28.2 C
Prizren
E enjte, 5 Qershor, 2025
Home Blog Page 5296

Një muaj arrest shtëpiak sulmuesit të zyrtarëve policorë

0

Gjykata Themelore e Prizrenit e ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej një (1) muaj të pandehurit nga fshati Atmaxhë Komuna e Prizrenit me iniciale B.G, njofton kumtesa nga Gjykata.

I pandehuri dyshohet për shkelje të Kodit Penal, sepse me datën 08.08.2017, rrethe orës 21:30 minuta në rrugën “Ankaraja “ i pandehuri pengon personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare,në atë mënyrë që derisa zyrtarët policor të dëmtuarit me iniciale I.S dhe A.K. njësia e trafikut rajonal në Prizren gjatë patrullimit në rrugën “Ankaraja” vërejnë të pandehurin me automjetin Opel Vectra i cili hynë në rrugën njëkahshe , me ç’rast të dëmtuarit duke përdorur dritat vezulluese dhe alarmin i janë vu në ndjekje të automjetiti i cili kishte bërë kundërvajtje .

I pandehuri nuk ndalet po e rrit shpejtësinë , derisa kur të vij në rrugën Zahir Pajaziti arrin ta ndalojnë, i njëjti duke mos i përfill urdhrat e zyrtarëve policor, ka filluar rezistimin në mënyrë aktive pa i kontrolluar veprimet e tij, duke i sulmuar dhe fyer me fjalë .

Vetëvendosje shpallë të hapur aplikimin për kryetar të Prizrenit

0

Lëvizja Vetëvendosje në Prizren, ka shpallur të hapur aplikimin për kandidat për kryetar të Komunës së Prizrenit.

Aplikimi bëhet nga ora 10:00-15:00.

“Njoftohen të gjithë aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE, Qendra në Prizren, se në bazë të nenit 83 të statutit të Lëvizjes VETËVENDOSJE dhe nenit 80 të rregullores për zgjedhjet e brendshme, shpallet i hapur aplikimi për kandidat për kryetar të Komunës së Prizrenit nga radhët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!”, thuhet në njoftimin e VV-së në Prizren.

Aplikimi bëhet pranë zyreve tona në Rr. Adem Jashari, nga ora 10:00-15:00.

Afati për aplikim është i hapur 48 orë nga dita e njoftimit.

 

Çdo orë nga 100 dënime për shoferët e pakujdesshëm

0

Në raportin e vet ditor, Policia e Kosovës ka njoftuar se ka shtuar kontrollet nëpër rrugët e Kosovës.

Kështu, brenda 24 orëve, thotë raporti, transmeton Koha.net, Policia, për shoferë të pakujdesshëm e që nuk kanë përfillur rregullat e trafikut, ka shqiptuar 2388 tiketa dënuese.

Gjatë kësaj kohe kanë ndodhur 66 aksidente trafiku në të cilat janë lënduar 23 persona, ndërsa në mbajtje janë dërguar 11 persona.

Haradinaj: Kosova brenda 10 ditësh do ta ketë Qeverinë

0

Kandidati për kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj, i nominuar nga koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, i njohur si koalicioni PAN, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, thotë se Kosova brenda 10 ditëve të ardhshme do të ketë institucionet e reja. Haradinaj thotë se me mbështetjen e partisë politike Aleanca Kosova e Re, Kosova do të ketë një Qeveri gjithëpërfshirëse. Ai thotë se kandidati i vetëm për postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës është Kadri Veseli.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Haradinaj, Kuvendi i Kosovës nuk po arrin të zgjedhë kryetarin e ri të Kuvendit, pasi deputetët e koalicionit PAN nuk po paraqiten në seancë. Si e shihni zgjidhjen e kësaj çështjeje dhe pse nuk jeni prezent?

