29.2 C
Prizren
E martë, 17 Qershor, 2025
Home Blog Page 5762

Po zgjidhen gjyqtarët e Speciales

0

Avis Benes, nga zyra e Maja Kociançiç, zëdhënëses së komisionares për Politikë të Jashtme të Bashkimit Evropian, ka thënë për gazetën “Zëri” se aktivitetet gjyqësore do të nisin tek atëherë kur Parlamenti i Holandës ta miratojë marrëveshjen.

Sipas saj, aktualisht po merren aktivitete logjistike dhe administrative, duke përfshirë këtu rekrutimin e stafit dhe një hap tejet të rëndësishëm, siç thotë ajo, tanimë paraqet zgjedhja e gjyqtarëve të Panelit Ndërkombëtar

Zyrtarë të Bashkimit Evropian (BE) e kanë vlerësuar si hap tejet të rëndësishëm zgjedhjen e gjyqtarëve të Panelit Ndërkombëtar, por, siç thonë ata, aktivitetet gjyqësore nga Specialja do të nisin tek atëherë kur Parlamenti i Holandës ta miratojë marrëveshjen. Megjithatë, deri te funksionalizimi i kësaj Gjykate duhet të përmbushen edhe disa kushte, ku përfshihet plotësimi i pozitave me prokurorë, gjykatës dhe personelin mbështetës, shkruan gazeta ‘Zeri’.

Nga ana tjetër, pas marrëveshjes së Bashkimit Evropian me Kosovën dhe me autoritetet holandeze, Dhomat e Specializuara tashmë janë vendosur në Hagë. /Zeri/

Kam vendosur të largohem përfundimisht

0

Nga BEN BLUSHI

Nuk është çudi që të gjithë ata që votuan për të nxjerrë zgjedhjet jashtë Partisë Socialiste, votuan për të futur mbetjet në Shqipëri. Pak a shumë janë të njëjtit njerëz dhe kushdo që ka pritur që ata të sillen ndryshe ka menduar shumë mirë, për njerëz që prej kohësh bëjnë shumë keq.

Unë nuk kam më shpresë tek ata, qysh se vendosen të eliminojnë konkurrencën brenda Partisë Socialiste dhe ta zgjedhin kryetarin e tyre me referendum si të ishte një mbetje e diskutueshme dhe jo një njeri që duhet të diskutohet, para se të votohet.

Por meqë në Grupin socialist besoj se kam ende disa miq, sepse të tjerët Rilindja i ktheu në kauçuk armiqësor, dua t’u them diçka që ndoshta nuk e dinë sa duhet. E kam të pamundur të ndiej keqardhje për shumë njerëz aty dhe nuk besoj se edhe ata pak miq që më kanë mbetur, kanë nevojë për keqardhjen time, çka mund t’i vinte seriozisht në siklet, duke i lënë pa punë.

Sepse edhe me ndihmën time, disa prej tyre bëjnë prej kohësh një punë të merituar: janë bërë ndarës në burim të mbetjeve të Rilindjes. Unë i nxis ta ushtrojnë pasionin e tyre për mbetjet me qetësi, dashuri dhe përunjësi.

Ata ngrihen çdo ditë në mëngjes dhe ndajnë Delirin me Salirin, Salirin me Ilirin dhe Ilirin me Delirin, pastaj me radhë Fatmirin nga Bamirin, Shpëtimin nga Parimin, Liken nga Rimin, Hasanin nga Kazanin, Shukriun nga Sadriun, Markun nga Carkun, Vrasësin nga Marrësin, Kapësin nga Hapësin, Shalësin nga Shilarësin, Patokun nga Bosi, Koçon nga Patosi, Qimen nga Kosi, Qullin nga Klosi, Klosin nga Gjushi, Taon nga Askushi, Blerimen nga Dushi, Elisën nga Sushi, Doganën nga Kaushi, Ndezjen nga Prushi, Tatimen nga Pushi, Puplën nga Kaposhi, Fidelin nga Varoshi, Lezhën nga Ndoshi, Kavajën nga Roshi, Gramozin nga Qoshi dhe Edin nga Koshi.

