34.9 C
Prizren
E premte, 27 Qershor, 2025
Home Blog Page 5817

Ja cilat janë objektivat e Real Madridit sipas Bale-s

0

Ylli i Real Madridit, Gareth Bale thotë se skuadra e tij këtë sezon synon t’i fitojë gjithë trofetë e mundshëm.

Uellsiani sezonin e kaluar me madrilenët fitojë Ligën e kampionëve, por ish-futbollisti i Tottenhamit thekson se ambiciet e ‘Los Blancos’ në këtë edicion të garave janë triumfi në gjitha garat. “Si gjithmonë ne duhet të luftojmë për çdo gjë.

Ne duam ta fitojmë çdo turne, La Ligën, Kupën e Mbretit dhe Ligën e Kampionëve. Ne i duam të gjitha trofetë”, ka thënë Bale.

Lippi do të bëhet trajneri më i paguar në botë

0

Marcello Lippi pritet që të kthehet sërish në futbollin kinez.

Trajneri italian është në kontakte me skuadrën kineze Guangzhou Evergrande, e cila është e gatshme ta bëjë atë trajnerin më të paguar në botë nëse pranon që të udhëheqë ekipin.

Sipas gazetës italiane ‘Corriere dello Sport’, Lippi do të përfitojë 500 mijë euro në javë, apo 20 milionë në vit, një shumë që nuk merr asnjë trajner tjetër. Kujtojmë se Lippi ka udhëhequr Guangzhoun për tre vite dhe ka arritur që të fitonte tre tituj kampioni në Kinë dhe njëherë Ligën e Kampionëve të Azisë

Kapen hajnat në Prizren

0

Pas një pune intensive, sektori i Hetimeve të Stacionit Policor në Veri të Prizrenit, ka arritur që të identifikojnë dhe të arrestojë të dyshuarit: M. Q., A.G. dhe A.R., pasi që i njëjtit në periudhën kohore Korrik-Shator 2016 në Lagjen “Dardania” në Prizren në bashkëveprim kanë kryer Vjedhje të Rëndë.

Pas një plani operativ taktik të bërë nga hetuesit është bërë arrestimi i tyre. Të dyshuarit në prani të avokatit mbrojtës janë intervistuar.

Në deklaratat e tyre ata pranojnë se i kanë kryer veprat penale në tri lokacione të ndryshme. Tek te dyshimtit janë gjetur dhe janë konfiskuar në cilësi të provës materiale gjësendet e vjedhura: dy orë dore, dy aparate fotografik si dhe bizhuteri të ndryshme (vathë, unaza, zinxhir).

Në lidhje me veprimet policore është njoftuar Prokurori i Shtetit dhe i njëjti merr vendimin për ndalimit policor për 48 ndaj të dyshuarave. Rasti është duke u hetuar nga njësiti i hetimeve në kompletimin e rasteve.

Tragjedia që u erdhi famijes Begaj nga qielli

0

Familja Begaj ka hapur dyert për t’i shprehur ngushëllime pas vdekjes në fatkeqësi ajrore të birit të tyre – pilotit Visar Begaj.
Familjarët e Visar Begajt ende nuk kanë marrë informacione se kur do të mundë të tërhiqet kufoma pastaj kur do të bëhet varrimi e as kur do të mundë të bëhet ekspertiza dhe identifikimi i trupave të vdekur.

Kryetari i Komunës së Malishevës Ragip Begaj, njëherësh kushëri i të ndjerit, ka thënë se ka kontaktuar me ambasadorin e Kosovës në Maqedoni Ylber Hysajn për t’u informuar lidhur me fatkeqësinë që ka ndodhur.

Begaj derisa po qëndronte tek familja e të ndjerit ka thënë për “Zërin” se mes të vdekurve është edhe kushëriri i tij Visari.

Kosovari që vdiq në fatkeqësi ajrore në Shkup jetonte në Itali

Ndërkohë ai ka pohuar se i vëllai tjetër i Visarit, për të cilin disa medie spekuluan se ka ndërruar jetë, gjendej shëndosh dhe është lajmëruar nga Kroacia.