Ramush Haradinaj: Në seancën e parë konstitutive u kërkua një pauzë. Ishte e nevojshme kjo pauzë për konsulta të ndërsjella edhe rreth kandidaturës edhe rreth votës, jo vetëm për kryetarin por edhe për trupat e tjerë të Kuvendit, nënkryetarët. Konstituimi i Kuvendit pa një dakordim të partive politike është i pamundur.

Pra, dallon konstituimi i Kuvendit nga formimi i Qeverisë për shkak se është një formulë shumë strikte, që buron nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që vetëm koalicioni fitues ose forca fituese politike, që në këtë rast është PAN-i. Gjendja e krijuar është rezultat i një mosdakordimi nga partitë tjera, në këtë rast nga LVV dhe LAA, që të respektojnë këtë situatë ose këtë të drejtë të fituesit, që të votohet kryeparlamentari.

Ku qëndron tani problemi sipas jush. Ka pasur një periudhë bukur të gjatë kohore për t’u kryer konsultime.

Ramush Haradinaj: Mendoj se tani ky është vullnet politik i Vetëvendosjes dhe i LDK-së. Pra, është në vullnetin e tyre që a të lejojnë një të drejtë që PAN-i e ka nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese, duke marrë pjesë në votim. Pra, mos marrja pjesë në votim ose mosvotimi i kryeparlamentarit është bërë shkak i kësaj gjendjeje. Për fat, gjendja ka evoluar, pra nuk jemi në atë gjendjen e ngurtë. Është vërtetë e mirëseardhur, një pozicion i ri i AKR-së, edhe i zotit [Behgjet] Pacolli, një gatishmëri që t’i jepet edhe një afat kohor kësaj gjendjeje dhe një afat kohor të caktuar, për të zhbllokuar krijimin e institucioneve në vend, në këtë rast, konstituimin e Parlamentit dhe formimin e Qeverisë.

A është i gatshëm koalicioni PAN të ndryshojë kandidatin e nominuar për kryetar Kuvendi?

Ramush Haradinaj: Kandidati, është e drejt ekskluzive, kandidatura dhe përzgjedhja e kandidatit. Pra, nuk është ndonjë kategori përzgjedhja e kandidatit. Kushtetuta jonë, vendimi i Gjykatës Kushtetuese e ka paraparë të drejtën e koalicionit fitues që të kandidojë [kryetarin e Kuvendit]. Pra, ta quaj ashtu, interferimi në përzgjedhje nuk është e drejtë e partive tjera, është e drejtë ekskluzive e fituesit të zgjedhjeve.

Pra, nuk ekziston kategori kushtetuese ose nuk ekziston rregull e paraparë, që i jep të drejtën partive të tjera të interferojnë në përzgjedhje. E ka thënë gjykata, është e drejtë ekskluzive e PAN-it. PAN kishte mundur të vendosë, në një mënyrë apo në një tjetër, por e ka paraparë, e ka kandiduar zotin Veseli dhe ai është kandidati për kryetar Parlamenti.

Këto ditë keni pasur disa takime me deputetë të partive të tjera, që janë pjesë e Kuvendit të Kosovës, por edhe me kryetarin e AKR-së. Për çfarë është biseduar?

Ramush Haradinaj: Tani, është vërtetë, është domethënëse, është një situatë e re, pozicioni i presidentit Pacolli, në këtë rast kryetarit të Aleancës Kosova e Re. Ai është deklaruar se e ndjen përgjegjësinë si AKR dhe si Behgjet për gjendjen në vend dhe që nuk dëshiron të rri duarkryq gjithë kohës pa vepruar.

Pra, që do t’i japë një afat kohor zhbllokimit të institucioneve dhe do të veprojë. Kjo është një situatë e mirëseardhur dhe dihet mirëfilli se një situatë e tillë, një rol dhe platformë që e shprehu presidenti Pacolli, për një Qeveri gjithëpërfshirëse dhe një platformë qeverisëse janë interes i vendit sot, dhe ne jemi të hapur për këtë qasje të re të zotit Pacolli dhe e mirëpresim.

