17.4 C
Prizren
E diel, 29 Qershor, 2025
Home Blog Page 5827

Përfundon Festivali Ndërkombëtar i Poezisë në Rahovec

0

Në Rahovec është përmbyllur edicioni i dytë i Festivalit Ndërkombëtar i Poezisë. Çmimi i parë i festivalit, “Rrushi i Artë”, shkon në duart e poetit norvegjez Knut Odegard.

Ideatori i festivalit, shkrimtari i mirënjohur ndërkombëtar, Fahredin Shehu, falënderoi Ministrinë e Kulturës , Rinisë dhe Sportit, Kuvendin Komunal në Rahovec dhe shumë donatorë tjerë për përkrahje,
Ai ka thënë se Rahoveci është qytet i vogël, por me zemër dhe shpirt të madh.

Kryetari i Rahovecit, Idriz Vehapi falënderoi poetët për mundin dhe pjesëmarrjen e tyre, dhe për organizimin dinjitoz të festivalit me pjesëmarrës poet nga të gjitha vendet e botës
“Për kontributin tuaj në fushën e kulturës, dhe për mundim, për rrugë të gjatë që keni marrë për të ardhur në qytetin tonë, dhe njëkohësisht për kontributin tuaj në pasurimin e kulturës tonë. Do të isha shumë i lumtur nëse ju e lëshoni qytetin tonë të kënaqur”, ka thënë Vehapi.

Duke u shpërblyer me mirënjohje dhe nga një shishe verë, simbol të Rahovecit, të gjithë pjesëmarrësit janë shprehur me fjalë miradije për mikpritjen dhe bujarinë e rahovecianëve, ndërkaq çmimi i parë i festivalit, ” Rrushi i Artë”, i takoi poetit norvegjez Knut Odegard, përndryshe kandidatit për çmimin Nobel. /PrizrenPress.com/

Aksident në Prizren, përfshihen katër vetura

0

Në rrugën “Tirana” në Prizren, dje rreth orës 19:10, ka ndodhur një aksident trafiku në mes të katër veturave, ku dy kanë qenë në lëvizje ndërsa dy të parkuara, thuhet në raportin e Policisë, shkruan PrizrenPress.

Përpos dëmeve materiale lëndime trupore ka pësuar i dyshuari mashkull  dhe pasagjerja femër.

Të lënduarit pas tretmanit mjekësor janë liruar në shtëpi. /PrizrenPress.com/

Në Prizren vidhet një Golf II

0

Policia ka njoftuar se në rrugën “Rozafa” në Prizren është vjedhur vetura Golf 2 me targa vendore, shkruan PrizrenPress.

“Viktima mashkulli shqiptar ka raportuar se të dyshuar të panjohur i kanë vjedhur veturën e tij Golf 2, me targa vendore, ngjyra e kaltër e cila ishte e parkuar në parkim”, njofton PK-ja.

Policia bën të ditur se rasti është nën hetime. /PrizrenPress.com/

Drejtori i Arsimit në Malishevë uron nxënësit dhe mësimdhënësit për vitin e ri shkollor

0

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit dhe Edukim në Malishevë, Avdi Morina, ka uruar të gjithë qytetarët e Komunës, drejtuesit e shkollave, mësimdhënësit, prindërit dhe nxënësit fillimin e vitit të ri shkollor,

“Më lejoni të uroj përzemërsisht në emrin tim dhe të Drejtorisë së Arsimit dhe Edukimit, të gjithë qytetarët e Komunës së Malishevës, drejtuesit e shkollave, mësimdhënësit, prindërit dhe nxënësit”, thuhet në urimin e tij.

“Një urim i veçantë shkon enkas për fatosat, që për herë të parë këtë vit ulen në bankat shkollore. Pas një pushimi veror disa javor, po u kthehemi ditarëve e bankave shkollore, me urimin për një vit sa ma të mbarë dhe të suksesshëm”.

