15.4 C
Prizren
E hënë, 23 Qershor, 2025
Home Blog Page 5613

Vdes trevjeçarja në Prizren

0

Vetura që vetë lëvizi nga pakujdesia e shoferit në Prizren, mbyti fëmijën trevjeçar.

Dje, rreth orës 16:30, në orët e pasdites, një shofer e kishte ndaluar automjetin në rrugën “Jul Variboba” në Prizren, njofton Policia e Kosovës.

Ai kishte dalë pa u siguruar se automjeti nuk do të vetë lëvizë përderisa shoferi i pakujdesshëm po bisedonte me një qytetar vetura ka lëvizur prapa dhe e ka goditur një fëmijë tre vjeç. Lëndime të lehta ka pësuar edhe një qytetar e më pas vetura është përplasur me një veturë tjetër që ishte e parkuar.

Fëmija e lënduar është dërguar në spitalin rajonal mirëpo nuk i ka përballuar plagët.

Shoferi i pakujdesshëm është arrestuar.

Filmi i Dren Zherkës, pjesëmarrës në festivalin ÉCU në Paris

0

Një gjë të tillë e ka bërë publike vetë skenaristi dhe regjisori Zherka, i cili poashtu ka treguar edhe datat kur do të mbahet festivali.

Filmi “Eho” me skenar dhe regji nga Dren Zherka dhe me producent Alban Zogjani, i cili premierën botërore e pati në Montreal World Film Festival të Kanadasë, tashmë do të shfaqet edhe në festivalin ÉCU-The European Independent Film Festival 2017, shkruan KultPlus.

Një gjë të tillë e ka bërë publike vetë skenaristi dhe regjisori Zherka, i cili poashtu ka treguar edhe datat kur do të mbahet festivali.

“EHO do shfaqet në Paris në festivalin ÉCU që mbahet gjatë datave 21-23 Prill. Shpresoj të shoh ndonjërin nga ju në Paris, dhe shpërndajeni nëse dini ndonjë të interesuar”, tha shkruar Dren Zherka.

‘Eho’ është filmi debutues i Dren Zherkës ku në rolet kryesore janë Selman Jusufi dhe Klara Höfels ndërsa ekipa realizuese është kosovare dhe gjermane.

Filmi flet për humbjen, vetminë, dhe për një lidhje të pashprehur që i bashkon dy prindërit në moshë, larg nga njëri-tjetri, përmes një aksidenti fatal. Një grua në Gjermani fillon udhëtimin dhe eksplorimin e jetës së emigrantit ilegal, dhe në vend të kësaj gjen dhimbjen dhe vetminë e saj; një njeri të moshuar në Kosovë që humbja dhe vetmia e kanë sjell në fund të udhëtimit të tij.

‘Eho’ është realizuar nga kompania filmike ‘ASHA’ dhe ‘MAGUSfilms’ dhe është i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Kuvendi duhet ta rishqyrtojë Ligjin për Gjykatën Speciale

0

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Nait Hasani, ka thënë se Ligji për Gjykatën Speciale duhet të rikthehet në Kuvendin e Kosovës për t’u trajtuar edhe një herë.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Hasani ka theksuar se rasti i fundit ndaj liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, tregon më së miri se me çfarë sfidash do të përballet Kosova nga Gjykata Speciale.

“Kërkoj nga deputetët që tani është koha dhe momenti të tregojmë se Gjykata Speciale është e padrejtë dhe duhet ta rishqyrtojmë ligjin për këtë gjykatë”, ka thënë Hasni. Duke folur rreth mbajtjes së Haradinajt në Francë edhe për një muaj, deputeti Hasani ka thënë se Haradinaj nga fillimi është peng i politikës.

Krasniqi: Do të shkruaj historinë për shqiptarët

0

Boksieri shqiptar Haxhi Robin Krasniqi po përgatiten intensivisht për meçin e rëndësishëm ndaj Arthur Abraham.

Ky meç do të zhvillohet më 22 prill në Gjermani dhe konsiderohet si njëri nga më të rëndësishmit gjatë vitit 2017.

“Po përgatitem intensivisht për këtë meç. Më 22 prill mund të shkruaj historinë për popullin shqiptar. Populli im si në Kosovë dhe në Shqipëri nuk më konsideron vetëm si një sportist, por si një pjesëtar i familjes së tyre”, është shprehur Krasniqi, për albinfo.ch.