Për këtë punë paguhen dhe nuk kanë pse qahen. Nëse kjo është punë, i justifikoj kur herë pas here më ndotin duke më dhënë dorën, sepse një nga detyrat që u ka caktuar Rilindja është që në kohën e lirë të ushtrohen në artin e mosmirënjohjes kolektive, për të cilin Rilindja është një shkollë e çmuar nate.

I thashë këto për të treguar se në kazanin e mbetjeve parlamentare në të vërtetë fshihet kalbja e demokracisë sonë të ndotur. Mjafton t’ju kujtoj se si u sollën në Parlament tri partitë kryesore me rastin e lejimit të importit të mbetjeve. Rilindja votoi pro pasi kishte votuar kundër të njëjtin ligj në vitin 2013.

Partia Demokratike votoi kundër pasi kishte votuar pro të njëjtin ligj në vitin 2011. LSI votoi pro importit pasi kishte votuar kundër importit në vitin 2013 dhe pro importit në vitin 2011.

Nisur nga ky shembull, atë që ne e quajmë parlament, çdo popull i botës do ta quante çmendinë të pakthyeshme. Ose të pariciklueshme për asnjë arsye.

Prandaj pyes:

A ka vend të botës ku këto parti mund të votohen ende?

Ku mund të ndodhë që për të njëjtën çështje të kesh tre qëndrime të ndryshme në tre vjet?

Çfarë partish janë këto, nëse akoma mund të quhen parti?

Mjafton të shohësh qëndrimin e PD për të kuptuar se ku ndryshon morali i ricikluar nga mbetjet e riciklueshme. Morali nuk është mall dhe nuk është send, sado plastik qoftë ai në politikë. Prandaj morali politik nuk mund të riciklohet kaq shpejt pa një proces teknologjik të vetëshpëlarjes së ndërgjegjes.

Partia Demokratike kishte një mundësi për ta rrëzuar importin e plehrave. Sepse për fat të mirë kishte një mundësi, që për fat të keq nuk ndodhi. Duke e konsideruar të pamundur që LSI të grindej me Rilindjen për mbetjet, sërish kishte një mundësi. Nëse PD do merrte pjesë e gjitha në votim, ligji i importit të mbetjeve do ishte rrëzuar.

Ky është ligji që ka marrë më pak vota në Kuvend që nga viti 2001. Mori vetëm 63 vota pro dhe 28 kundër. Nëse Partia Demokratike do kishte mobilizuar të gjitha votat kundër, ai do ishte rrëzuar, por sigurisht PD e tradhtoi ligjin për ta kaluar pa votat e veta, për herë të dytë.

Kjo është një teknikë e vjetër shqiptare: mos shko në votim, në mënyrë që ajo që do, por bën sikur nuk e do, të fitojë me votat e kundërshtarit, sepse edhe ai e do. Ja pse mbetjet e Qeverisë së kaluar që e miratuan këtë ligj në vitin 2011, nuk erdhën fare në votim. Ata donin që ligji të kalonte, siç kaloi.

Por Kazani i mbetjeve parlamentare është më i thellë dhe nuk mbaron këtu. Tani Rilindja dhe PD po sabotojnë edhe referendumin si të vetmen mundësi që ligji i mbetjeve të rrëzohet në popull.

E para, natyrisht do ta kundërshtojë referendumin duke u bërë partia e vetme në botë që zgjedh kryetarin me referendum dhe i mohon popullit të drejtën për të bërë referendum për ligjet. Kushdo që e neverit Rilindjen, siç është rasti im, nuk mund t’i uronte fat më të mirë.

Rilindja duhet të hyjë në histori si të gjithë ulokët ideologjikë përmes një kazani me rrota dhe jo me biçikletën e socializmit të ricikluar siç e quajnë me përkëdheli, të gjithë ata që punojnë natë e ditë për të ndarë në burim, Delirin me Salirin.

Por nëse Rilindja tund kanabisin si lulen e flirtit të saj me të ardhmen, ajo nuk mund të fajësohet plotësisht për dashurinë për mbetjet. Këtë sentiment e ka të huazuar, sepse Rilindja, në përgjithësi, nuk e njeh dashurinë.