Kryetari Begaj ka treguar edhe disa detaje në lidhje me kushëririn e tij të ndjerë. “Ai ka jetuar së bashku me familje në Itali”, ka thënë kryetari Begaj, sipas të cilit, i ndjeri kishte një plan investiv në Kosovë, konkretisht në komunën e Istogut.

Gazeta “Zëri” jozyrtarisht ka kuptuar se ishte paraqitur edhe një problem teknik rreth transferimit të kufomave, pasi shteti italian ka kërkuar që viktimat e aksidentit ajror të dërgohen në Itali. Ndërkohë familjarët e Visar Begajt, siç ka marrë vesh “Zëri”, kanë shkuar në Shkup që t’i paraqesin kërkesat e tyre që viktima me prejardhje nga Kosova të varroset në vendin e lindjes – Banjë të Malishevës.

Gazeta “Zëri” ka arritur të marrë edhe një prononcim nga Abaz Abazi, i cili ka qenë ish-partneri i të ndjerit Visar Begaj në biznesin e aviacionit. Abazi ishte edhe themelues i Qendrës Kosovare për Aviacion.

Abazi ka treguar se me të marrë vesh për lajmin ka udhëtuar në drejtim të vendit të ngjarjes, por ai ka thënë se autoritetet maqedonase nuk e kanë lejuar që të shkojë tek vendi, por ishte shumë afër aksidentit me përmasa fatale për Begajn dhe bashkudhëtarët e tij.

Abazi ka thënë për “Zërin” se me të ndjerin kishte udhëtuar disa herë me të njëjtin aeroplan, si dhe bashkë me Françesko Montager, drejtor i shkollës së Aviacionit në Trevizo të Italisë, që gjithashtu ka pësuar në këtë fatkeqësi.

Vëllezërit Begaj udhëtuan me aeroplanë të ndarë

Sipas Abazit, Begajt kishin planifikuar që të ndërtojnë një aeroport në komunën e Istogut, për çka edhe kishin marrë në shfrytëzim disa hektarë tokë.

Abazi ka thënë se para disa muajsh kishin “ndarë rrugët”, pasi që ai thotë se nuk kishte dashur që të vazhdojë më këtë biznes.

Ai ka treguar se ishte pikërisht Shkupi vendi ku zakonisht ateronin gjatë njërit udhëtim, pasi aeroplani mbante kerozinë vetëm deri në atë destinacion. “Aeroplani e kishte rezervuarin të asaj madhësie saqë kishte kerozinë për 5 orë udhëtim. Derisa ardhja deri në Prishtinë dhe kthimi në Trevizo do të zgjaste 7 orë. Andaj detyrimisht aeroplani do të duhej gjatë njërit udhëtim të ndalej në Shkup për t’u mbushur me kerozinë”, ka thënë ai.

Abazi ka treguar se ishin katër aeroplanë që po vinin kësaj radhe në përvjetorin e Qendrës Aeronautike të Kosovës, ngjarje kjo e planifikuar më datën 7 shtator 2016, në qytetin e Istogut.

Vëllezërit Begaj ishin ndarë në dy aeroplanë. Njëri kishte mbetur në Kroaci, ku nuk kishte mundur të fluturojë për shkak të motit të lig.

Në anën tjetër autoritetet në Maqedoni në vendin e ngjarjes ku u përplas aeroplani kanë gjetur krahun e tij me një gomë, kutinë elektronike metalike, dy telefona celularë, harta për udhëtim dhe një dokument udhëtimi italian.

Aeroplani nuk ka kuti të zezë, vetëm ekspertët mund të flasin për shkaqet e vdekjes

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka kumtuar se në koordinim me institucionet e tjera kompetente po ndërmerren masa dhe aktivitete për përcaktimin e të gjitha veçorive për fatkeqësinë e aeroplanit.

Pas veprimeve të ndërmarra fillestare në terren, ekipi i formuar gjatë natës në mëngjesin e së mërkurës është nisur drejt vendit të fatkeqësisë me qëllim të vazhdimit të aktiviteteve në drejtim të sigurimit të vendit të ngjarjes, kryerjes së ekspertizës dhe identifikimit të personave të vdekur, me qëllim të sigurimit të dëshmive të shkaqeve të fatkeqësisë së aeroplanit dhe vdekjes së udhëtarëve.