“Për dallim nga vitet paraprake, ky vit shkollor në Komunën e Malishevës po fillon me shumë objekte të reja shkollore, që për herë të parë sivjet i hapin dyert për nxënës dhe mësimdhënës. Me kabinete të reja e me infrastrukturë moderne, e cila do t’u krijojë nxënësve hapësirë, dhe mundësi për t’i shfaqur dhe demonstruar aftësitë dhe talentet e tyre në fusha të ndryshme shkencore e shoqërore. Komuniteti shkollor do t’i gëzohet shumë terreneve sportive (të hapura dhe të mbyllura), ku talentet sportivë do t’i tregojnë cilësitë e tyre, në disiplina të ndryshme sportive”. /PrizrenPress.com/

Në Rahovec mbyllet edicioni i 15-të jubilar i HardhFest

0

Me aktivitetin artistik nga kolonia e artistëve, Art Sympozium, u mbyll edicioni i 15-të jubilar i Festës së Vjeljes së Rrushit, HardhFest 2016.

Në Hardh Galery, pjesëmarrës ishin kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi, stër-mbesa e Skënderbeut, Sofie Kastrioti, dhe artistë ndërkombëtar.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi inkurajoi artistët që të vazhdojnë me punën e tyre dhe të begatojnë këtë sferë, teksa rikonfirmoi mbështetjen e pakursyer për organizimin e HardhFest.

Fehmi Hoxha, drejtor i Urbanizmit, Planifilimit dhe Mbrojtje te Mjedisit në Komunën e Rahovecit dhe udhëheqës i kolonisë së artistëve, shprehu mirënjohjen për realizimin e suksesshëm të aktivitetit dhe të HardhFest. Ai falënderoi artistët nga mbarë bota që morën pjesë në festival duke i inkurajuar që ata sërish të jenë pjesë e festivalit.

Ekspozitën e hapi dhe njëkohësisht e mbylli festivalin HardhFest, kryesuesi i Këshillit, Emrullah Spahiu, i cili ka thënë se arti gjithmonë do të cilësohet vlerë nga HardhFest.

Ai falënderoi kryetarin Vehapi për përkrahjen e festivalit, duke ftuar të gjithë në HardhFest 2017, puna për të cilin do të nisë menjëherë!

Në edicioni 15-të i festes së rrushit HardhFest 2016 u shënua nën moton ‘Për Kokërr t’Qefit’, në kuadër të aktiviteteve kulturore dhe artistike pjesëmarrës ishin grupi muzikor Elita 5 , Troja dhe shume artist si nga Kosova, Shqipëria dhe e gjithë Bota. /PrizrenPress.com/

VV: Në arsimin e Prizrenit asgjë e re, drejtori i dënuar zëvendësohet me një të hetuar

0

Lëvizja Vetëvendosje në Prizren, përmes një komunikate për media ka thënë se viti i ri shkollor në arsimin e Prizrenit nuk ka asgjë të re, pasi drejtori i dënuar është zëvendësuar me një të hetuar.

“Viti i kaluar shkollor u përcoll me skandalet e ish drejtorit të arsimit, ndërsa fillimit të këtij viti shkollor po i prijnë hetimet ndaj drejtorit të sapozgjedhur të po kësaj Drejtorie.

Ky vit shkollor, për Komunën e Prizrenit, po fillon me një drejtor të arsimit, i cili fillimisht është i pensionuar dhe ende pa ardhur në postin e drejtorisë së Arsimit ishte nën hetime për falsifikim dhe shkelje ligjore”, thuhet në komunikatë të VV-së, përcjellë PrizrenPress.

Komunikata e plotë:

Lëvizja VETËVENDOSJE! të gjithë mësimdhënësve, filloristëve që ulen për herë të parë në bankat e shkollës, nxënësve të tjerë filloristë dhe atyre parauniversitarë jua uron vitin e ri shkollor.