Do të thotë se keni marr një premtim nga AKR se do ta jap votën për kryetarin e Kuvendi dhe formimin e Qeverisë?

Ramush Haradinaj: Ajo që mund ta konfirmoj është një ndjenjë e përgjegjësisë nga vet zoti Pacolli, pra e ndjen përgjegjësisë që gjendja nuk mund të shkojë në pa kufi kështu.

Nuk guxojmë të hyjmë në ato situatat e vitit 2014, e të vonesave pa kufi. Pra, ai e ndjen përgjegjësinë para popullit, vendit, para aleatëve të Kosovës dhe që zoti Pacolli dhe AKR nuk do të presin pa kufi për të ndihmuar në konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë, po edhe t’i marrin përgjegjësitë.

Vetë Pacolli e ka një përvojë të jashtëzakonshme në shumë çështje, qoftë në marrëdhënie me jashtë, qoftë temave ekonomike që është i njohur për këtë, po ka edhe kolegë të zotët dhe jam i bindur se ai do ta japë kontributin e vet edhe në konstituimin e institucioneve dhe qeverisjen në vend.

Deri më tash nuk keni dëshmuar se si koalicioni keni numrin e mjaftueshëm të votave për zgjedhjen e kryetari të Kuvendit dhe Qeverisë, derisa më herët e keni thënë se i keni votat. Çka po ndodh?

Ramush Haradinaj: Kishte një lëkundje të caktuar në seancën e parë, pra edhe për ne ka qenë pak e habitshme gjendja.

Na erdhi keq për gjendjen e krijuar në pjesën e parë të seancës konstituive. Ju thash dhe e kam përsëritur disa herë, se situata vetëm votë 61, nuk është e parealizuar dhe nuk është joreale çdo ditë, por i kemi dhënë edhe në të kaluarën përparësi një mundësie të një qeverisje me bazë më të gjerë.

Për fat, po rezulton se kemi pasur të drejtë, pra për këtë se vet fakti se presidenti Pacolli, pra të AKR-së, flet se nuk janë shterur mundësitë ende që të kemi konstituimin e Kuvendit, që të kemi një Qeveri me bazë më të gjerë. Dhe mendoj se edhe koha që na ka humbur, nuk mund të quhet krejt kohë e humbur sepse po fitojmë me argumente, pra do të kemi institucione me bazë më të gjerë.

Pra, si do të veproni tash e tutje?

Ramush Haradinaj: Tani është një situatë e ndjeshme. Kryesuesi i seancës, deputeti më i moshuar, zoti Mikullovci është edhe ai në një situatë jo të lehtë, pra është një precedan, pra gjithë zhvillimi me seancën.

Me gjasë ai nuk e vlerësoi drejt mbylljen e seancës, çka nënkupton mbyllja herën e parë. Tani jemi në tendencë ose në përpjekje që ta rikthejmë seancën. Seanca rikthehet pas dakordimit të partive politike, por nuk mund të kthehet njëanshëm. Dhe mendoj se duhet të shfrytëzohen konsultat për dakordim për seancë.

Ka terren, pra në 10 ditë nga sot, ka terren për mbajtjen e seancës, por nxitimi edhe thirrja e seancës njëanshëm nuk është zgjidhje.

Pra, kur mendoni që Kosova do t’i ketë institucionet e reja?

Ramush Haradinaj: Tani besoj se është pak më e qartë gjendja. Pra, ka një reflektim të spektrit politik, ashtu siç e thash më herët, dhe besoj që në këto ditët që po vijnë, në këto 10 ditë do të jemi në gjendje që t’i marrim vendimet e duhura për të konstituuar Kuvendin, t’i zgjedhim organet e Kuvendit dhe njëkohësisht edhe formimin e Qeverisë

30 familje s’kanë ujë në Prizren

0

Ankesa e banorëve të rrugës “Janina”, e sidomos lagjes së kësaj rruge, “Gurishte”, është një nga ankesat jetike të jesh ose mos të jesh. Sidomos në këto ditë vere, kur vapa përcëllon gjithkah. Janë jo më pak se 30 familje të kësaj lagjeje që ankohen për mungesën e ujit të pijshëm, por çka është edhe më e keqja, është fakti se atje s’ka as rrjet të ujësjellësit e as të kanalizimit.

