24.5 C
Prizren
E shtunë, 28 Qershor, 2025
Home Blog Page 4670

Komandant, raporton Zëvendësministri!

0

IMER MUSHKOLAJ

Është shumë tragjike, për të qenë komike sa kush paguhet nga paratë tona dhe mban post zëvendësministri. Çfarë mund të presësh nga të tillë që, në raportet e tyre të shkruara për gjynah, punë e llogaritin edhe dërgimin dhe pranimin e emailave, pjesëmarjen në mbledhjet e kabinetit qeveritar ose në festën e organizuar për Vitin të Ri? Natyrisht, jo të gjithë janë njësoj. Por, fatkeqësisht, injoranca mbizotëron.

Përderisa Hashim Thaçi gjatë gjithë këtyre javëve të fundit po vazhdon ekzibicionet politike dhe talljen me qytetarët, as Qeveria nuk po ia lëshon rrugën. Seriali tragjikomik me zëvendësministrat vazhdon. Raportet e shumë prej tyre, për punën tremuajshe, janë për gjynah. Shumë nga ata nuk dinë as të shkruajnë shqip si duhet. Çfarë mund të presësh nga të tillë, të cilët punë e llogaritin edhe dërgimin dhe pranimin e emailave, ose pjesëmarjen në mbledhjet e kabinetit të qeverisë? Çfarë mund të presësh nga të tillë, që punë e llogaritin edhe pjesëmarrjen në emisione televizive, madje edhe deklaratat e dhëna nëpërmjet telefonit për emisione në radio? Çfarë mund të presësh nga të tillë që punë e llogaritin edhe pjesëmarrjen në festën e organizuar me rastin e Vitit të Ri?

Natyrisht, jo të gjithë janë njësoj. Në mesin e armatës së zëvendësministrave ka njerëz kredibilë, të cilët e dinë pse janë në atë pozitë dhe përpiqen të kryejnë punë si duhet. Por, të tillët humbasin në detin pafund të injorancës e budallallëkut që ofrojnë, madje me shkrim, të dhjetëra e dhjetëra zëvendësministrave që kanë zënë pozita jo sipas meritokracisë, por sipas partiokracisë. Janë aty jo se kanë punë për të bërë, por sepse partia i ka deleguar për t’ua gjetur një vend të mirë pune si shpërblim për dëgjueshmëri e militantizëm. Janë aty për të shpenzuar buxhetin tonë kot, me shpenzime fillestare prej 1150 eurosh, sa e marrin pagën, pa llogaritur këtu shpenzime tjera, si makina e shoferë, mëditje e pagesa telefonash, drekash e darkash, vizitash brenda e jashtë shtetit. Shumë tragjike, për të qenë komike. Shumë e dhimbshme, për të të ardhur të qeshësh.

* * *

Numri i madh i zëvendësnministrave, shumica kot, shpërfaq mentalitetin qeverisës të kabinetit të uhdëhequr nga Ramush Haradinaj. Rehato sa më shumë njerëz në poste, emëro ministra e zëvendës të tyre, emëro koordinatorë, emëro këshilltarë e çka jo tjetër – sepse, siç thuhej, do të ishte qeveri e punëve të mëdha. Por, po del të jetë qeveri jo e punëve, por e shpenzimeve të mëdha.

Është mëkat sa kush në qeveri merr rroga të majme nga paratë tona. Mjafton të lexohen raportet e zëvendësministrave dhe të shihet gjithë padituria dhe paaftësia e shumë prej tyre. Njerëz që nuk dinë të shkruajnë shqip as në nivelin e një nxënësi të shkollës fillore, përpiqen të tregojnë se si i kanë kaluar tre muaj ditë në post. Ka nga ta që punë e llogaritin edhe pjesëmarrjen në mbledhjet e qeverisë, madje edhe takimet me shefat e tyre ministra. Të vjen gërdi teksa lexon raportet e atyre që nuk e dinë çfarë pune bëjnë e duhet të bëjnë. E vetmja gjë që dinë është se janë në ato poste për të përfituar financiarisht dhe të tjera privilegje. Kaq.

Të vjen gërdi teksa lexon në raporte se disa nga ta ende nuk po arrijnë të vendosin komunikim me ministrat e tyre. Si të punojnë dhe çfarë të punojnë, kur nuk flasin me shefat e tyre?

Siç të vjen të plasësh kur sheh armatën e këshilltarëve në zyrën e kryeministrit, shumë nga të cilët janë aty për arsye të njëjta si shumë zëvendësministra – jo për të këshilluar, por për të përfituar. Për të përfituar nga qeveria e shpenzimeve të mëdha.

