10.5 C
Prizren
E mërkurë, 14 Maj, 2025
Home Blog Page 5220

KQZ shtyn diskutimin për decertifikimin e Zafir Berishës

0

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ndër tjera, sot ka diskutuar edhe për rekomandimin për decertifikimin e 86 kandidatëve të cilët kanë aktgjykime të formës së prerë nga gjykatat e Republikës së Kosovës.

“Në vazhdim të mbledhjes, KQZ-ja shqyrtoi edhe rekomandimin për decertifikimin e 86 kandidatëve me Aktgjykim të formës së prerë nga Gjykatat e Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatën e KQZ-së.

Për t’i hequr dilemat, siç thuhet në komunikatë, në mbledhjen e KQZ-së u vendos që mbledhja të vazhdojë nesër.

 

“Pas diskutimeve, me qëllim të arritjes së një zgjidhje konsensuale, anëtarët e KQZ-së u dakorduan që mbledhja për këtë pikë të rendit të ditës të vazhdojë edhe nesër, pasi u pa e nevojshme që të largohen dilemat lidhur me të gjitha rastet që janë paraqitur për decertifikim”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, në këtë mbledhje u shqyrtuan dy rekomandime të Zyrës për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim.

Në fillim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miratoi rekomandimin për decertifikimin e 5 kandidatëve të Subjekteve Politike të ndryshme, të cilët me vetëdëshirë janë tërhequr në afatin e paraparë.

 

KQZ-ja u dha një afat prej 24 orësh këtyre Subjekteve Politike që të bëjnë zëvendësimet e këtyre kandidatëve.

Gazeta Insajderi më herët ka raportuar se kandidati për kryetar të Prizrenit, Zafir Berisha, ka qenë i dënuar më 140 euro gjobë për shkak të lidhjes ilegale të rrymës në lokalin e tij.

Këtë e ka konfirmuar vetë Berisha për Insajderi.

 

Ai i ka thënë gazetës se ka qenë i dënuar, por kishte bërë ankesë në Gjykatën e Apelit, dhe nuk është në dijeni se deri ku ka shkuar lënda e tij.

Megjithatë, Berisha ka thënë se krejt kjo po bëhet për shkak se bandat synojnë ta eliminojnë atë nga gara politike dhe ta marrin Prizrenin./Insajderi.com

Rrezikohet Zafir Berisha

0

Kandidati për kryetar të Prizrenit, nga Nisma, Zafir Berisha rrezikon që të mos mund t’i hyjë kësaj gare.

Kjo pas raportimeve se Berisha është kyçur ilegalisht në rrjetin elektrik, transmeton Klan Kosova.

Berisha ka thënë se kjo është duke iu montuar vetëm për ta lënë jashtë garës elektorale.

Ky është postimi i plotë i Berishës:

“Më shumë se qesharake!

140 euro dënimi për arsye të organizatës mafioze turko-kosovare e KEDS-it, e cila qëndron pas privatizimit të dyshimtë të distribuimit të energjisë elektrike, është arsyeja me u largu nga gara për zgjedhjet e 22 tetorit.

Nuk e di nëse është vepër e rëndë penale, por para tre muajsh me këto ligje kam qenë në zgjedhjet parlamentare. Kjo ka të bëjë që, me çdo kusht eliminimin nga gara për t’jua liruar bandave me e marrë Prizrenin.

Po shihet se edhe mosdhënja e pergjegjes nga Gjykata e Apelit per këtë çështje po delë e kordinuar…
Nuk po e kuptoj se a ka qenë në fuqi ky ligj për Valdete Dakën dhe atyre që qëndrojnë pas saj, apo atëherë nuk e kanë parë, sepse është dashtë të eliminohen edhe ata që kanë vjedhur shtetin edhe me nga 30 milion euro, e që i kanë ndarë me këta që po i bëjnë presion z.Daka…

