Home Blog Page 5803

Zvarritet shpallja e tenderit për teleferikun në Kalanë e Prizrenit

0

Tenderi për teleferikun e Prizrenit po zgjatet si pasojë e zhurmës që është krijuar nga opozita e Komunës së Prizrenit. Visar Islamaj, zyrtar në Komunën e Prizrenit, është shprehur për “Kosova Sot” se tenderi ndodhet në procedurën e shpalljes.

“Unë besoj se në javën që vjen zyra e prokurimit do ta bëjë publik fituesin e këtij tenderi dhe kjo është edhe kërkesë e qytetarëve”, është shprehur ai për gazetën.

Tutje ka shtuar: “E gjithë puna është përfunduar edhe komisioni përkatës, tashmë kanë përzgjedhur edhe kompaninë, mirëpo për shkak se njëri nga anëtarët e komisionit që është në komisionin përkatës që kanë punuar anëtar i Ministrisë së Infrastrukturës gjendet në pushim tenderi nuk është nënshkruar. Presim që këtë javë të nënshkruhet edhe nga ai dhe do ta bëjmë publike”, është shprehur ai.

“Nga informacionet që i kam nga Zyra e Prokurimit, besojmë që operatori ekonomik fitues do të dalë këtë javë. Komisioni që e bën përzgjedhjen do ta bëjë publik kush është fitues i tenderit dhe do ta mbajmë të informuar opinionin për fituesin e tenderit pastaj do të vazhdohet me realizim të projektit”, theksoi Islamaj.

Reagimet e LDK-së: Tenderi, për efekte elektorale

I pyetur për dyshimin e shprehur të LDK-së për kurdisjen e tenderit, Islamaj nuk është përgjigjur.”Teleferiku dhe të gjitha projektet që realizohen nga Komuna kanë një rrugë që bëhen dhe ato janë aktet ligjore”, është shprehur ai. Kohë më parë dega e LDK-së në Prizren është shprehur se krerët lokalë të PDK-së janë takuar me njerëzit e kompanisë që dyshohet se do të shpallet fituese e këtij tenderi. Në një reagim për media, LDK-ja theksonte se janë zgjedhjet lokale afër dhe degës së PDK-së në Prizren e në qendër i duhen këta 1 milion euro të kontrabanduara përmes marrëveshjeve të fshehta, për ta blerë votën edhe në zgjedhjet lokale’. Dega e LDK-së shprehet e vendosur në mbrojtje të interesit të qytetarëve dhe thotë se do t’i deponojë në organet e drejtë- sisë të gjitha provat me qëllim të demaskimit të krimit. Dega e LDKsë kërkon nga kryetari i Komunës, që në fund të mandatit të tij, ta bëjë një akt në përputhje me aktet ligjore, të cilat e rregullojnë punën e tij dhe tenderi të mos ia japë kompanisë për rreth 1 milion euro më shtrenjtë.

Pensionistët shpresojnë të mos kushtojnë shtrenjtë biletat

Arsim Berisha, ekspert, është shprehur se teleferikët në Evropë kushtojnë mjaft shtrenjtë. “Kjo çështje është e lehtë. Ju mund të hyni dhe të shihni se teleferiku i ndërtuar si në Slloveni, pastaj në Austri, në vende tjera të Evropës kanë kosto mbi 5 e 6 milionë euro. Ju jap vetëm një shënim për shtetin amë për teleferikun e Shqipërisë. Kompania private që ka ideuar, projektuar dhe zbatuar këtë investim madhështor është “Dajti Ekspres Sh.a.”. Investimi për ndërtimin dhe shfrytëzimin e teleferikut, ‘Dajti Ekspres’, është tërësisht privat, i kryer me financim privat. Vlera totale e investimit të këtij objekti është 6.5 milionë euro” , tregon ai.

