10.8 C
Prizren
E enjte, 15 Maj, 2025
Home Blog Page 5242

Haradinaj jep detaje për seancën e ardhshme

0

Kandidati për kryeministër nga koalicioni PAN Ramush Haradinaj tha se janë në përpjekje që seanca e ardhshme për ta zgjedhur kryetarin e Kuvendit dhe nënkryetarët të mbahet në fund të kësaj jave ose javën tjetër e që sipas tij të mos e ketë epilogun e seancës së kaluar.

“Përgatitjet janë në fazën finale për një qeveri gjithëpërfshirëse me bazë më të gjerë. Nuk jap saktësi me kënd jemi për marrëveshje por për mua çdo gjë do të zgjaste dy javë”, tha Haradinaj.

Sipas tij konstituimi i Kuvendit është përgjegjësi e gjithë spektrit politik.

Sipas tij koha është e vlefshme dhe koha që humbet është zor të fitohet.

“Na presin shumë pune. Çdo gjë s’do te shkojë lehtë. Jemi të vetëdijshëm për gjendjen në vend. Konstituimi i Kuvendit nuk është vetëm temë e PAN it. S’më vjen mirë që po vonohemi më shumë”, tha Haradinaj.

Kandidati për kryeministër ka prezantuar katër kandidatët për kryetar të komunave, në Lipjan, Kamenicë, Kaçanik dhe Viti.

Ata janë Fitim Selimi, Faton Jakupi, Hajrush Kurtaj dhe Faruk Nura.

 

Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/haradinaj-jep-detaje-per-seanc-425687/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright

Shuhet zjarri në bjeshkët e fshatrave Koznik dhe Zatriq të Rahovecit

0

Zjarri i cili i kishe përfshir bjeshkët e fshatrave Koznik dhe Zatriq të Komunës së Rahovecit, falë angazhimit të stafit të sektorit të pylltarisë në Komunën e Rahovecit, njësisë së zjarrfikëseve dhe banorëve të këtyre dy fshatrave dhe fshatrave përreth ky zjarr është shuar.

Sipas Jeton Kryeziut, përgjegjës i sektorit të pylltarisë në Komunën e Rahovecit nga rojet e pyllit të asaj pjese, është identifikuar personi i cili dyshohet për zjarrevënie të qëllimshme dhe tash e tutje në lidhje me personin e identifikuar të veproj Policia, duke u bazuar në ligjet të cilat janë në fuqi.

Rahovec, djeg pyllin aksidentalisht

Në fshatin Koznik të Rahovecit raportohet se i dyshuari mashkull nga pakujdesia i ka vënë zjarrin pyllit me ç‘rast është djegur një sipërfaqe e konsiderueshme.

Në vendin e ngjarjes kanë dal njësitet përkatëse dhe zjarrfikësit te cilët janë duke tentuar ta shuajnë zjarrin.

Nuk raportohet për te arrestuar. Me urdhër te prokurorit rasti shkon ne procedure te rregullt.

Mikullovci: Seanca do të thirret kur më njofton Sekretariati i Kuvendit se janë bërë numrat

0

Kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci, ka thënë se nuk e di se kur të ketë seancë të re të Kuvendit, pas dështimit të gjashtë me radhë të koalicionit PAN që ta zgjedhë kryeparlamentarin.

Mikullovci në një prononcim për Telegrafin, ka thënë se seanca do të thirret në momentin kur atë e njofton sekretariati i Kuvendit se ndonjëra nga partitë ka arritur t’i bëjë numrat.

“Nuk ka seancë deri sa të më thërret sekretariati i Kuvendit e të thotë caktoje seancën se PAN-i i ka bërë numrat ose ndonjë koalicion tjetër. Unë nuk jam i sigurt kur mundet me pas seancë”, ka thënë Mikullovci.

Ai ka theksuar se deri më tash të gjitha seancat që janë mbajtur, i ka thirr në koordinim me partinë e tij VV dhe koalicionin LAA.

