Home Blog Page 5817

Fatmir Limaj: Zafir Berisha do të jetë kryetar i ardhshëm i Prizrenit

0

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj thotë se Zafir Berisha, do të jetë kryetari i ardhshëm i Prizrenit.

Sipas tij, Berisha së bashku me kandidatët e tjerë të Nismës, do të dalin fitues të zgjedhjeve.

“Zafir Berisha është kryetari i pakontestueshëm i Prizrenit”, tha Limaj, gjatë një takimi që ka pasur sonte me kandidatët e Nismës për Kuvendin e Prizrenit.

“Ju do të jeni ekipi fitues i zgjedhjeve në Prizren”, ka thënë Limaj.

Në këtë takim, Limaj e Berisha kanë diskutua për të gjitha hapat e veprimit në organizimin e zgjedhjeve.

Kandidati për kryetar të Prizrenit, Zafir Berisha foli për platformën zgjedhore të NISMA për Prizren.

Ai, kërkoi nga kandidatët dhe strukturat e partisë që të jenë pranë qytetarëve për të kërkuar besimin e tyre, që “Prizrenin t’ua kthejmë qytarëve”,shkruan PrizrenPress.

“Padyshim se fryma e NISMA-s socialdemokrate, tash e sa vite është instaluar në qytetin e Prizrenit, frymë kjo që do të kurorëzohet me fitoren e radhes me 22 tetor”, tha Berisha./PrizrenPress.com/

Dy artistë sjellin një Donald Trump që ngacmon në Prizren (FOTO)

0

Një lider si Donald Trump, nëse deri sot nuk ka shërbyer për asgjë, së paku për një numër artistësh është inspirim për krijim veprash arti.

Fytyra e tij krenare është vendosur në Prizren, në qendër të qytetit. Siç thotë koncepti artistik i veprës, vepra është vendosur në qytetin e bukur të Prizrenit, ku puthen tri ideologjitë: modernizmi, minarja që u shkatërrua në vitin 1963 me pretekstin se po e dëmtonte modernizimin e Prizrenit dhe të gjeturat arkeologjike të periudhës romake.

“Think Big” është fotografi e grupit artistik OPA – Obsessive Possessive Aggression, e cila është pjesë e bienales Autrostrada Biennale e cila ka nisur para disa ditësh në Prizren. OPA përbëhet nga Slobodanka Stevceska dhe Denis Saraginovski, dy artistë që kanë studiuar në Shkup dhe punojnë së bashku në inspirimin e tyre artistik.

Monumenti i ri në Prizren, me fytyrën e Trump, si në gur kufitar që shënon kufirin e tri ideologjive që përmendëm më lartë, gjendet saktësisht në vendin ku kanë ekzistuar portrete të bronzit që përkujtonin heronjtë e Luftës së Dytë Botërore. Të gjitha ato janë zhdukur.

“Për neve, Donald Trump është një imazh i njëjtë si Nikola Gruevski. Kuptohet, më i fuqishëm. Duke e vënë portreti e Trump në vendin e monumentit të braktisur, duam të theksojmë momentin e lindjes së idiokracisë. Ai është vendosur në një lokacion ku dikur ishte një simbol i betejës anti-fashiste. Duke pasur në mendje deklaratat e fundit të Trump, monumenti kthehet në vend të konfliktit dhe paralajmërimit” tregojnë artistët për KultPlus.

OPA reagojnë ndaj zhvillimeve me anë të narratives artistike. Projektet specifike artistike, ndërhyrjet si ky në Prizren, ekspozitat, mockumentaries, videot, dokumentarët televizivë janë në mesin e mediumeve që ata përdorin për të reaguar.

Ata kanë ekspozuar në Estoni, Kroaci, Gjermani, Francë, Holandë e në Shtete të Bashkuara të Amerikës.
“Me këtë punë tonën, qyteti tani ka simbole edhe të kristianizmit edhe të islamit. Duke e pasur parasysh se të dyja religjionet janë përmendur disa herë në fjalimet e Trump-it por edhe janë përdorur si justifikim për konflikte e luftëra, puna merr edhe një tjetër dimension” tregojnë artistët.

Ardhja e tyre në Prizren dhe në Autrostrada Biennale duket se përbën një moment të rëndësishëm në karrierën e tyre artistike, shkruan KultPlus.

“Na pëlqen kompleksiteti i Autostrada Biennale. Nuk është vetëm një ekspozitë, por një hapësirë për edukim dhe një vend ku qytetarët e Prizrenit mund të shohin më shumë art. Për regjionin në përgjithësi është e rëndësishme një Bienale e tillë” tregojnë artistët, puna e të cilëve po qëndron e ekspozuar në Prizren. / KultPlus.com

Mustafa: Hatim Baxhaku, njeriu meritor për Prizrenin

0

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, është shprehur i bindur se Hatim Baxhaku do të ketë mbështetjen e qytetarëve, por edhe të subjekteve tjera politike në vend për zgjedhjet komunale të 22 tetorit.

Ai këto komente i bëri gjatë prezantimit të kandidatit të LDK-së për kryetar të Prizrenit për zgjedhjet lokale.

Mustafa vlerësoi lart kontributin e Baxhakut për Kosovën, si në kohë paqeje, ashtu edhe në kohë lufte, ndërsa është shprehur se është kandidati më i qëlluar për Komunën e Prizrenit.

