19.1 C
Prizren
E shtunë, 28 Qershor, 2025
Home Blog Page 4668

Gjendje e rënduar në Suharekë pas vërshimeve të mbrëmshme

0

Qytetarët e komunës së Suharekës janë përballur me një natë të rëndë si pasojë e vërshimeve të mëdha që ndodhën gjatë natës së kaluar.

Gjendja ishte e rëndë edhe sot në qytetin e Suharekës por edhe në fshatrat përreth.

Si rezultat i reshjeve të mëdha të shiut nga uji janë vërshuar shumë shtëpi e biznese në qytet dhe fshatra.

Banorët tregojnë për KALLXO.com për atë se çfarë ngjau gjatë natës.

Halil Bytyqi, i cili është zjarrfikës, tregon se reshjet filluan rreth orës 21:00.

Për shkak se reshjet ishin të mëdha, kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, ka kërkuar mobilizimin e të gjithë zjarrfikësve për t’u dalë në ndihmë qytetarëve.

“Mbrëmë shiu ka filluar rreth orës 9:00. Më kërkesën e kryetarit kemi dalë të gjithë zjarrfikësit në vendin e ngjarjes. Reshje të mëdha ka pasur nëpër fshatra. Suhareka nuk ka pasur reshje në atë kohë. Reshje ka pasur në fshatin Bukosh, Savrovë, Shirokë, Sopijë, Tërrnje dhe Leshan. Ekipet tona kanë dalë në terren”, tha Bytyqi.

Zjarrfikësi tregon se është një lum në qytet, i cili kur del nga shtrati, shkakton dëme në biznese e ekonomi familjare.

Lumi Toplluha disa herë në të kaluarën ka rrezikuar banorët që jetojnë përreth tij.

Nga ky lum është vërshuar mbrëmë edhe shtëpia e zjarrfikësit.

Halil Bytyqi tregon se shtëpinë e tij e kanë vizituar një komision komunal, pasi kati i parë i saj është i tëri i përmbytur.

“Janë kanë një komision komunal, kanë bërë disa fotografi, evidencë. Kjo vazhdon se ka ndodhë në shumë fshatra e sidomos në lagjen tonë. Në disa shtëpi ka pasë të lënduar. Uji ka vazhduar deri në orën 8:00 të mëngjesit të sotëm”, tha banori.

Ndërsa, kryetari i Komunë së Suharekës, Bali Muharremaj tha se Komuna ka mbledhur Shtabin Emergjent pas situatës së krijuar.

“Vërshimet kanë përfshirë diku 50 për qind të fshatrave të komunës tonë. Gjithashtu edhe komplet qytetin. Gjendja është e rëndë edhe sot. Kam thirrë edhe shtabin emergjent dhe partitë politike, i falenderoj që kanë ardhë të gjithë që të jemi bashkë. Kemi ndarë tri komisione për të bërë vlerësimet për ata që kanë nevojë emergjente. Drejtoria e Shërbimeve Publike kanë marrë urdhër për me dezinfektu terrenin dhe për të siguruar ujë të pijshëm për të gjithë qytetarët e komunës sonë”, theksoi Muharremaj.

Kryetari i Suharekës tha se ende nuk dihet vlera e dëmeve të shkaktuara nga kjo fatkeqësi natyrore por tha se do t’i dërgojnë Qeverisë së Kosovës kërkesë për kompensimin e dëmeve.

Bernard Përlazëri mohon ta ketë vrarë Hekuran Morinën, Prokuroria kërkon t’i rritet dënimi

0

Të enjten në Gjykatën e Apelit u shqyrtuan ankesat e ushtruara nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) si dhe të mbrojtësit të të akuzuarit për vrasje, Bernard Përlazëri, kundër aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë, me të cilin i akuzuari ishte shpallur fajtor.

Mirëpo, të pakënaqur me lartësinë e dënimit kanë mbetur prokuroria, e cila përmes ankesës ka kërkuar që ky dënim të ashpërsohet, kurse, në anën tjetër, mbrojtja e të akuzuarit i ka propozuar Apelit që dënimi ndaj Përlazerit, të zbutet.

Bernard Përlazeri, i cili akuzohej për vrasjen e Hekuran Morinës, në mars të këtij viti ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Prizrenit, me dënim unik prej 22 vjetësh burgim efektiv.