“Asnjë seancë nuk e kam thirr në krye veti, gjithmonë duke u marrë vesh me zyrën e kuvendit me partinë time VV dhe koalicionin LAA, gjithmonë në koordinim me ta përpos mbledhjes së fundit që kam caktuar më 24 gusht e që këtë e kërkoi PAN-i”, tha Mikullovci.

Të enjten e kaluar nënkryetari i PDK-së, Enver Hoxhaj, në seancën e Kuvendit ka pranuar se koalicioni PAN nuk i ka numrat për ta zgjedhur kryeparlamentarin dhe ka kërkuar afat shtesë, siç ka thënë ai, më shumë se dhjetë ditë dhe më pak se dy javë. /Telegrafi/

Prizren: Performanca në lum për më shumë hapësira të gjelbëruara

0

Në kuadër të ditëve të mbajtjes së Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor në Prizren, EC Ma Ndryshe dhe Autostrada Biennale kanë organizuar performancën publike për shfrytëzimin e sipërfaqes gjelbëruese dhe lumit brenda shtratit të Lumëbardhit.

Përmes këtij aktiviteti synohet që të sillet në vëmendje çështja e mungesës së hapësirave gjelbëruese dhe numri i madh i hapësirave të pashfrytëzuara publike në Prizren, me qëllim të nxitjes së autoriteteve përgjegjëse lokale e qendrore për ndërmarrjen e veprimeve të duhura në këtë drejtim.

Kjo hapësirë, në kuadër të këtij aktiviteti, do të shfrytëzohet si vendtakim për vizitorët e Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor, me ç’rast ata do të mund ta përjetojnë nga afër lumin dhe hapësirat natyrale të gjelbërimit.

Në kuadër të performancës në kejin e Lumëbardhit, më saktësisht te “Gjashtë krojet” janë punuar shkallët që mundësojnë zbritjen në lum dhe shtigjet lidhëse për lëvizjen nëpër hapësirat gjelbëruese brenda shtratit të lumit.

Në një analizë të bërë nga EC-i del se në hapësirat publike brenda Qendrës Historike të Prizrenit vetëm 3 për qind të tyre janë të gjelbëruara. Kjo përqindje është shumë e ulët në raport me standardet botërore të qendrave të qyteteve. Gjithashtu nga matjet e bëra del që rreth 45 për qind e hapësirave publike brenda Qendrës Historike të Prizrenit janë të pashfrytëzuara apo të pa qasshme për publik.

“Qytetet Gjithëpërfshirëse…” është projekt i EC, i cili synon të artikulojë nevojat e grupeve të komunitetit dhe t’i përkthejë ato në plane të zbatueshme urbane të komunës së Prizrenit. Grupet e komunitetit me të cilat punohet në këtë projekt janë të shpërndarë në lagje dhe fshatra të ndryshme të komunës së Prizrenit.

Shqiptari nga Suhareka projekton shporetin solar (Video)

0

Më nuk të shpenzohet energji elektrike për përgatitjen e ushqimit, fal projektimit të shporetit me energji diellore të realizuar nga Dukagjin Palushi nga Budakova e Suharekës. Qëllimi i këtij projekti, sipas tij, ka qenë ndihma për familjet e varfra.

Temperatura e siguruar nga rrezet e diellit arrin në 600 gradë Celsius, e kjo bën që ushqimi të gatuhet brenda pak minutave.

Kjo pajisje ka një kosto prej 200 euro për ndërtimin. Palushi ka projektuar edhe një skicë për të gjithë ata që duan të realizojnë një projekt të tillë. /Tribuna Channel/

Ikja e kosovarëve

0

ARTAN FUGA

Restorantet dhe kafenetë janë mbyllur. Tavolinat me këmbëpërpjetë. Tani miq ikni flini dhjetë muaj dhe shpresoni, lutuni në xhami a në kishë që ata të duan të vijnë përsëri vitin tjetër se përndryshe do të vdisni për bukë.
Qyteti duket i shkretë.

