10.5 C
Prizren
E mërkurë, 14 Maj, 2025
Home Blog Page 5240

Një kujtim për Bajram Rexhepin!

0

Shkruan: Arianit BytyçiMë kishte folur në mënyrë të veçantë babai im për një politikan nga Mitrovica, të cilin e kishte takuar në Shtetet e Bashkuara në vitin 1999 në një takim të liderëve nga Kosova me drejtues të qeverisë amerikane. Ishte fjala për Bajram Rexhepin. Dy vite më vonë, në vitin 2001, rreth një muaj para se të formohej qeveria e parë e Kosovës e dalë nga zgjedhjet e lira, Fatmir Limaj më pat thënë se një prej opsioneve më serioze për pozitën e Kryeministrit të Kosovës është Bajram Rexhepi.

Kur ia pata thënë këtë gjë profesor Arsim Bajramit në zyrën e tij në objektin e rektoratit të Universitetit të Prishtinës, para se të realizoje një interviste me të për revistën e Rinisë Demokratike të Kosovës, mu krijua përshtypja se e zuri përmbi çatia e objektit të rektoratit. “Jo, nuk është opsion Bajrami. Nëse kryetari i partisë nuk zgjidhjet kryeministër, atëherë opsion jam unë ose Hajredini, pasi ne jemi nënkryetarë” më pat thënë profesor Arsimi. Siç duket, sikur edhe shumë të tjerë nga partia që kishte dalë e dyta në zgjedhjet parlamentare të vitit 2001, dukej se edhe Arsimi lobonte nëpër përfaqësitë e huaja diplomatike në Prishtinë për vetveten për t’u bërë i pari i qeverisë. Por, kjo nuk iu funksionoi. Pas një muaji, Bajram Rexhepi u zgjodh kryeministër i Kosovës. Ai nuk kishte lobuar për vetveten. Për të lobonin të tjerët, ngase ishte i pranueshëm për të gjithë.

Ruaj kujtimet më të mira për Bajram Rexhepin, si njeri dhe si politikan komunikativ, i afërt, i respektueshëm, i thjeshtë dhe human. Kur një koleg yni me vokacion shkrimtar, por që e kryente punën e drejtuesit të zyrës për informim në PDK, në fillimvitet 2000 kishte nevojë për t’i ndihmuar në ndërtimin e shtëpisë, Bajrami ia pat blerë derën e hyrjes së shtëpisë. Kaq solidar ishte doktori.

Gjatë fushatës për zgjedhjet e dyta parlamentare, kur për herë të parë promovohej mënyra e komunikimit të hapur dhe të drejtpërdrejtë me qytetarë, udhëtuam bashkë me Bajram Rexhepin anë e kënd Kosovës me autobusin e famshëm të mbushur me kandidatë për deputetë. Edhe pse asokohe mbante pozitën më të lartë qeveritare në Kosovë, ishte kryeministër, ai në komunikim me të gjithë ishte i thjeshtë, modest, ishte i afërt.

E mbaj mend si sot edhe përkushtimin e tij në Kabinetin për Qeverisje të Mirë, ku me bagazhin e një ish-kryeministri të pakomprometuar dhe pa afera, kësaj radhe nga pozicioni i opozitarit jepte kontributin e tij profesional dhe politik në kuadër të departamentit të shëndetësisë të këtij kabineti.

Doktor Bajrami ishte një politikan modern dhe liberal, shumë i afërt me ne të rinjtë e partisë. Ishte shumë më i afërt sesa disa udhëheqës të partisë, në të cilët patëm investuar gjithë angazhimin dhe përkushtimin tonë si të rinj, shumë më shumë sesa na kishte rënë rasti të investojmë politikisht në doktor Bajramin. Më kujtohet kur patëm udhëtuar me Landroverin e tij, bashkë me politikanin austriak Jan Kickert dhe disa miq tjerë në një tubim përkujtimor të dëshmorëve të Brigadës 121 në Kleçkë. Bajrami nuk na la asnjërit prej neve më të rinjve të vozisnim. Ai me thjeshtësinë e tij, tha që unë do ju vozis. Ishte shumë perëndimor, kishte një mentalitet shumë bashkëkohor, pa ngarkesa dhe paragjykime primitive. Dhe, nën tingujt e muzikës së Pink Floyd-ave, që e pëlqente aq shumë, udhëtuam përmes Maleve të Berishës për në Kleçkë, rrugë të cilën e kisha kaluar edhe në kohë lufte, gjatë fundvitit 1998.

