31.3 C
Prizren
E diel, 3 Gusht, 2025
Home Blog Page 5331

Prizren: Dënohet me 10 muaj burg i akuzuari për vjedhje

0

I akuzuari për vjedhje grabitqare, Fabijan Gjugja, të mërkurën, është dënuar nga Gjykata Themelore në Prizren, me 10 muaj burgim efektiv, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, prej rreth 5 muajsh.

Derisa pritej që në këtë seancë të vazhdonte gjykimi i rregullt i të akuzuarit Gjugja, prokurori i rastit, Metush Biraj, ka shprehur gatishmëri që me të akuzuarin të negociohet një marrëveshje për pranimin e fajësisë.

I akuzuari dhe mbrojtësja e tij, avokatja Hana Cana, kanë pranuar propozimin e prokurorit, ndërsa trupi gjykues u ka dhënë kohë atyre disa orë që të arrijnë një marrëveshje të tillë.

Pasdite, prokurori Biraj së bashku me avokaten Cana kanë paraqitur para trupit gjykues marrëveshjen për pranimin e fajësisë, në të cilën parashihej dënim me burgim efektiv për të akuzuarin prej 8 deri në 12 muaj.

Trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Xheladin Osmani, ka pranuar marrëveshjen e arritur mes palëve, ndërsa të akuzuarit i ka shqiptuar dënim me burgim efektiv, në lartësi prej 10 muajsh.

Po ashtu, i akuzuari Gjugja është obliguar që të paguajë shpenzimet procedurale prej 400 euro.

Ky rast zhvillohej në bazë të aktakuzës së ngritur nga ish-Prokuroria e Qarkut në Prizren, e cila e akuzonte Fabijan Gjugjajn se më 4 dhjetor 2012, rreth orës 2:00, pas mesnate, ka hyrë në shtëpinë e të dëmtuarit Ahmet Çertik dhe ka vjedhur një telefon celular.

Tutje, sipas aktakuzës, i akuzuari Gjugja, në momentin kur po largohej nga shtëpia, është ndeshur me pronarin Çertik dhe me qëllim që të mbajë sendin e vjedhur dhe të largohej nga shtëpia, ka përdorur forcën fizike kundër tij.

Ky rast, për disa vjet nuk ka mundur të gjykohej, sepse i akuzuari ka qenë i pakapshëm për forcat e rendit, pasi që i njëjti ka qenë jashtë Kosovës./betimiperdrejtesi/

Demarkacioni në rrugë të drejtë

0

Hapja e shpejtë të temës së Demarkacionit nga Qeveria e re e Kosovës, madje duke u renditur si temë që në mbledhjen e parë të Qeverisë, me shkarkimin e komisionit të mëparshëm dhe emërimin e kryetarit të ri të komisionit për demarkim dhe reagimet e mëvonshme ndërkombëtare, atyre amerikane rreth këtij veprimi, nga analistët politikë po shihet si një veprim i nxituar, i pamatur mirë, i kryeministrit Haradinaj, epilogu i të cilit mund të jetë edhe një përplasje e re e tij me ndërkombëtarët. Madje besohet shumë që Demarkacioni si temë do të vazhdojë të dominojë edhe për shumë kohë, edhe në agjendën e qeverisë aktuale, së bashku me Asociacionin, pasi Lista Serbe nuk do të heqë kurrë dorë nga Asociacioni.

Analisti Florim Zeqa nuk sheh efekt tjetër të këtij veprimi të Haradinajt përveç çmimit për marketing politik.”Hapja e shpejtë e temës së Demarkacionit, që në ditën e parë të punës si kryeministër nga ana Ramush Haradinajt, më tepër ka të bëjë me marketing politik sesa me zgjidhje të shpejtë të këtij problemi. Këtë e dëshmon shkarkimi i komisionit të deritanishëm qeveritar për demarkimin, gjegjësisht kryetarit Mehaj, gjë e cila nuk e nënkupton zgjidhjen kaq të lehtë të këtij problemi të trashëguar nga qeveria paraprake”, u shpreh ai.

