heqësh dorë nga tregtia me Iranin dhe të mos kesh mundësi të blesh gaz dhe naftë mund ta dëmtonte seriozisht ekonominë turke”, thotë eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Soli Ozel, i Universitetit Kadir Has në Stamboll. “Pra, ekziston një problem i madh dhe ka shumë pak kohë në dispozicion për ta zgjidhur dhe në një kohë kur të dyja palët nuk i besojnë njëra-tjetrës”.

Marrëdhëniet e tensionuara

Mardhëniet Turqi-SHBA janë aktualisht thellësisht të tensionuara për shumë çështje për të cilat palët nuk pajtohen. Javën e kaluar, Uashingtoni ndërmori hapin e pashembullt të vendosjes së sanksioneve ndaj dy ministrave turq lidhur me çështjen e pastorit amerikan Andrew Brunson i cili mbahet i arrestuar nga autoritetet turke. Zoti Brunson, i cili përballet me akuzat për terrorizëm ndodhet nën arrest shtëpiak. Ankaraja u hakmorr me një përgjigje të ngjashme, duke i vendosur sanksione dy zyrtarëve amerikanë identitetet e të cilëve nuk janë bërë publike.

Me një Turqi importuese e rëndësishme e naftës iraniane, analistët thonë se do të jetë prioritet i Uashingtonit të bindë Ankaranë që të pajtohet me sanksionet e saj. Muajin e kaluar, zyrtarët e lartë amerikane të udhëhequr nga marshalli Billingslea, ndihmës sekretar i Thesarit për financimet e terrorizmit, vizituan Ankaranë për t’u takuar me ministrat e qeverisë dhe drejtues biznesesh me qëllimin për të ushtruar presion lidhur me çështjen e sanksioneve.

Zoti Billingslea i vlerësoi bisedimet si pozitive, por një burim konfidencial i cilësoi takimet si të vështira.

Një burim nga bizneset turke pohoi se sugjerimi i Uashingtonit për të përdorur naftën arabë në vend të asaj të Iranit, dështon të mos marrë parasysh çmimin e kushtueshëm dhe kohën që do t’u duhej rafinerive turke për t’u përshtatur me naftën saudite me cilësi me të dobët.

Ankaraja ka gjithashtu shqetësime strategjike që të mbështetet tek Arabia Saudite.

“Turqisë i thuhet të blejë naftë nga Arabia Saudite, ndërsa ka një tubacion nafte me Iranin fqinj dhe mund të sigurojë naftë bruto me një çmim më të ulët”, shkruan Ilnur Cevik, një këshilltar i lartë i presidentit në gazetën turke Sabah. “Përveç kësaj, kush mund të garantojë se Turqia mund të sigurojë prurje të qëndrueshme të naftës me çmime të arsyeshme kur Arabia Saudite herë pas here shfaq një politikë antagoniste ndaj Ankarasë?”

Ish-presidenti amerikan Barak Obama i bëri Ankarasë disa përjashtime kur vendosi sanksione kundër Iranit. Megjithatë kritikët theksojnë se Ankaraja i dëmtoi ashpër sanksionet amerikane duke përdorur arin, për të shmangur kufizimet në përdorimin e dollarëve për tregti me Iranin.

Gjatë një periudhe Turqia ishte një nga importuesit dhe eksportuesit më të mëdhenj të arit në botë. Tashmë Uashingtoni e ka mbyllur derën për të përdorur arin në tregtinë me Teheranin.

Rasti “Halkbank”

Më parë gjatë këtij viti, një gjykatë e Nju Jorkut dënoi një zyrtar të lartë të Halkbank-ut, që kontrollohet nga shteti turk, për shkelje të sanksioneve amerikane ndaj iranianit. Departamenti amerikan i Thesarit po konsideron mundësitë e vendosjes së një gjobë të majme kundër bankës, që sipas analistëve mund të jenë në disa miliarda dollarë.

Analistët e shohin përvojën e Halkbank-ut si një paralajmërim për Ankaranë dhe sistemin financiar turk për rreziqet që u kanosen nëse shkelin sanksionet e ardhshme amerikane.

“Në fakt do të detyrojë Ankaranë të zgjedhë mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara”, tha ish-diplomati i lartë turk Aydin Selcen, i cili ka shërbyer në Uashington. “Moszbatimi i sanksioneve ndaj Iranit nuk është një opsion. Do të ketë presion në rritje nga SHBA-ja duke krijuar një rreth vicioz në marrëdhëniet dypalëshe”.