Vapa ua vështirëson jetën

Tashmë ata banorë gjenden në hallin e madh të vapës dhe mungesës së ndriçimit publik të rrugës së paasfaltuar, bile as me zhavorr nuk e kanë të shtruar. Përfaqësuesit e këtyre banorëve, Idriz Sertolli dhe Besim Kastrati, të zhgënjyer me neglizhencën e komunarëve, të cilët kanë harruar këtë lagje me 30 familje dhe për ta u bie ndër mend vetëm kur ka ndonjë fushatë zgjedhore.”Vetëm në fushatë erdhën dhe na premtuan se do të na sjellin rrjetin e ujësjellësit, se do të na i asfaltojnë rrugën, pastaj na premtuan edhe ndriçimin publik. E vërteta, ndriçim publik pati pak kohë, por tani e dy muaj s’ka më asnjë natë ndriçim. Por, ajo që na shqetëson të gjithëve në këtë lagje është mungesa e ujit, të jetosh pa ujë s’paska gjë në botë më vështirë. Kjo as që mund të quhet jetë, kemi hapur puse, por në këto ditë vape, kur kjo lagje është gurishtë, s’kemi ujë, sepse janë shterur puset”, thotë Besim Kastrati për “Kosova Sot”.

18 vjet me mungesë uji

Edhe banorët e rrugës “Janina”, si: Faik Asllani dhe Hysen Xhemallari thanë se nuk kanë ujë. Faik Asllani pohon se tani tetë vjet kanë ujë të pijshëm me reduktime të mëdha, kurse Hysen Xhemallari shtoi se mungesa e ujit dhe reduktimet drastike janë tani e 18 vjet radhazi. Derisa prof. Hasan Bala po ashtu me mllef flet për mungesën e ujit të pijshëm në këto ditë me vapë.

“Nëse dëshironi të shihni sesi në Prizrenin tonë të bukur e të dashur, ‘të dyzet burimeve simbolike’ ka njerëz që digjen për një pikë ujë, si banorët e Etiopisë afrikane në këto ditë me temperatura të larta gushti, ejani në rrugën ‘Anton Pashku’ dhe binduni”, tha Bala për “Kosova Sot”, dhe shtoi se duke mos pasur mundësi të ndërmarrë diçka tjetër për zgjidhjen e një problemi me rëndësi absolutisht jetike për njeriun: mungesën e ujit të pijshëm dhe ndoshta do ta dëgjojë ndonjë vesh ‘jo i shurdhët’ nga faktorët kompetentë. Lidhur me të gjitha këto jep sqarime shtesë inxhinieri nga “Hidroregjioni jugor” Lumni Sallahu,i cili tregon se ky problem i lagjes “Gurishte” duhet të zgjidhet nga Komuna e Prizrenit. “Pasi aty të shtrihet rrjeti, ne do të kemi mundësi pastaj të interesohemi për furnizim me ujë të pijshëm”, tha Sallahu,duke shtuar se mungesa e ujit në rrugën “Janina” së shpejti do të rregullohet dhe atyre banorëve do t’u sigurohet uji i pijshëm.

“Tash jemi në impelemtim të një projekti, që lidhet me mundësinë e furnizimit me sasi më të mëdha të ujit. Ju jeni dëshmitarë se tani në këto ditë vape, vetëm Prizreni, hiç atje ku s’kemi rrjet, ka ujë të pijshëm. Ka edhe ndonjë reduktim të rrallë, si puna e rrugës “Janina”, mirëpo pas angazhimit maksimal që jemi duke bërë dhe pas mundësisë që të ndalojmë keqpërdorimet e shumta që janë duke u bërë me ujin e pijshëm, besoj se Prizreni është më i furnizuari me ujë të pijshëm”, tha Sallahu për “Kosova Sot”.