Nën hijen e Listës Serbe

Edhe analisti Hidajet Ahmeti konsideron se euforia e zotit Haradinaj po krijon një mjegull në opinionin publik. “Më këto veprime mundohet të mbuloj gjithë ato lojërat e ndyta politike në raport me partinë shtet, PDK-në, e posaçërisht me Listën Serbe, e cila do të jetë determinuese e shumë proceseve të rëndësishme për Republikën e Kosovës. Deklaratat dhe veprimet populiste pa një strategji afatgjate për zhvillimin dhe përfundimin e proceseve të rëndësishme për vendin janë veprime boshe e pa përmbajtje substanciale. Çështjes së Demarkacionit nuk mund t’i shmanget Qeveria ‘Haradinaj’, pasi që Demarkacioni është krucial për Liberalizimin e vizave, si kusht në Raportin e Komisionit Evropian. Është faktike se është një kusht diskriminues nga Komisioni Evropian, pasi që është i vetmi shtet Kosova që deri më tani e ka pasur si kusht çështjen e demarkimit”, tha Ahmeti.

Ai thotë se nuk ka dyshim që edhe Lista Serbe do të veprojë e do të punojë brenda kornizës së interesave nacionaliste serbe, duke vepruar me strategjinë e Beogradit zyrtar për Asociacionin.”Gjykoj se në momentin kur Qeveria ‘Haradinaj’ nuk do të punojë brenda agjendës së Listës Serbe dhe interesave kruciale të Beogradit zyrtar, Qeveria ‘Haradinaj’ potencialisht do të rrëzohet”, tha Hidajet Ahmeti. ‘Arrë’ e fortë për Qeverinë ‘Haradinaj’ mbeten Demarkacioni dhe Asociacioni edhe sipas analistit Jeton Kelmendit. Ai thotë se shkarkimi i kryetarit të komisionit për demarkim me Malin e Zi, z. Murat Meha, është dashur të bëhej para dy vjetësh nga Isa Mustafa, por problemi qëndronte se nuk guxonte ta bënte, sepse pastaj Thaçi do dilte tradhtar, prandaj kjo nuk ndodhi. Këtë guxim që do të jetë sfidues, sipas tij, e mori tash Haradinaj, edhe pse nuk është menduar si veprim i mirë, por mbetet të shihen veprimet e tjera.”Së pari është dashur të ftohej ky ekip dhe të jepte llogari para qeverisë, pastaj të bëhej një takim me palën malazeze dhe t’u sqarohej pakënaqësia dhe pastaj në përputhje me ligjet e vendit të shkarkohej ky ekip që Kosovës i solli dëme të mëdha në shumë aspekte”, tha Kelmendi.

MARRËVESHJA MUND TË PËRFUNDOJË NË ARBITRAZH

Edhe Skënder Mulliqi jep një vlerësim të balancuar rreth kësaj teme. Ai thotë se finalja e këtij procesi do të zgjidhet vetëm në Arbitrazh ndërkombëtar, derisa problem më të madh e sheh çështjen e Asociacionit. “Që Demarkacioni të jetë kusht për liberalizim të vizave kanë ndikuar shumë Thaçi dhe Mustafa, së për këtë çështje duket shumë më herët janë marrë vesh me Gjukanoviqin në Podgoricë. Edhe Kroacia dhe Sllovenia një kohë të gjatë e kishin një kontest me territor me Gjirin e Piranit, por jo edhe si kusht për inkuadrim në BE. Kjo çështje kontestuese u zgjidh midis këtyre shteteve me Arbitrazh ndërkombëtar. Mendoj së të njëjtin qëllim do ta këtë edhe Haradinaj si kryeministër, që çështja e shënjimit të vijës kufitare me Mal të Zi të dërgohet në arbitrazh”, u shpreh ai.

“Dihet së sipas ekspertëve dhe njohësve të kufirit në terren Kosova humb mbi 8000 mijë hektarë tokë, gjë që nuk ishte dashur të lejohej. Rol ndoshta vendimtar rreth kësaj teme do të këtë faktori ndërkombëtar. Haradinaj në këtë drejtim do ta testojë bashkësinë ndërkombëtare, e nuk besoj që çështja e demarkimit do ta përplasë atë me ndërkombëtarët. Më parë do të dominojë tema e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, e cila edhe po kërkohet të implementohet nga Lista Serbe, me instruksione të Beogradit zyrtar”, tha Skënder Mulliqi. Edhe sipas Analistit Albrim Badallaj procesi i Demarkacionit duhet të jetë në listën e prioriteteve, jo vetëm të Qeverisë, por edhe të Kuvendit, për shkak se po del të jetë një barrierë për procesin e liberalizimit të vizave, por mund të jetë barrierë edhe e proceseve të tjera integruese, euroatlantike.”Kosova assesi në këtë pikë nuk guxon t’i prish marrëdhëniet me SHBA-në, mirëpo nëse ka fakte në atë që po aludon Bulliqi me komisionin e tij atëherë besoj që edhe miqtë tanë do të pajtohen me një vendim të tillë, por që duhet angazhim i madh për të bindur me fakte”, tha Badallaj për “Kosova Sot”.

