25.6 C
Prizren
E shtunë, 21 Qershor, 2025
Home Blog Page 5308

Pushtimi i frikës

0

AGRON HALITAJ

Beteja është konkurrenca më madhështore në të cilën mund të përfshihen njerëzit, sepse ajo i nxjerr në pah më të mirët. Kështu u thoshte ushtarëve amerikanë në Luftën e Dytë Botërore, gjenerali i famshëm, George S. Patton. Ai nuk përpiqej t’ua shpërlante trurin por u jepte zemër atyre që të mos ndiheshin keq nëse kishin frikë. “Të gjithë janë të frikësuar në betejë”, u thoshte, por, “frikacak është vetëm ai që lejon që frika t’ia mposhtë ndjenjën e tij të detyrës”.

S’do mend që Patton ka folur në kohë lufte, por guximi për t’u përballur me të keqën i veçon amerikanët nga popujt e tjerë edhe në ditët e sotme, sidomos nga shqiptarët që e konsiderojnë veten si populli më pro-amerikan në botë. Guximi për ta mposhtur frikën në betejën për liri, te shqiptarët në Kosovë u fashit tej mase në paqe, atëherë kur do të duhej hapur beteja për ndërtimin e një shteti demokratik. Të paktë janë ata që morën guximin për t’i nxjerrë në pah të bëmat e njerëzve të pushtetshëm të tokës e nëntokës. E, edhe më të paktë janë ata që morën guximin për t’i vënë para drejtësisë vrasësit, zhvatësit, shantazhuesit, abuzuesit e përfituesit. Por dallimi mes dy grupeve të të paktëve është i madh.

Të parët janë gazetarët që ballafaqohen me njerëz të ligë duke mos lejuar që t’i mposhtë frika gjatë misionit për t’i mbajtur të informuar qytetarët me zhvillimet që nuk i shohin, që ua rëndojnë jetën dhe ua dëmtojnë të ardhmen. Të tillët në vazhdimësi i ekspozohen rrezikut, por armë tjetër për t’u mbrojtur, pos fjalës dhe shkrimit, ata nuk kanë.

Të dytët janë policët, prokurorët e gjyqtarët. Ndryshe prej gazetarëve, ata i kanë mekanizmat për të vepruar. Atyre u duhet vetëm guximi. Nuk është e lehtë për ta mposhtur frikën, ama secili mund t’ia shtrojë një pyetje vetes: Kur një gazetar i pambrojtur guxon t’i denoncojë publikisht politikanët e rangut të lartë, apo edhe komandantët e luftës, për përfitime të paligjshme, pse të mos e kryej edhe unë detyrën që më takon. Mund të ngjajë si luftë me “mullinjtë e erës”, shumëkush mund të viktimizohet, të degradohet apo të mbetet në rrugë, por fryma e dashurisë për shtetin nuk mund të kultivohet ndryshe.

Policëve mund t’u shkojnë hetimet huq sapo raportet e tyre të kalojnë në duar të eprorëve të lartë apo të prokurorëve, por ata nuk duhet të heshtin. Duhet të kërkojnë llogari për lëndët e tyre. E nëse ato hidhen si të “pavlera”, duhet të reagojnë edhe publikisht. Vetëm kështu mund të “disiplinohen” ata eprorë që mund të jenë në shërbim të politikës, e po ashtu edhe ata prokurorë e gjyqtarë, që parapëlqejnë ta përfundojnë karrierën pa e përjetuar ndjenjën e frikës për të ecur rrugës i pambrojtur, ashtu siç ecën një gazetar.

Prokurorët e gjyqtarët që s’reshtin së kërkuari përfitime nga shteti, së pari duhet t’u përgjigjen tri pyetjeve që ua ka bërë publikisht ambasadori britanik në Prishtinë, Ruairi O’Connell, qysh para një viti, se: – si ka mundësi që aktakuzat e ngritura nga prokurorët të rrinë në zyra me muaj e me vite derisa të dorëzohen në Gjykatë?; si ka mundësi që aktakuzat e ngritura për korrupsionin nga Prokuroria të flenë me muaj në Gjykata dhe të mos caktohen seancat gjyqësore?, dhe si ka mundësi që ky sistem gjyqësor vepron brenda ditës ndaj qytetarëve të thjeshtë që e thyejnë rendin e ligjin dhe i lënë anash ata individë që kanë shkaktuar dëme milionëshe?