Trupi gjykues në shkallë të parë, të akuzuarit i kishte shqiptuar dënim prej 20 vjetësh burgim, për akuzën e vrasjes së rëndë dhe tre vjet burgim për armëmbajtje pa leje, ndërsa dënimin unik ia kishte shqiptuar në lartësi prej 22 vjetësh burgim efektiv.

Në ankesën e saj, të ushtruar kundër aktgjykimit të shkallës së parë, të cilin aktgjykim PSRK-ja e atakon vetëm sa i përket vendimit mbi dënimi, thuhet se me dënimin e shqiptuar ndaj të akuzuarit nuk do të arrihet qëllimi i dënimit.

Siç thuhet në ankesë, shkalla e parë nuk ka vlerësuar drejt rrethanat rënduese ndaj të akuzuarit e që sipas prokurorisë, janë sidomos shkalla e lartë e dashjes dhe rrezikimi i personave të tjerë nga ana e të akuzuarit në ditën kritike.

Për këto arsye, prokuroria i ka propozuar Apelit, që ndaj të akuzuarit të shqiptojë një dënim më të ashpër.

Të njëjtën kërkesë për gjykatën e shkallës së dytë e paraqiti edhe Qazim Xharra, avokat i palës së dëmtuar në këtë rast, Luljeta Morinës.

Sipas Xharrës, duke pasur parasysh pasojat e shkaktuara, dënimi ndaj të akuzuarit është i butë, andaj ka kërkuar që të akuzuarit t’i shqiptohet një dënim më i lartë.

Në anën tjetër, mbrojtësi  i të akuzuarit, avokati Ndrec Dodaj, tha se ankesën e ka paraqitur fillimisht vetëm për shkak të vendimit mbi dënim, e ku ka kërkuar që dënimi ndaj të mbrojturit të tij të ulet.

Sipas ankesës së avokatit Dodaj, shkalla e parë është dashur të merr për bazë edhe rrethanat lehtësuese për të akuzuarin.

Dënimi i shqiptuar ndaj Përlazërit, sipas ankesës së mbrojtësit të tij, është hakmarrje ligjore dhe jo proporcionale me veprimet e të akuzuarit.

Mirëpo, kur i erdhi radha që këtë ankesë ta elaboroj në seancën e së enjtes, avokati Dodaj tha se pas konsultimit me të mbrojturin e tij, ka vendosur që tashmë, aktgjykimin e shkallës së parë ta atakojë për të gjitha bazat.

Kjo, pasi siç tha Dodaj, i mbrojturi i tij është shprehur i gatshëm të flas dhe të tregojë se kush qëndron prapa vrasjes së Hekuran Morinës.

“I akuzuari ka mendu që do të dënohet më pak, por tash ai do të flas se ka thon nuk e kom njet me nejt n’burg 20 e kusur vjet. Tash ai do të fol nëse do kemi rigjykim”, tha Dodaj në fjalën e tij.

Sipas mbrojtësit, gjendja faktike nuk është vërtetuar siç duhet, pasi që, siç tha Dodaj, viktima është qëlluar në anën e djathtë, kurse i akuzuari ka qenë në pozitë ballore me viktimën.

Vet i akuzuari Përlazëri, tha se kjo vrasje ka mundur të zbulohet shumë lehtë nëse do të ishin shikuar kamerat në vendngjarje.

Për më tepër, Përlazëri tha se rreth 20 plumba janë gjuajtur në drejtim të tij dhe se i njëjti edhe është plagosur, mirëpo siç tha, askush nuk ka jep llogari për këtë.

“Unë nuk jom kryes i veprës, për Fadilin se mohoj….Ju lus të vendosni drejtë se mu më osht bo e padrejtë”, tha i akuzuari në fjalën e tij.

Ndryshe, Prokuroria Speciale, me 11 nëntor 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit Bernard Përlazeri, me arsyetimin se ka kryer veprën penale të vrasjes së rëndë dhe armëmbajtjes pa leje.