Adem Gashi, qytetar nga Prizreni, tha se para shumë vitesh është premtuar teleferiku, por s’po realizohet. “Besoj se teleferiku do të zgjidhë probleme. Ne pleqtë do të kemi mundësi të shkojmë në kala me teleferik dhe të shohim bukuritë e Prizrenit”, është shprehur ai. Bedri Berisha, po ashtu pensionist, thotë se po duket se edhe këtu ia kanë futur hilen.

“S’di nëse bëhet mirë. Të shpresojmë se biletat nuk do të jenë të shtrenjta sepse ne pensionistë nuk kemi para”, ka theksuar ai. Edhe Besim Fejzullahu thotë se ka dëgjuar se e ka fituar dikush i huaj ndërtimin e teleferikut.

(Kosova Sot)

Prizreni binjakëzohet me qytetin Amasya të Republikës së Turqisë

0

Qyteti Amasya i Turqisë, i cili ngjan me qytetin e Beratit dhe qytetin e Prizrenit përmes binjakëzimit do të lidh trekëndëshin e bashkëpunimit Amasya-Berat-Prizren.

Amasya është binjakëzuar me qytetin e Beratit, ndërsa pritet që këtë të enjte Kuvendi Komunal i Prizrenit të votojë për binjakëzimin e Prizrenit me qytetin Amasya të Republikës së Turqisë.

Rekomandimi për binjakëzim, Kuvendit Komunal të Prizrenit i dërgohet nga Komiteti për Politikë dhe Financa, i cili në mbledhjen e së martës votoi unanimisht që të bëhet binjakëzimi i Prizrenit më këtë qytet të Republikës së Turqisë.

Kujtim Gashi, kryesuesi i Kuvendit Komunal pas mbledhjes së Komitetit për Politikë dhe Financa tha se “bashkëpunimi ose binjakëzimi i Prizrenit me qytetin Amasya vjen pasi ky qytet është binjakëzuar me qytetin e Beratit.

“Do të jetë një trekëndësh i bashkëpunimit mes këtyre qyteteve” tha Gashi./Gazetaere.com/

Kryeprokurori Shala, avokatit Gashit: Mos manipulo

0

Një ditë pasi ka pranuar raportin e ekspertizës austriake për video-incizimet e kamerave të sigurisë së qendrës paraburgimit në Prizren të ditës kur vdiq në qelinë e tij aktivisti i VV-së Astrit Dehari, avokati i familjes, Tomë Gashi pretendon se në raport shkruan se në gjashtë fajlle të incizimeve ka pasur ndërprerje.

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prizrenit, e cila po heton rastin e vdekjes së Astrit Deharit, thotë se Gashi po mundohet të manipulojë opinion publik duke e keqinterpretuar raportin.

Kryeprokurori Admir Shala, sqaroi të martën për Gazetën Express se në raport tregohet se ka pasur ndërprerje të incizimeve rreth orës 20:00 të 5 nëntorit 2016, ndërsa vdekja e të dyshuarit për terrorizëm ka ndodhur rreth orës 16:00 të të njëjtës ditë. Madje, sipas Shalës, në raportin e ekspertizë së video-incizimeve të ardhur nga Austria, vetë hetuesit konstatojnë se ndërprerjet mund të jenë të kohës kur policia i ka nxjerrë incizimet nga serverët e kamerave të sigurisë, apo nga ndonjë ndërprerje eventuale e rrymës.

Nga një muaj paraburgim të pandehurve për rrahje në Prizren

0

Gjykata Themelore e Prizrenit e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej një muaj të pandehurve me iniciale A.B. dhe R.K. i cili do llogaritet prej datës së arrestimit 02.09.2017 nga ora 03:55, dhe do të zgjasë deri më datën 02.10.2017.

Gjykata njofton se të pandehurit me iniciale A.B. dhe R.K dyshohet se me datën 02.09.2017 rreth orës 02.25 minuta të mesnatës i shkaktojnë lëndime trupore të dëmtuarit me iniciale A.D. duke e goditur me shkelma dhe grushte në pjesë të ndryshme të trupit.