Kundërshtari i Krasniqit nga Armeni në 50 meçe në karrierën e tij ka 45 fitore dhe pesë humbje.

Sipas organizatorëve, fituesi i duelit Krasniqi-Abraham do të sfidojë boksierin meksikan, Gilberto Ramirez, mbajtës i gjerdanit WBO në Las Vegas brenda vitit 2017./Insajderi.com

Kosova drejt kutive të votimit

0

Derisa Kuvendi i Kosovës po përgatitet për nxjerrjen në votim të Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, përkundër rrezikut real të dështimit të sigurimit të votave të mjaftueshme, analistët politikë theksojnë se me mosvotimin eventual të Demarkacionit vendi mund të shkojë shpejt në zgjedhje të reja, madje jo më larg se në vjeshtën e këtij viti. Këtë mundësi e ka bërë të qartë hapur edhe ministrja për Dialog, Edita Tahiri, derisa analistët konsiderojnë se tani edhe vetë partitë politike, pozita dhe opozita, janë mobilizuar që më së largu deri në shtator të këtij viti të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Këtë opsion e bën akoma më real edhe vetë hendeku i krijuar që po thellohet ndërmjet partnerëve të koalicionit LDK-PDK.

Prof. Muhamet Kelmendi është shumë i bindur që pikërisht kjo qeveri ia ka bërë gropën vetvetes me marrëveshjen për Demarkacion dhe asaj për Asociacion, prandaj tani është shumë e pritshme që me dështimin e sigurimit të votave për Demarkacionin të prishet Qeveria dhe të dështojë edhe Asociacioni, e që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme së bashku me zgjedhjet lokale.

“Po theksoj se koalicioni PDK-LDK është koalicioni më i panatyrshëm deri më tani në historinë e re të Kosovës, sepse janë bashkuar dy subjekte diametralisht të kundërta. Tani kemi me dhjetëra e dhjetëra fakte që flasin se për pasojë të këtyre dështimeve duhet domosdo të shkohet në zgjedhje të parakohshme”, theksoi ai. Mt: Koalicioni dështoi Sipas Kelmendit, koalicioni qeveritar ka dështuar në shumë fusha, për të mos thënë një dështim total.

“Demarkacioni dhe Asociacioni janë vetëm dy çështjet më domethënëse në kuadër të shumë çështjeve tjera, të cilat e sfidojnë dhe rrezikojnë qëndrueshmërinë e këtij koalicioni. Por, natyrisht se për ta prishur atë në një fushë të caktuar si të veçantë merret shkaku dhe bie Qeveria. Këtë e kanë zgjedhur dy partitë në pushtet, e ky pikërisht duket se është Demarkacioni, si bazë të presionit që po e ushtrojnë mbi deputetët për ta votuar një marrëveshje totalisht antishtetërore, vetëm e vetëm për t’i ruajtur disa interesa tipike individuale të karakterit karrierist dhe të pasurisë që e kanë fituar joligjërisht”, potencoi më tej prof. Kelmendi. Sipas tij, deputetët janë të vetëdijshëm për gjendjen në të cilën është populli. “Ata nuk do të votojnë për Demarkacionin, sepse deputetët nuk mund dhe nuk duhet të shkojnë nga ajo rrugë, që për interesa të të ardhurave materiale për disa muaj më shumë ta dëmtojnë interesin nacional, duke e dëmtuar për 82 km katrorë territorin e shtetit të Kosovës”, tha Muhamet Kelmendi. Ai ka pohuar se Qeveria po bën presion aq të madh për Demarkacion, saqë ata kanë shkuar deri atje që asnjë punë konkrete nuk po e bëjnë edhe në lirimin e Ramush Haradinajt mu për faktin se Demarkacioni është çështje e lidhur ngushtë me këtë personalitet të shquar të Kosovës.

Veseli po nxit krizë Analisti politik Florim Zeqa konsideron se me apo pa vota të mjaftueshme për Demarkacionin zgjedhjet do të ndodhin së shpejti, pasi që vetë atmosfera e mosbesimit dhe e krizës brenda koalicionit po i imponon ato.”Pavarësisht votimit apo dështimit të Demarkacionit, vendi është duke shkuar pashmangshëm drejt zgjedhjeve të parakohshme nacionale. Demarkacioni apo “Zajednica” mund të përdoren vetëm si alibi për përshpejtimin e zgjedhjeve. Në anën tjetër hendeku mes partnerëve të koalicionit të panatyrshëm (PDKLDK) është duke u thelluar nga dita në ditë”, u shpreh ai.