* * *

Kallxo.com që po publikon raportet e zëvendësministrave të Qeverisë Haradinaj, dosjen e raporteve e ka quajtur “Ushtarët” e Gjeneralit. Vetëm për pagat e këtyre “ushtarëve”, qytetarët e Kosovës paguajnë miliona euro në vit. Plus miliona të tjerë paguhen për shpenzimet shtesë të tyre.

Në këtë rast gjenerali është kryeministri, i cili kishte premtuar një qeverisje ndryshe, por se që në fillim u pa se nuk dallonte nga të tjerat, përkundrazi, degradoi edhe më shumë sa i përket numrit të madh të ministrave, zëvendëskryeministrave, këshilltarëve, zëvendësministrave, koordinatorëve…

Raportet e “ushtrisë” së zëvendësministrave po shpërfaqin mënyrën se si funksionon kabineti qeveritar megaloman. Haradinaj do të ishte mirë që, për fillim, shumicës së zëvendësministrave t’u organizojë kurse të gjuhës shqipe. Në vend se t’i këshillojë gazetarët të shkollohen e mësojnë më shumë, do të ishte mirë që zëvendësministrat e tij të paktën të mësojnë të shkruajnë shqip. Në këtë mënyrë, edhe qytetarët e Kosovës do ta kishin më të lehtë t’i kuptojnë raportet e tyre. Do ta kishin më të lehtë të kuptojnë se çfarë pune bëjnë njerëzit që ua shterrin buxhetin për t’i qeverisur – çfarë pune bën “ushtria” e gjeneralit të “punëve të mëdha”.

Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/oped/komandant-raporton-zevendesministri-567361/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Vrau 8 kushërinjtë se e akuzonin për pulat? Zbulohet konflikti i vjetër i familjes së Ritvanit

0

Masakra e Selenicës disa ditë më parë, ku një 24-vjeçar vrau 8 kushërinjtë e tij nuk ka ardhur për shkak se ai u ofendua. Ritvan Zykaj deklaroi në Gjykatë se ngjarja kishte ndodhur për shkak se e akuzonin gjithnjë për vjedhje dhe se…

Masakra e Selenicës disa ditë më parë, ku një 24-vjeçar vrau 8 kushërinjtë e tij nuk ka ardhur për shkak se ai u ofendua.

Ritvan Zykaj deklaroi në Gjykatë se ngjarja kishte ndodhur për shkak se e akuzonin gjithnjë për vjedhje dhe se akuza e fundit kishte qenë për disa pula.

Mirëpo shkaku i vrasjes duket se nuk është vetëm ky, pasi mes dy familjeve kishte pasur gjithmonë konflikte për çështje pronash.

Panorama shkruan se familja e tetë viktimave kishte jetuar më parë lart në kodrine në fshatin Resulaj.Pas viteve 2000, ata kishin zbritur në fshat ku ndërtuan banesat në tokat e tyre. Por kjo nuk është mirëpritur nga familja e autorit të krimit. Madje, kanë pasur mosmarrëveshje për një pjesë të kësaj prone.

Edhe trupat e viktimave nuk janë varrosur në varrezat e fshatit por në banesën e tyre. Ky veprim është bërë nga ana e të mbijetuarve të tjerë të viktimave për të treguar se prona është e tyre edhe pas kësaj ngjarje.

Ndërkohë nënkryetari i Bashkisë së Selenicës Neim Veshaj ka deklaruar për gazetën:

E kam dëgjuar nga banorët këtë konflikt, por zyrtarisht asnjëherë nuk ka ardhur një ankesë prej tyre. Ne si bashki ende nuk kemi vendosur nëse do t’u akordohet një fond ndihmese të mbijetuarve. Mbledhja që organizuam për shpenzimet e varrimit ishte në kushte emergjente. Tashmë, ne do të vendosim sesi do të procedojmë më tej me të mbijetuarit e për t’i ndihmuar ata.”

Shtatori fillon me greva

0

Zvarritja e Projektligjit për Paga pritet t’i zgjojë në këmbë sërish sindikatat në Kosovë. Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) alarmon për grevë në shtator nëse projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të viteve të ’90-ta nuk përshpejtohet për lexim të dytë në Kuvend dhe Ligji për Paga shkon në Qeveri me ndryshimet aktuale, të cilat ata po i cilësojnë diskriminuese, shkruan sot Gazeta “Zëri”.

Shtatori pritet të nisë me protesta nëse projektligji për statusin e punëtorëve të arsimit shqip të viteve të ’90-ta nuk përshpejtohet për lexim të dytë në Kuvend dhe Ligji për Paga shkon në Qeveri me ndryshimet aktuale, të cilat ata po i cilësojnë diskriminuese.