Kur vjen puna te mbetjet, ajo ka marrë me qira qëndrimin e Partisë Demokratike, siç merren në një dasmë taksitë me qira. Në dasmën e mbetjeve, dhëndri është i PD, nusja është e Rilindjes, ndërsa paja është e industrisë së riciklimit.

Për ta mbyllur këtë kronikë, duhet të shtoj se dasma u bë në një kazan, kurse taksinë e pajtoi LSI. Por Rilindja nuk është vetëm në mbrojtjen e kauzës së kazanëve. Partia Demokratike po bën gjithçka për ta sabotuar referendumin për mbetjet. Natyrisht duke e mbështetur ajo e rrëzon referendumin.

Sikur të isha një riciklues, do ta paguaja PD që të mbante pikërisht qëndrimin që po mban. E vetmja mënyrë që referendumi të mos bëhet, apo nëse bëhet, të rrezikohet, është pjesëmarrja aktive dhe e frytshme e PD, çka po ndodh.

Nëse Partia Demokratike rreshtohet në këtë kauzë, sigurisht që njerëzit nuk do votojnë vetëm për plehrat, por edhe për partitë, çka në fakt është e njëjta gjë dhe PD e di që mund ta ndihmojë shumicën duke thirrur në kutitë e votimit, pakicën.

Kjo është mënyra më e poshtër për të sabotuar një kauzë dhe natyrisht Partia Demokratike nuk ka nevojë të mendohet për të nxjerrë qeset e përdorura të hileve nga kazani i vet i ndryshkur.

Ky pra është kazani i mbetjeve te tri partive të vjetra parlamentare.

Ato nuk kanë asnjë ndryshim, asnjë ditë, me përjashtim të ditës së zgjedhjeve, kur përpiqen të ndajnë mbetjet në mënyrë klasike: plastika më vete, druri më vete dhe letra më vete, dhe natyrisht të gjitha për vete.

Njëra merr plastikën e fjalës së lëvizshme të burrit, tjetra drurin e hurit të gurit dhe tjetra letrën higjienike që fshin gjurmët e mbështetjes pas murit. Ky është një kazan elektoral që unë e njoh shumë mirë.

Prej tij nuk do dalë kurrë më, asnjë gjë e pastër. Ai mund të riciklohet, por asnjëherë nuk do pastrohet.

Prandaj kam vendosur të dal përfundimisht që aty për të kuptuar atë që shumë njerëz e dinin para meje: në Shqipëri duhen pastruar partitë që të pastrohen kazanët. /Marrë nga Panorama

Skandali me listat e veteranëve, nga 11 mijë – u pesëfishuan

0

Manipulimi me listat e veteranëve të luftës së UÇK-së e ka sjellë buzë kolapsit financiar Kosovën. Këto abuzime të miratuara nga Qeveria, po cilësohen si një nga sjelljet më joserioze të kësaj klase politike në pushtet. Dyshohet se fryrja e listave është bërë përmes rrugëve korruptive dhe për qëllime elektorale, sa më shumë njerëz të futen në lista, aq më shumë vota për pushtetarët.

Megjithatë, kryetari i Komisionit qeveritar për verifikimin e statutit të veteranëve të UÇK-së, Agim Çeku, vazhdon të besojë se në këto lista nuk ka parregullsi aq të mëdha, sikur po raportohet në medie, dhe sikur po thuhet nga një grup i ishpjesëtarëve të UÇK-së, të cilët po vazhdojnë të protestojnë para Qeverisë, për shkak të moskryerjes së obligimeve, me arsyetim për mungesë buxheti, shkruan gazeta Kosova Sot.

Gjeneral Çeku thotë se u beson shumë komandantëve të tij, që e kanë bërë verifikimin e listave finale dhe e kanë dorëzuar në komision.

