24.4 C
Prizren
E martë, 8 Korrik, 2025
Home Blog Page 4708

25 vite pa Esad Mekulin

0

Sot mbushen plotë 25 vite nga vdekja e poetit Esad Mekuli, shkruan KultPlus.

Esad Mekuli lini ne Plavë më 17 dhjetor të vitit 1916. Ishte poet dhe përkthyes shqiptar. Më 1949 themeloi revistën letrare “Jeta e re”, kryeredaktor i së cilës ishte deri më 1971. Kreu doktoraturën në Beograd më 1959.

Si student përparimtar ai u burgos në vitin 1940 dhe qëndroi në burgun famëkeq “Gllavinjaqa”, prej nga u amnistua me 2 prill të vitit 1941.

Pas daljes nga burgu u paraqit vullnetar dhe punoi si veterinar ushtarak në Pejë. Këtu në vitin 1942 e burgosën për shkak të punës ilegale dhe bashkëpunimit me lëvizjet çlirimtare.

Ka qëndruar i burgosur në Kullën e Sheremetit. Pas lirimit, ai u gjend herë në Zagreb, herë në Tiranë, madje edhe në Itali. Esad Mekuli ishte kryetari i parë i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, nismëtar, themelues dhe kryetar i parë i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Esad Mekuli vdiq në Prishtinë me 6 gusht 1993./ 

Çmimi Kombëtar për Veprimtari Jetësore i ndahet Muslim Mulliqit – post mortem

0

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit sot për herë të parë ndau çmimet në fushën e arteve pamore “Muslim Mulliqi”.

Përmes një ceremonie në ambientet e MKRS-së, ky çmim u tha se do të bëhet tradicional, ndërsa laureatët thanë se ky çmim është dashur të krijohet edhe më herët.

Çmimi Kombëtar për Veprimtari Jetësore iu nda Muslim Mulliqit – post mortem ndërsa Çmimi Kombëtar për Veprimtari Jetësore “Muslim Mulliqi” iu nda akademik Xhevdet Xhafës.

Çmimi Vjetor për të Arriturat në Fushën e Artit Pamor iu nda Fatmir Krypës.

Pas ndarjes së çmimeve, erdhën falënderimet nga familja Mulliqi ndërkaq akademik Xhevdet Xhafa u shpreh shumë falënderues për vlerësimin e artit të tij nga të gjithë, duke e pas parasysh qe ka shumë vepra të mëdha në këtë fushë.

Çmimin e parë, në emër të familjes e mori gruaja e Muslim Mulliqit, Resmie Mulliqi e cila shprehi dëshirën e saj që kjo iniciativë e ministrit Gashi të vazhdojë edhe viteve tjera.

“Jemi të interesuar që ta mbështesim artin pamor. Ky çmim që jepet për herë të parë sot është dëshmi që ne respektojmë njerëzit që punojnë me artin pamor”, tha ministri Gashi në fjalimin e tij.

Dy çmimet e para kanë marrë shpërblime në vlerë financiare prej 5 mijë euro, ndërsa çmimi i tretë në vlerë prej 3 mijë euro./

Drama familjare “Kiem Holijanda” erdhi në “DokuFest

0

Fundjavën që lamë pas në kuadër të festivalit “DokuFest”, i cili po mbahet aktualisht në Prizren, u prezantua edhe filmi i shkurtër “Kiem Holijanda” i regjisores holandeze Sarah Veltmeyer. Ndonëse në “DokuFest” garon në kategorinë e filmave të shkurtër ndërkombëtarë, “Kiem Holijanda” është film që rrëfen historinë e një familje kosovare shkruan sot gazeta “Zëri”.