DY TË TRETAT NË KUVEND, PENGESË E MADHE

Sipas Zeqës, edhe pse në dukje të parë komisioni i ri ngjall shpresa për riparim të gabimeve në demarkimin e kufirit me Malin e Zi, një gjë e tillë do të jetë vështirë e realizueshme, për faktin se nuk është aspak punë e lehtë anulimi ndërkombëtar i marrëveshjeve (të nënshkruar nga presidenti Thaçi). “Për të mos thënë e pamundur, do të jetë punë e vështirë për kryeministrin Haradinaj sigurimi i 2/3 të votave në Kuvend për çështjen e Demarkacionit pa e përmbushur premtimin e tij për kthimin e kufirit në Çakorr, ashtu siç e kishte kërkuar gjatë kohës sa ishte në opozitë. Ky është kushti i vetëm, i cili mund ta bëjë për vete votën e opozitës, në këtë rast shumicës shqiptare në Kuvendin e Kosovës”, theksoi ai. “Demarkacioni me Malin e Zi dhe Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe në veri të vendit do të jenë “arrë” e fortë për Haradinajn, për të cilën lista serbe thotë se është edhe kjo pjesë e marrëveshjes për koalicion, gjë të cilën vazhdon të heshtë akoma kryeministri i ri i vendit. Krahas këtyre dy barrierave, me të cilat do të përballet Haradinaj, përplasja me ndërkombëtarët mund t’i kushtojë me përfundim shumë të shpejtë të mandatit politik, madje edhe para 100-ditëshit të parë të qeverisjes ‘Haradinaj'”, tha analisti Florim Zeqa për “Kosova Sot”.

KUFIRIN NË ÇAKORR E VOTOJNË SHUMICA

Sipas analistit Gani Qarri,mospajtimi për kufij i shteteve të dala nga ish-Federata jugosllave pothuajse ekziston tek çdo ish-njësi e saj dhe rasti i kontestit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi nuk është i pari dhe as i vetmi,sepse probleme kufitare kanë edhe Kroacia me Slloveninë,Mali i Zi me Kroacinë,Serbia me Kroacinë,Kroacia me Bosnjën etj.Sidoqoftë,ai thotë se vendimi i Ramush Haradinajt për shkarkimin e Murat Mehës dhe komplet ish-komisionit shtetëror të Demarkacionit me Malin e Zi,si dhe propozimi i qeverisë aktuale që komisionin e ri për Demarkacion,ta formojë dhe ta udhëheqë eksperti më i mirë në vend për gjeografi,Shpejtim Bulliqi,është vendim shumë i drejtë.

“E për t’i shkuar punës deri në fund duhen ndërmarrë edhe hapa të tjerë shtesë,sepse versioni i kaluar i Demarkacionit jo vetëm se është proces i një komisioni plotësisht të dështuar,që duhet të rishikohet në tërësi,por edhe ish-kryetari dhe grupi rreth tij duhet sa më parë të thirren para përgjegjësisë penale,për t’u qartësuar çdo gjë dhe gjithçka rreth veprimeve të tyre edhe juridikisht”,potencoi ai.Rishikimi i Demarkacionit bëhet dhe duhet të bëhet edhe për heqjen e të gjitha dyshimeve dhe vendosjen e kufijve me argumente e drejtësi,ndërmjet Kosovës e Malit të Zi.Ndaj nuk ka pse të ketë kurrfarë përplasje të brendshme,as të shprehen mospajtime ndërkombëtare,qoftë edhe nga Ambasada e SHBA-së,në mënyrë që të mënjanohen problemet edhe në të ardhmen,kur kemi parasysh kontestet që vazhdojnë edhe sot ndërmjet Kroacisë dhe Sllovenisë,të cilat përkundër vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Arbitrazhit nuk po arrijnë të pajtohen për vijën kufitare,që do të përcaktonte ndarjen e një sipërfaqe aq të vogël të ujërave detare ndërmjet këtyre dy vendeve”, tha Gani Qarri.Ndërsa,sa i takon temës së Asociacionit,Qarri thotë se kjo as që duhet të hapet pa u bërë Ushtria e Shtetit të Kosovës.

