16.9 C
Prizren
E premte, 18 Korrik, 2025
Home Blog Page 5362

DokuFesti, shkollë për një gjeneratë të re kineastësh vendorë

0

Dy vjet më parë regjisorit të famshëm britanik Daniel Mulloy, derisa po përgatiste videon për edicionin e 14-të të “DokuFestit”, do t’i lindte ideja për një film të shkurtër. Atë vit, Festivali ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe të shkurtër temë kishte migrimin.

Duke marrë për bazë historinë e Kosovës dhe përjetimet e popullit të këtij vendi me luftën e fundit, po ashtu edhe me valën e refugjatëve në botë, realizoi një film të shkurtër që prek pikërisht këtë çështje. Ky film u shfaq nëpër festivale të ndryshme dhe Kosovës ia solli çmimin e parë prestigjioz “BAFTA”, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Home” është realizim mes Kosovës dhe Britanisë së Madhe. E “DokuFest” është një prej mbështetësve të këtij projekti filmik, në të cilin u përfshi në realizim një ekip i madh vendor. Me këtë u dëshmuan kapaciteti dhe talenti i të rinjve kosovarë në realizimin e projekteve të tilla madhore. Po ashtu, edhe një herë u dëshmuan fuqia dhe rëndësia e një festivali siç është “DokuFesti”, që tashmë është shndërruar në shkollë për kineastë vendorë e ata të rinj që ia mësynë të merren me artin e shtatë.

Megjithatë “Home” është vetëm një prej filmave që ky festival ka mbështetur deri më tani. Kontributi i “DokuFestit” në kinematografinë kosovare kap edhe një dimension tjetër. Përveçqë sjell filma nga e gjithë bota, e kineastë me nam, prodhon filma përmes projekteve që ka dhe i mëson të rinjtë se si të kenë qasje më bashkëkohore në këtë fushë.

Mulloy në një ligjëratë që e mbajti të dielën në “KinoKlub”, në kuadër të programit të masterklasave të “DokuFestit” tregoi se si ky festival dhe tema që kishte trajtuar e kishin inspiruar për të realizuar “Home”.

Prizren: 7 vjet burgim efektiv për transport të narkotikëve

0

Erhan Rexhepi dhe Gjelbrim Arifaj, janë dënuar nga Gjykata Themelore në Prizren me shtatë vjet burgim efektiv dhe 4 mijë euro gjobë për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të narkotikëve.

Erhan Rexhepi, i cili një ditë më parë pati pranuar fajësinë, është dënuar me tre vjet burgim efektiv dhe 2 mijë euro gjobë, ndërsa i akuzuari tjetër, Gjelbrim Arifaj, pasi që nuk ka pranuar fajësinë, është dënuar me katër vjet burgim efektiv dhe 2 mijë euro gjobë.

Shpalljen e aktgjykimit e ka bërë kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, i cili ka thënë Erhan Rexhepi dhe Gjelbrim Arifaj janë fajtor sepse secili veç e veç ka kryer veprën penale “posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” nga neni 273, paragrafi 2 të Kodit Penal të Kosovës.

Po ashtu është konfiskuar sasia e narkotikut prej rreth 30 kg dhe disa telefona mobil të të akuzuarve si mjete me të cilat është kryer vepra penale në fjalë.

Trupi gjykues, gjithashtu ka vendosur që të akuzuarit të qëndrojnë në liri deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren i akuzonte Erhan Rexhepin dhe Gjelbrim Arifajn se në bashkëpunim me një person nga Vlora, me emrin Selim, kanë transportuar substancë narkotike nga Shqipëria për në Kosovë. Sipas aktakuzës i akuzuari Gjelbrim Fanaj e ka sjellë substancën narkotike në sasi prej 30 kg deri në fshatin Zhur, ndërsa i akuzuari tjetër Erhan Rexhepi e ka marrë nga fshati Zhur dhe është nisur për në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.

Mirëpo, i akuzuari Rexhepi gjatë rrugës për në Prishtinë është ndaluar nga policia e trafikut dhe në bagazh i është gjetur narkotiku i llojit marihuanë, në sasi prej 30 kg./etimiperdrejtesi/

Iso-polifonia në dialog me jazz jehon në Kalanë e Prizrenit

0

Ekranet e kinemave të mbyllura u ndezën gjatë ditës së diel për të shfaqur filmat në programet speciale të këtij edicioni të “DokuFestit”. Ligjërata, punëtori e masterklase përcollën pjesën tjetër të ditës së tretë të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër.