Për shkak të kushteve të këqija në terren është konfirmuar se ekipet arritën në terren në orën 10:00 dhe më 10:30 ka filluar sigurimi i lokacioneve për shënimin krim-teknik të gjurmëve.

Ekipi në terren është përbërë nga prokurori publik, përfaqësues nga Mjekësia Ligjore, hetues nga Komiteti për Hulumtim të Fatkeqësive Ajrore dhe Incidenteve Serioze, si dhe nëpunës policorë nga Sektori për Hulumtime Kriminalistike-Teknike, etj.

Ndërkohë sipas medieve italiane, shkakun për rrëzimin e aeroplanit do të duhet ta konfirmojë një ekip ekspertësh, pasi aeroplani “Pajper” nuk ka kuti të zezë.

Nga Trevizo u larguan katër aeroplanë me 20 udhëtarë. “Tre aeroplanë kanë arritur, ndërsa një është rrëzuar me siguri për shkak të kushteve të këqija të motit”, deklaroi Mauricio Patueli nga aeroklubi “Trevizo”, transmetojnë mediumet italiane, sipas të cilëve aeroplani i ka pasur të gjitha lejet për fluturim.

Fatmir Limaj, sot viziton Prizrenin

0

Kryetari i Nismës Fatmir Limaj, do të qëndrojë sot në Prizren.

Ai bashkë me deputetin Zafir Berisha, ka planifikuar të vizitojë Shoqatën e Zejtarëve dhe Afaristëve.

Takimi do të mbahet ora 19.00

“Kujunxhinjtë” e Prizrenit

0

P rizreni veçohet me trashëgimi, ruajtje dhe pasuri arkeologjike. Por, edhe me ruajtjen e traditave e të trashëgimisë .Prizreni dallohet edhe si qendër vilajeti dhe qendër konsullore. Pas pushtimit turk më 1455, Prizreni kreu funksionin e qendrës së Sanxhakut, ndërsa me organizimin e ri administrativ të Perandorisë Osmane, bëhet qendër vilajeti. Në gjysmën e dytë të shek. XIX, në Prizren hapen përfaqësitë diplomatike të disa vendeve të Evropës, shkruan gazeta Kosova Sot.

Austria ishte vendi i parë që hapi përfaqësi konsullore, ndërsa këtë hap e ndoqën edhe Rusia, Anglia e Italia. Prizreni zë vend të veçantë edhe në historinë e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Derisa sipas Millan Shufllajt, Balshajt kishin në Prizren ipeshkvin katolik (frater Johannis episcopus Prizrenensis), i cili kishte lënë në Ston katër libra si testament, më 16 qershor 1375. Si dëshmi mbi administrimin e qytetit të Prizrenit nga Balshajt është varri i Strazimir Balshës, i gjetur afër varrit të Dushanit në manastirin e Kryeengjëjve. Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte përpjekje serioze për mbrojtjen e integritetit tokësor dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve. Të gjitha këto tek ndjenjat e atyre që merreshin me artin e bukur të filigranit, në një formë ose në një tjetër ata i bartën këto motive më vonë në punimet e tyre.

Ruajtja e traditës

Prizrenin për shkak të këtyre ngjarjeve dhe për faktin se ishte në qendër të vëmendjes u ngrit në piedestal punimi e “sermit” ashtu siç e quanin argjendin. Kjo pastaj të gjithë zejtarët i çoi drejt përbashkimit të tyre. Në kohën e dominimit të prodhimtarisë zejtare, Prizreni u ngrit në një nga qendrat më të mëdha zejtare në Ballkan. Në punëtoritë e shumta të këtij qyteti ushtroheshin më shumë se 120 lloje zejesh, nga më të ndryshmet. Prodhimet e zejtarëve prizrenas jo vetëm se shiteshin në tregjet e mbarë Perandorisë Osmane, por ato depërtonin edhe në vende tjera, madje edhe deri në Indi.