Kur para disa muajsh e pata shikuar në një kronikë televizive, përmes të cilës Bajrami kërkonte t’i njihej ligjërisht statusi i ish-kryeministrit, e që për disa procedura burokratike nuk i ishte njohur deri në atë kohë, u pata prekur shumë. Për shkak të mungesës së efikasitetit dhe neglizhencës së zyrës ligjore të kryeministrisë dhe mungesës së vullnetit politik institucional, ai ishte detyruar të kthehej në Mitrovicë, për të punuar si mjek. Jo, pse kjo ishte një gjë shumë problematike për doktor Bajramin, por kjo gjendje ishte një mesazh se partia dhe institucionet në themelimin e të cilave kishte punuar shumë Bajram Rexhepi, e kishin lënë anash, e kishin lënë në harresë një personalitet të kalibrit të lartë politik.Sot dhe gjithmonë do ta kujtoj Bajram Rexhepin, si njeri dhe si politikan bashkëkohor, për modelin e të cilit vendi ynë do të ketë nevojë gjithherë! Lavdi veprës së tij!

(Autori është një nga themeluesit e organizatës së rinisë të Partisë Demokratike të Kosovës – Rinisë Demokratike të Kosovës)

Arrestohet një serb në Suharekë, dyshohet për krime lufte

0

Policia e Kosovës, ka njoftuar se sot rreth orës 12:00, në hyrje të autostradës në Reshtan të Suharekës, për interes të Gjykatës Themelore në Prizren-Departamenti për Krime të Rënda, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës është arrestuar i dyshuari B. M. serb, i cili gjer më tani ndodhej në arrati.

Mediat serbe sot kanë njoftuar se në Suharekë është arrestuar një 74-vjeçar me iniciale B.M, me akuzën për “Krime të Rënda”, dhe “Krime Lufte”.

Ai, siç transmeton RTS, gjoja është nxjerrë nga grupi i serbëve të cilët kanë shkuar për të vizituar shtëpitë e veta në Mushtisht të Suharekës.

Ndaj këtij arrestimi, ka reaguar drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë , Marko Gjuriq, i cili ka thënë se ky arrestim, sipas tij është “vazhdim i politikës së spastrimit etnik të popullit serb”.

Në fund të reagimit të tij, Gjuriq është kërcënuar se durimi i autoriteteve në Serbi nuk është i pakufishëm dhe se “normalizimi i marrëdhënieve nuk mund të bëhet nëse pala tjetër nuk e do”.

Zojusha qi njoh vetë

0

Poezi e shkruar nga Erenestina Gjergji Halili.

Zojushë
e t’hollueme për birë t’gjylpanës,
lagun,
sysh si peni me hi n’ të,
bishë,
gulfon n’at grykë t’veten,
flen gjindja,
ban natë, kjân’ bish’ e tretun.
Zojushë
në at’ korp p? i dredhun,
dridhë
si peni zemra mbetun,
qepë
gjilpana at’ buzë mshelun,
kjân’e flen’
bishë në at’ mall pa dvetun.
Zojusha qi njoh vetë.

Prokuroria e Prizrenit me detaje të reja për rastin e Astrit Deharit

0

Prokuroria e Prizrenit është ende në pritje të analizave të videove të kamerave të sigurisë nga Qendra e Paraburgimit në Prizren për rastin e vdekjes së aktivistit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari.

I kontaktuar nga Kallxo.com, prokurori i rastit Metush Biraj tha se ende janë në pritje të analizave që po bëhen në Austri.

“Jemi në pritje të analizave, të cilat i kemi dërguar në Austri. Sipas mendimit tim këto analiza do të kthehen brenda dy muajve”, tha Biraj.

Prokurori Biraj tha se rasti Dehari zyrtarisht është ende i hapur dhe sipas tij këto analiza të cilat pritet të kthehen nga shteti austriak do të heqin të gjitha dilemat rreth rastit.

“90 për qind të veprimeve hetimore janë kryer në këtë rast”, tha Biraj.
Astrit Dehari ishte aktivist i “Vetëvendosjes”.

Ai vdiq më 5 nëntor të vitit të kaluar në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ku po mbahej si i dyshuar për sulmin me mjet shpërthyes kundër ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.

Raporti i Institutit të Mjekësisë Ligjore rreth shkaqeve të vdekjes së Astrit Deharit i bërë publik më 18 nëntor 2016 përcakton se ai ka bërë vetëvrasje.