“Kryeparlamentari Veseli, njëherësh lider i PDK-së, javën që lamë pas e paralajmëroi në forumet partiake kandidaturën e tij për kryeministër të ardhshëm të vendit, duke e kritikuar qeverisjen aktuale të vendit, apo thënë ndryshe e paralajmëroi ‘Zanzibarin 2’ për LDK-në”, u shpreh analisti Florim Zeqa. “Kadri Veseli, që njërën këmbë e mban në pushtet dhe tjetrën në opozitë, siç duket i ka motivuar partitë opozitare për mobilizim dhe përgatitje serioze për zgjedhje të parakohshme, të cilat mund të ndodhin shumë shpejt apo së largu në shtatorin e këtij viti”, vijoi më tutje ai. Sipas Zeqës shkuarja e vendit në zgjedhje pa reformë zgjedhore dhe pa një alternativë të re politike nuk pritet të prodhojë gjë tjetër pozitive për qytetarët, përveç ndërrimit të partnerëve të koalicionit qeverisës, vazhdimit të “status-quos” së korrupsionit dhe krimit të organizuar në vend.

Qytetarët globalë, bishtnues nacionalë

0

Shkruan: Dani Rodrik

Tetorin e kaluar, kryeministrja britanike Theresa May tronditi shumëkënd kur degradoi idenë e shtetësisë globale. “Nëse besoni se jeni qytetar i botës, atëherë në fakt nuk jeni qytetar i asnjë vendi”. Deklarata e saj u shoqërua me përqeshje dhe alarm në mediet financiare dhe në mesin e analistëve liberalë. “Forma më e dobishme e shtetësisë këtyre ditëve”, shkruante një analist, “është ajo që i dedikohet jo vetëm mirëqenies së, psh, famullisë së Berkshajrit, por të tërë planetit”. “The Economist” e quajti këtë “kthesë joliberale”. Një shkencëtar e akuzonte kryeministren se shkelte vlerat e iluminizmit dhe tërhiqte vërejtjen për ngjashmëritë me vitin 1933 në fjalimin e kryeministres. E di si duket një “qytetar i botës”: një mostër të tij e shoh çdo ditë, sa herë që shikoj në pasqyrë. Jam rritur në një vend, jetoj në një vend tjetër dhe kam pasaportën e të dy këtyre vendeve. Shkruaj rreth ekonomisë globale dhe puna më çon në vende të largëta. Më shumë kohë kaloj duke udhëtuar në vende të tjera, sesa që kaloj kohë në secilin prej shteteve, pasaportën e të cilave e kam. Pjesa më e madhe e kolegëve të mi në punë po ashtu kanë lindur jashtë shtetit. Më interesojnë lajmet ndërkombëtare, derisa gazetën lokale thuajse nuk e shikoj kurrë. Sa i përket sportit, nuk e kam idenë se si luan ekipi i vendit tim, por jam fans i zjarrtë i një ekipi të futbollit që gjendet në anën tjetër të Atlantikut. Dhe, përkundër kësaj, deklarata e kryeministres May sikur ka një fije logjike. Ajo përmban të vërtetën esenciale, e cila tregon shumë rreth asaj sesi ne, elita botërore financiare, politike dhe teknokrate, e kemi distancuar veten nga bashkatdhetarët dhe e kemi humbur besimin e tyre.