Sipas aktakuzës, i akuzuari me 7 shtator 2015, rreth orës 20:30, pasi ka përcjellë lëvizjet e të ndjerit Hekuran Morina dhe vëllait të tij Fadil Morina, në lagjen “Bazhdërhane” të Prizrenit, dhe së bashku me nipat e tij të cilët gjenden në arrati, ka qëlluar mbi ta duke vrarë Hekuranin dhe plagosur rëndë Fadilin.

Si pasojë e kësaj ngjarjeje, i akuzuari Bernard Perlazeri ishte arratisur për një kohë dhe gjithashtu ishte suspenduar përkohësisht drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Nexhmedin Krasniqi.

Ndërsa, nipërit e të akuzuarit, Ambroz dhe Leonard Përlazeri, ende gjenden në arrati që nga dita kur kishte ndodhur ngjarja./betimiperdrejtesi/

Masa paraburgimi ndaj dy të dyshuarve nga Prizreni

0

Gjykata Themelore e Prizrenit ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej një (1) muaji ndaj të pandehurit me iniciale R.K. nga Prizreni.

Masa u shqiptua për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale të vrasjes së rëndë në tentativë dhe mbajtjes në pronësi, kontroll, posedim të paautorizuar të armëve.

Kjo masë do të zgjasë prej momentit të arrestimit datë 13.08.2018 deri më datën 12.09.2018.

Masë paraburgimi u shqiptua edhe për të pandehurin me iniciale E.K. nga Prizreni për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të pjesëmarrjes në rrahje.

Ai do të jetë në paraburgim prej 15 ditë, nga 13.08.2018, e deri më 27.08.2018.

Në ditën kritike i pandehuri me dashje vë në rrezik jetën e njerëzve me tentimin që ta privojë nga jeta personin me iniciale D.B. duke shkrepur ndaj pistoletën e cila e godet në pjesën e pasme të kokës.

Si pasojë e goditjes ai bie ë komë dhe është nënshtruar trajtimit mjekësor, në QKUK.

Predha e njëjtë godet edhe të dëmtuarit me iniciale A.B. dhe E.K..

Si pasojë e mosmarrëveshjes që kishte ndodhur në parkingun e të pandehurve me iniciale (R dhe E), i pandehuri E.K. merr pjesë në rrahje, e cila rezulton me lëndime të rënda trupore të D.B.

Katër të arrestuar për vjedhje në Prizren

0

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media bën të ditur se katër persona, në dy raste të ndryshme, të dyshuar për vjedhje janë arrestuar në Prizren.

“Në dy raste të ndryshme, sot janë arrestuar katër persona, të gjithë në cilësi të dyshuarve për raste të grabitjeve. Rasti i parë ka të bëjë me të dyshuarin S. M., i cili ishte në arrati që nga data 19 maj dhe dyshohet se ka qenë i përfshirë në grabitje të armatosur që pati në ndodhur vonë në mbrëmje në fshatin Gjinoc”, thuhet në komunikatë.

Më tutje thuhet se, “sot është arrestuar nga Policia e Prizrenit edhe një grup i të miturve prej tre të dyshuarve që kanë kryer grabitje në qytetin e Prizrenit. Ky grup është marrë me grabitjen e çantave të krahut, telefonave dhe portofolave”.

Gjatë bastisjes së shtëpive të këtij grupi, tek njëri prej tyre është gjetur dhe sekuestruar një sasi e drogës e llojit marihuanë.

Hetuesit policorë po punojnë që të ndriçojnë edhe raste tjera që ka mundur t’i kryejë ky grup. Pritet që prokurori i shtetit të merr vendim për procedim të rastit.

Pse nuk po dezinsektohet Prizreni ?!

0

Shkruan: Naser Bresa

Sipas informacionave të marra nga media dhe institucione relevante mjeksore rezulton një i vdekur në Kosovë. Viktima a ishte vërtet pasojë e thumbimit dhe helimit(VNP) apo vuante nga ndonjë smundje tjeter kronike që thumbimi dhe helm i inokuluar të barza shkaktonte vdekje.

Besoj, me rëndësi është të kthjellohemi, të ofrojmë kontributin tonë për të parandaluar fenomenin e thumbimit nga mushkonja me potencë intoksikuese.

Këtij reagimi, do ju bashkangjesim një foto pas thumbimit të mushkonjës (dyshohet se është me VNP), si dhe gjurmët që vërehen të këmba e një fëmiu në komunën e Prizrenit, që sigurisht se është një nga mijëra raste të thumbuara në këtë komunë!