Për vete e kam mëse të çartë se pse ndodhë kjo, por ata që mundohen të më shandazhojnë kështu, le ta dijnë se edhe më fuqishim se asnjëherë do të luftoj që me 22 tetor të çlirohet Prizreni, i cili me 12 Qershor të 99-tës është çliruar nga Serbia, e me 22 Tetor të këtij viti nga bandat mafioze të “Klanit Pronto”, Me Zafën a pa të, Hashim harroje Prizrenin. Herët apo vonë, nëse mendon që mundesh me i ikë ligjit, nuk ke me mujtë me i ikë kan

Ministri Kujtim Gashi merr detyrën e udhëheqjes së MKRS-së

0

Vlora Dumoshi ia ka dorëzuar sot detyrën e udhëheqjes së ministrisë, Ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi.

Ministrja Dumoshi e ka uruar ministrin e ri Gashi për marrjen e detyrës dhe i ka dëshiruar mbarëvajtje të punës, arritje të objektivave dhe realizim me sukses të projekteve në kuadër të periudhës që ai do të udhëheqë me MKRS-në.

Ajo e ka njoftuar ministrin Gashi me punët që janë realizuar në kohën kur ministri Kujtim Shala, e më pas Dumoshi kanë udhëhequr MKRS-në. E ka informuar për sukseset e arritura si dhe me sfidat që është përballur MKRS-ja gjatë kësaj periudhe si dhe për projektet që janë në realizim e sipër.

Dumoshi ka përmendur punën që është bërë në fushën e kulturës, me rritjen e përkrahjes për organizimet kulturore në vend, mbështetjen e institucioneve vartëse të MKRS-së, ku secilin vit, buxheti për kulturë vazhdimisht është rritur.

Gjithashtu, u bisedua edhe për të arriturat dhe sfidat në fushën e sportit, pas ndërkombëtarizimit të tij, ku priten të finalizohen shumë projekte në infrastrukturën sportive.

Ministrja është shprehur se së fundmi ka takuar përfaqësuesit e sektorit të rinisë dhe ka dëgjuar shqetësimet e tyre. Ajo e informoi ministrin Gashi se MKRS-ja është duke e draftuar strategjinë e re për rininë, si dhe investimet e konsiderueshme që janë bërë për infrastrukturën për të rinj, duke krijuar hapësira të reja e moderne për ta.

Në kuadër të trashëgimisë, MKRS-ja ka proceduar Ligjin për Trashëgiminë, dhe kjo legjislaturë pritet ta votojë. Është bërë konservimi dhe restaurimi i objekteve në bazë të rekomandimeve të ekspertëve. U theksua se MKRS-ja ka mbështetur Institutin Arkeologjik për gërmime.

Ndërkaq, ministri i ri Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, u shpreh i kënaqur për punën e deritanishme që është bërë në MKRS, duke theksuar se ai do të përkushtohet që të punohet në bazë të programit qeverisës me qëllim të avancimit të performancës dhe realizimit të projekteve të rëndësishme në kulturë, sport, trashëgimi kulturore dhe rini.

Gashi ka thënë se do të angazhohet që objektivat e MKRS-së të arrihen plotësisht dhe premtoi se do të punojë në rritjen e bashkëpunimit edhe me partnerët vendorë e ndërkombëtarë në promovimin dhe përmirësimin e resorëve që mbulon ministria.

Reshitaj merr detyrën e Ministres së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor

0

Sot në ambientet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor u bë pranim-dorëzimi i detyrës ndërmjet ministrit të deritanishëm Ferat Shala dhe ministres së posazgjedhur Albena Reshitaj.

Me këtë rast, Shala e njoftoi ministren Reshitaj me projektet e realizuara, ato në realizim e sipër, si dhe planet në domenin që ngërthen MMPH, duke i ofruar mbështetjen e plotë të tij si dhe duke i dëshiruar suksese në detyrën e re.