Në veçanti është e njohur tradita e përpunimit artizanal të metaleve fisnike – filigrani. Prizreni sërish mund ta fitojë shansin e vet historik në kuadër të një impakti ekonomik e kulturor. Revitalizimi dhe mbrojtja e fondit të trashëgimisë kulturore si dhe inkurajimi në riaktivizimin e atyre veprimtarive karakteristike ekonomike, do të mundësonin që Prizreni të bëhet partner i denjë në bashkëpunimin kulturor e ekonomik me qytetet tjera të Ballkanit, Evropës Juglindore dhe më gjerë. Po veçojmë vetëm rastin e “kujunxhinjve” siç janë quajtur kryesisht argjendarët. Dikur për prodhimet e këtyre kishte edhe një Çarshi që quhej “Çarshia e kujunxhinjve”.Zejen e punimeve të argjendit dhe filigranit kryesisht e kanë përcjellë argjendarët e besimit katolik. Duke filluar me Pjetër Kolveshin, i cili pastaj e përcolli deri tek i biri Antoni e më vonë nipat Petrushi, Mateja, Lorenci, Andreja etj. Meqë Prizreni vazhdoi të mbetet një qendër e tillë kryesore ndoshta në gjithë Ballkanin. Ata në vitin 1947 bashkohen në një kooperativë.

Dyqanet e shpërndara

Argjendarët janë ndër mjeshtrit më të njohur të Prizrenit, për esnafët e të cilëve kanë shkruar edhe historianët. Duke krijuar stoli e objekte arti prej arit, argjendit e metaleve të tjera, të kombinuara me gurë, ata kanë kontribuar në përhapjen e emrit të Prizrenit në tërë botën. Argjendarët e kësaj zone me teknikën e derdhjes kanë punuar kuti të duhanit, çibukë, cigarellëqe, pjesë të qostekut, unaza, byzylykë, vathë, pjesë të gjerdanëve, tabakë të mëdhenj, gota uji e vere, filxhanë, etj. Ndërkohë, me teknikën e filigranit, që është karakteristikë e argjendarëve prizrenas, pos që janë zbukuruar objektet e punuara me derdhje janë krijuar edhe vepra të shumta origjinale nga fijet e holla të metaleve të çmuara. Argjendarët dikur në Prizren kanë pasur edhe këndin e vet, që është njohur si Çarshia e Kujunxhillëkut. Ndërkohë, tani dyqanet e tyre janë të shpërndara.

Gjeneratat e reja vazhdojnë ta ushtrojnë këtë zanat, me trajta të reja. Për nga vjetërsia, byzylykët e tipit të mbyllur me disa rende zinxhirësh dhe disa lloje pafta brezi janë punuar në shekullin XVIII e XIX. Qostekët për orë të burrave, stolitë e kokës ” takëmi me aski”,unazat dhe byzylykët prej një e më shumë pjesësh dhe kornizat e pasqyrave janë të fundit të shekullit XIX e të fillimit të shekullit XX. Ndërkaq,punimet më të reja,të fillimit të shekullit XX, janë zinxhirët e burrave,vathët,qaforet e grave,byzylykët njëpjesësh,dypjesësh e shumëpjesësh të tipit të mbyllur, broshët dhe brezat e argjendta filigranike dhe byzylykët e brezat “fishekli”. Sot zeja e argjendarisë vepron në më se 5O shitore private. Në këto shitore ne mund të shohim ose të blejmë ndonjë prodhim të vjetër,të punuar para 5O-6O vjetësh kryesisht për regjionin e Hasit të Prizrenit dhe fshatrat e tjera përreth qytetit. Sot argjendarët punojnë modele të reja prej ari e argjendi, në përshtatje me kërkesat e reja të blerësve.

(Kosova Sot)

Qosja dhe Demaçi favorit për Nobel

0

Në programin e mëngjesit në Klan Kosova, Drejtuesi i unionit të shkrimtarëve të Kosovës, Reshat Sahitaj, tha se të fitohet apo të qenit pjesë e garave për çmime botërore, siç është ai i Nobelit, është çështje e përmirësimit të imazhit të Kosovës në çdo aspekt.

