Home Blog Page 5818

Qeveri teknike, për vendime të mëdha

0

Të zhgënjyer nga prolongimi i formimit të qeverisë së re dhe institucioneve të tjera, por edhe nga imperativi i bërjes së reformave në shumë fusha, e veçanërisht asaj të drejtësisë, analistët dhe specialistët e kësaj fushe janë të mendimit se partitë parlamentare duhet të gjejnë një kompromis urgjent në mënyrë që sa më parë të formojnë mbase edhe një qeveri teknike të unitetit kombëtar me mandat 1 deri në 2 vjet. Analistët ndërkaq janë të mendimit se kjo do të nevojitej për të bërë reformën zgjedhore dhe kushtetuese, pastaj reformën në drejtësi me Ligjin e VETTING-ut, Ligjin e dekriminalizimit për vetë- pastrimin e të gjitha kuadrove të inkriminuara në institucionet e shtetit, si dhe për të kaluar temat e rënda si Demarkacioni, Asociacioni, e pastaj të shkohet në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme. Analisti Skender Mulliqi, në një prononcim për gazetën “Kosova Sot”, ka thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk janë duke u sjellë asgjë të mirë Kosovës dhe qytetarëve të saj veçse janë duke na sjellë, siç tha, kriza politike dhe kriza të vazhdueshme institucionale, derisa Parlamenti i Kosovës moti është shndërruar në cirk. Tutje, sipas tij, edhe pas këtyre zgjedhjeve vendi është duke shkuar nga thellimi i krizës, por gjithnjë me tendencë të rrëshqitjes në anarki. “Edhe seanca e gjashtë e mbajtur, ku ishte edhe koalicioni PAN, nuk solli konstituimin e institucioneve të shtetit, vetëm debate shterpe, akuza dhe kundërakuza midis Kadri Veselit dhe Albin Kurtit”, u shpreh ai. Sipas tij, kjo klasë politike ka dështuar në shtetndërtim dhe mirëqenie të përgjithshme.

Lakmitarët e pushtetit

Mulliqi thotë se kjo elitë politike në pushtet është vetëm lakmitare për pushtet dhe të mira materiale e asgjë më shumë. “Këta kuvendarë të rinj e më shumë të garniturës së vjetër nuk e kanë merituar besimin e qytetarëve të Kosovës. Këtë mosbesim e kanë vërtetuar shumë herë deri më tash me punë të mbrapshta, me hajni masovike dhe me shumë keqpërdorime të pushtetit. Këta janë do hileqarë dhe do qyqarë, të cilët po e dërgojnë Kosovën në greminë. Duket së nuk do të këtë zgjidhje të ngërçit politik dhe institucional, së këta njerëz nuk janë të gatshëm të bëjnë asgjë që kjo krizë të kapërcehet duke i lënë anash interesat personale. Kriza zgjidhet me fytyra të reja politike, kriza zgjidhet me reformim të partive politike, të cilat janë shndërruar në korporata”, u shpreh ai.”Shtet nuk mund të bëjmë pa reformë edhe kushtetuese, shtet nuk mund të bëjmë pa futjen në zbatim të Ligjit të Vetting- ut. Sigurisht se edhe pa spastrimin e mbarë aparatit të shtetit nga elementet e shumta kriminale nuk do të kemi edhe për shumë vite shtet ligjor dhe funksional. Kjo elitë politike nuk ka mundësi që t’i zgjedhë as temat e rëndësishme, siç janë ” Zajednica” dhe Demarkacioni. Tashmë pas gjithë asaj çka jemi duke përjetuar dhe po shikojmë në skenën tonë të zymtë politike është më së e nevojshme një qeveri e unitetit kombëtar, kalimtare, e cila do ta nxirrte vendin nga rrathët e Dantës. Edhe këtë punë kjo klasë politike zor se do të tregohet e gatshme ta bëjë, kur dihet së këto grupime politike përveç interesave personale dhe interesave biznesore nuk shohin asgjë tjetër para vetit”, potencoi ai. “Këta njerëz të papërgjegjshëm dhe pa moral politik janë duke e sjellë situatën që Kosova sërish të zbrazet. Ekziston rreziku i valës së re të largimit të të rinjve që do të ishte katastrofale për të ardhmen e Kosovës”, tha më tej Mulliqi.

