26.2 C
Prizren
E martë, 17 Qershor, 2025
Home Blog Page 5763

Policia konfiskon një pistoletë në Piranë të Prizrenit

0

Policia ka ndaluar një furgon në fshatin Piranë të Prizrenit të cilin ishte duke e drejtuar i dyshuari mashkull k/shqiptar dhe gjatë kontrollimit brenda në furgon, është gjetur dhe konfiskuar një pistoletë, shkruan PrizrenPress.

Policia ka njoftuar se me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /PrizrenPress.com/

Kërkohen shtigje për çiklistët e Prizrenit

0

Organizata Jo-qeveritare EC Ma Ndryshe në bashkëpunim me komunitetin e çiklistëve të premten ka realizuar performancën “Kërkojmë shtigje për çiklistët”, përmes të cilit aktivitet ka reaguar ndaj pasivitetit të deritanishëm të autoriteteve komunale në ndërmarrjen e masave adekuate për sigurimin e pjesëmarrës së barabartë të çiklisteve/ëve në trafikun që zhvillohet në rrugët kryesore të qytetit të Prizrenit.

Përmes këtij aktiviteti, në mënyrë simbolike përkatësisht duke vendosur shtigje të improvizuara, në rrugën “Remzi Ademaj” (afër Urës së Gurit dhe Urës së Arastës), është theksuar e drejta e çiklisteve/ëve për qarkullim më të sigurt brenda zonës urbane.

EC edhe më parë ka ndërmarrë aktivitete në këtë drejtim ngase hulumtimet e viteve të kaluara, në kuadër të projektit “Qyteti gjithëpërfshirës…”, rregullisht e patën nxjerrë si shqetësim të qytetarëve mungesën e shtigjeve (korsive) për biçikleta në pjesën urbane.

Pikërisht bazuar në këto kërkesa, por edhe në peticionet e dorëzuara më parë në Komunën e Prizrenit, EC Ma Ndryshe në bashkëpunim me disa organizata dhe komunitetin e çiklistëve pat realizuar edhe një vizionim, si shembull se si mund të dukeshin dhe aplikoheshin shtigjet (korsitë) për biçikleta në rrugët e Prizrenit.

Aktivizmi i deritanishëm në këtë drejtim vazhdimisht ka kërkuar më shumë vëmendje dhe kujdes të autoriteteve për krijimin e shtigjeve për biçikleta, pasi që edhe ky komunitet duhet ta gëzojë të drejtën që të lëvizë lirshëm dhe në mënyrë të sigurt në trafik.

Performanca publike “Kërkojmë shtigje për çiklistët/et” është realizuar në kuadër të projektit “Qyteti gjithëpërfshirës…”, të financuar nga Olof Palme International Center (OPIC), e cila përkrahet nga Qeveria e Suedisë. Projekti “Qyteti gjithëpërfshirës…” synon të artikulojë nevojat e grupeve të komunitetit dhe t’i përkthejë ato në plane të zbatueshme urbane të komunës së Prizrenit. Grupet e komunitetit me të cilat punohet në këtë projekt janë të shpërndarë në lagje të ndryshme të qytetit. /PrizrenPress.com/

”Rroftë pushteti dhe paraja”!

0

Nga Faik Krasniqi

Nëse partitë politike do t’i qëndronin besnike fjalëve dhe deklarimeve të mëhershme që në asnjë mënyrë nuk do të bëjnë koalicion me PDK-në, e që unë besoj që kjo nuk është e mundshme, atëherë në zgjedhjet e ardhshme PDK-ja do të vihej në një pozitë të vështirë për të gjetur partner për krijimin e Qeverisë, kuptohet nëse kjo parti del e para. Por, është pak e besueshme që PDK-ja nuk do të gjen partner për krijimin e Qeverisë. Madje edhe do t’i përgjëroheshin vetëm e vetëm për t’i marrë në Qeveri. Prandaj, nuk më habit fare deklarata e z. Ramush Haradinaj se partia e tij nuk do të vendos vija të kuqe ndaj asnjë subjekti politik, madje as ndaj Partisë Demokratike të Kosovës. Kjo tregon që këta liderë e këto parti, hallin e kanë vetëm tek pushteti e kurrsesi tek interesat shtetërore dhe qytetarëve të Kosovës.