Tek atëherë kur policët, prokurorët e gjyqtarët ta kenë mposhtur frikën për ta kryer si duhet detyrën e tyre, atëherë edhe qytetarët do të inkurajohen ta denoncojnë të keqen, do të jenë më të përkushtuar në ruajtjen e pasurisë së përbashkët, nuk do të pranojnë t’i zhvatë askush, e nuk do të heshtin së kërkuari të drejtat që u takojnë.

Thomas Paine, njëri ndër etërit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, thoshte se “detyra e një patrioti të vërtetë është ta mbrojë vendin nga qeveria e tij”.

Por, a mund të jesh patriot nëse nuk je i guximshëm.

Nelson Mendela, nga përvoja jetësore kishte mësuar se guximi nuk ishte mungesa e frikës, por triumfi mbi frikën.

“Njeri trim nuk është ai që nuk ndihet i frikësuar, por ai që e pushton atë frikë”, thoshte ai.

Po të mos e pushtonin frikën gjithë ata djem e vajza që rrokën armët për ta çliruar vendin, e gjithë ata qytetarë e politikanë që iu kundërvunë në forma të ndryshme regjimit serb, sot Kosova nuk do të ishte shtet.

E meqë shumë nga ta u flijuan në betejën për liri, çka na takon ne të gjallëve të bëjmë.

Abraham Lincoln, në kontekstin kosovar do të përgjigjej: Ne të gjallëve na takon t’i përkushtohemi detyrës së madhe që na pret përpara, të ecim me devotshmëri për atë kauzë për të cilën të vdekurit e nderuar dhanë masën e fundit të devocionit, me qëllim që, ne që jemi këtu, ta marrim vendimin që ata të mos kenë vdekur më kot”.

Ngritët aktakuzë ndaj tre personave për vrasje në tentativë në Prizren

0

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër të akuzuarve R.XH., B.XH. dhe A.S.Sipas njoftimit për media nga kjo gjykatë, i akuzuari R.XH. më datë 20.05.2017, afër shtëpisë së tij së bashku me prindin e tij B.XH, për shkak të një mosmarrëveshje lidhur me një rrugë, fillojnë të përleshen me të dëmtuarin A.S., ku i akuzuari R.XH. e godet me thikë dy herë, therrje këto te cilat kanë rezultuar lëndime të renda trupore dhe të rrezikshme për jetën e të dëmtuarit.

Me këto veprime i akuzuari R.XH., ka kryer veprën penale, vrasje në tentativë, nga neni 178, lidhur me nenin 28, të KPRK-së.Ndërsa, për të akuzuarin B.XH. është ngritur aktakuzë për shkak të veprës penale, pjesëmarrje në rrahje, nga neni 190, paragrafi 1, të KPRK-së, transmeton KosovaPress.

Dragash: Bajram Krasniqi, braktisë PDK-në, i bashkohet Nismës

0

Ish-aktivisti i PDK-së, Bajram Krasniqi i është bashkuar Nismës në Dragash.

Ai, do të jetë kandidat për Kuvend në këtë qytet.

“Radhëve të NISMA për Kosovën i është bashkangjitur edhe Bajram Krasniqi nga fshati Brezne, ish -aktivist dhe anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës”, njofton Nisma në Dragash.

“Pakënaqësia me qeverisjen lokale për vite me radhë është arsye kryesore që sot Bajrami i është bashkangjitur radhëve tona”.

“Jemi të bindur se qeverisja e ardhshme lokale, do të ndërtohet në të mirë të qytetarëve dhe një kontribut të rëndësishëm pa dyshim do ta jepë edhe Bajrami”.

“Kryesia e degës së NISMA-s në Dragash i uron mirëseardhje Bajramit dhe punë të mbarë drejtë ndryshimit që do të ndodh më 22 tetor“.

E kundërshtuan komunizmin, gjashtë vajzat nga Mirdita u vranë për këto arsye

0

Me mijëra shqiptarë u ekzekutuan nga sistemi i egër i komunizmit për faktin se dolën kundër diktaturës.
Ky regjim, nuk kurseu as femrat, ku të shumta janë ato gra dhe vajza që u vranë apo torturuan barbarisht për një veprim që për regjimin e egër ishte i papranueshëm.

