12.7 C
Prizren
E martë, 13 Maj, 2025
Home Blog Page 5239

Bashkimi kërkon falje për përkrahjen publike për Shaqir Totajn

0

Klubi i basketbollit, Bashkimi nga Prizreni ka kërkuar falje për postimin e disa ditëve më parë në përkrahje të Shaqir Totajt për kryetar të komunës së Prizrenit.

Bashkimi kishte shprehur përkrahje për ish-kryetarin e klubit, që tash kandidon në radhët e PDK-së, duke thënë se besojnë që ai do të udhëheqë qytetin në mënyrën më të mirë të mundshme.

Pas këtij postimi kishin reaguar qytetarët e Prizrenit që kishin kërkuar të mos ketë përzierje të sportit dhe politikës, ndërsa tani Bashkimi përmes Facebookut ka kërkuar falje.

“Ditë më parë kemi bërë një status(të cilin sot e kemi fshirë) në lidhje me kandiminin për Kryetar Komune të Presidentit të klubit z.Shaqir Totaj të cilit i kemi dhënë mbështetje!

Por ky status i jonë është keqkuptuar nga disa persona dhe disa portale te cilat janë të politizuar vetë…

Ne në asnjë moment nuk kemi përkrahur asnjë parti politike,ne kemi dhënë mbështetje për kryetarin tonë si individ dhe njeri i dëshmuar!

KB BASHKIMI është i të gjithë qytetarëve të Prizrenit dhe i tillë do të jetë gjithmonë!

Ne i kërkojmë falje shoqërisë civile të cilët mund të mos jenë ndier mirë me statusin e paqellimshëm nga ana jonë!

KB BASHKIMI PRIZREN”, thuhet në njoftim.

Rudyard Kipling

0

Poezi nga Rudyard Kipling.
Përktheu Robert Shvarc

Në mundsh ta ruash arsyen, kur bota humbet fillin
e fajin ty ta hedh dhe vetes t’i besosh,
sa herë tek ti dyshojnë e s’të përfillin
por edhe dyshimet drejt t’i gjykosh…

 

Në mundsh të rrish në pritje, nga pritja pa u lodhur,
e, kur t’urrejnë, urrejtje mos t’ushqesh,
madje, ndaj shpifjeve të rrish pa folur,
me thjeshtësi, me to pa rënë ndesh…

Në mundsh t’mendosh, por jo gjer në shkatrrim,
të ëndërrosh, por jo si rob ëndërrimesh,
dhe t’i trajtosh njëlloj e pa dallim
ngadhnjim e shpartallim burim mashtrimesh…
Në durofsh dot thëniet e tua të drejta
në kurthe për trutharët, kopuket që t’i kthejnë,
t’i shohësh të thyera gjërat më të shtrenjta
e prapë t’i ndërtosh me vegla që nuk vlejnë…
Në mundsh fitoret që ke korrur t’i flijosh
si në kumar, në një të vetme lojë,
të rrezikosh, të humbasësh e prapë t’ia fillosh,
dhe humbjen kurrë të mos e zesh në gojë…

Në i detyrofsh dot muskul, nerv e puls e zemër
të të shërbejnë edhe kur gjithçka duket e kotë,
e të qëndrosh kur s’ke asgjë më veç vullnetit,
që vetëm fjalën “Qëndro!” gjithmonë të thonë…
Në mundsh të flasësh me maskarenj, por nderin tënd ta ruash
e t’ecësh përkrah mbretit pa krenari që të verbon…
Nëse armiku apo miku s’të bëjnë dot të vuash,
dhe gjithkend e çmon, por veç sa meriton…

Në mundsh t’i mbushësh ti minutat aq të rënda
me vepra që peshojnë
dije dhe mos kij asnjë dyshim,
se jotja do të jetë Bota, me ç’ka brenda,
dhe NJERI do të jesh, o biri im!