Një gjë nuk po arrij ta kuptojë. Z. Kadri Veseli e akuzojnë vazhdimisht për vrasjet politike, për kapjen e shtetit dhe krimet e ndryshme, duke i thënë fjalët nga më të ndryshme: kriminel, vrasës e hajdut, e pastaj bëjnë koalicion me të. Kjo tregon pafytyrësinë e tyre, që ndryshe flasin e ndryshe veprojnë. Që hallin e kanë tek pushteti e jo tek shteti dhe qytetarët. Por tekefundit këta politikanë nuk kanë fytyrë fare, sepse mendjen e kanë vetëm tek paraja dhe pushteti. Prandaj qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e ardhshme duhet të jenë të matur se për cilën parti dhe cilin lider do të votojnë, në mënyrë që mos të tradhëtohen sikurse elektorati i LDK-së, parti e cila PDK-në dhe liderët e kësaj partie duke i akuzuar vazhdimisht për vrasjet e anëtarëve të saj dhe kapjen e shtetit, dhe në fund për hir të pushtetit shkuan në prehrin e tyre. Kështu që nuk bën të çuditemi nga krijimi i çdo koalicioni, sepse Kosova është vend i paradokseve!

Van Gogh dhe Mafia Napolitane

0

Policia Italiane ka rikuperuar dy piktura të Van Gogh të vjedhura nga një muze në Amsterdam më 7 dhjetor 2002.

Bëhet fjalë për pikturat “Plazhi i Scheveningen”, e vitit 1882 që vlerësohet si e paçmueshme dhe “Dalja nga Kisha protestante e Nuenen”, e vitit 1884.

Sipas zyrtarëve të këtij muzeu pikturat janë gjetur pas një hetimi masiv nga prokuroria italiane dhe zyrtarët kundër krimit të organizuar.

Autoritetet italiane kanë konfirmuar rikuperimin e dy pikturave të piktorit të famshëm, të cilat sipas tyre ishin në posedim të mafias napolitane.
Raportohet se ato kanë qenë midis aseteve me vlerë miliona euro që i janë sekuestruar grupit të Camorras.

Zyrtarët e muzeut në Amsterdam nuk bëjnë të ditur nëse pikturat do t’u rikthehen atyre, por konfirmuan se ato ishin në gjendje të mirë.

Kroacia shpall listën për ndeshjen me Kosovën

0

Trajneri kroat ka ftuar të gjitha yjet, njofton faqja zyrtare e Federatës së Futbollit të Kroacisë.

Lojtarë si Modriç, Manxhukiç, Rakitiç, dhe Lovren, janë në listën e 21 futbollistëve për ndeshjet eliminatore për Kampionatin Botëror.

Ndeshja Kosovë – Kroaci luhet më 6 tetor.

Image

Veteranët sot protestojnë

0

Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kanë paralajmëruar protestë për të premten (sot). Protesta e veteranëve do të mbahet para objektit të Qeverisë, duke filluar nga ora 12:00.

Protesta është thirrur nga Këshilli për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së. Xhevdet Qeriqi, kryetar i këtij Këshilli, ka thënë se duke u bazuar në padrejtësitë që u janë bërë familjeve të dëshmorëve dhe kategorive të tjera të luftës së UÇK-së nga ana e Ministrisë të Punës dhe Mirëqenies Sociale, veteranët, sipas tij, kanë vendosur se nuk do të tolerojnë më të nëpërkëmbet dinjiteti i tyre.

“Ne për dy ditë kemi pasur takime me përfaqësues të kësaj Ministrie, ku kemi kërkuar shfuqizimin e vendimit të fundit të marrë nga ana e tyre, por që nuk kemi arritur një zgjidhje. Po ashtu vonesat e padrejta të pensioneve për veteranët e luftës na kanë shtyrë ta marrim këtë vendim”, ka thënë Qeriqi në një reagim të tij.

Ai ka apeluar tek veteranët që sot të protestojnë para Qeverisë, duke filluar nga ora 12:00.