Filmi flet për një familje që jetojnë në një fshat të varfër në Kosovë. Filmi 14 minutash shtjellon historinë e njërit nga vëllezërit, i cili aspiron të udhëtojë për në Holandë. Kësisoj “Kiem Holijanda” na prezanton me vëllezërit Andin (13 vjeç) dhe Floristin (20 vjeç) që jetojnë në një fshat të varfër e të braktisur të Kosovës bashkë me nënën e tyre, roli i së cilës i është ndarë aktores Arbnesha Grabovci-Nixha. Ata mbijetojnë duke shitur qumësht. Kur Andi zbulon një poster të një pornoylli holandeze në dhomën e tyre të gjumit, atij i duhet një telefon për ta parë. Ai është aq i obsesionuar me të, sa nuk e vëren se vëllai i tij e ka zgjedhur këtë ditë për t’i thënë lamtumirë sepse synon të shkojë në Holandë.

Kinemaja e platos në “DokuFest” mirëpriti publikun që ishte kureshtar për të parë këtë dramë familjare. Publiku kosovar pati rast të shihet një temë i preokupon shumë familje të kësaj shoqërie, kurse ai ndërkombëtar pa një perspektiv kosovare për disa probleme familjare.

Regjisorja Sarah Veltmeyer ka arritur që përmes filmit të saj t’i pasqyrojë orvatjet e rinisë kosovare në kërkim të një jete tjetër diku në Evropë. Ajo ka vendosur që emrat e vërtetë të aktorëve Andi Bajgora dhe Florist Bajgora t’i ruajë edhe si emra të personazheve, duke sjellë kështu në ekran diçka individuale të tyre. Përpos aktores së dëshmuar, Arbnesha Grabovci-Nixha, të dy vëllezërit Bajgora janë përfaqësues të një gjenerate të re aktorësh premtues të Kosovës. Kujtojmë se Andi Bajgora, ndonëse i ri në moshë ka në bagazhin e tij artistik një film që ishte i pari nga Kosova i nominuar për “Oscar”, pra filmin “Shok”. Në anën tjetër, Floristi i cili ia ka trasuar vëllait të vogël rrugën për aktrim, ka para vetes disa role të vlerësuara në filma të shkurtër e në teatër.

Filmi “Kiem Holijanda” erdhi në Kosovë pas një prezantimi të suksesshëm sivjet në edicionin e 68-të të festivalit prestigjioz “Berlinale”. Atje “Kiem Holijanda” u shpërblye me çmimin “Ariu i Kristaltë”.

Të paktën 91 të vdekur pas tërmetit në Indonezi

0

Të paktën 91 persona kanë vdekur pas një tërmeti të fuqishëm që ka goditur ishullin indonezian, Lombok.

Qindra persona janë plagosur si pasojë e tërmetit të së dielës, derisa zyrtarët kanë thënë se shumica e viktimave gjenden ne veri të ishullit.

Tërmeti i shkallës shtatë ka ndodhur në vetëm 10 kilometra thellësi nëntokësore, duke dëmtuar mijëra ndërtesa dhe duke ndërprerë energjinë elektrike.

Në ishullin e afërt, Bali, janë publikuar pamje teksa njerëzit kanë ikur duke bërtitur nga shtëpitë e tyre.

Në ditën e diel po ashtu është paralajmëruar për një cunami, mirëpo njoftimi është tërhequr më vonë.

Ky tërmet vjen një javë pasi një tjetër goditje ka prekur ishullin Lombok, i cili vizitohet nga shumë turistë për shkak të plazheve që ka.

Tërmeti i mëparshëm ka lënë të vdekur të paktën 16 persona.

Mbahet gara me kuaj në Shirokë të Suharekës (VIDEO)

0

Në Shirokë të Suharekës u mbajt një garë rajonale, por pa garues nga Kosova.

Aty, u matën shkathësit në kërcim me kuaj.

 

Flasin familjarët e 57-vjeçarit i cili u gjet i vdekur në makinën e tij në Malishevë(Video)

0

Në rrethana ende të panjohura, Sefer Berisha u gjet pa shenja jete, të shtunën, në veturën e tij, në malin e Lladrocit.

Trupi i të ndjerit kishte qëndruar për një ditë në Institutin e Mjekësisë Ligjore për të iu kthyer familjes të dielën, ku u varros.