E mo gëzoju ! – më thotë egoja që drejton automjetin bashkë me mua – shiko si e ke rrugën, krejt të lirë. Mbrëmë e për natë që të kaloje segmentin e Hekurudhës, të duhesh të paktën 20 minuta!

E shoh egon me ironi. E pyes : Kur ha ushqim, e kalon drejt e në fund të barkut, apo ke dëshirë që ushqimin ta rrotullosh pak nëpër gojë, ta kalosh pastaj në fyt, të ndjesh se të shkon dalëngadalë duke zbërthyer aroma e shijet gjithandej trupit?

Unë nuk dilja për të bërë gara, por për ta shijuar rrugën!

Mbrëmë në darkë rruga dytësore e plazhit, ajo e pista dhe shkatarraqja, anash hoteleve dhe restoranteve të mëdhenj dhe të zhurmshëm ngjante si dhomë e errët e një aparati fotografik pa film. Ca hije të rralla endeshin me fener dore nëpër trotuaret e ngrëna si byrek gostivari kafshuar nga ndonjë tirons i uritur.

Këmbë njeriu. Ka filluar dimri. Dimri i madh që më gusht këtu. Ikja e kosovarëve sjell dimrin në plazh. Se mos vetëm në plazh.

Hotelet ngjanë si shkëmbe kavaje të shpërndarë nëpër breg të detit. Errësirë. Janë boshatisur krejt!

Restorantet dhe kafenetë janë mbyllur. Tavolinat me këmbëpërpjetë. Tani miq ikni flini dhjetë muaj dhe shpresoni, lutuni në xhami a në kishë që ata të duan të vijnë përsëri vitin tjetër se përndryshe do të vdisni për bukë.

Uroni që në Prizren të mos vijë deti dhe natyra të mos krijojë brigje me rërë atje.
Kërkoj një supë peshku sa për darkë. Duket se është e djeshmja. E pyes kamarjerin: Sikur pak klientë keni sot? Ashtu, thotë ai, por dje ishim plot.

Gënjen si dreqi. Mirë bën. Klientin gjithmonë duhet ta gënjesh. Sidomos shqiptarin e Shqipërisë. I ka qef rrenat. U beson.

Mbrëmë, që ishte nata e fundit, unë erdha përsëri këtu. Këmbë njeriu. Ca çifte të lodhura dhe ndonjë pepino nga jugu i Italisë që më shumë bën zhurmë me të vetët sesa porosit.

Hani mish derri tani, kënaquni! Kosovarët na lanë shëndenë për këtë vit!
Supa ishte e pardjeshme. Rrushi te pika e shitjes te Iliria ishte i fishkur dje për herë të parë. Te berberi nuk kishte radhë.

Më rruaj dhe më qeth mirë e mirë! – i thashë berberit që për herë të parë më mori lekët se dikur më thoshte me dashamirësi dhe më bënte me turp :
Profe e ke të qethmen nga lokali!

Akullorja e Gostivarit zhdukur nga vitrinat frigoriferike. Kush ha akullore në dimër!!!
“E mbaj nga mesi i qershorit deri në dhjetëditshin e fundit të gushtit. Pastaj kush vjen këtu?”

E vërtetë, mbeten këtu njerëzit e mirë, të butë, të heshtur, të varfër që banojnë dimër e verë. Muajt e verës çfarë zanatesh nuk u lejon bashkia e Durrësit të bëjnë : Tundës celësash në rrugë për të joshur kosovarë që kërkojnë dhoma me qira. Roje parkingu për qerre kosovarësh. Kamarjerë. Qërues preshësh në kuzhinë. Shitësa rrobesh të vjetra. Dhe mirë bën që e liberalizon tregun e punës dhe nuk i bezdis njerëzit bashkia. Eshtë koha për të mbledhur si milingona ca pare në mënyrë që të mbajmë frymën me bukë gjatë dimrit.