Ky rast tregon se komuna e Prizrenit nuk është imune në korelacion me mushkonjat parazitare, që mund te jenë edhe të tipit anaffeles(13 lloje të tyre). Për hirë të lexuesve, mushkonjat malarike-annafeles(femër), të cilat kanë mundësi të bartin parazitin me përmasa vdekjepruse, ky lloj dhe shumë të tjera mund të jenë të shpërndara rreth ligatinave, klimë mesdhetare, pranë bregdetit, që potencialisht mund te jenë edhe në bregdetin shqiptar. Mushkonjat malarike, janë bartëse e parazitit patogjen(Plazmodium vivax), si dhe lloje tjera intoksikuese, që si pasojë kanë efekt shkatërruese në organe vitale, nga më e atakuara është Shpretka(Lien).
Sot, Prishtina po dezinsektohet, po Prizreni apo dezinsektohet, pyetje që bëjnë shumë qytetar të këtij qyteti me vlera kulturo-artistike dhe tradicionale?!

Besoj se përgjegje më e mirë në këtë pytje është, të filloj dezinsektimi në kohë rekord, sepse çdo ditë e më shumë po përhapet mushkonja me përmasa inotksikuese.

Mënyra dhe forma e dezinsektimit duhet të jenë konformë standardeve mbi dezinsektim apo dezinfektim, duke ruajtur shëndetin e qytetarëve gjatë kohës së dezinsektimit, jo si rasti i Prishtinës, ku dezinsektuesit ishin të pajisur me masa mbrojtëse po thujse janë në zona të kontaminuara me ‘’Sarin’’ apo helmet e shkatrrimit në masë, gjersa pranë tyre luanin apo qarkullonin fëmijë dhe qytetar të ndryshëm, paradoks…! Vërtet, pamje të atilla, emituar në media publike ishin jo vetëm irituese, por më shumë neveritëse, përbuzëse për cdo qytetar të vendit tonë. Dezinsketues të këtillë, qoftë kompani apo institucione perkatëse, kërkojnë monitorim nga institucione profesionale për të ngritur shkallën e mobilitetit(masë mbrojte apo preventive për popullaten-largim dhe kufizim lëvizje për kohë të caktuar), sepse po bëhët dy herë helmim, një nga mushkonjat mund të janë bartëse e VNP-virusi Nilit Perendimor, si dhe helmimi direkt nga pompimet me insekticid që janë irituese për organet e frymëmarrjes dhe organzimin në tërësi. Sigurisht se mbrojtja e shëndetit të dezinsektueseve duhet të jetë në nivel maksimal, por je vetëm i tyre edhe i qytatarëve, sepse helmet e këtilla dinë shumë mirë të depozitohen në gjëndra përkatëse, në kohë të dytë do jenë paraprijëse të smundjeve tjera.

Po e potencoj këtë rast në Prishtinë, për të mos ndodhur në Prizren dhe askund tjeter, shëndeti është mbi të gjitha, në këtë rast, ‘’amaneti’’ po shkon në drejtim të kryetarit të komunës i cili ka marr përgjegjësinë për të ndërtuar platformë ndryshe qeverisëse!

I nderuar kryetar, sot qytetarët e Prizrenit po lëngojnë nga thumbimi dhe intoksikimi nga mushkonajt neveritëse, me përmasa bartëse të VNP-së, që si vektor mund të jenë shpendët apo transmisiues tjerë, andaj qytetarët nuk ndjehen të qetë, ndër më të ekcituarit janë fëmijët, mbase edhe më të rrezikuar, duke mos përjashtuar të moshuarit, me imunitet fragjil.

Komuna e Prizrenit duhet të marr masat e mundshme për të krijuar mjedise të qeta(dezinsektim ekuivalent), pa rrezik, parasëgjitash për qytetarët e vetë, pastaj për shumë turist të cilët kanë zgjedhur qytetin e Prizrenit, me vlera tradicionale, por jo me helm të mundshmëm VNP.

Mushkonjat me karakter infektues, janë determinues te suksesëshëm, imobilizues dhe inokulues helmi aty ku afektohen më së shumti, dhëmbja dhe vuajta vazhdon, aq sa edhe rëndesa e përgjegjesisë mbi institucionet përkatese.