Në familjen Berisha thonë se nuk dijnë si 57 vjeçari përfundoi aty ku u gjet.

“Mëngjesin e djeshëm ka dalë për të shkuar te mjeku për vizitë. Rreth orës 10:00 na kanë lajmëru policia që është gjetur i vdekur në veturë’, thonë ata për Klan Kosovën.

I ndjeri që sipas familjarëve kishte telashe më dhëmbë nuk është se njihej për ndonjë zënkë apo hasmëri me dikë.

“Na jemi 40 anëtarë të përbashkët, asnjëherë s’na ka thënë dikush se na ka borxh diçka ose se po bën keq. Asnjëherë s’ka pasë fjalë”.

Shpresat i mbajnë te policia.

“Janë duke e hetuar rastin. Ne po e presim raportin e policisë”.

E në këtë institucion gjatë ditës u deklaruan se rasti është në fazën fillestare por se është akoma nuk ka një të dyshuar konkret.

Sipas Lirije Podrimajt, zëdhënëse e policisë për rajonin e Gjakovës, policia bashkë me prokurorinë themelore janë duke punuar intensivisht në ndriçimin e rrethanave derisa po hetohet edhe vetura e konfiskuar nga vendi i ngjarjes.

I ndjeri që deri para dy vjetësh punonte si taksist kohëve të fundit merrej me bujqësi.

 

 

 

Ujëvara e Mirushës mbledh kërcyesit (VIDEO)

0

Në ujëvarën e Mirushës u mbajt për herë të parë një garë për kërcim në ujë.

Aty u mblodhën mjeshtrit e stilit të dallëndyshës.

Reportazh: Reflektimi i DokuFest-it në Prizren (FOTO)

0

Të këndosh këngën “I’ll Be Your Mirror’, nga The Velvet Underground, së bashku me dhjetëra njerëz shumicën e të cilëve asnjëherë më parë nuk i ke takuar, por që i pranon ashtu siç janë, gjersa reflektoni së bashku për atë që jeni, kjo është fuqia e DokuFes-it dhe ajo që shënoi edhe hapjen e këtij edicionit të XVII.

“Unë jam pasqyra jote, reflekto çfarë ti je, në rast se nuk e di,
Unë do të jem era, shiu dhe perëndimi i dellit,
Drita e shtëpisë që të tregon se je në shtëpi”, janë fjalët që i kanë shqiptuar dhjetëra persona në ambient të hapur të Kino Lumbardhi, të premten.

E ftesës së festivalit “Eja, ashtu qysh je”, po i përgjigjen një numër i madh i vizitorëve. Në ekranin e vendosur nga festivali te Shatërvani, numri i vizitorëve shënoi 1 mijë e 300 mbrëmjen e kaluar, në ditën e dytë të festivalit.

Të gjithë ata kanë ardhur për të qenë pjesë e DokuFest-it dhe programit të tij të larmishëm ku do shfaqen më shumë se 250 filma. Përveç filmave, vizitorët do shijojnë shfaqjet, bisedat, ekspozitat dhe koncertet, do kënaqen me art por njëkohësisht edhe do reflektojnë përmes mediumeve të ndryshme mbi veten dhe ambientin.

Në një situatë kur thjeshtë të duhet të marrësh frymë dhe të reflektosh, sigurisht qyteti i Prizrenit është i duhur. Një qytet ku bota moderne dhe ajo antike gërshetohen shumë bukur me njëra tjetrën, qytet në të cilin mund ta gjejë veten çdo kush, falë laramanisë që ofron.