“Të njëjtit me datën e njëjtë në ora 02.30 pas mesnate me forcë tentojnë t’i pengojnë personat zyrtarë me iniciale R.SH dhe Q.D. ku dhe i sulmojnë të njëjtit, në atë mënyrë që përderisa zyrtarët policorë i kishin ndalur të pandehurit për t’i legjitimuar në lidhje me rrahjen që kishte ndodhur mes të pandehurve dhe të dëmtuarit A.D., të pandehurit menjëherë kishin filluar t’i sulmojnë me grushte dhe me shqelma, ku dhe zyrtari policor me iniciale Q.D. ishte detyruar të përdorë edhe sprejin e syve. I pandehuri me iniciale R.K. pasi që ishte arrestuar dhe ishte futur në veturën e policisë, i njëjti kishte goditur me gjymtyrë të trupit xhamin e derës së prapme të anës së majtë të veturës ku dhe e kishte thyer me ç’rast të dëmtuarës Stacionit Policor në Prizren i shkakton dëm pasuror”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit.

Me këto veprime, të pandehurit dyshohen se në bashkëveprim kanë kryer veprat penale “lëndim i rëndë trupor” nga neni 189 par.1 lidhur me nenin 31 të KPK, “pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare” nga neni 409 par.4 lidhur me par.1 lidhur me nenin 31 të KPK, “asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë” nga neni 333 par.1 të KPK dhe “kanosje” nga neni 185 par.3 të KPK.

Prizren: Tre nga katër policët e akuzuar pranojnë fajësinë për marrje ryshfeti

0

Policët rrugorë, Neshat Avdaj, Driton Bajrami dhe Myzafer Sylejmani, të cilët akuzohen për marrje ryshfeti, të martën, e kanë pranuar fajësinë.

Ndërsa, kolegu i tyre, Binak Bytyqi, i cili po ashtu akuzohet për marrje të ryshfetit, pas konsultimit me avokatin e tij, nuk e ka pranuar fajësinë.

Mbrojtësit e të akuzuarve, avokatët Bashkim Nevzati, Asman Hoxha dhe Esat Gutaj kanë kërkuar nga trupi gjykues që të pranojnë fajësinë e klientëve të tyre, pasi që një gjë të tillë ua lejon ligji ta bëjnë në çdo kohë deri në përfundim të procedurës.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Binak Bytyqi, avokati Rexhep Kabashi, ka deklaruar se klienti i tij nuk e pranon fajësinë.

Me një propozim të tillë të mbrojtjes nuk është pajtuar prokurori i rastit, Mehdi Sefa, i cili ka kërkuar që të refuzohet kërkesa me arsye se vepra penale është kryer në bashkëkryerje.

Ai tutje ka shtuar se një vullnet i tillë i tyre për të pranuar fajësinë të merret si rrethanë lehtësuese me rastin e caktimit të llojit dhe lartësisë së dënimit.

Mirëpo, trupi gjykues, ka vendosur që të pranojë fajësinë e tre të akuzuarve, për të cilët, rreth dënimit do të vendoset pasi që të përfundojë gjykimi në tërësi.

Kryetarja e trupit gjykues, Ajser Skenderi, ka shtyrë shqyrtimin gjyqësor për 25 shtator 2017, në ora 13:15, me arsye se lënda përmban prova për të gjithë të akuzuarit dhe se prokurori duhet të precizojë se cilat prova janë vetëm për të akuzuarin Binak Bytyqi.

Më 24 shkurt të këtij viti, Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarve në fjalë, të cilët i akuzon se gjatë periudhës gusht-nëntor 2016, duke vepruar si policë trafiku, drejtpërdrejtë kanë kërkuar dhe marrë ryshfet në të holla.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit, u kanë marrë para shkelësve të rregullave të trafikut, në shuma të ndryshme, duke filluar prej 10 e deri në 100 euro, në mënyrë që të mos u shqiptojnë gjobat kundërvajtëse.