Ne shqiptarët e arapajt, e golemasit, shkallnuriotët, hekurudhsit, uradalanasit, punojmë kontrapedal. Ne punojmë kur kosovarët pushojnë. Ata pushojnë kur ne punojmë. Ata bëjnë qef me punën tonë duke na paguar, ne jetojmë me paret e atyre dhe me punën tonë. Kur ata punojnë në vjeshtë, dimër, pranverë, ne flemë si ariu, ose presim vizita kryeministrash nga vendet që i ka lënë treni i integrimit europian.
Na ka lënë treni këtu në Durrës.

Ku ka më tren që kalon këtu!

E lë Vespën mu mbi shinat e trenit, kur shkoj të ble shalqi atje ku më tutje ca egjiptianë të vegjël mbledhin kashtën si lëndë e parë për çadra dielli krejt absurde.
“Kujdes se pas pesë orësh kalon një tren këtej, dhe mundet që Vespa ta pengojë”, – më thotë shalqinasi. Dhe qesh bukur. Ja marr shalqiun pa provë se e di që nuk më rren. E provoj në shtëpi. Pasi e ha.

Ka ardh dimri. Këtu nuk ndrrohen stinët sipas rrutullimit të diellit, por sipas ikjes së kosovarëve nga plazhi. Ikin ata rriten me 50% papunësia në moshat e reja në trevën durrsake. Kështu thotë të paktën observatori i papunësisë urbane që është ngritur te Vila e Mbretit sipër Currilave.

Shtohen prirjet për të vjedhur. Rritet mërzia urbane. Konsumi i drogës zmadhohet midis autoktonëve.

Edhe deti ndjen dimrin. Një diell i lodhur ka nxjerrë kokën pas një vinçi të ngrirë prej kohësh në palëvizje andej nga porti. I kuq dielli, i kuq edhe deti.

Qen të vetmuar enden në breg. Janë edhe të uritur. Ne kemi lidhje me një qen rrugësh. Lidhje klandestine. Edhe për të mirën tonë e mbajmë dashurinë me të të fshehtë sepse njerëzit gati janë të thonë : Tan Fuga merret me qen rrugësh! Por, edhe për të mirën e qenit sepse xhelozët mund ta keqtrajtojnë vetëm sepse më shohin që i hedh ndonjë vezë fshehurazi te këmbët. Për pak e shqeu një qen i zi rival sepse nuk donte që ta trajtonim ndryshe nga ai mikeshën tonë qene.

Mendoj se çfarë do të bëj qenia pasi të iki edhe unë me kosovarët nga plazhi!
Qenit ia kam venë emrin “Roza”. Kot!

Ajo nuk përgjigjet fare kur e thërras fshehurazi me këtë emër. Çfarë do të bëjnë qentë e plazhit tani në dimër. Mbase emigrojnë në Tiranë, kushedi!

Kosovarët mblodhën plaçkat dhe ikën nga plazhi drejt viseve të tyre. Ata nuk mund ta dinë sesi është plazhi pa ta. Shkretëtirë. Ka bukurinë e vet, sigurisht, por i përgjumur. Vjetrohet mielli, nëpër rafte se askush nuk bën fli, vjetrohet sheqeri se nuk sherbetosen bakllava, vjetrohet qumështi se nuk ha kush akullore bre!

Shoh ballkone bosh apartamentesh me qira ! Atje ku gjatë verës kundroja tipologjinë e sjelljes të familjeve të qeta dhe të qendrueshme kosovare.

Flasin pak me zë të lartë, e vërtetë.

Gratë sidomos sepse burrat janë të heshtur dhe u ka peshë fjala.

Sa qef i kanë simitet e bardha në mëngjes.

Kafen turke e duan gjithashtu ta pinë në ballkon.