Shkrimtari Sahitaj, tha se me anë të kulturës, e gjithë bota ka filluar të shkruaj për shqiptarët e Kosovës, pasi që kultura është ambasadori më i fortë i një shteti.

Duke iu referuar Rexhep Qosjes, i cili është kandidat për këtë vit për çmimin Nobel në fushën e letërsisë si dhe Adem Demaçit i cili është kandidat për çmimin Nobel për Paqe, Reshat Sahitaj tha se është arritje shumë e madhe për një vend, sepse është çmimi më prestigjioz në botë.

“Gazetat botërore kanë filluar të shkruajnë për shqiptarët për shkak të punës së tyre me veprat e tyre. Është Shën Tereza, Rita Ora, Majlinda Kelmendi e cila fitoi medaljen e artë në Rio duke mos harruar Dua Lipa e shumë e shumë personazhe të tjera që kanë kontribuar në pozitivistet të vendit. Kultura është ambasadori më i mirë i një shteti në Ballkan e në botë”.

“Kosova ka pasur disa ngjarje kryesore të tilla duke qenë pjesëmarrje e që i kanë përmirësuar imazhin e saj në çdo mënyrë”.

“Ky është një sukses i madh arritje shumë e madhe sepse çmimi nobel është çmimi më prestigjioz në botë”.

“Për dallim shtetet tjera paguajnë për të sponsorizuar garuesin, ndërkaq ne nuk kemi mbështetje të tillë”.

“Kjo është hera e parë e popullit shqiptar si në Kosovë edhe në Shqipëri, që drejtues të huaj të unionit të shkrimtarëve, kanë mbështetë në mënyrë humanitare garuesit tanë”.

“Data për mbajtjen e ceremonisë për ndarjen e çmimit për letërsi ende nuk dihet e saktë. Nuk e dimë por mendohet për shkak të kushteve në Suedi. Askush nuk e di sepse është një proces i tyre”.

“Në mesin e kandidatëve, më 7 tetor ora 11:30 minuta do të fitojë Adem Demaçi. Sepse kur shikohet historia e tyre shumica e personave të tillë kanë të fituar çmimin Saro, çmimi më prestigjioz në Evropë, e është një parakusht që dikush mund të zgjidhet fitues për Paqe.’’

“Shumica prej vendeve të huaja, kanë shumë optimizëm që Adem Demaci do të fitojë çmimin për Paqe”.

‘’Zonja Merkel dhe Trump, kanë dhënë shumë materiale, për të arritur një çmim të tillë për ngjarjen e Nobelit, por Adem Demaqi është më i preferuari.’’

‘’Edhe tek fusha e letërsisë ka gjasa që Qosja të jetë fitues”

Mustafa dhe LDK-ja dorëzohen përballë “Prontos”

0

Analistët dhe deputetët e opozitës theksojnë se Isa Mustafa është vetë e keqja e Kosovës, derisa krijohet përshtypja që edhe heshtja e tij karshi skandalit të fundit, ‘Pronto’, është e qëllimshme, ngase edhe vetë LDK-ja përfaqëson një lloj të skandalit ‘Pronto’, e si rrjedhojë nuk distancohet prej tij,raporton Gazeta Kosova Sot

Ani pse mori përmasa tejet të mëdha në opinion, skandali ‘Pronto’, që ditëve të fundit arriti të bëhej çështja më e diskutuar dhe e përfolur për çdo ditë, hiq disa deklarimeve se me këtë çështje duhet të merret drejtësia, deri më tani akoma nuk ka pas ndonjë reagim më serioz nga i pari i Qeverisë së vendit, Isa Mustafa, dhe as nga ndonjëri bashkëpartiak i tij. Analistët e kësaj fushe, por edhe opozitarët kanë vlerësuar se kjo heshtje dhe indiferencë karshi këtij skandali, mbase është edhe normale për Isa Mustafën, ngase partia e tij është në bashkëqeverisje me atë të protagonistëve të skandalit ‘Pronto’.

