34.8 C
Prizren
E hënë, 7 Korrik, 2025
Home Blog Page 4706

Vogëlushi Adi Skeraj nga Dragashi, ka nevojë për ndihmë

0

Vogëlushi Adi Skeraj nga fshati Rrenc i Dragashit, ka nevojë për ndihmë.

Ai, është diagnostikuar me sëmundjen “Spina Bifida +Tethered Cort” dhe se i duhet urgjentisht të dalë jashtë për shërim.

Numri i tel: 049 512 310

/PrizrenPress.com/

Jahjaga krenare me festivalin DokuFest

0

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka thënë se ndihet krenare me festivalin DokuFest, i cili sivjet ka përfshirë 210 gra regjisore dhe producente.

“Tema e tyre “Reflektimi” jetëson pasqyrimin që vendi ynë duhet ta japë për gratë”, shkruan në një status në Facebook, Jahjaga.Sot, Jahjaga ka marrë dhuratë nga drejtorja e DokuFest-it, Nita Deda, një bluzë me sloganin e sivjetshëm të këtij festivali, “Girls now”. Jahjaga ka përgëzuar drejtoren Nita Deda, stafin dhe vullnetarët për punën e bërë në DokuFest./KP/

Ministri Gashi viziton DokuFestin

0

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka marrë pjesë sot në ditën e katërt të Festivalit të Filmit të Shkurtër dhe Dokumentarit, “DokuFest” në Prizren.

“Sonte, në festivalin DokuFest në pritjen e organizuar nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë”, ka shkruar në Facebook Gashi, teksa ka postuar edhe disa fotografi.

DokuFest në edicionin e sivjetmë ka sjellë mbi 260 filma, punëtori, panele dhe aktivitete të tjera kulturore. Festivali do të zgjasë deri më 11 gusht./KP/

73 vjetori i sulmit bërthamor në Hiroshima ku mbetën të vdekur 140 mijë njerëz

0

Hiroshima ka shënuar përvjetorin e sulmit me bomba atomike të vitit 1945, me një ceremoni përkujtimore për personat e vdekur dhe të plagosur, duke bërë thirrje për eliminim të armëve bërthamore, në kohën kur po negociohet për denuklearizim të Koresë së Veriut.

Udhëheqësi i Hiroshimas, Kazumi Matsui ka përmendur agoninë e viktimave 73 vite më parë dhe i ka bërë thirrje audiencës për “të dëgjuar, sikur të kishin qenë aty më të dashurit e tyre”.

Më pas, ai ka ngritur shqetësime për rritje globale të egocentrizmit dhe tensioneve, duke i bërë thirrje qeverisë së Japonisë për të punuar drejt një bote pa armë bërthamore, transmeton tch.

Sulmi amerikan në Hiroshimë ka lënë të vdekur 140 mijë persona, ndërsa bombat në Nagasaki kanë shkaktuar vdekjen e 70 mijë të tjerëve 3 ditë më vonë, duke i dhënë fund Luftës së Dytë Botërore.

Më shumë se 50 mijë persona, duke përfshirë banorë të Hiroshimës dhe përfaqësues të 58 shteteve, bashkë me ambasadorin amerikan William Hagerty, kanë qenë pjesë e ceremonisë së këtij viti. Të mbijetuarit, familjarët dhe pjesëmarrësit e tjerë kanë shënuar përkujtimin me një minutë heshtjeje në orën 8:15, kohë në të cilën ndodhi sulmi i vitit 1945.

Komuna e Malishevës akuzon AUV-in se dështoi ose po fsheh shkakun e ngordhjes së peshqve në Mirushë

0

Komuna e Malishevës ka kritikuar Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) duke e quajtur dështim punën e saj dhe të laboratorit, ose fshehje e shkakut të ngordhjes masive të peshqve në lumin Mirusha, pasi në rezultatin e analizave dhe në konkludimin e tyre, thuhet se ngordhja e tyre nuk ka ardhur si pasojë e kontaminimit me parametrat e testuar.