 

Haradinaj jep detaje për seancën e ardhshme

0

Kandidati për kryeministër nga koalicioni PAN Ramush Haradinaj tha se janë në përpjekje që seanca e ardhshme për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe nënkryetarët të mbahet në fund të kësaj jave ose javën tjetër e që sipas tij të mos e ketë epilogun e seancës së kaluar.

“Përgatitjet janë në fazën finale për një qeveri gjithëpërfshirëse me bazë më të gjerë. Nuk jap saktësi me kënd jemi për marrëveshje por për mua çdo gjë do të zgjaste dy javë”, tha Haradinaj.

Sipas tij konstituimi i Kuvendit është përgjegjësi e gjithë spektrit politik.

Sipas tij koha është e vlefshme dhe koha që humbet është zor të fitohet.

“Na presin shumë pune. Çdo gjë s’do te shkojë lehtë. Jemi të vetëdijshëm për gjendjen në vend. Konstituimi i Kuvendit nuk është vetëm temë e PAN it. S’më vjen mirë që po vonohemi më shumë”, tha Haradinaj.

Kandidati për kryeministër ka prezantuar katër kandidatët për kryetar të komunave, në Lipjan, Kamenicë, Kaçanik dhe Viti.

Ata janë Fitim Selimi, Faton Jakupi, Hajrush Kurtaj dhe Faruk Nura.

 

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/haradinaj-jep-detaje-per-seanc-425687/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Shuhet zjarri në bjeshkët e fshatrave Koznik dhe Zatriq të Rahovecit

0

Zjarri i cili i kishe përfshir bjeshkët e fshatrave Koznik dhe Zatriq të Komunës së Rahovecit, falë angazhimit të stafit të sektorit të pylltarisë në Komunën e Rahovecit, njësisë së zjarrfikëseve dhe banorëve të këtyre dy fshatrave dhe fshatrave përreth ky zjarr është shuar.

Sipas Jeton Kryeziut, përgjegjës i sektorit të pylltarisë në Komunën e Rahovecit nga rojet e pyllit të asaj pjese, është identifikuar personi i cili dyshohet për zjarrevënie të qëllimshme dhe tash e tutje në lidhje me personin e identifikuar të veproj Policia, duke u bazuar në ligjet të cilat janë në fuqi.

Rahovec, djeg pyllin aksidentalisht

Në fshatin Koznik të Rahovecit raportohet se i dyshuari mashkull nga pakujdesia i ka vënë zjarrin pyllit me ç‘rast është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme.

Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitet përkatëse dhe zjarrfikësit te cilët janë duke tentuar ta shuajnë zjarrin.

Nuk raportohet për te arrestuar. Me urdhër te prokurorit rasti shkon ne procedure te rregullt.

Mikullovci: Seanca do të thirret kur më njofton Sekretariati i Kuvendit se janë bërë numrat

0

Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci, ka thënë se nuk e di se kur të ketë seancë të re të Kuvendit, pas dështimit të gjashtë me radhë të koalicionit PAN që ta zgjedhë kryeparlamentarin.

Mikullovci në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se seanca do të thirret në momentin kur atë e njofton sekretariati i Kuvendit se ndonjëra nga partitë ka arritur t’i bëjë numrat.

“Nuk ka seancë deri sa të më thërret sekretariati i Kuvendit e të thotë caktoje seancën se PAN-i i ka bërë numrat ose ndonjë koalicion tjetër. Unë nuk jam i sigurt kur mundet me pas seancë”, ka thënë Mikullovci.

Ai ka theksuar se deri më tash të gjitha seancat që janë mbajtur, i ka thirr në koordinim me partinë e tij VV dhe koalicionin LAA.

“Asnjë seancë nuk e kam thirr në krye veti, gjithmonë duke u marrë vesh me zyrën e kuvendit me partinë time VV dhe koalicionin LAA, gjithmonë në koordinim me ta përpos mbledhjes së fundit që kam caktuar më 24 gusht e që këtë e kërkoi PAN-i”, tha Mikullovci.

Të enjten e kaluar nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, në seancën e Kuvendit ka pranuar se koalicioni PAN nuk i ka numrat për ta zgjedhur kryeparlamentarin dhe ka kërkuar afat shtesë, siç ka thënë ai, më shumë se dhjetë ditë dhe më pak se dy javë. /Telegrafi/

Prizren: Performanca në lum për më shumë hapësira të gjelbëruara

0

Në kuadër të ditëve të mbajtjes së Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor në Prizren, EC Ma Ndryshe dhe Autostrada Biennale kanë organizuar performancën publike për shfrytëzimin e sipërfaqes gjelbëruese dhe lumit brenda shtratit të Lumëbardhit.