Fillimisht ajo që duhet të zgjedhësh është lartësia mbidetare në të cilën dëshiron që të qëndrosh dhe të reflektosh. Kështu në qoftë se dëshironi që të jeni 525 m. mbi nivelin e detit, duhet që të ngjiteni të Kalaja e Prizrenit, 15 minutave ecje në këmbë nëpër rrugicën që lidhë qytetin me Kalanë. Me të arritur, për shkak të ecjes, frymëmarrja juaj për disa sekonda mund të jetë më e thellë pasi që organizmi juaj do ketë nevojë për më shumë oksigjen, por ju, ka shumë gjasa të mos i kushtoni vëmendje pasi që pamja e qytetit, i cili reflekton si një pasqyrë drejt jush, do jetë e paharrueshme. Gjersa qëndroni të Kala, vend i cili është shndërruar në kinema do jeni po ashtu në vëmendjen e kalimtarëve në qytet të cilët në muret e kalasë lexojnë mbishkrimin “AS WE ARE”, pjesë e instalacionit të festivalit.

Në anën tjetër përgjatë Lumbadhit të Prizrenit, “Lumbardhi outdoor” dhe “Kino n’lum” janë bërë zgjedhje për shumë vizitorë, të cilët po përcjellin filmat. Veçanërisht në ‘Kino n’lum’ zhurma që krijon rrjedhja e lumit po gërshetohet me filmat të cilët janë duke u shfaqur aty. Rrjedha e lumit po krijon njëkohësisht edhe një freski, e për ata të cilët kjo nuk mjafton një pijë dhe disa grimëtësira për të ngrënë gjersa përcjellin filmat janë ideal.
Mirëpo kur dielli fillon që të perëndojë ajo që duhet që të bëni është që të vazhdoni tek Platoja “DokuKino”.

Perëndimi i diellit është një njoftim se aty shfaqja e filmave do të fillojë shumë shpejtë. Kështu kuadrot e filmave gërshetohen shumë bukur me ngjyrën e kuqërremtë, e të arit, të cilat fillojnë që të shfaqen në qiell. Një pamje e mrekullueshme për të marrë fryme thellë dhe reflektuar. E meqenëse qyteti është i rrethuar me xhamia të ndërtuar në kohën e Perandorisë Osmane atëherë thirrja e ezanit do bëhet pjesë e filmit po ashtu.

Më të përfunduar filmi vëmendja e vizitorëve kthehet te Rruga e Çarshisë. Vendi i cili prezanton më së miri laramanin e qyteti dhe shijet e ndryshme të vizitorëve. Lokalet e shumta të vendosura në këtë rrugë janë çdo natë të stërmbushura nga vizitorët. Disa marrin miqtë dhe ndalojnë për një birrë, të tjerët për një kafe turke, e njohur për shijen e veçantë, e të tjerët të uritur shijojnë një byrek apo qebapët. Sigurisht që një fluks i tillë ndikon pozitivisht të prizrenasit të cilët kanë hapur dyqane të ndryshme, kafeteri e lokale.

Një e veçantë tjetër e vizitorëve të cilët bredhin rrugëve me kalldrëm të Prizrenit është se shumica e tyre janë vizitorët të huaj. Ndërsa një pjesë e tyre janë edhe filmbërës, aktorë, muzikantë, e artistë të ndryshëm të cilët janë të lidhur me kinematografinë dhe me festivalin. Disa vijnë për të prezantuar punën e tyre gjersa shpalose në festival, e të tjerët për ta shijuar atë që po prezantohet. Prandaj rrugëve të kalldrëmit arrin të takosh edhe artistët edhe nga Kosova.

Kur ora shënon 24:00 në qytetin e Prizrenit akoma nuk ka gjumë, kjo pasi që edhe jeta e natës është e pranishme përmes performancave të bendeve dhe artistë të ndryshëm të cilët perfomojnë në skenën “ANDRRA”. Vizitorët gjatë kësaj kohë drejtohen drejt “Marashit” ku shijojnë muzikë deri në orët e para të mëngjesit. Për të vazhduar përsëri një ditë tjetër reflektuese duke zbuluar prurjet e reja të këtij edicioni të DokuFestit.

Në mëngjes, trokitja e rrotave të valixhes, nëpër rrugët e kalldrëmit në kërkim të shtëpive për të qëndruar është zhurma paralajmëruese për vendasit se në lagjen e tyre po hyn edhe një vizitor i ri. Kështu mikpritës i-ja e shtëpisë, me një buzëqeshje në fytyrë i drejton mysafirët e saj në dhomën e tyre, të cilën e ka lëshuar për vizitorët e festivalit.