Komunarët vetëm premtojnë

Edhe drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Prizrenit, Sulltan Badallaj, lidhur me këtë temë thotë se së shpejti do ta zgjidhin çështjen e furnizimit me ujë të lagjes “Gurishte”. “Sa i përket lagjes “Gurishte”, ne shpresojmë se atje brenda këtij muaji ekspertët tanë do të shkojnë ta përfundojë projektin e rrjetit të ujësjellësit dhe më së largu brenda një muaji e gjysmë atje do të ketë ujë të pijshëm”, tha Badallaj për “Kosova Sot” dhe shtoi se pjesë të tjera të infrastrukturës do të rregullohen shumë shpejt. Banorëve të lagjes “Gurishte” u mbetet vetëm të shpresojnë në premtimet e zyrtarëve komunalë, sepse vapa e këtyre ditëve dhe mungesa e ujit të pijshëm ua ka vështirësuar jetën, edhe ashtu të rëndë.

(Kosova Sot)

20 minutat e testit të vështirë të riatdhesimit në “The Remigrant” shfaqet në Dokufest

0

Në kuadër të kategorisë së filmave kombëtarë në edicionin e 16-të të Festivalit “Dokufest” është shfaqur premierë filmi “The Remigrant”, regjinë e të cilit e ka bërë aktori i suksesshëm Astrit Alihajdaraj. Në film luajnë aktorë të njohur kosovarë.

Filmi 20 minutësh “The Remigrant” tregon historinë e Bashkimit, 50-vjeçar, dhe Besnikut, 17-vjeçar, të cilët kanë shumë të përbashkëta. Të dy kanë braktisur shtëpinë në moshë të re. Babai ishte dashur të arratiset në Austri për shkak të luftës në Kosovë, kurse biri i tij duhet të kthehet në Kosovë me kërkesën e të atit.

Kthimi në Kosovë, pas shtatëmbëdhjetë vjetësh jetesë në Vjenë, është një test i vështirë pjekurie për të dy. Dëshira e madhe për vendin e fëmijërisë i lidh dhe i ndanë, si babanë ashtu edhe të birin.

vjen i punuar nën regjinë e aktorit të njohur Astrit Alihajdaraj, i cili po ashtu është edhe producent i tij. Kjo është hera e parë që aktori vjen në rolin e regjisorit dhe producentit.

Në film luajnë aktorët Leze Qena, Ilire Vinca, Veton Osmani dhe Floris Bajgora. Qena u shpreh e lumtur që i ishte besuar ky rol.

Ndërsa, aktorja Vinca ka pasur rastin të bashkëpunojë me Astritin si aktor, por tha se ishte interesant edhe bashkëpunimi me të si regjisor.

Në kategorinë kombëtare të edicionit të 16-të të “Dokufest”-it do të shfaqen 13 filma. Festivali përfundon të shtunën.

Prizren: Shtyhet gjykimi për krime lufte ndaj pjesëtarit të UÇK-së

0

Shqyrtimi gjyqësor, i paraparë të mbahej të enjten, kundër Remzi Shalës, i cili akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës për krime lufte ndaj popullsisë civile, nuk është mbajtur pasi që avokati Natal Bullakaj, ka rast vdekje në familje.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Natal Bullakaj, ka njoftuar të pranishmit se një ditë më parë i ka vdekur nipi i sapolindur dhe se nuk është në gjendje që të përfaqësojë të akuzuarin, andaj ka kërkuar që kjo seancë dhe ajo e së premtes të shtyhen.

I akuzuari, Remzi Shala, nuk ka pranuar që atij t’i caktohet një avokat tjetër zëvendësues me arsye se i njëjti nuk është i njohur me rastin penal dhe provat e prokurorisë, andaj ka kërkuar që seanca të shtyhet për një datë tjetër.