Skema piramidale e korrupsionit

Analisti Hidajet Ahmeti ka gjykuar se formimin e institucioneve të reja nuk duhet ta mbajnë peng disa persona, të cilët nuk shohin jashtë interesave të tyre personale dhe jashtë kornizës së ngushtë të klientelës së tyre politike, derisa sipas tij zvarritja e formimit të institucioneve po i mban peng shumë procese të rëndësishme për Republikën e Kosovës, duke vonuar proceset të cilat do të lehtë- sonin jetën e qytetarëve dhe njëkohësisht do të ofronin shtetin e Kosovës drejt organizatave të rëndë- sishme ndërkombëtare. “Çdo ditë vonese drejt formimit të institucioneve të reja është një vonesë për konsolidim të shtetit të Kosovës dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Fillimisht duhet të shteret baza kushtetuese e ligjore e pastaj të mendohet për një version të qeverisë teknike, pasi që akoma nuk është shterur mundësia për formimin e institucioneve të reja brenda kornizës kushtetuese”, theksoi ai. “Një qeveri teknike do t’u konvenonte atyre që po bllokojnë formimin e institucioneve të reja, por jo atyre që i kanë numrat për formimin e institucioneve. Gjykoj se qeveria e re e së bashku me legjislaturën e re duhet të këtë fokusin në reformën substanciale në sistemin e drejtësisë, pasi që drejtësia në vend se të jetë objekt ku luftohen krimi, korrupsioni e kontrabanda, sistemi i drejtësisë është bërë vatër e keqpërdorimeve më të mëdha në vend”, vijoi më tej Ahmeti. “Sistemi i drejtësisë në Kosovë është ndërtuar brenda skemës piramidale të krimit e korrupsionit, duke instaluar njerëz të tyre përmes politikës së mbrapshtë dhe duke përdoruar ata për qëllime të ngushta personale e klienteliste. Duhet të ndodhë çlirimi i gjyqësorit nga kapja e politikës që i ka ndodhur nga paslufta, duke e pavarësuar të punojë e të veprojë brenda mandatit kushtetues e ligjor, me profosonalizëm, integritet e punë. Çlirimit të sistemit të drejtësisë duhet t’i prijë vullneti politik, i cili ka munguar deri më tani, duke i ndihmuar në aspektin financiar me rritjen e buxhetit , duke shtruar bazën ligjore, e cila do të këtë efekte pozitive dhe mbi të gjitha mekanizmat kontrollues që dalin nga Parlamenti duhet të jenë profesionalë, e posaçërisht të mos jenë njerëz të politikës”, deklaroi Ahmeti.

Kushtetuta duhet të ndryshohet

Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Blerim Burjani, thotë se reforma legjislative në fushën e sistemit zgjedhor duhet të ndodhë patjetër dhe kjo po shihet se me këtë sistem është absurde që dikush të mbërrijë shumicën relative, derisa siç tha duhet të adresohet në zgjidhje njëherë e përgjithmonë. Pra, sipas tij Kosova ka nevojë për reformën zgjedhore dhe kushtetuese, dhe pa filluar ndryshimin e Kushtetutës nuk ka as formim të ushtrisë dhe asgjë, pasi kjo kushtetutë që është kalimtare dhe u ngurtësua nga klasa politike dhe nga një pjesë e bashkë- sisë ndërkombëtare është problematike shumë për zhvillimet në shtet.”Sidoqoftë, kjo legjislaturë duhet të ketë tri iniciativa që duhet t’i konkretizoj’ dhe që është e vështirë, sidomos për reformën zgjedhore që iu konvenon partive të vogla, ndërsa Kosova me një sistem zgjedhor gjysmë-mazhoritar më së shumti do të ketë tri parti politike në skenë, por jo kaq shumë dhe jo produktive dhe të dëmshme për shtetin dhe interesin qytetar, pra duhet sa më parë të fillojnë këto gjëra, pa dilemë edhe Ligji për Vetting-un”, është shprehur ai.”Ndërkaq, Demarkacioni dhe Asociacioni janë tema të vështira, sidomos Asociacioni i komunave serbe mos të them se është tërësisht i pamundshëm, sepse dezintegron dhe dobëson shtetin unitar të Kosovës. Përderisa Demarkacioni nuk ka ndonjë rëndësi të madhe është plotësisht teknike, mjafton që Kosova kuptohet bazuar në planin e Ahtisarit të ketë kufijtë e vitit 1974″, theksoi Burjani. Duhet qeveri e vendosur Politologu Gurakuç Kuçi mendon se në asnjë moment nuk duhet të shkohet me qeveri teknike, pasi nuk ka gjendje krize shtetërore, por siç tha jemi në krizë politike për poste, me çka duhet të kihet kujdes se çka kur përdoret dhe jo vetëm të kërkohen zgjidhje shabllone dhe precedenca që mund të na kushtojnë në të ardhmen.