Përmes këtij aktiviteti synohet që të sillet në vëmendje çështja e mungesës së hapësirave gjelbëruese dhe numri i madh i hapësirave të pashfrytëzuara publike në Prizren, me qëllim të nxitjes së autoriteteve përgjegjëse lokale e qendrore për ndërmarrjen e veprimeve të duhura në këtë drejtim.

Kjo hapësirë, në kuadër të këtij aktiviteti, do të shfrytëzohet si vendtakim për vizitorët e Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor, me ç’rast ata do të mund ta përjetojnë nga afër lumin dhe hapësirat natyrale të gjelbërimit.

Në kuadër të performancës në kejin e Lumëbardhit, më saktësisht te “Gjashtë krojet” janë punuar shkallët që mundësojnë zbritjen në lum dhe shtigjet lidhëse për lëvizjen nëpër hapësirat gjelbëruese brenda shtratit të lumit.

Në një analizë të bërë nga EC-i del se në hapësirat publike brenda Qendrës Historike të Prizrenit vetëm 3 për qind të tyre janë të gjelbëruara. Kjo përqindje është shumë e ulët në raport me standardet botërore të qendrave të qyteteve. Gjithashtu nga matjet e bëra del që rreth 45 për qind e hapësirave publike brenda Qendrës Historike të Prizrenit janë të pashfrytëzuara apo të pa qasshme për publik.

“Qytetet Gjithëpërfshirëse…” është projekt i EC, i cili synon të artikulojë nevojat e grupeve të komunitetit dhe t’i përkthejë ato në plane të zbatueshme urbane të komunës së Prizrenit. Grupet e komunitetit me të cilat punohet në këtë projekt janë të shpërndarë në lagje dhe fshatra të ndryshme të komunës së Prizrenit.

Shqiptari nga Suhareka projekton shporetin solar (Video)

0

Më nuk të shpenzohet energji elektrike për përgatitjen e ushqimit, fal projektimit të shporetit me energji diellore të realizuar nga Dukagjin Palushi nga Budakova e Suharekës. Qëllimi i këtij projekti, sipas tij, ka qenë ndihma për familjet e varfra.

Temperatura e siguruar nga rrezet e diellit arrin në 600 gradë Celsius, e kjo bën që ushqimi të gatuhet brenda pak minutave.

Kjo pajisje ka një kosto prej 200 euro për ndërtimin. Palushi ka projektuar edhe një skicë për të gjithë ata që duan të realizojnë një projekt të tillë. /Tribuna Channel/

Ikja e kosovarëve

0

ARTAN FUGA

Restorantet dhe kafenetë janë mbyllur. Tavolinat me këmbëpërpjetë. Tani miq ikni flini dhjetë muaj dhe shpresoni, lutuni në xhami a në kishë që ata të duan të vijnë përsëri vitin tjetër se përndryshe do të vdisni për bukë.
Qyteti duket i shkretë.

E mo gëzoju ! – më thotë egoja që drejton automjetin bashkë me mua – shiko si e ke rrugën, krejt të lirë. Mbrëmë e për natë që të kaloje segmentin e Hekurudhës, të duhesh të paktën 20 minuta!

E shoh egon me ironi. E pyes : Kur ha ushqim, e kalon drejt e në fund të barkut, apo ke dëshirë që ushqimin ta rrotullosh pak nëpër gojë, ta kalosh pastaj në fyt, të ndjesh se të shkon dalëngadalë duke zbërthyer aroma e shijet gjithandej trupit?

Unë nuk dilja për të bërë gara, por për ta shijuar rrugën!

Mbrëmë në darkë rruga dytësore e plazhit, ajo e pista dhe shkatarraqja, anash hoteleve dhe restoranteve të mëdhenj dhe të zhurmshëm ngjante si dhomë e errët e një aparati fotografik pa film. Ca hije të rralla endeshin me fener dore nëpër trotuaret e ngrëna si byrek gostivari kafshuar nga ndonjë tirons i uritur.

Këmbë njeriu. Ka filluar dimri. Dimri i madh që më gusht këtu. Ikja e kosovarëve sjell dimrin në plazh. Se mos vetëm në plazh.