“Unë mendoj që kjo çështje mund të zgjidhet duke u rishikuar listat e përfituesve materialë, duke i rishikuar dhe hequr nga lista ata që janë duke përfituar pa të drejtë, sepse ne nuk e kemi pritur që të ketë një numër aq të madh të përfituesve, të cilët paraqiten dhe pretendojnë se janë të papunë. Pra, kjo listë e atyre që po përfitojnë pensione, të ardhura sipas ligjit, duhet të rishikohet me kujdes. Këtë e them, për faktin se që në fillim, kur i kemi pranuar të gjitha aplikacionet, vetëm 11 mijë aplikues patën deklaruar se janë të papunë, kurse tani në ndërkohë po dalin më shumë, po del se disa e kanë lëshuar punën vetëm për ta marrë pensionin dhe kjo ka qenë një situatë e papritur, që e ka bërë këtë çrregullim edhe të planifikimit buxhetor”, ka theksuar Çeku.

Abrashi: Nuk kemi para

Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, ka informuar dje kabinetin qeveritar lidhur me mungesën e mjeteve te kategoria e pensioneve për veteranët e luftës.

“Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale është në konsultime të vazhdueshme ditore me Ministrinë e Financave për gjetjen e këtyre mjeteve. Po flasim për mjete financiare vetëm për pagesën e muajit shtator, një minus prej 1.6 milion euro, të cilat jemi duke i kërkuar, por gjithashtu jemi në konsultime edhe për mjetet financiare për tremujorin e fundit me një faturë prej rreth 5 milionë euro në muaj. Besoj që shumë shpejt do të reagojmë për pagesën e këtij muaji, mungesën e fondit apo pagesave të pensioneve për muajin shtator, do të punojmë edhe për tremujorin tjetër për gjetjen e mjeteve shtesë”, u shpreh ai.

“Çështja e dytë që është ngritur në opinion ka të bëjë me pagesat e dyfishta të pensioneve. Ne kemi një rekomandim të Auditorit që të bëhen ndalesa për këto pensione. Mendojmë që ka paqartësi ligjore rreth kësaj çështjeje, por është dashur të veprojë administrata, shkaku i rekomandimit të prerë të Auditorit, por besojmë që gjatë javëve në vijim ne do të sjellim projektligj për skemat e pensioneve të ndryshme të financuara nga shteti ku do të definojmë edhe më qartë tek pensionet familjare dhe pensionet invalidore, sepse është prekur një numër i madh i familjeve të dëshmorëve të luftës, ku është ndërprerë njëra prej pensioneve. Prandaj, ne duhet të qartë- sojmë me propozimin e ri, të cilin shumë shpejt do ta sjellim në Kuvend”, tha ministri Abrashi. /Kosova Sot/

Përballja fatale, ndahet nga jeta boksieri(Video)

0

Boksieri skocez, Mike Towell, vdiq në spital, pas plagëve të rënda të marra gjatë një përballjeje në ring të enjten.

25-vjeçari u dërgua me urgjencë në spital, pasi në raundin e pestë të sfidës me uellsianin Dale Evans, u ndje keq për shkak të goditjeve të rënda.

Partnerja e tij njoftoi lajmin e hidhur përmes një postimi në rrjetet sociale. Ajo tha se Mike kishte hemorragji dhe ënjtje në tru, që i shkaktuan vdekjen.

Që në raundin e parë të takimit të zhvilluar në Glasgow, Towell, ra KnockDown, por u ringrit dhe vendosi të vijojë sfidën.

Pas rrëzimit e dytë, gjyqtari vendosi të ndërpresë ndeshjen, pasi gjendja e boksierit skocez ishte kritike. Ai mori trajtim me oksigjen edhe në ring dhe u dërgua në urgjencë.

Në dy dekadat e fundit, Mike Towell është boksieri i tretë britanik që humbet jetën për shkak të goditjeve të marra në ring./ TV KLAN

https://youtu.be/uDgmdUK57Fg

Napoli nuk heq dorë nga Rashica, në verë pritet transferimi

0

Napoli nuk heq dorë nga Milot Rashica, dhe lajmet e fundit nga mediat italiane bëjnë të ditur se një transferim i tillë pritet të ndodh në verë.

Ka qenë drejtori sportiv i Napolit, Christian Guintoli, që po merret me transferimin e Rashicës.

“Guintoli duket se ka krijuar ndjenja të veçanta me kampionatin holandez. Në ai po përgatet disa operacione për në verë. Milot Rashica, 20-vjeçari nga Kosova, që luan me Vitesse, pritet të jetë njëri nga transferet e mundshme”, shkruan “ultimecalcionapoli.it.