Të gjithë kemi identitete të shumëfishta

Le të fillojmë me vetë domethënien e emrit “qytetar”. Në fjalorin e anglishtes së Oksfordit, qytetari kufizohet si “një subjekt i njohur ligjërisht, apo shtetas i një shteti, apo federate”. Pra, të qenit qytetar, shtetas, nënkupton ekzistimin e një entiteti “shteti, apo federate”. Shtetet e kanë një politikë të tillë, bota nuk e ka. Mbështetësit e shtetësisë globale menjëherë arsyetohen duke thënë se ata nuk e nënkuptojnë domethënien shkronjë-për-shkronjë të fjalës. Ata shprehen në mënyrë figurative. Revolucionet teknologjike në komunikim dhe globalizimi ekonomik i kanë bashkuar shtetasit e shteteve të ndryshme, thonë ata. Bota është bërë më e vogël dhe ne duhet të veprojmë duke pasur parasysh implikimet globale. Dhe, përpos kësaj, ne që të gjithë kemi identitete të shumëfishta, që përputhen midis veti. Shtetësia globale nuk d.m.th. dhe nuk ka nevojë që të grumbullojë përgjegjësitë lokale, apo nacionale. Deri këtu gjithçka mirë, por, çka bëjnë në të vërtetë qytetarët e botës? Shtetësia reale nënkupton ndërveprimin me shtetasit e tjerë, në një bashkësi të përbashkët politike. Ajo nënkupton mbajtjen e vendimmarrësve përgjegjës dhe pjesëmarrjen në politikë, me qëllim të ndikimit te rezultati politik. Gjatë procesit, idetë e mia rreth rezultateve të preferuara dhe mjetet, konfrontohen dhe testohen me ato të shtetasve të tjerë. Qytetarët globalë nuk kanë përgjegjësi dhe të drejta të ngjashme. Askush nuk mban përgjegjësi për ta dhe nuk ka askush të cilit ata duhet t’i japin llogari. Në rastin më të mirë, ata formojnë bashkësi të përbëra nga individët që mendojnë ngjashëm, e që vijnë nga shtete të ndryshme. Homologët e tyre nuk janë qytetarët gjithandej, por ‘qytetarët globalë’ të vetëshpallur në shtete të ndryshme. Natyrisht, qytetarët globalë kanë qasje në sistemet e tyre vendore politike, me qëllim të shtyrjes përpara të ideve të tyre. Por, përfaqë- suesit politikë janë të zgjedhur që të çojnë përpara interesat e njerëzve që i kanë vënë në ato poste. Qeveritë kombëtare duhet të përkujdesen për interesat kombëtare dhe, kjo është e drejtë. Kjo nuk e përjashton mundësinë që ata nuk mund të kenë parasysh pasojat e veprimeve të tyre për të tjerët. Por, çka ndodh kur mirëqenia e banorëve lokalë bie në konflikt me mirëqenien e të huajve, gjë që ndodhë shpesh? A nuk është mospërfillja e bashkatdhetarëve të tyre ajo që të ashtuquajturës elitë kozmopolite ia jep emrin e saj të keq?

Qytetarët globalë duhet të jenë të kujdesshëm për qëllimet e tyre të larta

Qytetarët globalë shqetësohen mos po dëmtohen interesat e qytetarëve të tjerë globalë, kur secila qeveri ndjek interesat e saj të ngushta. Kjo pa dyshim se paraqet shqetësim në lidhje me çështjet, të cilat me të vërtetë ndikojnë te të gjithë njerëzit në botë, si psh ndryshimet klimatike, apo epidemitë. Por, në shumicën e fushave ekonomike – taksat, politikën tregtare, stabilitetin financiar, menaxhimin fiskal dhe monetar, ajo që ka sens nga perspektiva globale, ka sens edhe nga perspektiva vendore. Ekonomistët na mësojnë se vendet duhet t’i mbajnë kufijtë e hapur, duhet të kenë rregulla të qëndrueshme dhe politika të një punësimi të plotë, jo për shkak se kjo është mirë për vendet e tjera, por për shkak se këto masa ndihmojnë në përparimin ekonomik të vendit. Natyrisht, dështimet politike, për shembull proteksionizmi, paraqitet në të gjitha këto fusha. Por, ato pasqyrojnë një qeverisje të keqe vendore, e jo një mungesë të kozmopolitanizmit. Fshehja pas kozmopolitanizmit në situata të tilla paraqet një zëvendësim të keq ndaj fitimit të betejave me forcat e veta. Dhe, një gjë e tillë zhvleftëson domethënien e kozmopolitanizmit kur kemi nevojë për të, sikur që është kur luftojmë ngrohjen globale. Janë të paktë ata që kanë dhënë shpjegime të thukëta rreth identiteteve tona të ndryshme – lokale, nacionale, globale – sa që ka dhënë filozofi Kwame Anthony Appiah. Në këtë epokë të “sfidave planetare dhe ndërlidhjes midis shteteve”, shkruan ai si përgjigje ndaj deklaratës së May-it, “kurrë nuk ka ekzistuar një nevojë më e madhe për një sens të fatit të përbashkët të njerëzimit”. Është e pamundur që të mos pajtohesh me këtë. Por, kozmopolitët që i takojmë më shpesh, janë sikur ai personazhi nga libri i Fyodor Dostoyevsky-t, “Vëllezërit Karamazov”, i cili zbulon se, sa më shumë që e do njerëzimin në përgjithësi, aq më pak i do njerëzit, në veçanti. Qytetarët globalë duhet të jenë të kujdesshëm që qëllimet e tyre të larta, të mos bëhen arsyetim për tkurrjen e përgjegjësive të tyre ndaj bashkatdhetarëve. Ne duhet të jetojmë në botën të cilën e kemi, me të gjitha ndarjet politike, e jo në një botë të cilën do të donim ta kishim. Mënyra më e mirë që t’u shërbejmë interesave globale, është që të respektojmë përgjegjësitë tona brenda institucioneve politike që kanë rëndësi – atyre që ekzistojnë.