Përfundimisht është arritur marrëveshja ndërmjet PAN dhe AKR’së

0

Burime të Gazetës Express kanë bërë me dije se koalicioni PAN ka arritur marrëveshje me kreun e AKR’së, Behgjet Pacollin, për formimin e Qeverisë së Kosovës. Fillimisht, me këtë marrëveshje arrihet zhbllokimi i Kuvendit duke e votuar Kryeparlamentarin, e më pas kalohet në votimin e Qeverisë. Sipas të gjitha gjasave, seanca e radhës ku do të implementohet kjo marrëveshje do të mbahet në fillim të shtatorit

Koalicioni PAN dhe Aleanca për Kosovën e re e Behgjet Pacollit kanë rënë dakord për krijimin e institucioneve të reja. Gazeta Expres merr vesh se Pacolli ka pranuar të bëhet pjesë e qeverisë së re e cila pritet të drejtohet nga Ramush Haradinaj.

Si duket negociatat që janë zhvilluar gjatë fundjavës që shkoi, kanë qenë vendimtare për këtë marrëveshje. Javën e kaluar Kuvendi i Kosovës nuk arriti të zhbllokohet pasi PAN ende nuk i kishte votat për Kryeparlamentarin. Kjo nxiti debate të ashpëra dhe përplasje sidomos ndaj Vetëvendosjes dhe Partisë Demokratike të Kosovës.

Kreu i PDK’së Kadri Veseli në replikat e tij me Albin Kurtin në Kuvend, tha se do të hiqte dorë nga posti i Kryeparlamentarit nëse Kurti arrin të sigurojë 61 vota – aq sa duhen për zgjedhjen e kryeparlamentarit dhe formimin e institucioneve.

Kjo ka nxitur një proces tjetër bisedimesh po zhvillohet ndërmjet Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, por nuk dihet se cilat janë shanset që këto dy palë të arrijnë, pasi nuk po hezitojnë të përplasen publikisht sidomos rreth cështjes së 70 dosjeve që Vetëvendosje i ka deponuar në Prokurori kundër Isa Mustafës.

Zyrtarë të PDK’së dhe të partive tjera në Parlamentin e Kosovës kanë thënë se presin që Kuvendi të mbajë seancën e re gjatë javës së parë të muajit shtator. /Gazeta Express/.

 

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/perfundimisht-eshte-arritur-marreveshja-ndermjet-pan-dhe-akr-se-425864/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Një tjetër zyrtar i VV’së thur lavde për kandidatin e PDK-së, Shaqir Totaj (Foto)

0

Një javë pas reagimit pozitiv të zyrtarit të VV-së, Avni Zogiani, për kandidaturën e Shaqir Totaj për Kryetar të Prizrenit nga radhët e PDK-së, një tjetër zyrtar i VV ka thënë fjalë të mira për Totajn.

Bëhet fjalë për ish-kandidatin për deputet të VV, nga Prizreni, Kujtim Shala, i cili kështu është shprehur për Totajn në një postim në Facebook ditë më parë.

“Shaqir Totaj, një emër i ri në politikë por jo edhe për mua sepse Shaqën e njoh gjatë, eskpert i financave, sportiest dhe pastaj aktivist sportive. Ai e ka mendimin e pavarur sepse është me integritet moral dhe i pavarur në të gjitha aspektet. Është një njeri I cili e tejkalon strukturën politike e cila e ka nominuar në nivel local në cdo aspect” ka shkruar Shala.

Ish kandidati i VV për deputet në këtë komunë, po ashtu fjalë miradije ka shkruar edhe për kolegun e tij nga VV, Mytaher Haskuka dhe kandidatin e LDK-së, Hatim Baxhaku.

Shaqir Totaj, për herë të parë i hynë një gare politike ndërsa për shumë vite ka udhëhequr ATK-në në Prizren, është shkolluar në Amerikë dhe është Kryetar i klubit të basketbollit Bashkimi që prej viti 2011.