Nga ana tjetër ministrja Reshitaj pasi falënderoi Shalën për prezantimin e projekteve të realizuara gjatë mandatit të tij, u zotua që si ministre e këtij dikasteri do të punojë ngushtë me stafin civil të ministrisë për të arritur progres në fushën e Mbrojtjes së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

“Ne, sot po fillojmë një fazë të re të politikëbërjes në fushën e mbrojtës së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor që përmbushë kriteret evropiane për jetë të shëndetshme si dhe ngritje të cilësisë dhe jetës së qytetarëve të Kosovës”, shtoi nder të tjera Reshitaj.

Në fund Reshitaj, falënderoi presidentin e AKR-së Behgjet Pacollin dhe anëtarësinë e gjerë të partisë për besimin e dhënë që të drejtojë këtë ministri, për implementimin e politikave progresive të AKR-së në lidhje me Mjedisin dhe Planifikimin Hapësinor në Kosovë.

Qeveria Haradinaj do ta zbulojë ‘ujin e nxehtë’!

0

Lavdim Hamidi

Ramush Haradinaj edhe zyrtarisht sot pritet ta marrë drejtimin e Qeverisë së Kosovës, për të dytën herë me radhë pas gati trembëdhjetë vjetësh qëkur u detyrua ta ndërpresë mandatin e tij si kryeministër për shkak të ftesës nga Gjykata e Hagës, në vitin 2005.

Herën e parë e shijoi vetëm 100 ditë pozitën më të lartë qeveritare, përderisa mandati i dytë si kryeministër nuk dihet se sa do t’i zgjasë. Me gjasë më shumë se 100 ditë, por jo edhe katër vjet sa është mandati i plotë ligjor i Qeverisë.

Kjo për faktin se ai do ta drejtojë ekzekutivin e vendit në bazë të një koalicioni të madh të partive parlamentare, të cilat në Kuvend i kanë vetëm 61 vota, minimumin e votave të nevojshme për t’i formuar institucionet qendrore. Numrat flasin se sa jostabile është Qeveria e tij në një Kuvend, ku opozita ka pothuajse vota sa pozita.

***

Qeveria, që do ta drejtojë ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, u dëshmua se është e varur maksimalisht nga votat e Listës Serbe, e cila është nën kontroll të plotë të Beogradit, me ç’rast edhe votimi i kabinetit të tij të shtunën u vonua për disa orë për shkak se deputetët serbë kishin qenë në Beograd për ta marrë bekimin e Marko Gjuriqit, drejtorit të të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.

Aspak të lehtë Haradinaj nuk do ta ketë drejtimin e Qeverisë edhe me partnerët shqiptarë të koalicionit qeverisës, ku partia e tij me dhjetë deputetë në Kuvend është dashur t’i zvogëlojë ambiciet politike në drejtimin e vetëm dy ministrive për t’ia plotësuar atij dëshirën e kamotshme për t’u bërë sërish kryeministër.

Ndërsa AKR-ja e Behgjet Pacollit, që do t’i ketë vetëm dy vota në Kuvend, pasi ky i fundit merr post në ekzekutiv dhe deputeti Korab Sejdiu u largua nga AKR-ja, i mori katër top-ministri, duke përfshirë këtu Ministrinë e Punëve të Jashtme, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Ministrinë e Mjedisit, si dhe shtatë poste të zëvendësministrave, përfshirë këtu edhe postin e presidentit pasi që presidentit aktual Hashim Thaçit, t’i përfundojë mandati pesëvjeçar.
Ndoshta kishte kalkulime politike se këtij të fundit mund t’i përfundojë mandati më herë nëse eventualisht Gjykata Speciale ngrit aktakuzë ndaj tij, mirëpo një gjë e tillë nuk është e sigurt, është vetëm në nivel të spekulimeve.

Partneri i madh i koalicionit, PDK-ja e Kadri Veselit, do t’i ketë shtatë poste në ekzekutiv, mes të cilave edhe Ministrinë e Inovacionit, ndonëse “inovacioni” i vetëm i ministrit Besim Beqajt në të kaluarën sa ishte ministër i Zhvillimit Ekonomik ka qenë shitja e distribucionit të energjisë për vetëm 26.3 milionë euro, fitime këto që kompania turke “Limak” i ka siguruar vetëm në vitin e parë të operimit me KEDS-in!