Në arsimin e Prizrenit asgjë e re – drejtori i dënuar zëvendësohet me një të hetuar

Pa fajin tuaj, viti i ri shkollor u politizua nga Qeveria për të krijuar huti, panik dhe pasiguri në popull, sepse me 1 shtator Qeveria i mbushi rrugët dhe sheshet e kryeqendrës së Kosovës me policë, vetëm e vetëm për t’i shtyrë dhunshëm agjendat e veta.

Arsyetimi i shtyrjes së vitit shkollor nga ana e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për dy ditë ishte edhe një tjetër broçkull e sojit alla pronto, sepse, nisur nga praktikat e viteve të kaluara, jo të gjitha tekstet shkollore kanë qenë të qasshme nga ana e nxënësve. Është jo pedagogjike t’i thuhet dikujt- po rren, por këta, jo vetëm këtë herë, por në mënyrë të vazhdueshme, po rrejnë dhe po mashtrojnë.

Viti i kaluar shkollor u përcoll me skandalet e ish drejtorit të arsimit, ndërsa fillimit të këtij viti shkollor po i prijnë hetimet ndaj drejtorit të sapozgjedhur të po kësaj Drejtorie.

Ky vit shkollor, për Komunën e Prizrenit, po fillon me një drejtor të arsimit, i cili fillimisht është i pensionuar dhe ende pa ardhur në postin e drejtorisë së Arsimit ishte nën hetime për falsifikim dhe shkelje ligjore .

Një fjala e urtë popullore thotë: “Dita e mirë shihet në mëngjes.”

Mëngjesi për arsimin e Komunës së Prizrenit mbetet e zymtë. Çfarëdo që të jenë angazhimet e partisë në pushtet, për qeverisje më të mirë të Arsimit në Komunën e Prizrenit, ato nuk do të sjellin rezultate, sepse në vend që të angazhohen për të pajisur kabinete me teknologji bashkëkohore ata mbushin xhepat e tyre, duke mos lënë anash edhe punësimin e fëmijëve, farefisit dhe të servilëve të tyre.

Këto ju, mësimdhënës, i dini më së miri.

Profesionin tuaj të shenjtë e kanë degraduar këta që përditë thirren në vlera të mirëfillta, ndërsa mbushin vetëm xhepat e tyre.

Kjo mendësi e kësaj qeverisje duke udhëhequr me njerëz të kriminalizuar ka bërë që te ju, mësimdhënës të të gjitha shkollave, të mbjellin frikë në mënyrë që të mos keni guxim e të ngrehni zërin tuaj për keqpërdorimet nëpër institucionet arsimore përkatëse, për shkak të hakmarrjes eventuale.

Lëvizja VETËVENDOSJE! arsimin e sheh si mënyrë për zhvillimin e burimeve njerëzore, të cilat pastaj do të kontribuojnë për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror. Një prej shumë iniciativave të Lëvizjes VETËVENDOSJE! do të jetë që drejtori i shkollës duhet të emërohet nga Këshilli i Shkollës, ndërsa personeli tjetër nga drejtori.

Lëvizja VETËVENDOSJE! do t’i iniciojë ndryshimet e nevojshme në legjislacion që shkolla dhe komuniteti i saj ta bartin përgjegjësinë .

Është e domosdoshme që politikat e arsimit të zhvillohen në bazë të të dhënave konkrete me informata (mbi performancën, shkollimin e prindërve, gjendjen socio-ekonomike) për secilin nxënës në secilën shkollë që mund të arrihet përmes zhvillimit të një sistemi të menaxhimit të informatave të arsimit.

Është më se e nevojshme që përfundimisht kabinetet e shkollave përkatëse të pajisen me teknologji informative.

Në Alternativën Qeverisëse të Lëvizjes VETËVENDOSJE! është paraparë që mësimdhënësit që angazhohen për mësim shtesë do të kenë edhe pagesë shtesë për këtë angazhim.