Ditë më parë në lumin Mirusha, ka ndodhur një ngordhje masive e peshqve dhe për këtë qëllim inspektorati i Komunës së Malishevës, në bashkëpunim me organet tjera kompetente, është angazhuar për gjetjen e shkaktarit të kësaj katastrofe ekologjike, duke dërguar për analizë edhe mostra të ujit, edhe të peshkut.

Përkundër kësaj, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës (AUV) dhe Laboratori i Ushqimit dhe Veterinës (LUV), pas shumë ditë pritjeje, ka dalë me një vlerësim të pasqaruar, duke mos treguar shkakun e ngordhjes masive të peshqve, përcjell KSP.

“Në këtë raport laboratorik, nuk sqarohet shkaku i ngordhjes së peshqve, prandaj ne e konsiderojmë ose dështim, ose tentim për fshehje të shkakut, sepse ne kemi kërkuar, edhe nga AUV edhe nga inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, që analizohet shkaku i ngordhjes së peshqve”, thuhet në komunikatën e Komunës së Malishevës.

Inspektorati komunal i Malishevës, pas informacioneve të marra dhe pas gjetjes së disa gjurmëve në afërsi të lumit, ka kontaktuar pronarin e një ferme të pulave, nga i cili është informuar se ferma ka kontraktuar njësinë e “Hidroregjionit” në Malishevë, për të bërë zbrazjen e gropës septike të fermës, dhe duke u bazuar në këtë deklaratë dhe në gjurmët afër lumit, mbetjet organike të pularisë, janë derdhur në lum apo në afërsi të lumit.

“Për këtë situatë të krijuar, publikisht kërkojmë që organet e rendit dhe organet përgjegjëse të hetojnë rastin dhe fajtorët të gjenden. Po ashtu kërkojmë që në këtë rast, krahas veprimit të njësisë së “Hidroregjionit”, të hetohet edhe veprimi i AUV, përkatësisht laboratorit të saj, se pse nuk është treguar shkaku i ngordhjes së peshqve”, përfundon komunikata.

Prizren:Një muaj paraburgim për narkotikë për shqiptarin nga Durrësi

0

Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti për Krime të Rënda, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej një muaji ndaj të pandehurit me iniciale M.B. nga Durrësi.

Kjo për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale, blerje, posedim, shpërndarje ose shitje të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

“Masa e paraburgimit do të llogaritet prej momentit të arrestimit datë 03.08.2018 nga ora 19:00  dhe do të zgjasë deri më datën 02.09.2018”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit.

Sipas Gjykatës Themelore të Prizrenit, me datën 13.01.2017 rreth orës 16:45 minuta, në pikën kufitare Shqipëri –Kosovë, në vendkalim të Vërmicës është vërtetuar se i njëjti pa autorizim ka poseduar me qëllim të shpërndarjes dhe transportimit substancë narkotike të cilat janë shpallur me ligj si narkotik.

“Në atë mënyrë që me rastin e kalimit të pikës doganore si pasagjer në autobusin e linjës Durrës – Prishtinë, me rastin e kontrollimit i cili është bërë tek autobusi, në karrigen e pasme të fundit të anës së djathtë, është gjetur një paketim ku ishte paketuar lënda e dyshuar narkotike e llojit marihuanë sasi prej 345.3 gram e cila më pastaj është konfiskuar nga ana e policisë kufitare”, përfundon njoftimi i gjykatës.

Lopetegui fjalë fantastike për Modriq, i bindur në qëndrimin e kroatit!

0

Julen Lopetegui ka dy fjalë për të përshrkruar situatën e Luka Modric: Besim dhe i jashtëzakonshëm. Ai nuk përdor rrugë dytësore për të shprehur ato që ndjen në lidhje mefushorin, të cilit do t’i besojë organizimin e lojës tek Reali i tij i ri.

“Nuk kam për të shtuar shumë në lidhje me Modriq, kam folur me presidentin tashmë. Kroati është një lojtar i mrekullueshëm, e presim të gjithë krahëhapur. I kam thënë të kthehet në stërvitje me datën 8, ndërkohë që me 15 gusht kemi një ndeshje shumë të rëndësishme kundër Atleticos për Superkupën e Europës.”