Prokurori i rastit, Haki Gecaj dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Asdren Hoxha, janë pajtuar që seanca të shtyhet.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtarja Raime Elezi, ka vendosur që kjo seancë dhe ajo e së premtes të shtyhen për 19, 20 dhe 22 shtator 2017, duke filluar nga ora 09:00.

Remzi Shala, akuzohet nga Prokuroria Speciale se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 26 qershor 1998, duke vepruar si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), së bashku edhe me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, kanë marrë nga shtëpia e tij, viktimën Haxhi Përteshi.

Sipas aktakuzës, Remzi Shala, i cili ishte i vetmi pa maskë në kokë, së bashku edhe me 5-6 pjesëtarë tjerë të UÇK-së, të maskuar, nën dyshimin se i ndjeri ishte bashkëpunëtorë i forcave serbe, kanë shkuar në fshatin Duhël dhe të njëjtin e kanë dërguar në një vend të panjohur.

Në aktakuzë thuhet se djali i viktimës, Agron Përteshi, i kishte parë ata të largoheshin, së bashku me babin e tij, në drejtim të fshatit Grajqevc dhe pas disa dite trupi i pajetë i të ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël./betimiperdrejtesi/

O’Connell në Prizren takon kryeprokurorin e sapozgjedhur Admir Shala

0

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Admir Shala, sot ka pritur në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Ruari O’Connell.

Sipas njoftimit për media, në këtë takim fillimisht ambasadori O’Connell i uroi kryeprokurorit Shala për detyrën e re. Me këtë rast, kryeprokurori Shala falënderoi ambasadorin O’Connell për përkushtimin dhe bashkëpunimin e tij në fushën e sundimit të ligjit.

Kryeprokurori Shala shprehu përkushtimin e tij në luftimin e krimit dhe korrupsionit, si dhe në mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore të Qytetit të Prizrenit.

Në anën tjetër, Ambasadori O’Connell ka ripërsëritur qëndrimin e Mbretërisë së Bashkuar për përkrahjen dhe bashkëpunimin në forcimin e sistemit të drejtësisë.

Socializmi i ri i budallenjve

0

J. Bradford DeLong 

Rirregullimi ekonomik nuk ndodh me falimentime, por më shumë me anë të ‘bumeve’ ekonomike

Sipas teorisë kryesore ekonomike, globalizimi tenton që “t’i ngrejë të gjitha barkat”, dhe ka pak ndikim në shpërndarjen e gjerë të të ardhurave. Por, “globalizimi” nuk është e njëjta gjë me eliminimin e tarifave dhe të barrierave të tjera tregtare. Sikur që thotë profesori i Universitetit, ekonomisti Dani Rodrik, teoria ekonomike parashikon që largimi i tarifave dhe barrierave të tjera jotarifore ndikon në rritjen e prodhimtarisë, por rezulton edhe me distribuime më të mëdha, derisa eliminimi i barrierave më të vogla stimulon redistribuimet më të mëdha krahasuar me fitimet neto. Globalizimi është i ndryshëm. Ai duhet që të kuptohet si proces gjatë të cilit bota bëhet gjithnjë e më e ndërlidhur nëpërmes përparimeve teknologjike, të cilat ulin kostot e transportit dhe komunikimit.