Opozita kërkon mbajtjen e “Zambakut të Prizrenit”

0

Opozita në Prizren kërkon mbajtjen e Festivalit “Zambaku i Prizrenit”.

Kuvendari i AAK-së, Ilir Baldedaj, në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit, tha se me mosmbajtjen e “ Zambakut…”, përbuzen vlerat që ka Prizreni.

Ai, kërkoi dorëheqjen e drejtorit të Kulturës.

Ndërkaq, Shefi i Grupit të kuvendarëve të PDK-së Simir Krasniqi, akuzoi pushtetin për shumë dështime, në mesin e tyre edhe Festivali “ Zambaku i Prizrenit”.

Kuvendari i LDK-së, Haziz Hodaj tha se debati për “Zambakun…” është i kot “pasi që kryetari ka njoftuar se ky festival do të mbahet”.

Kuvendarët e pozitës, ndërkaq nuk kanë marrë pjesë në mbledhjen e jashtëzakonshme të kërkuar nga AAK./PrizrenPress.com/

Fatos Kongoli rrëfen jetën pas operacioneve, “Mendova eutanazinë”

0

Nuk mbaj mend çfarë më preku më shumë kur hyra në dhomën e spitalit. Fakti që nuk e njoha, aq shumë qe ligur e tretur, apo gjendja e pashpresë në të cilën e pashë. Atë pasdite të vonë fillim marsi, Fatos Kongoli dergjej në katin e parë të repartit të Kirurgjisë në QSUT, në gjendje kritike, pas dy operacioneve të vështira, që nuk dihej si do t’u shkonte filli, shkruan Beti Njuma në Gzetën Shqiptare.

Qe operuar fillimisht në 12 janar, dhe ndërhyrja e dytë, më 10 shkurt kish qenë rrënuese për trupin e tij të brishtë. Shkrimtari i dashur ishte diagnostikuar me kancer dhe drama e tij qe konsumuar në heshtje me bashkëshorten Lilin, që s’i ndahej për asnjë çast, larg fëmijëve që jetojnë në Amerikë dhe vetëm me ndihmën e mjekëve e të personelit spitalor, që e kishin ndjekur me kujdes ditë pas dite.

Ndoshta askush nuk do ta kish marrë vesh që Fatos Kongoli ishte rëndë pas dy ndërhyrjeve kirurgjikale, i klasifikuar me diagnozën “Ca – rectum”, sikur më 28 shkurt, në “Facebook”, botuesi i tij Fatmir Toçi të mos kish postuar lajmin e rëndë: “Fatos Kongoli ndodhet në periudhën postoperatore në QSUT ‘Nënë Tereza’ dhe ka nevojë për dhurim gjaku…”

Fatos Kongoli rrëfen jetën pas operacioneve, â??Mendova eutanazinëâ?

Nuk e mendova dy herë. Edhe unë si shumë miq të tjerë renda në spital për të dhuruar gjak ndërsa në shtratin e dhomës së spitalit, (shefi i pavionit kish liruar enkas për shkrimtarin zyrën e tij) gjeta një njeri kockë e lëkurë, të verdhë, të harkuar mbi shtrat, me duart të përdredhura, me sytë e trembur e pa shkëlqim që përhumbeshin diku dhe fytyrën e ngrirë, pa atë buzëqeshjen miqësore që ia njihja mirë, pas shumë takimesh e intervistash që kemi realizuar së bashku.

Bashkë me Fatosin gjendej Lili, bashkëshortja, infermierja, shoqja e netëve të gjata pa gjumë, e dhimbjeve para e pas operacionit, e tekave të kuptueshme për një të sëmurë të atij stadi, që prej dy muajsh jetonte në pavion, duke u kotur sa në karrige e sa tek këmbët e shtratit spitalor, shoqëruese e pandarë në të mirë e në të keq.

Në atë mbretëri dhimbjeje ku koha rrjedh duke pritur, ku nga të katërta anët kishte të sëmurë, shumë syresh edhe të pashpresë, Lili dhe Fatosi u gëzuan që pas tre muajsh dhoma u mbush jo vetëm me mjekë, por me fytyra të dashura miqsh që u shprehën mbështetjen, iu gjenden pranë dhe u thanë një fjalë të mirë, atë që shkrimtari kish nevojë të dëgjonin: Do t’ia hedhë paq!