“Ne kemi dashur ta shfrytëzojmë këtë rast ta promovojmë kandidatin tonë për kryetar të Prizrenit, apo të them më qartë kryetarin e ardhshëm të Komunës së Prizrenit, Hatim Baxhakun. Është fjala për një njeri që është meritor për këtë përgjegjësi që do ta marrë nga qytetarët e Prizrenit dhe nga ata që jetojnë në qytetin e Prizrenit dhe fshatrat përreth. Ne ndajmë bindjen e plotë se është kandidati më i qëlluar për qytetin e Prizrenit. Është njeri, i cili e ka përkrahjen e qytetarëve. Është njeri që ka dhënë kontributin e tij gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si kirurg në teren, qoftë në Bajram Curr, qoftë në vendet e tjera ku ka lëvizur Ushtria Çlirimtare e Kosovës”, tha Mustafa.

Kandidati i LDK-së për kryetar të Prizrenit është shprehur se do të përkushtohet maksimalisht për të mirën e qytetarëve, si dhe ka shtuar se përkrah do të ketë bashkëpunëtorët të pa korruptuar e profesionistë, të cilët nuk do ta lënë të gabojë.

Ndryshe, sot gjatë ditës LDK ka prezantuar edhe kandidatin e saj për Prishtinë, Arban Abrashin për Prishtinë./Telegrafi/

Ambicia politike dhe koherenca politike

0

Liridon Rama

Aktualisht të gjithë po e ndjejmë se një nga faktorët kryesorë që e pengon Kosovën të gjejë stabilitetin politik dhe të ecë përpara është paaftësia jonë për tu marrë vesh me njëri tjetrin ose, kur arrijmë këtë marrveshje, paaftësia për ta respektuar atë.

Pse ndodh kjo në realitetin e përditshëm politik të vendit tonë?

Përgjigja është e thjeshtë; interesi imediat dhe personal ka sunduar mbi atë final pasi, së pari, shtysa e imediatit ka qenë shumë e fortë dhe, së dyti, pasi nuk kanë aftësi për ta sunduar pasionin imediat dhe për të ndriçuar interesin final.

Historikisht fenomeni që ka dëmtuar Kosovën më shumë se çdo gjë tjetër është pikërisht fakti se ambiciet politike dhe interest e ngushta imediate të klaneve i kanë shtyrë politikanët tanë të mos jenë koherentë në politikë e tyre dhe të mos i integrojnë interest e tyre në interesa mbarë kombëtare, çka i ka sjellë dhe po i sjell vazhdimisht vendit tonë pamundësi për stabilitet dhe progres.

Kosova vazhdon të vuan nga një mentalitet patriarkal dhe një mungesë e theksuar e kulturës demokratike, e ideve te ndryshme politike e filozofike. Kjo bën që njerzit t’i shohin gjërat të thjeshtëzuara në bardhë e zi, çka politikisht mund të transkriptohet në trajtën e totalitarizmit “kush nuk është me ne, është kundër nesh”.

Qytetarët e këtij vendi tek politikanët kosovar po gjejnë më shumë kultivues të urrejtës dhe armiqësisë, eqë kjo lirisht mund të konceptohet si një cilësi tjetër e totalitarizmit, e cila nuk njeh kundërshtar politik, por vetëm armiq politikë.

Eshtë e qartë se demokracia që kemi fituar është një demokraci ende në hapat e saj të parë, për te mos e quajtur demokraci primitive, por lufta për pushtet nuk duhet të na bëjë të devijojmë nga e vërteta që në rastin konkret është e mira e përgjithshme e kosovarve.

Shoqëria jonë ka nevojë të shoh që tendenca në rritje e uzurpmit të pushtetit nga të paaftit dhe kriminelet të zhduket, dhe që më në fund të kultivohet një kulturë korrekte politike ku fituesi dhe humbësi dinë përgjegjësit e tyre.

Sapiens est consilio mutare (është i ditur ai që ndryshon mendimin) thonë Latinët.

Si dëshmonte për UÇK-në komandant Drini, i cili do të vritej pas luftës (video)

0

Prizreni ishte qyteti i parë që UÇK-ja e kishte marrë nën kontroll pas largimit të forcave serbe më 15 qershor të vitit 1999.

Ishte ditë e enjte, kur UÇK-ja e kishte konsoliduar kontrollin në Prizren dhe aty ishte komandanti Ekrem Rexha, i njohur si Drini i cili më pas u vra në rrethana të pasqaruara.

Për vrasjen e komandantit Drinit ka pasur një proces gjyqësor, por e vërteta asnjëherë deri me tash nuk ka dalë në shesh.

Ai në një kronikë të Associeted Press-it (AP) flet për atë se si Prizreni duhet të shërbejë si shembull për qytetet tjera, duke shtuar se trupat e tij do të presin urdhra nga NATO-ja.

Tutje ai flet se si UÇK-ja asnjëherë nuk ka lënduar civil dhe këtë nuk do ta bëjë as në liri.

“Ne asnjëherë nuk kemi lënduar civil, ne asnjëherë nuk kemi lënduar fëmijë, gra dhe pleq. Secili që ka qenë i involvuar në krime do të jetë përgjegjës për atë që ka bërë. Të tjerët, janë të lirë të qëndrojnë, ne nuk do të bëjmë presion të asnjëri”, ka thënë komandant Drini.

Vrasja e komandant Drinit

Komandant Drini u vra para shtëpisë së tij në lagjen “Bazhdarhane” në rrethana misterioze, në mëngjesin e 8 majit të vitit 2000, në kohën kur po punonte si drejtor komunal për Emergjencë. Në momentin kritik ai kishte dalë të ndezte veturën për të shkuar në punë, ndërsa ishte qëlluar me armë automatike, derisa po shikonte gomën e parë të veturës, nga ana e shoferit që ishte shpuar qëllimisht.