Në delegacion nga Sunderni, po qëndron në Malishevë

0

Nga sot (e premte), në Komunën e Malishevës po qëndron një delegacion nga qyteti i Sundernit nga Gjermania. Këtij delegacioni po i prinë i pari i Sundernit, Rahpl Brodel, i shoqëruar edhe nga drejtori për arsim i këtij qyteti dhe përgjegjësi për menaxhimin e ujërave.

Delegacioni, është pritur nga i pari i Malishevës, Ragip Begaj me bashkëpunëtor, ndërsa kjo vizitë zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit të ndërsjellë, tash e disa vite me radhë.

Pas pritjes nga kryetari i komunës, delegacioni ka marrë pjesë edhe në seancën e rregullt të Kuvendit të Komunës së Malishevës, ku edhe ka mbajtur një fjalim rasti.

“Ne si popuj kemi një histori të përbashkët, pasi pas luftës, ne jemi ndihmuar nga miqtë tanë, dhe ashtu sikur kemi pasur ne nevojë për miq, ashtu keni nevojë edhe ju. Bashkërisht mund të punojmë dhe të shkëmbejmë përvojat tona”, tha mes tjerash kryetari Sundernit, Rahpl Brodel.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, e ka falënderuar delegacionin nga Sunderni për vizitën në Malishevë, si dhe i ka falënderuar për bashkëpunimin e ndërsjellë mes dy qyteteve.

“Ne, nga lufta jemi dalë një vend tërësisht i shkatërruar, por me ndihmën e miqve ndërkombëtar, jemi ngritur, e në veçanti nga përkrahja e popullit gjerman, dhe për këtë ne ju falënderojmë dhe ju jemi mirënjohës”, tha Begaj.

Më pas, delegacioni nga Sunderni, të shoqëruar nga kryetari Begaj, kanë vizituar Qendrën e Kompetencës, gjimnazin, çerdhen për fëmijë, njësinë e Hidroregjonit Jugor dhe më pas edhe disa punime në ndërtimin e ujësjellësit për dymbëdhjetë fshatra të Malishevës.

Gjatë kësaj vizite tre ditore, do të vizitohen edhe vende tjera ku realizohen projekte të ndryshme, si dhe vendet turistike në Komunën e Malishevës dhe në vend.

Qëllimi i kësaj vizite, është vazhdimi i bashkëpunimit me dy qyteteve dhe shkëmbimi i përvojave, sidomos në fushën e arsimit dhe të menaxhimit të ujërave, pasi Sunderni, ka përvojë të mirë në këto dy fusha.

Në këtë pjesë të Gjermanisë, jetojnë dhe punojnë një numër i madh i shqiptarëve, sidomos nga Komuna e Malishevës, ku edhe është e formuar shoqata shqiptaro-gjermane, të cilën e drejton Fadil Bytyçi nga Shkoza e Malishevës, i cili edhe është iniciator i bashkëpunimit mes dy qyteteve. /PrizrenPress.com/

Defileu dhe Festari i traditës dhe prodhimeve bujqësore

0

Në kuadër të aktiviteteve të festës së rinisë dhe qytetarëve “Festari 2016” sot është organizuar defileu tradicional rrugës kryesore të qytetit të Suharekës.

Pjesë e këtij defileu ishin anëtarë të të gjitha Shoqërive Kulturo-artistike të Komunës, Institucione shkollore, OJQ, Klube sportive dhe Shoqata të ndryshme suharekase.

Ndërkaq pas defileut u organizua edhe ekspozita e prodhimeve bujqësore, ushqimit të traditës, rrushit dhe mjaltit ku janë ekspozuar shumë prodhime të cilat kanë qenë pjesë e “Festarit” të sivjetëm.

Këtë ekspozitë e kanë vizituar mijëra vetë, përfshi këtu edhe delegacione të ndryshme. Janë organizuar edhe lojra të ndryshme popullore si tërheqja e litarit pastaj gjuajtje me shigjetë dhe me pushkë ajrore. /PrizrenPress.com/

IMG_8152.JPGIMG_8177.JPGIMG_8273.JPG

Mamushë: Edukatorja pretendon se u largua nga puna mbi baza partiake

0

E premtja është dita e fundit që Indira Haliti doli para nxënësit e saj në Mamushë.