 

Shaqir Totaj, Mytaher Haskuka dhe Zafir Berisha, mund shkojnë në balotazh për kryetar të Prizrenit

0

Kush do ta fitojë Prizrenin, sipas qytetarëve

Në një pyetje nga Koha.net, drejtuar qytetarëve në lidhje me garën për kryetar komune në Prizren, udhëheq Hatim Baxhaku nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në 400 komente të qytetarëve në lidhje me këtë pyetje, prinë Baxhaku, por mesa duket mund të jetë një garë e ngushtë për vendin e dytë.

Kjo matje natyrisht se nuk mund të jetë shkencërisht e pranueshme, megjithatë shpreh në masë të madhe disponimin dhe perceptimet e qytetarëve në lidhje me zgjedhjet lokale.

Sipas kësaj matje jo të saktë, sipas qytetarëve, në balotazh mund shkojnë Shaqir Totaj nga PDK dhe Mytaher Haskuka nga Lëvizja Vetëvendosje, dhe Zafir Berisha nga Nisma.

Kujtojmë se zgjedhjet lokale do të mbahen më 22 tetor.

KB Bashkimi shkel ligjin për ta mbështetur kandidatin e PDK-së në Prizren

0

Klubi i Basketbollit “Bashkimi” nga Prizreni ka bërë shkelje ligjore kur të dielën mbështeti publikisht kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për kryetar të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj.

Kandidati i PDK-së në Prizren është edhe kryetar i klubit të basketbollit.

“KB Bashkimi”, përmes një njoftimi të lëshuar në rrjetin social Facebook, ka thënë se “besojmë që Totaj të udhëheq me të dyja bashkë: me klubin dhe qytetin”.

Ashtu siq i besum vite më parë të na udhëheq tash e sa kohë me dashurinë tonë të përjetshme BASHKIMI-n ashtu i besojmë dhe e motivojmë edhe sot që të udhëheq me të dyja bashkë, klubin dhe qytetin! Të parit të klubit i dëshirojmë shume suksese në sfidën e re!”, shkruhej në njoftim. 

Në fund të njoftimit bëhej e ditur se këtë mbështetje të hapur ndaj kandidatin politik për zgjedhjet lokale në Prizren, e ka pranuar edhe Kryesia e “KB Bashkimit”.

Por, “KB Bashkimi” ka bërë shkelje të ligjit kur mbështeti publikisht kandidatin e PDK-së për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totajn.  KB “Bashkimi”, si shumica e klubeve sportive në Kosovë, është i regjistruar dhe funksionon si organizatë jo-qeveritare, raporton Insajderi.

Dhe sipas nenit 15 të Ligjit për Lirinë e Asociimit, OJQ-të nuk mund të angazhohen në mbështetje të partive politike, apo kandidatëve politik.

“OJQ-të nuk mund të angazhohen në mbledhje fondesh ose në fushata për të mbështetur partitë politike ose kandidatët për funksione politike, dhe as nuk mund të propozojnë, regjistrojnë ose në ndonjë mënyrë të mbështesin kandidatët për poste publike”, thuhet në Ligjin për Lirinë dhe Asociimin, në nenin e 15-të të saj.

Përveç shkeljes së hapur ligjore, Kryesia e “KB Bashkimi” është kritikuar edhe për përdorjen e klubit në fushatë politike. Është kritikuar se ka “keqpërdorur vlerën e përbashkët të qytetit, për qëllime politike”.

 

“Askush, pra asnjë individ e asnjë Kryesi nuk e ka të drejtën e keqpërdorimit të klubit, i cili i takon krejt qytetit dhe qytetarëve të Prizrenit. KB ‘Bashkimi’ është simbol i traditës sportive të Prizrenit dhe askush nuk guxon ta keqpërdorë atë për qëllime partiake”, ka thënë Hajrulla Ceku, aktivist i shoqërisë civile.

Shaqir Totaj u zyrtarizua si kandidat i PDK-së në Prizren më 22 gusht. /Insajderi.com

Vdes regjisori i filmit horror “Texas Chainsaw Massacre”

0

Tobe Hooper, regjisori i filmave më të njohur horror “Texas Chainsaw Massacre” dhe “Poltergeist”, ka vdekur në moshën 74-vjeçare.