E lehtë të thuhej me fjalë! Aq më tepër kur në ‘Ipad’-in që mbante në duar, në hapësirën Notes, pas operacionit të vështirë Lili kishte shënuar: Një tmerr i vërtetë! Qoftë me kaq!

Kanë kaluar thuajse pesë muaj, dhe tek më tregon shënimin e bërë ato ditë të vështira buzë vdekjes së të shoqit, Lulu, emri me të cilin Fatosi e thërret me përkëdheli, i kthen sytë drejt tij, i shtrëngon duart dhe nis të përshkruajë edhe një herë shtigjet e atij udhëtimi të dhimbshëm, ku burrë e grua u besuan njerëzve me të bardha. Fatosi e dorëzoi veten pa rezerva, pa kushte, por tek e fundit a kishte zgjidhje tjetër?

Çiftin Kongoli e takoj në Qerret, në një vilë të bukur buzë detit ku janë zhvendosur që prej fundmarsit, pas daljes nga spitali. Miku Julien Roch, të cilit i janë pafundësisht mirënjohës u ka vënë në dispozicion shtëpinë e tij dhe gjithçka nevojitet për aftësimin e plotë të shkrimtarit.

Është pasdite herët dhe teksa pres hapjen e një porte të madhe hekuri afshi i nxehtë i gushtit më përvëlon dhe habitem sesi rrëzë pishave të larta nuk depërton asnjë grimë nga ajri i freskët i detit, pak metra më tej. Pas portës gri shfaqet Fatosi dhe e shoqja. Jemi të gëzuar që shohim njëri-tjetrin. Jam e lumtur që Fatosin e gjej përsëri në këmbë. Çapitet me kujdes e po ashtu ngadalë ngjit shkallët që të shpien në një holl gjigant me një mori librash në gjuhë të huaj, e ku mbi një piano gjenden edhe pesë tituj në shqip nga krijimtaria e tij. Ulemi dhe jam e paduruar të dëgjoj si ka ndodhur mrekullia, si u ngrit në këmbë përsëri teksa kujtimi i fundit që ruaja ishte ai i një burri në limb.

Me zërin e shtruar e duke mbajtur gjallë bisedën Fatosi nis të rrëfejë kalvarin e sëmundjes, neglizhencën e tepruar që e çoi buzë vdekjes, analizat e njëpasnjëshme, ndërhyrjet, punën e shkëlqyer të dy mjekëve Prof Edmond Çelikut dhe Henri Kolanit dhe tërë ekipit mjekësor pa harruar qindra mesazhe nga miq e dashamirës, edhe të panjohur. “Erdhën njerëz që s’i njihja, lexues që nuk i mbaj mend” thotë Fatosi teksa kujton se ndodhi pikërisht ajo që s’donte, zhurma mediatike.

Operacioni i dytë ishte fatal. Humbja në peshë e shoqëruar me degradimin fizik i pamundësoi jo vetëm ecjen por edhe ndjeshmërinë në pjesët dërrmuese të trupit. “Isha një gjysmë i vdekur” rrëfen shkrimtari për çastet e pezullta mes jetës dhe vdekjes. Ndonëse ka kujtime të mjegullta të periudhës së kaluar në reanimacion një gjë mban mend mirë gatishmërinë dhe mirësinë e personelit spitalor që i jepte kurajë.

Pastaj lëshon fjalinë që të mbledh një lëmsh në grykë: “Mendova eutanazinë! Kur mësova hollësitë e post-operacionit, thashë, e ç’më duhet jeta?! Lutesha që të ikja”. Kërkonte një ikje dinjitoze, ashtu siç mund të kenë bërë edhe njerëz të tjerë të letrave. Si mund të harrohet rasti i shkrimtarit belg Hugo Claus, disa herë kandidat për Nobelin në letërsi, i cili në mars të 2008-ës, në moshën 78-vjeçare pas një kalvari të gjatë me Alcaimer, vendosi t’i japë fund jetës me eutanzai. Që sëmundja të mos e bënte të huaj ndaj vetes dhe të tjerëve shkrimtari i njohur zgjodhi “vdekjen e ëmbël” në një klinikë të Anversës në Belgjikë, një nga tri shtetet europiane bashkë me Luksemburgun dhe Holandën ku lejohet eutanazia.