Në një shtet me bujqësi të pazhvilluar, ku arat bujqësore pothuajse janë betonizuar apo janë lënë djerrinë, ky sektor i është besuar ministrit nga radhët e Listës Serbe.
Ky i fundit i ka në kompetencë dhjetëra miliona euro në vit për subvencione bujqësore dhe nëse nuk i ndanë këto mjete për subvencionimin e fermerëve në Rrafshin e Dukagjinit, ku merren kryesisht me bujqësi, por i orienton diku tjetër dhe i mbesin miliona si suficit, atëherë indirekt stimulon importin, edhe ashtu të lartë të produkteve bujqësore nga Serbia.

***

Ramush Haradinaj në fushatën e fundit zgjedhore sa ishte kandidat i koalicionit PAN për kryeministër kishte premtuar se për tre muaj pasi të zgjidhet në krye të Qeverisë vendit do t’i hiqen vizat e Bashkimit Evropian.

Por për t’i hequr vizat koalicioni i tij duhet ta kalojë në Kuvend Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, të cilën gjë e ka të pamundur ta bëjë pasi i nevojiten 80 vota të deputetëve, të cilat nuk i ka, si dhe ta luftojë korrupsionin.

Edhe këtë fenomen negativ, si dhe njërin nga dy kushtet e BE-së për liberalizim të vizave e ka të vështirë ta luftojë, duke marrë parasysh “premtimin” e parë të ministrit të ri të Drejtësisë, Abelard Tahiri, i cili bëri një gabim trashanik në një status të tij në “Facebook”, ku shkroi se do të punojë në “forcimin e sundimit të së drejtës, krimit të organizuar dhe korrupsionit”. Pra, ky ministër i Drejtësisë, ndonëse gabimisht, premtoi forcimin e korrupsionit dhe jo luftimin e tij.

Duke marrë parasysh faktin se emrat e ministrave të rinj nuk ishin shumë premtues, kryeministri Haradinaj vështirë se do të arrijë t’ia heqë qytetarëve vizat për në BE, ta luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin, ta zhvillojë bujqësinë dhe të hapë vende të reja të punës.
Edhe kjo Qeveri, sikur ato të mëparshmet, me shumë gjasë do të angazhohet për paga të larta dhe mëditje, punësime të familjarëve dhe bashkëpartiakëve, si dhe për shpërblimin me tenderë të bizneseve që i kanë financuar në fushatë zgjedhore.
Kjo situatë e pashpresë mund të ndryshojë vetëm nëse Ministria e Inovacionit e bën ndonjë zbulim të madh me të cilin do të identifikohet në të ardhmen Kosova: Nëse e zbulon “ujin e nxehtë”!

Jo vetëm Demarkacioni e Liberalizimi – këto janë premtimet kryesore që ka dhënë Ramush Haradinaj

0

Kryeministri i sapo zgjedhur i Kosovës, Ramush Haradinaj ka premtuar shumë gjatë fushatës zgjedhore.

Premtimet e tij shpesh janë cilësuar si enorme dhe vështirë të realizueshme, mirëpo prej sot ai e ka timonin e Qeverisë dhe mund ta dëshmojë të kundërtën, shkruan AktivPress.

Haradinaj ka premtuar zgjidhje të shpejtë për temat kyçe në Kosovë, si: Demarkacionin me Malin e Zi, liberalizimin e vizave, Ushtrinë e Kosovës, luftimin e krimit e korrupsionit, si dhe për punësimin dhe rritjen e mirëqenies së qytetarëve.

Njëri nga top-premtimet e tij është rritja e pagave në vend për 30 për qind, si dhe rritja e pensioneve për 25 për qind.