Por pavarësisht kësaj, ata kanë tërhequr vërejtën se në kushte normale kjo nuk e amniston askënd qoftë ata të koalicionit në pushtet por edhe të tjerët që mos të reagojnë ndaj çdo të keqeje që ndodh në shoqërinë tonë. Ndaj është shtuar edhe dilema se nëse kjo heshtje e LDK-së dhe kreut të saj, mund të jetë vetëm për ta mbrojtur këtë skandal përmes ndikimeve në drejtësi, mbase analistët kanë nënvizuar se edhe vet LDK-ja, është një parti, e cila funksionon mbi bazën e këtij modeli, derisa është ngritur edhe pyetja e sipërpërmendur se përse asnjëherë i pari i Qeverisë Isa Mustafa nuk e dënoi skandalin, ‘Pronto’ dhe autorët e tij të cilët i ka partnerë të koalicionit në Qeveri?. Analisti politik dhe juridik, Mazllum Baraliu, në një prononcim për gazetën, “Kosova Sot”, ka thënë se një reagim i tillë nga kreu i Qeverisë, duke e dënuar skandalin e fundit ‘Pronto’ nuk ka ndodhur për shkak se janë partnerë dhe kanë interesa të përbashkëta, derisa siç tha është e natyrshme, ngase edhe kanë një marrëveshje në koalicion të partneritetit.

U harruan akuzat e fushatës Baraliu thotë se ani pse gjatë kohës së zgjedhjeve, gjegjësisht fushatave parlamentare orientimi i sulmeve dhe pakënaqësive kishte qenë i orientuar në mes, siç tha këtyre dy partive, njëra kundër tjetrës, e veçanërisht LDK-ja kundër PDK-së, tani janë në pushtet së bashku dhe kanë interesa të përbashkëta dhe po heshtin. Isa Mustafa e kishte moto të fushatës qeverinë pa PDK-në e SHIK-un, por përfundoi në koalicion me ata që i akuzonte përditë, me klanin “Pronto”.

“Kështu që është çështje e politikës, po ashtu çështje e orientimeve të tyre, por e vërteta është se në këtë drejtim ky është një problem serioz, i cili do duhej të kishte edhe adresime, por do duhej të kishte edhe reagim, pasi pavarësisht koalicionit ajo që nuk është e mirë si fenomen në shoqëri do duhej të luftohej edhe nga anë- tarët e koalicionit por edhe nga qeveria, dhe po ashtu nga shoqëria civile”, vijoi më tej ai. “Pra çdo qytetar aktiv dhe çdo qytetar i Kosovës ka përgjegjësi që në çdo të keqe dhe në çdo fenomen negativ të reagohet dhe të luftohet me metoda ligjore dhe demokratike”, ka theksuar analisti Mazllum Baraliu.

Qytetarët paguajnë faturën abuzive të politikës

0

Edhe pse pushteti ia lë fajin opozitës, përgjegjësia kryesore bie si gjithnjë mbi ata që kanë poste drejtuese, të cilët kanë dështuar që të krijojnë një ambjent më të mirë biznesi dhe pune ,raporton Gazeta Kosova Sot

Qeveria e koalicionit të tanishëm PDK-LDK, e kryesuar nga kryeministri Isa Mustafa, po e justifikon dështimin e vet në shënimin e progresit të kërkuar nga Bashkimi Evropian për sundimin e ligjit, si kriter themelor për liberalizimin e vizave, duke provuar që të shfajësohet para qytetarëve për këtë dështim dhe po përpiqet t’ia faturojë opozitës fillimisht fajësinë për dështimin me Demarkacionin dhe me asociacionin, dhe si rrjedhoje edhe me liberalizimin e vizave. Mirëpo përfaqësuesit e opozitës dhe analistët politikë theksojnë se bindja dhe vetëdijesimi qytetar për dështimin e qeverisë në të gjitha përgjegjësit e saj, është aq i madh saqë një mashtrim i tillë para votuesit assesi nuk mundë të shitet. Mbi këtë bazë, edhe ky koalicion qeverisës është shumë e pritshme që ta paguaj shtrenjtë faturën e dështimit në zgjedhjet e reja kurdo që mbahen ato. Nënkryetari i AAK-së, Ahmeti Isufi, tha se që nga fillimi i mandatit të ri qeverisës, ky koalicion ka filluar me dështime dhe ato janë shumë të dukshme.