Kinematë e hapura, si zakonisht, u rindezën gjatë mbrëmjes. E diela u përmbyll me koncertin e “Andrras” në parkun e Marashit, ku edhe zë vend “DokuNights”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Por një ditë më parë, në Kalanë e Prizrenit u mbajt koncerti i cili erdhi në bashkëpunim mes kompozitorit e jazz-muzikantit të njohur shqiptar Robert Bisha, i cili jeton në Itali dhe Korit iso-polifonik. Koncerti, i organizuar bashkë me organizatën “Trashëgimia Kulturore pa Kufij”, qe inaugurim i Kalasë së rinovuar.

Kori solli këngë të vjetra shqipe, ndërsa Bisha i përcolli ato në piano e kitarë. Hapësira në mes të Kalasë, aty ku zë vend edhe ekrani i madh për shfaqjen e filmave, të shtunën mblodhi rreth 400 veta në këtë koncert. Gërshetimi i tradicionales me bashkëkohoren erdhi si asnjëherë më parë në programin e “DokuFestit”. Ndonëse pikat e para të koncertit i shoqëroi perëndimi i diellit, ky bashkëpunim ishte si një dëshmi për rilindjen e muzikës ndërshekullore që shpërfaq fuqinë emocionale të zërit njerëzor.

Bisha si një jazz pianist i talentuar, me improvizimet e veta arriti që të përcjellë korin për mrekulli. Këngët si “Janinës ç’i panë sytë”, “Delja rude”, ishin vetëm dy prej këngëve të njohura për publikun kosovar. Bisha me piano interpretoi një pjesë të “Bareshës” së Rexho Mulliqit, ndërsa kori këndoi edhe në italisht. Ndërsa krejt në fund publiku iu bashkuan në një improvizim të rastit.

“Sonte po dëgjoni muzikë tradicionale e bashkëkohore të gërshetuar me erën”, ka thënë Bisha gjatë performancës. Edhe pse era që frynte krijonte pak telashe në zërim, kjo aspak nuk ia prishi hijeshinë koncertit. E Bisha u nda shumë i kënaqur.

“U ndjeva shumë mirë, publiku kishte një muzikalitet interesant, sepse të gjitha frazave të mia iu përgjigjën. Kisha ndjesi të shumta dhe flladi i verës u bë pjesë e koncertit dhe e përdorëm, ose më mirë të them e ftuam, e mirëpritëm. Është një emocion i fortë dhe për mua është nder të jem pjesë e këtij festivali. Të vij në Kosovë për mua është diçka e veçantë, sepse më duket se edhe origjina ime është e kësaj ane, nuk e kam vërtetuar, por kështu thoshin nga dajët”, ka thënë Bisha, i cili luajti edhe një melodi të kompozuar nga ai, derisa kori këndoi disa prej vargjeve që ai i pëlqen më së shumti. Bëhet fjalë për disa vargje të Gjergj Fishtës.

“Fjalët e Gjergj Fishtës i kam zgjedhur, sepse janë një deklaratë e dashurisë në përgjithësi, e cila nuk ka një drejtim për një person: ‘Në ty mendoj’, pra ky dimensioni i tekstit është një dimension që e kam kompozuar për kor”, ka thënë Bisha, i cili ka 17 vjet që jeton në Itali.

Nuk e pranojnë fajësinë sulmuesit e konsullatës turke në Prizren

0

I., E., B., dhe E. S. dhe B. B., të cilët akuzohen se duke hedhur koktej molotovi në konsullatën turke në Prizren, kanë shkaktuar rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare dhe rrezikim të përgjithshëm, nuk e kanë pranuar fajësinë.

Sipas kërkesës së mbrojtjes, aktakuza është quajtur e lexuar, ndërsa më pas të akuzuarit kanë dalë jashtë sallës për t’u konsultuar me mbrojtësit e tyre dhe pasi janë kthyer në sallë kanë deklaruar se nuk e pranojnë fajësinë për veprat penale për të cilat akuzohen.