E veçanta e këtyre rrugëve këtë vit për dallim nga vitet e kaluar është se trungu i pemëve të vendosura gjatë rrugëve është mbështjell me punime dore të realizuara nga gratë e qyteti. Punimet këtë vit kanë zëvendësuar njoftimet e ndryshme të cilat më parë janë ngjitur nëpër pemë. Kështu përmes kësaj performance të titulluar “Drunjtë e pastër” është promovuar punë e grave të qytetit por njëkohësisht është vënë theksi mbi rëndësinë që ka ambienti.

Një veprim i tillë e ka bërë qytetin edhe më të dashur për vizitorët të cilët gjersa kalojnë rrugës i veshtojnë më kujdes edhe këto punime. Mirëpo, kjo është gërshetuar shumë bukur edhe me programin “Green Dox”, të festivalit.
Në këtë rrotacion i cili do zgjasë nëntë ditë aq sa zgjatë edhe festivali, 3-11 gusht, çdokush do mund të gjejë diçka të veçantë në Prizren. Mund të jetë diçka shumë e thjeshtë, ndoshta edhe një pikturë e Prizrenit të vjetër, e varur në murin e dhomës suaj, e ngjashme me timen në shtëpinë e zonjës Tyrkan Opoja. Pikturë të cilën një mik i familjes ia dhuroi bashkëshortit të saj të ndjerë, si shenjë respekti dhe falënderimi pasi që ishte pediatër i fëmijës së të tij.

Gjithçka mund të jetë nxitje për të reflektuar, për aq kohë sa ju jeni vetvetja, ashtu qysh jeni, kokëfortë, të guximshëm, të frikësuar, të sinqertë, krenarë, të thjeshtë, të komplikuar, të lirë, të mrekullueshëm…/KultPlus.com

 

Ragip Sylaj-një intelektual i shkallëve elitare

0

Ragip Sylaj qe gazetar, poet, prozator, dramaturg, kritik, eseist – shkrimtar i shkallëve më elitare, por edhe njeri i rrallë e me vlera shumë të larta. Ai ishte një intelektual modest, apo siç do ta përshkruante karakterin e tij një varg kadarean: “I urtë gjerë në dhembje, i thjeshtë gjerë në madhështi”.

Shkruan: Arben Veselaj

Të hënën e javës që po e lëmë pas, në moshën 59-vjeçare, iku në të përtejmen gazetari dhe shkrimtari, Ragip Sylaj. Njerëzit të cilët kanë punuar me të, që e kanë njohur, apo ata që kanë pasur ndonjë marrëdhënie sado të vogël me të, e kujtojnë me respekt të veçantë dhe nderim të madh. Lajmi i së hënës mbrëma për vdekjen e Sylajt qe tronditës për komunitetin e gazetarëve dhe artistëve shqiptarë gjithandej. Në kujtesën e të gjallëve ai do të mbahet mend si njëri nga poetët, prozatorët dhe eseistët më të talentuar të letërsisë shqipe. Librat e tij të shumtë janë vlerësuar gjithmonë lart nga kritika, ndërsa emri i tij radhitet ndër shkrimtarët më produktivë dhe më dinamikë të letërsisë bashkëkohore shqipe. Për krijimtarinë letrare ai ka marrë shumë çmime. Poezitë e tij janë përkthyer në disa gjuhë të botës, si: në anglisht, gjermanisht, pastaj sllovenisht, italisht, kurse në gjuhën rumune është botuar një përmbledhje që përfshinë krijimtarinë më të mirë poetike të tij.