Hotelet ngjanë si shkëmbe kavaje të shpërndarë nëpër breg të detit. Errësirë. Janë boshatisur krejt!

Restorantet dhe kafenetë janë mbyllur. Tavolinat me këmbëpërpjetë. Tani miq ikni flini dhjetë muaj dhe shpresoni, lutuni në xhami a në kishë që ata të duan të vijnë përsëri vitin tjetër se përndryshe do të vdisni për bukë.

Uroni që në Prizren të mos vijë deti dhe natyra të mos krijojë brigje me rërë atje.
Kërkoj një supë peshku sa për darkë. Duket se është e djeshmja. E pyes kamarjerin: Sikur pak klientë keni sot? Ashtu, thotë ai, por dje ishim plot.

Gënjen si dreqi. Mirë bën. Klientin gjithmonë duhet ta gënjesh. Sidomos shqiptarin e Shqipërisë. I ka qef rrenat. U beson.

Mbrëmë, që ishte nata e fundit, unë erdha përsëri këtu. Këmbë njeriu. Ca çifte të lodhura dhe ndonjë pepino nga jugu i Italisë që më shumë bën zhurmë me të vetët sesa porosit.

Hani mish derri tani, kënaquni! Kosovarët na lanë shëndenë për këtë vit!
Supa ishte e pardjeshme. Rrushi te pika e shitjes te Iliria ishte i fishkur dje për herë të parë. Te berberi nuk kishte radhë.

Më rruaj dhe më qeth mirë e mirë! – i thashë berberit që për herë të parë më mori lekët se dikur më thoshte me dashamirësi dhe më bënte me turp :
Profe e ke të qethmen nga lokali!

Akullorja e Gostivarit zhdukur nga vitrinat frigoriferike. Kush ha akullore në dimër!!!
“E mbaj nga mesi i qershorit deri në dhjetëditshin e fundit të gushtit. Pastaj kush vjen këtu?”

E vërtetë, mbeten këtu njerëzit e mirë, të butë, të heshtur, të varfër që banojnë dimër e verë. Muajt e verës çfarë zanatesh nuk u lejon bashkia e Durrësit të bëjnë : Tundës celësash në rrugë për të joshur kosovarë që kërkojnë dhoma me qira. Roje parkingu për qerre kosovarësh. Kamarjerë. Qërues preshësh në kuzhinë. Shitësa rrobesh të vjetra. Dhe mirë bën që e liberalizon tregun e punës dhe nuk i bezdis njerëzit bashkia. Eshtë koha për të mbledhur si milingona ca pare në mënyrë që të mbajmë frymën me bukë gjatë dimrit.

Ne shqiptarët e arapajt, e golemasit, shkallnuriotët, hekurudhsit, uradalanasit, punojmë kontrapedal. Ne punojmë kur kosovarët pushojnë. Ata pushojnë kur ne punojmë. Ata bëjnë qef me punën tonë duke na paguar, ne jetojmë me paret e atyre dhe me punën tonë. Kur ata punojnë në vjeshtë, dimër, pranverë, ne flemë si ariu, ose presim vizita kryeministrash nga vendet që i ka lënë treni i integrimit europian.
Na ka lënë treni këtu në Durrës.

Ku ka më tren që kalon këtu!

E lë Vespën mu mbi shinat e trenit, kur shkoj të ble shalqi atje ku më tutje ca egjiptianë të vegjël mbledhin kashtën si lëndë e parë për çadra dielli krejt absurde.
“Kujdes se pas pesë orësh kalon një tren këtej, dhe mundet që Vespa ta pengojë”, – më thotë shalqinasi. Dhe qesh bukur. Ja marr shalqiun pa provë se e di që nuk më rren. E provoj në shtëpi. Pasi e ha.

Ka ardh dimri. Këtu nuk ndrrohen stinët sipas rrutullimit të diellit, por sipas ikjes së kosovarëve nga plazhi. Ikin ata rriten me 50% papunësia në moshat e reja në trevën durrsake. Kështu thotë të paktën observatori i papunësisë urbane që është ngritur te Vila e Mbretit sipër Currilave.

Shtohen prirjet për të vjedhur. Rritet mërzia urbane. Konsumi i drogës zmadhohet midis autoktonëve.

Edhe deti ndjen dimrin. Një diell i lodhur ka nxjerrë kokën pas një vinçi të ngrirë prej kohësh në palëvizje andej nga porti. I kuq dielli, i kuq edhe deti.