Prokurorja Ervehe Gashi, në fjalën e saj hyrëse, ka thënë se gjendja faktike nga aktakuza do  të vërtetohet në tërësi gjatë seancave të shqyrtimit gjyqësor në këtë rast penal, ku ndër të tjera do të shikohen DVD-të nga vendi i ngjarjes.  Ajo ka thënë se aktakuza do të vërtetohet duke u bazuar në incizimet e kamerave të sigurisë së konsullatës turke, të kompanisë “Al Petrol” dhe firmës “XL Studio” në të cilat vërehen të akuzuarit duke blerë benzinën dhe duke planifikuar sulmin ndaj konsullatës turke.

Mbrojtësit e të akuzuarve, në fjalët hyrëse kanë argumentuar se aktakuza nuk mund të qëndrojë sa i përket veprës penale të rrezikimit të personave nën mbrojtjen ndërkombëtare, pasi që objekti i konsullatës është sulmuar në ora 04:20 dhe nuk ka pasur njerëz brenda. Sipas tyre, në këtë rast, të akuzuarit mund të ngarkohen vetëm me shkaktim të rrezikut të përgjithshëm e për të cilën veprën kanë qenë të gatshëm të hyjnë në negociata për pranimin e fajësisë.

Mbrojtësi i të akuzuarit, I. S., avokati Rexhep Kabashi, ka thënë se i mbrojturi i tij nuk ka ditur se ai objekt është konsullatë dhe se atë natë ka qenë në gjendje të dehur dhe nuk ka menduar për pasojat e veprimeve të tij. Për më tepër, ai ka thënë se i akuzuari Saramati, nuk ka urrejtje ndaj komunitetit turk sepse edhe gruan e ka turke e që dëshmon se ai më së shumti mund të akuzohet për dëmtim të pasurisë ose zjarrvënie.

Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit B. B., avokati Hajrip Krasniqi ka thënë se gjatë shqyrtimit gjyqësor do të vërtetohet se të akuzuarit nuk e kanë ditur se objekti është konsullatë turke sepse e kanë sulmuar objektin nga pjesa që nuk përmban simbole shtetërore.

Më pas, përmes pajisjeve teknike janë shikuar DVD-të e natës kritike, ku shiheshin tre persona të veshur me xhaketa dhe kapela në kokë, duke ndezur gjerat që kishin në duar dhe i kanë hedhur në objekt të konsullatës turke.

Pasi që në këtë seancë mungonte dëshmitari i propozuar nga prokuroria, Sefer Krasniqi, trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Artan Sejrani, ka shtyrë shqyrtimin për 18 gusht 2017, në ora 10:30.

Në këtë seancë ishte i pranishëm edhe zëvendëskonsulli turk i konsullatës në fjalë, Ismail Censen, së bashku me përfaqësuesin e tyre, avokatin Skender Morina.

Më 22 shkurt 2017, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj Ilirijan, Egzon, Bledjan, Edon, të gjithë Saramati dhe B. B., me të cilën i akuzon se kanë kryer veprën penale të rrezikimit të personave nën mbrojtje ndërkombëtare dhe shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm.

Sipas aktakuzë në fjalë, të akuzuarit, më 28 nëntor 2016, në orët  hershme të mëngjesit, me automjet “Pik Up”, pasi marrin benzinë në një nga pompat e benzinës,  i janë afruar konsullatës turke në Prizren dhe të njëjtën e kanë sulmuar me “koktej molotovi”.

Aktakuza përshkruan se si i akuzuari E. S. ka qëndruar afër automjetit të parkuar në afërsi të konsullatës, Bledjani dhe Egzoni kanë vëzhguar terrenin përreth  konsullatës, ndërsa I. S. dhe B. B., kanë hedhur nga një koktej molotovi ne drejtim të konsullatës.

Sipas organit të akuzës, të akuzuarit me këto veprime kanë rrezikuar seriozisht lirinë e konsullit dhe personave tjerë në atë konsullatë.

Të akuzuarit nëse shpallen fajtor për veprat penale me të cilat ngarkohen, rrezikojnë burgim prej 6 muaj deri në 10 vjet./betimiperdrejtesi/

Kapen me drogë katër persona në Prizren, një në Suharekë

0

Katër persona të gjinisë mashkullore janë arrestuar në Prizren e një në Suharekë, pasi gjatë kontrollit tek ata janë gjetur dhe konfiskuar substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.