Tensionet e thella mes Uashingtonit dhe Turqisë po u kushtojnë rëndë tregjeve financiare të Turqisë. Lira turke pësoi rënie të fortë javën e kaluar pasi Uashingtoni vendosi sanksione ndaj dy ministrave turq. Të hënën, monedha pësoi rënie në nivel rekord pas lajmit për tarifat e reja ekonomike amerikane kundër Turqisë.

Sanksionet amerikane ndaj Iranit janë më të fundit në një listë gjithnjë në rritje të mosmarrëveshjeve mes dy vendeve.

“Në fakt mund të ketë mënyra dalje nga e gjithë kjo” thotë zoti Ozel. “Por besimi në këto marrëdhënie është zhdukur krejtësisht dhe rindërtimi i besimin në një marrëdhënie është detyra kryesore dhe më e vështirë”. VoA

 

Lagjja e Nishorit të Suharekës vuan nga kundërmimi i ujërave të zeza

0

Lagjja Smakaj në fshatin Nishor të Suharekës që nga paslufta po përballet me kundërmimin e ujërave të zeza si rezultat i mungesës së kanalizimit.

Banorët e lagjes thonë se mbetën pa u kyqur në rrjetin e kanalizimit të fshatit pasi ai u ndërtua mbi shtëpitë e tyre.

“Problemin me kanalizim e kemi prej pasluftës. Para shtatë viteve është instaluar kanalizimi në fshat, mirëpo këtë pjesën tonë për shkak të rrjetit kryesor që ka dalë mbi shtëpia, nuk e kemi mundësinë e kyqjes. Kanalizimi është me gropa septike. Këtu përveç aromës kundërmuese që është, jemi duke i shkaktuar dëme edhe fqinjëve”, thotë Urim Bytyçi, banor.

Urim Bytyçi tregon se janë ankuar disa herë në Komunën e Suharekës, por asgjë nuk është ndërmarrë.

“Në Komunë për nja pesë herë kemi dërguar ankesë me emra, me mbiemra, me nënshkrime. Kryetari i ri tash që është ka premtuar që muaji prill është muaji më i largët që kanë me fillu punimet për kanalizim, mirëpo shkuan prilli, maji e qershori e korriku e konkrete s’kemi kurrgjë”. tha Bytyçi.

Bytyçi thotë se gropa septike e hapur nga Komuna më 2011 paraqet rrezik për jetën e fëmijëve.

“Ju edhe vetë ishit prezentë te ajo pjesë e kanalizimit ku është e hapur gropa septike katër me katër metra. Është e pambrojtur, e parrethekuar. Nuk ka kurrëfarë mburoje, ajo është rrezik se munden me u mbytë fëmija, jo përveç aromës”, shtoi ai.

Ndërsa, Xhavid Bytyçi thotë se për shkak se ujërat e zeza janë mbi sipërfaqe ekziston rreziku i shfaqjes së ndonjë epidemie.

“Kjo lagje qe shtatë vite janë kryer kanalizimet e lagjeve tjera dhe këtu nuk është bo asgjë, edhe këtu janë kanalizimet mbi tokë, është ndotje e ajrit, po fillojnë epidemi, sëmundje dmth. këtu nuk është bo kurgja. E kemi lajmëruar Komunën nuk e di sa here po nuk kanë ba kurrgja. Kërkesa jonë është që kanalizimet të jenë të kryera, nën tokë, që të mos ndotet ajri”, tha Bytyçi.

Kurse, drejtori për Shërbime Publike, Mjedis dhe Emergjencë, Enver Shabani, tha se Komuna është e njoftuar me këtë problem të kësaj lagjeje të Nishorit.

Ai tha se banorët e kësaj lagjeje kanë probleme pronësore me banorët e fshatit Breshanc dhe se kjo është arsyeja pse nuk po rregullohet kanalizimi.

“Ne në vazhdimësi jemi duke bërë përpjekje që t’i bindim banorët e fshatit Breshanc të na lejojnë kyqjen në këtë rast, përndryshe ne si Komunë kemi fond të mjaftueshëm mirëpo kemi probleme pronësore. Po i zgjodhën banorët këto probleme në jemi të gatshëm që brenda 24 orëve t’i zgjidhim këto probleme”, tha Shabani për KALLXO.com.

Përmes filmit dokumentar “Bajrako”, promovohet kultura rome në festivalin “DokuFest”

0

Në mbrëmjen e natës së pestë, në Doku N’Lum janë shfaqur tetë filma dokumentar nga studentët e shkollës së “Doku Festit” ku në mesin e tyre ishte edhe në dokumentar Rom me emër “BAJRAKO nga autori Benjamin Menekshe.