Tranjeri i Realit u shfaq gjithashtu mjaft i sigurt për sa i përket qëndrimit të 32 vjeçarit në Bernabeu duke mos i kursyer superlativat për të.

“Modric është një lojtar që më pëlqen shumë dhe ai e di mirë këtë gjë. Do të jetë i kënaqur nga propozimi që do t’i vijë e do të jetë i lumtur të luajë me Realin, siç ka qenë gjithmonë.”

Ditët e fundit kapiteni i Kroacisë, me të cilën doli në finalen e Botërorit që u zhvillua këtë vit në Rusi, është folur shumë për një transferim tek Interi. Në javën e ardhshme do të ketë një takim mes tij dhe Florentino Perez ku do të flitet për të qëndrimin ose largimin nga Madridi.

Një muaj paraburgim për tentim vrasje në Samadraxhë të Suharekës

0

Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti për Krime të Rënda, duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej një muaji ndaj të pandehurit me iniciale A.B. nga fshati Prugovc – Komuna e Prishtinës.

Kjo u bë për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të vrasjes në tentativë.

Masa e paraburgimit do të llogaritet prej momentit të arrestimit datë 03.08.2018 nga ora 23:10 minuta dhe do të zgjasë deri më datën 02.09.2018.

“Me datën 03.08.2018 rreth orës 15:00, në fshatin Samadraxhë – Komuna e Suharekës, i pandehuri në vend publik me dashje tenton ta privojë nga jeta një person tjetër, pra vë në rrezik jetën e njerëzve, në atë mënyrë që nga automjeti i tij i parkuar shkrep katër herë në drejtim të dëmtuarit me iniciale S.D., të cilin me një plumb e ka goditë në harkun brinjor majtas. Vendosmëria e të pandehuri për të kryer veprën penale dhe atë rrugëtimi prej Fushë Kosovës e deri në një fshat të Suharekës në Samadraxhë për çka mund të dyshohet se i pandehuri mund të ketë tendenca të përfundimit të veprës penale. Andaj caktimi i masës së paraburgimit në këtë faze të zhvillimit të procedurës është më se i domosdoshëm”, thuhet në komunikatën e gjykatës.

Tentimvrasja në Suharekë: Dorasi erdhi nga Fushë -Kosova

0

Rrugëtimi nga Fushë Kosova deri në Samadrexhë të Suharekës me motivin për të plagosur viktimën është vlerësuar rrethanë rënduese nga gjykata për të pandehurin A.B.

Ai është arrestuar me 3 gusht pasi nga makina e tij kishte qëlluar me armë zjarri banorin e Samadrexhës me inicialet S.D.

Sipas një njoftimi të gjykatës për të kryer këtë akt i dyshuari kishte udhëtuar nga Fushë Kosova drejt fshatit të Suharekës ku e kishte takuar viktimën të cilin e kishte qëlluar katër herë. “Njëri nga plumbat e kishte qëlluar në kraharor viktimën” thuhet në njoftimin e Gjykatës së Prizrenit. I njëjti sqaron se A.B do qëndroj në paraburgim deri me 3 shtator. Incidenti kishte ndodhur mbrëmjen e 3 gushtit.

Dekada e Re, simbolikë, realitet apo mundësi e radhës për njerëz…

0

Shkruan: Ymer Berisha

Dekada e Re, parë në emërtimin e saj do duhej të ofronte mundësi për të gjithë në politikëbërje, të sigurojë perspektivë të qëndrueshme dhe besim për mendjet e hapura të cilat janë të gatshme që të konkurrojnë me ide të reja të liberal demokracisë në politikën tonë, ide të cilat do të ndikojnë në rritjen e besimit të qytetarëve në vlerat që përfaqëson politika dhe politikëbërja. E nesërmja nuk ka alternativë, duhet të jemi të gatshëm të konkurrojmë me të tjerët në trendët e zhvillimeve globale dhe të teknologjisë, kreativitetin intelektual dhe hulumtimet shkencore duhet t’i jetësojmë në plotninë e kërkesave të tyre.