Deficiti në prodhim

Kjo formë e globalizimit lejon prodhuesit e jashtëm që të eksportojnë mallra dhe shërbime në tregje të largëta, me një kosto më të ulët. Por, ajo po ashtu hap tregjet e eksportit dhe zvogëlon kostot për anën tjetër. Dhe, në fund, konsumatorët marrin më shumë mall, për më pak para. Sipas teorisë standarde ekonomike, ridistribuimi vjen në shprehje vetëm kur eksportet e një vendi kërkojnë faktorë shumë më të ndryshëm të prodhimit, sesa importet e tij. Por, në ekonominë e tashme globale nuk ka dallime të tilla. Në SHBA, një bilanc pozitiv financiar nënkupton se më shumë amerikanë do të punësohen në ndërtimtari, prodhimin e mallrave kapitale, si infermierë dhe ndihmës shtëpiakë. Ngjashëm me këtë, një bilanc pozitiv në shërbime nënkupton që më shumë amerikanë do të punojnë jo vetëm si këshilltarë me edukim të lartë në zyra, por, të themi, edhe si portierë dhe kujdestarë shtëpish në motelet jashtë Parkut nacional “Yellowstone”. Në të njëjtën kohë, një deficit në prodhim mund të krijojë më shumë vende pune në prodhimtari jashtë vendit, në vendet ku kostoja e punës është relativisht e ulët krahasuar me kapitalin; por kjo shkatërron një numër relativisht të vogël të punës në SHBA, ku prodhimtaria tanimë është një industri intensive e kapitalit. Sikur që thotë ekonomisti i Universitetit Stanford, Robert Hall, më shumë amerikanë janë të punësuar në shitjen e automobilave, sesa në prodhimin e tyre. Mallrat që SHBA-ja i importon nga jashtë punësojnë një numër të konsiderueshëm të punëtorëve pa zanat, por ato nuk zhvendosin një punë të përgjithshme fizike në Amerikë. Kështu, të paktën në teori, ndryshimi në punësimin në SHBA nga linjat e prodhimit e deri te ndërtimtaria, shërbimet dhe përkujdesja, mund ta ketë pasur një ndikim në distribuimin e përgjithshëm të të ardhurave në aspektin e gjinisë, por jo edhe të klasës. Pse atëherë ka ekzistuar një rezistim aq i fortë politik ndaj globalizimit në shekullin XXI? Unë i shoh katër arsye.

Të huajt dhe imigrantët

Së pari dhe më së shumti, është lehtë për politikanët që, për problemet e vendit, t’i fajësojnë të huajt dhe imigrantët, të cilët nuk votojnë. Në vitin 1890, kur politikanët në Perandorinë Habsburge vazhdimisht fajësonin çifutët për probleme të ndryshme socio-ekonomike, disidenti austriak Ferdinand Kronawetter deklaroi se “Der Antisemitismus ist der Sozialismus der dummen Kerle”: Antisemitizmi është socializëm për budallenjtë. E njëjta gjë mund të thuhet sot edhe për antiglobalizimin. Së dyti, më shumë se një gjeneratë e një rritjeje ekonomike më të ngadalshme sesa që është pritur në veri të botës, ka krijuar një nevojë të fuqishme politike dhe psikologjike për ‘kurbane’. Njerëzit kërkojnë një shpjegim të thjeshtë pse nuk janë duke e shijuar prosperitetin i cili dikur iu ishte premtuar dhe pse ekziston një dallim gjithnjë e më i madh midis atyre më të pasurve dhe të gjithë të tjerëve. Së treti, ngritja ekonomike e Kinës ka ndodhur në të njëjtën kohë me një periudhë në të cilën veriu i botës ishte duke u përpjekur që ta arrinte një punësim të plotë. Përkundër asaj që kanë thënë gjithmonë ithtarët e Friedrich von Hayek dhe Andrew Mellonit, rirregullimi ekonomik nuk ndodh me falimentime, por më shumë me anë të ‘bumeve’ me anë të të cilave vjen deri te një hiperproduktivitet i lartë.

Prodhimi dhe mbajtja e një punësimi të plotë

Kështu, neoliberalizmi nuk kërkon vetëm tregje të hapura dhe garuese, ndryshime globale dhe stabilitet të çmimeve, por ai varet edhe nga një punësim i plotë dhe nga ‘bumet’ gati permanente, sikur që kishte thënë ekonomisti John Maynard Keynes në vitet 1920 dhe 1930. Në dekadat e fundit, rendi neoliberal ka dështuar që t’i sigurojë këto kushte, kryesisht për shkak se një gjë e tillë ka qenë e pamundur qoftë edhe me anë të politikave më të mira ekzistuese. Së katërti, politikëbërësit nuk kanë bërë mjaft për ta kompensuar këtë dështim me politika sociale më agresive dhe me një ridistribuim ekonomik dhe gjeografik. Kur presidenti amerikan Donald Trump tash vonë iu tha qytetarëve të NjuJorkut se duhet ta braktisin regjionin dhe të kërkojnë punë gjetiu, ai thjesht përsëriste politikanët e gjeneratës së kaluar të qendrës së djathtë nga veriu global.