Kjo pasi që Drejtoria e Arsimit mori vendim ta largojë nga pozita e edukatores në institucionin parashkollor ‘Anadolu’.

Krejt kjo sipas saj i është bërë padrejtësisht. E nënshkrimet e tyre në ankesën e bërë i vënë vetëm 8 prindë bile sipas edukatores disa nga ta edhe u shantazhuan.

Haliti madje po thotë se gjithë këtë e nisi nënkryetarja për komunitete në Mamushë, Ganimete Sadiku. Atë, Haliti e akuzon se këtë veprim e ka ndërmarr në baza politike.

Por gjithë këto akuza i mohon Sadiku. Ajo e ka pranuar se jo gjithë nënshkruesit janë prindër të nxënësve të Halitit.

Me drejtorin e DKA-së në Mamushë, Klan Kosova nuk arriti të kontaktojë, pasi nuk ishte në komunë, e nuk u lajmërua për dy ditë as në telefon.

Por në vendimin për ta larguar Halitin nga puna, thuhet se pikërisht ankesat e prindërve janë arsyeja. As vet prindërit nuk kanë dashur të flasin para kamerave.

Prapa tyre, disa kanë thënë se e përkrahin edukatoren Haliti e disa jo. /Klan Kosova/

Prizren: Shkollat hapin dyert për fëmijët me aftësi të kufizuara

0

OJQ “Handikosi”, në partneritet me organizatën “Save The Children”, është duke e implementuar projektin ,,Edukimi cilësor gjithëpërfshirës për fëmijët me aftësi të kufizuara në edukimin parafillor dhe fillor, pa diskriminim”.

Projekti është trevjeçar tregon Ardita Sylbije- Gota. Ajo thotë se objektivat kryesore të projektit janë që deri në vitin 2018, së paku 45 deri në 50 fëmijë me aftësi të kufizuara të përfitojnë mundësi të përmirësuara për arsimin gjithëpërfshirës, të sigurt dhe me cilësi të mirë, si në edukimin parafillor, ashtu edhe në atë fillor, si dhe që këta fëmije me aftësi të kufizuara deri në vitin 2018 të regjistrohen dhe të përfitojnë nga cilësia e arsimit parafillor dhe fillor.

“Sa i përket arritshmërisë, me plot guxim mund të them se me ndihmën e pakursyer të zyrtarëve të Drejtorisë së Arsimit dhe mirëkuptimin e drejtorëve të shkollave, këtë vit në shkolla të rregullta janë përfshirë 16 fëmijë me aftësi të kufizuara. Kjo domosdo se na bënë krenarë që këta fëmijë të jenë të barabartë”, ka thënë ajo, shkruan gazeta “Kosova Sot”.

Kushtet e dobëta në shkolla

“Handikosi” tani me këto aktivitete bën promovimin e angazhimit në praktikë.

“Ne jemi bashkë me fëmijët me aftësi të kufizuara, të cilët prej shtatorit janë ulur për herë të parë në bankat shkollore. Kemi bërë edhe një vizitë në Drejtorinë e Arsimit, ku jemi takuar me drejtorin e Arsimit Zijadin Shemsedini, ku nga afër edhe kemi mësuar shumë gjëra sa i përket kësaj kategorie të këtyre nxënësve. Ne kërkojmë angazhimin e të gjithëve në rritjen e numrit të fëmijëve me aftësi të kufizuara në edukimin parafillor dhe atë fillor, sepse ky numër ende është i vogël në krahasim me numrin e fëmijëve që janë jashtë bankave shkollore”, ka thënë më tutje Gota.

“Për fat të keq, ka edhe shumë sfida që e përcjellin gjithëpërfshirjen, siç janë: mungesa e transportit të fëmijëve me aftësi të kufizuara në shkolla të rregullta, mungesa e mësuesve mbështetës, numri i madh i nxënësve në klasa, mungesa e asistentëve personalë, si dhe mungesa e statistikave të sakta se sa fëmijë në komunën e Prizrenit janë jashtë bankave shkollore etj.”, është shprehur ajo.