“Një krizë më të ashpër se ne kishte Maqedonia dhe nuk mori një hap të tillë, ndërsa asnjë temë e madhe nuk kalon me qeveri teknike, brenda së cilës kërkohet kompromis i madh, që për shkak të shumë qejfeve është pothuajse e pamundur. Qeveritë teknike janë qeveri kalimtare që prodhojnë vetëm funksionim administrativ dhe asgjë më shumë. Duhet qeveri e vendosur për të kaluar tema të mëdha, e cila ka fuqinë dhe kredibilitetin që të shtyjë përpara procese në të mirë të vendit”, potencoi ai.”Opsioni për qeveri teknike ka humbur vlerën edhe më shumë kur me të po bëhen kalkulime politike që prapë do të dërgojnë në kriza të reja. Nuk jemi para një situate që nuk ka zgjidhje politike dhe janë të paktën tri mënyra se si mund të zgjidhet kjo krizë politike, por jemi para një situate ku ligji përdoret si bllokim e fuqia politike si privilegj, që nëse i numërojmë nga zgjedhjet deri më sot nga të gjitha palët, na dalin mbi 100 herë që na kanë gënjyer, mashtruar dhe i kanë ndryshuar deklaratat politike”, vijoi më tej Kuçi.”Pra, kjo gjendje për të gjetur zgjidhje kërkon vullnet politik, ulje të egos për poste, respekt politik dhe shtetar”, deklaroi për gazetën “Kosova Sot” politologu Gurakuq Kuçi.

Qytetari, viktimë e bandave

Analisti Ali Hertica shprehet se hipokrizia, e cila po përdoret nga lidershipi kosovar, është drejtpërsëdrejti një atakim për qytetarin, i cili po bie viktimë e bandave kriminale të politikëbërësve, duke mos shkuar deri tek formimi i qeverisë së qëndrueshme për t’i shtyrë proceset përpara, që janë madhore për shtetin, derisa siç tha e gjithë kjo tregon egon e tyre për pushtet dhe mosndryshime në reforma partiake e kushtetuese për mandat njëvjeçar, ku do të ishte një qeveri gjithëpërfshirëse dhe do të kishin prioritet disa çështje madhore për shtetin dhe vetë qytetarin, siç është Ligji për VETTING-un dhe dekriminalizimin e shtetit të të gjitha kuadrove të inkriminuara në krim të organizuar, që janë të instaluara në institucione të shtetit.

“E gjithë kjo qeveri teknike do të merret me disa çështje kruciale, siç është Demarkacioni dhe Asociacioni i komunave serbe, ku në të ardhmen nuk do të kishte pas paragjykime ndaj asnjë subjekti politik dhe të gjithë do ta kishin marrë dënimin nga qytetari. E gjithë kjo kohë do ishte për disa muaj apo së paku një vit, ku do të kishe pasur zgjedhje të përgjithshme, ku do të ndahej shapi nga sheqeri, pa u bashkuar asnjë koalicion dhe kjo do ishte shpëtimi i Kosovës”, pohoi për gazetën “Kosova Sot” analisti Ali Hertica. Ndërsa, analisti Ymret Reshiti ka nënvizuar se është kundër qeverisë teknike, por duhet të zbatohen Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese 2014. “Duhet presion i ambasadorëve të Quintit mbi PAN- in që të provojë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit pa asnjë shtyrje. PAN-i po e mban të bllokuar formimin e institucioneve duke shkelur Kushtetutën e Kosovës”, potencoi për gazetën “Kosova Sot” analisti Ymret Reshiti.(Kosova Sot)

Kadri Veseli: Shaqir Totaj nuk ka konkurrencë në Prizren

0

Kryetari i PDK-së Kadri Veseli thotë se kandidati i partisë së tij, për kryetar të Prizrenit, Shaqir Totaj, nuk ka konkurrencë.

Ai, beson në fitoren e katër të PDK-së në këtë qytet.

Thotë se Totaj, i duhet Prizrenit.

“Shaqir Totaj nuk ka konkurrencë në Prizren”, shprehet ai për RTV Besa, transmeton PrizrenPress.