(Kosova Sot)

Koncert humanitar për Manolja Kabashin në Prizren

0

Sot në Prizren mbahet koncertin humanitar për Manolja Kabashin, vajzën 22 vjeçare nga Prizreni, e cila aktualisht është duke u trajtuar për leukemi në një spital në Stamboll të Turqisë.

Koncerti fillon nga ora 20:00 dhe mbahet në Kinemanë Lumbardhi në Prizren.

Haskuka i bindur që do të fitojë në Prizren

0

Mytaher Haskuka, kandidati i Vetëvendosjes për kryetar të Prizrenit në zgjedhjet lokale, është shprehur i bindur se ai do të udhëheqë këtë qytet pas zgjedhjeve të 22 tetorit.

Haskuka në Interaktiv të KTV-së ka thënë se kanë qenë dy arsye që e kanë shtyrë të hyjë në garën për Prizrenin.

“Kanë qenë dy arsye. E para ishte gjendja katastrofale në aspektin politik dhe ekonomik të Prizrenit dhe e dyta kërkesa nga qytetarët, simpatizantët dhe anëtarët e VV-së”, ka deklaruar Haskuka.

Haskuka po ashtu ka folur lidhur me propozimin për ndërtim të xhamisë në brendi të kalasë. Ai nuk ka pranuar të përgjigjet nëse është pro apo kundër këtij propozimi.

“Lidhur me xhaminë në Kala duhet të ketë konsultime me qytetarët dhe institucionet përgjegjëse. Atë që e vendosin qytetarët do ta bëjmë”, ka thënë ai.

Kadri Veseli premton zhvendosjen edhe të tri ministrive në Prizren

0

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli thotë se duhet të zhvendosen edhe tri ministri të të tjera të Qeverisë së Kosovës nga Prishtina në Prizren.

Kadri Veseli, gjatë një mbrëmjeje të fushatës elektorale të zgjedhjeve nacionale në Prizren, pati premtuar për zhvendosjen e Minisrisë së Kulturës në Prizren. Një premtim i tillë, tashmë ka filluar të realizohet.

Ministria e Kulturës ka nisë procesin e zhvendosjes së pjesshme në këtë qytet.

Sipas Veselit, ky qytet meriton një trajtim më të mirë.

“Prizreni do të jetë një prioritet nacional”, tha Veseli për RTV Besa, transmeton PrizrenPress.

Ai, premton se ky qytet, do të ketë një prespektivë të vecantë në të ardhmën.

“Prizreni do të mbetet shembulli më i mirë i një zhvillimi kulturor e ekonomik”, tha Veseli/PrizrenPress.com/

Në Prizren gjenden mbetje mortore nga lufta e fundit

0

Mbetjet mortore të dy personave, që dyshohen të jenë vrarë në luftën e fundit, janë gjetur në Prizren.

Lajmin për KTV-në e ka konfirmuar kryetari i Komisionit për persona të pagjetur, Prenk Gjetaj.

Eshtrat janë nxjerrë nga lokacioni i varrezave të qytetit të Prizrenit, ku edhe më herët janë hasur eshtra të të zhdukurve nga lufta e fundit.

“Ekipet profesionale kanë nxjerrë dy trupa me veshmbathje dhe tani vazhdojnë procedurat për ekzaminimin e tyre”, ka thënë Gjetaj.

Për herë të fundit, në mars të këtij viti në lokacionin e njëjtë, ishin gjetur gjithashtu trupat e dy personave që konsideroheshin të zhdukur, derisa Gjetaj, ka thënë se tani për tani, nuk do të vazhdohet me gërmime në këtë vend, por në lokacione të tjera të dyshuara për varreza masive.

Zafir Berisha dorëzon ankesë në PZAP

0

Deputeti i Nismës për Kosovën Zafir Berisha, ka dorëzuar ankesë në PZAP lidhur me vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për decertfikimin e tij nga gara për kryetar të Prizrenit në zgjedhjet e 22 tetorit.

Berisha për Indeksonline ka thënë se e ka përgatitur ankesën dhe e ka dorëzuar tashmë në PZAP.

Berisha thotë se ky vendim i KQZ-së ka qenë i ndikuar nga siç i quan ai bandat që kanë kapur pushtetin.