Prokuroria për këto akuza ka dorëzuar së bashku me aktakuzën edhe provat e nxjerra nga masat e fshehta, në mesin e tyre edhe disa DVD, të gjitha këto të mbledhura nga Inspektorati Policor i Kosovës./betimiperdrejtesi.com/

Kur Mbreti Shqiptar i dhuroi një elefant Presidentit Amerikan

0

Në nëntor të vitit 1967, Mbreti i Shqiptarëve, Lartmadhëria e Tij, Leka Zogu derisa jetonte në Spanjë i dhuroi një elefant Guvernatorit të Kalifornisë dhe presidentit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ronald Regan.

Ky i fundit, përmes një letre më 27 nëntor të këtij viti e falënderoi Mbretin Shqiptar për dhuratën në të cilën thuhet: Lartmadhërisë së Tij, Mbretit Leka.

I dashur Leka, Elefanti ka mbërritur i sigurt dhe është komfort në shtëpinë e re.

Nuk mund t’ua përshkruajmë se sa mirënjohës jeni unë dhe Nancy dhe nuk mund t’ua përshkruaj emocionet e djalit tonë Skipper’s. Sërish faleminderit dhe përshëndetje të përzemërta për Ju. Sinqerisht, Ronald Regan. /Shqip/

Zeka i kundërpërgjigjet Albin Kurtit

0

Deputeti i Nismës për Kosovën, Milaim Zeka ka reaguar pas deklaratës së kandidatit për kryeministër nga Lëvizja Vetëvendosje, Albin Kurti i cili tha se pas marrëveshjes së djeshme në mes të AKR-së dhe koalicionit PAN,  formimi i Qeverisë së re është lënë në dorë të Vuçiqit.

Sipas Zekës, Kurti nuk ka bashkëpunuar për ta dërguar në opozitë PDK -në dhe LDK-në.

Lexoni më poshtë postimin e plotë të Zekës:

Sot, Albini Kurti, paska thene se “qeveria ka mbetur ne doren e Vuçiqit”! Albini nuk ka treguar disa te verteta, qe duhet t i dije elektorati i padjallezuar e VV:

  1. I ke ra ne dy gjunje Isa Mustafes, te cilin e ke qujte ” tradhetar, titist, hajn”, e çka jo. E keni gjujte edhe me molotov!
  2. I ke ra bash ne dy gjunje, edhe Pacollit, qe bashh 1000 akuza ja keni ba!
  3. Ke refuzu mu ule e me fole me ata qe te kane lidhur 1000 fije. Je sjelle si kapadai, e ke dale ne foltoren e Kuvendit me fole si kryeminister!
  4. Jav ke kthy shpinen Ramushit e Fatmirit, me te cilet ishe ne kualicion, deri nje jave para zgjedhejeve. U ba Isa per Ty, ma i mire se sa Ramushi e Fatmiri.

Albin, ne kemi dashte me qu ne opozite PDK dhe LDK ne, po ti nuk ke dashte. Me krejte veprimet tua, ti dhe Isa Mustafa e krijuat kete qeveri.
Mbase ju ka konvenu Vuçiqi. Ashte koha me heshte, te pakten nja 3 muaj, pastaj flasim…

Lëvizja për Bashkim tërhiqet nga koalicioni PAN

0

Lëvizja për Bashkim, përmes një komunikate për media, thotë se që nga përfundimi i zgjedhjeve, me vëmendje e ka përcjellë situatën paszgjedhore dhe procesin e formimit të institucioneve të vendit.

Fatkeqësisht, sipas LB-së, për shkak të konstelacionit të forcave politike të krijuar nga rezultati zgjedhor dhe mbi të gjitha, të pozicionimit të mbrapshtë të tyre, Kosova do ta ketë një qeveri të varur nga Lista Serbe.