Për aftësitë e tij ushtarake për të janë thurur gjithfarë legjendash. Përmendet shpesh sidomos “kërcënimi” që si komandant i Zonës Operative të Pashtrikut ua kishte bërë oficerëve të KFOR-it gjermanë në momentin e hyrjes së UÇK-së në Prizren se do të shkrinte deri në një 10 mijë ushtarët sa kishte thënë që i ka në rast se serbët që kishin bërë krime ndaj popullatës civile do të provonin të qëndrojnë këtu.

Për zbardhjen e vrasjes, nën drejtimin e ndërkombëtarëve në Prizren janë mbajtur dy procese gjyqësore, por në mungesë provash, të akuzuarit, ish-pjesëtarë të UÇK-së, por edhe ish-shokë të “Drinit”, janë liruar. Procesi për të zbardhur vrasjen më vonë u zhvendos në Prishtinë, ku në një proces tjetër me drejtësinë u përball ish-komandanti i Zonës së Dytë të TMK-së, gjeneral Sali Veseli, që ishte akuzuar për bashkëpunim në vrasje.

Shkalla e dytë e Gjykatës e pat prishur aktgjykimin e Gjykatës në Prizren, ndërsa siç është thënë në mungesë provash liroi të akuzuarit.

Në Gjykatën dhe Prokurorinë Themelore të Prizrenit thonë se nuk ka asgjë të re rreth këtij rasti. Sipas kryeprokurorit, Sylë Hoxha, lënda tashmë mund të jetë dorëzuar nga ndërkombëtarët (të cilët kanë qenë kompetentë për këtë rast) në Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Krijimi i parë i Mitrush Kutelit në moshën 12-vjeçare

0

Ish-drejtori i Bibliotekës Kombëtare, Aurel Plasari ka postuar në rrjetet sociale disa foto që tregojnë krijimin e parë të Mitrush Kutelit në moshën 12-vjeçare.

Ai shkruan se sprova e parë e adoleshentit Kuteli ishte një vjershë naive e asaj moshe, dedikuar Skënderbeut.

Ky krijim i tij është botuar në një kalendar “të humbur” të Pogradecit në vitin 1919.

“MITRUSH KUTELI 12-VJEÇAR

I pari krijim i adoleshentit Dhimitër (Pandi) Pasko, më vonë Mitrush Kuteli, i botuar në një kalendar “të humbur” të Pogradecit më 1919, pra kur shkrimtari i ardhshëm ishte vetëm 12 vjeç, ndonëse mund ta ketë shtuar një vit moshën që t’ia botonin “veprën”. Padyshim një vjershë naive e asaj moshe, por domethënës fakti që e para sprovë e adoleshentit i kushtohej pikërisht Skënderbeut. Botuesit e kalendarit i kanë shtuar edhe një shënim interesant për prejardhjen e tij tok me urimin: “Rroftë filizi i ri e vaftë gjer në veshët e Perëndisë!” Urim profetik në atë moment sot historik”, shkruan Plasari. (gazeta-Shqip.com)

Prizren: Aktakuzë ndaj tre personave, rrahën dhe plaçkitën holandezin

0

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër personave E.S., F.K. dhe J.K., për shkak të veprës penale grabitja nga neni 329 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe lëndim i lehtë trupor nga neni 188 paragrafi 1 nën paragrafi 1.4 lidhur me nenin 31 të KPRK-së., ka njoftuar të premtën Prokuroria, përcjell PrizrenPress.

Sipas aktakuzës E.S., F.K. dhe J.K., më 03.07.2017 me qëllim që ti sjellin vetes dobi pasurore të kundërligjshme e sulmojnë fizikisht të dëmtuarin J.S.K., shtetas holandez, e pastaj nga ai kërkojnë të holla, e kontrollojnë nëpër xhepa dhe ia marrin një telefon celular të tipit “Sony-Experia”, në vlerë rreth 600 Euro.

Me këto veprime E.S.,F.K. dhe J.K., në bashkëkryerje kryen veprën penale grabitja, nga neni 329paragrafi 1, lidhur me nenin 31, të KPRK dhe veprën penale lëndim i lehtëtrupor, nga neni 188, paragrafi 1 nën paragrafi 1.4, lidhur me nenin 31 të KPRK. /PrizrenPress.com/

William Morris: Pse është ‘ide e mençur’ të blejmë gjëra të kushtueshme gjithnjë…

0

Projektuesi, poeti dhe sipërmarrësi i shekullit të 19-të, William Morris, është një nga udhëzuesit më të mirë që kemi në ekonominë moderne- edhe pse ai vdiq në vitin 1896 (ndërsa Mbretëresha Viktoria ishte akoma në fron), kurrë nuk bëri një telefonatë dhe ideja e televizionit do t’i dukej krejtësisht e habitshme. Morris ishte njeriu i parë që kuptoi dy çështje që kanë qenë vendimtare për ditët tona.

Së pari: rolin e kënaqësisë në punë. Dhe së dyti, natyrën e kërkesës së konsumatorit. Preferencat e konsumatorit – të cilat i vlerësojmë dhe lakmojmë kolektivisht dhe jemi të gatshëm të paguajmë për ta – janë nxitësit kryesorë të ekonomisë dhe nga këtu të llojit të shoqërisë në të cilën kemi përfunduar duke jetuar.

Derisa të kemi një shije më të mirë kolektive, do të përpiqemi të kemi një ekonomi dhe shoqëri më të mirë. Është një ide e stërmadhe. William Morris lindi në vitin 1834 në një familje të pasur. Babai i tij ishte financier te City of London dhe ata jetonin në një shtëpi të madhe pranë Walthamstow në Essex.