“Ju bëj thirrje të gjithëve që jeni të pakënaqur me këto padrejtësi që t’i bashkëngjiteni protestës. Kjo protestë vjen pa dëshirën tonë, por që kjo po na imponohet nga vetë Qeveria. Kërkesa e madhe e shumë familjeve të dëshmorëve dhe e kategorive të tjera na ka shtyrë që ta marrim vendimin për protestë”, ka thënë Qeriqi. /Zëri/

Premierë: Flori Cocaj dhe Dardani sjellin ‘ZSMR’ (Video)

0

Edhe pse sezona e verës ka përfunduar, artistë të shumtë po vazhdojnë të lansojnë projekte.

Ndërsa qyteti i Prizrenit njihet si vend kulturor, ka bashkuar dy artistët Flori Cocaj dhe Dardanin për të realizuar bashkë projektin ‘Zemër sonte me mu rri / ZSMR’.

Një këngë mjaftë ritmike që i përshtatet trendeve të kohës dhe me një videoklip të realizuar mjeshtërisht nga Blerdi Malushi, neve na bën të pyesim vetën se ku ishin këta artistë deri tani?

Mirëpo, zico.tv raporton se të dy kanë shumë plane dhe presim që brenda disa muajve të lansojnë këngë dhe videoklipe të tjera.

https://youtu.be/FP9POC8dJWQ

Prizren: I kërkuari për kanosje të policit, hedh nga makina revolen

0

Policia e Kosovës përmes një komunikate për media bën të ditur se ka arrestuar një person, i cili kërkohej për kanosje ndaj një polici.

“Pak pas mesnate, një patrullë policore e Stacionit policor Veriu në Prizren ka ndaluar një automjet furgon Mercedes mbi bazën e dyshimit se posa është vërejtur policia, një pasagjer e kishte hedhur jashtë automjetit një pistoletë të llojit Bereta. Policia e ka sekuestruar pistoletën dhe tre të dyshuarit që ndodheshin në automjet janë sjellë në stacion për intervistë”, thuhet në komunikatë.

Më tutje thuhet se, “gjatë intervistës është bërë e ditur se pistoleta i përkiste shoferit, i cili kërkohej nga Policia e Rahovecit për kanosjen e një polici”.

Lidhur me rastin është informuar prokurori i shtetit, i cili ka nënshkruar vendimin për ndalimin e të dyshuarit për 48 orë.

Kosova pa një datë të caktuar për shënimin e ‘Ditëve Evropiane të Trashëgimisë’

0

29 shtatori Shqipërinë e gjen me shumë aktivitete, kjo për arsye se kjo datë shënon “Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore”. Kjo ditë ka hyrë në kalendarin kulturor në Shqipëri në kuadër të Ditëve Evropiane të Trashëgimisë Kulturore që festohen në 50-të vende të Evropës. Në kuadër të kësaj dite në Tiranë në Muzeun Historik Kombëtar do të hapet ekspozita ikonografike dhe ornamentike “Thesare të Shpëtuara”, ndërsa aktivitetete do të mbahen edhe në qytete të tjera të vendit, shkruan KultPlus.

Ndryshe nga Shqipëria, Kosova nuk ka një datë të caktuar sa i përket festimit të Ditëve Evropiane të Trashëgimisë Kulturore. Por, kjo nuk do të thotë që këto ditë nuk po festohen.

Fillimisht, Muzeu i Kosovës në shënim të Ditëve të Trashëgimisë ka pasur si aktivitet katër ditë të kulinarisë Ilire në Etno Fest.

“Muzeu i Kosovës këto ditë i ka shënuar me diçka të re që e ka prekur temën e kulinarisë Ilire, ky ka qenë mesazhi ynë për këtë vit”, tha drejtori i Muzeut të Kosovës, Skender Boshtrakaj, për KultPlus.

Ndërsa drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Kulturës, Vjollca Aliu, tha që Kosova nuk ka një datë të caktuar, por në kuadër të Ditëve Evropiane të Trashëgimisë për këtë vit, aktivitetet i kanë zhvendosur kryesisht për fundin e muajit tetor.