“Kështu, pakicës serbe, përveç privilegjeve të padrejta juridike e politike që iu siguruan nga Pakoja e Ahtisaarit dhe nga bisedimet e Brukselit, si dhuratë nga partitë shqiptare do t’iu jepet fuqi edhe më e madhe politike. Përderisa deri dje ata e kishin fuqinë të kushtëzonin çdo vendim të Kuvendit për ndryshime kushtetuese, prej nesër ata do ta kenë fuqinë të kushtëzojnë çdo vendim të qeverisë për çështje krejtësisht të zakonshme.

Kjo situatë, për ne, është krejtësisht e papranueshme. Andaj, Lëvizja për Bashkim ka vendosur që, përkundër marrëveshjes parazgjedhore, e cila ia garantonte LB-së një ministri dhe dy zëvendësministra, të mos implikohet në asnjë formë në qeverinë e re”, thuhet në komunikatën e LB-së.

Lëvizja për Bashkim, gjithashtu, thotë se ka vendosur që ta vazhdojë e vetme rrugëtimin e saj, në të mirë të vendit dhe të qytetarëve të tij.

Lëvizja për Bashkim, më e vendosur se kurrë, thotë se tashmë i ka hyrë punës që të përgatitet për zgjedhjet e reja të përgjithshme, në mënyrë që të garojë si subjekt i vetëm politik dhe si rrjedhojë të mos futet në koalicione me synim kalimin e pragut zgjedhor.
“Me këtë rast, i ftojmë të gjithë ata njerëz vullnetmirë, që janë të gatshëm të angazhohen për një të ardhme më të mirë të vendit tonë, të bashkohen rreth projektit të Lëvizjes për Bashkim”, ka përfunduar njoftimin Lëvizja për Bashkim.

Suharekë: Dorëzohet i dyshuari për vrasje në tentativë

0

Një qytetar nga Suhareka, i dyshuar për vrasje në tentativë, dje është dorëzuar në polici. Ai ka dorëzuar edhe një pistoletë me tre fishekë, shkruan PrizrenPress.

Të premtën e kaluar, në rrugën “Xhavit Syla”, i dyshuari kishte qëlluar me armë zjarri viktimën mashkull duke i shkaktuar lëndime trupore.

“Në lidhje me rastin raportohet se me 04.09.2017 është dorëzuar në polici i dyshuari mashkull K/Shqiptar dhe i njëjti ka dorëzuar një pistoletë me tre fishekë. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë. /PrizrenPress.com/

Ja si e komenton Albin Kurti marrëveshjen AKR-PAN

0

Lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti me anë të një postimi në Facebook ka komentuar për marrëveshjen e AKR-së dhe PAN-it.

Kurti ka thënë se pasi që AKR doli nga LAA apetitet nga njëra anë dhe pasiviteti nga krahu tjetër e humbën edhe një shans tjetër pas atij të VLAN-it.

Postimi i Kurtit në Facebook:

AKR doli nga koalicioni LAA. Ky koalicion parazgjedhor edhe zyrtarisht u shpërbë dje. Apetitet nga njëra anë dhe pasiviteti nga krahu tjetër, e humbën edhe një shans shtesë pas atij të VLAN-it. Kot je pasiv që të mos bësh gabime, sepse pasiviteti është gabimi më i madh.

Mirëpo, dje u shpërbë edhe koalicioni tjetër PAN. Marrëveshjen me kryetarin e AKR-së nuk e bëri kryetari i PAN, por të tre kryetarët e tre partive të PAN-it (prej 12 sosh gjithsej) që kanë deputetë në legjislaturën e gjashtë.

Koalicionet parazgjedhore të oportunizmit po shthuren. Po kthehemi te partitë, te përmasat e tyre, tek ato si masë.

Pas marrëveshjes së mbrëmshme, konstituimi i Kuvendit të Kosovës dhe formimi i qeverisë së re është lënë në dorë të Vuçiqit.

Shteti nuk është karrikë. Shteti ka karrika. Por, ka edhe karrika pa shtet, karrika në kurriz të shtetit. Pushteti i varur nga Serbia, e var pavarësinë e shtetit.

26 vjet më vonë, 22 tetori i vitit 2017 po bëhet referendum i ri.