Babai i tij vdiq i ri (kur Morris ishte vetëm 13 vjeç) dhe u zbulua se kishte qenë përfshirë në një “lojë” tejet të dyshimtë – dhe vetëm ligjore – ndërmarrjesh. Një pjesë e mirë e pasurisë së familjes u humb – edhe pse mbeten disa investime të sigurta, të cilat i siguruan Morris-it të ri të ardhura të kënaqshme për jetën. Fakti se ai ishte i pasur nuk e zbehu ndjeshmërinë e tij mbi vështirësitë ekonomike.

Personalisht dhe politikisht Morris ishte një njeri instinktivisht i ngrohtë dhe bujar. Por kjo gjë nuk solli një perspektivë të dobishme: ai ishte i vetëdijshëm se kishte disa probleme kyçe të cilat nuk janë të shkaktuara nga mungesa e parave dhe të cilat më shumë para nuk do t’i zgjidhnin dot. Pra, ai nuk mund të bindej kurrë nëse rritja financiare në vetvete mund të jetë shenja e sigurt e përmirësimit – qoftë në një individ apo një jetë kombëtare.

Kur ishte 18 vjeç, Morris shkoi në universitet. Ai nuk bëri shumë nga ajo punë që duhej të bënte, por kaloi një kohë të mrekullueshme. Pothuajse që në ditën e parë ai u bë mik për jetë me një student të quajtur Edward Burne-Jones, i cili u bë një nga artistët më të suksesshëm të kohës.

Pas diplomimit Morris kaloi disa kohë duke u trajnuar për arkitekturë. Por në këtë fazë, karriera konvencionale nuk ishte shqetësimi i tij kryesor. E pa veten si artist dhe poet, thjesht ishte i interesuar të bënte gjëra për kënaqësinë e tij dhe ndoshta për kënaqësinë e disa miqve.

Ai nuk po kërkonte të shiste pikturat e tij apo të paguhej për shkrimin e poezive.  Miqtë e Morris e quanin ‘Topsy’ – për shkak të temperamentit të tij të paqëndrueshëm dhe me raste të zjarrtë. Modeli i tij i preferuar ishte një aktore e re me një fytyrë dramatikisht të bukur, Jane Burden. Ajo paraqitej si Iseult në foton e tij më të mirë.

William Morris, La Belle Iseult, 1858

Një vit më vonë u martuan. Morris u bë i obsesionuar me projektin e ndërtimit dhe të mobilimit të një shtëpie familjare në Bexleyheath, në juglindje të Londrës. Ajo u quajt Shtëpia e Kuqe dhe shumica e gjërave në të – karriget, tavolinat, llambat, muri, garderoba, shandanët, syzet – ishin projektuar nga zeroja ose nga vetë Morris ose nga bashkëpunëtori i tij i ngushtë, arkitekti Philip Webb.

Miqtë artistikë pikturuan murale në mure. Përvoja e ndërtimit dhe e montimit të shtëpisë së tij i mësoi Morisit mësimin e tij të parë të madh rreth ekonomisë. Do të ishte më e thjeshtë (dhe ndoshta më e lirë) që të kishte urdhëruar gjithçka nga një fabrikë. Por Morris nuk ishte duke u përpjekur për të gjetur mënyrën më të shpejtë apo më të thjeshtë për ngritur një shtëpi.

Ai donte të gjente rrugën që do t’i jepte atij – dhe të gjithëve të përfshirë në projekt – kënaqësinë maksimale. Dhe i dha Morris një entuziazëm për idenë mesjetare të artizanatit. Punonjësi duhej të zhvillonte ndjeshmëri dhe aftësi; dhe të gëzonte punën.

Ai vërejti se zanati ofron fakte të rëndësishme për atë që në të vërtetë dëshirojmë nga puna. Ne duam të dimë që kemi bërë diçka të mirë me këtë ditë. Se përpjekjet tona janë llogaritur drejt rezultateve të prekshme, që ne në fakt i ndiejmë dhe na duken se janë të vlefshme.

Dhe Morris tashmë po e vërente se kur njerëzit me të vërtetë e pëlqejnë punën e tyre, çështja e saktë se sa paguhen bëhet më pak kritike. (Edhe pse Morris gjithmonë besonte, përveç kësaj, që njerëzit meritonin pagë të ndershme për punë të ndershme). Çështja është që ju absolutisht mund të thoni se nuk po e bëni atë thjesht për paratë.

Shtypja tekstile në Merton Abbey, rreth 1890

Puna mund të jetë dinjitoze. Ishte një pasqyrë në kohë. Ajo ishte një epokë e industrializimit masiv; Punëtorët po punonin në fabrikat e reja – edhe pse kushtet shpesh ishin të tmerrshme. Statusi i të punuarit me duart e tua, i të bërit punë fizike, ishte i ulët. Ishte atëherë (si tani) më prestigjioze për t’u ulur në një tavolinë sesa të qëndrosh në një farkë ose pranë një furre.

Problemi, megjithatë, ishte se Morris nuk ishte vetëm një zejtar dhe një punëtor në Shtëpinë e Kuqe. Ai ishte gjithashtu klienti. Natyrisht – skeptikët mund të nxjerrin në pah – ai mund të kishte kaluar një kohë të mrekullueshme, sepse në thelb ai thjesht po ndiqte një hobi. Kjo ishte pikërisht ajo që Morris nuk donte të bënte. Ai ishte i vendosur të tregonte se parimet e zanatit dhe punës së kënaqshme (për punonjësit) mund dhe duhet të jenë në zemrën e botës moderne.