Ky ishte dokumentari i parë i një pjesëtari të komunitetit Rom nga Prizreni , I cili përmes filmit dokumentar ka shfaqur traditën dhe kulturën Rome .Filmi ndodhi si rrjedhojë e participimit në shkollën e filmit të “Doku Festit” .
Dokumentari në mbrendësi përmbante , ditën e Bajrakut (Flamurit) si festë tradicionale të Romëve e cila festohet me solemnitet të madh në Terzimahall të Prizrenit.

Gjëja tjetër unike e cila e bënë ketë dokumentar nëntë minutash , është përdorimi i gjuhës Rome për herë të parë ne një festival madhështor , ku kishte edhe përkthim titror në gjuhen Angleze.

Pas përfundimit të filmit , z.Menekshe iu përgjigje në një pyetje nga audienca ku tha “Tradita Rome nuk është kaq , ka më shumë, besoj se në filmat e ardhshëm do të përpiqem që t’ua sjelli traditën e thellë të Romëve , që do të jetë shumë interesante”.

Dokumentari u pëlqye nga publiku , dhe nuk munguan komentet pozitive./Radio “ Romano Avazo” /

Dinakëria e gjarprit!

0

FAIK KRASNIQI

Presidenti Thaçi përmes formës korrigjim të territoreve e ka vënë në pazar Kosovën, por njëkohësisht edhe tre komunat shqiptare në Kosovën Lindore. Dihet shumë mirë që Medvegja, Presheva dhe Bujanoci, deri në vitin 1956 kanë qenë pjesë e Kosovës. Dhe nëse eventualisht ndodh korrigjimi i kufinjve mes Kosovës dhe Serbisë, atëherë shkëmbimi do të duhej të ndodhte që këto tre komuna shqiptare t’i riktheheshin Kosovës, kurse Leposaviqi dhe disa fshatra t’i riktheheshin Serbisë, ashtu siç ka qenë deri në 1956 kur ka ndodh ky shkëmbim i padrejtë nga komunistët e atëhershëm, për interesa gjeostrategjike të Serbisë.

Por, qëllimi i Serbisë është që të sigurojë një Asociacion të komunave serbe me kompetenca ekzekutive, që nënkupton një autonomi brenda Kosovës, në mënyrë që brenda 20 viteve ajo pjesë të shkëputet me një referendum dhe t’i bashkëngjitet Serbisë. Ky është plani famëkeq Thaçi-Vuçiq. Kurse Hashim Thaçi duke u vetëshpallur hero i Kosovës për gjoja mos lejimin e ndarjes së Kosovës. Me këtë humbim edhe Veriun e Kosovës, por edhe tre komunat shqiptare në Kosovën Lindore.

Hashim Thaçi dinë të luajë me ndjenjat e njerëzve. Dinakëria e tij s’ka kufi. Është mjeshtër i mashtrimit dhe manipulimit. Ai është duke manipuluar me ndjenjat e shqiptarëve të Kosovës Lindore për aksham pazaret që dëshiron t’i bëjë në emër të Kosovës. Po më dhimbsen shqiptarët e Kosovës Lindore që janë duke u besuar gënjeshtrave të tij. Liderët politikë të Kosovës Lindore e njohin shumë mirë Thaçin, dhe duhet t’u tregojnë shqiptarëve atje se ai nuk e ka seriozisht bashkimin e atyre tre komunave shqiptare me Kosovën.

Prandaj, Lëvizja Vetëvendosje duhet sa më parë të organizojë protesta gjithëpopullore, dhe kësaj thirrje t’i bashkohen gjithë populli dhe partitë politike, që mos të lejohet bosnizimi dhe ndarja e Kosovës, por gjatë dialogut të shtrohet në diskutim në Bruksel edhe çështja e tre komunave shqiptare në Kosovën Lindore, në mënyrë që shqiptarët atje të përfitojnë poashtu një Asociacion të njëjtë me serbët e Kosovës. Çdo gjë reciproke. Përndryshe, Kosova me këtë President dhe klasë politike idiote, rrezikon ta humbas edhe Veriun e Kosovës përmes këtij Asociacioni, por edhe Kosovën Lindore që hiç më larg se 60 vite ishte pjesë e saj!

PS:Presidenti Thaçi duhet të na tregojë se çfarë është duke kërkuar Serbia në këmbim të Kosovës Lindore?Serbia do të pranonte të na e dorëzonte një territor që e kontrollon komplet në shkëmbim të asgjëje. Kjo është e pabesueshme.

Guardiola mbyll librin e çeqeve të City

0

Katalunasi ka lënë të kuptohet se skuadra kampione e Premierligës është duke përcjellë disa mesfushorë defansiv, por tani nuk pret ndonjë nënshkrim të ri

Manchester City me shumë gjasë nuk do ta kryejë asnjë transferim tjetër deri në mbyllje të afatit kalimtar, sipas menaxherit të skuadrës Pep Guardiola.