Për fat, ky nuk ishte rasti për shkrimtarin shqiptar. Sot kur flet për eutanazinë Kongoli qesh me këtë mendim të çasteve të thella të dëshpërimit. Por kush ka jetuar aq gjatë në spital dhe pa shpresë e di se aty jeta ndalet, pëson një frenim dhe koha është e ndryshme. Një botë thuajse paralele, një dimension tjetër.

E tillë është edhe jeta e re pas spitalit, periudha e rehabilitimit dhe e riaftësimit fizik. Tashmë prej pesë muajsh, bashkë me çiftin Kongoli në vilën e Qerretit jeton edhe fizioterapisti i tij, Ermal Hylviu. “Nëse jetën ma shpëtuan kirurgët Çeliku dhe Kolani, Ermali më ka ngritur në këmbë”, thotë Fatosi, pa harruar sigurisht heroinën e vërtetë të çdo çasti, Lilin.

Që prej 21 marsit, dita e daljes nga spitali, dy herë në ditë shkrimtari i është nënshtruar një programi të specializuar rehabilitimi për të vënë përsëri në punë muskujt e duarve e këmbëve. Një proces i gjatë përballjeje me jetën e re, ku nuk ishte më zoti i vetvetes, por plot këmbëngulje titanike që me punë trupi të gjente mënyrën për të rifituar vetveten.

Një proces i gjatë për të mësuar teknikat për të kryer edhe lëvizjet më të parëndësishme, duke u stërmunduar shumë për të arritur një minimum pavarësie, deri sa dora-dorës u ngrit nga shtrati, arriti të çapitet, mbështetur pas parmakëve dhe Ermalit derisa u ngrit përsëri në këmbë. “Mësova nga e para të eci si një fëmijë, mësova të jetoj përsëri”.

Në moshën 74-vjeçare, jeta e Fatos Kongolit, njërit prej shkrimtarëve më të dashur shqiptar ka ndryshuar. Në sirtarin e tij sot nuk ka më vetëm iluzione, personazhe përmes të cilave të zbërthejë vetveten, por ka shpresë dhe një dëshirë të madhe për të jetuar. S’më mbetej veçse ta uroja: Mirë se erdhe përsëri mes nesh! (Konica.al)

Vërshime në Suharekë, dëmtohet objekti i Komunës

0

Në objektin e Komunës së Suharekës është duke u sanuar gjendja nga vërshimet, pas shiut që ka rënë mbrëmë, njofton Klan Kosova.

Zyrtarët e komunës, ekipet emergjente dhe vullnetarët po sanojnë gjendjen e krijuar në zyrat e Gjendjes Civile dhe në Drejtorinë e Financave.

Mbrëmë në Suharekë pati vërshime si pasojë e reshjeve të mëdha.

Ndërprehet dasma në Suharekë, vërshohet salla (Video)

0

Një dasmë në Suharekë është lënë në gjysmë pasi që  uji ka depërtuar në sallën ku po mbahej kjo dasmë.

Në videon e publikuar nga faqja e Televizionit të Prizrenit në Facebook shihen disa momente teksa dasmorët lënë sallën.

Mbrëmë në Suharekë pati vërshime edhe në vende të tjera si pasojë e të reshurave të dendura.

Takohen në hotel dy përforcimet e reja të Milanit, zyrtarizimi së shpejti (FOTO)

0

Samu Castillejo dhe Diego Laxalt janë takuar në hotel para se të kompletojnë transferimin te Milani.

Ish-lojtari i Interit, Diego Laxalt, do t’i bashkohet Rossonerëve nga Genoa për 14 milionë euro plus 4 milionë bonuse, ai arriti në mbrëmë në Milano.

25-vjeçari, i cili po i kryen testet mjekësore –  u takua në hotel me blerjen tjetër të re të ekipit të Genaro Gattusos, Samu Castillejo, që është transferuar nga Villarreali.

Anësori 23-vjeçar gjithashtu do t’i kryejë gjatë ditës së sotme testet mjekësore dhe mund të prezantohen së bashku me Laxalt te Milani. /Insporti.com/