“Do t’i rrisim pagat në sektorin publik për 30%. Do të rrisim eksportet pesëfishë dhe do t’i ulim importet. Do t’i ulim importet nga Serbia”, kishte premtuar ai.

Ramush Haradinaj nuk ishte kursyer të bëjë edhe një premtim i cili u vu në mëdyshje dhe u kritikua veçanërisht nga kori diplomatik ndërkombëtar në Kosovë.

Ai ka premtuar se vetëm tre muaj pasi të zgjidhet kryeministër i Kosovës do t’i heqë vizat me Bashkimin Evropian.

 

Liberalizimi i vizave ishte dhe mbetet një çështjet më të ndjeshme të qeverisjes në Kosovë. Kjo pasi BE ka vënë dy kritere për udhëheqësit kosovarë që t’ua mundësojnë qytetarëve lëvizjen e lirë në vendet evropiane.

Ratifikimi i Marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi dhe luftimi i krimit e korrupsionit në Kosovë janë kushtet që i ka vënë BE-ja Kosovës për vizat.

Lidhur me të parën, Haradinaj është zotuar se vija kufitare me Malin e Zi do të vendoset në Çakorr, duke kundërshtuar versionin e Qeverisë së Isa Mustafës.

“Versioni i tanishëm i marrëveshjes është i gabuar. Kufiri Kosovë-Mali i Zi është në Çakorr dhe në Kullë dhe në majat e larta, pra ne do të korrigjojmë këtë”, ka deklaruar ai. Haradinaj, për kushtin e dytë të BE-së për vizat, ka premtuar se do ta nxjerr vendin nga korrupsioni duke fuqizuar sundimin e rendit dhe ligjit. “Askush s’do ta mund Kosovën asnjëherë. As korrupsioni. Kosova po na thërret që ta mundim korrupsionin, krimin, terrorizmin”, kishte deklaruar kryeministri i ri i Kosovës.

Haradinaj nuk kishte anashkaluar në zotimet e tij edhe rastin e minierës së Trepçës e cila tash e sa kohë ka mbetur peng e krizës politike, shkruan AktivPress.

“Trepça do të kthehet në një gjigant ekonomik! Do të angazhohemi që brenda 90 ditëve t’ua njohim stazhin e punës dhe zgjidhim çështjen e pensioneve për minatorët. Trepça nuk do të lihet në mëshirën e të tjerëve por do ta kthejmë në një gjigant të zhvillimit ekonomik të vendit”, ishte zotuar kandidati i PAN-it.

Edhe pse për t’u bërë kryeministër i kishte të domosdoshme votat e deputetëve të Listës Serbe, Haradinaj gjatë fushatës premtonte se në Kosovë do të vendos vetë Republika e Kosovës.

“Ka ardhë koha që në Kosovë me vendos Kosova! Mbështetja kaq e madhe e kaq e shtrirë anë e mbanë Kosovës, është mbështetje dhe qëndrueshmëri, jo veç për mua, por për të drejtën tonë të përbashkët, që Kosova të jetë shtet i së drejtës dhe shtet i qytetarëve të barabartë, që Kosova të jetë e zhvilluar ekonomikisht, që Kosova ta ketë ushtrinë e saj, që Kosova ta marr në afatin sa më të shpejt liberalizimin e vizave, që Kosova njëherë e përgjithmonë t’i ndal agjendat dashakeqe të Serbisë për Kosovën, që Kosova të përshpejtojë rrugën e saj drejt integrimit euro-atlantik”, kishte thënë ai.

Njëra nga sfidat kryesore për Qeverinë Haradinaj pritet të jetë çështja e energjetikës, konkretisht problemi për sigurimin e thëngjillit nga Korporata Energjetike e Kosovës për t’iu siguruar qytetarëve energji elektrike të mjaftueshme.

“Kosovën do ta shndërrojmë në fuqi energjetike të rajonit. Me rezervat më të mëdha të thëngjillit në Evropë, Kosovën do ta shndërrojmë në fuqi energjetike të rajonit”, thoshte Haradinaj.

Veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) do të përballen me mungesë të mjeteve për pensionet e tyre mujore.

Kjo pasi Qeveria e Kosovës nuk ka fonde të mjaftueshme për ndarjen e këtyre pensioneve. Këtë problematikë do ta trashëgojë edhe kryeministri i ri Ramush Haradinaj.

Ai ishte zotuar se do t’i respektojë veteranët dhe do t’ua kthej obligimet që ka ndaj tyre shteti i Kosovës.

“U zotuam njëjtë, si dikur, se kurdo që e lypë nevoja, gjithmonë do të jemi në shërbim të atdheut. Kjo kategori e shoqërisë sonë meriton respekt dhe tretman më fisnik nga shteti ynë. Këtë do ta bëjmë” kishte premtuar Haradinaj.

Kryeministri i cili pritet që sot më 11 shtator 2017 të marrë zyrtarisht detyrën për të qeverisur vendin, kishte premtuar transparencë dhe llogaridhënie gjatë udhëheqjes si shef i ekzekutivit.

“Ju premtoj (medieve dhe gazetarëve) se do të jem i hapur për bashkëpunim dhe transparent në informimin e drejtë të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, kishte thënë ndër të tjerash Haradinaj.

Përzgjidhen këngët për edicionin e 29 të festivalit “Zambaku i Prizrenit 2017”

0

Juria e organizatorit të festivali “Zambaku i Prizrenit” në përbërje: Xhevdet Gashi, Besnik Krajku, Krist Lekaj dhe Osman Goranci (për tekst), ka përzgjedhur këngët që do të jenë pjesë e edicionit të 29 të festivalit të këngës së vjetër qytetare “Zambaku i Prizrenit”.

Drejtori i Studio Helix, Istref Krasniqi njofton se pas organizimit të suksesshëm të edicionit të vitit të kaluar të “Zambakut të Prizrenit”, këtë vit interesimi i kompozitorëve për pjesëmarrje në edicionin e 29 kanë qenë shumë i madh.

“Organizimi i suksesshëm i edicionit të kaluar nga Studio Helix ia ka kthyer namin festivalit dhe këtë vit në adresën tonë kanë ardhur 25 këngë, nga të cilat juria ka përzgjedhur 15 këngë. Juria e ka përzgjedhur një këngë më shumë këtë vit, sepse tradicionalisht në festival paraqiten 14 këngë. E kemi bërë këtë përjashtim sepse kompozimet që kanë arritur janë me vlera të mirëfillta të natyrës së festivalit” shprehet Krasniqi.

Krasniqi i falënderon të gjithë kompozitorët për pjesëmarrje dhe shpreh keqardhje që rregullat e festivalit kërkojnë numër të caktuar të këngëve.

“Edhe këngët që kanë mbetur jashtë edicionit të 29 kanë vlera, por juria ka përzgjedhur kompozimet më të mira” tha Krasniqi.

Krasniqi shprehet i bindur se festivalit “Zambaku i Prizrenit” po i kthehet rëndësia që e kishte, prandaj, edhe për faktin se vitin e ardhshëm është edicioni jubilar i 30, do t’i propozoj Kuvendit Komunal që “Zambaku i Prizrenit” të mbahet dy netë.

“Sivjet “Zambaku i Prizrenit” do të jetë edhe më cilësor dhe vitin e ardhshëm presim interesim edhe më të madh të kompozitorëve, prandaj ky festival e meriton që të rritet dhe vitin e ardhshëm të mbahet për dy net” shprehet i bindur Krasniqi.

Krasniqi njofton se edhe për festivalin “Fluturat” dhe Rrock live, kanë arritur kompozime të mirëfillta dhe janë përzgjedhur këngët.

Edicioni i 29 i festivalit “Zambaku i Prizrenit”, edicioni i 19 i festivalit Fluturat dhe Rrock live do të mbahet në fund të muajit shtator.