Qytetarët bënë vetëm një blerje të madhe, atë të Riyad Mahrez nga Leicester City, për 70 milionë euro.

Skuadra nga Etihad Stadium ka qenë e interesuar edhe për një mesfushor që ta ndihmojë Fernandinho, por në fund Jorginho vendosi që të kalojë tek Chelsea.

Latifi kërkon angazhim më të madh nga punonjësit e administratës komunale

0

Në sallën e Kuvendit Komunal të Rahovecit, sot Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka mbajtur takim me të gjithë punonjësit e administratës komunale, me të cilët ka biseduar për respektimin e orarit të punës dhe angazhimin e tyre në kryerjen e punëve me më efikasitet.

Kryetari Latifi, gjatë takimit u ka thënë punonjëseve të administratës se kërkoj nga ju që të respektoni orarin e punës, pasi që siç edhe ju e dini orari punës fillon në orën 8.00 dhe përfundon në orën 16:00 përfshi këtu edhe pushimin nga ora 12:00 deri në orën 13:00.

“Bazuar në sistemin e vijueshmërisë së punonjëseve në punë, ka raste që punëtori vjen në punë pas orës 8:00 dhe del nga puna para orës 16:00. Ju njoftoj se ata punonjës, që nuk e respektojnë orarin e punës do të marrin vërejtje dhe sigurisht që nga muaji shtator do të fillohet me heqjen e mëditjeve nga paga e juaj. Andaj respektimi i orarit të punës, është mirë për ju, për ne dhe sigurisht kjo do të ndikoj edhe në rritjen e efikasitetit, në kryerjen e punëve karshi qytetarëve, pasi që ka ankesa nga ana e qytetarëve për mos prezencën tuaj në punë”.

Tutje Kryetari Latifi ka kërkuar nga punonjësit që ti planifikojnë pushimet vjetore, duke u thënë se e di që pushimet i keni të garantuara me ligj, por përpara se të merrni pushimin të koordinoheni me eprorin tuaj, në mënyrë që mos të krijohen probleme në mbarëvajtjen e punëve në administratë karshi qytetarëve, shkaku i shkuarjes në pushime vjetore.

“Ju njoftoj se sistemi i vijueshmërisë së punonjëseve në punë shumë shpejt do të instalohet edhe në Qendrën për Punë Sociale dhe në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare “Fahredin Hoti”, në qytetin e Rahovecit”. /PrizrenPress.com/

Prokuroria interviston Mytaher Haskukën dhe Shaqir Totajn 

0

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe ish-kandidati i PDK-së për kryetar të Komunës, Shaqir Totaj,  janë intervistuar nga Prokuroria Themelore në Prizren.

“Prokuroria ka intervistuar të pandehurin Sh.T. dhe të dëmtuarin M.H. në çështjen penale të nxitjes së urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik”, konfirmoi  për “PrizrenPress” prokurori Petrit Kryeziu.

Sipas tij, rasti është në fazën e hetimeve .

“Jemi në mbledhjen edhe të provave tjera eventuale që mund të jenë relevante për rastin në fjalë”, tha Kryeziu.

Prokuroria Themelore në Prizren, ka nxjerrë një aktvendim për të filluar hetimet ndaj ish-kandidatit të PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, për gjuhën e përdorur gjatë fushatës zgjedhore vitin e kaluar kundër kandidatit të VV-së, Mytaher Haskuka.

Totaj(PDK) e Haskuka (VV), në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar kanë qenë kandidatë për kryetar të Prizrenit.

Lëvizja Vetëvendosje! në tetor të vitit të kaluar pati, dorëzuar në Prokurorinë Themelore në Prizren kallëzimin penal kundër Shaqir Totaj.

Kallëzimi penal ishte bërë për gjuhën e përdorur gjatë fushatës nga Totaj.

Vetëvendosje! në atë kohë publikoi një audio-incizim që pretendonte se dëgjohet kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, teksa thotë se “ka ardhur koha që qytetin e Prizrenit mos me ja lonë në dorë njerëzve që s’dinë me fol shqip”, duke iu referuar Mytaher Haskukës, kandidatit të VV-së për kryetar të Prizrenit.

Po ashtu, në të njëjtin audio-incizim, sipas degës së VV-së në Prizren, dëgjohet Shaqir Totaj teksa flet me nënçmim për komunitetin turk.