/PrizrenPress.com/

Ditën e dytë që shkova nuse më thanë: Shko mili lopët!

0

Ishte hera e parë që në vitin e fundit të shkollës së mesme po më rroknin do farë dridhjesh të çuditshme, e që nuk më kishin goditur asnjëherë tjetër. I thosha vetes se isha ende tepër e re, për të mos thënë fare e pamësuar dhe tej mase e frikësuar të nisja dashuriçkat e moshës që i takoja, edhe pse shoqet e mia nuk e qanin kokën për gjëra të tilla. Dhe, që në këtë kohë fillova të dal pak nga ajo “udha e Zotit” dhe këtë devijim timin lozonjar e vërejtën menjëherë vëllezërit e mi, të cilët më ndaluan të dilja nga shtëpia pa i pyetur paraprakisht se kah do ta thyeja qafën. Për këtë arsye edhe humba besimin e tyre për të vazhduar shkollimin më tutje, pra studimet në Prishtinë, e që ishte një goditje e rëndë për mua dhe e para në jetën time.

Shoqet e mia dashuroheshin, e unë?

Dhe, deri në moshën 21 vjeçe jeta ime ishte e njëjtë: e zymtë dhe krejtësisht monotone, edhe pse kohëve të fundit kisha dal nga pak nga shtëpia, por nuk kisha njohur askënd. E, në anën tjetër, të gjitha shoqet e mia kishin gjetur të dashurit e tyre, madje ishin dashuruar edhe nga dy a tri herë, e unë as që merrja vesh gjë nga dashuria. Nëna shpesh ma përmendte martesën, por nuk e dinte se ku do më jepnin vëllezërit. Pas një kohe, njëra nga motrat e martuara më propozoi fejesë me një djalë që bashkëshorti i saj e kishte të afërm. Por, dola me të dhe nuk më pëlqeu.

Po atë verë, për çudi, pa menduar gjatë, u fejova me një shok të vëllait tim të dytë, i cili ishte djalë me fakultet të kryer dhe pasuri të madhe në një fshat të komunës së Malishevës, të cilit nuk dua t’ia përmend emrin, sepse tash më neverit. Për çudi, më pëlqeu që në takimin e parë. I tregova se nuk kam pasur lidhje me askënd, kështu që ai të flinte rehat. Dasma u bë një të diel me shi, erë dhe bubullimë. Dhe, pika e vlimit tim ndodhi ditën tjetër kur më thanë të shkoja në ahur dhe t’i milja lopët. Kundërshtova para të gjithëve dhe në atë moment burri im më ra shuplakë. Më pas grushtimet e tij pasuan edhe në dhomën e fjetjes. Dhe, që nga ajo ditë, edhe pse bëra jetë me të një vit, mezi prisja të gjeja rastin që t’i jepnim fund martesës dhe të mos rrija asnjë ditë në atë shtëpi.

Jeta si vejushë ishte edhe më e rëndë se ajo kur rrija e mbyllur para martese në shtëpi. Tashmë nuk më pengonte askush të dilja, por sa herë që dilja në rrugë më bëhej se të tjerët flisnin vetëm për mua. Nuk më pengonte kush të dilja, por nuk e kisha freskinë e dikurshme. E ndjeja mungesën e një mashkulli, sepse veç isha mësuar të flija me dikë. Dhe, sa herë që dilja në qytezën tonë, veç sa dëshpërohesha, sepse shumëkush mundohej të më shtinte në dorë, qoftë edhe për një natë.