Kjo pasi Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) në çdo kohë mund të paralajmërojë grevë nëse kërkesat e tyre nuk merren parasysh nga institucionet kompetente. Kështu ka deklaruar kryetari i SBASHK-ut Rrahman Jasharaj për gazetën “Zëri”. “I kemi dy çështje, dy sfida që mund ta dërgojnë sistemin arsimor në grevë. E para dhe më e madhja është çështja e fatit të projektligjit për statutin e punëtorëve të arsimit shqip të viteve të ’90-ta. Pas leximit të parë dhe votimit në lexim të parë po konsiderojmë që po zhargitet çështja e shkuarjes në leximin e dytë dhe votimin përfundimtar. Dhe çështja tjetër është ajo e Ligjit për Paga”, ka thënë Jasharaj

Apeli vërteton pafajësinë e ish-drejtorit të Komunës së Prizrenit, Bedri Bytyçi

0

Gjykata e Apelit i ka liruar përfundimisht nga akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ish-drejtorin e Inspektoratit në Prizren, Bedri Bytyqi si dhe inspektorin e ndërtimit në këtë komunë, Bashkim Krasniqi.

Po ashtu, Apeli ka liruar nga akuza për uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme edhe të akuzuarin tjetër në këtë rast, Faton Hoxhën.

Njëjtë sikurse Apeli, të tre të akuzuarit ishin liruar nga akuzat edhe nga Gjykata Themelore në Prizren, në janar të këtij viti.

Mirëpo, e pakënaqur me lirimin e tyre nga akuzat kishte mbetur Prokuroria Themelore në Prizren e cila kishte ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, me propozim që çështja të kthehet në rigjykim.

Sipas pretendimeve ankimore të prokurorisë, gjykata nuk ka dhënë fakte vendimtare  kur ka nxjerre aktgjykim lirues  për të  akuzuarit si dhe gjykata nuk ka dhënë arsye të qarta se cilat fakte i konsideron si të pa vërtetuara e sidomos nuk ka vlerësuar në mënyrë të saktë provat kundërthënëse e të cilat gjenden në shkresat e lëndës.

Këto pretendime të prokurorisë, gjykata e shkallës së dytë i ka vlerësuar si të pabazuara.

Sipas aktgjykimit të Apelit, pretendimet e  Prokurorisë Themelore në Prizren, nuk qëndrojnë ngase aktgjykimi i ankimuar nuk përmban shkelje esenciale te dispozitave te procedurës penale te pretenduara me ankesë e as shkelje te tjera te cilat kjo gjykatë i konstaton sipas detyrës zyrtare, e te cilat kishin me kushtëzuar anulimin e aktgjykimit.

“Dispozitivi i aktgjykimit të ankimuar është i qartë, konkret, nuk përmban kundërthënie qoftë me vetveten qoftë me arsyetimin e tij, ne arsyetimin e aktgjykimit te ankimuar janë dhënë arsye te duhura juridike dhe faktike te cilat i aprovon edhe kjo gjykatë, duke vënë në dukje se cilat fakte dhe për çfarë arsyesh i merr si te provuara ose te paprovuara, duke bërë vlerësimin e provave kontradiktore konform dispozitës se nenit 370 par.7 te KPPRK”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë ka vepruar drejtë kur ka liruar nga akuzat, të akuzuarit, Bytyqi dhe Krasniqi, sepse aktet administrative të nxjerra nga organi i inspeksionit në Prizren edhe tani janë në fuqi dhe të njëjtit qëndrojnë pranë ekzekutimit të dhunshëm të rrënimit të ndërtesës së tillë, si konkluzioni, njoftimi për të akuzuarin Hoxha.

Mirëpo, siç thuhet në aktgjykim, rrënimi nuk është bërë ende në mënyrë që të mundësohet që i akuzuari Hoxha t’i shfrytëzojë të drejtat që i ka si palë në procedurën administrative e që organi kompetent administrativ në bazë të ligjit mbi Procedurën Administrative, palës i ka dhënë të drejtën e ankesës përkohësisht ka pezulluar ekzekutimin duke konsideruar se në rast se realizohet rrënimi e procedura të përfundoj në favor të palës në kontest administrativ atëherë të njëjtit do ti shkaktohej dëm i madh.