Ai vdiq të shtunën në Sherman Oaks, Kaliforni. Rrethanat e vdekjes ende nuk dihen, shkruan Mirror, transmeton Klan Kosova.

Hooper u bë i famshëm në vitin 1974 me filmin “Texas Chainsaw Massacre”, një film i bashkë-autorizuar me producentin Kim Henkel.

Nga një buxhet 300 mijë dollarë, filmi fitoi 30.8 milionë dollarë dhe u bë një klasik i filmit horror.

Sheeran e Lamar ndër fituesit në VMA

0

Të dielën mbrëma u mbajt ceremonia prestigjioze MTV Video Music Awards.

Kendric Lamar e Ed Sheeran ishin disa nga emrat e mëdhenj të cilët u larguan me shpërblime.

Më poshtë keni listën me disa nga çmimet kryesore dhe fituesit e tyre:

 

Kënga e Verës:

Lil Uzi Vert – “XO Tour Llif3”

Video e vitit:

Kendrick Lamar – “Humble”

Artisti i Vitit

Ed Sheeran (Atlantic Records)

Artisti më i mirë i ri

Khalid (RCA Records)

Bashkëpunimi më i mirë

Zayn & Taylor Swift –  “I Don’t Want To Live Forever”

Një kujtim për Bajram Rexhepin!

0

Shkruan: Arianit BytyçiMë kishte folur në mënyrë të veçantë babai im për një politikan nga Mitrovica, të cilin e kishte takuar në Shtetet e Bashkuara në vitin 1999 në një takim të liderëve nga Kosova me drejtues të qeverisë amerikane. Ishte fjala për Bajram Rexhepin. Dy vite më vonë, në vitin 2001, rreth një muaj para se të formohej qeveria e parë e Kosovës e dalë nga zgjedhjet e lira, Fatmir Limaj më pat thënë se një prej opsioneve më serioze për pozitën e Kryeministrit të Kosovës është Bajram Rexhepi.

Kur ia pata thënë këtë gjë profesor Arsim Bajramit në zyrën e tij në objektin e rektoratit të Universitetit të Prishtinës, para se të realizoje një interviste me të për revistën e Rinisë Demokratike të Kosovës, mu krijua përshtypja se e zuri përmbi çatia e objektit të rektoratit. “Jo, nuk është opsion Bajrami. Nëse kryetari i partisë nuk zgjidhjet kryeministër, atëherë opsion jam unë ose Hajredini, pasi ne jemi nënkryetarë” më pat thënë profesor Arsimi. Siç duket, sikur edhe shumë të tjerë nga partia që kishte dalë e dyta në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, dukej se edhe Arsimi lobonte nëpër përfaqësitë e huaja diplomatike në Prishtinë për vetveten për t’u bërë i pari i qeverisë. Por, kjo nuk iu funksionoi. Pas një muaji, Bajram Rexhepi u zgjodh kryeministër i Kosovës. Ai nuk kishte lobuar për vetveten. Për të lobonin të tjerët, ngase ishte i pranueshëm për të gjithë.

Ruaj kujtimet më të mira për Bajram Rexhepin, si njeri dhe si politikan komunikativ, i afërt, i respektueshëm, i thjeshtë dhe human. Kur një koleg yni me vokacion shkrimtar, por që e kryente punën e drejtuesit të zyrës për informim në PDK, në fillimvitet 2000 kishte nevojë për t’i ndihmuar në ndërtimin e shtëpisë, Bajrami ia pat blerë derën e hyrjes së shtëpisë. Kaq solidar ishte doktori.

Gjatë fushatës për zgjedhjet e dyta parlamentare, kur për herë të parë promovohej mënyra e komunikimit të hapur dhe të drejtpërdrejtë me qytetarë, udhëtuam bashkë me Bajram Rexhepin anë e kënd Kosovës me autobusin e famshëm të mbushur me kandidatë për deputetë. Edhe pse asokohe mbante pozitën më të lartë qeveritare në Kosovë, ishte kryeministër, ai në komunikim me të gjithë ishte i thjeshtë, modest, ishte i afërt.