Dhe kjo – kuptoi ai – do të thoshte t’i bënte ato në një biznes. Kështu, në vitin 1861 – ende në mes të njëzetave – Morris filloi një biznes dekorativ arti: Morris, Marshall, Faulkner & Co.; të cilin preferonin ta quanin thjesht “The Firm”. Kolegët e tij përfshinë Burne-Jones, poetin e shkëlqyer, piktorin dhe personalitetin karizmatik Dante Gabriel Rossetti dhe arkitektin Philip Webb.

Përshtatje veshjesh, Morris dhe Company, 1890

Ata krijuan një fabrikë ku bënin letër muri, karrige, perde dhe tavolina. Ishin shumë krenarë jo vetëm për dizajnet elegante, por për cilësinë e mjeshtërisë së produkteve të tyre. Ata besonin se fabrikat duhet të ishin vende tërheqëse dhe ata ishin të etur për klientët dhe të tjerët që të vinin dhe të bënin një turne dhe të shihnin për veten e tyre mjedisin e këndshëm në të cilin ishin prodhuar mallrat. Firma së shpejti hasi në një problem shumë domethënës.

Nëse bëni mallra me cilësi të lartë dhe paguani punëtorët tuaj me një pagë të drejtë dhe të mirë, atëherë kostoja e produktit do të jetë më e lartë. Gjithmonë do të jetë e mundur që konkurrentët të ulin çmimin dhe të ofrojnë mallra inferiore, të prodhuara në mënyra më pak njerëzore, për më pak para.

Nëse kërkoni një çmim relativisht të lartë – për të siguruar dinjitetin e punës dhe cilësinë e materialeve dhe kështu të bëni diçka që do të zgjasë – me të vërtetë rrezikoni të humbisni klientët.  Fabrikat dhe makinat e Revolucionit Industrial kishin sjellë prodhim masiv. Çmimet ishin më të ulëta, por kishte një humbje të cilësisë dhe një varësi nga puna rutinë, duke e ulur punën në rrethana depresive.

Mund të duket sikur është e pashmangshme që çmimi i ulët duhet të triumfojë. Sigurisht, logjika e ekonomisë dikton se çmimi më i ulët do të fitojë domosdoshmërisht. Apo jo?

Dizajni për sfondin e Trellis, 1862

Për Morris faktori kyç është, pra, nëse konsumatorët janë të gatshëm të paguajnë çmimin e drejtë. Nëse janë, atëherë puna mund të jetë nderuese. Nëse nuk janë, atëherë puna domosdoshmërisht do të jetë – tërësisht – degraduese dhe e mjerueshme. Pra, Morris arriti në përfundimin se thelbi i një ekonomie të mirë është edukimi i konsumatorit. Ne së bashku duhet të jemi më të qartë për atë çfarë duam në të vërtetë në jetët tona dhe përse, dhe sa gjëra të caktuara janë me vlerë për ne (dhe aty për aty sa jemi të gatshëm të paguajmë për to).

Një sekret i rëndësishëm për një konsum të mirë, këmbënguli Morris, është që ju të mos keni asgjë në shtëpitë tuaja që nuk dini të jetë e dobishme apo të besoni se është e bukur. Ky është një qëndrim i rëndësishëm. Nuk përfshin heqjen dorë, nuk është një ftesë për dorëheqje, nuk po përpiqet të bëjë që dikush të ndihet fajtor apo i turpëruar. Më tepër sesa për të arritur shumë përmirësime të shpejta dhe sende të përdorimit të shkurtër dhe hijeshi, Morris dëshironte që njerëzit t’i shikonin blerjet e tyre si investime dhe të blinin artikuj me masë.

Ai do të kishte preferuar që dikush të shpenzonte £1000 në një set kuzhine të bërë me dorë që do të zgjaste për dekada dhe të bëhej një trashëgimi familiare, sesa për çdo brez  të blente alternativen e tij të lirë, që do të hidhen kur modelet të ndryshojnë. Në këtë mënyrë, njerëzit do të mund të krenoheshin dhe të shijonin gjerat që kanë blerë. Ekziston një ndjenjë e kënaqësisë dhe krenarisë në blerjen e diçkaje që e dini se do të zgjasë dhe që mund t’i jepet brezave të ardhshëm.

Dhoma e studimit në Kelmscott, shtëpia e William Morris, c. 1880

Për vetë Morris, biznesi nuk funksiononte shumë mirë. Kishte një kërkesë të shëndoshë nga mirëqenia. Linjat e mobiljeve, letrave të murit, pëlhurave dhe llambave të Morris vazhduan të shesin për shumë vite. Por ai nuk arriti të hynte në tregjet më të gjëra dhe më të mëdha për të cilat ai dëshironte.

Çështja nuk ishte të ofronte më shumë elegancë dhe luks për të pasurin. Ideja e madhe ishte që të sillnin artikuj solidë, të projektuar mirë, të prodhuar imtësisht për  konsumatorin masiv.

Morris donte të transformonte përvojen e zakonshme– jo elitaren – eksperiencën e të blerit gjëra. Një nga krijimet e tij të fundit ishte një tregim utopik i quajtur Lajmet nga Askundi. Në të ai imagjinonte një shoqëri që do të zhvillohej.  Ai mëson shumë nga Marksizmi: kjo është një shoqëri me lidhje të forta shoqërore, në të cilat motivi i fitimit nuk është dominues. Por ai i kushton vëmendje të barabartë bukurisë së jetës: pyjeve të shtrirë, ndërtesave të bukura, llojeve të rrobave që veshin njerëzit, cilësisë së mobiljeve, bukurisë së kopshteve. Në verën e vitit 1896, ai lundroi për arsye shëndetësore në Norvegji. Por fjordët nuk punuan dhe ai vdiq nga tuberkulozi disa javë pasi u kthye në shtëpi.