E bën gruaja, edhe për vete edhe për burrin. Burri vetëm e pi duke tymos cigaren e vet dhe menduar. Ndofta e ka trashëgim arkaik këtë natyrën mendimtare të mëngjesit.
Ne burrat e Shqipnisë nuk mendojnë fare në mëngjes. Rruhemi dhe fishkëlllejmë.
Kur ikin në plazh ballkoni rregullohet dhe mbi tavolinë qendron e vetmuar dhe e pastër vetëm tavlla e duhanit e burrit.

Çfarë mendon or bacë, ndërsa gruaja bën punët e shtëpisë?

Ndihmoje i cikë, po aq sa dukesh që e do dhe e mban me kujdes!

Cunat e urtë janë të butë dhe të bindur në shtëpi.

Kurse gocat, shumë, sa shumë, në telefonat celularë.

Familje të qeta.

Pa sherre komshinjsh si te ne që punojmë në verë dhe flemë si ariu në dimër.
Axhenda të ndryshme. Ata punojnë kur ne qendrojmë duarlidhur, ne punojmë kur ata si gjithë bota pushon. Si nuk e bëmë njëherë hapin bashkë si ushtarët në rreshtore!
“Ne ju kemi cliruar juve, ne shqiptarët e Maqedonisë kemi luftuar për ju!” – më thotë pirësi i kafesë atë ditë përballë lokalit të striptizës “Shqiponjat”. E shoh me seriozitet dhe brenda shkrihem gazit. “Mos beso po deshe, por ministri i luftës i Ismailit ka pas qenë nga ne, solli edhe pare, për ju. Pa të nuk bëhej Shqipja.”

“Pije kafen or mik, pije. Mos u merr me budallalliqe. A i ke paguar taksat? ”

“Këtu ta kam, për ne duhet leje qendrimi, kurse vijnë tregtarë nga Evropi dhe rrinë sa të duan. Ne paguajmë dhe bakshishe për me punuar !”

“Mirë, pra, mirë, po kjo nuk lidhje me historinë kombëtare o burr,ka lidhje me korrupsionin sot, përse i bënë lëmsh në tru të gjitha.”

Më sheh me mosbesim. Pastaj më qit kafen dhe thotë se e kam nga ai.
Tavolinat me këmbëpërpjetë, qentë e uritur kërkojnë të zotin në breg, dryna mbi duar restorantesh, deti ka rrit dallgët dhe nxjerr më shumë leshterikë në breg, Kosovarët na kanë lënë vetëm.

Dimri ka ardhur!

 

Bunarët u kontaminuan nga kanalizimi, një lagje e Shkarrashnikut të Malishevës pa ujë

0

Bunarët e një lagjeje të fshatit Shkarrashnik të Malishevës ishin burimi i vetëm i ujit për pije për një familje, raporton KTV.

Ka dy muaj që kanalizimi i fshatit ua ka përfshirë atë dhe askush nga komuna nuk ka ndërhyrë.

Fitim Thaçi thotë se tashmë i janë sëmurë bashkëshortja dhe vajza e të vëllait si pasojë e ujit të kontaminuar, meqë e konsumuan ujin pa e ditur se uji ishte helmuar. Ai i është drejtuar disa herë komunës për t’i kërkuar ndihmë, por nuk është përfillur aspak.

Së fundi, ka bërë edhe një kërkesë me shkrim, pasi disa herë ishte lajmëruar nëpër sportelet e komunës. Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Malishevës, Ahmet Morina, thotë të jetë krejt normale që kanalizimi të pësojë prishje, por nuk e thotë arsyen pse nuk shkuan t’i dalin në ndihmë familjes që u ankua.

Krejt fajin për problemet ia hedh qeverisjes së kaluar dhe vetë qytetarëve për pakujdesi. Ai shton se sistemi i kanalizimit i takon Hidroregjionit Jugor, por meqë problemet janë të vazhdueshme, kanë hapur tender për mirëmbajtjen e gjithë sistemit.