E mbaj mend si sot edhe përkushtimin e tij në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, ku me bagazhin e një ish-kryeministri të pakomprometuar dhe pa afera, kësaj radhe nga pozicioni i opozitarit jepte kontributin e tij profesional dhe politik në kuadër të departamentit të shëndetësisë të këtij kabineti.

Doktor Bajrami ishte një politikan modern dhe liberal, shumë i afërt me ne të rinjtë e partisë. Ishte shumë më i afërt sesa disa udhëheqës të partisë, në të cilët patëm investuar gjithë angazhimin dhe përkushtimin tonë si të rinj, shumë më shumë sesa na kishte rënë rasti të investojmë politikisht në doktor Bajramin. Më kujtohet kur patëm udhëtuar me Landroverin e tij, bashkë me politikanin austriak Jan Kickert dhe disa miq tjerë në një tubim përkujtimor të dëshmorëve të Brigadës 121 në Kleçkë. Bajrami nuk na la asnjërit prej neve më të rinjve të vozisnim. Ai me thjeshtësinë e tij, tha që unë do ju vozis. Ishte shumë perëndimor, kishte një mentalitet shumë bashkëkohor, pa ngarkesa dhe paragjykime primitive. Dhe, nën tingujt e muzikës së Pink Floyd-ave, që e pëlqente aq shumë, udhëtuam përmes Maleve të Berishës për në Kleçkë, rrugë të cilën e kisha kaluar edhe në kohë lufte, gjatë fundvitit 1998.

Kur para disa muajsh e pata shikuar në një kronikë televizive, përmes të cilës Bajrami kërkonte t’i njihej ligjërisht statusi i ish-kryeministrit, e që për disa procedura burokratike nuk i ishte njohur deri në atë kohë, u pata prekur shumë. Për shkak të mungesës së efikasitetit dhe neglizhencës së zyrës ligjore të kryeministrisë dhe mungesës së vullnetit politik institucional, ai ishte detyruar të kthehej në Mitrovicë, për të punuar si mjek. Jo, pse kjo ishte një gjë shumë problematike për doktor Bajramin, por kjo gjendje ishte një mesazh se partia dhe institucionet në themelimin e të cilave kishte punuar shumë Bajram Rexhepi, e kishin lënë anash, e kishin lënë në harresë një personalitet të kalibrit të lartë politik.Sot dhe gjithmonë do ta kujtoj Bajram Rexhepin, si njeri dhe si politikan bashkëkohor, për modelin e të cilit vendi ynë do të ketë nevojë gjithherë! Lavdi veprës së tij!

(Autori është një nga themeluesit e organizatës së rinisë të Partisë Demokratike të Kosovës – Rinisë Demokratike të Kosovës)

Arrestohet një serb në Suharekë, dyshohet për krime lufte

0

Policia e Kosovës, ka njoftuar se sot rreth orës 12:00, në hyrje të autostradës në Reshtan të Suharekës, për interes të Gjykatës Themelore në Prizren-Departamenti për Krime të Rënda, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës është arrestuar i dyshuari B. M. serb, i cili gjer më tani ndodhej në arrati.

Mediat serbe sot kanë njoftuar se në Suharekë është arrestuar një 74-vjeçar me iniciale B.M, me akuzën për “Krime të Rënda”, dhe “Krime Lufte”.

Ai, siç transmeton RTS, gjoja është nxjerrë nga grupi i serbëve të cilët kanë shkuar për të vizituar shtëpitë e veta në Mushtisht të Suharekës.

Ndaj këtij arrestimi, ka reaguar drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë , Marko Gjuriq, i cili ka thënë se ky arrestim, sipas tij është “vazhdim i politikës së spastrimit etnik të popullit serb”.

Në fund të reagimit të tij, Gjuriq është kërcënuar se durimi i autoriteteve në Serbi nuk është i pakufishëm dhe se “normalizimi i marrëdhënieve nuk mund të bëhet nëse pala tjetër nuk e do”.