Në pranverën e vitit tjetër u njoha me një burrë që i kishte 33 vjet, me të cilin ramë dakord të martoheshim, meqë edhe ai kishte qenë i martuar një herë. Me t’u martuar për së dyti, u dhashë shqelm gjithë atyre meshkujve që më ndiqnin pas sa herë që dilja jashtë shtëpisë. Tim burrë në fillim fillova ta doja, por shumë shpejt filloi t’më dilte nga zemra. Më shkonte në nerva për shumëçka. I thashë se jam e sëmur dhe nuk dëshiroja të nissha kurrfarë fëmije, të cilin ai e dëshironte shumë. Ky edhe ishte shkaku i një zënke shumë të ashpër, e cila edhe përfundoi me ndarje.

Dhe, që nga ajo kohë, edhe pse kanë kaluar 10 vjet, më nuk kam besim në askënd dhe si vejushë më shumë rri mbyllur sesa që dal nga shtëpia, sepse e kam emrin e keq: të gjithë më thërrasin vejushë”, tha Shpresa në rrëfimin e saj rrëqethës atë ditë që e vizitova në shtëpinë e saj në Rahovec .F. M. /Kosovarja/

Kam besim në SBASHK-un se do të ketë mirëkuptim

0

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor ka bërë me dije se mbi 260 mijë nxënës do t’i kenë në duar tekstet e rishkruara pas 10 vjetësh.

Bajrami në një intervistë për gazetën “Epoka e re”, ka thënë se ka besim në SBASHK-un se do të ketë mirëkuptim dhe do të heqë dorë nga greva.

Ai ka thënë se SBASHK-u është partnere e rëndësishme e Ministrisë dhe ka treguar se me të kanë biseduar për kërkesat e saj.

Në këtë intervistë Bajrami ka folur edhe për institucionet publike të arsimit të lartë, për të cilat thotë se kanë realizuar me sukses proceset e brendshme zgjedhore.

Ai ka thënë se trendi i ndryshimeve pozitive vërehet dukshëm në institucionet publike të arsimit të lartë. Bajrami ka bërë me dije se pas disa ditësh do të dorëzohet në Qeveri për shqyrtim dhe miratim plani strategjik për arsim 2016-2021. /Epoka e re/

Sot nis viti i ri shkollor

0

Sot në të gjitha shkollat e Kosovës do të fillojë viti i ri shkollor 2016-2017.

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2016/2017, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, do të vizitojë nxënësit në shkollën fillore dhe të mesme të ulët “Meto Bajraktari” në Prishtinë.

Ndërsa, më pas, ministri Bajrami do të marrë pjesë në përurimin e objektin e ri të shkollës së mesme në Ferizaj, thuhet në njoftimin për media të MASHT-it.

Viti i ri shkollor në Kosovë zakonisht fillon më 1 shtator, por Ministria e Arsimit e ka shtyrë atë për 5 shtator (sot).

Demarkacioni riprocedohet në Kuvend

0

Qeveria e Kosovës pritet ta riprocedojë në Kuvendin e Kosovës Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, menjëherë pasi të fillojë sesioni vjeshtor. Zyrtarët qeveritarë thonë se nuk kanë afat kohor se kur do ta riprocedojnë në organin ligjvënës, por kjo do të ndodhe shumë shpejt, për shkak të proceseve të rëndësishme, siç është liberalizimi i vizave.

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal dhe këshilltari i kryeministrit, Bajram Gecaj, thotë se në ditët e ardhshme pritet edhe të konsultohen me partnerët e koalicionit para riprocedimit të Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi në Kuvendin e Kosovës.

“Nuk ka kohë të caktuar, por për shkak të proceseve të rëndësishme si rasti i liberalizimit të vizave, duhet ta rikthejmë në Kuvend sa më parë që të jetë e mundur. Besoj pas konsultimeve në ditët e ardhshme në mes të partnerëve të koalicionit”, ka thënë Gecaj për gazetën “Zëri”.

Në seancën e së enjtes kryeministri i Kosovës Isa Mustafa tërhoqi këtë projektligj, duke thënë se një grup parlamentar ka kërkuar koncesione si kusht për ta votuar Demarkacionin. /Zëri