Policia njofton se me vendim të prokurorit të dyshuarit janë liruar, kurse rasti vazhdon në procedurë të rregullt, shkruan PrizrenPress.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Prizren 06.08.2017 -01:30. Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar, pasi gjatë kontrollit tek i njëjti janë gjetur në posedim dhe konfiskuar 3.77 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Prizren 06.08.2017 -02:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar, pasi gjatë kontrollit tek i njëjti janë gjetur në posedim dhe konfiskuar 1.08 gr substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Prizren 06.08.2017 -03:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar, pasi që gjatë kontrollit tek i njëjti janë gjetur në posedim dhe konfiskuar 3.77 gr substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë dhe 0.24 gram substancë narkotike e llojit ekstazi. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Prizren 06.08.2017 -02:50. Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar pasi gjatë kontrollit tek i njëjti janë gjetur në posedim dhe konfiskuar 3.72 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Rr. “Brigada 123”, Suharekë 06.08.2017 -01:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar, pasi gjatë kontrollit tek i njëjti janë gjetur në posedim dhe konfiskuar 2 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është liruar, rasti vazhdon në procedurë të rregullt. /PrizrenPress.com/

Aksident në Landovicë të Prizrenit, ka të lënduar

0

Dje në fshatin Landovicë të Prizrenit një veturë dhe një autobus janë përfshirë në aksident trafiku në mes veti.

Në raportin e Policisë thuhet se aksidenti ka ardhur si pasojë e vozitjes së pakujdesshme të drejtuesit të veturës, shkruan PrizrenPress.

Si pasojë e aksidentit lëndime trupore ka pësuar drejtuesi i veturës dhe një femër pasagjere në autobus, te cilët janë dërguar në tretman mjekësor. /PrizrenPress.com/

Shqiptarët janë një nga popujt përparimtar të botës së qytetëruar

0

Shkruan: Avdi Ibrahimi

E quaj të nevojshme, ta them mendimin tim, kur cenohet identiteti ynë kombëtar, por edhe kur cenohet e vërteta jonë historike nga qarqe antishqiptare që janë vë në shërbim të të huajit të cilët lëshojnë lloj-lloj gënjeshtrash ndaj heronjëve dhe heroinave tona kombëtare, ndaj kulurës dhe traditës sonë shqiptare.

Gjërat më të çmuara për mua janë e Vërteta mbi historin e popullit shqiptar, e Drejta e çdo populli të jetë sovran në vendin e tij, dhe e Bukura e jetës, e traditës, e arsimimit, e kultures së tij, ideale këto të çmuara, që i japin kuptim jetës së njeriut që ka dinjitetin e tij personal dhe atij kolektiv në shoqëri, për ideale të tilla do të jemë gjithnji mbrojtës i tyre duke u bazuar në argumente, duke e thënë gjithnji të vërtetën, pa marrë parasysh nëse të korruptuarve atyre që janë pasuruar në kurriz të popullit, e sherbëtoreve të të huajve që për interest e tyre personale dëmtojnë interest tona kombëtare, nuk do t’u pëlqejë humbja e betejave të tyre me Drejtësinë në të ardhmën e afërt. Personalisht nuk kam asgjë kundër të pasurve që kanë krijuar pasuri me punën e tyre të ndershme, por shqiptarët e pasur është mire të ndihmojnë atdhetarët e vërtetë, për zhvillimin arsimor, kulturor e ekonomik të popullit shqiptarë.

Gjithashtu mendimi dhe ndjenja ime është që të kemi një masë të përbashkët mbarëshqiptare në të shpreurit e fjalës dhe shkrimit publik, pra të shprehemi gojarisht e të shkruajmë me kujdes, sejcili nga ne të japim mendimin, por pa e fyer, pa e ofenduar, e të mos shpifim ndaj njeri-tjetrit, pra ta themi e ta shkruajmë fjalën e lire, që në radhë të pare të spikasë urtësia, të spikasë mençuria, të spikasë modestia pa teprime me retorika e fjalë boshe, të spikasë prirja metodike për zhvillimin e mendimit kolektiv për komb e atdhe, të përqojmë mesazhe të rrjedhshme natyrale të mendimit logjik e arguments. Kjo nuk nënkupton që me armiqtë e mbrendshëm e të jashtëm të rrimë urtë e butë, përkundrazi ata t’i luftojmë pa asnjë kompromis me të gjitha mjetët që posedojmë për t’u treguar atyre vendin ku e kanë, atje në koshin e plehërave.