Ndërsa Njazi Bytyçi nga Hidroregjioni Jugor, i ka thënë KTV-së se nuk kanë përgjegjësi për Fshatin Shkarrashnik, pasi nuk është i kyçur në ujësjellës. Derisa zyrtarët komunalë hedhin fajin te njeri-tjetri, Fitim Thaçi është ndier tërësisht i pafuqishëm për ta zgjidhur problemin e tij që po ia dëmton familjen.

Nga Austria kthehen analizat e videove nga burgu ku vdiq Astrit Dehari

0

Në kohën kur do të bëhet një vit që nga vdekja e Astrit Deharit, pritet që në Kosovë të kthehen nga Austria analizat e videove të kamerave të sigurisë në Qendrën e Paraburgimit të Prizrenit, raporton KTV.

Kjo, për KTV-në, është konfirmuar nga Prokuroria Themelore e Prizrenit, që ka thënë se kjo do të mundësojë vazhdimin e hetimeve. Incizimet ishin dërguar në muajin shkurt në Institutin “IT Forensics BKA” për të vlerësuar autenticitetin e tyre, nëse ka pasur ose jo ndërhyrje në to.

Prokurori Metush Biraj ka deklaruar se kjo është një analizë pak më e ndërlikuar, andaj duhet më shumë kohë.

Incizimet që janë duke u analizuar janë nga 3 kamera të ndryshme, nga mesnata ndërmjet 4 e 5 nëntorit deri mëngjesin e 6 nëntorit. Astrit Dehari, që po dyshohej për sulmin ndaj Kuvendit të Kosovës, vdiq pasditen e 5 nëntorit në qelinë e tij në Qendrën e Paraburgimit. Që nga ajo ditë, Prokuroria e ka hetuar vetëm pistën e vetëvrasjes, derisa familja Dehari insiston se ai u vra. Për këtë, Kuvendi vendosi që qeveria të paguajë shpenzimet për një hetim të pavarur, të cilin do ta zgjidhte familja.

Por, kërkesa u refuzua me arsyetimin se familja Dehari zgjodhi një institut hetues në Zvicër, që nuk është vend i BE-së.

Shaqir Totaj i pranueshëm edhe për të papërcaktuarit politik

0

Përkrahja dhe optimizmi për fitoren e radhës së PDK-së në Prizren, karakterizuan javën e parë, pas përcaktimit të kandidatit të ri për të parin e Prizrenit, Shaqir Totajn.

Dy muaj para kohës së përcaktuar për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, subjekti më i madh në Prizren, PDK ka shtuar takimet e strukturave dhe të grupeve me kandidatin e ri për postin e kreut të komunës.

Totaj, që ka përkrahjen e madhe nga lideri i partisë, Kadri Veseli dhe të degës në Prizren, në ditët e para të punës në kuadër të takimeve të organizuara me struktura të partisë, por edhe grupe të ndryshme të qytetarëve, Totaj ka marrë përkrahje të madhe, ndërkohë që ky hap i PDK-së është mirëpritur edhe tek qytetarë të papërcaktuar, të cilët ia duan të mirën Prizrenit.

“Emërues i përbashkët në takimet e deritashme të mbajtura me z.Totaj është ofrimi dhe mbështetja ndaj Totajt dhe PDK-së, duke potencuar interesin e qytetit dhe investimet e mëdha të bëra nga ky subjekt për një decenie, duke bërë që Prizreni të jetë një qytet model, jo vetëm në vend, por edhe në rajon”, thuhet në njoftimin e degës së PDK-së.