Morris drejton vëmendjen tonë tek një sërë testesh të rëndësishme qendrore që një ekonomi e mirë duhet të kalojë. Sa e shijojnë njerëzit të punuarit? A jetojnë të gjithë në një distancë që bëhet në këmbë me pyllin dhe livadhet? Sa e shëndetshme është dieta mesatare? Sa kohë pritet që mallrat e konsumit të zgjasin? A janë qytetet e bukura (në përgjithësi, jo vetëm në disa pjesë të privilegjuara)?

Ekonomia mundet (me lehtësi fatale) të ndihet sikur qeveriset nga ligje abstrakte dhe komplekse lidhur me flukset e skontuara të parasë dhe furnizimin me para. Thelbi i tij është se, megjithatë, ekonomia lidhet ngushtë me preferencat dhe zgjedhjet tona. Dhe se këto janë të hapura për transformim.

Mund të mos jetë e nevojshme (siç mendonte Marksi) të sjellësh fabrika, banka dhe të gjitha korporatat në pronësi publike; dhe mund të mos jetë e nevojshme (siç pretendonte Milton Friedman dhe të tjerë) të heqësh ndikimin e qeverisë në tregje. Detyra e vërtetë në krijimin e një ekonomie të mirë, tregon Morris, qëndron shumë më afër shtëpisë. /Konica.al/

Garë e fortë në Prizren

0

Sapo janë bërë publikë emrat e kandidatëve për garën e të parit të Komunës së Prizrenit. PDK-ja garon me Shaqir Totajn, një personalitet nga bota e biznesit, që nuk është njeri partiak, por që është shkolluar në SHBA, kurse bartës i listës së këtij subjekti politik është Kujtim Gashi, kryesuesi i deritashëm i Kuvendit të Prizrenit. LDK-ja konkurron me Hatim Baxhakun dhe, sipas kryetarit të kësaj dege, Haxhi Avdyli, pritet fitore e tij. Ai mendon se do ta rikthejnë Prizrenin. Ai thotë se Baxhaku është një mjek i respektuar. Kurse bartës i listës është kandidati veteran i kësaj partie Haziz Hodaj, që ka bërë shpesh zhurmë në Kuvend.

Zafir Berisha nuk kursen gjuhën e ashpër ndaj PDK-së

Kurse Lëvizja “Vetëvendosje” në Prizren tanimë garon me Muhtaher Haskukën, i cili është profesor universitar dhe ka qenë deputet në Parlamentin e Kosovës. Listës i prin Artan Abrashi, që është kryetar i kësaj Qendre në Prizren. Nisma kësaj here garon me kandidatin Zafir Berisha, i cili njihet edhe për gjuhën e ashpër ndaj partisë në pushtet dhe në zgjedhjet e fundit u bë deputet i Kuvendit. AAK-ja kësaj radhe do të garojë me Lulzim Kabashin, një personaliet që vjen nga bota e biznesit dhe me një begraund të pasur nga lufta, pasi ishte komandant i Brigadës së Kabashit. Aktualisht, është nënkryetar i Komunës së Prizrenit. Listës së kësaj partie i prin profesori Fatmir Kastrati.

Përballje serioze mes të fortëve

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare, është konfirmuar se në Mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, mbajtur në Prishtinë, Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) ka nominuar kryetarin e Degës së KDTP-së në Prizren, Sencar Karamuço, kandidat për kryetar të Prizrenit. Kurse ai tani është drejtor i Drejtorisë së Kadastrit në Prizren. Partia ‘Fjala’ garon me profesor Nexhmedin Ramadanin, i cili edhe do t’i prijë listës garuese, kurse nga NDS-ja vjen kandidatja Emilia Rexhepi. Bashkim Gashi nga shoqëria civile thekson se në Prizren kësaj radhe pritet një garë e fortë, sepse janë disa emra të rinj dhe ku do të ketë një përballje mes të fortëve. (Kosova Sot)

19 vjet nga rënia e Ismet Jasharit

0

Në mesin e luftëtarëve të lirisë së Kosovës është shquar edhe Ismet Jashar Jashari, njëri ndër luftëtarët dhe komandantët më emblematikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai lindi në fshatin Orizare të Kumanovës më 16 prill të vitit 1967. Ishte i biri i Jashar Jasharit e i nënë Nuries. Mësimet fillore i mori në vendlindje, ndërsa në vitin 1982 u regjistrua në Gjimnazin e Kumanovës.

Të dy vëllezërit e tij më të mëdhenj, Xhemajli dhe Murati, ishin arrestuar dhe dënuar nga regjimi aktual i kohës, për shkak të përkrahjes së kërkesave të shqiptarëve në Kosovë, të shprehura në demonstratat e marsit dhe të prillit të vitit 1981. Për shkak të këtyre qëndrimeve politike të familjes së tij, të cilat ishin në kundërshtim me politikën e shtetit të asaj kohe, drejtoria e shkollës së mesme në Kumanovë, Ismetin e largoi nga shkolla. Pas përjashtimit nga kjo shkollë, Ismeti arriti ta vazhdojë shkollimin në Gjimnazin e Preshevës.

Ka qenë nxënës i zellshëm dhe ka shfaqur interesim të veçantë për t’u pajisur me dituri. Derisa ishte nxënës, atij i bie në dorë shtypi ilegal i kohës. Në këtë kohë ai inkuadrohet edhe në radhët e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës.

Pasi konstaton se po përcillej nga inspektorët e UDB-së, Ismeti largohet nga vendlindja, me ç’rast vendoset në Zvicër. Atje, vazhdon veprimtarinë atdhetare, në kushte dhe rrethana të reja.