Ndaj të gjithë shqiptarët kudo ndodhemi të kontribojmë në të mirën e përbashkët mbarëshqiptarë aq sa mundemi t’i japim dritë Atmëmëdheut, nëpërmjet arsimimit, nëpërmjet kuklturës, nëpërmjet dashurisë së përflakshme që kemi për të, që sa më shumë të na ndrisë përparimi e zhvillimi ynë përbashkues mbarëshqiptarë, mu ashtu sikurse popujve tjerë përparimtar të botës. Edhe ashtu ne shqiptarët jemi një nga popujt më të lashtë, dhe njëri nga popujt përparimtarë të botës së qytetëruar!

Rrahje në Mushtisht të Suharekës, përdoren edhe sëpata

0

Dy persona të gjinisë mashkullore janë arrestuar në Mushtisht të Suharekës, pasi të njëjtit pas një zënke verbale ishin përleshur fizikisht në mes veti, shkruan PrizrenPress.

Në raportin e Policisë thuhet se njëri nga të dyshuarit gjatë përleshjes kishte përdorur një mjet të fortë (sëpatë) me të cilën e kishte goditur në shpinë të dyshuarin tjetër.

Njëri nga të dyshuarit është dërguar në tretman mjekësor, kurse i dyshuari i dytë me urdhër të prokurorit dërgohet në mbajtje./PrizrenPress.com/

Delawie sot viziton DokuFest-in

0

Ambasadori amerikan Greg Delawie, sot do të jetë pjesë e e edicionit të 16-të të festivalit të filmit DokuFest, i cili po mbahet në Prizren.

Gjatë vizitës së tij në Prizren për të qenë pjesë e mbrëmjes amerikane në DokuFest, ambasadori amerikan Delawie do të marrë pjesë në një sërë aktivitetesh, i cili njëkohësisht do të vizitojë shtandet turistike dhe do të jetë në një koktej kushtuar kësaj mbrëmje amerikane.

Këtë vit, fokus i festivalit është e ardhmja për të cilën organizatorët shpresojnë të jetë më e mirë dhe të rrisin optimizmin për të ardhmen përmes këtij programi.

Lëkurëpunuesit e Prizrenit, të njohur në gjithë botën

0

Përpunimi i lëkurës për shekuj të tërë ishte njëra ndër zejet shumë të rëndësishme për të mbijetuar vetë shoqëria, kurse Prizreni ishte një qendër shumë e rëndësishme për shkak të zhvillimeve historike. Vendosja e sundimit osman u bë pas luftërave pushtuese, që kishin sjellë pakësimin e numrit të qyteteve. Me të vendosur sundimin e tyre, osmanët e ndryshuan fizionominë e organizimit të jetës qytetare.

Qytetet kryesore shqiptare ata i bënë qendra të ushtrisë e të administratës dhe i shndërruan në vatra të përhapjes së fesë dhe të kulturës islamike. Vlora, Elbasani, Shkodra, Prizreni, Vushtrria, Peja, Shkupi, Manastiri, Ohri, Janina e Delvina, pavarësisht nga madhësia që kishin, u caktuan si qendra sanxhakësh.

Rritja e numrit të banorëve

Pushimi i veprimeve luftarake, krijimi i qendrave ushtarake e administrative, që u shoqëruan me rritjen e kërkesës për mallra dhe me nevojën e shtimit të prodhimit, bëri të mundshme që nëpër qytete të tërhiqej një numër më i madh krahësh pune nga radhët e fshatarë- sisë, veçanërisht prej atyre që iknin nga timaret për t’i shpëtuar gjendjes së rëndë nën spahinjtë. Në fund të shek. XVI numri i banorëve të qyteteve ishte rritur. Kështu, Prizreni arriti në 557 shtëpi, Prishtina 506 shtëpi.