“E kam përgatitë dhe dorëzuar në PZAP ankesën rreth këtij vendimi politik të KQZ-së i cili dyshoj më të drejtë së është i ndikuar nga bandat mafioze që e kanë kapur pushtetin”, ka thënë Berisha.

Mulë Desku, kryesues i sekretariatit të PZAP-së për Indeksonline ka konfirmuar se një kandidat nga Nisma për Kosovën, Dega Prizren ka dorëzuar ankesë në këtë komision.

Ndryshe dje, KQZ ka marr vendim për decertifikimin e Berishës, duke i pamundësuar atij të kandidoj në garën për kryetar të Prizrenit në zgjedhjet lokale që do të mbahen me 22 tetor.

Berisha këtë vendim e ka quajtur politik.

Ndërsa, dje Valdete Daka, kryetarja e KQZ-së është deklaruar se nuk ka asgjë kundër Berishës por vetëm se e ka zbatuar ligjin. /Indeksonline/

Veseli thotë se ka vullnet dhe angazhim për fitoren e PDK-së në Suharekë e Rahovec

0

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga zëvendëskryetari Enver Hoxhaj dhe nënkryetarë të tjerë kanë takuar kandidatët për kryetarë dhe kandidatët për këshilltarë të Kuvendeve Komunale të Suharekës dhe Rahovecit.

Në këto takime mobilizuese me strukturat e PDK-së në Suharekë dhe Rahovec, kryetari i PDK-së Veseli theksoi se platforma qeverisëse e partisë që ai drejton është më e mira për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.

Ai tha se PDK ka më së shumti kapital intelektual për të hartuar e zbatuar projekte që hapin perspektivën dhe zhvillimin e Komunave të Kosovës.

Veseli ftoi kandidatët për këshilltarë të Kuvendeve Komunale që të dalin në çdo shtëpi e lagje dhe të shpalosin vizionin dhe platformën qeverisëse të PDK-së.

“I kënaqur me mobilizimin dhe gatishmërinë e kandidatëve për Kryetarë Komunash dhe kandidatëve për Kuvendet Komunale në Suharekë dhe Rahovec. Platforma qeverisëse e PDK-së për zhvillimin e komunave është më e mira dhe garanton perspektivë për qytetarët”, ka shkruar Veseli në faqen e tij në Facebook pas vizitës në degët e PDK-së në Suharekë dhe Rahovec. /Telegrafi/

Alternativa prezanton kandidatin për kryetar të Prizrenit

0

Alternativa në Prizren ka prezantuar kandidatin Veton Qipa për kryetar të Komunës së Prizrenit.

I nominuari për kryetari të Komunës së Prizrenit, Veton Qipa ka thënë se kandidatët e Alternativës do t’i japin një frymë ndryshe udhëheqjes komunale të Prizrenit.

Qipa po ashtu tha se lista e tyre përfshinë të gjitha etnitë dhe është listë e shkurtër sepse duan të kenë kandidatë të mirë që i japin diçka qytetit me punën e tyre.

Alternativa ka prezantuar edhe kandidatët për asamblistë për Kuvendin Komunal të Prizrenit.

Veseli: Flamuri i fitoreve të PDK-së nis me Prizrenin

0

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga kandidati për Kryetar të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka takuar strukturat e degës dhe kandidatët për këshilltarë të Kuvendit Komunal me të cilët ka diskutuar për përgatitjet për zgjedhjet e 22 tetorit.

Kreu i PDK-së tha se qytetarët e Komunës së Prizrenit e dinë tashmë se adresa më e natyrshme dhe më e aftë për të zhvilluar Prizrenin është Partia Demokratike e Kosovës.

“Ne zotohemi se i gjithë kapaciteti ynë njerëzor e intelektual do të përqendrohet për zhvillim edhe më hovshëm ekonomik në Prizren. Qytetarët e Komunës së Prizrenit e dinë se nuk kanë adresë politike më besnike dhe më sigurt sesa Partia Demokratike e Kosovës”, ka thënë Veseli.

Kreu i PDK-së i ftoi kandidatët për këshilltarë komunalë që të shpalosin para qytetarëve të Prizrenit platformën qeverisëse të PDK-së, e cila ai tha se është e bazuar në nevojat dhe kërkesat e qytetarëve.

Përfaqësuesit e degës së PDK-së në Prizren e kanë falënderuar Kryetarin Veseli për mbajtjen e premtimit për sjelljen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në qytetin historik të Prizrenit.