Asokohe ishte në kontakt të vazhdueshëm me vëllezërit, Muratin e Xhemajlin, si dhe me shumë shokë të tyre, të cilët zhvillonin aktivitet propagandues çlirimtar.

Ismeti i takon brezit militant atdhetar, i cili kurdoherë veproi në mbështetje të alternativës për t’iu kundërvënë me forcë pushtuesit. Ai, së bashkime bashkëmendimtarët nuk reshti veprimtarinë e tij atdhetare në krijimin e kushteve për luftë të armatosur kundër pushtuesit të viseve të Shqipërisë Etnike.

Ismeti ishte ndër të parët që mori pjesë në themelimin e fondit “Vendlindja thërret”. Ky fond u bë bazë kryesore e logjistikës dhe e financimit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Menjëherë pas epopesë së Prekazit, më 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998, militanti i përkushtuar i luftës çlirimtare Ismet Jashari bën përgatitjet e fundit për të hyrë në Kosovë. Më 11 mars të po atij viti, ai, bashkë me Fehmi Lladrovcin, Xhevë Lladrovcin, Mirush Dakën, Bekim Berishën, Agim Bajramin, Fatmir Limajn, Haxhi Shalën e të tjerë, futet në zonat ku po vepronte Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe arrin në Likoc të Drenicës, ku asokohe ndodhej baza më e rëndësishme e UÇK-së.

Me vendim të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari caktohet me detyrë ushtarake në zonën e Llapushës, me qëllim të zgjerimit dhe konsolidimit të radhëve të ushtrisë çlirimtare.

Ismeti vendoset në shtëpinë Zejnullah Mazrekut në fshatin Gariq. Gjatë kësaj kohe atij i bashkohet edhe i biri i Zenjullahut, Nuhiu, i cili nuk do t’ i ndahet për asnjë çast deri në rënie.

Në mars të vitit 1998, Ismet Jashari, së bashku me Fatmir Limajn, Haxhi Shalën, Sadik Shalën e të tjerë, formojnë njësitin ushtarak “Çeliku”, me bazë në Kleçkë. Komanda e parë e këtij njësiti ishte në shtëpinë e Hafir Manit. Për shkak tç konspiracionit, Ismetin, bashkëluftëtarët e thërrisnin me emrin “Kumanova”

Në prill të vitit 1998, Ismet Jashari ndodhej me detyrë ushtarake në Dukagjin. Me rastin e kthimit nga atje në Kleçkë, Ismeti bie në pritë të forcave serbe te vendi i quajtur “Guri i zi”, në mes të fshatrave Volljakë e Çupevë të Klinës. Me atë rast ai plagoset në të dy këmbët.

Me rastin e zënies së Grykës legjendare të Llapushnikut më 9 maj të vitit 1998, Ishmet Jashari, ende pa u shëruar sa duhet, merr pjesë aktive në barrikadimin e kësaj gryke, e cila u bë beden i pathyeshëm për forcat armike deri më 27 korrik të po atij viti.

Pas zënies së asaj pike tejet të rëndësishme strategjike, Ismet Jashari me bashkëluftëtarët e tij iu afrohet pikate të tjera po aq me rëndësi, në Qafë të Duhlës dhe në Grykë të Carralevës.

Në periudhën kohore prej fillimit të majit e deri në mbarim të gushtit të vitit 1998, Ismet Jashari – “Kumanova”, Fatmir Limaj, komandant “Çeliku”, Haxhi Shala, i njohur si komandant “Topi”, Shukri Buja, i njohur si komandant “Sokoli” e shumë luftëtarë të tjerë të dalluar, kanë përforcuar të gjitha pikat ushtarake në pjesën jugore të Drenicës, prej Llapushnikut e deri në Qafë të Duhlës, prej Arllatit e deri në Bllacë dhe prej Komoranit e deri ne Blinajë.

Më 17 qershor të vitit 1998, tri ditë pas luftimeve në Grykë të Carralevës, Ismeti me bashkëluftëtarët kundërsulmon forcat ushtarake jugosllave, të cilat bënin përpjekje për të depërtuar në drejtim të Luzhnicës.

Në këtë rast forcat armike prapakthehen në pozicionet e tyre në Qafë të Duflës, ndërsa komandant “Kumanova” përforcon pikën ushtarake të Luzhnicës, e cila ishte bërë pikë e pathyeshme e luftëtarëve të UÇK-së.

Në fund të qershorit të vitit 1998, komandant “Kumanova” arrin ti fortifikojë pikat e tij ushtarake në Carralevë, në Zborcë, në Blinajë, në Fushticë, në Terpezë, në Bllacë e kudo në territoret e vëna nën kontrollin e UÇK-së në jug të Drenicës dhe në Llapushë.

Asokohe, Malisheva, në njëfarë mënyre ishte bërë kryeqendër zonave të liratë UÇK-së, si dhe zona me e mobilizuar e luftës.

Në gusht të vitit 1998, Ismet Jashari përforcon edhe disa pozicione përgjatë relacioni rrugor Carralevë-Duhël. Ai në bashkëveprim me luftëtarin Jetullah Çarri, i njohur si komandant “Guri”, sulmon njësitet serbe në disa pika strategjike, siç ishin “Shtëpia e Pylltarit”, pastaj pikën te “Ura e Sahitit” e deri në hyrje të fshatit Belinc. Në ofensivën serbe të 25 dhe 26 korrikut të vitit 1998, në Grykë të Llapushnikut dhe në fshatin Zborc afër Grykës së Carralevës, Ismet Jashari me bashkëluftëtarët e tij, si: Imer Alushani, Gani Kastrati, Nuhi Mazreku, Ali Zogaj, Habib Zogaj e shumë të tjerë, ka luftuar heroikisht në mbrojtje të pozicioneve ushtarake të UÇK-së.