Për librin poetik “Hije e gjallë” në vitin 1986 është laureuar me çmimin “Hivzi Sulejmani” që atëbotë u jepej autorëve të rinj, ndërsa në vitin 1999 ka marrë çmimin prestigjioz “Pena e artë” nga revista e mirënjohur letrare “Fjala”. Ai ka marrë edhe shumë çmime të tjera, por këtu duhet përmendur atë të fundit – të vonuarin, do të thosha, Çmimin Vjetor për Letërsi që tradicionalisht e ndan Ministria e Kulturës me rastin e kremtes së Pavarësisë. Ky çmim që mban emrin e bardit të poezisë shqipe të Kosovës, Ali Podrimjes, iu dha Sylajt për vëllimin “Kam drojë për ty”, i botuar nën përkujdesjen gjeneroze dhe punën profesionale të botuesit nga Prishtina, Berat Dakaj.

Ragip Sylaj, ndonëse iku herët nga kjo botë, megjithatë pati një jetëshkrim relativisht të bujshëm: mbi 35-vjeçar. Nuk ishte nga ata autorë që botojnë shumë, por prej atyre që shkrimit të librit i qasen vetëm të cytur nga një frymëzim i lartë. Poezia e tij, e shkruar qysh nga fillimi i viteve ‘80-të, e deri para pak muajsh, është krijuar dhe konsoliduar në vazhdimësi duke u mbështetur në format dhe modelet më të arrira – së pari të letërsisë shqipe të traditës, pastaj asaj moderne, sikurse edhe tek format dhe modelet më të arrira të letërsisë botërore.

Siç kanë shënuar shumë studiues dhe kritikë letrarë, poezia e Ragip Sylajt kryesisht ka prirje refleksive dhe meditative. Brenda poezisë së tij ai shfaqet si një meditant që rrallë mund t’i gjendet shoqi në letrat shqipe. Nëse futemi më thellë për të analizuar poezinë e tij do të zbulojmë brenda saj një botë ku gëlon mizerablja, e brenda në thellësi tek përpëlitet vet autori. Ky fakt na sjell ndërmend konstruksionin dantesk për akëcilin vepër letrare: udhëpërshkrim dhe rrëfim i autorit-narrator mes përmes skëterrës.

Poezia e Ragip Sylajt është dhimbje e rezignatë, edhe pse shpesh ajo del në formën e një humori të veçantë, sarkastik e ironik. Ajo sa të bën të qash, po aq të bën edhe të qeshësh, më shumë të nënqeshësh. Poezia e Ragip Syljat, ashtu si edhe proza e tij, në përgjithësi, ka një “cen” vetëironik – pra autori narrator është “autori vetironik”.

Librat poetikë të tij i shquan një sistem i konsoliduar dhe i formuar figurash letrare. Me mjeshtri ai e zotëron metaforën e simbolin, por mbetët një mjeshtër i rrallë i ironisë dhe i sarkazmit. Sylaj ka një varg të skalitur. Rrallë shkruan me rimë por kur e bënë këtë ai përdor një sistem ritmesh harmonike dhe na jep një sintaksë poetike gati matematikore … kjo sepse ai është “inxhinier i letërsisë”.

Shenjat e vetëironisë një lexues i vëmendshëm fare lehtë mund t’i has edhe tek proza e tij. Ragip Sylaj ka botuar katër libra në prozë: “Obsesioni” më 1992, pastaj “Përhitja” më 1996, “Humbella e fërgëllisë” 2006 dhe “Hija e shtëpisë” më 2008. Në vlerësimet që kanë marrë këta libra nga kritikët dhe studiuesit e letërsisë, e para veçanti që bie në sy është proza eseistike me shenja të forta autobiografike, apo siç rëndom thuhet nga kritika “identifikimi i autorit përmes subjektit letrar”. Bile, librin “Përhitja” i ndjeri Beqir Musliu e kishte quajtur një “roman lirik”, ku kryepersonazhi i tregimit është vet alter ego-ja i autorit.