(Dani Rodrik është profesor i politikës ndërkombëtare ekonomike në Universitetin e Harvardit)

Mbrojtësi i Bajram Kolgecit të UPZ-së, kërkon hedhjen poshtë të aktakuzës

0

Mbrojtësi i të akuzuarit Bajram Kolgeci, avokati Visar Vehapi, ka thënë se i mbrojturi i tij është akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, duke u bazuar në supozime. Vehapi, gjatë shqyrtimit të dytë të mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Prizren, ka kërkuar hedhjen e aktakuzës në fjalë.

Sipas dispozitivit të aktakuzës, Kolgeci në cilësinë e zyrtarit për prokurim publik në Universitetin e Prizrenit (UPZ), ka shpallur tender publik në kundërshtim me Rregulloren për Prokurim. Tutje, në aktakuzë thuhet se i akuzuari në fjalë, në momentin e shpallje së tenderit për furnizim dhe montim të inventarit në UPZ, nuk ka caktuar sasinë e përafërt të artikujve, të cilën e parasheh rregullorja, duke lënë hapësirë për manipulime.

Avokati Vehapi deklaroi se mundësia për keqpërdorim nuk do të thotë se është bërë keqpërdorimi. Sipas tij, për gabime të mundshme nga personat zyrtarë në institucionet publike, ekzistojnë mekanizmat përmirësues administrativ. Ai tutje ka shtuar se krejt aktakuza është bazuar në një ekspertizë financiare, e sipas të cilës ekspertizë nuk ka pasur të dëmtuar nga tenderi në fjalë.

“Është rasti më i veçantë në karrierën time 12 vjeçare si mbrojtës, por besoj edhe në praktikat e prokurorive dhe gjykatave, që dikush të akuzohet se kinse ka krijuar mundësi për të kryer veprën penale” tha Vehapi. Andaj ka kërkuar që aktakuza si e tillë të hudhet në mungesë të provave.

Prokuroi i rastit, Genc Nixha ka kërkuar që të refuzohet kërkesa e mbrojtjes si e pabazuar dhe të shkohet në shqyrtim kryesor.

Vehapi sërish ka marrë fjalën dhe ka thënë se faza e kundërshtimit të provave dhe hudhjes së aktakuzës, nuk është vetëm fazë e kotë procedurale por është mundësi e dhënë nga ligjvënësi, me të cilin hudhen aktakuzat e pabazuara, si kjo në rastin konkret.

Kryetari i trupit gjykues, Artan Sejrani, ka njoftuar palët se rreth kërkesës së mbrojtjes, do të përgjigjet me shkrim./betimiperdrejtesi/

U nda nga jeta albanologu i njohur austriak Hermann Ölberg

0

U nda nga jeta në moshën 95-vjeçare, albanologu i njohur austriak prof. dr. Hermann Ölberg. Akademia e Shkencave të Shqipërisë shprehu ngushëllimet për këtë humbje. Në traditën e shkollës austro-gjermane të albanologjisë, prof. dr. Hermann Ölberg, i njohur për kërkimet e tij në fushën e gjuhëve indogjermane, ia kushtoi mendjen dhe intelektin e tij në veçanti gjuhës shqipe dhe historisë së saj, studimit dhe mësimdhënies së kësaj gjuhe në Universitetin e Innsbruck-ut, ku gjithashtu drejtoi për një kohë të gjatë degën e albanologjisë. Ai hyri në këtë rrugë menjëherë pasi mbaroi studimet universitare, duke ia kushtuar studimet pasuniversitare dhe specializimin e tij gjuhës dhe kulturës shqiptare.