Sipas tij, kandidati i PDK-së, Shaqir Totaj, është një personalitet i dinjiteteshëm.

“Ka aftësi të mira për institucionet”

Vesli premton se Totaj, do t’i sjellë zhvillim Prizrenit./PrizrenPress.com/

Nisma ia merr PDK-së kryetarin e nëndegës në fshatin Tërpezë

0

Naser Krasniqi, që deri me tani ka qenë kryetar i nëndegës së PDK-së në fshatin Tërpezë nga tash e tutje aktivitetin e tij do ta vazhdoj në partinë Nisma. Kjo është bërë e ditur nga ky subjekt politik nëpërmjet një publikimi në facebook.

Kjo tregon se PDK dega në Malishevë po ballafaqohet me mospajtime të mëdha dhe po ashtu çdo ditë e më shumë anëtarët e kësaj partie po largohen shkaku i mospajtimeve me zhvillimet e fundit.

Në anën tjetër Nisma po synon ti grumbulloj brenda vetës anëtarët e PDK-së parti me të cilën katër vite më parë i kishin ndarë rrugët, për shkak të mospajtimeve dhe akuzave të ndërsjella./malishevapress/

A do të shtyhet Kurban Bajrami?

0

Rreth dilemave se a do të shtyhet Festa e Kurban Bajramit për shkak se dita e parë e tij është të premten, imami Imri Llugaliu ka sqaruar se nuk paraqet problem që është atë ditë.“Fetarisht bile edhe më mirë është me qëllu Kurban bajrami të premten”, tha Llugaliu.

Se Kurban Bajrami do të shënohet ashtu siç është paraparë, është konfirmuar nga Bashkësia Islame e Kosovës.Kryeimami Sabri Bajgora për rtv21.tv tha se Kurban Bajrami do të shënohet sipas kalendarit të Arabisë Saudite, pra të premten tjetër, më 1 shtator. Kurban Bajrami ka për qëllim sakrificen, prerjen e një kafshe për hir të Zotit, që është edhe obligim i besimtarëve.

Sipas fesë Islame, therja e Kurbanit është një tregues i madh se njeriu është i gatshëm për të sakrifikuar për fenë e Allahut dhe për bindjen e tij ndaj Krijuesit. Me një akt të tillë, siç bëhet e ditur, myslimani tregon mirënjohjen e tij ndaj Allahut për mirësitë dhe begatitë e shumta që Zoti ia ka dhuruar njeriut. /RTV21

Faruk Begolli përkujtohet si artist, pedagog e njeri i madh

0

Me muzikë, ushqim, pije, shumë njerëz e pak fjalime u përkujtua ikona e kinematografisë kosovare, Faruk Begolli, në përvjetorin e dhjetë të vdekjes. Jo rastësisht njerëzit e filmit dhe të teatrit u mblodhën në oborrin e klubit “M”.

Ky objekt, ku ishte shtëpia e Shkëlzen Maliqit, dikur do t’i bënte konak Begollit. Tubimi i së mërkurës mbrëma nuk i ngjasonte një ceremonie përkujtimore, por më shumë një ndeje me artistë, shkruan sot “Koha Ditore”. Është bërë traditë që figura e Begollit të kujtohet përmes organizimeve të tilla, por gjithmonë duke e respektuar dëshirën e tij: që të pihet e të këndohet në vend se të vajtohet për të.

Derisa viteve të kaluara tubimi përkujtimor për Begollin organizohej nga miqtë e tij në teatrin “Dodona” – vendin ku Begolli e ka kaluar pjesën më të madhe të kohës – kësaj radhe ceremonia u organizua nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Aktorja e regjisorja Melihate Qena u ngjit në skenën e improvizuar për të lexuar pjesë të një poeme, të cilën Begolli e kishte recituar në vitet ’60, kur u regjistrua në Akademinë e Filmit dhe të Teatrit në Beograd.

“E mira është se edhe pse profa ka vdekur unë vazhdoj t’ia këndoj këngën dhe që na bën me dije se ai është i pavdekshëm dhe gjithmonë kështu do të jetë”, ka shtuar ajo.

Një histori me Begollin e ka rrëfyer edhe aktori Armond Morina, i cili po ashtu ka qenë student i tij. Morina ka thënë se Begolli është ikonë e kinematografisë kosovare.

Kjo ishte hera e parë që QKK-ja e bëri një organizim të tillë për ta kujtuar një prej figurave më të rëndësishme të skenës e kinematografisë kosovare.