“Qeveria e Kosovës në asnjë mënyrë nuk ka fakte për t’i adresuar dhe faturuar dështimet e vetë në të gjitha fushat e qeverisjes së vendit, në përgjegjësi të subjekteve politike opozitare”, tha Isufi.

Ai ka pohuar se është manipulim i rëndë i qeverisë së Kosovës përpjekja për ndërlidhjen e procesit të vizave me këto marrëveshje.

“Edhe ky është një mashtrim i rëndë që po bëhet ndaj qytetarëve nga ana e qeverisë së Kosovës, për këtë mashtrim kjo qeveri gjithsesi do ta marrë ndëshkimin meritor”, tha ai.

Koalicioni i interesave të ngushta Edhe analisti politik, Jeton Kelmendi, thotë se kjo qeveri që në fillim u ndesh me telashe të mëdha dhe me dështime, sepse ishte një koalicion i interesave të ngushta të klanit ‘Pronto’, me një njeri “të sëmurë: për pushtet, që është Isa Mustafa.

“Kosova po vuante nga grupe kriminale që udhëheqshin me vendin dhe çdo segment i jetës në Kosovë po kontrollohej nga mafija politike. Në këtë situatë “shoku” Mustafa çuditërisht arriti ta hipnotizojë partinë e Ibrahim Rugovës, natyrisht duke u bërë magji te SHIK- u i Kadri Veselit, madje deri sot kujt i bëri magji kjo organizatë parapolitike e kapën keq magjitë… ani fajtor i padiskutueshëm është Isa Mustafa dhe Hashim Thaqi e Kadri Veseli edhe për Demarkacionin, asociacionin e komunave serbe dhe për dështimet me liberalizimin e vizave, sado që tentojnë t’ia hedhin fajin opozitës”, theksoi ai.

“Nëse e masim me përqindje, 70 përqind të këtij faji e bartin qeveritarët, kundrejt 15% të fajit që i takon mbase opozitës, sepse aq ka fuqi politike, dhe 15% të fajit e kanë edhe qytetarët dhe shoqëria civile që nuk e rrëzuan qysh para sa muajsh këtë qeveri kleptokratike”, tha Kelmendi për “Kosova Sot”. Ai ka pohuar se pavarësisht këtij fakti, kësaj ndarje të fajësisë, faturat po paguajnë më së rëndi qytetarët e Republikës së Kosovës dhe kjo është më e keqja, sepse politikanëve nuk ju prishë punë as liberalizim i vonuar as shitja e tokës së Kosovës

Mustafa: Koalicioni do t’i ketë votat për ratifikimin e demarkacionit

0

Isa Mustafa ka thënë se si kryeministër i vendit do t’i bëjë të gjitha përpjekjet institucionale, ligjore dhe politike që të krijojë mundësi që të gjithë faktorët politikë dhe shoqërorë ta japin kontributin e tyre, që demarkacionin me Malin e Zi ta adresojnë me interes nacional.

Ai në një intervistë për “Epokën e re”, ka thënë se në këtë mënyrë do t’i hapin rrugë liberalizimit të vizave, transformimit të FSK’së, forcimit të subjektivitit ndërkombëtar dhe rikonfirmimit të partneritetit strategjik me SHBA’në.

Mustafa ka thënë se koalicioni qeverisës nuk është zmbrapsur sa i përket demarkacionit me Malin e Zi dhe asociacionit të komunave serbe.

Ai ka thënë se koalicioni qeverisës do t’i ketë votat e nevojshme për ratifikimin e demarkacionit.

Duke folur rreth mundësisë që, nëse nuk ratifikohet projektligji për demarkacionin me Malin e Zi, vendi të shkojë në zgjedhje, Mustafa ka thënë se nuk ua ka frikën zgjedhjeve.

Ai ka theksuar se kauzat e opozitës janë kauza fiktive, të krijuara me qëllim të rrëzimit të pushtetit.