“Zejtaritë që morën hov të shpejtë ishin ato që lidheshin më tepër me përpunimin e produkteve bujqësore-blegtorale, siç ishin regjja e lëkurave dhe përpunimi i leshit. Derisa në shek. XVII kishte 55 lloje zejesh, në shek. XVIII këto arritën ne 80. Disa prej tyre ishin fespunues, lëkurëregjës, punues papuçesh, mëndafshpunues, përpunues lëkurësh”, thotë për “Kosova Sot”, Dr. Mejdi Elezi, duke shtuar se më të zhvilluara ishin degët e përpunimit të lëkurës, kjo zeje zinte vendin e parë. Dega e zejeve të përpunimit të lëkurës, sidomos të regjjes dhe të ngjyrosjes, përveç kërkesave të shumta të tregut të brendshëm dhe të ushtrisë, plotësonte edhe kërkesat e tregut të jashtëm.

Tabakët e Prizrenit dalloheshin për mjeshtërinë e regjjes, të përpunimit dhe sidomos të ngjyrosjes së lëkurës. Zejtarët shqiptarë punonin lëkurë të çdo lloji, me ngjyra të kuqe, të verdha, punonin meshinin e hollë të bardhë, saftjanin e butë, kajserin. Prodhimi i lëkurëve “kordovane” tërhiqte një numër tregtarësh të huaj. Lëkurëpunuesit punonin artikuj të ndryshëm, si shala, rripa, pajisje të ndryshme për popullsinë dhe ushtrinë. “Gëzoftarët punonin qyrke të bukura me lëkurë kafshësh të buta e të egra. Kështu Prizreni tanimë kishte ngritur lagjen e “Tabakhanës”, lagje e cila për shkaqe të zhvillimeve të ndryshme në vitin 2014 as që ekziston më si lagje. Tanimë në Prizren ka mbetur vetëm emri i kësaj lagje”, thotë mr. Samir Hoxha.

Epoka e lavdisë

“Përpunimi i lëkurës si për veshje dhe mbathje ishte trashëgimi e pasur e Prizrenit”, shton Hoxha dhe thotë se përpunimin e lëkurës e bënin edhe këpucëtarët e vjetër që për nevoja të dikurshme prodhonin opinga, qystele,këpucë për fëmijë dhe mbathje të kohës. Këpucëtarët e mëvonshëm vinin kryesisht nga familjet që dikur ishin familje saraçësh. I pari i saraçëve në Prizren thuhet se ka ardhur nga Budapesti, ku ai ishte një usta që në mbretërinë e hershme kishte mësuar të bëjë regjjen e lëkurës më pastaj ta transferojë atë në punim çizmesh ushtarake. Derisa ishte ndalur në Prizren, ngase regjjen e lëkurës e bënin që në kohët e lashta.

Për këtë fakt, edhe sot e kësaj dite lagjja ku ata punonin quhej “Tabakhane”. Nga mesi i shekullit XVIII, krijuesi më i njohur i Prizrenit ka qenë usta Riza Begu,deri në vitin 1818 thuhet se familja Bojniku këtë zeje e ka ushtruar në Bojnik të Leskovcit, pastaj e trashëguan bijtë Zejnullahu e Emërllahu, kurse po atë vit ka ardhur familja Hashimi nga Lebani i Leskovcit për ta përcjellë këtë traditë të usta Riza Begut. Zejen thuhet se e kanë mësuar shumë ustallarë të tjerë, siç ishin Abdulla Osmani,Qamil Shaqiri,Hamdi Bytyqi, pastaj vijnë djemtë e Muhamedit,Selim Dorambari,Isa Ahmeti,Zeqo Baruti,Raif Ajgeri,Ali Gashi,deri tek familja e Halit Spahiut,Ismajl Qemjalit, Rifat Memishit, duke ardhur tek familja e Ajrullah Tabakut,Hazër Alltiparmakut,Sefedin Laçit pastaj Ramiz Potori e kështu me radhë.

“Tani, në Prizren pothuajse nuk ka më lëkurëpunues, sepse tashmë kanë mbetur vetëm edhe dy- tre familjarë që në shtëpi e përpunojnë lëkurën në mënyrë klasike për tupanë e lodra, por ata tashmë nuk janë të shumtë”, thotë Arsim Berisha, historian, duke shtuar se lëkurëpunuesit e Prizrenit tanimë kanë shënuar pjesën e lavdishme të epokës së tyre dhe në arkiva të Dubrovnikut, Vjenës, Stambollit, gjenden emra të familjeve të Prizrenit që ishin të njohura në kohën e tyre.

(Kosova Sot)