Dekada e Re, do duhej të ishte edhe dekadë e mbyllur për lidership lokal e qendror, të cilët pa subjektin politik, janë asgjë më shumë se sa statistikë demografike, (ironikisht thënë) njerëz që ekskluzivisht e jetësisht janë në nevojë, njerëz të cilët kur nuhasin mundësinë, jo rrallë herë mundohen ta bëjnë vetë Zeusin në versionin me primitiv të kohës…!
Historia e njerëzimit të gjitha arritjet planetare, në gjithë fushat e jetës, ia atribuon mendjes, punës, përvojës, e në raste të caktuara edhe vetë rastësisë. Dekada e Re, detyrim parësor dhe të fundit duhet ta ketë njeriun e kulturuar, të urtë, njeriun që qetësisht është i gatshëm të kontribuojë për atdheun dhe kauzat humane botërore, njeriun që e sheh të sigurt rrugëtimin politik e institucional të Kosovës, shtet demokratik, funksional, të qytetarëve, i barabartë me të tjerët në Ballkan, Evropë e gjetkë.

Shoqëria jonë ka nevojë parësore për politikë përfaqësuese, lidership të besuar, përgjegjës, kompetent në vendimmarrje, lidership që qytetarin e sheh sovran dhe veten e tij në shërbim të shtetit e shoqërisë në përgjithësi, i gatshëm për t’iu kthyer familjes së tij në çdo kohë, i ndershëm dhe i respektuar.

Në dy dekada liri partitë politike, shoqërisë dhe shtetit i dhanë kuadër institucional qeverisës, lokal e qendror, që për fat të keq në shumësinë e tyre nuk na nderuan me punën dhe angazhimet publike, nuk i përmbushën pritjet e qytetarëve, në masë të madhe u keqpërdor besimi dhe pritjet, rrëshqitëm pa e ndjerë drejt mentalitetit të robit në njërin rast dhe diktatorit primitiv në rastin tjetër. Druaj se humbëm shumë.

Gjatë angazhimeve publike njeriu ynë u katandis keq dhe u bë rob i keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe korrupsionit. Mosndëshkimi ligjor dhe sistemi gjyqësor në përgjithësi ndikoi fuqishëm në dëmtimin e imazhit te shtetit funksional brenda dhe jashtë. Simbiozë që po rrezikon të gjitha arritjet për dy dekada liri, binomi politikë – gjyqësor. U bënë bashkë për ta mbajtur njeri-tjetrin edhe pse ligjërisht kanë detyrime të funksionojnë të ndara dhe të pandikuara.

Njeriu ynë me angazhim në zyre publike, për pak kohë u gatit që të ushtrojë ndikim jo legal për interesin e tij. Mundësitë korruptive për nevoja personale edhe i krijonte në emër të punës dhe pozitës publike. Servilitetin për një pozitë publike e quam deri në banalitet, e çka jo tjetër. Dukuri këto, të cilat rënd e cenuan shtetin funksional, politikbërjen demokratike, vendimmarrjen përfaqësuese e besimin në drejtësi.

Për dy dekada liri u bëmë potencial i rrezikshëm ta vrasin edhe njeriun e dekadës se re, pa ndjerë asgjë, në heshtje.
Dekada e Re në kuptimin e drejtë të saj thërret qytetarin e Kosovës, trurin e saj, individin dhe të gjithë; Të angazhohemi, të punojmë pareshtur për shoqëri ku sundon ligji, shtet ku sigurohen vlerat konkurruese demokratike, shoqëri të mundësive të barabarta, shtet ku jetohet me dinjitet.

Ta bëjmë arritje të dekadës së re konsolidimin e shtetit tonë, integrimin në NATO, BE dhe OKB-ë, ndryshe e kemi humbur mundësinë që të kthehemi në familje me epitetet e cekura më lartë.

Të gjithë në vetën e parë, ç’do ditë mbetemi në nevojë të reflektojmë me kujdes për angazhimet tona publike e politike, punën, përgjegjësitë dhe vendimmarrjen. Guximshëm t’i themi jo sindromës së varfërisë për gjithçka, më patjetër duhet të jemi në lartësinë e nderit dhe krenarisë për atë që bëjmë, nëse duam të jemi të fituar.

Gusht 2018
Prizren