Andaj, sipas Apelit, pritja e vendosjes përfundimtare është e arsyeshme në pikëpamje të shkaktimit të paarsyeshëm të dëmit pasuror, dhe për këto arsye kjo gjykatë konsideron se me vend ka vepruar gjykata e shkallës së parë kur ka shtyrë ekzekutimin e rrënimit të objektit ngase i akuzuari Hoxha, ka ushtruar ankesë në konkluzion dhe në njoftimin për rrënimin e objektit  në Ministrinë e Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, të cilit nuk kanë vendosur ende për ankesën e gjithashtu ka hapur edhe konflikt administrativ lidhur me këtë çështje administrative para Gjykatës Themelore në Prishtinë, për të cilën nuk është vendosur ende.

Sa i përket të akuzuarit Hoxha, gjykata e shkallës së dytë ka vlerësuar se shkalla e parë ka vepruar drejt kur të njëjtin e ka liruar nga akuza, ngase nga provat e administruar është vërtetuar se  i njëjti në vitin 2015, nga Iliaz Susuri ka blerë 7 ari tokë në hyrje të fshatit Zhur, dhe se për të njëjtën të gjithë e kanë ditur se është pronë private e Iliaz Susurit.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, në qershor 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve Bashkim dhe Bedri Bytyqi, për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ndaj të akuzuarit Faton Hoxha, për uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme.

Sipas aktakuzës, Bashkim Krasniqi, akuzohej se në cilësinë e inspektorit komunal për ndërtim, nuk ka vepruar për rrëzimin e objektit afarist-banesor të të pandehurit Faton Hoxha, të ndërtuar pa leje në pronë komunale.

I akuzuari tjetër Bedri Bytyqi akuzohej se duke qenë drejtor i Inspektoratit, megjithëse ka nënshkruar aktvendimin për rrënim të objektit, nuk ka vepruar për të realizuar atë, duke i mundësuar Faton Hoxhës që të vazhdojë ndërtimin.

Po ashtu, i akuzuari Faton Hoxha akuzohej se pa kontratë të vërtetuar dhe pa dokumentacionin përkatës ka blerë pronën në fjalë nga Ilaz Susuri dhe më pas ka ndërtuar objekt afarist në atë pronë.

Në këtë rast ka qenë i akuzuar për uzurpim të pronës së paluajtshme edhe Ilaz Susuri, por për të njëjtin është ndarë lënda pasi që nuk është arritur të sigurohet prezenca e tij për arsye shëndetësore.

Në prill 2017, Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim në këtë rast, me të cilin e ka dënuar të akuzuarin Faton Hoxha me gjashtë muaj burgim efektiv, ndërsa të akuzuarit tjerë i ka liruar nga akuza.

Mirëpo, Gjykata e Apelit, më 3 gusht 2017, ka vendosur që të anulojë aktgjykimin e shkallës së parë, andaj çështja është kthyer në rigjykim dhe rivendosje.

Apeli ka arsyetuar se aktgjykimi është kundërthënës në disa pjesë të tij, duke thënë se nuk mund të kuptohet se si mund të dënohej Faton Hoxha i cili e ka blerë pronën prej Ilaz Susurit, ndërsa nuk është gjetur fajtor vetë i akuzuari Susuri.

Po ashtu, Apeli ka konstatuar se gjykata e shkallës së parë nuk është dashur të marrë për bazë vendime administrative të institucioneve shtetërore dhe komunale, për të liruar të akuzuarit për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Krasniqi dhe Bytyqi./betimiperdrejtesi/

Një “Liria” e re në Superligë (Video)

0

Liria e Prizrenit po i bën përgatitjet për edicionin e ri që fillon në fundjavë.

Kjo skuadër po premton që nuk do të lejojë t’i ndodhë si në sezonin e kaluar kur përfundoi në vendin e shtatë.

Për shkak të Erdoganit, turqit e Prizrenit do t’i heqin iPhone-t

0

Në qytetin e Prizrenit e kanë marr goxha seriozisht një porosi të presidentit turk Rexhep Taip Erdogan.

Disa familje prizrenase po e shqyrtojnë vendimin të heqin dorë nga iPhone për të kaluar në celular Samsung.

Bartomeu nuk dëshiron prurje të tjera

0

Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, ka bërë të ditur se është i kënaqur me transferimet që ka bërë ekipi i tij gjatë këtij afati kalimtar dhe nuk është duke planifikuar të bëjë edhe ndonjë tjetër, kështu duke mohuar tentativat për blerjen e Paul Pogba.

“Ne jemi të kënaqur me punën tonë gjatë këtij afati kalimtar me blerjet dhe shitjet, dhe dua të falënderoj njerëzit që gjithmonë harrohen, drejtorin ekzekutiv, Oscar Grau, drejtorin menaxhues, Pep Segura, drejtorin tonë të futbollit, Eric Abidal dhe asistentin e tij, Ramon Planes” ka thënë Bartomeu.