Dilemat aktuale politike dhe ekonomike të veriut global nuk janë aq të ndryshme nga ato të viteve 1920 dhe 1930. Sikur që kishte vërejtur Keynes atëherë, çelësi i zgjidhjes qëndron te prodhimi dhe mbajtja e një punësimi të plotë, ku më pas do të zhdukej numri më i madh i problemeve tjera. Dhe, sikur që thoshte ekonomisti austrohungarez, Karl Polanyi, është rol i qeverisë që të sigurojë të drejtat socioekonomike. Njerëzit besojnë se ata kanë të drejtë që të jetojnë në komunitete të shëndosha, të kenë vende stabile të punës dhe ta kenë një rrogë të denjë e cila rritet me kalimin e viteve. Por, këto të drejta të supozuara nuk rrjedhin vetvetiu nga të drejtat pronësore dhe pretendimet ndaj pasurive të mangëta natyrore. Kanë kaluar dhjetë vjet që nga kriza financiare globale dhe fillimi i “Recesionit të madh” në veriun global. Qeveritë ende nuk i kanë korrigjuar dëmet e shkaktuara nga këto ngjarje. Nëse ato nuk e bëjnë këtë së shpejti, atëherë “socializmat” e budallenjve do të vazhdojnë që ta bëjnë kërdinë në dekadat e ardhshme.

(J. Bradford DeLong është profesor i ekonomisë në Universitetin e Kalifornisë në Berkli) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE

LDK s’ka ende kandidat për kryetar të Prizrenit

0

Lidhja Demokratike e Kosovës ka publikuar sot emrat e kandidatëve me të cilët do të garojë për kryetar të komunave në zgjedhjet lokale të 22 tetorit, ndërkohë që për Prishtinën dhe Prizrenin ende nuk është vendosur se kush do të kandidojë.

Kandidatët për kryetarë  të komunave nga radhët e LDK-së janë: Agim Veliu-Podujevë, Lufti Haziri-Gjilan, Muharrem Sfarqa- Ferizaj, Gazmend Muhaxheri- Pejë, Sokol Haliti- Viti, Burim Berisha- Fushë Kosovë, Imri Ahmeti-Lipjan.

Në komunën e Kamenicës është kandiduar Shaip Surdulli, në Suharekë Salih Asllani, në Shtimje-Selim Shabani, Istog- Haki Rugova, Dragash- Selim Kryeziu dhe për kryetar të komunës së Novobërdës kandidat do të jetë Bajrush Imeri.

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, pas mbledhjes së Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku u caktuan kandidatët për kryetar të komunave, tha se e konsiderojnë tepër të rëndësishme pjesëmarrjen dhe fitoren në komuna dhe se në zgjedhjet e tetorit presin të shënojnë fitore në Prishtinë dhe Prizren.

“Ne vlerësojmë se mund ta fitojmë Prishtinën, besojmë që duhet të bëjmë çdo gjë që ta fitojmë edhe Prizrenin ta rikthejmë, sepse kemi qeverisur përpara edhe disa komuna të tjera të cilat janë shumë të rëndësishme për ne”, tha ai.

Lidhur me kandidatin për kryetar të komunës së Prishtinës, Mustafa tha se në fillim të javës së ardhshme do të mblidhen kryesia e LDK-së për të diskutuar për kandidatët e mundshëm për kryetar të kësaj komune dhe pastaj do të vendosin për kandidatin, por gjithmonë duke e pasur parasysh disponimin e qytetarëve të Prishtinës dhe anëtarësisë së LDK-së./KosovaPress/