Prof. dr. Hermann Ölberg ndoqi udhën e hapur prej gjuhëtarësh të mëdhenj austriakë që zgjodhën albanologjinë si fushë studimi, si Norbert Jokli, të cilit në vitin 1972, në 50-vjetorin e viktimizimit nazist, i kushtoi një konferencë shkencore-universitare ndërkombëtare, aktet e së cilës janë sot një urë për të depërtuar në thellësi të kontributeve të këtij personaliteti parësor të studimit të shqipes.

I ndjeri Hermann Ölberg ka botuar shumë artikuj shkencorë për gjuhën shqipe dhe ka marrë pjesë në mjaft konferenca shkencore për gjuhën dhe kulturën shqiptare. Ai ka pritur në aulat e universitetit ku punoi pedagogë e studentë nga universitetet shqiptare. Prof. dr. Hermann Ölberg, që nga viti 2005 mban titullin e nderit ”Doctor honoris causa “ i Universitetit të Tiranës.

Prof. dr. Hermann Ölberg bëri jetën e një njeriu të thjeshtë dhe të ndershëm. Ai qe një studiues, pedagog e mik i nderuar prej gjithkujt që pati fatin ta njohë nga afër ose nëpërmjet prurjeve të tij shkencore.

“Me vdekjen e prof. dr. Hermann Ölberg dijet shqiptare në Austri, gjuha shqipe dhe kultura jonë kombëtare, humbën një studiues të rendit të parë dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë një mik të çmuar.

Akademia e Shkencave ndan ngushëllimet e veta me bashkësinë e studiuesve albanologë në Austri, në Shqipëri e jashtë vendit”, thuhet në deklaratën e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Szczesny mendon rikthimin te Arsenal

0

Wojciech Szczesny ende i pavendosur për të ardhmen e tij.
Portieri polak nuk e di se ku do të luajë sezonin e ardhshëm.

Szczesny është i huazuar te Roma nga Arsenali, por ai nuk përjashton mundësinë që të kthehet sërish në Londër.

Në një intervistë për mediat angleze, reprezentuesi polak ka shfaqur dashurinë që ka për ‘Topçinjtë’.

“Londra mbetet shtëpia ime e dytë, pasi që aty kam kaluar vite shumë të bukura”, ka deklaruar ai.

“Edhe në Romë jam shumë i lumtur, por në fund të stinorit do të ulem dhe të bisedoj me agjentin tim për të ardhmen”, ka theksuar Szczesny.

Aktakuzë ndaj njëzet policëve nga Prizreni

0

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda ka ngritur aktakuzë kundër njëzet 20 zyrtarëve policorë.
“Sh.D., S.V., N.R., A.R., M.B., I.D., I.A., A.E., B.Z., B.Z., Q.B., A.G., A.R., S.N., Sh.G., Sh.Z., A.K., L.G., Sh.Z. dhe N.Z., akuzohen për shkak të dyshimit se kanë kryer veprën penale marrja e ryshfetit në bashkëkryerje nga neni 428 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KP-së.

Sipas aktakuzës, të pandehurit në cilësi të personave zyrtarë duke vepruar në kuadër të autorizimeve zyrtare, në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë kërkuar dhe pranuar dhurata për vete në mënyrë që të mos veprojnë në pajtim me detyrën e tyre zyrtare”, thuhet në njoftim.

Të pandehurit, zyrtarë policorë në Njësinë e kontrollit të autostradave, pjesë e patrullës policore në kontrollimin e trafikut në autostradën “Ibrahim Rugova”, me qëllim nuk kanë shqiptuar tiketa të trafikut ndaj kundërvajtësve edhe pse kanë qenë të obliguar të shqiptojnë tiketa në bazë të ligjit për sigurimin e komunikacionit rrugorë, ndërsa, paratë e marra i kanë ndarë në mënyrë proporcionale.

Me këto veprime të pandehurit kanë kryer veprën penale marrja e ryshfetit në bashkëkryerje nga neni 428 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KP-së./Telegrafi/