Spanjolli nuk la pa përmendur edhe legjendën e Barças, Andres Iniesta, duke mos përjashtuar një kthim të tij të mundshëm në klub.

“Koha e tij si lojtar këtu ka përfunduar, por ai do të kthehet në ndonjë pozitë tjetër që tashmë e kemi biseduar” shtoi ai.

Kjo nuk është hera e parë që flitet rreth një kalimi të mundshëm të Pogbas në “Camp Nou”.

Nënkryetari i Komunës së Prizrenit, dhuron gjak

0

Nënkryetari i Komunës së Prizrenit, Eshref Memaj, ka dhuruar sot gjak, në 20 -vjetorin rënies heroike të Komandantit, Remzi Ademaj.

Gjak dhuruan edhe anëtarët e familjes së Komandantit, si dhe puntorët e Komunës.

Erdogan në hall, telefonon Merkelin

0

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan zhvilloi bisedë telefonike me kancelaren gjermane Angel Merkel.

Sipas burimeve diplomatike, raporton agjencia turke e lajmeve, në bisedën telefonike dy liderët kanë këmbyer mendime rreth marrëdhënieve dypalëshe dhe çështjeve rajonale me në krye Sirinë.

Në bisedë, në të cilën janë diskutuar zhvillimet aktuale, është përmendur edhe takimi që do të realizohet në Berlin në fund të shtatorit mes presidentit Erdogan dhe kancelares Merkel.

Erdogan dhe Merkel kanë rënë dakord për një takim mes ministrit turk të Thesarit dhe Financave Berat Albayrak dhe ministrit gjerman të Financave dhe Ekonomisë në ditët në vijim.

Po ashtu, Merkel ka theksuar se është e rëndësishme për Gjermaninë që ekonomia e Turqisë të jetë e fuqishme.

Liderët kanë konfirmuar vendosmërinë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit reciprok mes Turqisë dhe Gjermanisë përmes vizitave dhe kontakteve të nivelit të lartë.

Haskuka paralajmëron mbajtjen e Festivalit “Zambaku i Prizrenit”

0

Komuna e Prizrenit është duke përgatit edicionin e 30-të të Festivalit “Zambaku i Prizrenit”.

Lajmin e ka konfirmuar i pari i Prizrenit, Mytaher Haskuka.

“Me të ardhur në detyrë, Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport ka pasur komunikim të vazhdueshëm me komunitetin artistik dhe organizatat kulturore lidhur me politikat aktuale të kulturës dhe mënyrën e organizimit të jetës kulturore në qytet. Ndër shqetësimet kryesore të hasura në këto diskutime ka qenë mënyra e organizimit të festivalit “Zambaku i Prizrenit” si dhe mungesa e vazhdimësisë në cilësinë artistike dhe e standardit organizativ. Për ta përfshirë komunitetin në këtë diskutim, DKRS-ja ka organizuar edhe debate publike ku ka matur pulsin e komunitetit të festivalit “Zambaku i Prizrenit””, shkruan Haskuka në “Facebook”

“Duke pasur parasysh traditën e shquar muzikore të Prizrenit, përfshirë shkollën e parë të muzikës në Kosovë, shoqëritë kulturore-artistike të shumta, kompozitorë dhe instrumentistë të shumtë të dalë nga Prizreni si dhe Zambakun e Prizrenit, Komuna e Prizrenit i kushton rëndësi të veçantë artit muzikor dhe veçse ka iniciuar procedurat për themelimin e Orkestrës së Qytetit të Prizrenit”.

“Përtej kësaj, komuna ka nisur një hulumtim ku do të analizohen aspekte të ndryshme të Zambakut të Prizrenit, përfshirë misionin e tij, mënyrën e organizimit, mënyrën e financimit, formatin e festivalit, përcaktimin e bartësve si dhe aspekte të tjera që mundësojnë gjetjen e zgjidhjes afatgjate për organizim dinjitoz të këtij festivali”.

“Ky proces do t’i përshijë edhe takimet publike dhe fokus grupet, ku profesionistë dhe qytetarë do ta japin kontributin e tyre për gjetjen e kësaj zgjidhjeje”.

“Përderisa edicioni i 30-të i festivalit “Zambaku i Prizrenit” do të përgatitet në mënyrën më të mirë të mundshme, opinioni do të informohet me kohë për hapat e mëtutjeshëm mbi të ardhmen e këtij festivali”./PrizrenPress.com/