Qen të vetmuar enden në breg. Janë edhe të uritur. Ne kemi lidhje me një qen rrugësh. Lidhje klandestine. Edhe për të mirën tonë e mbajmë dashurinë me të të fshehtë sepse njerëzit gati janë të thonë : Tan Fuga merret me qen rrugësh! Por, edhe për të mirën e qenit sepse xhelozët mund ta keqtrajtojnë vetëm sepse më shohin që i hedh ndonjë vezë fshehurazi te këmbët. Për pak e shqeu një qen i zi rival sepse nuk donte që ta trajtonim ndryshe nga ai mikeshën tonë qene.

Mendoj se çfarë do të bëj qenia pasi të iki edhe unë me kosovarët nga plazhi!
Qenit ia kam venë emrin “Roza”. Kot!

Ajo nuk përgjigjet fare kur e thërras fshehurazi me këtë emër. Çfarë do të bëjnë qentë e plazhit tani në dimër. Mbase emigrojnë në Tiranë, kushedi!

Kosovarët mblodhën plaçkat dhe ikën nga plazhi drejt viseve të tyre. Ata nuk mund ta dinë sesi është plazhi pa ta. Shkretëtirë. Ka bukurinë e vet, sigurisht, por i përgjumur. Vjetrohet mielli, nëpër rafte se askush nuk bën fli, vjetrohet sheqeri se nuk sherbetosen bakllava, vjetrohet qumështi se nuk ha kush akullore bre!

Shoh ballkone bosh apartamentesh me qira ! Atje ku gjatë verës kundroja tipologjinë e sjelljes të familjeve të qeta dhe të qendrueshme kosovare.

Flasin pak me zë të lartë, e vërtetë.

Gratë sidomos sepse burrat janë të heshtur dhe u ka peshë fjala.

Sa qef i kanë simitet e bardha në mëngjes.

Kafen turke e duan gjithashtu ta pinë në ballkon.

E bën gruaja, edhe për vete edhe për burrin. Burri vetëm e pi duke tymos cigaren e vet dhe menduar. Ndofta e ka trashëgim arkaik këtë natyrën mendimtare të mëngjesit.
Ne burrat e Shqipnisë nuk mendojnë fare në mëngjes. Rruhemi dhe fishkëlllejmë.
Kur ikin në plazh ballkoni rregullohet dhe mbi tavolinë qendron e vetmuar dhe e pastër vetëm tavlla e duhanit e burrit.

Çfarë mendon or bacë, ndërsa gruaja bën punët e shtëpisë?

Ndihmoje i cikë, po aq sa dukesh që e do dhe e mban me kujdes!

Cunat e urtë janë të butë dhe të bindur në shtëpi.

Kurse gocat, shumë, sa shumë, në telefonat celularë.

Familje të qeta.

Pa sherre komshinjsh si te ne që punojmë në verë dhe flemë si ariu në dimër.
Axhenda të ndryshme. Ata punojnë kur ne qendrojmë duarlidhur, ne punojmë kur ata si gjithë bota pushon. Si nuk e bëmë njëherë hapin bashkë si ushtarët në rreshtore!
“Ne ju kemi cliruar juve, ne shqiptarët e Maqedonisë kemi luftuar për ju!” – më thotë pirësi i kafesë atë ditë përballë lokalit të striptizës “Shqiponjat”. E shoh me seriozitet dhe brenda shkrihem gazit. “Mos beso po deshe, por ministri i luftës i Ismailit ka pas qenë nga ne, solli edhe pare, për ju. Pa të nuk bëhej Shqipja.”

“Pije kafen or mik, pije. Mos u merr me budallalliqe. A i ke paguar taksat? ”

“Këtu ta kam, për ne duhet leje qendrimi, kurse vijnë tregtarë nga Evropi dhe rrinë sa të duan. Ne paguajmë dhe bakshishe për me punuar !”

“Mirë, pra, mirë, po kjo nuk lidhje me historinë kombëtare o burr,ka lidhje me korrupsionin sot, përse i bënë lëmsh në tru të gjitha.”

Më sheh me mosbesim. Pastaj më qit kafen dhe thotë se e kam nga ai.
Tavolinat me këmbëpërpjetë, qentë e uritur kërkojnë të zotin në breg, dryna mbi duar restorantesh, deti ka rrit dallgët dhe nxjerr më shumë leshterikë në breg, Kosovarët na kanë lënë vetëm.

Dimri ka ardhur!