Deri tash Totaj ka pasur takime me kryesitë e nëndegëve dhe me kandidatët e PDK-së për anëtarë të Kuvendit Komunal (KK). Në vijim ai do të mbajë takime edhe në terren, duke takuar edhe nëndegët si dhe degën e Zhurit dhe atë të Hasit./PrizrenPress.com/

Rreziku i ri bërthamor

0

Shkruan: Joschka Fischer

Sikur njëri ndër ata që kanë lindur në vitin 1948, mund të them se rreziku nga një Luftë e tretë botërore ishte një pjesë reale e fëmijërisë sime. Ky kërcënim, apo të paktën rreziku që Gjermania lindore dhe ajo Perëndimore të shkatërroheshin në tërësi – mbizotëroi deri në mbarim të Luftës së ftohtë dhe kolapsit të BRSS-së. Që nga ajo kohë, është zvogëluar rreziku që fuqitë bërthamore ta shkaktojnë një apokalips, edhe pse nuk është zhdukur në tërësi. Sot, një rrezik më i madh ka të bëjë me faktin se shumë shtete më të vogla, të sunduara nga regjimet jo stabile diktatoriale, do të përpiqen që të prodhojnë armë bërthamore. Duke u bërë fuqi bërthamore, regjimet e tilla mund ta sigurojnë mbijetesën e tyre, mund të çojnë përpara interesat e tyre lokale dhe regjionale, bile edhe ta ndjekin një agjendë ekspansioniste. Në këtë ambient të ri, ‘racionaliteti i përmbajtjes’, që mbizotëronte në raportet midis SHBAsë dhe BRSS-së gjatë Luftës së ftohtë, tani nuk ekziston më. Tani, nëse vjen deri te rritja e proliferimit bërthamor, atëherë pragu për përdorimin e armëve bërthamore me gjasë do të bjerë.

Trump nuk e filloi eskalimin e krizës në Gadishullin korean

Sikur që tregon situata aktuale në Korenë Veriore, nuklearizimi i Azisë Lindore apo e Gjirit Persik mund të paraqesë një rrezik direkt për paqen botërore. Merreni si shembull konfrontimin e fundit retorik midis diktatorit jug-korean Kim Jong-un dhe presidentit amerikan Donald Trump, ku Trump premtoi se do të përgjigjej me “zjarr dhe zemërim” ndaj çdo provokim të mëtejmë nga Koreja Veriore. Është e qartë, Trump nuk mbështetet te përmbajtja (deterenca), sikur që do të mund të pritej nga një lider i superfuqisë së vetme. Në vend të kësaj, ai i ka lënë emocionet e tij që të manifestohen pa asnjë kufi. Natyrisht, Trump nuk e filloi eskalimin e krizës në Gadishullin korean. Ajo kishte kohë që zihej, për shkak të gatishmërisë së regjimit të Koresë veriore për ta paguar çdo çmim vetëm që të bëhet fuqi bërthamore, gjë që shihet si mënyrë për ta siguruar veten e saj. Për më tepër.

Regjimi është duke zhvilluar raketa interkontinentale, të afta që të bartin armë bërthamore dhe të arrijnë brigjet perëndimore të SHBA-së, apo të shkojnë edhe më tej. Kjo do të ishte një sfidë e madhe për çdo administratë amerikane. Në fund, nuk ka asnjë opsion të mirë për të reaguar ndaj kërcënimeve të Koresë veriore. Një luftë parandaluese në gadishullin korean, e udhëhequr nga SHBA-ja, mund të çojë deri te një konfrontim direkt me Kinën dhe deri te shkatërrimi i Koresë jugore, duke sjellë pasoja të paparashikueshme edhe për Japoninë. Dhe, meqë trekëndëshi midis Kinës-Koresë jugore dhe Japonisë është bërë qendra e re e fuqisë globale të ekonomisë botërore, asnjë vend nuk do të kursehej nga pasojat ekonomike. Edhe nëse SHBA-ja vazhdon që të aludojë rreth mundësisë së luftës, liderët ushtarakë amerikanë e dinë se përdorimi i forcës ushtarake nuk është opsion i vlefshëm, duke pasur parasysh koston dhe rrezikun e lartë.