“Ne këtë vit jemi fokusuar në hapjen e lokalitetit Ulpiana – Park Arkeologjik si dhe në Konferencën Ndërkombëtare për Menaxhimin dhe Promovimin e Trashëgimisë Kulturore e cila do të mbahet prej datës 27 deri më 29 tetor. Aktivitete ka pasur edhe prej organizatave të ndryshme joqeveritare, si CHWB-ja të cilëve ju kemi mundësuar vizitën në lokalitetin Dresnik, tutje mund të ketë aktivitete të ngjashme, nuk është diçka e kufizuar”, ka thënë Vjollca Aliu për KultPlus, e cila tutje tha që sa i përket caktimit të një date, deri në këto momente nuk ka një datë të caktuar, por nuk është diçka që nuk është diskutuar.

Ditët e Trashëgimisë Evropiane është një festë e cila zhvillohet gjatë tërë muajit shtator, në këtë aspekt Sali Shoshi nga CHWB, mendon që është në rregull edhe nëse nuk ka një ditë të caktuar gjatë shtatorit sepse mund të festohet gjatë tërë muajit.

“Por, përndryshe çdo vend e cakton një ditë, por nuk është e thënë që të jetë në muajin shtator, mund të jetë një ditë që lidhet me ndonjë moment, ndonjë ngjarje, diçka që e karakterizon Kosovën. Ideja e këtij muaji, është që të ketë mobilizim të njerëzve që të marrin pjesë në aktivitete, dhe ideja është që të hapen vendet që janë të mbyllura gjatë vitit”, ka thënë Shoshi për KultPlus. Përderisa nuk e sheh problematike se pse nuk ka një ditë të muajit shtator, Shoshi pohoi se do të ishte mirë të kishte diçka konkrete sepse mund të reflektosh se çfarë ke bërë dhe ku ke mbërri prej asaj date të vitit të kaluar e deri në atë moment.
Rikujtojmë se së fundmi Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka nxjerrë rregullore për dhënien e Çmimit për Veprimtari në Fushën e Trashëgimisë Kulturore.
Këto çmime u jepen personaliteteve të shquara për mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore. Ministria e Kulturës, nëpërmjet këtyre çmimeve, synon të përkrahë personalitet që kontribuojnë në ruajtjen, studimin dhe promovimin e trashëgimisë kulturore të Kosovës. / KultPlus.com

Kafshë të ngordhura në rrugën e Lybeçevës

0

Persona të pandërgjegjshëm gjatë ditës së djeshme kanë hedhur kafshë të ngordhura në rrugën Prizren-Lybeçevë, në një nga pikat e zeza të deponive të egra që janë krijuar përreth kësaj rruge.

Hedhja e kafshëve të ngordhura që kundërmonin rëndë përreth rrugës Prizren-Lybeçevë, kishte revoltuar shumë banorë të kësaj të fundit të cilët gjatë ditës së sotme na kishin njoftuar për këtë shqetësim të tyre.

Hazër Memedaj, thotë se ai praninë e kafshëve të ngrodhura e kishtë vërejtur gjatë pasdites së djeshme në vendin ku prej kohësh hudhen mbeturina të shumta, dhe se tashmë ky vend mu përreth rrugës ëshët shndërruar në deponi të egër.

Ai shpreh revolten e tij ndaj personave që bëjnë akte të këtilla, por edhe institucioneve që nuk merren me luftimin e kësaj dukurie.

Memedaj i cili na priste në vendngjarje, para arritjes sonë kishte rastisur të takojë edhe kryetarin e Prizrenit, Ramadan Muja, të cilin e kishte informuar me rastin dhe nga i cili kishte kërkuar të merren masa urgjente për të larguar kafshët e ngordhura, por edhe mbeturinat tjera që janë hedhur jo vetëm në këtë vend, por edhe përgjatë tërë kësaj rruge.

Edhe banori tjetër i fshatit Lybeçevë, Abdulla Maçkaj, shpreh shqetësimin e tij për këtë dukuri të shëmtuar që mund të haset në shumë pjesë të kësaj rruge.

Hazër Memedaj paralajmëron institucionet se në rast se nuk marrin masa konkrete dhe në mënyrë efikase, ai do të apelojë te bashkëfshatarët e tij që në të ardhmen mbeturinat t’i sjellin për t’i hedhur nëpër rrugët e qytetit të Prizrenit dhe para objekteve komunale./TV Prizreni/