Begolli mban rekordin e filmave në të cilët ka luajtur një aktor shqiptar gjatë karrierës së tij.

Prizren: Arrestit shtëpiak hajnit të arkës së destinuar për bamirësi

0

Gjykata Themelore e Prizrenit, përmes një komunikate për media, ka njoftuar të enjten se e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, duke i caktuar masën e arrestit shtëpiak prej një muaj të pandehurit me iniciale N.K., përcjell PrizrenPress.

I pandehuri dyshohet për shkelje të Kodit Penal, sepse me datën 11.08.2017, rrethë orës 12:30 minuta në Prizren në rrugën “Wiliam Voker”, në Qendrën e Regjistrimit Civil MPB, në filialin e Postës, personit tjetër ia merr pasurinë me qëllim të përvetësimit të kundërligjshëm për vete apo për personin tjetër, në atë mënyrë që nga sporteli i Filialës së Postës merr arkën me mbishkrimin “Jetimat e Ballkanit” në brendi të së cilës kishte rrethe 150 (njëqind e pesëdhjetë)euro, dhe largohet nga vendi i ngjarjes.

Me këtë veprim i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale, të vjedhjes nga neni 325 par.1 të KPRK-së. /PrizrenPress.com/

Zbulohen disa këngë të papublikuara të Prince

0

Një arkiv me regjistrime audio-video i Prince është zbuluar në një dhomë sekrete të yllit të muzikës në Paisley Park.

Qindra këngë të papublikuara më parë janë zbuluar sipas asaj që shkruan “The Sun”. Zbulimin e ka bërë motra e këngëtarit, i cili vdiq në 21 prill në rezidencën e tij në Minneapolis.

Për Tyka: “Ylli ka dashur t’i publikojë ato materiale, prandaj sapo të mundem do bëj atë që ai dëshironte”.

Gjithçka do të jetë pjesë e një muzeu i cili do të hapet shumë shpejt në nder të tij. Ndër të tjera në 21 tetor, në O2 Arena të Londrës, do të inaugurohet një ekspozitë dedikuar gjeniut të Minneapolis.

Mes objekteve në ekspozim do të jenë kitarat dhe kostumet e turneut që lidhen me albumin “Purple Rain” (1984-1985) dhe “Lovesexy” (1988-1989).

Enver Hoxhaj: Na duhet kohë, s’e kemi shumicën

0

Nënkryetari i PDK-së Enver Hoxhaj ka thënë se e kanë emrin për Kryepralamentar por nuk nuk e kanë shumicën për ta hedhur në votim atë.

Ai në fjalimin e tij në Kuvend ka kërkuar edhe pak kohë, një afat prej dy javësh në mënyrë që të Kryeparlamentari t’i ketë votat, raporton Express.

“Si koalicion që ka të drejtë për të propozuar kryeparlamentarin pra si një hap i parë dhe pastaj me nënkryetarët ne kemi kërkuar kohë këto javët e fundit por në fund të fundit jemi në polikë dhe në polikë funksionojnë gjërat ashtu siç kanë të drejtë. Ne kemi të drejtë ta propozojmë kryeparlamentarin. Ne kandidatin e kemi por nuk e kemi shumicën parlamentare”, është shprehur Hoxhaj.

Hoxhaj ka thënë se në asnjë formë nuk janë për humbje kohe dhe zvarritje, meqë këtë Kuvend siç e tha ai, e presin vendime të mëdha. “E disa prej tyre që s’janë marr në mandatin e kaluar, ne presim që ky mandat i Kuvendit do t’i adreson me shpejtësinë duhur të gjitha temat që qytetarët kanë pritur kohët e fundit”, ka thënë ai./Express/

Seanca nis me një minutë heshtje për Bajram Rexhepin

0

Me një minutë heshtje për vdekjen e ish-kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi, ka nisur vazhdimi i gjashtë i seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës.

PAN merr pjesë në seancë

0

Deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës janë duke mbajtur mbledhje para vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës që mbahet nga ora 10:00.

Deputetja e koalicionit PAN, Blerta Deliu-Kodra, ka thënë për Klan Kosovën se mbledhja e partisë para seancës është mbledhje e zakonshme që partia e mbanë gjithmonë, njofton Klan Kosova.

Ajo po ashtu ka rikonfirmuar se do të marrin pjesë në vazhdimin e seancës.