Përvojat e jashtëzakonshme të nënës dhe mësueses

Qamile Elshani është nënë e një fëmijë më aftësi të kufizuar dhe për “Kosova Sot” tregon përvojën e saj .

“Asgjë më të lumtur në botë nuk më bën se kur vajza ime shkon në klasë të parë në Piranë në shkollë fillore dhe me shokë e shoqe shoqërohet. Jemi nëna dhe zemra jonë bëhet mal, kur ajo bëhet e barabartë me fëmijët e tjerë”, theksoi ajo.

Kurse, këso kërkesa kanë edhe vetë fëmijët e të gjitha ato nëna që kanë fëmijët e këtillë. Mësuesja Selamie Thaçi, nga shkolla “Ardhmëria”, tregon se për pesë vjet ka pasur një nxënëse të kësaj kategorie dhe për “Kosova Sot” thotë se si ishte kjo eksperiencë.

“Më besoni se kam pasur përkushtim të madh ndaj asaj nxënëse, Diana Gashi. Ajo e meriton jo vetëm përkushtimin, por meriton shumë, ngase këta fëmijë dinë të duan, të respektojnë. Ajo tash lexon, shkruan dhe është e barabartë me fëmijët dhe shoqet e shokët e klasës. Ajo që më bën krenare është fakti se këtë dashuri ajo e ka kuptuar dhe ajo tani më konsideron si një nënë të dytë të saj, kurse prindërit e saj ishin tërësisht të përkushtuar ndaj saj dhe asaj asgjë në këtë botë nuk i ka munguar nga fëmijët e tjerë. Ajo është dhe do të mbetet dashuria ime më madhe në këto 21 vjet punë në arsim. Fëmijët e këtillë kanë aq shumë dashuri e respekt, saqë vetëm njeriu që punon me këta fëmijë e kupton pastërtinë shpirtërore të këtyre fëmijëve”, ka theksuar ajo për “Kosova Sot”. /Kosova Sot/

Xhevat Mullaavda merr drejtimin e Rahovecit

0

Në prani të zyrtarëve komunal, futbollistëve dhe dashamirësve të futbollit rahovecas, në stadiumin e qytetit “Jahja Danuza” u bë pranimi i detyrës së trajnerit të KF “Rahoveci” nga ana e veteranit të futbollit Xhevat Mullaavda.

Mullaavda tha se rezultatet e deritashme janë zhgënjyese, prandaj kërkoi angazhim dhe përqendrim më të madh të futbollistëve.

“Në këtë përbërje ka potencial, por mungon koncentrimi, prandaj do të fokusohemi që në të ardhmen të punojmë më shumë në këtë drejtim”, tha ai.

Duke i uruar punë të mbarë dhe suksese, drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Gardalin Shtavica potencoi faktin se KF “Rahoveci” ka gëzuar përkrahjen e institucionit të Komunës, prandaj nuk është dashur të mungojnë rezultatet. Gjithsesi, ai u shpreh optimist se me ardhjen e trajnerit me përvojë Mullaavda do të arrihen rezultate më të mira, ngase kjo është dëshirë e madhe e sportdashësve për një klub me traditë 85-vjeçare. Ai ndër të tjera foli edhe për gjendjen e vështirë materiale e financiare, mirëpo me rezultate më të mira mund të binden donatorët dhe tifozët e klubit që të vijojnë me mbështetje.

Mirëseardhje i kanë dëshiruar Mullaavdës edhe zyrtarët e KF “Rahoveci” dhe futbollistët e këtij klubi.

Trajneri i deritashëm Senad Alirifa u lirua nga kjo detyrë me vetë dëshirë, ndërsa do të mbetet pjesë e shtabit teknik të klubit. Trajner i portierëve u emërua Xhabir Hajrullaga.

Pas gjashtë lojërave të zhvilluara djelmoshat e KF “Rahoveci” kanë arritur vetëm dy barazime dhe katër humbje dhe aktualisht mbyllin tabelën e klasifikimit me vetëm dy pikë, me 2 gola të shënuara dhe 11 të pranuara. /PrizrenPress.com/