Një rrezik tjetër bërthamor na pret këtë vjeshtë

Kur Koreja Veriore ta arrijë statusin e fuqisë bërthamore, atëherë garancitë amerikane të sigurisë nuk do të jenë më të forta. Një Kore Veriore me armë bërthamore dhe me mjete për përdorimin e tyre, do ta shtonte presionin ndaj Koresë jugore dhe Japonisë, për ta zhvilluar kapacitetin e tyre bërthamor, gjë që ato do të mund ta bënin lehtë. Por, kjo do të ishte gjëja e fundit që do ta donte Kina. Situata në Azi sot ka atributet bërthamore të shekullit XX dhe dinamikat e fuqive nacionale të shekullit XIX. Ky kombinim mund të tregohet të jetë tepër shpërthyes. Dhe, në të njëjtën kohë, sistemi ndërkombëtar është duke u bërë gjithnjë e më jo stabil, me strukturat politike, institucionet dhe aleancat në mbarë botën, të dëmtuara, apo të vëna në pikëpyetje. Shumë do të varet nga ajo se çka do të ndodhë në SHBA nën presidencën Trump. Hetimet rreth implikimeve ruse në kampanjën e Trumpit të vitit 2016, si dhe dështimi për ta hequr Obamacare-n, kanë treguar se administrata amerikane nuk është stabile dhe efikase. Dhe, çështjet sikur shkurtimi i taksave, muri në kufirin me Meksikën dhe rinegocimi i NAFTA-s (Marrëveshjes së Amerikës veriore për tregti të lirë), janë duke nxitur të djathtën radikale të Amerikës. Mungesa e stabilitetit në SHBA është shkak i një shqetësimi global. Nëse SHBA-ja nuk do të mundet që të jetë më siguruese e paqes dhe stabilitetit botëror, atëherë asnjë vend nuk do të mund ta marr këtë rol. Ne do të mbesim me një vakum të liderëve dhe kjo është më së shumti e rrezikshme sesa në fushën e proliferimit bërthamor.

Një rrezik tjetër bërthamor na pret këtë vjeshtë. Nëse Kongresi amerikan vendos sanksione të reja ndaj Iranit, atëherë mund të dështojë marrëveshja bërthamore midis atij vendi dhe P5+1 (pesë vendeve anëtare të përhershme të KS të OKB-së, plus Gjermanisë). Presidenti iranian, Hassan Rouhani, publikisht deklaroi javën e kaluar se Irani mund të heqë dorë nga marrëveshja ‘brenda orësh’, si reagim ndaj sanksioneve të reja. Në dritën e krizës së Koresë Veriore do të ishte kulmi i papërgjegjësisë nëse në Lindjen e Mesme do të nxitej një krizë bërthamore dhe mundësisht një luftë.

Dhe, kthimi i SHBA-së te strategjia e ndërrimit të regjimit në Iran, mund të jetë shkatërrimtar. Meqë do t’i forconte mbështetësit e linjës së ashpër në vend. E tërë kjo do të ndodhte në një regjion, i cili tanimë është i copëtuar nga krizat dhe luftërat. Dhe, meqë Kina, Rusia dhe evropianët do t’i qëndronin besnikë marrëveshjes bërthamore, atëherë SHBA-ja do të gjendej e vetme dhe e izoluar edhe nga aleatët më të afërt. Kërcënimet bërthamore të tanishme kërkojnë një qasje të kundërt nga ajo e “zjarrit dhe zemërimit”. Ajo që nevojitet është një mendjeçiltërsi, racionalitet dhe një diplomaci e durimit, që nuk bazohet te kërcënimet jo reale me dhunë. Nëse superfuqia e fundit heqë dorë nga këto virtyte, atëherë bota, të gjithë ne, do të ballafaqohemi me pasoja.

(Joschka Fischer ishte ministër i jashtëm gjerman dhe zëvendës kancelar midis viteve 1998-2005, si dhe luajti një rol të rëndësishëm në themelimin e Partisë së gjelbër gjermane)