Janë 6 femra nga Mirdita që kanë lënë gjurmë pasi u vranë nga komunizmit. Faji i tyre ishte sepse nuk donin komunizmin.

Marie Tuçi
Prejardhja e saj ishte nga dera e Gjomarkajve, Kapedanë të Mirditës. Ajo u lind në vitin 1928 dhe e vetmja si femër arrestohet në reprezaljet e vitit 1949.
Ishte e shkolluar në shkollat e Motrave Stigmatine në Shkodër, ka punuar si mësuese në Fan. Torturohet nga hetuesit xhelatë dhe prej mundimeve vdes në hetuesi në vitin 1950, e futur në një thes me një mace të egër.

Bardhe Cub Marku
Ajo lindi në Kaçinar të Mirditës në vitin 1927. Studioi në shkollën e Motrave Stigmatine në Shkodër. Vdiq nga torturat e shumta në burgun e Shkodrës në vitin 1947.

 

Liza Moli
Lindi në Kaçinarë, Mirditë po aty mori mësimet e para. Sigurimi i Shtetit i rrethuan shtëpinë. Për të shpëtuar miqtë që kishte në banesë, ajo me një pistoletë në dorë u hapi rrugën dhe i shpëtoi që të iknin.
Ajo u vra në moshën 20-vjeçare bashkë me babin e saj nga komunizmi. Më pas i dogjën edhe shtëpinë.

Bardhe Bushkola
Ajo lindi në Selitë të Mirditës. Për të mbrojtur jetën e vëllait të saj del para grykave të armëve të forcave të ndjekjes dhe vdes nga plumbat.
Ishte vetëm 16 vjeçe kur e mbylli jetën e saj të re me një akt heroik të dashurisë së motrës për vëllain.

Gjela Llesh Biba
Ishte nëna e tre fëmijëve që për të shpëtuar dhe nderin e shtëpisë, vritet me gjithë bashkëshortin nga Sigurimsat në Bukmirë, Mirditë në vitin 1947.

Dila Karaçi
Ajo lindi në Orosh të Mirditës dhe u martua në Thirrë të Fanit. Kur i kërkuan që të dilte vullnetare për të punuar në hekurudhë, ajo kundërshtoi.
Pas shumë kërcënimeve, familja e saj pranoi të largohet, por ajo tha se do të vetëvritet.
Të nesërmen kur shkuan për ta marrë për në aksion, e gjetën të varur në një pemë në oborrin e shtëpisë. Ishte vetëm 22-vjeçe. / KultPlus.com

PDK,LDK dhe AAK, ende pa kandidatë zyrtarë për kryetar komune të Prizrenit

0

Dega e NISMA-s për Kosovën dhe Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje kanë zyrtarizuar kandidatët e tyre, që do të garojnë në zgjedhjet për kryetar të Prizrenit, duke u përcaktuar për Zafir Berishën përkatësisht Mytaher Haskukën.

Ndërsa dega e LDK-së si propozim ka dërguar për miratim në organet qendrore të partisë emrin e Hatim Baxhakut. E zyrtarët e degës së AAK-së kanë pohuar se kandidati i kësaj partie që do të garojë në zgjedhjet për kryetar të Prizrenit pritet të zyrtarizohet brenda kësaj jave, shkruan sot Koha Ditore.

Ndërkohë, dega e PDK-së deri më tani ka heshtur në lidhje më këtë çështje. Artan Abrashi, nga Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, ka njoftuar se sipas parimit një anëtar një votë, anëtarësia e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren kandidat për kryetar Komune të Prizrenit ka zgjedhur Mytaher Haskukën. Ndërkohë, qysh para disa muajsh kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, kishte shprehur qëndrimin se bashkë me kryesinë e partisë do të angazhohen që Zafir Berisha të dalë fitues në garën për kryetar të Prizrenit.

Skocezja që u dashurua me etnokulturën shqiptare e i dedikoi libër Lef Nosit

0

Margaret Hasllëk (1885-1946) lindi në Moraushire. Kreu studimet e larta në Universitetin e Aberdinit në vitin 1907 në degën klasike dhe më pas studio në Kembrixh për jurisprudencë.