Emri i komandant “Kumanovës” asokohe ishte bërë burim frymëzimi për luftëtarët e lirisë jo vetëm në Drenicë e Llapushë, por në mbarë Kosovën. Fakti se për çlirimin e Kosovës luftonin edhe trimat nga Kumanova e nga Tetova, përforconte moralin e ushtarëve dhe të popullatës, e cila, për të mbijetuar sulet e granatave të armikut, kishte gjetur strehë në pyje e në gryka malesh.

Më 23 gusht të vitit 1998, pasi ushtria armike kishte ndërmarrë të gjithat masat për të depërtuar në drejtim të Kleçkës, ku ndodhej edhe Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari organizon rezistencën në pikën e tij të pamposhtur, në Bajrak të Luzhnicës.

Atë ditë forcat serbe kishin granatuar me të gjitha llojet e armëve të rënda të artilerisë pozicionet e komandant “Kumanovës”, i cili printe në ballë të kundërsulmit mbi forcat armike. Në mbrojtje të pozicioneve ishin rreshtuar luftëtarët më të dëshmuar, meqë pika ku armiku bënte përpjekje për të depërtuar në drejtim të Kleçkës ishte me shumë rëndësi për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Në të njëjtën kohë, forcat serbe kishin sulmuar edhe në drejtim të Tërpezës, të Bllacës e të pikave të tjera përreth Kleçkës.

Më 24 gusht 1998, forcat armike kishin shtuar rrezen e sulmit duke sulmuar me topa të kalibrave të mëdhenj dhe me raketa tokë-tokë.

Pika ushtarake në Bajrak nuk po binte, edhe pse bunkerët po digjeshin flakë. Në mbrëmje, luftëtarët e lirisë kishin depërtuar thellë në pozicionet armike, duke u shkaktuar dëme në njerëz dhe në teknikë lufte, mirëpo, luftëtarët militantë, Gani Kastrati dhe Afrim Buëaj nuk kishin arritur të tërhiqeshin.

Në mëngjesin e hershëm të 25 gushtit, Ismet Jashari kishte kundërsulmuar befasishëm, në përpjekje për t’i marrë trupat e ushtarëve të rënë. Pas disa orë luftimesh në një distancë të afërt, në altarin e atdheut, në Luzhnicë, bie trimi ndër më të dalluarit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Jashari, komandant Kumanova. Në altarin e atdheut kishin rënë edhe Nuhi Mazreku dhe Habib Zogaj.

Në dhjetor të viti 1998, bashkëluftëtarët e komandant “Kumanovës” ndërmarrin një aksion në afërsi të fshatit Shirokë të Therandës, nga ku arrijnë ti tërheqin trupat e pesë dëshmorëve, të cilët i varrosin me nderime ushtarake, në Kleçkë. Këta trupa, forcat armike i kishin dërguar në Shirok, në përpjekje për tua humbur gjurmët.

Sot trupi i dëshmorit Ismet Jashari prehet në kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Kleçkë, ku pushojnë edhe trupat e 66 dëshmorëve të tjerë, të Brigadës 121, Ismet Jashari-Kumanova.

Dëshmori Ismet Jashari ka lënë pas shoqen e jetës, Habiben, dhe vajzat Marigonën, Monikën, Donikën, Margaritën dhe Artanën. Rrugën e Ismetit e vazhdoi vëllai i tij i madh, Xhemajli, i cili gjatë luftës çlirimtare në ish-RJM ka kryer detyrën e shefit të mobilizimit në brigadën 113 “Ismet Jashari – Kumanova”, që ka vepruar në rrethinën e Likovës deri në mbarim të luftës.

Për ta nderuar dhe përjetësuar veprën heroike të komandant “Kumanovës” bashkëluftëtarët e tij ia kanë ndërtuar shtatoren, e cila është vendosur në vendin e caktuar në Prizren, afër Shtëpisë-Muze të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Autoritet politike të asaj kohe, në Prizren, Eqrem Kryeziu dhe Qamil Buzhala, zyrtarë të lartë LDK-së në Prizren, për një kohë nuk kishin lejuar vendosjen e shtatoreve të Ismet Jasharit dhe Xhevat Berishës. Vetëm pas demonstratave gjithë popullore që janë zhvilluar në Prizren në fund të gushtit të vitit 2001, shtatoret e këtyre dy dëshmorëve janë vendosur atje ku edhe qëndrojnë në përjetësi. Vendosja e shtatoreve të Ismet Jashari dhe Xhevat Berishës, u bë pas disa demonstrimeve e reagimeve popullata shqiptare nga të gjitha viset e vendit. Ata iu kishin drejtuar instancave më të larta vendore e ndërkombëtare të Kosovës dhe u kishin dorëzuar një peticion të nënshkruar prej 41 m ijë qytetarësh, të cilët kanë kërkuar që të lejohet vendosja e shtatores së komandant “Kumanovës” në bazamentin e parapërgatitur.

Në nderim dhe respekt të heroizmit të treguar për çlirimin e Kosovës, pas rënies së tij, Brigada 121 e Zonës Operative të Pashtrikut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës mori emrin “Ismet Jashari – Kumanova”. Për ta nderuar emrin e tij, më vonë, në verë të vitit 2001, edhe brigada 113 e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, e cila ka vepruar në zonon e Kumanovës, ka marrë emrin “Ismet Jashari”

Emrin e Komandant “Kumanovës” e ka mbartur me pietet edhe Brigada 313 e TMK-së, e Zonës së Parë të Mbrojtjes, në Malishevë.