Në jetëshkrimin e Ragip Sylajt herë pas here hasim edhe poezi për fëmijë. Ai ka botuar shumë vjersha për fëmijë nëpër revista letrare në Prishtinë dhe Tiranë. Më 2010 nën përkujdesjen e poetit dhe botuesit, Ramadan Mehmeti, u botua libri shumë i suksesshëm “Ma jep dorën”, i cili u kushtohet fëmijëve me nevoja të veçanta.
Ragip Sylaj ka shkruar edhe dy drama: “Dëbimi nga parajsa” që trajton temën universale – mëkatin biblik, dhe “Vetëkryqëzimi” – që është e njëjta histori – pra biblikja, por e përshtatur me ngjarje nga ditët e sotme. “Dëbimi nga parajsa” është një tragjikomedi në dy pjesë, ndërsa “Vetëkryqëzimi” një dramë në pesë akte.
Ragip Sylaj ka shkruar edhe dy libra nga gjinia e kritikës letrare dhe e eseistikes: “Estetika e misterit” më 2008 dhe “Harmonia estetike” më 2015. Në këta libra ai ka përmbledhur shkrimet diskursive që ka bërë për botime të ndryshme e të veçanta letrare e publicistike, të autorëve shqiptarë dhe të huaj; pastaj recensione dhe vlerësime të tjera, që i ka punuar me një përkushtim të jashtëzakonshëm gjatë punës si gazetar në gazetën “Zëri”.

Me punën e tij, shpeshherë edhe deri në vetëmohim, me talentin dhe virtuozitetin e rrallë që e pati, Ragip Sylaj ia ka siguruar vendin vetës në Panteonin e poetëve nga më të mirët e letërsisë shqipe. Ai mund të konsiderohet njëri nga përfaqësuesit tipik të “Brezit të ri” (kështu e quante Ali Podrimja brezin e poetëve kosovarë të viteve ‘80-të dhe ‘90-të) brenda arealit kosovar të kulturës shqiptare. Ky brez nxori një plejadë poetësh të talentuar të cilët i dhanë poezisë shqipe një tjetër formë dhe një tjetër sensibilitet letrar nga shkollat pararendëse. Ky brez, të cilit i takoi Ragip Sylaj, me kohë i përqafoi idealet estetike frymëzuar prej koncepteve të kulturës liberal-perëndimore (që në fakt ishin edhe një kundërvënie estetike ndaj dogmave të realizmit socialist), por, megjithatë (ky brez) arriti ta ruaj me fanatizëm shpirtin e traditës nacionale në letërsi. E, ndërkaq, nota melankolike që ia përshkon dhe ia karakterizon tejembanë poezinë dhe prozën, e bënë Ragip Sylajn murgun e këtij brezi.

Në fund më duhet të shtoj se, edhe pse Ragip Sylaj e vuajti lëngatën e tij për e një vit, gjatë gjithë kohës “ilaçin” e gjeti tek letërsia. Ai ka shkruar edhe gjatë kohës sa ka marrë terapi intensive kundër sëmundjes, bile disa publikime që i ka bërë në këtë kohë mendoj se janë më të bukurat që ka shkruar në jetën e tij, si poezia “Letër engjëllit tim mbrojtës”, pastaj poezia tjetër “Shqiptari primitiv”, e cila po ashtu është nga më të veçantat e më të bukurat që ai shkroi.

Zyrtare, Milani rikthen legjendën si drejtues në klub

0

Rikthehet Paolo Maldini. Ish-mbrojtësi legjendar kuqezi dhe i përfaqësueses së Italisë emërohet drejtor i zhvillimit strategjik të zonës sportive në klubin e Milanit. 50-vjeçari është kërkuar me ngulm nga Leonardo dhe drejtuesit e ri të shoqërisë.

Paolo konsiderohet një legjendë e gjallë e historisë së Milanit për klasin e tij të jashtëzakonshëm, talentin, lidershipin, besnikërinë dhe rekordin e sukseseve që ka arritur te Milani, çka e bëjnë të pakrahasueshëm me të tjerët.

Të tilla cilësi do të luajnë një rol përcaktues për t’i rikthyer Milanit madhështinë që meriton.

Pikërisht me këto fjalë Milani zyrtarizoi rikthimin e Paolo Maldinit në botën kuqezi. Prezantimi i tij është programuar këtë të hënë, në orën 16:30.