Margaret Hasluck

Në vitin 1907-1911 punoi në shkollën britanike të Athinës ku qëndroi deri në vitin 1916. Ka ardhur në Shqipëri më 1919 dhe gjatë viteve 1927-1939 banoi në Elbasan.

Bëri studime në krahinat e Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut. I vizitoi shpesh këto vise dhe grumbulloi mjaft material, kryesisht për të drejtën e dokeve, zakoneve, koleksione etnografike dhe fotografi të objekteve të natyrës shqiptare.

Në vitin 1932, botoi me ndihmën e Aleksandër Zhavanit, Dhimitër Paparistos dhe Parashqevi Gignosit “The Unëritten Laë in Albania”, Kembrixh, 1954 (Ligji i pashkruar shqiptar). Këtë libër ajo ia kushtoi mikut të saj, Lef Nosit.

Libri është një përmbledhje e së drejtës dokësore me 25 probleme të radhitura. Ka botuar studime, vepra e artikuj në revista të kohës si: “The Nonconformist Mosleme of Albania” (Myslimanët jokonfromistë të Shqipërisë), 1952, “Pysiological Paternity and Paternity and Belated Birth in Albania” (Atësia psikologjike dhe lindja e vonë e shqiparëve), 1932, “Binde-Prince in Albania a Homerio Paralei” (Blerja e gruas në Shqipëri një përrallë homerike), 1933, “Një kult i malit në Shqipërinë e Jugut” në shkallë kombëtare.

“The Nonconformist Mosleme of Albania” (Myslimanët jokonfromistë të Shqipërisë), 1952

Gjithashtu botoi studime në revistën e Shoqatës antropologjike Mbretërore, broshura në dy gjuhë (shqip-anglisht), nja fjalor shqip-anglisht, një gramatikë e shkurtër e shqipes, ku në mes tyre janë 16 përralla në gjuhën shqipe bashkë me përkthimin anglisht, që autorja i ka mbledhur, siç pohon ajo, nga goja e 13 djemve e vajzave elbasanase (jep dhe emrat e tyre).

Përralla janë shkruar sipas theksit të Elbasanit.

Libri i saj është bazë për albanologët dhe etnografë vendas dhe të huaj.

Aty pasqyrohet me hollësi mënyra e jetesës, zakonet përbërja e familjes, jeta fisnore, funksionimi i kuvendeve fisnore dhe i së drejtës së pashkruar, si dhe krimet kundër pronës e përsonit, normat e rregullimit të tyre dhe ato të hakmarrjes. /Konica.al/

Malishevë: E sulmuan për borxh, arrestohen dy persona

0

Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj në Malishevë pasi që të njëjtit pas një mosmarrëveshje të mëhershme rreth një borxhi kanë sulmuar fizikisht viktimën, shkruan PrizrenPress.

Nga raporti i Policisë bëhet e ditur se viktima është dërguar për tretman mjekësor në QKMF Malishevë.

Me urdhër të prokurorit dy të dyshuarit dërgohen në mbajtje./PrizrenPress.com/

Prizrenasit i gjejnë armë në veturë, arrestohet

0

Në Prizren, konkretisht në rrugën e “Shkronjave”, një person është arrestuar për armëmbajtje pa leje, shkruan PrizrenPress.

Sipas Policisë, gjatë kontrollit në veturën e të dyshuari është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë me dy fishekë.

I njëjti me urdhër të prokurorit pas intervistimit është liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt. /PrizrenPress.com/

Konfiskohet drogë në Prizren, arrestohen tre persona

0

Në Prizren, konkretisht në rrugën “Ismet Jashari”, janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj pasi që gjatë kontrollit është gjetur dhe konfiskuar një sasi substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë në peshë rreth 2.25 gramë, thuhet në raportin e Policisë, përcjell PrizrenPress.

Me urdhër të prokurorit të dyshuarit janë liruar dhe rasti procedohet në procedurë të rregullt./PrizrenPress.com/

Rrahet një burrë në Prizren, bëhet për spital

0

Një burrë nga Prizreni është dërguar për trajtim mjekësor në spitalin e Prizrenit pasi që i njëjti është sulmuar fizikisht nga dy të dyshuar meshkuj.

Nga raporti ditor i Policisë bëhet e ditur se njëri nga të dyshuarit është arrestuar dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje, shkruan PrizrenPress.