Këngët e përzgjedhura për edicionin e 29 të festivalit “Zambaku i Prizrenit”

1. Lum Halabaku me këngën “Shpresë”

2. Gjergj Kaqinari me këngën “Shekëlqimi në bar”

3. “Besim Berisha me këngën “Balada me numër X”

4. Tomor Berisha me këngën “O Zambak lule në parajsë”

5. Arsim Kryeziu me këngën “Vitet po kalojnë”

6. Menan Kiseri me këngën “Kujtimet e rinisë”

7. Nexhat Rexha me këngën “Trëndafilin une e zgjodha”

8. Gazmend Kraja me këngën “Zambaku e lulebora”

9. Ylli Kalaja me këngën “Sytë e zi vetull gjilpanë”

10. Nexhat Macula me këngën ” “Loti”

11. Ylli Ramzoti me këngën “Peisazh pranveror”

12. Artan Bakija me këngën “Elegji për dashurinë”

13. Shefqet Hoxha me këngën “Gradu ljubavi” (Qyteti i dashurisë)

14. Hysein Kazaz me këngën “Ugurlar Olsun”

15. Edon Ramadani me këngën “Violina e vjetër”

Asnjë hap për bustin e Begollit para Fakultetit të Arteve

0

 

As edhe një hap konkret nuk është bërë për realizimin e idesë që para objektit të Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, të vihet një bust i aktorit Faruk Begolli, i cili ishte edhe ligjërues i këtij institucioni.

Ka kaluar gati një vit prej kur aktori e producenti Fatmir Spahiu e kishte shpalosur idenë që Begolli të nderohet me një bust, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ideja ishte përkrahur edhe nga dekani i Fakultetit të Arteve, regjisori Agim Selimi. Por sot e asaj dite nuk është bërë asgjë në këtë drejtim.

Madje, kjo iniciativë nuk është diskutuar as në gushtin e këtij viti, kur edhe u shënua 10-vjetori i vdekjes së aktorit që u lind në Pejë më 14 shkurt 1944.

Dekani i Fakultetit të Arteve, Agim Selimi ka thënë se nuk ka diçka konkrete për këtë nismë…

Kabineti Haradinaj, me apo pa gjini opozitare

0

Nga gjithë ai kabinet aq i madh me kryeministrin, pesë zëvendës kryeministra dhe me 21 ministri, ku vetëm dy janë femra, shtrohet pyetja se me një përfaqësim kaq simbolik të femrave, a mund të jetë legjitim dhe reprezentativ një kabinet i tillë qeveritar?
Nga sot, Ramush Haradinaj është Kryeministër i vendit. Njeriu i cili në të gjitha paraqitjet e tij në fushatën zgjedhore e kishte gojen plot lidhur me pjesëmarrjen dhe fuqizimin e femrës në vendimmarrje. Madje në këtë drejtim ishte më i zëshëm se kandidatët e tjerë, të gjithë meshkuj, pretendent për kryeministër.

Përqindja e femrave në parlament apor edhe në kabinete qeveritare është një ndër indikatorët më të rëndësishëm i cili ndihmon në promovimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e femrës. Në një popullsi, 50% e së cilës përbëhet nga femra, pjesmarrja në pozicionet vendimmarrëse e të dy sekseve duhet të ishte në të njëjtat kuota, ose të paktën në kuota të përafërta. Derisa në parlament Kosova është e përfaqësuar me më shumë se 30% të vendeve që zënë femrat, çuditërisht në kabinetet e fundit qeveritare prezenca e saj gjithnjë e më shumë po ngelet simbolike, ose siq thuhet shpesh me përbuzje te ne, për dekor e stoli. Në vitet 2013-2014, vetëm 12 komuna të Kosovës kishin një apo dy drejtore të drejtorive femra, ose nga 301 pozita drejtorësh sa kishte, vetëm 14 apo 4.4% prej tyre ishin femra!