“A mendon se dikush tjetër, turqelia që s’din me fol shqip, ka me ardh me ta rregullu çështjen e ujit e t’rrymës?”, dëgjohet teksa thotë Totaj në një prononcim tjetër, i cili, sipas LVV-së, është bërë në një tubim parazgjedhor në Has.

“Aludimi është i qartë, ai shpif për kandidatin e LVV në Prizren, z. Mytaher Haskuka, gjoja nuk është shqiptar. Pos shpifjes, mesazh i tij shpërfaq një gjuhë të padëgjuar të urrejtjes, gjuhë përçarëse dhe fashiste. Këto incizime na kanë sjellë qytetarët tanë të cilët kanë qenë tejet të frustuar nga një gjuhë e tillë fashiste e përçarëse”.

Ndërkaq, lënda është mbyllur nga Gjykata Themelore në Prizren.

“Padia e paditësit Lëvizja Vetëvendosje-Prizren e parashtruar kundër Shaqir Totajt nga Prizreni është tërhequr”, thuhet në aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prizren,  të siguruar nga  “PrizrenPress”.

Vetëvendosje! pas fitores së Haskukës, nuk është marrë me padinë e ngritur kundër Totajt.

Ajo nuk i është përgjigjur as kërkesës së Gjykatës që të plotësojë e përmisojë padinë.

Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prizren, Afërdita Kicaj pati thënë për “PrizrenPress” se në shkresat e lëndës ekziston konstatimi(fletë- dërgesa), se paditësi e ka pranuar kërkesën e gjykatës për përmisiomin dhe plotësimin e padisë.

“ Paditësi nuk është përgjigjur në kërkesën e gjykatës, në kohën e paraparë me ligj, prandaj edhe gjykata ka marrë aktvendim që kjo çështje kontestimore është e tërhequr”.

Pavarësisht këtij, aktvendimi Prokuroria Themelore në Prizren, ka nisur hetimin e këtij rasti.

Prokurorit, Petrit Kryeziu tha se hetimet kanë filluar pas analizës së lëndës.

“Prokurori i çështjes, pranë Departamentit të Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Prizren, me plotë përgjegjësi dhe profesionalizëm e ka analizuar lëndën dhe ka nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve në këtë çështje penale”, tha Kryeziu.

Kandidati i PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, gjatë fushatës zgjedhore, arsyetohej se fjalimi i tij në Has , ishte nxjerrë nga kontesti.

Ai, padinë e Vetëvendosjes e vlerësonte politike./PrizrenPress.com /

Prizrenasi arrestohet pasi sulmon seksualisht një të huaj

0

Një banorë i Prizrenit është arrestuar nga policia pasi i njëjti është denoncuar nga një shtetase e huaj për ngacmim seksual.

Sipas njoftimit zyrtarë të policisë ngjarja ka ndodhur në rrugën e Kalasë në Prizren ndërsa viktima ka raportuar në polici se ishte ngacmuar seksualisht nga i dyshuari. Ky i fundit me vendim të prokurorit është paraburgosur.

Shtëpitë tradicionale në Prizren, vazhdojnë të shndërrohen në parkingje

0

Kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka në dhjetor të vitit të kaluar kishte reaguar lidhur me rrënimet e shtëpive të vjetra tradicionale, specifikisht në rastin e rrënimit të shtëpisë së Familjes Myftiu, duke premtuar që në ato hapësira ku gjendeshin këto shtëpi nuk do të lejohet ndërtimi i objekteve shumëkatëshe apo operimi i parkingjeve – njëkohësisht duke e bërë të ditur që në këto vende nuk do të jepet leje për asnjë aktivitet ekonomik.

Këto ditë pikërisht hapësira ku gjendej kjo shtëpi është shndërruar në parking dhe zhvillon lirshëm aktivitete ekonomike.

“Që nga ajo kohë në qytetin e Prizrenit trendi i shkatërrimit të këtyre vlerave ka vazhduar dhe numri i parkingjeve në këto prona është rritur. Deri tani nuk është ndërmarrë asnjë veprim konkret për ndalimin e zhvillimit të aktiviteteve fitimprurëse në këto hapësira nga ku janë zhdukur vlera të trashëgimisë kulturore”, thuhet në reagimin e EC Ma Ndryshe.

“Vazhdimin e këtyre aktiviteteve ilegale në Qendrën Historike të Prizrenit EC Ma Ndryshe e konsideron si një dështim të kryetarit Haskuka në përmbushjen e premtimeve të dhëna, prandaj EC i bën thirrje kryetarit që të mbajë fjalën e dhënë duke përmbushur njëkohësisht edhe obligimet e tij ligjore si kryetar i komunës”./PrizrenPress.com/