Arsyet kryesore pse gjithmonë vendoset theksi mbi pjesmarrjen e femrave në politikë, janë të shumta. Së pari, mundësia e barabartë për pjesmarrje është e drejtë e gjithsecilit. Së dyti, studimet tregojnë se shtetet që kanë më pak se 30% të vendeve në parlament nga femrat janë më pak demokratike dhe më shumë diskriminuese. Së treti, femrat dhe meshkujt kanë perceptime të ndryshme mbi prioritetin e politikave të një vendi. Faktet tregojnë se femrat janë më të përfshira në ligjet nga të cilat përfitojnë gratë, fëmijët dhe familjet. Për rrjedhojë barazia në përfaqësim mundëson mbrojtjen më të mirë të femrave dhe çështjeve të tyre. Element tjetër shumë i rëndësishëm është se studimet poashtu dëshmojnë për përmirësim të qeverisjes dhe ulje të korrupsionit falë pjesmarrjes së femrave në qeverisje. Gjithashtu gratë në politikë dhe qeverisje janë të prira për të ndjekur politika që nxisin shëndetin publik, arsimimin, fëmijët, familjen dhe moshën e tretë.

Po të shohim përbërjet e kabineteve qeveritare në regjion apo në shtetet e Bashkimit Evropian, qartësisht vërejmë se sa larg atyre standardeve është Kosova. Në Norvegji, Zvicërr dhe në Finlandë, për shembull, mazhoranca qeveritare në të shumtën e rasteve përbehet nga femrat, ndërsa në Shqipëri kjo pjesëmarrje në vitet e fundit është pothuajse e barabartë. Në të gjitha shtetet e regjionit, shprehur në strukturë vlerore sa i përket qeverive, kjo përqindje është më e lartë se te ne.

Edhe sa vite, edhe sa zgjedhje, qofshin ato lokale apo qendrore do të mbahen në Kosovë ku do të vazhdohet të përseriten pyetjet retorike se, janë gratë në Kosovë vetëm numër apo edhe zë i vërtetë në politikë? Janë ato në kabinete qeveritare vetëm për dekor e stoli? Janë pjesë e qeverisë vetem sa për të qenë? Apo janë aty për një përfaqësim simbolik i cili është shumë larg përfaqësimit që kanë vendet e zhvilluara.

Mbase dy femrat ministe në këtë kabinet nuk do të gjejnë satisfaksion në faktin se në kabinetin e parë qeveritar në Kosovën e pasluftës nuk kishte asnjë ministre femër! Në vitin 2015 nga 22 ministri vetem dy udhëheqeshin nga femrat. Sot, kabineti qeveritar i zotit Haradinaj numëron 5 zëvendëskryeministra, pra të gjithë meshkuj dhe 21ministri, prej të cilave vetëm dy (9.52%) udhëhiqen nga femrat. Kjo tendencë kthjelltësisht kuptohet se është shumë larg premtimeve që dëgjoheshin nga liderët e partive politike të cilët sot ndanë torten e pushtetit dhe dëshmuan “burrërinë” e tyre para grave!

Shoqëria kosovare ka një nevojë emergjente të dëgjojë më fuqishem zërin e gruas në vendimmarrje, prandaj urojmë që ky kabinet qeveritar të jetë i fundit me pjesëmarje kaq të ulët të femrave.

Minimizimi i rolit të gruas në qeverisje, fatkeqësisht duket se është bërë kulturë qeverisëse në të gjitha nivelet te ne. Mbase këndellja kolektive për trajtimin meritor të femrës në shoqërinë kosovare do jo vetem “më pak burrëri“, por edhe shumë kohë.

 

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/shkurt-e-shqip/kabineti-haradinaj-me-apo-pa-gjini-opozitare-432485/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Përleshje në Dragash, arrestohet i dyshuari

0

Në fshatin Planik të Dragashit të dielën është arrestuar një i dyshuar mashkull pasi që i njëjti ka sulmuar fizikisht viktimën mashkull, të cilit i ka shkaktuar lëndime.

Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, raporton Policia e Kosovës.